E GJETA…, VANGJEL!

nga Albert Riska

Një mëngjes të pazakontë ndodhesha në një bar jo fort të frekuentuar, fare pranë banesës sime, ose, më saktë, në kafenenë e bllokut tonë të pallateve. Isha ndër të parët e asaj dite në atë lokal dhe, megjithëse nuk isha frekuentues i rregullt, mirëprita përshëndetjen e mëngjesit nga të tjerë banorë që më gjetën aty.

“Mirëmëngjes, o komshi!” më përshëndeti i pari klient që erdhi vetëm pak minuta pas meje.

“Mirëmëngjes, o gjiton!” më përshëndeti i dyti. Banonte fare pranë meje dhe e dija që ishte me origjinë nga Jugu.

“Mirëmëngjes, o fqinji im!” më përshëndeti i treti. Ky ishte një mësues i nderuar.

Nuk mund të mos më bënte përshtypje. Në përshëndetjet e tre personave, me të cilët kisha të njëjtën lidhje, dëgjova tri fjalë të ndryshme, tri fjalë për të më emërtuar mua si “ai që banon afër një tjetri; që jeton pranë e pranë me një tjetër”.

Në çast mendova se për çdo gjuhë kjo do të përbënte, pa dyshim, një pasuri leksikore.

Menjëherë vendosa të interesohesha për burimin e këtyre fjalëve sinonimike, hapa telefonin dhe u befasova kur konstatova se në fjalorët etimologjikë të shqipes gjykoheshin të tria si të huazuara dhe, për më tepër, nga tre burime të ndryshme:

  • komshí, kojshí “fqinj”, huazim prej turqishtes komšu;
  • gjitón “fqinj”, huazim prej greqishtes së re γείτονας, me të njëjtin kuptim;
  • fqinj “komshi”, huazim prej latinishtes vicinus “i afërm”.

Natyrisht që më doli nga shpirti të thërrisja “Po shqipja, xhanëm, ku është?!”.

Për ndjesinë time patriotike nuk do të mund t’i pranoja kurrë këto të dhëna. Menjëherë iu futa punës për të bërë vetë shpjegimin e saktë etimologjik të të tria fjalëve. Nuk ishte fare e vështirë dhe, nuk kish si ndodhte ndryshe, duke qenë puro shqiptar, zgjidhja më rezultoi një kryevepër që do t’i magjisë të gjithë. Pas tridhjetë minutash publikova nëpërmjet telefonit në internet:

  • komshi/kojshí, mund të shpjegohet vetëm nga gegërishtja kom + shi, si përngjitje e togut kom me shi(ku), pra, “kam me e pa” (nuk është fare e rastit që edhe serbët i thonë komshija), ndërsa trajta sekondare e kësaj fjale, kojshi, nuk do të mund të shpjegohej veçse nga kom jam shi(ku), ose me metakonsonantizmin m > j, i bindur se shqipja i bën të gjitha;
  • gjiton, mund të shpjegohet nga gjiton “në gjirin tonë”, që do të ishte një dykotiledonëshe e pastër, pra, me dy gjethe embrionale, por mund të shpjegohet edhe nga qi jeton (pranë), gjithmonë nga gegërishtja;
  • fqinj, mund të shpjegohet nga nfaq(e) ini, domethënë “ju kam përballë”, megjithëse trajta e shquar, fqinji, tregon vetëm një njeri dhe jo shumë njerëz, pra, del në numrin njëjës. Kjo duhet të jetë një shumës i singularizuar (nuk e di se ku e kam lexuar këtë).

Por nuk mbaron me kaq. Mund të shohim se edhe në gjuhë të tjera fjalët që kanë të njëjtin kuptim burojnë nga shqipja, si, për shembull, baskishtja bizilaguna do të shpjegohet nga shqipja bi zilja (n)ka una, domethënë, unë dëgjoj zilen e komshiut, të fqinjit dhe gjitonit; anglishtja nejbër nuk mund të vijë veçse nga shqipja me nejt në bri; ndërsa fjalët sllave, si ajo e rusishtes apo ajo e bullgarishtes, seç lidhen me sedilen; e nuk di sa etj. etj. do numëroja

Mund të vihet re, dhe kjo është shumë e rëndësishme, që shqipja ka krijuar fjalë të posaçme për çdo gjuhë, apo edhe për grupe gjuhësh të kësaj bote, sado të ndryshme të jenë ato.

Nuk mund të ketë asnjë dyshim, të gjitha fjalët e botës janë pjellë prej shqipes dhe askush nuk do mund të më kundërshtojë. Kam të drejtë të bërtas “e gjeta”.

E çuditshme, se si më erdhi ndërmend ajo thirrja e famshme në një film tonin “e gjeta Vangjel”. Besoj ju kujtohet, me nusen shtatzënë të atij djalit 14-vjeç dhëndër. Gjithsesi, jam shumë i bindur se këto pjella leksikore të shqipes nuk do të dalin false, se koha do të më japë të drejtë dhe unë nuk po i godas akademikët me jastëk…

(c) 2024 Albert Riska. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.

7 Komente

  1. Kij kujdes zoti Riska se mund te te marin seriozisht.

  2. Strategji e duhur që lidhet me peticionin, por nganjëhere taktikat ndaj kundershtarve kthehen si bumerang, marrin hov sa që pastaj, as Arkimedi nuk mund ti ndali.
    Por sa rron njeriu edhe mëson, perqindja e fjalëve të huaja është e madhe por edhe toponomia verteton se te gjithë këta emra vendesh kuptohen vetëm se në gjuhë të huaja, harrojmi këto : mirë mengjesi kojshi, kur kjo po shkurtohet e cungohët edhe më tej, në :
    <> që tejkalon kufinjët etnik vendor e del tek fqinjët:
    -Gjesi bo llane !( ku t’ kam ô vlla )…nëse bëjmi akrobacione dalipjane kjo =me (V ) dhe vella do ta nxirrte nga në (vo) lljane i dashtun/ volla) pra akrobacit gjuhesore nuk ndalen, thua se Dalipaj iu fryn këtyre rrokjeve herë njeres here tjetres pa mundim si me instrumentin e surles apo ato pompat qe shperndajne sfera stiropoli në hapsira të zbrasta.
    Fenommeni pershendetjes 《gjesi》në vend të që po krijohet dita ditës në Shqipëri duket se do të barazohet vetvetiu si në një kompeticion me atë tjetrin të krijuar në Kosovë gjatë këtyre 40 viteve tek pershendetja gjithë shqiptare, e cila u shkurtua definitivishtë në : tung !
    Dalipagjanët në të ardhmen, pas shumë shekujve, si do ta spjegojnë këtë ?
    Nga polli , nga polli ?
    Para disa ditësh erdhi këtu në Paris nga Tirana një mik i cili pa një pa dy më tha: 《…du të pi një kafe me një …!
    Të tjerët hapen zgurgulluan sytë pa e kuptuar se ç’ deshironte të hante à pinte për mengjes tiranasi në Paris.
    Mëzi që e deshifrova, thirra: Eurêka !
    Po ky vllai deshiron që të pije një kafe si pariziënët këtu, shoqëruar me një por që ndryshe shkruhet: Croisent/ krûasâ, e jo Grua- San !
    Mu kujtua Louis Bonwœl i cili në Analizen e gjuhës shqipe ai thotë se shqipja është perplote me huazime por edhe me deformime si dhe rrotacizma.
    Si shembul Bonwœl e nxjerë fhalën <petrit e si do të thoshim, =《Stradalip》nga italishtja di thërmi e mbetur prej latinishtës grande që për iralishten u bë kurse për shqipen e veriut kaloi edhe në ekstremin tjetër tuj kujtua se është fjalë sllave; =(qe do thote i vjetër ) pa ia ditur as domethenjen e as prejardhjen se nga cila gjuhë vinte kjo ?!
    Dhe kështu lindën shprehjet në Kosovë:
    《Ai është kopil e stara kopil》 edhe më i keq se kopili; 《Ai është dreç e stara dreçit》 me kuptimin në popullore ; ; 《Dalip e shkuar Dalipit》… dhe as vetë Dalipaj nuk do ta njihte se nga polli kjo prej sllaves do thoshte e jo prej latines; i veçantë; ekstra/ ?

  3. Ku!ku!….të trija fjalët paskëshin qenë huazime.
    Si lokalëlog i thekur që jeni,e kuptoj më së mirë se pas efektit çudibërës të ndonjë gote tekje apo dopje, sarkazma dhe ironia shpalosen fuqishëm në kërkimet shkencore e gjuhësore.
    Kështu,të gjithë ne lexuesit amator dhe të programuar pa një arsyetim kritik,mësojmë se “ne”, populli autokton paskemi një defekt gjenetik-patologjik ….që vetëm kopjojmë.
    Apo ndoshta vuajmë nga çrregullimi emocional i inferioritetit kronik dhe fjalët e komshinjëve,qitonëve apo të një niveli më të lartë të albanizimit të fjalës “vicini” ua huazojmë për inerci infetioriteti !?

    Do të doja shumë i dashur gjuhëtar, profesor apo intelektual,që fuqinë e sarkazmës ta përdorje për të shtjelluar dhe analizuar sesi ne,që mbahemi si popull autokton s’paskemi pasur qitonë,kojshi,komshi apo fqinjë ,vetëm këto të gjuhës serbe,greke e latine paskan pasur????
    Si ka mundësi që ne shqiptarët kemi jetuar gjithmonë në gardh me njëri -tjetrin dhe emrin si të thirremi mes veti shkojmë e ia marrim popujve të tjerë???
    Gjithsesi këto janë pyetje të një lexuesi,të programuar pa mendim kritik në shkollat e Shqipërisë.

    Si për çudi,më erdhi në mendje kur lexova batutën “E gjeta….,Vangjel”!
    batuta tjetër po aq e njohur “Jam kunati i shoku Xhemal”.
    Shumë intelektualë mund të bëjnë analizë shkencore ose gjuhësore nga pozita të ngjashme “Si kunati i shokut Xhemal”
    Si

    1. Fjalë si fqinjë, gjiton, komshi janë fjalë shqipe. Origjina e tyre – punë për etimologët dhe historianët e gjuhës – nuk ngre fare peshë në statusin (identitetin) e tyre dhe as në mënyrën si përdoren. Pa e ditur këtë, kot që hyni në këtë debat – madje bëni figurë të keqe.

    2. Latinizimi i thelle i shqipes sipas Stadtmuller eshte prove e autoktonise se tyre pasi tregon se kane qene ne kontakt me romaket per disa shekuj pra ishin aty ku jane edhe sot kur romaket zbarkuan ne Ballkan .

  4. Edhe pse përmendem nëpër komente, nuk do harxhoj kohën me to.
    Jetoj mes fjalorësh etimologjikë të huaj, të cilët kanë një ndryshim të madh me fjalorët etimologjikë të shqipes, ku te të parët fjalët nuk quhen huazime në se nuk u gjendet gjuha motivuese.
    Nëse në fjalorët shqip gjejmë se fjala komshi është huazim nga turq., fqinj nga lat. e gjiton nga greqishtja, në fjalorët etimologjikë të turqishtes, greqishtes e latinishtes të tria fjalët quhen me burim të errët e që do të thotë se këto gjuhë nuk ua gjejnë dot etimologjinë dhe etimologët e tyre tregohen shkencërisht të ndershëm kur shprehen për etimologjinë e atyre fjalëve. Përsa turqit, grekët e italianët nuk dinë se nga u kanë ardhur këto fjalë në leksikët e tyre, si i ditkan etimologët tanë?! Është e lehtë të thuash se filan fjalë e shqipes është e huazuar nga turqishtja dhe ta mbyllësh me kaq. Por kjo nuk quhet etimologji. Quhet opinion etimologjik dhe opinioni nuk është shkencë. Me këtë metodë 93% e fjalorit të shqipes është pranuar i huazuar. Sa e vërtetë është kjo?! Kjo është gënjeshtra më e madhe që ka bërë albanologjia zyrtare e Tiranës. Të paktën të kishin ndjekur metodën europianoperëndimore në etimologji ku në përfundim të studimit etimologjik të një fjale dalin me një nga tri përfundimet: a. fjalë e paqartë, b. me burim të errët, c. me etimologji të panjohur.
    Ndërsa gjithë bota njeh mitologjinë greke, gjuhëtari më i madh grek i të gjitha kohëve (Jorgos Babinjiotis) në fjalorin e tij për etimologjinë e greqishtes nuk pranon si greke asnjë nga mitologjitë, që e gjithë bota i njeh për greke. Babinjioti nuk i pranon si greke sepse asnjë personazh i mitologjisë “greke” nuk referon etimologjikisht te gjuha greke dhe për këtë seriozitet shkencor të Babinjiotit nuk ka patur asnjë reagim negativ në helenistikën e sotme e as në opinionin më të gjerë shkencor e publik.
    Çka është gjithë kjo histeri për ta zhbërë shqipen e për ta stigmatizuar botërisht si gjuha me më shumë huazime në botën e gjuhëve?!
    A i lejohet një profesori si Riska të tallet me fjalët komshi, fqinj e gjiton? Nëse tallet me atë, që e quan si etimologji popullore, le të na japë referencat nga fjalorët e turqishtes, greqishtes e latinishtes ku të tregohet se ato fjalë janë të motivuara etimologjikisht në ato gjuhë. Përndryshe profesori bën tallava “shkencore”.
    Kam botuar fjalor etimologjik të pseudoorientalizmave dhe kam sigurinë se shumë nga ato fjalë, që shqipes ia kanë stigmatizuar si huazime nga turqishtja, janë fjalë të pastra të burimit shqip. Nuk mund të jetë fjala ÇENGEL fjalë turke pasi shqip ajo referon te funksioni QË NGEL (gjërat) dhe turqishtja nuk e disponon fjalën ngel. Edhe fjala KOMSHI nuk motivohet brenda turqishtes, porse shqipja e motivon prej gegnishtes:
    e KOM në SHI(kim) = e kam afër. Ku është pjesa për të qeshur e për t’u tallur kur fjala GJITON në shqip ndahet në i GJiut TON? Ngaqë është etimologji e thjeshtë duhet përtallur?! Pa hapni Babinjiotin dhe shihni se ai nuk ka asnjë ide etimologjike për këtë fjalë!
    Nëse për fjalën fqinj japin të ngjashmen lat. vicinus (për të cilën nuk ka asnjë etimologji zyrtare në atë gjuhë), pse e kanë të vështirë ta krahasojnë edhe me fjalën e shqipes PËQI (PËQIU) e që me metafonientizmën p:f të ketë dhënë:
    pëqiu > fëqiu > fqiu?
    Le ta thotë dikush pse shqipja qenka gjuhë kaq huazuese, ndërkohë që pranohet dhe si më e vjetra? A mundet një gjuhë me rekordin 6000 vjetë e folur pandërprerje te ketë huazuar aq shumë nga ca gjuhë me moshën e xixëllonjave (në gjuhësi) si gr. e vjet. dhe latinishtja e që asnjëra nga to nuk rrojti më shumë se 1 / 10 e shqipes?! Përsa gr. e vjet. e latinishtja lindën kur shqipja i kishte të paktën 5000 vjetë jetë e lëvrim, mbi ç’model u formësuan dy gjuhët e reja që vdiqën si foshnja gjuhësore? Pse nuk bëhen studime për të gjetur shkakun e vdekjes së “dy gjuhëve të përndritura” të antikitetit europian? Pse shqipja mbijetoi edhe pse nuk qe gjuhë perandorake si latinishtja dhe gjuhë kulture si gr. e vjetër? A ka patur gjuhë të përbashkët e të përbotshme të paraantikitetit europian dhe cila mund të ket qenë ajo dhe ku mund të ket lënë gjurmë? Sigurisht do parë te mitoligjitë, neronimet e toponimet dhe se te cila gjuhë e sotme referojnë ato.
    Mitet flasin. Flasin shqip. Dhe kjo nuk është pak për të menduar se gjuha e paraantikitetit të ket qenë kjo shqipja, që e përtallin sa munden profesorët e saj të gjuhës.

    1. Zoti Agron, kontributet etimologjike si ky për fjalën FQINJE ju i keni pasur në dorëshkrim ose të botuara dhe tani vetëm sa i bëni copy-paste për t’i sjellë këtu, apo i piqni kështu në çast, si kokoshka? Etimologu harxhon ndonjëherë javë dhe muaj me një etimologji, konsulton burimet, sheh se çfarë kanë thënë të tjerët, krahason me gjuhë të tjera, sheh ku përdoret fjala, në cilat dialekte, dhe si ka ndryshuar fonetikisht në krahasim me dëshmitë e saj në tekstet e vjetra të shqipes… thjesht bën atë që pritet të bëjë etimologu. Por kam ndjekur ndërhyrjet tuaja te komentet këtu dhe kam frikë se ju i sajoni këto “etimologji” në çast dhe ad hoc, për çdo fjalë për të cilën flitet. Ju përfytyroj të ulur në tavolinë, në një kafene të Rumelisë, dhe njerëzit që ju afrohen dhe ju kërkojnë t’u bëni etimologjinë e një fjale të caktuar, siç i afrohen fallxhores për t’ua parë fatin në vijat e dorës. Pastaj ju paguajnë me një mexhite ose dy. Kështu veç po talleni me ne që ju lexojmë te ky forum, zotëri i mirë, po na fyeni inteligjencën, prandaj mos u ankoni pastaj që disa qeshin me ju dhe ndonjëri edhe ju fyen. Qesharak nuk është spektakli që ofroni (ky më shumë thjesht komik), por besimi juaj i patundur, se me këto marifete mund të rrëzoni albanologjinë!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin