Dëgjon të thuhet: “si mund ta hedhësh poshtë veprën studimore të filanit, që atij i ka marrë 40 vjet nga jeta”; ose “ai ka një jetë që punon për atë libër, meriton respekt”, ose edhe “unë kam botuar shtatë libra në fushën e [x], prandaj nuk mund të ma mohosh punën.” Ideja pas këtyre pohimeve, që janë të panumërta, është se puna në vetvete, si shpenzim kohe dhe energjish, por edhe si mundim dhe izolim prej murgu, përfton vetvetiu vlera të pakontestueshme.
Këtë pseudo-argument e sheh të zbatohet edhe ndaj disa veprave të albanologjisë alternative – nga studimet pellazgjike të Spiro Kondës, tek ato simbologjike të Petro Zhejit dhe më tej; ose, jashtë kufijve të mendimit shqip, veprat etruskologjike të Zacharia Mayani-t. Këto vepra përgjithësisht nuk janë pranuar nga dija institucionale dhe nuk janë përfshirë në ligjërimin “shkencor” albanologjik. Paçka se puna dhe përkushtimi shembullor i autorëve nuk mund të kundërshtohet.
Në përgjithësi, nuk ka ndonjë lidhje mes punës së palodhur dhe rezultatit; dikush mund të punojë gjithë jetën, dhe të prodhojë vetëm gabime, fantazira ose gjepura, ndërsa dikush tjetër mund të zbulojë diçka madhore, për shembull një formulë matematike, brenda pak orësh. Suksesin e kërkimit shkencor e mat replikueshmëria e rezultateve, në rastin e shkencave të sakta dhe laboratorike; ose njohja dhe miratimi nga autoriteti shkencor, në rastin e dijeve sociale dhe humane. Nëse është e vërtetë që vepra të mëdha, me ndikim të madh në dije, kërkojnë mundim dhe përkushtim prej autorëve, e kundërta nuk qëndron: mundimi dhe përkushtimi, në vetvete, nuk garantojnë as sukses, as afrim ndaj së vërtetës. Jo gjithnjë sasia shndërrohet në cilësi; ndodh – dhe jo aq rrallë – që studimi i mundimshëm është simptomë e trishtuar e një çrregullimi mendor (psikoze).
Për fat të keq, në disa fusha si historiografia, por jo vetëm, kriteri i autoritetit mbetet vendimtar: një studim duhet të jetë miratuar nga instancat e pritshme, që të konsiderohet si sukses; tërthorazi, kjo rregull vepron edhe kur një vepër e caktuar citohet shpesh, gjen zbatime të rëndësishme në praktikë dhe hap horizonte kërkimi për studiues dhe institucione të tjera.
Në vija më të përgjithshme, për t’u konsideruar si i suksesshëm, një studim duhet të integrohet në dy lloj ligjërimesh: ai i arsyes, dhe ai i profesionit. Nëse i pari nuk ka nevojë të shkoqitet këtu më tej, i dyti kërkon zotërim të “gjuhës” akademike të kohës dhe familjaritet me fushën dhe traditën përkatëse, çfarë shpesh u mungon autodidaktëve; për shembull, një studim në lëmin e kronometrisë nuk mund të artikulohet me zhargonin që përdorte Christiaan Huygens-it; një studim në fushën e gramatikës nuk mund të injorojë nevojën për të operuar me kategoritë e foljes, të emrit, të morfemës, të rendit të fjalëve, të predikativitetit, e kështu me radhë.
Nëse një studiues, pas njëzet vjetësh hulumtimesh të thella, arrin në përfundimin se shpejtësia e telepatisë shprehet nëpërmjet formulës
e^x/(y^3 – π)
ku x është distanca mes dy vatrave të mendimit, ndërsa y mesatarja e ngarkesave elektrostatike në kokërdhokët e syve të subjekteve, ato njëzet vjet që ka sakrifikuar nga jeta nuk i japin ndonjë prestigj më tepër formulës më lart.
Përkundrazi, kjo hipotezë a teori nuk është e arsyeshme, sepse merr si pikënisje shpejtësinë e një fenomeni fantomatik, si “telepatia”; duke e vendosur atë në marrëdhënie me koncepte të tjera të panjohura për dijen e sotme, si “vatrat e mendimit”. As matematika në dukje e formulës nuk është se i jep hipotezës në fjalë ndonjë pamje më “shkencore” – dhe as e bën atë më pak absurde. Përkundrazi.
Historia, por edhe bashkëkohësia, ofrojnë plot shembuj dijetarësh edhe përndryshe të mëdhenj, që kanë roitur dhe kanë shpenzuar vite e dekada, duke u marrë me studime shterpë dhe delirante. Dijetari Athanasius Kircher botoi, në vitet 1652-1654, tre volume të rënda të Oedipus Aegyptiacus, në të cilat u bazua në astrologjinë kaldeane, në kabalën hebraike, në mitologjinë greke, në matematikën pitagorike, në alkiminë arabe dhe në filologjinë latine, për të dhënë një deshifrim madhështor të hieroglifeve egjiptiane, deri atëherë të pakuptuara.
Kjo vepër u përshëndet për kohën, por pastaj u rrëzua e gjitha, me deshifrimin e mirëfilltë të hieroglifeve nga Jean-François Champollion në 1824. Për ta rrokur më mirë absurdin e leximeve të Kircher-it, po sjell vetëm një shembull: frazën e shpeshtë dd Wsr, që ky e përkthente si “Tradhtia e Tifonit mbaron te froni i Isis-it, lagështia e natyrës ruhet nga vigjilenca e Anubis-it”, Champollion-i korrektësisht e lexoi si “Osiris-i thotë”. Epërsia e Champollion-it ndaj paraardhësit të tij të bujshëm është se ky pati në dorë një mbishkrim në disa gjuhë, të cilin e përdori si referencë për përkthimin. (Shembuj të tjerë, më të habitshëm, të marrëzive në interpretimet e Kircher-it i gjeni te ky artikull.)
Një egjiptolog britanik i fundshekullit XIX i cilësoi përkthimet e Kircher-it si “utter nonsense”.
Edhe për Isaac Newton-in thuhet se, megjithë arritjet e tij të vlefshme edhe sot në lëmin e fizikës, ai nuk i jepte aq rëndësi kësaj fushe studimore, në krahasim me impenjimin e tij tërësor në interpretimin e Biblës dhe në alkimi; edhe pse kërkimet e tij alkimike (mbi një milion fjalë) i mbajti të fshehta; mundet që këto kërkime të jenë frymëzuar dhe ushqyer nga një krizë mendore e shkaktuar… nga helmimi me zhivë, gjatë eksperimenteve (ja një “shkencë” që ushqente vetveten).
Nga ana tjetër, themeluesi i gjuhësisë strukturaliste, Ferdinand de Saussure, i kushtoi vite të jetës së vet studimit të përbërësve anagramatikë të poezisë indo-europiane, veçanërisht latine, për të zhvilluar një teori të përgjithshme të poezisë që mbeti e pabotuar dhe që sot gjykohet si e papërshtatshme për të kuptuar vargun e hershëm indo-europian. Edhe bashkëkohësi i Saussure-it, studiuesi anglo-gjeorgjian Nikolai Marr-i (themeluesi i marrizmit, në linguistikën ruse dhe pastaj sovjetike), punoi gjithë jetën për të formuluar dhe pastaj çuar përpara dhe konfirmuar të ashtuquajturën “teori jafetike”, që përmbante mes të tjerash tezën e vitit 1924, se të gjitha gjuhët e botës rridhnin nga një proto-gjuhë me vetëm katër fjalë: sal, ber, jon, rosh. U desh një ndërhyrje bombastike e Stalinit në 1950, për ta rrëzuar kultin e Marr-it dhe marrizmin dhe për ta rikthyer “arsyen” në gjuhësinë sovjetike.
Një shembull më modern dhe më flagrant, i përkushtimit total në një punë kërkimore që dija institucionale e gjykon si teori konspirative pseudo-historike, është e ashtuquajtura “Kronologji e re” e matematikanit rus Anatoli Fomenko, ku autori rrëzon kalendarin e pranuar të historisë botërore, për të mbrojtur tezën se ngjarjet që i mbajmë si të antikitetit, në qytetërimet egjiptiane, greke të lashtë dhe romake, në fakt kanë ndodhur në Mesjetë; dhe se historia, ashtu siç e njohim sot, është falsifikuar për interesat e Vatikanit, të Perandorisë së Shenjtë Romake dhe Shtëpisë së Romanovëve. Sipas Fomenkos, praktikisht të gjitha ngjarjet historike të para shekullit XV që njohim kanë ndodhur në fakt midis viteve 1000 dhe 1500 të erës sonë: ashtu, sa për të sjellë pak shembuj, Jezu Krishti lindi në Krime në vitin 1152 dhe u kryqëzua në Bosfor në 1185; Shën Sofia është në fakt Tempulli i Solomonit; dhe vetë Solomoni nuk është veçse Sulejmani i Madhërishëm; dhe Roma nuk është qytet real, por një lloj emri i përbashkët për qytetet më të rëndësishme të Mesjetës (“placeholder”), dhe se Roma e Tretë konsiston në tre qytete të ndryshme: Konstandinopoja, Roma e Italisë dhe Moska; duke qenë e dyta e themeluar nga Enea në 1380 të erës sonë.
Fomenkoja e ka shtjelluar teorinë e vet në dhjetëra vëllime, të cilat i janë përkthyer edhe në anglisht; mes të cilave shtatë vëllime janë të serisë “Historia: Fiksion apo shkencë”. askush nuk mund ta vërë në dyshim përkushtimin dhe produktivitetin e tij; por as inteligjencën e tij dhe vizionin gjithëpërfshirës. Megjithatë, gjasat janë tejet të larta që teza e tij e “kronologjisë së re” të jetë krejtësisht e gabuar, produkt i fantazisë konspirative dhe shembull i dijes paranojake. Edhe pse ndonjë personalitet si ish-kampioni botëror i shahut Garry Kasparov e ka mbështetur Fomenkon, në përgjithësi dija historiografike anembanë botës e ka hedhur poshtë teorinë e tij.
Populli dje dhe publiku sot priret që ta vlerësojë mundin e dijetarit në mënyrë të pavarur nga rezultatet; duke çmuar virtytin e sakrificës (i ka rënë bretku). Në të vërtetë, përpjekjet individuale, sidomos ato të amatorëve dhe të autodidaktëve, të një studiuesi ambicioz të pavarur nga institucionet sjellin gjithnjë me vete rrezikun e lajthitjes katastrofike; nëse institucionet, përfshi këtu edhe entet botuese dhe revistat shkencore, shpesh e ngadalësojnë në mos e frenojnë përparimin e dijes, në shumë rrethana të tjera ato ofrojnë balancën e nevojshme për të kundërpeshuar paranojën dhe megalomaninë e individit.
Nga ana tjetër, metoda shkencore – në kuptimin e gjerë të saj – ofron jo vetëm garanci për soliditetin e hulumtimit, por edhe veglat e nevojshme për vlerësimin dhe gjykimin e tij.
© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Shënim: imazhi në kopertinë është krijuar me DALLE.3.
Ideja pas këtyre pohimeve, që janë të panumërta, është se puna në vetvete, si shpenzim kohe dhe energjish, por edhe si mundim dhe izolim prej murgu, përfton vetvetiu vlera të pakontestueshme.
Jo vetëm kaq, por duket se vetë vepra si opus krijon argument në vetvete. Diçka e shkruar, përfton menjëherë një statut të barabartë me çdo gjë që është shkruar. Letërsia është letërsi, poezia është poezi, historia është histori, gjuhësia është gjuhësi. Kjo sepse dija në Shqipërinë e sotme konceptohet si produkt supermarketi, në këndin e frutave do gjesh fruta të cilësive të ndryshme dhe për xhepa të ndryshme, ashtu edhe unë kur u gjenda në një librari në qendër të Tiranës dhe kërkova libra për gjuhësi më sollën të Mathieu Arefit. Gabimin e kisha unë, jo vajza që më solli librin.
Mund të futemi në një librari shqip online dhe të shikojmë se në kategoritë Histori, Albanologji, Gjuhësi, krahas autorëve shkencëtarë do gjejmë edhe pellazgollogët. Kjo nuk besoj se ndodh gjetiu. Në Greqi për shembull ata autorë do i gjesh në këndin e ‘historisë alternative’ apo në pavijone me emërtime eufemestike, ose nuk do i gjesh fare sepse disponojnë shtëpitë botuese të vetat, libraritë e veta dhe çfarë është më rëndësishme, publikun e vetë.
E njëjta gjë ndodhi kur rrëzova etimologjitë e Çabejit e ku etimologjia quhej puna e jetës së tij. Gjuhëtarët u shastisën! Askush nuk ishte në gjendje t’ja mbronte qoftë dhe një etimologji të vetme. Më shihnin shtrembër në rrugë dhe disa turfullonin si kuaj. Isha ende student part time dhe profesorët më shihnin çuditshëm. Bashkëstudentët më tregonin se kishin marrë porosi nga pedagogët që mos të më qaseshin psi u kishin thënë se jam antikombëtar që hedh poshtë gjuhën shqipe e denigron figurat e ndritura të albanologjisë. Me vetëm një studim, kisha përmbysur punën e jetës së Çabejit. Studentët më adhuronin. Pedagogët kishin frikë të më thoshin diçka. Sot nga Çabeji nuk jepet asnjë leksion për studentët e gjuhësisë dhe as etimologji.
Shkenca është e pashpirt dhe i rrëzon idhujt e rremë. Tashmë para ASh qëndron një bust i Çabejit, por veprat e tij nuk shiten më as në librarinë e ASh-së dhe mosinteresi për to rivalizohet nga veprat e Enver Hoxhës. Edhe librat e Moikomit kanë të njëjtin fat me veprat e Hoxhës e Çabejit. Ndërkaq kërkohen me uri veprat e Petro Zhejit. Tregu i dijes është i mençur. Askush më nuk ble mall skarco.
Agron, mos e tepro tani. Asnjë nga ata që merren me këto punë, as në Shqipëri as në botë, nuk i marrin seriozisht etimologjitë e tua. Marrin seriozisht fenomenin që ti dhe të tjerë mishëroni – që një amator, pa përgatitjen e nevojshme të specializuar, guxon të angazhohet në një fushë kaq të vështirë, gjithë duke u duartrokitur nga polemi.
Ki parasysh edhe që disa kanë frikë prej teje. Frikë jo se mund t’ua rrëzosh tezat, por se mund t’i rrëzosh në rrugë. Mua më duket kjo frikë e papërligjur, por ky është realiteti…
Ju thoni se nuk më marrin seriozisht ata që merren me këto punë.
Unë them se ata që merren me “këto punë”, më mirë të merreshin me ca punë të tjera se as i përfill njeri dhe as ua ble njeri mendjen e librat.
Nëse dikujt i merren këmbët në rrugë,
kur më sheh mua, mbase e ka psikologjike për shkak të impaktit që kam në albanologjinë e sotme.
Unë jam armiku që ua kam lënë librat për oponencë, por nuk munden të ma bëjnë një të tillë, sepse ata që merren “me këto punë” nuk marrin vesh nga ato punë. I ka bërë “gjuhëtarë” mami e babi.
Ju z. Vehbiu nuk dini nga etimologjia e nuk keni produkt etimologjik e megjithatë nuk ia përtoni debatit të më “profilizoni” si turbolog. Kaq mund të bëni kundër meje dhe e keni bërë mirë punën tuaj, sepse gjetja juaj e turbologjizmës ka zënë vend në fjalorin e shqipes së sotme dhe kjo është meritë e juaj që duhet t’ua dinë për nder kotologët që ju shohin si shpresë se ju do shpikni dhe ndonjë tjetër nofkë dhe problemi do transferohet te fusha ku ju jeni mjeshtër e jo te etimologjia. Por…
Por së shpejti do kem një emision timin në një tv dhe me foto e komentime do nxjerr xhevahiret etimologjike të këtyre që struken pas jush dhe u merren mend në rrugë kur më shohin. Do shihni se si do e kthej emisionin nga më të ndjekurin në median shqiptare dhe populli do argëtohet me etimologjitë e këtyre që merren me “këto punë”.
Përtallja publike fine e me fakte e akademikëve që nuk dalin të mbrojnë veprat e tyre, do jetë një temë e pëlqyer në popull.
Ju z. Vehbiu jeni “shejtani që hodhi gurin” dhe i hodhët pak piper më shumë se duhet gjellës. Tani është radha ime të përdor të gjitha baharikatë.
Lum kush të rrojë e të shojë…
Vallahi Bilahi or zoti Dalipaj, une nuk jam as gjuhetar, as etimolog dhe shyqyr qe nuk jam, se ne pergjithesi me duket pak si me rrah uje ne havan, po nuk mund te rri pa te thene se kur zbulove qe deti Kaspik shqip dmth S’ka ku me ik, me dhe nje kenaqesi te vecante Falemnderit!