PERFORMANCA E KARNAVALIT

Si la fête n’existait pas, il faudrait l’inventer! (ah Voltaire, Voltaire)

 

nga Pupëza Blu

Në kohën që skenografia e festimit të karnavaleve po nis të çmontohet në rrugët e qytetit, sikurse në teatër ustallarët e skenës mbas mbarimit të shfaqjes zhvidhosin strukturën e ndërtuar të strehës performative, vjen e natyrshme të hidhen disa rreshta përshtypje mbi atë se ç’u  tha e ç’u bë. Të flasësh në vetën e parë njëjës është më pak e rrezikshme se në të parën shumës por jo më e lehtë, ngaqë problematizimi i disa aspekteve të kësaj feste nuk meriton të trajtohet në ujëra të cekëta. Noti alegorik drejt thellësive, pas hedhjeje zhyt në teori të ritualeve performative, kujtesën kulturore po edhe dëshmi e përshtypje nga disa personazhe të njohur, nuk ka si të mos jetë ambicioz, pasurues dhe një grimcë iluziv, ngaqë eksperienca mbetet gjithmonë personale.

Atmosfera e karnavaleve, e pranishme në ditët që shkuan në Shkodër, ngjalli një kureshti për performancën spektakolare edhe jashtë rajonit nga njerëz të letrave e më gjerë. Këto radhë nuk synojnë të merren me politikat dhe strategjitë kulturore ndjekur nga organizatorët, por vetëm një vëzhgim me sy kureshtar si janë kanalet receptuese të saj. Për koherencë logjike nuk mund të mos trajtohet aspekti etnoreligjioz i saj, struktura festive e ndarë në rite, përmasa gjithëpërfshirëse e qytetit disi problematike apo paralelizmi i festimit të saj me ato të disa lagjeve në Stamboll.

Qytetet e para të cilat përkrahën festimin e karnavaleve, aty ku kishte të përqendruar një popullsi të besimit të krishterë gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, qenë pjesa katolike e qytetit të Shkodrës me disa rrethina, me një popullsi të konsiderueshme, dhe elementi ortodoks në qytetin e Korçës me rrethinat përkatëse. Për arsye të ndryshme të zhvillimeve ekonomike-kulturore, Shkodra si duket shfaqi një epërsi në harlisjet karnavaleske të qytetit krahasuar me simotrën e saj më në jug. Por ne duhet të jemi të vetëdijshëm se Gëte (Goethe) nuk vizitoi Shkodrën për karnavale por Romën, dhe se Haksli (Huxley) përshkroi “Palio di Siena” apo Heminguej (Hemingway) në Pamplona (Spanjë) për “corridas” [1]. Aq sa kam shfletuar, nuk ka një udhëtar që të radhitë përshtypje mbi festimin karnavaleve aso kohe në vilajet.

Jemi në kohën e sundimit të Perandorisë Osmane (shenjat e karnavaleve datojnë për herë të parë në vitin 1860, ndërsa festimi i tyre me shumë gjasa 1878-80 së pari) dhe karnavalet nuk ishin një manifestim unik alla shqiptar (sigurisht as korçar e as shkodran), ngase vetë asokohe në Stamboll lagjet me popullsi të krishtera e shprehnin lirisht në këtë mikrokulturë.

Fenomeni i karnavalit urban në Stamboll është perceptuar si një traditë e gëzueshme (por e humbur si pikëllim romantik) nga protagonistët pjesëmarrës, i një qyteti kozmopolit në të shkuarën. Duke rritur interesin e kulturës dhe historisë së disa lagjeve, reminishencat nostalgjike mundësuan një formë rilindjeje të kësaj feste. Përtej katarsisit të normave sociale në kohë dhe në një vend të caktuar, pra përtej kontekstit, kjo festë qe e lidhur me popullatën e Rumit (levantine), fokusuar në lagjet me popullsi të krishtera si Tatavla dhe Pera (Beyoğlu)[2]. Kështu eksperienca e karnavaleve lidhet ngushtësisht me identitetet etnoreligjioze të popullsisë së krishterë dhe ortodokse. Tek kthejmë vëmendjen tek ne, arnautët, vërejmë që në thelb nuk ka dallime në festime, duke përjashtuar dallimet mes riteve kristiane dhe ortodokse në festimin e tyre (megjithëse emërtohen ndryshe carnevale it. Apokries gr., kuptimi mbetet po i njëjtë [largim nga mishi]).

Një aspekt i pakolauduar i kësaj feste, është që performanca e karnavalit nuk është parë asnjëherë vetëm si manifestim me ahengje, lodra e me surle; ata gjithashtu i mundësojnë një bashkësie manifestime publike të një identiteti me prerje të caktuara fetare, të ndonjë ideje a dëshire e cila mbahet e shtypur ose ruhet në kujtesën kolektive; e një të kaluare me nota nostalgjike; shfaqja e pozicionit të saj në një cikël vjetor të qëndrimeve politike, sociale, kulturore etj. Kjo është mjaft transparente në të tilla shfaqje, bile ka njëlloj serbesllëku jo të lehtë për t’u kuptuar, së paku për ata që nuk e festojnë surratin.

Festa është e atyre që e festojnë dhe sado që e kaluara thotë se kufijtë festivë kanë qenë të ndarë në nivele lagjesh, gjykoj që ndërveprimi shoqëror në përditshmëri ka pasë vëmendje dhe rëndësi tjetër. Në ndihmë për ta kuptuar më mire se ku ngurrohet për t’u bërë gjithëpërfshirëse kjo festë dhe se ku është ky prag natyror festiv, na vjen morfologjia festive e Falasit[3], i cili e copëzon festën në një numër ritesh:

  1. Kohë/ hapësirë ku pjesëmarrësit bëhen dëshmitarë dhe pritet të reagojnë ndaj ndryshimeve që ndodhin
  2. Purifikimi me anë të zjarrit, ajrit apo ujit (djegia e dordolecit por edhe mbytja në ujë)
  3. Thyerja e hierarkive shoqërore si një ndërrim rolesh i përkohshëm (kjo realizohet më së miri me kostumet dhe maskat ku ruhet anonimiteti);
  4. Zbukurimet. Çfarë shërben si zbukurim është “e shenjta” e cila shoqëron kudo pjesëmarrësit me ikona, lule, simbole, flamuj etj.
  5. Tejngopja (ose mbikonsumi) i cili qëndron në zemër të festimit të karnavalit, pije e ushqime me tepri (kujto “e Marta e Majme” ose “Mardi Gras”)
  6. Rituali i dramacitetit (loja e vajtimit) e cila shoqërohet me qyfyre, muzikë, kërcime.

Ritet e kësaj feste (building blocks) restaurojnë mozaikun e vjetër festiv të qytetit të Shkodrës në nivele lagjesh, ravijëzojnë dhe njëherë hartat e vjetra të fizionomisë së qytetit. Sigurisht delikatesa dhe ndjeshmëria e trajtimit të saj, duhet t’i ketë duart e lehta për të mos prekur aty ku nuk duhet. Disa çështje, për habi timen, zgjidhen me marrëveshje të heshtura, të ditura hane zaman.

Karnavalet në Shkodër janë quajtur “surretën”(surrat), ose më saktë ashtu quhen ata që vishen karnaval. Gojëdhëna më vjetër e cila na përcillet nga Gjush Sheldia lidhet me dy këpucarë të cilët e sjellin këtë festë nëpërmjet rrugëve tregtare, influencave të natyrshme që patën legjitimitetin të rroken lirisht. Siç shihet tregu mbetet përherë burim i pashtershëm i shkëmbimit të kulturave jo vetëm materiale, por edhe atyre shpirtërore apo dhe thjesht i një traditë të pëlqyeshme e të lakmueshme.

Sidoqoftë, që këto kultura të përhapen e të gjallojnë në një vend të ri, me një dinamizëm të ri, nevojitet një mbështetje, nëse jo institucionale, mjafton dhe popullore. Mund të themi se vetë për diversitetin e kulturës shpirtërore në qytet, u bë e mundur që festimi i saj të gjente përkrahje nga pala katolike e qytetit. Dukshëm kjo vërehet në manifestime: pozicionin e klerit katolik si datë e shënuar e nisjes së kreshmëve (agjërimit); udhëheqësi shpirtëror; trajektorja e itinerarit që bënte karvani shëtitës i karnavalit; vendi ku digjej dordoleci; ushqimet që konsumoheshin e kështu me radhë.

Në krahun tjetër, pjesa myslimane e qytetit zhvillonte teferiçin në livadhin e Sokolejve te Trojet e Djeguna apo në Tyrbe të Drishtit, për të kremtuar hyrjen e pranverës. Një numër kalorësish dhe këmbësorësh shkonin atje, hanin, pinin e dëfrenin; mbas buke ishte zakon me gjuejt shejin dhe tre shejtarvet ma të dalluem u nepeshin çmime në të holla e dhurata. Një dëshmi me vlerë na vjen nga Kolë Shtjefni për lagjet e qytetit, “Parruca, Xhabiajt, Tophana, Zdralej, Ndocaj, Kiras, Dudas, Rusi i madh(Rus Maxharr) kanë qenë qendra të myslimanizmit pa asnjë përzierje tjetër, po ashtu Rusi i vogël, Dugajtë e reja, rruga e Ndoc Nikës, rruga Marvukaj, Badra, rruga Gurakuqi, rruga Gurazezve, Ballabania, Serreqi, Arra e madhe, Gjuhadoli, të gjithë katolik, pa përzierje.”

Si duket, ky ka qenë tipar kryesor i qytetit, pra ndarja e tij në lagje me uniformitet në besim, ku secila zhvillonte jetën e vet kulturore ndarazi, si të thuash kishte shyhretin e vet secila mëhallë. Duhet të kemi parasysh që rëndësia dhe pesha që kanë pasur si imamët e famullitarët, nuk krahasohet me atë të sotmin. Besimi ishte pjesë e qenësishme e identitetit të kolektivit në atë periudhë dinamike që nga Lidhja e Prizrenit e këtej. Pikërisht në qendra të këtyre lagjeve do zhvilloheshin ato festa dhe manifestime të cilat bartin karakter fetar dhe ku nuk shqetësonin njëra palë tjetrën (psh. Parruca në Ramazan, Serreqi për Karnavale).

Ideja e studiuesit Stefa mbi humoristët e besimit mysliman të cilët munguan në fillimet e lëvizjeve kulturore–artistike, për arsye të ditur, por që vetëm në dekadat e para të shek. XX pjesëmarrja e elementeve të dy besimeve, do të jetë e përgjithshme dhe cilësore (Oso i Falltores, Mulla Sali Pata, Kasem Xhuri, Hetit Mulla Syla, Ismail Barbullushi, Ali Kraja), nuk besoj të gjejë pranim të gjerë ngaqë vetë rituali karnavalesk, bie ndesh me parimet themelore të besimit (djegia e dordolecit si formë idhujtarie, me shpresën se e keqja të largohet). Ajo çfarë dimë është se dhe në disa predikime fetare është mbajtur një qëndrim negativ ndaj tyre; pra për festimin e karnavalit denoncohej konsumi i alkoolit, duke rrezikuar shpesh që kjo festë të degjeneronte vetëm në afrimin e sarahoshhanes[4].

Gjykoj që emërtimi i karnavaleve si festë pagane tradicionale e Shkodrës është disi e fryrë, ku shoqërohet me një mani për t’u identifikuar me copëzat e thyera identitare. Dhe arsyet janë të shumta. Karnavalet, sipas dëshmive jo të shumta që janë në dispozicion, nuk janë pagane në kuptimin zakonor të trashëguar, bie fjala në mbetje zakonesh që kemi lidhur me adhurimin ndaj Diellit apo fenomeneve të tjera të natyrës apo kafshëve. I vetmi argument që nuk e shemb tërësisht këtë tezë qëndron në gjurmën etimologjike të emërtimit “E Martja e të Lidhunave”, ku vetë rituali është i lashtë[5]. Mendoj se kulturat e pasura shpirtërore të qytetit kanë mjaftueshëm tolerancë për të lejuar njëlloj sentimenti për mbivendosjen e një shtrese identitare (ose pseudoidentitare) një popullsie në tatëpjetë të përgjithshme, por jo për ta konsideruar realisht të rëndësishme në formësimin e identitetit tonë.

Pjesëmarrja tërësore e qytetit në këtë festë ngjan më shumë me një dëshirë a ndonjë ide që pas maskës është e lejueshme atë ditë. Kujtoj fjalët e të ndjerit Zef Deda, pjesëmarrës dhe organizator disa herë në karnaval, i cili do shprehej me një ndjeshmëri qytetare, mbi respektin që duhet ruajtur për secilin komunitet (deri në atë pikë që kortezhi i karnavalit të ndiqte itinerarin klasik, në lagjet katolike që qytetit [nuk ka ndodhur kështu gjithmonë]).

Si një banor i këtij qyteti, si vëzhgues kureshtar por edhe hulumtues teorik mbi sjellje të ndryshme shoqërore që i përkasin bashkësisë ku i përkas, po të doni edhe sjelljes së komshisë, nuk mund të mos e them që këtë vit karnavalet kishin një vëmendje të shtuar, si një jehonë e një të kaluare nostalgjike, të lakmueshme ndoshta për qytetet e tjera, por jo rrallëherë patetike deri në velje. Pikërisht si një personazh romantik që fundin e ka tragjik ngaqë refuzon të negociojë, ashtu dhe rituali festiv ka kushtin e panegociueshmërisë së tij. Ai është, që përjashtohet nga çdo konsideratë e tij që të jetë burim i të mirave materiale (gjenerim paresh si të thuash), i cili gëzon privilegjin që në emër të tij t’i jepet kohë, të ardhura dhe angazhim e në këmbim të dhurojë kapsula ciklike esenciale komunitetit që e feston. Rituali ka shenjtërinë e tij, ndaj respektimi i kufijve tradicional bëhet kusht për mbijetesën e tij. Festimi i karnavalit është realizuar edhe gjatë regjimit komunist disa herë, dhe kjo eksperiencë vjen e freskët mbi skemën që u ndoq për  “përkujdesjen” institucionale të saj. Mospërfillja e kalendarit festiv të krishterë ishte një hallkë e ngjashme me të sivjetshmen festë në Shkodër dhe sikush mund të hamendësojë lirisht arsyet.

Kuptohet se banderola që i valëvitet ndonjë shkulmi ere postmoderne (me festime fragmentare të identitetit të një qyteti me shumë multi-), dhe më keq akoma, bjerrja e elementit fetar në emër të një laiciteti të pakuptuar dhe abuziv, është i destinuar të bjerë dhe të paloset në sëndukët e përpjekjeve eksperimentale për një kohë të gjatë. Kush të ketë kohë e takat le t’i japë zgjidhje çështjes se festivalet ritualore edhe mund të gjenerojnë ekonominë me turizëm kulturor, të një qyteti që vazhdon të riciklojë bejtet e qenve nëpër rrugë (me zell olimpik), i cili  dhe ta besojë si strategji efikase të zhvillimit të tij, atëherë nuk kemi arsye të mos i fryjmë me mjeshtri surles si instrument i djepit edhe i kulturës e të vazhdojmë para sebes.

© 2024 autori. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Referencat:
[1] Falassi, Alessandro., “Time Out of Time, Essays on Festival”, University of New Mexico Press, 1991
[2] Vardar, Naz., Carnival Celebrations In Istanbul: The Changing Perception and Experience of Apokries and Baklahorani (Tezë masteri),Boğazi̇çİ University 2020 (Falendenderoj mikun tim Ridvan Azizin për referencën e çmuar mbi festimin e karnavaleve në Stamboll)
[3] Falassi, Alessandro., “Time Out of Time, Essays on Festival”, University of New Mexico Press, 1991
[4] Shih Gazeta Bashkimi, numrat e datës 13 shkurt 1910 dhe 5 mars 1911
[5] Plakat e shtëpisë, të martën e të lidhunave, nga vetë emri, mbledhin pranë tyre fëmijët kryesisht. Çdoherë që pyetet se pse po e lidh një nyjë, përgjigja sillet rreth largimit të sëmundjeve, shtimit të pasurisë, shëndeti i fëmijëve, bagëtive etj

Bibliografi:
Vardar, Naz., Carnival Celebrations In Istanbul: The Changing Perception and Experience of Apokries and Baklahorani (Tezë masteri),Boğazi̇çİ University 2020 (Falendenderoj mikun tim Ridvan Azizin për referencën e çmuar mbi festimin e karnavaleve në Stamboll)
Falassi, Alessandro., “Time Out of Time, Essays on Festival”, University of New Mexico Press, 1991
Ndocaj, Filip., “Bejtet e Karnavaleve”, Revista “Nëndori”, 1958, nr.6.
Sheldija, Gjush., “Historiku i karnevaleve të shkodrës”, Botime Shkodra, 2020.
Shjtefni, Kolë., “Shkodra në shënimet e mija”, Botime Impex, Shkodër, 1997.
Milaj, Jakov., “Kujtime për Shkodrën e viteve 1926-1931″, botime “Shkodra”, 2023.
Karma, Gjon., “Karnevalet e shkodrës” tek “Skena dhe Ekrani”, nr.4, 1989.
Zadeja, Lec., “Karnevalet dhe bejtexhinjtë e saj”, tek “Seminari i parë ndërkombëtar “Shkodra në shekuj””,shtypur në shtypshkronjën “Migjeni”, Shkodër, 1994.
Bushati, Hamdi., “Festa e Karnavaleve”, tek “Shkodra dhe motet”, Vëllimi II, shtëpia botuese Idromeno, Shkodër, 1999, fq. 409.
Rudina Lazari, “Karnevalet shkodrane në traditë dhe bashkëkohësi”, Tradita etno-kulturore dhe bashkëkohësia, fq.94
Stefa Misagli, Gjon., “Historiku i Karnevaleve Shkodrane – Trashigimi në Vazhdim”, Lezhë, Botimet Fishta, 2017.
Bekteshi, Besi., “Shkodra “Mbreteria e karnevalit” dje dhe …. sot”, tek “Arkivi sot” Publicisitikë historike, 2012.
Podgorica, Fadil., “Fjalori etnofolklorik”, Camaj-Pipa, Shkoër, 2005.
Dizdari, Tahir N., “Fjalori i Orientalizmave në Gjuhën Shqipe”, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC), Tiranë

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin