Rreth nesh

Peizazhe të fjalës e krijuam si blog në korrik të vitit 2007, nga dëshira dhe nevoja për të pasur një kënd tonin, në Internet, ku të shpreheshim dhe të diskutonim lirisht për të gjitha ato tema që na interesonin neve dhe, kushedi, edhe publikut. Shkrim pas shkrimi, muaj pas muaji, vit pas viti, arritëm ta shndërrojmë në një prani të qëndrueshme në hapësirën e mediave shqip dhe një forum të mendimit bashkëkohor, teksa numri i lexuesve dhe vizitorëve erdhi duke u rritur, por pa na detyruar kjo për ndonjë kompromis me natyrën dhe cilësinë e temave të trajtuara. Këto nëntë vjet ishin edhe një periudhë shndërrimesh dramatike për mediat, shqip dhe në përgjithësi dhe për mënyrën si komunikojnë njerëzit publikisht: kur e nisëm këtë aventurë, na duhej ende të konkurronim me listat e diskutimeve; ndërsa sot jemi në epokën e “portaleve.” Në vija të trasha, media e shkruar, në Shqipëri, ka marrë tatëpjetën për shkak të evolucionit teknologjik, tharjes së burimeve financiare, humbjes së besueshmërisë dhe politizimit brutal; në një kohë që debati publik po zhvendoset sa në televizion, aq edhe në rrjetet sociale. Të kapur në mes të kësaj shtrëngate, u përpoqëm të bëjmë atë që dimë më mirë dhe t’ia ruajmë faqes sonë individualitetin dhe dinjitetin, gjithë duke iu përshtatur atmosferës së re teknologjike dhe ndërrimit të brezave të lexuesve.

E nisur si blog, Peizazhe të fjalës është shndërruar tashmë në një revistë kulturore online dhe në një faktor të qëndrueshëm në diskurset dhe debatet publike shqip. E arritëm këtë, duke ruajtur drejtpeshimin midis botës online dhe editorisë tradicionale – mjaft të kujtojmë këtu librat e botuar gjatë këtyre viteve, me pikënisje dhe rrënjë në faqet e këtushme; dhe që kanë fituar edhe çmime; artikujt dhe esetë nga Peizazhe të fjalës që botohen rregullisht në faqe të tjera; dhe të gjitha ato ide dhe meme që kemi përpunuar në rrjedhë të viteve dhe që tashmë janë pjesë e trashëgimisë diskursive të shqipes moderne. Edhe pse e nisëm jetën si blog sepse aq i kishim mundësitë materiale, formati i blogut gjithnjë u ka ndenjur ngushtë Peizazheve dhe të gjithë ne që e kemi themeluar dhe të tjerë që na janë bashkuar më pas kemi synuar nivelin më të lartë të mundshëm, në publicistikë, në eseistikë dhe në zhanre të tjera të ngjashme.

Kush e ka ndjekur faqen tonë në vite, do të jetë bindur tashmë se ne kemi krijuar, hap pas hapi, një stil tonin në mënyrën si i trajtojmë çështjet që na interesojnë, qofshin këto të lidhura me aktualitetin, me historinë, me kulturën a me gjuhën shqipe; dëshira jonë këmbëngulëse për të mbajtur kontakt të përditshëm me publikun është fryt i një strategjie të vetëdijshme, që e kemi zgjedhur pikërisht për të shmangur mbylljen në vetvete, korrupsionin e shkaktuar nga “publish or perish” dhe, në analizë të fundit, irrelevancën e shumë sajteve dhe revistave me natyrë akademike.

Me siguri këtu do të ketë lexues që do të kërkojnë një pse, ose një arsye për këtë gjakim, për këtë mundim dhe përkushtim shumëvjeçar; sikurse do të ketë të tjerë që do të vazhdojnë të pyesin se kush na paguan dhe kujt i shërbejmë; në fakt, shpesh ka një alarm të fshehur pas këtyre shqetësimeve, dhe që lidhet pikërisht me modelin që ka ofruar dhe vazhdon të ofrojë Peizazhe të fjalës – atë të një faqeje mediatike të gjallë dhe cilësore, e cila u kundërvihet mediave komerciale dhe provon, çdo ditë rishtas, se bataku në të cilin gjenden shumë nga ato media sot nuk është aspak i pashmangshëm dhe as produkt fatal i rrethanave kulturore. Prandaj, arsyeja themelore e kësaj ndërmarrjeje mbetet e thjeshtë: vullneti ynë dhe nevoja për të kultivuar lirinë e fjalës dhe të mendimit, në një mjedis social dhe kulturor si ai i komunikimit publik shqip, që ka vuajtur dhe vazhdon të vuajë, në mënyrë kronike, nga skllavërimi dhe rekrutimi i shprehjes së lirë, në emër të interesave të ngushta, idealeve utopike, miteve dhe mistifikimeve gjithfarësh. Urimi ynë është që ju si lexues dhe frekuentues të rregullt të faqes sonë të përfitoni prej saj, intelektualisht, po aq sa ç’përfitojmë edhe ne si ideatorë, administratorë dhe autorë, në këtë lojë që duam ta mbajmë, rigorozisht, me shumën pozitive.

Themelues:
Ardian Vehbiu
Elona Pira
Rando Devole

—ISSN 2475-1375