RRETH VJETËRSISË SË SHQIPES

Shpesh dëgjon të thuhet: “shqipja është gjuhë e vjetër”, ose “shqipja është gjuhë nga më të vjetrat”, ose “shqipja – një nga tre gjuhët më të vjetra të Europës”, ose edhe “shqipja gjuha më e vjetër në Europë” e më tej. Këta që shprehen kështu, zakonisht nuk e kanë as vetë të qartë, se çfarë kanë parasysh me cilësorin e vjetër, kur ky i referohet një gjuhe.

Zakonisht, vjetërsia e një gjuhe matet në bazë të momentit në kohë kur ajo është dokumentuar për herë të parë me shkrim – sepse një dokument i shkruar zakonisht mund të datohet. Por shqipja është dokumentuar shumë vonë dhe, sipas këtij kriteri, do të duhej konsideruar gjuhë “e re” në Europë, në krahasim me gjuhë si greqishtja e vjetër, latinishtja, armenishtja, gjuhët gjermanike, gjuhët sllave e të tjera.

Të tjerë shpjegojnë se gjuhë e vjetër është ajo gjuhë që ka moshë të madhe; dhe këtu koncepti i moshës i referohet diçkaje që ekziston në kohë, që dikur është krijuar dhe që dikur tjetër do të zhduket a do të vdesë. Nëse pranojmë që shqipja është gjuhë e familjes indoeuropiane, atëherë – sipas modelit standard të përhapjes së gjuhëve të kësaj familjeje – shqipes do t’i matet mosha që nga periudha kur mendohet se ajo u shkëput nga familja, doli “më vete” si gjuhë.

Por modeli i familjes indoeuropiane si një pemë prej së cilës dalin degë të ndryshme (modeli kladistik, që përdoret gjerësisht edhe sot) vjen nga biologjia dhe i përket një periudhe kur gjuhësia, si degë e dijes, ndikohej fort nga biologjia.

Në biologji, vjetërsia, mosha dhe përmasa kohore mund t’i referohen një qenieje të gjallë individuale, që lind, rritet, shumëzohet, plaket dhe vdes; ose edhe evolucionit të specieve, ku speciet më të vjetra, p.sh. peshqit, janë biologjikisht më primitive dhe inferiore se speciet më të reja, p.sh. gjitarët.

Nëse do ta shohim gjuhën si barasvlerë metaforike të një individi biologjik, atëherë edhe gjuha do duhet të kalojë përmes fazave të lindjes, të rritjes, të shumëzimit, të plakjes dhe pastaj të vdekjes, gjë që nuk përkon me realitetin. Në parim është e mundur të përfytyrohet një fill i pandërprerë me nëna dhe fëmijë, ku secila nënë i ka mësuar fëmijës së vet gjuhën që asaj i pati mësuar nëna; ky fill do të lidhte secilin prej nesh, virtualisht, me njeriun e parë që foli.

Karakteristikë e gjuhës, në përmasën e saj kohore, është se ajo ka nevojë të mbetet e barabartë me veten, por këtë nuk mund ta arrijë veçse duke ndryshuar. Ndryshimi në gjuhë ndodh vetvetiu, jo aksidentalisht; dhe bën që e njëjta gjuhë, në rrjedhë të shekujve, të pësojë ndryshime ndonjëherë të thella. Sipas hipotezës indoeuropiane, shqipja dhe, të themi, keltishtja ishin dikur forma të indoeuropianishtes, por sot ato dy gjuhë i janë larguar mjaft njëra-tjetrës (edhe pse një linguist gjithnjë mund ta dallojë se janë gjenetikisht të afërta mes tyre). Të kihet këtu parasysh, edhe në kontekstin e hipotezës së artikullit të “Science” të cilit do t’i kthehem edhe në vijim, ai popull që u shkëput dora-dorës prej trojeve të familjes mëmë dhe filloi të zhvendosej drejt Perëndimit, më parë në Anadoll dhe pastaj drejt Ballkanit, nuk përjetoi asnjëherë ndërrim të gjuhës; njëlloj siç nuk përjetuan ndërrim të gjuhës latinët e lashtësisë, të cilët u shndërruan gradualisht në spanjollë, italianë, frëngj e katalanë: kishte gjithnjë një numër të madh nënash, që u mësonin fëmijëve të tyre të njëjtën gjuhë që atyre vetë, si nëna, ua kishin mësuar nënat e tyre.

Një organizëm i gjallë ndryshon edhe ai me kalimin e kohës, duke kaluar në fazat e rritjes, të pjekurisë dhe të plakjes (në vija të trasha); por nuk ka asgjë, në jetën e gjuhës, që të na bëjë të flasim për plakje; ndryshimet që i kanë ndodhur shqipes, për shembull prapavendosja e nyjës shquese, ose tani së voni, rrudhja e gjinisë asnjanëse në emrat, nuk janë shenja të ndonjë plakjeje çfarëdo. Po ashtu, një organizëm i gjallë mund dhe duhet të vdesë dikur, por gjuha vdes jo për shkak të ndonjë degradimi të brendshëm dhe të pashmangshëm, por për arsye të jashtme, p.sh. kur komuniteti që e flet asimilohet nga një komunitet tjetër.

Sipas modelit evolucionist, speciet më të vjetra janë edhe më “primitivet” nga pikëpamja biologjike; për shembull, gjitarë si platypus-i dhe ekidna (monotreme) shumohen me vezë dhe mendohet se kanë evoluar më pak se gjitarët e tjerë. Diçka e ngjashme vlen edhe për marsupialët (kanguri). Në biologji, “primitive” i referohet një karakteristike që u shfaq së pari te stërgjyshi i përbashkët i një grupi kladik dhe pastaj u transferua, pak a shumë e pandryshuar, te anëtarët më të vonë të kladit.

Nëse e zbatojmë këtë model konceptual te gjuhët indoeuropiane, atëherë do të prisnim që gjuhët e ndara më herët nga “trungu” indoeuropian të kishin tipare primitive, të ruajtura nga koha kur ishin pjesë e familjes; por nuk ka ndodhur tamam kështu. Edhe sikur shqipja të jetë nga gjuhët që janë ndarë më herët prej familjes (artikulli i “Science”), ajo nuk ka ruajtur tipare të tilla primitive ose arkaike; përkundrazi, mes gjuhëve indoeuropiane, është mes atyre që kanë evoluar më fort dhe i janë larguar më shumë modelit bazë. Linguistët sot besojnë se lituanishtja është ajo gjuhë që i ka ruajtur shumë tipare arkaike, karakteristikë për fazat e hershme të gjuhës proto-indoeuropiane. Të vërehet se kjo nuk ka të bëjë me kohën se kur është shkëputur lituanishtja nga “trungu” indoeuropian. Përndryshe, edhe hetitishtja, gjuhë e zhdukur herët por e dokumentuar relativisht mirë, ka strukturë relativisht arkaike; madje aq arkaike, sa të dyshohet se ajo, dhe gjuhë të tjera anatolike, u shkëputën herët nga familja indoeuropiane, e cila – edhe pas kësaj shkëputjeje – pësoi ndryshime (inovime) që i prekën të gjitha gjuhët që më pas do të dilnin prej saj, me përjashtim të grupit anatolik. Gjithsesi, një linguist që vihet të krahasojë dy gjuhë indoeuropiane si lituanishtja dhe shqipja, duke e ditur se të dyja i përkasin së njëjtës familje, mund fare mirë të nxirrte përfundimin se lituanishtja është “më e vjetër” se shqipja, ngaqë ka ruajtur struktura dhe tipare arkaike, në një kohë që shqipja i është larguar më shumë modelit origjinal. Prandaj mund dhe duhet të pyesim se si duhet interpretuar vjetërsia në këtë kontekst.

Në fakt, për nga struktura fonetike dhe gramatikore, dhe aq më tepër për nga leksiku, shqipja nuk shquhet si gjuhë “e vjetër”, përkundrazi. Ndryshimet e mëdha që ka pësuar, në rrjedhë të shekujve, nuk i kanë dhënë ndonjë “avantazh” në krahasim me gjuhë të tjera që nuk kanë ndryshuar në atë masë e me atë ritëm, sikurse s’i kanë dhënë as ndonjë “disavantazh”. Për shembull, proto-indoeuropianishtja nuk kishte nyjë shquese, ndërsa shqipja – bashkë me një numër të madh gjuhësh të tjera indoeuropiane – e kanë zhvilluar duke e integruar edhe në sistemin e lakimit. Por kjo nuk ndodhi me një numër gjuhësh të tjera, si lituanishtja dhe rusishtja (bashkë me gjuhë të tjera sllave). Ndonjë teoricien si Jespersen-i ka shkruar se nyja shquese është shenjë madje provë e progresit gramatikor; por vështirë të thuash se çfarë avantazhi i ka dhënë nyja shquese shqipes ose italishtes ose anglishtes, në krahasim me rusishten; ky lloj hulumtimi do të na fuste në ujërat e thella të hipotezës Sapir-Whorf.

Nëse provohet hipoteza e artikullit në “Science”, se shqipja, bashkë me greqishten dhe armenishten, është shkëputur më herët nga familja indoeuropiane, atëherë struktura gramatikore e këtyre gjuhëve, në masë të ndryshme, provon se modeli kladistik i marrë hua nga biologjia nuk është dhe aq produktiv në gjuhësinë historike; sa kohë që asnjë nga këto tre gjuhë nuk mund të quhet si me strukturë “arkaike”, ose të afërt me atë të proto-indoeuropianishtes. Kjo konjekturë bie ndesh me çfarë është thënë, gjetiu, për hetitishten dhe gjuhët anatolike, të cilat kanë ruajtur një strukturë primitive pikërisht ngaqë janë shkëputur më herët nga familja indoeuropiane (p.sh. prania e provuar e laringaleve në sistemin fonologjik, mungesa e një sistemi të gjinisë gramatikore, ose thjeshtësia e sistemit foljor). E shumta që mund të deduktohet, në këtë rrethanë, është se ndarja e hershme nga një familje gjuhësore nuk ka korrelacion të kënaqshëm me “primitivitetin” – sa kohë që gjuhë të supozuara se janë ndarë herët, si hetitishtja nga njëra anë, ose shqipja-greqishtja-armenishtja nga ana tjetër, janë sjellë në mënyrë divergjente.

Gjithsesi, përshtypja ime, është se këto vështirësi duhen parë më shumë si artifakte të modelit biologjik; tek i cili është për t’u kërkuar edhe arsyeja e kontradiktës; dhe se rrjedha e kohës brenda strukturës së një gjuhe nuk është e bashkëmatshme me rrjedhën e kohës për folësit e saj.

Nga pikëpamja e “suksesit” evolucionar, gjuhët indoeuropiane mund t’i ndajmë në tri grupe – ato që kanë krijuar nëngrupet e tyre, si latinishtja dhe gjuhët romane, sllavishtja e vjetër dhe gjuhët sllave, pre-gjermanikishtja (PPG) dhe gjuhët gjermanike dhe të tjera të ngjashme; gjuhët që janë zhdukur, si ato anatolike; dhe gjuhët që kanë “mbijetuar”, por pa arritur të krijojnë nëngrupe, si shqipja (por edhe greqishtja dhe armenishtja). Nga gjuhët jo-greke të Ballkanit parasllav, shqipja është e vetmja që ka mbijetuar, por se çfarë do të thotë kjo pikërisht, nuk mund të deduktohet aq lehtë; sepse nuk ka shumë kuptim të shpjegosh se shqipja kish avantazhe, si gjuhë, ndaj të themi trakishtes ose dakishtes. Mbijetesa e një gjuhe shpjegohet me faktorë gjeografikë, socialë, politikë – por jo brendagjuhësorë.

Kjo e problematizon edhe pyetjen nëse ka ndonjë përparësi për një gjuhë, që të jetë “e vjetër”; e cila bëhet shpesh edhe për shqipen dhe pikërisht: a ka ndonjë virtyt gjuha shqipe, si e tillë, që e ka bërë të mbijetojë atje ku gjuhë të tjera janë shuar. Për linguistin, kjo pyetje është pa kuptim – por ka shumë që e kanë kthyer në flamur të kauzës së tyre ideologjike dhe sociale; dhe janë gati ta mbrojnë edhe me jetë argumentin që shqipja është “e vjetër”. Edhe sikur mbijetesa e proto-shqiptarëve të Ballkanit të lashtë të shihet si ndonjë lloj virtyti, ky virtyt nuk ka ndonjë lidhje me gjuhën shqipe – sa kohë që nuk ka asnjë lloj prove, dhe as mund të ketë, se këta proto-shqiptarë i ka ndihmuar të mbijetojnë pikërisht gjuha që flisnin. Argumenti ka meritë në raste si hebraishtja dhe hebrenjtë, të cilët ia detyrojnë mbijetesën e tyre edhe librit, ose traditës së shkruar; aq sa për ta është thënë se e kanë atdheun te një libër, Bibla; por shqipja nuk u shkruajt deri në shekullin XV dhe as ka pasur tradita të hershme që ta lidhnin identitetin etnik të proto-shqiptarëve me praktika të ruajtjes dhe transmetimit të gjuhës. Aq më tepër, mungesa e shkrimit dhe e një tradite të shkruar, të ngjashme me atë të greqishtes klasike për të renë, ose të latinishtes klasike për gjuhët romane dhe kulturat e tyre, ia vonoi shqipes shfaqjen e atyre elementeve – kryesisht të sintaksës, të leksikut dhe të semantikës – të cilat i kërkon gjuha e shkruar dhe që, në mënyra të ndryshme, e pasurojnë edhe gjuhën edhe mendimin e atyre që e flasin; mes tyre do të përmendja para së gjithash përmasën e kohës (temporalitetin), e cila nuk bashkëjeton dot mirë me oralitetin. Kultura që u referohen teksteve të shkruara dhe ndërtohen rreth tyre, qofshin këto edhe me natyrë fetare si Bibla, arrijnë më mirë ta organizojnë identitetin etnik jo vetëm në ritual (përsëritje), por edhe në histori; dhe kjo u jep një avantazh edhe “evolucionar”, në krahasim me kultura që nuk e njohin shkrimin. Për t’u shënuar, megjithatë, në këtë kontekst se shqipja vërtet nuk u shkrua, por folësit e saj e kanë njohur dhe përdorur që herët të shkruarit si praktikë kulturore dhe sociale; vetëm se të shkëputur nga përdorimi i shqipes, sa kohë që shkruanin rregullisht në gjuhë të tjera; dhe ashtu oraliteti i proto-shqiptarëve dhe i shqiptarëve deri vonë nuk është njëlloj me oralitetin e popullsive dhe kulturave që nuk e njohin shkronjën; por më tepër i ngjan atij të popullsive dhe kulturave që e mbajnë shkronjën të ndarë nga fjala.

Shpesh ndodh edhe që argumenti i vjetërsisë së shqipes të përdoret paralelisht me atë të autoktonisë së proto-shqiptarëve në Ballkan, i cili nuk është argument mirëfilli gjuhësor (edhe pse mbështetet gjerësisht në argumente gjuhësore). Këtij kombinimi i mungon logjika – teoria indoeuropiane, me të cilën e matim “moshën” e shqipes, presupozon se të parët e shqiptarëve dikur kanë ardhur në Ballkan dhe se çdo argument për autoktoninë është relativ (siç kujdesej ta thoshte edhe Çabej). Por të mos harrojmë se në këto lloj debatesh zakonisht folklorike, cilësimi e vjetër për shqipen zakonisht vjen me kuptimin krahasor, “më e vjetër”; dhe entuziastëve të vjetërsisë zakonisht nuk u intereson aq vjetërsia në vetvete, sa prova që shqipja është më e vjetër se gjuha amtare e kundërshtarëve të tyre në debatet, që zakonisht janë grekët ose serbët (realë a imagjinarë). Një pjesë mjaft e madhe e agresivitetit të atyre që duan të provojnë se shqipja i ka paraprirë greqishtes dhe se e shpjegon atë me themel, ka të bëjë me këtë lloj primati, madje edhe vjen si reaksion ndaj përçmimit që u bëhet shqiptarëve, në qarqe të caktuara, si njerëz “pa rrënjë”, “pa kulturë”, “pa histori”. Ashtu proto-shqiptarët dhe gjuha e tyre i bie që jo vetëm të jenë më të vjetër se të tjerët popuj të Ballkanit (grekët, por edhe sllavët) por edhe më të vjetër në trojet ku janë sot – ose autoktonë.

Ndryshe nga shumë gjuhë të tjera indoeuropiane, shqipja nuk është dokumentuar për ndonjë kohë të gjatë, as u është bashkëlidhur traditave kulturore dhe fetare specifike dhe as ka qenë gjuha e ndonjë entiteti me rol të spikatur në histori (p.sh. e një perandorie ose mbretërie të rëndësishme). Ngaqë nuk u shkrua për një kohë të gjatë, shqipja i solli me vonesë letërsinë dhe, më gjerë, produktet e saj kulturore me ndikim në botë. Për arsye më shumë historike dhe politike, shqipja nuk ka ndikuar dot shumë në gjuhë të tjera dhe as ka shërbyer dot si kanal për ndikime kulturore; në marrëdhënie me gjuhët me të cilat ka rënë në kontakt, ajo më shumë “ka marrë” se “ka dhënë”. Të gjitha këto, që dikujt do t’i duken “mangësi”, në mos edhe orvatje armiqësore për ta zvogëluar rëndësinë e shqipes, në fakt janë gjëra që nuk kanë të bëjnë me gjuhën vetë; por më shumë me faktorë historikë, gjeografikë dhe kulturorë. Për shembull, sikur ndonjë nga fiset ilire të kish fituar supremaci ndaj të tjerëve dhe të kish krijuar me kohë një shtet të madh ilir të centralizuar, në gadishullin Ballkanik, me institucionet e veta, gjuhën e shkruar, fenë, kulturën dhe letërsinë e vet, mbase do të kishin qenë ilirët që do ta sundonin Europën, në vend të Romës (këtu po marr për të mirëqenë, për hir të argumentit, hipotezën e prejardhjes ilire të shqipes). Dhe, në fakt, Ballkani perëndimor i hershëm duket se ka qenë më pak heterogjen, se gadishulli italik; dhe grupi i gjuhëve italike, të cilit i përkiste edhe latinishtja, më i larmishëm se ai i dialekteve (a gjuhëve) ilire të Ballkanit. Por që ilirët nuk e realizuan dot këtë, nuk e shpjegon dot struktura e gjuhës shqipe, as mosha e saj.

Pyetjen sa e vjetër është një gjuhë linguisti do ta konsiderojë si të pandërtuar mirë – veçanërisht ai linguist që e pranon ndarjen tashmë elementare në langue dhe parole; sepse për të gjuha ose është një sistem abstrakt diferencash, ose një dukuri që riprodhohet çdo çast që dikush hap gojën për të folur. Nga kjo pikëpamje, duke u nisur nga premisa se zakonisht vetëm aktet mund të datohen, atëherë i bie që gjuha të mos ketë moshë, përtej moshës së dokumentimit të saj me shkrim, dhe ashtu t’i përkasë me përkufizim sinkronisë sa kohë që aktet gjuhësore përfshihen të gjitha në parole, ndërsa ndryshimet diakronike prekin vetëm elemente ose diferenca individuale; megjithatë, “vjetërsia” (mosha) e një gjuhe rëndom diskutohet në kontekste të historiografisë ose të ideologjisë kombëtare ose kombëtariste, dhe gjithnjë me synimin për të dalë gjetiu – si rregull, për të mbështetur ose konfirmuar epërsinë historike të një etnie ndaj një etnie tjetër. Këtu ndihmon edhe rrejshmëria e njohur si argumentum ad antiquitatem, e cila ia njeh vetvetiu epërsinë së vjetrës ndaj së resë. Nga ana tjetër, për “gjuhë të reja” nuk është aq e lehtë të flitet, duke përjashtuar gjuhët artificiale dhe gjuhët kreole e pidgin; por linguisti këtu gjithnjë kujdeset të dallojë mes një gjuhe kreole si ajo e Haitit, dhe gjuhëve që mund të duken edhe ato “të përziera”, si gjuha malteze (me fjalor të përmbytur nga fjalë gjuhësh romane, por me gramatikë në masë të madhe semitike), ose gjuha afrikaans (e rrjedhur nga holandishtja, por fort e ndikuar nga gjuhët lokale në Afrikë). Pëndryshe, për indoeuropianistin dhe historianin e gjuhës pyetja “sa e vjetër është një gjuhë” nuk ngre aq peshë, sa ç’ngre peshë pyetja për moshën e këtij apo atij inovacioni në fonetikë, në gramatikë ose në leksik, ose, në thelb, për kronologjinë e ndryshimeve që kanë ndodhur brenda gjuhës; çfarë do të thotë edhe se ruajtja e këtij apo atij tipari përcakton tipologjinë e gjuhës brenda një grupi a familjeje të caktuar (p.sh. gjinia gramatikore në gjuhët indoeuropiane), ndërsa ndryshimi i këtij apo atij tipari përcakton thelbin specifik të një gjuhe, në krahasim me gjuhë të tjera (p.sh. zhvillimi i mbiemrave të nyjshëm në shqipe).

Argumenti për “vjetërsinë” e shqipes ka dalë tani krejt nga kontrolli i historianëve të gjuhës, për t’u përqafuar nga folklori i elitave, aq sa sot dëgjon debate që ndërtohen dhe fillojnë e mbarojnë mbi këtë premisë jo dhe aq solide; dhe reagime fort të kushtëzuara dhe të ekzagjeruara, ndaj artikujve tejet të specializuar dhe madje të bazuar në metoda eksperimentale, si ai i “Science”. Brenda imagjinatës popullore, ky argument i ruan lidhjet me mendësinë romantike të Rilindjes kombëtare dhe nevojën e atëhershme për t’i paraqitur shqiptarët si popull po aq i denjë për respekt dhe mirëkuptim, sa popujt e tjerë që po fitonin autonominë nga Perandoria Osmane. Edhe sot vjetërsinë e shqipes e dëgjon të përmendet në kontekste debatesh ku pala tjetër kërkon t’i “poshtërojë” shqiptarët, me argumente (pseudo)historike, teksa në gojën e të huajve, qofshin këta politikanë apo celebrities, “lashtësia e shqipes” sillet shpesh si arsye për të përligjur vëmendjen dhe simpatinë. Por në vetvete, si tipar shpesh i imagjinuar dhe me rrënjët në ideologji, “lashtësia” nuk i ndihmon me asgjë hulumtimit në historinë e gjuhës, pavarësisht nga çfarë thonë propagandistët, gazetarët, demagogët dhe entuziastët e tjerë; dhe aq më pak ka nevojë të provohet. Ajo është kthyer një nga ato sfida, që e mbajnë peng opinionin publik ndaj studimeve në fushat e historisë së shqipes, të historisë së shqiptarëve si popull, të historisë dhe të arkeologjisë të trojeve ku flitet sot shqipja, të antropologjisë historike të shqiptarëve dhe të antropologjisë së shqipes vetë.

 

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi në mediat, e shtypura dhe elektronike. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht, për cenim të së drejtave të autorit.

Shënim: imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.

7 Komente

  1. Nese konsiderohet se shqipja nuk eshte dhe aq e vjeter, atehere si shpjegohet nga ju gjuhetaret formimi i nje gjuhe te re ne mes te gjuheve te tjera nga hici, pa asnje lidhje me ato fqinje? A nuk eshte kjo hipoteze akoma me e veshtire per t’u provuar, nese nuk spekulohet se ky popull ka ardhur dikur nga diku tjeter dhe per te cilin fakt nuk ka fakte?

    1. Pyetja që bëni nuk ka lidhje me çfarë shkruaj unë më lart. Po ta keni lexuar esenë time, do ta keni parë që atje unë them se “vjetërsia” e shqipes është tipar i zbrazët, ngaqë nuk shprehet as në strukturën as në funksionin e kësaj gjuhe: shqipja është aq e vjetër sa edhe momenti kur u shkëput nga “trungu” indoeuropian, por kjo “moshë” nuk reflektohet nga gjuha vetë.

      Ka linguistë që flasin për shqipen si gjuhë të formuar dikur nga fundi i antikitetit dhe fillimi i mesjetës – por ky datim ka të bëjë me periodizimin historik të shqipes; ose me fundin e disa zhvillimeve të brendshme të saj dhe fillimin e disa zhvillimeve të tjera, përfshi edhe ndarjen e sotme dialektore, rotacizmin dhe tipare të tjera. Por natyrisht nuk pati asnjë ndërrim gjuhe, gjatë kalimit nga proto-shqipja (e antikitetit) te shqipja. Ata linguistë që gjykojnë kështu, duan të zbatojnë te shqipja të njëjtën formulë periodizimi që është përdorur për gjuhët neolatine – dhe që i referohet kalimit nga latinishtja në spanjishte ose në italishte; ose për gjuhët gjermanike, lidhur me kalimin nga proto-gjermanikishtja në gjermanishte ose anglishte.

      Sikur të gjendej sot një dokument i shkruar i proto-shqipes, a do ta kuptonim dot? Ka linguistë që mendojnë se mesapishtja është një dialekt i afërt me dialektin e ilirishtes që pastaj u shfaq si gjuhë shqipe në mesjetë. Por mesapishtja dhe shqipja e sotme nuk komunikojnë dot mes tyre, pa ndihmën e specialistit.

      Problemi pra nuk është nëse shqipja është apo jo e vjetër – por se çfarë kuptimi ka kjo vjetërsi. Me këtë merrem në shkrim.

  2. Nëse marrim dy a tri fjalë të latinishtes a italishtes (hosten – lat. stimolo, i palëvizshëm – stabile e i lëvizshëm -mobile) dhe shohim në fjalorët përkatës etimologjikë, do vërejmë se për to nuk ka etimologji.
    STIMOLO e lat., shënon hostenin që shërben për të ngacmuar qetë në parmendë për të lëvizur dhe gjen prehje etimologjike si fjali e shqipes:
    SHTY ME LUJT =
    SHTY ME LOJ =
    S–TI ME LO = STML = STIMOLO.
    Funksioni i hostenit është që qetë e parmendës t’i SHTY ME LO(jt) =
    STI ME LO = STI-M-U-LOJ = SHTY ME U LOjt.
    Nëse fjalën e më sipërme do e quanim rastësi, shohim më poshtë:
    MOBILE = MBL = M B L = Me Ba Lu = lujt me ba.
    Pra shohim se fjala it. mobile ndahet dhe kthehet në një fjali të gegnishtes “me ba lu”.
    Në rastin e tretë kemi fjalën STABILE që ka kuptimin “e pa lëvizshme” ose:
    STABILE = STBL = S’ Të Ba Lu = S’TË BA LU = gegnisht “s’të ba lu(jt)” = e palëvizshme.
    Nga sa mësipër, latinishtja e italishtja nuk munden të motivojnë etimologjikisht fjalët e tyre. Porse shqipja e ka shumë të lehtë t’i kthejë fjalët e lat. e të italishtes në fjali embriomorfesh të shqipes e duke na treguar se ato fjalë janë kompozita embriomorfemash në një gjuhë tjetër, që e ka të lehtë të çmontojë fjalët e një gjuhe më të vjetër të dokumentuar me shkrim. Kjo do të thotë se vjetërsia e një gjuhe nuk dëshmohet prej vjetërsisë së shkrimit të saj.
    Le ti drejtohemi gegnishtes së sotme e të ndërtojmë një dialog fëmijësh në atë dialekt:
    ” – A je tu lu me mu?
    – S’du e s’po lu as me ty e as me at dhe ik nji tash se du me ra te posht”.
    Te dialogu më lart shohim se format e papërngjitura të një gjuhe arkaike ekzistojnë dhe sot dhe kjo gjuhë jo rastësisht quhet
    g-[egër]isht dhe tregon trajtën e egër (të pakultivuar të një gjuhe), ose një gjuhë të përhapur gjerësisht në paraantikitet dhe që e gjejmë te barazimi:
    GeGërisht
    gj’e’gjer’isht = gju(h) e gjerë isht =
    = gjuha (më) e përhapur isht.
    Nëse nuk pranoni se përveç krahasimit ekziston edhe një metodë më efikase etimologjike, ky është problemi i juaj. Gjërat ekzistojnë edhe pamvarsisht dëshirave tona.

  3. Konceptin e vjetersise se gjuheve, pervecse ne kuptimin e dokumentimit si gjuhe te shkruara e te kultivuara, vertet qe nuk e kuptoj. Cdo gjuhe qe flitet sot, hiq ato te krijuara artificialisht, po ta ndjekesh pas ne kohe, brez pas brezi, te con po aq thelle ne histori sa edhe cdo gjuhe tjeter. Apo jo?

  4. Thonte dikur Herakliti i Efesit:…”përdorni emërtimet e gjërave sikur të kishin jetëgjatësi të patundur; porse edhe lumi ku futni këmbët për herë të dytë nuk është më ai i pari”. Ashtu është edhe gjuha, pikërisht si uji, e rrjedhëshme në kohë, e pa formë dhe e pandalshme; nuk mund të flitet për vjetërsinë e një gjuhe, por mund të flasim per vjetërsinë e “Gjuhës”. Hershmëria e sajë fillon pikërisht atëherë kur njeriu nis të flasë. Bie dakord dhe jam i bindur se këto garat se kush e hedh shurrën më larg, duhen lënë mënjanë, bashkë me turbot tanë dhe të tjerëve kudo qofshin. Gjithësesi gjuha e llojit ka një strukturë të pandryshueshme si qendër graviteti, të përbërë nga tingujt primitiv të cilët janë të përbashkët për të gjithë njerzimin. Fatkeqësisht shkenca, me të drejtë, ka rregullat e sajë: nuk mundet të deklaroi diçka të padokumentueshme, ndaj ky është një vakum për sharlatanët. Falenderoj të gjithë ata të cilët si ju perpiqen, sadado pak, t’i ndalin duke paraqitur përqasje serioze.

    1. Ore,po dëgjoj këtë Agron Dalipaj!
      Ky thotë që Eqerem Çabej nuk ka qenë etimolog…
      Por Agroni thotë që” kam studiuar për gjuhësi,ndonëse më përjashtuan arrita t’a marr diplomën”!.
      Nuk e kuptova ku edhe kur ky Agron është diplomuar për etimolog.
      Se që një njeri që deklaron se ” arrita t’a marr diplomën” të matet në gjuhësi me Eqerem Çabejn e diplomuar në Austri, nuk është sharlatan, por ka prapambetje mendore.
      Nuk them idiot se duhet t’a mbante gjuhën jashtë dhe ti vereshin jargët..
      Nuk i them debil se do kishte pamundësi të gjykonte…
      Bën tetë fjalorë etimologjikë,madje edhe etimologji të italishtes dhe greqishtes tjetri .pa qenë etimolog???

  5. Sipas disave qe merren me gjuhe, gjuha kenka e vjeter aq sa gjendet nje dokument i shkruar ne at gjuhe! Sipas tyre nje dokument me u konsideru se eshte shqip duhet me ken i shkruar me karaktere qe sot njihen si latine. Nese gjindet ndonje deshmi se eshte shkru me karaktere tjera si psh me karaktere qe sot njihen si greke apo cirilike apo arabe edhe pse fjalet jan shqip( Ilirisht, Arberisht, Arvanite, Gegnisht, Toskerisht, Makedonisht) nuk konsiderohet dokument shqip.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin