Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Gjuhësi

AMICUS SACER

Po i shkruaja një mikeje privatisht, dhe nuk e gjeja dot mënyrën si t’i them – në shqip – se there’s nothing like friendship. Kjo fjalë e thjeshtë, por e pasur në jehona përjetimesh të shtrenjta: friendship; më erdhi të shkruaj shoqnia, sepse shqipja standard, shoqëria, nuk më tingëllonte mirë.

Në fakt, edhe ngaqë shkruaj ndonjëherë për punë sociologjie dhe antropologjie, jam mësuar që fjalën shoqëria ta bashkëlidh me society – dhe, më tej, me zhargonin e materializmit historik, që ende e kam të tatuuar në kore të trurit, që nga vitet e universitetit. Ndoshta duhej të kisha parapëlqyer miqësia – por miqësia në krahasim me friendship më dëgjohet shumë më e dobët.

E keqja nis që me konceptin – dhe mitologjinë intime – të shokut (dhe shoqes). Fjalë e bukur, por që pati fatin e keq të rekrutohej sakaq nga shqipja totalitare, për t’u përdorur – në fillim krejt artificialisht por pastaj gjithnjë e më si ndajshtesë rutinore – si barasvlera shqipe e “comrade”, “Kamerad”, “tovarishç (Товарищ)”, “compagno” – ose e krejt aradhës së titujve që komunistët, anembanë botës, kishin zgjedhur për të zëvendësuar të dikurshmet signore, monsieur, mister, gospodin (Господин), Herr… dhe zotni.

Për të kaluar pastaj, dora-dorës, te shokët kryesorë, shokët e udhëheqjes, e bisedova me shokët e Byrosë, kanë ardhur shokët nga qendra, shoku ministër, shoqja kryetare e Gruas, e kemi shok me përvojë, shoku polic… e deri tek një barcaletë e vjetër, kur një grua trazon shtrat me dikë që nuk e njeh me emër, dhe pastaj i thotë në afsh e sipër: ku paskësh qenë gjithë ky qejf i madh, mor shok!

Dhe që mund të shërbente si shembull, sado grotesk, ku fjala shok vjen e shenjon të panjohurin, atë që nuk ka emër, individin brenda turmës; duke u shndërruar praktikisht në përemër.

Shqipja kish në thesarin e vet edhe fjalën mik, të trashëguar sërish nga koha e kontakteve me latinishten; nëse socius i referohej, në gjuhën burim, aleancave ushtarake të Romës me fiset e tjera italike, amicus lidhej drejtpërdrejt me foljen amare.

Por çfarë fati pati edhe kjo fjalë në shqipe: më parë e kapur peng në ligjin zakonor të mikpritjes, ku miku përfundoi i shndërruar në një homo sacer, ose perëndi sa minore aq edhe të frikshme; dhe më pas i rekrutuar agjent të favoritizmit, falë shprehjes së tmerrshme: i futa mik, e cila e kthente mikun në instrument subversiv të përjashtimit ndaj ligjit dhe rregullave dhe fair play-t në marrëdhëniet sociale…

Nga njëra anë, shokët ishin anëtarë të super-masonerisë komuniste-totalitare; nga ana tjetër, miqtë ishin anëtarë të mafies anti-shtet. Dy fjalë të nevojshme, dy koncepte të shtrenjta, dy palë konotacionesh të vyera u plagosën dhe u gjakosën nga sistemi.

Pa folur pastaj për rrugën “Miqësia” në Tiranë dhe “Dy popujt miq” dhe për të gjitha ato raste të tjera, kur fjala mik dhe derivatet e saj përfunduan të përdorura për të shënjuar dikë ose diçka, me të cilin a të cilën nuk të lidhte asgjë e veçantë; por që gjithsesi nuk mund ta shpërfillje krejt e të bëje sikur nuk e njihje… një farë lubrifikanti social, ose inhibitor i armiqësisë (!).

Pa folur pastaj edhe për formulën përbuzëse “X. me shokë”, ku me shokë thjesht shënjonte ndjekësit e verbër, sejmenët; aq të përbuzshëm, sa edhe emrat nuk vlente t’ua përmendje.

Këto dy fjalë, shok e mik/shoqe e mike, që ishin tonat por na i uzurpuan, kushedi mundemi t’i rivendikojmë dhe t’i “shërojmë” duke i përdorur ashtu siç duam ne – duke ua dobësuar konotacionet totalitare, sakrale, mafioze.

Janë tepër të çmuara, që t’i depozitojmë në arkivat; ose t’i përdorim veç me ironi; ose me nënkuptime negative, si atëherë kur mik do të thotë thjesht “not a friend”; dhe shoqe do të thotë “not a wife or a fiancée…”

Kameraderitë, masoneritë, ortakëritë, krushqitë vijnë dhe shkojnë; por shoku dhe shoqja, në kuptimin friend janë hyjni të sferës personale, të cilave ia vlen t’u falesh; sepse hedhin dritë pikërisht aty ku mbaron pushteti i gjakut e i farefisit dhe ku fillon përtej pushteti i Tjetrit.

Ensë dashunit të shoqënisë sanë…

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: ky shkrim është version i një shkrimi më të hershëm, për një temë së cilës po dua t’i kthehem ditët që vijnë. Imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.

5 Komente

  1. Shume shkrim i mire. Bravo.
    Me kujtoi kohet e para kur fjalet “zotni” dhe “zonje” filluan te perdoreshin serish. Ne fillim, me ndrojtje, pikerisht nga stigma 50 vjecare qe i jepte ketyre fjaleve nje ton ironik kur iu drejtoje dikujt.
    Zonjusha, fatkeqesisht, e ka akoma kete stigme mbi shpine dhe druaj do ta kete per nje kohe shume te gjate.

  2. Gjuhetari tek autori sheh emrin ‘shok’ si rrezikoi vertet nga harxhimi te kthehet ne peremer. Pasi cek perdorimin subversiv “i futa mik” apo cilesimin e mikut si lubrifikues social, ne mendje vjen vete ‘ai miku’ dhe po kursejme te perserisim te njejten folje subversive ne togfjaleshin e njohur. Distanca etimologjike me ‘amare’ sa vjen e shkurtohet

  3. Ne veri perdoret fjala “shoq”, por qe s’e ka kuptimin e “shok”, por me shume ka kuptimin e bashkfshatarit. “E kam shoq n’dere te shpise” “ca e ke filanin? E kam shoq”. Nuk as kuptimin e komshiut. Nderkohe, “or ti shoq”, ka kuptimin shok.

  4. Latinizimi i thelle sipas Stadmuller eshte prove se shqiptaret kane qene ne kontakt me romaket per disa shekuj pra ishin ne ato troje kur romaket zbarkuan ne ballkan. Kot per kuriozitet cfare fjale duhet te kene perdorur proto shqiptaret perpara kontaktit me latinet per fjalet ‘mik” ,’shok”?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin