KANARINA NË MINIERË

Disa nga ata që reaguan me përçmim ndaj peticionit kundër turbologëve sollën këtë argument: nuk ia vlen të merresh me këtë fenomen të mjerë, periferik, që i përket më shumë cirkut se dijes (dhe ideologjisë); dhe se nuk vjen ndonjë e keqe nga marrëzitë që thuhen në ekran.
Është argument i ndjeshëm, që më ka bërë të mendoj. Shumë prej nesh qeshim, kur dëgjojmë një turbolog të shpjegojë gjermanishten GEFUNDEN (pjesorja e shkuar e finden, “gjej”, khs. angl. FOUND), si përngjitje të shqipes I GJEJ FUNDIN; dhe qeshim sepse kjo, në fakt, është për të qeshur dhe si kontribut mendor i përket rrafshit komik.
Nuk është, pra, turbologjia në vetvete, që do parë si sëmundje e arsyes sociale, por depërtimi i saj në sfera ku nuk pritej. Mund ta përfytyrosh të kultivohet, në kopshtet e një televizioni privat, me siguri të falimentuar, ngaqë nuk ka paguar faturën e ujit; të thirrur atje nga një gazetar i lodhur nga jeta, cinik, i kafeneve; por jo si model të suksesshëm të një emisioni, që replikohet nga një kanal në tjetrin.
Normalizimin e turbologut në ekran do ta krahasoja me kanarinën e ngordhur, në një minierë qymyri. Shprehja e anglishtes, CANARY IN THE COAL MINE, u referohet pikërisht atyre kohërave, kur minatorët merrnin me vete në galeri ndonjë kanarinë në kafaz, për ta përdorur si një lloj alarmi “biologjik” për rrjedhje gazi të rrezikshëm ose helmues – për shembull monoksid karboni ose metan. Thuhej se zogu, për shkak të metabolizmit të lartë dhe frymëmarrjes së shpeshtë, do të ngordhte i helmuar a i asfiksuar prej gazit para se minatorët të ndienin gjë.
Sot kanarinat i kanë zëvendësuar me sensorët elektronikë, që janë më të ndjeshëm dhe që, zakonisht, nuk ngordhin.
Normalizimi i turbologjisë dhe i pseudologjisë, pra, është kanarina që na ngordhi – për të na lajmëruar se ka diçka tejet toksike, helmuese, fatale, në ajrin kulturor që thithim; por që ende nuk e ndiejmë drejtpërdrejt. Ose e ndiejmë, por e arsyetojmë duke thënë “ai ka të drejtën e vet të shprehet…”, ose “le të dalë Akademia dhe ta kundërshtojë”; në mirëbesim ose në keqbesim. Siç i ngjan kanarinës që na ngordh dyndja, sërish në ekranet, e konspiracistëve, që po e shpjegojnë botën si të ishte filxhan i kafesë, duke ua zënë vendin përpjekjeve për njohje racionale.
Me entuziazmin dhe zellin e tyre, turbologët lajmërojnë se po ndodh diçka – jo fundi i supremacisë së elitave “komuniste”, siç kujtohet madje urohet ndonjëherë, as momenti i ndërrimit paradigmatik në dijen historike; mbase më tepër një paralizë e arsyes, te një shoqëri e mbetur pa oksigjen për mendjen, por ende me nivele të larta të sekretimit të pështymës.

3 Komente

  1. Nese normalizimi i turbologeve neper ekrane eshte vetem ngordhja e kanarines, vdekja e minatoreve c’i bie te jete? Njelloj si ju Ardian, kam frike se po jetojme ne nje kapercyell koherash, bindje qe me forcohet cdo dite e me shume nga kontakti i drejtperdrejte qe kam me nxenes e studente. I bindur jam gjithashtu se kjo zhvendosje e madhe epistemologjike – prej librit te TikToku ta quajme – nga fjalet e peticionet tona ndikohet po aq sa levizjet e pllakave tektonike nga shiu dhe era.

  2. Ndoshta gjeja me shqetesuese qe kam mesuar nga ky episod ka qene pamundesia e trupit akademik shqiptar qe te perballohet me kete lloj fenomeni. Peticioni eshte ne nje fare menyre nje sinjal i dobesise te atyre qe dine dicka mbi temen per te pergenjeshtruar konkluzionet e turboalbanologjise. Megjithate, me kujton pak “the BS assymetry principle”, dhe nuk i ve dot faj plotesisht.

    https://modelthinkers.com/mental-model/bullshit-asymmetry-principle#:~:text=The%20Bullshit%20Asymmetry%20Principle%2C%20also,THE%20POWER%20OF%20FAKE%20INFORMATION.

    “Parimi i Asimetrisë së Budallallëkut, i njohur gjithashtu si Ligji i Brandolinit, thotë se sasia e energjisë e nevojshme për të hedhur poshtë budallallëkun është një rend madhësie më e madhe se ajo e nevojshme për ta prodhuar atë.” (perkthimi chat gpt)

    Ndoshta eshte e pamundur per cfaredolloj grupi intelektualesh te perballen me kaq prodhimtari te larte gjepurash, kur e mbyt sistemin me informacion te pasakte, duhet nje fuqi madhore qe ta sqarosh ate. Ata qe e kane bere kete pune, sic e ke bere dhe ti, duhet ta dine me mire se une.

  3. Unë jam për lirinë e shprehjes ,sepse edhe mbështetja popullore për këta “shkencëtarë “ti quajmë alternativë është e madhe.
    Kjo e fundit është shqetësuese…
    Në Shqipëri,për arsye të paqarta edhe sot 32 vjet pas rënies të Komunizmit,demokracia kuptohet si shumicë numrash ( kjo ndodh edhe në raportet brenda partive politike)
    Dhe fjala e shumicës është ligji .
    Ndërkohë që unë e shoh pak ndryshe këtë punë…
    Ne nuk jemi dakord kur disa banore të një provincë në Zvicër p.sh. qofshin keta edhe shumica ne atë zonë nuk i duan shqiptarët dhe nxjerrim shpjegimin se përderisa ne jetojne ne atë shtet ,kemi leje qendrimi e pune kjo nuk duhet te na shqetësojë.
    Kur një komedian gjerman bën shaka raciste me shqiptarët duke bërë platenë të qeshë ne vetë mbrohemi duke kujtuar që raca jonë eshte e lashtë etj.Edhe Enver Hoxha kishte shumicën e njerëzve me vete në Shqipëri dikur por kjo nuk do te thoshte se ishte udhëheqës i mirë.
    Këto krahasime që ndoshta flenë të dobëta mes shumë shembujve të tjerë i sjell për të treguar që çdo gjë do një bosht,do një fe.
    Nëse urrejtjen tonë ndaj fqinjëve, inferioritetin tonë ndaj kulturës e dijes( anës dijes i pa nxënë),mungesën e një arsimimi në nivelet e duhura,mosrespektimin e njerëzve të dijes në Shqipëri i bëjmë gurin themelor të çdo besimi “popullor” atëhere do dalin përherë të tillë sharlatanë me mbështetje publike…
    Nëse në bazë të besimit tonë vendosim dijen,argumentin,provën, logjikën,shkencën dhe respektin për të vërtetën dhe i bashkojmë këto me mirëkuptimin dhe durimin me siguri njerëz dhe teori të tilla do bëheshin përherë e më të rralla.
    Ne nuk kemi fuqi të vendosim me forcë delirin tonë si argument të pranuar të dijes botërore.Ne nuk mundemi t’a ushqejmë këtë delir duke sharë shkencëtarët si të shitur te serbët dhe te grekët ( Enver Hoxha ka pushkatuar njërin nga korifenjtë e naftës shqiptare,i cili ndonëse i kishte dhënë ekonomisë shqiptare miliarda dollarë me kërkimet e veta,sipas Enverit ishte agjent sovjetik sepse dikush i kishte dhuruar atij një palë grepa peshkimi!! Dhe ende sot nëpër gazeta pafillot gazetarë i quajnë ” grupi i sabotatorëve”).
    Ne kemi shkencën tonë,albanologjinë që na e njeh e respekton çdo dijetar në botë.Brenda kësaj shkence le të bëhen kërkime e të arrihen përfundime,por jo jashtë kësaj.
    Nuk mund të quash Çabej antishqiptar dhe të mbështetesh nga turma.Kështu i shërbehet atyre që nuk na duan

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin