BËRTAKOCAT

Nuk është fjala për “Bretkosat” e Aristofanit, dhe as për hallin që e ka zënë Tiranën për mungesë dramash e dramaturgësh me shpirt politik progresist për zgjimin civik dhe civil të shoqërisë sonë; është fjala për pozicionin dhe trajtimin e keq të femrës në Shqipëri, që, edhe kur mediat ia qajnë hallin, nuk çojnë ujë në mullirin e grave.

Ndoshta duhet të kishe jetuar në një lagje thellësisht tiranase mbushur me kalamaj që rriteshin bashkë duke u tallur, luajtur e luftuar, që të dëgjoje këtë rimë fëmijërishte në të folmen tiranase (e dhënë në krah në variantin standard):

“Goca, goca, bërtakoca,                         “Goca, goca, o bretkosa,
Shtroni qylyma, hani krryma.              Shtroni qilima, hani krimba.
Çuna, çuna, gushpulluma                      Çuna, çuna, gushëpëllumba,
Shtroni hastra, hani pastra”                Shtroni hasra, hani pasta.”

Jam e sigurtë që një përpjekje fare e vogël do ju sillte në mendje aforizma, rima, frazeologji, fjalë që bartin diskurse anti-grua të llojeve e niveleve të ndryshme si rima më lart. Kur isha e vogël e mbaj mend që jam përpjekur disa herë të kuptoj tamam se çfarë donte të thoshte, nëse ishte ‘e mirë’ apo ‘e keqe’ për ‘mua’, pse thuhej atëherë kur thuhej, kë mbronte e kë lëndonte, dhe, në fund të fundit, nëse kishte apo jo ndonjë kuptim. Pastaj e harrova. Por ama në mendje më kish mbetur e paprekur; si zilkë e vjetër që mbetet në një sirtar që rrallë hapet, por as nuk flaket se të kujton dikë, dhe as ia harron kurrë tringëllimën.

Nga ana tjetër, me gjithë paragjykimet anti-grua dhe patriarkalizmin shqiptar, unë jam rritur në një ambient ku vajzat janë trajtuar me shumë dashuri, sado të tipit të vjetër ata që jepnin dashurinë. Dhe nuk flas vetëm për Tiranën, favorizuar gjithnjë me hisen më të majme mes qyteteve e fshatrave shqiptare. Flas për njerëz të afërt e të largët të mitë, nëpër qytete e fshatra në Jug e në Veri, njerëz herë-herë edhe shumë të varfër, që u kanë dhënë shumë dashuri e kujdes të veçantë vajzave të veta.

Pa mohuar nevojën e dekonstruktimit diskursiv të fjalëve, proverbave, rimave, pa mohuar gjendjen e rëndë të grave për violencën fizike e psikologjike së cilës i nënshtrohen në përgjithësi, e faktin që ato tradicionalisht në Shqipëri kanë mbajtur shtëpinë, fëmijët e në të njëjtën kohë kanë nxjerrë bukën nëpër fusha, pa dashur të lë të qetë patriarkalizmin e shoqërisë sonë, mund të them se njohuritë e mia nuk më lejojnë të pranoj si masive, ato akte të barbarisë kundër gruas që ndër ne të tilla nuk janë. Edhe për një akt të vetëm, duhet ngritur zëri, sigurisht, por pa e deformuar frekuencën e pranisë së tij. Ai zë që ngrihet, bën efekt kur ngrihet mbi një argument të plotë, dhe kur tregon një histori të vërtetë.

Para dy-tre muajsh, miq të ndryshëm më shkruan se kishin lexuar “që gratë shqiptare abortonin nëse fëmija nuk ishte djalë. Si nuk u kisha folur kurrë për këtë zakon monstruoz tonin?!”. Kuptohet që të gjithë miqtë e mi e dinin që goja më pret pa merak për të kritikuar probleme të shoqërisë në të cilën u rrita; e dinë edhe se në shtëpinë time, ne kemi zakonin familjar të pjellim vetëm vajza, dhe se, ngaqë jemi të lumtur e të dashuruar me vajzat tona, po të na pyesnin çfarë do t’i donim kalamajtë e mëpasëm, do thoshim pa frikë: vajza. Por ky fakt harrohet pas një lajmi kaq farfuritës e barbar sa aborti për shkak të seksit… edhe njerëzve me sens kritik, ky element u zë sytë e i emocionon pa i lënë të analizojnë më tej shkrimin. Ata i referoheshin një shkrimi të Briseida Memës për AFP që në nëntor të 2011-ës qarkulloi në anglisht në qindra site Interneti dhe agjenci lajmesh.

Lajmet për gjithçka çnjerëzore, të egër dhe primitive që bëjmë ne shqiptarët – kafshë cirku mesjetar, bëjnë rrugë të shpejta dhe janë mall i preferuar mediatik nëpër botë, i vetmi mall i yni me stampë “Made in Albania” që shitet sukseshëm. Jo dhe aq sepse sjellje të tilla mungojnë në vende të tjera, por sepse nga ne ‘të sofrës europiane’ kjo nuk pritet. Para disa ditësh Marjola Rukaj shkruante mbi të njëjtën çështje të aborteve selektive që kryhen në Shqipëri pas një vizite ultrasound të fetusit, pra atëherë kur testi ultrasound dëshmon një fetus femëror, e, për pasojë, ky abortohet që t’i lihet radhë një djali.

Jam e bindur që qëllimi i këtyre dy shkrimeve s’ka qenë botimi në vetvete, por lëvizja e rrotave burokratike e kulturore në ndihmë të grave (të sotme e të ardhme) dhe familjeve të dëmtuara në disa plane nga ky akt. Megjithatë që të dy shkrimet japin një kuadër të varfër provash dhe nuk e pohojnë këtë mungesë provash në krye a në fund, siç do duhej bërë; as nevojën për kërkimin e plotësimin e statistikave më të plota e të rregullta mbi abortin selektiv sipas seksit.

Në këtë mënyrë, sido që krijojnë një lëvizje mediatike në drejtimin e duhur, u japin atyre në rang institucional që nuk e pranojnë dukurinë, armë për të heshtur ‘zërin kundër’, dhe për të justifikuar mosveprimin më pas. Ndërkaq, nëse shkrimi do të investigonte përse në fakt qeveria nuk ka shifra e ndjekje të procesit, ose përse shifrat qeveritare nuk përkojnë me ato të Këshillit të Europës që në këtë rast kërkon veprim, ose do kërkonte përhapjen reale të dukurisë, do bëhej më e vështirë fshehja institucionale e saj, nëse ka një fshehje të tillë.

Madje, nëse shkrimi i parë merr një pozicion raportimi të fakteve dhe spekulimeve, sido që të pamjaftueshme për të ngritur një tezë si ajo që ngrihet, shkrimi i dytë manipulon opinionin, duke kaluar pa argumentim, nga një pozicion hipotetik, në përgjithësimin dhe pohimin e sigurtë të dukurisë si fakt, sikur kjo të ishte argumentuar ndërkaq. Fjalitë e fundit të shkrimit janë:

Esmeralda dhe nëna të tjera të ardhshme do të vazhdojnë ta kenë shtatzaninë e vet të kushtëzuar nga seksi i fetusit. Dhe kushedi se për edhe sa kohë ende, shqiptarët do ia  lënë një shteg hapur vetes, duke i stigmatizuar abortet selektive si “bëma të atyre prej mali”, ashtu siç kanë bërë edhe me një tjetër plagë shoqërore të Shqipërisë  bashkëkohore: gjakmarrjen.

Por në fakt Esmeralda (që është figura e gjallë mbi të cilën merr jetë shkrimi), nuk e di ende nëse e ka djalë a vajzë fetusin, dhe as nuk di se çfarë do të vendosë të bëjë me të as ajo, as familja, sikur të jetë vajzë. Pa dyshim edhe vetëm ideja, luhatja dhe mëdyshja më e vogël janë për t’u diskutuar në këtë rast, por siç shihet në paragrafin më sipër, gazetarja nuk po e ka më fjalën për analizën e luhatjes, por për një ‘punë të kryer’, e jo veç prej Esmeraldës por edhe shumë “nënave të tjera” me të njëjtin ‘hall’. Dhe, në fund, hyrja e gjakmarrjes si fjala e fundit e shkrimit, pa qenë aspak nevoja, është hapi i fundit për t’i dhënë fuqi një teze mbështetur keqaz, fuqi e cila nuk vjen nga forca e fakteve, por nga përpjekja për ekzoticizimin e dukurisë, ose për ‘komercializimin’ dhe ‘shitjen’ e fakteve.

Nëse deri tani shkrimi nuk e kishte fituar ende veshin e të huajve, me asociacionin formal dhe ideor të këtyre dy dukurive, pa dyshim që e fitoi! Nëse do veçoje “dy plagët” e shoqërisë sonë sot, ato janë varfëria dhe korrupsioni, dhe jo abortet selektive dhe gjakmarrja. Me varfërinë dhe kulturën e korrupsionit lidhen më pas, mungesa e dinjitetit njerëzor, injoranca dhe prania e marrëdhënieve abuzive mes njerëzve në të gjitha llojet e lidhjeve që kanë. Kur diskutojmë plagë konkrete të shoqërisë sonë, duhet t’i trajtojmë në këtë sfond real shoqëror, dhe jo në emër në emër të trashëgimisë gati gjenetike që u bëjmë ne zakoneve barbare të mesjetës.

Ka një fakt të cilit i referohen të dy shkrimet, që duhet marrë seriozisht: Këshilli i Europës (KE) ka raportuar për Shqipërinë një disproporcion në lindje mes dy sekseve: 112 meshkuj për çdo 100 femra, numra që nuk pasqyrojnë raportin biologjik standard mes sekseve në lindje për Shqipërinë, që është 104-106 meshkuj për çdo 100 femra. Ky është i vetmi fakt statistikor bazuar mbi një studim (së paku, duhet të jetë kështu) që të dy shkrimet sjellin. Por, sido që nuk ka arsye tjetër të ditur e të dukshme për përsenë e disproporcionit, veç asaj që pretendohet nga KE dhe nga dy shkrimet, puna e gazetarit është ta hulumtojë këtë të dhënë e të gjejë si janë arritur statistikat, çfarë mundësie tjetër ka për përligjjen e tyre me një tjetër argument të mundshëm, pra, çfarë arsye tjetër veç aborteve përzgjedhur sipas seksit, mund ta ketë shkaktuar atë shpërpjesëtim.

Kjo bëhet edhe më e domosdoshme, sepse në shkrimin e parë madje edhe citohet ministri i shëndetësisë Petrit Vasili, i cili mohon ekzistencën e dukurisë, sido që jo me ndonjë provë konkrete. Po ashtu thuhet edhe se Tirana ka të dhëna statistikore krejt të ndryshme nga ato të KE-së. Do isha e ardhur nga Marsi po të çuditesha që Tirana zyrtare po jepte të dhëna të pavërteta. Por çfarëdo të besojmë, ato janë, sidoqoftë, të dhëna institucionale ashtu si edhe ato të KE-së, dhe duhen ndjekur e verifikuar me të njëjtin seriozitet. Vetëm kështu mund t’i quajmë me efekt të rreme. Dhe, sidomos, duhet parë si mund të interpretohen ato. Nuk mund të jenë të sakta të dy palët e statistikave.

Argumentet e tjera në dy shkrimet janë përgjithësisht jashtë-shkencore, e bazuar në këto linja themelore:

  1. Shembulli i një gruaje reale përfaqësuese të problemit në fokus, pra nevojës për abort sepse fetusi është vajzë. Shkrimi i Memës sjell Rozën, një grua që ndodhet para një zgjedhjeje e zgjidhjeje tragjike. Ajo pohon në lot se i duhet të abortojë vajzën e katërt (duke qenë katër-muajshe shtatzënë) sepse e vret i shoqi po s’qe djalë. Doja ta shihja këtë si “Sophie’s choice”, por në fakt deologjikisht është edhe më tragjike, sepse gruaja e ka internalizuar problemin dhe nuk sheh dot përtej tij. Është gjendje e rëndë, por nuk e dimë se çfarë ndodh dhe as se sa frekuent është rasti i Rozës. Sidoqoftë, ai trazon emocionin e audiencës dhe kornizon vazhdën e perceptimit të argumentimit nën fuqinë e këtij emocioni fillestar. Është shumë prekës, por nuk dëshmohet si përfaqësues dhe as bindës për tezën e ngritur. Në shkrimin e dytë, atë të Rukajt, siç e thashë më lart, shembulli i Esmeraldës lihet krejt i hapur, dhe marrim vesh vetëm se në familjen e saj, e do tradita që duhen lindur djem.
  2. Zëri dhe autoriteti i ekspertit mjekësor që ose direkt ose indirekt pohon praninë e problemit. Faktet e referuara nga mjekët nuk janë bazuar në kërkim dhe as në grumbullim të thjeshtë statistikor (ose ne nuk njihemi me to në shkrime). Ata vetëm pohojnë vagët ose tërthorazi (p.sh. duke spekuluar në erë se ku bëhen këto lloj abortesh), që problemi ekziston. Në shkrimin e dytë, në citimin që i bëhet mjekes së Klinikës (më të madhe të vendit) Kiço Gliozheni, R. Moisiut, i vetmi tekst që në fakt i referohet një anketimi (sido që s’e dimë çfarë e si është kryer), ajo shprehet se në 2010-ën u kryen 470 aborte, “arsyet kryesore të të cilave qenë këto: arsye ekonomike, deformime të fetusit dhe seksi i fetusit”. Kjo është e vetmja e dhënë konkrete nga një mjeke, bazuar në diçka më të saktë sesa spekulimet, në të cilën arsyeja e tretë është abortimi për shkak të seksit. Nuk dimë se çfarë përqindjeje është kjo. Por tamam sepse gazetares i jepet një rast ku mund të nxirrte një argument përtej spekulimit për tezën e vet, ky argument duhej ndjekur më tej, e plotësuar. Mjekë të tjerë dalin në shkrim me komente se si mund të parandalohet problemi, por jo me dëshmi për problemin vetë.
  3. Zëri dhe autoriteti i ekspertit sociolog, psikolog apo të shoqërisë civile. Këto zëra të krijohet përshtypja se janë përfshirë në shkrim për t’i dhënë ngjyrë, më shumë emocion, dhe ekstranarrativë përligjëse tezës themelore, si dhe për të rrumbullakosur hulumtimin gazetaresk. Këto zëra ose duken pa lidhje me realitetin, ose irrelevante. Pra nuk sjellin fuqi për argumentin në fjalë.
  4. Së fundi ka copa informative që nuk vërtetojnë asgjë, por jepen për të mbështetur tezën që në fakt nuk është e argumentuar mjaftueshëm, që të kthehet fare në tezë.  Të tilla janë çmimi i ulët i abortit apo ai i ultrasoundit, rëndësia e mashkullit në Shqipëri për kalimin nga brezi në brez të emrit ose të pasurisë etj. Po a mbahet parasysh këtu se po flitet për pjesën më të varfër të popullsisë që nuk ka lidhje as me argumentin e parë e as me të dytin? Gjithashtu, të shohim ku e kemi problemin, në ç’masë e si shfaqet, para se të marrim me mend pse ndodh e para se të gjejmë si ta luftojmë. Në kategorinë 4 do fusja edhe zëra të revoltuar me ambientin tonë patriarkal dhe injorancën tradicionale popullore. Por këto do ia vlente të analizoheshin, nëse do ishte vërtetuar paraprakisht teza e shkrimit, dhe jo si provat që vërtetojnë atë.

Në Mumbai (Bombey) para dy muajsh 222 vajza quajtur Nakusa (që do të thotë ‘e padëshiruar’) nga zonat e varfëra dhe rurale, ndërruan emrat në shenjë proteste. Në Kinë ku politikat kontrolluese të rritjes së popullsisë të tipit “Një fëmijë të vetëm!” forcohen me ligj, dëshmohet një shifër shumë më e lartë e raportit femër-mashkull në lindje. Atje, për çdo 100 vajza lindin 130 djem. Për momentin ka disa dhjetëra milion meshkuj më shumë sesa femra. Por në Kinë abortet selektive sipas seksit janë një fakt i sigurtë e i përhapur. Neglizhimi, vrasja e vajzave apo abortet e fetusit femër, janë dukuri të hasura në të gjitha pjesët e varfëra e të paemancipuara të botës. Ato duhen parë tamam në kuadrin e varfërisë dhe paemancipimit, dhe sidomos duhen paraqitur ashtu siç janë, pa i ekzagjeruar dhe as melodramatizuar. Dhe, shërimi vjen nga brenda shoqërisë e jo nga jashtë saj.

Unë besoj që problemi edhe tek ne ekziston, siç besojnë edhe dy autoret e shkrimeve. Por ekzistenca e tij duhet argumentuar më mirë, përndryshe shkrime të tilla bëjnë më shumë zhurmë ndër dashamirës nostalgjikë e sy-perënduar të Shqipërisë, apo ndër të thekur pas kafshërisë dhe ekzotikës së egër ballkanase, sesa ndër vetë shqiptarët.  Kudo, edhe në demokracitë më të zhvilluara, të drejtat e gruas shkelen dhe ajo trajtohet padrejtësisht në pak a në shumë drejtime. Por në Shqipëri gruaja ende rrihet, mbrehet në punë, fjala dhe idetë e saj shkelen e fyhen, nuk i njihet kontributi që jep në familje e shoqëri, përdoret ligsht, madje dhunohet edhe në rang institucional. Shqipëria nuk ka nevojë të ekzagjerojë problemet që i kanë gratë, dhe as t’i trajtojë ato të kontestueshmet pa provuar dot që ekzistojnë, sepse problemet e gruas Shqipëria as nuk i nxe dot.

Nuk ka komente

  1. Megjithese do dal njecik nga tematika e shkrimit, i cili ne kompleksitetin e tij eshte i ndertuar mire, nuk dua te le pa komentuar ate bejten e vogel kater vargshe, e cila me ngacmoi me naivitetin e mesazhit qe kumton. Kjo mbase e cliron disi dhe ankthin e autores se nga keto tip folklorizmash simpatike rrjedh dhe brutaliteti i manifestuar dukshem ne fenomenin disa dimensional te aborteve. Nese e lexojme ate strofe ne nje optike e cila ne nje kend te saje sheh dhe kamuflimin erotik ne folklorin tone, do ti jepnim nje gjysem zgjidhje dhe tendences per te pare difektet tona moderne tek gjurmet e tradites popullore.
    Shpresoj qe te mos e kem gabim.

    1. Edhe nese jane vargje figurative per seksin oral, cunat jane gushepellumba e gocat jane bretkoca. lol

      Mgjths nuk ka diskutim per patriarkalizmin tone ne vitet qe mund te jene ngjizur keto vargje, ashtu si ajo e shkuar nuk eshte se justifikon te tashmen pas kaq vitesh.

      Une do isha me kurioz per kulturen dhe raportin mashkull-femer para kohes se kanuneve, mbase duke shkuar mbrapa deri ne kohen e ilireve/paganeve, per ta ditur si ka qene atehere, dhe si mund te kete ndrshuar pra.

  2. Rima te tilla lene me shume liri interpretimi se vargje poetesh te njohur, pa dyshim. Nuk kam menduar kurre se rima me lart i referohej seksit oral. Nuk mendoj as tani. Besoj se ka disa elemente ne ate rime qe e bejne teper te kerkuar ate interpretim. Dhe, meqe e sollet ketu, une do shtoja qe interpretimi juaj do ta bente rimen quasi-feministe e revolucionare.

    Sidoqofte, mua me shqeteson ekzagjerimi, mosverifikimi dhe rikuptimesimi sipas ideologjive qe dominojne ne nje cast, i dukurive si abortet. Jo rastesisht ato lidhen me gjakmarrjen ne tekstin e referuar. Ka lidhje ne nivele te ndryshme intertekstualiteti.

  3. Ne linje amnore jam tironse (a tiraneshe si i thomi no) gjakpaster 🙂 Ime me eshte kryqezim Tafaj-Bermema. E lexova shkrimin e Presjes si me e pase rrufit, pra me nje fryme se me pelqeu shume, dhe them se eshte teme e drejte dhe e rende, oshtima e se ciles nuk duhet te na ndahet nga veshi.

    Por kuptohet, me ha shati per nga gjuhesia, e sidomos ketu me ngre krye edhe arketipi amnor. Ndaj dua t’i shtoj komenteve nje oroe te vockel etnolinguistike, me fort si deduksion i habitatit tim sesa si shfrytezim lekturash. E para, per te folemn tironse, gocat jo rralle thirren bertkosa (me e me 2 pika). Keshtu m’kan thirr edhe mua (n’dashni kuptohet). E po ashtu, kemi pjese te tallavase ahengun me titull “Hec bertkose!”. Tashti (apo neshti?) vijme te duali “shtroni qylyma vs. shtroni hastra”. Po e nis nga e dyta. Un nuk i kam mberrit stergjyshat e mij, por per fat kam jetu gjate me stergjyshet (ijen e gjyshin dhe nandajen e gjyshes). Me kete te fundit madje kam rrojt deri 17 vjeç (e them kete detaj per te ftillu panoramen e kujteses moshore). Dhe ato me dftonin per burrat e tyne. Secili, siç ia do tradita burrave tirons, qejfli rakije. Dhe te dyja me thonin se kur u mblidhnin me pi me shoke, zakonisht buze ndonji hurdhe a vije uji (te shumta ne Tirane), organizatori (po e quajme) i zderhalljes merrte gjithnji nen sqetull hasren e rakise (t’mledhme rul). Prej kendej edhe shprehja per ndonji çun qe s’i duhej dhene goca per nuse: “Ku vi ai, s’e ke per asisen, veç me haser nen sqetull e gje’). Pra jemi krejt ne kontekst autokton edhe mentalistik me ket vargun qe na kujton Presja “shtroni hastra e hani pastra”: Kurse kemba e pare e dualit – shtroni qylyma – lidhet mirfilli me punet apo ranget e shpise. Familjet qytetese nuk pranin me shtru hasra mbrene ne shpi, po vetem jashte, ke jerevia jashte qe ishte si ode verore, me dhe te ngjesh, mbi te cilin edhe mund te hudhej hasra. Brenda kurrsesi. Brenda kish qylyma, kryesisht prej lecke (rrypa pambuku) t’cilat gocat i endnin vete ne vegje dhe i quanin çulle keto qylyma. Kaq e vertete eshte kjo, sa, kur une desha me shtru ne shtepine time nje gjoja-qylym a shtroje moderne te thurur me rripa bambuje (ngjan ne fakt me hasren), qelloi ate dite ime gjyshe, Safet Tafaj ne shtepi, e cila zgurdulloi syte e m’tha: “Te do nona fort, ma hiq at haser se s’ina maloke!”. Kaq dhe e mbyll, duke falenderu per ndjesin e mire prej kadifeje te moçme qe me la shkrimi.

  4. Shtojce per komentin tim: u kerkoj ndjese lexuesve te Peisazheve per “lapsus kalami”-t qe do te hasin ne komentin tim te mesiperm. E hodha me nje fryme.

  5. Ne fakt, une po doja ta kishim kapercyer rimen, qe te diskutohej ajo per te cilen shkrova, po s’po mundem as vete.

    Falemnderit, Ledi per sfondin etnografik te rimes dhe per “t’rrufitmen” e shkrimit :). Eshte interesant sa variante te te folmes tiranase ka pasur brenda qytetit! Edhe une u rrita me nonen, por ka plot fjale nga ato qe thua, qe ishin ndryshe tek nona ime. Dhe familja ka jetuar atje ku eshte sot, ne te pakten 200 vjetet e fundit (nuk tundeshin vendit kollaj tiranasit), ndaj nuk besoj te jete ndikim variantesh te tjera. Me ben pershtypje sasia e rrokjeve per ‘bertakocat’. Nuk ishte thjesht per te ndihmuar rimen. Perdorej ashtu edhe jashte atyre vargjeve.

    Qeverri: besoj se ka qene me dy ‘r’ varianti origjinal i fjales dialektore tiranase ‘krimb’. Po ta vesh re, e gjen edhe ne te folme te Jugut po me dy ‘rr’ (edhe ne ato te folme qe qeverise i thone ‘qeverri’). Gjithashtu fjala ‘krym’ ekzistonte ne kuptimin ‘kryej’ si tek “E krym ket pun” Nderkaq, jam e sigurte qe ajo qe quhet sot ‘tironcshe’ dhe qe flitet nga rinia, ka inkorporuar elemente te et gjitha niveleve gjuhesore (edhe fonetike) nga te folmet e gjithe krahinave e Shqiperise nepermjet te ardhurve ne keto 70 vjet. Gjithashtu besoj brenda tiranes tipare te caktuara fonetike jane edhe ceshtje “mode” dhe jane perhapur nen kete ndikim.

  6. ”’Por në Shqipëri gruaja ende rrihet, mbrehet në punë, fjala dhe idetë e saj shkelen e fyhen, nuk i njihet kontributi që jep në familje e shoqëri, përdoret ligsht, madje dhunohet edhe në rang institucional.”

    Ne 1983 Alida Hisku perfundoi ne burg e çmendine.
    Iu futa kerkimeve ne internet, meqe s’ma mbushte mendjen teoria e ditarit, pasi ishte kanakare e pushtetit dhe jo shume ndryshe nga gjithe kanakaret qe kishin dale jashte shtetit, dmth qe vinin ne Shqiperi e thonin bo bo ça behet ketu, apo dilnin nga Tirana drejt ndonje katundi e vinin duart ne koke.’

    Po keshtu meqe s’hengri ndonje burg 16 vjeçar apo te pakten internim ne ndonje maje mali, sikur nuk dilnin mire llogarite qe ta haje per agjitacion e te mos perfundoje ne ferr. Ajo e pesoi çik me rende se ata qe akuzoheshin per shfaqje te huaja.

    As teoria e komplotit, ne historine e Fiqerete Shehut s’bindte.

    Shpjegimi ne forme thashethemi, ishte se e hengri ngaqe e kapi fronti i lagjes dhe vellai i burrit me dashnorin ne shtepi dhe u be skandal i madh.

    Kjo po i qendronte mire si akuze, imoraliteti i nje ylli, nje modeli te Njeriut te Ri, modele te cilet po te kompromentoheshin ne publik, nuk ishin me te mbrojtjshem, por u duhej dhene nje denim dhe hequr nga skena.

    Problemi qendron tek ‘modeli’, si do i imponohet femra shoqerise. Ne Skandinavi ku roli i saj publik eshte i madh nuk ka Ciljeta e Zajmina, Zhozefina e Mesila, si modele.

    Shqiperia eshte teper rremuje, ka shume modele femerore te mbrapshta, duhet te pajtohen ne radhe te pare femrat me nje model publik , pak rendesi ka vertetesia, rendesi ka qe modeli mos perlyhet publikisht.

    Keshtu duhet t’i imponohen botes mashkullore, sepse pushteti nuk i leshohet ‘kaosit’ dhe as dikujt qe vjen e flet per te drejta apo tjetrit qe niset nga parimi i forces se numrit, femra fiton si ‘alternative’, kur nuk vjen si alternative perfundon si feminizmi ne Itali apo Amerike, shume zhurme per pakogje.

  7. Nuk e besoj dot se te kuptoj, Hyllin. Lidhjen mes historise se A. Hiskut dhe perfundimit tend nuk e gjej dot fare. Ndoshta do te thuash qe gra me histori kaq banale, nuk mund t’i imponohen shoqerise e te behen shembuj, por s’e besoj se me duket shume e thjeshtezuar te kesh menduar keshtu.
    Por, te mbetemi vetem tek perfundimi yt. Gjithashtu argumenti yt s’ka baze. Modelet nuk bien nga qielli, dhe as merren dot borxh. Modelet i prodhon shoqeria. Nese s’i prodhon dot, do te thote qe per momentin eshte shterpe. Duhen gjetur arsyet e shterpesise dhe te sherohet tamam ajo. Nuk mund te thuash s’ka modele, prandaj grate rrihen. Dhe sidomos eshte primitive ideja se meqe s’ka femra qe “t’i imponohen botes mashkullore” atehere meshkujt nuk ia likan dot pushtetin kaosit feminist.
    Sinqerisht, nganjehere nuk e besoj dot se njerez te botes sone mund te arsyetojne keshtu.

  8. Presja. nuk ka lidhje ‘banaliteti’, por aftesia e femres te imponohet si ‘model publik’. Nuk ka pike rendesie vertetesia e modelit, eshte apo jo ‘banale’ femra ne vetvete, i rendesishem eshte imazhi publik. Ishte apo jo banale Alida, nuk kishte pike rendesie, ajo thjesht si imazh publik per Shqiperine, duhet te permbushte disa kritere.
    Per analogji, rasti Pango, nuk lidhet me faktin ne vetvete, qe Pangoja e kishte zakon, sikunder gjithe te tjeret, ose pjesa me e madhe, por pse Pango u zbulua publikisht. Kjo e bente te pambrojtjshem prej sistemit.

    Ciljeta ne rastin tone qe behet edhe anetare kryesie e PD-se, ofron nje model (berluskonian ne kete rast) publik. Mesila si kopje e mashkullit agresiv e rrugaç ofron nje tjeter model publik, Jozefina po ashtu.

    Mashkulli e ofron nje model publik, pavaresisht nese eshte i vertete apo jo, nje model qe pelqehet nga shumica (se per shumicen behet fjale, kur flitet per publik) si nga meshkujt ashtu edhe nga femrat, kurse femra nuk e ofron.

    Konceptoje si puna e partive, qe nje ‘e re’ te depertoje duhet te perceptohet si alternative, jo si kopje e atyre qe jane ne pushtet.

    Publikja eshte zoterim mashkullor si ne 5 mije vjet civilizim mbi toke ashtu edhe ne stadin natyror, nuk mund te konceptohet ndryshimi ne terma ideale e abstrakto-intelektuale.
    Sa e sa here meshkujt kane shfrytezuar e do te shfrytezojne makiavelisht te qenit mashkull per te hequr qafe femrat e zonja nga konkurrenca. Jo se e bejne se jane patriarkale, perkundrazi mund te hyjne tek ajo perqindja qe solli njehere Pishaku, te burrave qe ankohen se rrihen prej grave, por sepse eshte çeshtje prestigji vetjak e te mirash materiale, se jane ambicioze, egoiste e nje sere arsyesh qe s’kane lidhje fare me patriarkalizmin, por me te qenit njeri.

    Barazia eshte çeshtje qe zgjidhet ne publik, sepse ne publik i ka rrenjet pabarazia e ato rrjedhojat e tjera. Si i thone demi duhet kapur nga briret jo nga bishti. Ne kete kendveshtrim hapi i pare eshte krijimi i nje modeli femeror alternative ndaj atij mashkullor ekzistues.

    Pastaj nese kenaqesh me modelin amerikan apo italian, ajo eshte çeshtje me shume ekonomike, sa te pasurohet Shqiperia, te kete femra pavaresi ekonomike do t’i arrije pa problem fare ato sukseset amerikane e italiane. Ne kete rast biles as eshte per t’u pranuar diskutimi, se eshte fiziologjike qe pavaresia ekonomike sjell avantazhe, varesia ekonomike disavantazhe.

    1. Hyllin: ti mendon se
      1. modelet femerore pozitive per publikun kane force te ndryshojne shoqerine sido qe mund te jene fare pak ne nr. Madje, se mungesa e tyre eshte arsyeja e pabarazise shoqerore te sekseve.
      2.modelet femerore mund te bien nga lart (te jene rastesi), dhe prape te jene te fuqishme per ndryshimin e shoqerise. Pra, modelet shoqerore nuk jane detyrimisht te lidhura me nje shoqeri.
      3. se modelet femerore dhe ato mashkullore nuk varen nga nj-tj
      4. se modelet femerore nuk duhet te ndjekin ato mashkullore, nese duan te ekzistojne.
      5. se ne shoqerine tone nuk ka modele te pranueshme femerore (te mira a te keqia), por ka te tilla mashkullore.
      6. se nje model mashkullor i keq, eshte i pranueshem per aq sa njerezia e pelqejne, por nje model femeror i njejte me ate mashkullorin, nuk eshte i pranueshem, sepse pjesa me e madhe e shoqerise s’e pelqen.

      Une shoh shume probleme ketu. Dhe besoj se nuk mund te presim per ‘modele’ nese mendojme keshtu. Modeli i mbrapshte mashkullor duhet te mos pranohet aq sa edhe ai i mbrapshti femeror; modele femerore te ndryshme nga ato mashkulloret nuk ka arsye t’i prodhoje shoqeria kur ata kryejne te njejtat funksione. Pse duhet te jete Jozefina ndryshe nga Saliu? Eshte po ajo filozofi, qellim, menyre edukimi, arsye ekzistence.
      Ceshtja eshte se nuk duhet te ekzistoje asnjeri prej te dyve, dhe per aq sa shoqeria jone maskiliste e pranon modelin e saliut, por hedh poshte ate te Jozefines, mos prit model gruaje apo model burri publik nga ata qe jane te emancipuar dhe kane fuqi emancipuese.

      Une nuk besoj se nuk ka modele grash. Dhe ketu s’e kam fjalen per Ina Ramen. Mendoj edhe se ka modele burrash progresive neper zinxhirin e prishur te shoqerise sone. Jo shume, por ka. Puna eshte se keta jane nen shtypjen e modeleve te sukseshme, burra e gra qe zhvasin e vrasin. Dhe kur dalin ne pah te miret, shpesh i marrim per te cmendur ose rastesore. ne fakt ata jane shfaqje e asaj pak fryme te mire qe ne kemi brenda vetes. Kur fryma jone te ndryshoje, do kemi me shume modele, dhe ata s’mund te jene nga njeri seks vetem, por, kur t’i kemi, do vijne nga te dy. Une them se modelet dhe shoqeria nuk ndryshojne ne varesi nga njeri tjetri, por bashke.

      1. Po mendoj se modeli publik ka force shume te madhe dhe nje teresi apo elite femerore e suksesshme qe perfaqeson nje model eshte percaktor vendimtar. Morem kryesisht politiken e muziken por ka edhe shume fusha te tjera, psh nje Kadare femer, nje Cabej femer, nje Poradec femer, per te perfunduar tek me banalja, nje analiste e suksesshme femer. Por gjithsesi nuk duhet te jene si ata, te jene te famshem e te suksesshem si ata, por mbi nje baze tjeter.

        Nuk eshte vetem Sala apo politikanet qe perfaqesojne modelin, se gjithe keto emra mashkullore, perfshi analiste kane bere apo bejne po aq si te forte, autoritete e autoritare ne fushat specifike sa edhe politikanet.
        Modeli mashkullor eshte i kompletuar, ngado ta ktheje koken mashkulli do te gjeje figura jo vetem me autoritet por autoritare ne fushat e tyre, qe mbrojne me agresivitet e burreri pikepamjet e veta. Po edhe ne muzike e art, jane tipa te fortesh.

        Nuk duhet Jozefina si Sala, sepse po garove me parimin e forces, autoritarizmit, nuk fiton dot perballe meshkujve, do fitoje vetem nje 10%.

        Ta zeme Mesila Doda mund te thote, te var tek palma, po nese perballe s’do kishte Tahirin e shkrete, po ta zeme Tom Doshin, ky do i kish thene, rri urte se u ngrita e te hodha nga dritarja dmth femra nuk ha dot buke perballe modelit mashkullor qe imiton.
        Po kjo eshte vertetuar tashme, shembujt e Italise dhe Amerikes jane domethenes.

        Modeli mashkullor do ndryshoje vetem kur te mos rezultoje i suksesshem ne shoqeri, dmth kur nje tjeter model ta rivalizoje e ta nxjerre te padobishem, sepse modeli si çdo gje tjeter ndryshon vetem kur shkon buze gremines.
        Psh sado te kete ndryshuar i ashtuquajtur ‘average Joe’ nje grua presidente nuk ka dale ende, e fitoi mashkulli zezak, por jo gruaja.

        Ne kete kenveshtrim, ne vend qe te pritet te ndryshoje modeli mashkullor keshtu nga qielli, ne nje kohe qe rezulton publikisht i suksesshem, me mire do ishte te krijohet nje alternative femerore, fale asaj do te mund te ndryshoje edhe i pari, pikerisht kur ta vendose me shpatulla pas muri si model i tejkaluar.

        1. Menyra e konceptimit nuk mund te ishte me e ndryshme nga e imja. Sipas teje, duket se, qe te kete barazi, kjo u dashka te fitohet me gjak, me luften mes sekseve, dhe mundjen e atij mashkullor. Kjo ne vetvete eshte kornize mashkullore e te parit te botes dhe te zgjidhjeve. Per mua, modeli mashkullor nuk ndryshon nga qielli, e as ai femeror nuk zbret prej atje. Individet per mua jane vetem figura qe krijojne iluzionin e ndryshimit, por ndryshimi vete vjen nga cfare mundi te krijonte individin. Ndoshta nga nje gje qe shumica nuk e njeh dot kurre.
          “Publikisht i suksesshem” eshte nje shprehje pa fuqi. Sidomos ne vende si Shqiperia.

  9. Nga artikujt e derimetanishem eshte e vertete qe nuk mund te percaktohet qarte permasa reale e ketij problemi, por ne forme anekdotash degjon larte e poshte sesi gra shtatzena llahtarisen nga “keshilla” miqesore e ndonje mjek-kasapi qe sugjeron se nese eshte vajze, mund edhe ta heqi.

    Per te perforcuar idene e artikujt mbi mungesen e profesionalizmit ne trajtimin e kesaj teme mjafton te shohesh se cili eshte kuadri ligjor me te cilin punojne keto palo-gazetare.

    Mu desh nje kohe te gjate te gjeja ndonje “ligj mbi abortin” ne Shqiperi, shume flasin per kete ligj por askush nuk citonte ndonje numer a nen! Pjesa me e madhe e gazetave i referohen “search word: ligji per abortin” (30,900 gjetje ne Google), dhe jo ligjit “Per shendetin riprodhues” (7,500 gjetje ne Google) apo ligjit “Per nderprerjen e shtatzanise” (1900 gjetje ne Google). Kjo tregon sharlatanizmin me te cilin trajtohet kjo teme.

    Ligji Nr. 8876, datë 04.04.2002, PËR SHËNDETIN RIPRODHUES, Neni 6, i jep gruas lirine e vendosjes: “Çdo grua, e lirë dhe e përjashtuar nga çdo formë diskriminimi, detyrimi dhe dhune, ka të drejtë për t’u kontrolluar e për të vendosur lirisht për të gjitha çështjet që lidhen me seksualitetin e saj dhe shëndetin seksual e riprodhues.” Atehere si mund grate te vendosin per gjinine e tyre te zhduket?

    Presioni nga burrat nuk mjafton, Kodi Penal, Neni 93 e ndalon presionin ndaj gruas.

    Ligji Nr.8045, datë 7.12.1995 PËR NDËRPRERJEN E SHTATËZANISË (1900 gjetje ne Google), Neni 9 thote: Ndërprerja e shtatëzënësisë për arsye mjekësore mund të bëhet deri në javën e 22 të shtatëzënësisë, në rast se një komision i përbërë nga 3 mjekë, pas ekzaminimit dhe konsultimit, gjykon se vazhdimi i shtatëzënësisë dhe/ose lindja e fëmijës rrezikon jetën ose shëndetin e gruas.” Qe ketej mund te merren statistika per para javes 22 dhe pas. Raporti ne favor te vajzave do te argumentonte hipotezen per aborte selektive. Por asnje shifer nuk permendet. Por http://www.instat.gov.al tabelat e lindjeve dhe aborteve nuk i ka te ndara sipas gjinise (Instat mbahet per fshehje/trafik te dhenash).

  10. Nuk e kuptoj pse bejne presion burrat ne kete drejtim. Tani ka dale edhe ne mode ideja se “gocat jane me te mira. Ato bejne shume per babain”. Sikur te behet nje telenovele per kete ceshtje, them se do ndryshoje situata.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin