ILIRËT NË BALLKANIN MODERN (II)

Studimet ilire në Ballkan, por jo vetëm atje, gjithnjë i ka munduar dhe kushedi edhe energjizuar një fërkim, deri në moskuptim dhe konflikt, midis paleolinguistikës dhe arkeologjisë.

Paleolinguistika i sheh ilirët si indo-europianë të cilët – qoftë masivisht qoftë si një shtresë aristokratike sunduese – kanë ardhur dikur në Ballkan nga një vend tjetër.

Përkundrazi, arkeologët edhe në Jugosllavi edhe në Shqipëri, nuk duket të gjejnë shenja bindëse imigrimesh substanciale në vendbanimet e lashta.

Nganjëherë duket sikur këto palë, arkeologët dhe paleolinguistët, veprojnë në dy hapësira të ndryshme – edhe pse paleolinguistikës i duhen disa të dhëna të arkeologjisë, p.sh. ato epigrafike; në një kohë që arkeologjia nuk mund të thotë ndonjë gjë të madhe për gjuhën e banorëve të vendbanimeve dhe bartësve të kulturave që nxjerr në dritë dhe interpreton.

Mënyra më bindëse për t’i pajtuar rezultatet kontradiktore të këtyre dy degëve të dijes është të pranohet se në popullsitë “autoktone” të Ballkanit para-indoeuropian ka ndodhur një ndërrim gjuhe. Hipoteza tjetër, se djepi i indo-europianëve mund të ketë qenë pikërisht në Ballkanin perëndimor (ose hipoteza e autoktonisë ilire), ka më pak gjasë të besohet.

Kjo sa i përket teorisë. Mirëpo dija nuk shtjellohet në vakuum; dhe historiografia e lashtësisë, sidomos në ish-Jugosllavi dhe në trojet shqiptare, ka qenë rregullisht e lidhur ngushtë me probleme të aktualitetit, përfshi këtu edhe çështjet e kufijve dhe të sovranitetit.

Në vitet 1920-1930, kur dija indo-europiane e praktikuar në universitetet gjermane dhe italiane bashkëtingëlloi me doktrinat e supremacisë raciale të fashistëve më parë dhe pastaj e sidomos të nazistëve, hipoteza se ilirët ishin popullatë “nordike” u shfrytëzua për të argumentuar se shqiptarët në veçanti dhe “dinarikët” më gjerë i përkisnin një race superiore, të afërt me atë gjermanike.

Dzino, në studimin e cituar, vëren se disa studiues i përdorën lidhjet e supozuara të ilirëve me popujt gjermanikë për të vënë në dukje rolin e ilirëve, dhe tërthorazi edhe të popujve “të veriut”, në etnogjenezën e grekëve.

Nga ana tjetër, vazhdon Dzino, edhe arkeologët italianë të periudhës fashiste projektuan interesat politike italiane në Ballkanin perëndimor – veçanërisht kur kërkuan për gjurmë të kalimit të Eneas në bregdetin shqiptar, ose kur këmbëngulën për lidhjet mes venetëve prehistorikë dhe ilirëve, duke synuar të ndërtonin një parahistori të përbashkët për Italinë e Veriut dhe rajonet adriatike të Jugosllavisë, përfshi këtu edhe bregdetin dalmat.

Rrënjë ideologjike të ngjashme pati edhe i ashtuquajturi “pan-ilirizëm”, sipas Dzino-s i shprehur në teoritë e arkeologut gjerman Gustaf Kossina, i cili i konsideronte pasardhësit e banorëve para-gjermanë të Gjermanisë si themelues të tërthortë të qytetërimit klasik grek; sikurse i konsideronte ilirët si kategori “raciale” më vete.

Idetë e Kossina-s, vazhdon Dzino, u përqafuan me ngazëllim nga paleolinguistët gjermanë, si Hans Krahe dhe Julius Pokorny; por edhe nga Carl Schuchhardt-i, i cili propozoi që ilirët ishin krijuar nga shkrirja e popullatës danubiane të Neolitikut me gjermanë të kulturës së Lausitz-it. Edhe kur pozicionet e Kossina-s e humbën prestigjin dhe ndikimin, ngaqë ishin mbështetur më parë prej regjimit nazist (sërish efekt i ndërhyrjes së ideologjisë në dije), ideja se ilirët kishin marrë pjesë masivisht në migrimet indo-europiane drejt Egjeut mbijetoi.

Me kalimin e kohës, dhe kryesisht për mungesë të dëshmive gjuhësore të mjaftueshme nga ilirishtja, pozicionet e paleolinguistëve në iliristikë erdhën duke u dobësuar, përkundrejt fuqizimit të pozicioneve të arkeologëve, të cilët rregullisht kanë ngulur këmbë për vijueshmëri të kulturave; jo vetëm në Shqipëri por edhe në ish-Jugosllavi. Gjetjet arkeologjike, pavarësisht nga interpretimet jo gjithnjë bindëse, i zëvendësuan teoritë paleo-linguistike pak a shumë spekulative me argumente më empirike.

Dzino vëren edhe se, pas përfundimit të Luftës II Botërore, perceptimi i ilirëve jo vetëm mes sllavëve të Jugut por edhe në historiografinë shqiptare “u ndikua konsiderueshëm nga narrativat e rezistencës, sidomos sa i përket pushtimit romak […] Historiografia jugosllave dhe shqiptare e perceptoi marrëdhënien e Romës me rajonin si pushtim, nënshtrim të popullatës vendëse dhe humbje të pavarësisë politike të kësaj të fundit.” Edhe një herë, vëren Dzino, paraqitja e romakëve si agresorë ose pushtues dhe e konflikteve të tyre me ilirët si luftra të qëndresës ndonjëherë “pasqyron drejtpërdrejt narrativat dhe përvojat e rezistencës së armatosur [të jugosllavëve dhe shqiptarëve] ndaj italianëve dhe gjermanëve, gjatë Luftës II Botërore.”

Në të njëjtën kohë, do të shtoja unë, mes studiuesve dhe ideologëve shqiptarë, hipoteza se disa ilirë i shpëtuan asimilimit prej Romës duke u tërhequr në male i detyrohet shumë mitit të maleve si vendin e origjinës dhe të ngjizjes së shqiptarisë; dhe mitit tjetër të dëshirës për liri prej të huajve si përbërësen kritike të kodit gjenetik të shqiptarëve.

Në përgjithësi, përfundon Dzino, perceptimet e sotme për ilirët, nga ana e dijes ballkanike, ende nuk pajtohen në lidhje me natyrën e këtyre fiseve dhe shkallën e afërsisë etnike dhe gjuhësore mes tyre; sikurse nuk pajtohen në lidhje me rolin e imigrimit nga jashtë Ballkanit, në përftimin e kulturës (kulturave) ilire. Që nga panilirizmi i Krahe-s ka rrjedhur shumë ujë; por kryesisht në lëmin metodologjik dhe sa u përket zbulimeve të reja arkeologjike – në një kohë që paleolinguistika nuk ka qenë në gjendje të ofrojë gjë me peshë, për mungesë të dhënash të reja, por edhe interesi akademik në nivel institucional.

Kjo tërheqje, sado e pjesshme, do të shtoja unë, e peshës së diskursit institucional për ilirët në veçanti dhe prehistorinë e Ballkanit në përgjithësi, ka krijuar një hapësirë të zbrazët e cila është mbushur sakaq me teori dhe hipoteza amatoriale dhe në rastin më të mirë jorigoroze, të cilat ushqejnë jo dijen, por mitin; dhe i shërbejnë më shumë ideologjisë kombëtariste se njohjes.

Shto këtu edhe se, sa i përket iliristikës shqiptare, kjo gjithnjë e ka ruajtur, që nga zanafilla, një lidhje me marrëdhëniet politike dhe kulturore të Shqipërisë me Romën, Vatikanin dhe Italinë në përgjithësi; sikurse duket edhe nga fakti që hipoteza e prejardhjes ilire të gjuhës dhe të popullit shqiptar lindi dhe u përftua në kundërvënie me teoritë pellazgjike të prejardhjes, të përqafuara në masë nga Rilindja Kombëtare.

Te kjo kundërvënie midis hipotezës ilire dhe asaj pellazge, në dijen dhe sidomos në ideologjinë kombëtariste shqiptare gjatë shekullit XX, unë do të shihja një pasqyrim ose rimarrje të kundërvënies midis fillesës së krishterë katolike dhe fillesës së krishterë ortodokse brenda kësaj ideologjie; duke qenë hipoteza ilire më e orientuar ndaj Perëndimit (Romës), ndërsa hipoteza pellazge me e orientuar ndaj Jugut (Greqisë).

[fund]

Shënim: Sikurse e kam sqaruar dhe në hyrjen e pjesës së parë të shkrimit, këto përsiatje e kanë pikënisjen e një artikull nga Danijel Dzino (Macquarie University, Sydney, Australia) me titull “Constructing Illyrians: Prehistoric Inhabitants of the Balkan Peninsula in Early Modern and Modern Perceptions” (Balkanica 27, 2014).

Nuk ka komente

  1. Per hir te se vertetes gjuhesia ka perzgjedhur tezen e Gimbutes keshtu qe cka del nga arkeologjia o i pershtatet njefaresoj tezes sunduese o s’ ka vlere. Mirepo problemi i tezes se Gimbutes per periudhen 3000 plk-1000plk eshte se i ngjan shume filmave me indiane e kaubojsa. Mirepo levizjet me te vjetra indoeuropiane ne Anadoll perfshijne shekuj te tere, ashtu si pak me vone levizjet drejt Indise apo Iranit. Duhet te presim shek 8plk kur skithet dhe kimeret u sulen turravrap prej stepave, qe te flasim per kultura stepike te ndertuara rreth kalit e levizshmerise se tij. Paralelisht, po asaj kohe i perkasin edhe sulmet e para te kaloresve nomade drejt Kines. Jo se me pare nga stepat nuk eshte sulmuar, por thjesht nuk ka pasur kultura nomade te bazuara tek kali ne ate mase sa te flitet per kalores nomade (madje edhe me vone gotet e sulmuan Romen nga stepat por baza e tyre e ushtrise ishte kembesoria). Besoj se levizjet e hershme ne Ballkan jane kryer si kudo pergjate shume shekujve, ku ka nderthurje te fazave te ngadalta e relativisht paqesore me ato me te shpejta e agresive, te cilat nga natyra e tyre jane me te shqueshme dhe verifikueshme. Ne kete kuptim, Renfrew del me i pranueshem, madje absolut nqs arrin te pajtohet me disa elemente gjuhesore te painjorueshem. Atehere edhe iliret si etnos i dallueshem indoeuropiane mund te jene autoktone (nqs duam t’i pranojme bashkarisht nje kuptim kesaj fjale).

  2. Iliristika sherben me mire edhe ne funksion te idese se unitetit dhe kohezionit nacional. Pra eshte ingredient me i mire ne arsyetimin instrumental te vene ne pune ne shekullin 20. Duket me qarte kjo, po te shihen debatet ne nivel akademik ne ish-Jugosllavi. Se fundmi eshte botuar nje permbledhje shkrimesh polemizuese, me mire verejtje, te Ali Hadrit me titull: “Shqiptaret ne Jugosllavi”. (Titulli me rezerva, sepse nuk e kam librin para). Hadri ftohej(nje nga) ne mesin e viteve ’70 te punonte tezat historiografike per shqiptaret, te cilat mandej do te pasqyroheshin ne enciklopedine jugosllave. Tezat qarkulloheshin nga nje redaksi ne tjetren, ne te gjitha njesite federative, me te drejten e verejtjeve dhe sugjerimeve. Nje pjese te mire te polemikes se Hadrit, pervec pretendimeve per hapesiren qe i lihej shqiptareve, e ze ajo ndaj tezave te redaksise serbe ne Beograd per iliret. Hadri kembengul te konsiderohet se iliret perbenin nje popull, te formesuar qarte, referuar kryesisht tezave te Fanulla Papazoglu, sjelle keto jo ne vetvete si te tilla, por gati si antiteza te pikepamjeve te Milutin Garashaninit. Cfare rendesi kishte kjo kembengulje? Rendesi politike natyrisht, sa kohe nuk ka nje perfundim shterues ne kete drejtim. Autoktone po se po, por edhe nje popull i formesuar ne antikitet, ne nje territor te gjithepranuar, por edhe te dokumentuar, cka e kompreson me mire ndjesine e nje vijueshmerie sesa ne rastin nje prejardhjeje nga fise me nje emertese konvecionale te perbashket. Teza pellazge e kerkon qendren prehistorike shume ne Jug, ndonese meton autoktoni absolute.

    1. Ka nje dallim te madh mes nesh dhe jugosllaveve, ata s’ kane ditur e s’ dine c’te bejne me iliristiken. Ne kemi ditur por edhe kemi qene njefaresoj te detyruar. Ketu ka pak vend per perzgjedhje te arsyetuar ideologjike, ne te vertete nuk ka rruge tjeter, as ajo pellazge nuk te con dot shkencerisht gjekundi. Nga pikepamja e propagandes teza ilire dhe ajo pellazge ndryshojne si qymyri me diamantin, se pellazget jane europianet me te vjeter, me te qyteteruar e qe kane sfiduar zotat. Teza ilire perfaqeson fazen e pjekurise te albanologjise sone.

  3. hipoteza ilire më e orientuar ndaj Perëndimit (Romës), ndërsa hipoteza pellazge me e orientuar ndaj Jugut (Greqisë).

    Interestantja eshte qe Enveri ia pohoi Stalinit mbeshtetjen e tij per etnogjenezen pellazge , nderkohe qe me vone u vu theksi te etnogjeneza Ilire.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: