RITE TË PËRKUJTESËS

nga Alen Bejko

Në bunacën paszgjedhore të kësaj pragvere, rastësisht më zuri syri, strukur nën rubrikën “Opinion” të gazetës Panorama, një mrekulli të vogël. Reportazhi – se i tillë është – mban titullin “Një kronikë për traditat” dhe përshkruan si patëkeq kremtimin e 79-vjetorit të themelimit të Brigadës VIII Sulmuese në një nga shkollat e kryeqytetit.[1]

Shkrimi, në stil të paimitueshëm përkujtimor-panegjirik, ka vetinë e rrallë e të qenët i pakohë. Si në formë, ashtu dhe në përmbajtje, mund t’i përkiste krenarisht cilitdo organi shtypi të periudhës totalitare. Nuk mungon në të asnjë prej tropeve klasike të zhanrit, prej itinerarit thuajse hekurudhor të brigadës – 3700 km, 385 ditë, 113 luftime – e gjer te rrëfimi i thekshëm i vdekjes së komandantit të batalionit të dytë – Hero i Popullit, Dëshmor i Atdheut e così via – në përpjekje me okupatorin nazifashist, për çlirimin e popullit vëlla malazez.

I vetmi lëshim që i bëhet realitetit të sotëm bezdisës paskomunist, është shpjegimi i thatë për zëvendësimin e Sheperit të Zagorisë, ku u themelua brigada, me shkollën “Edith Durham” (ish-“11 janari”, për ata që nuk i ndjekin nga afër shndërrimet toponimike të Tiranës), me logjikën e hekurt se kjo e fundit gjendet pranë rrugës “Brigada VIII”. Lihet të kuptohet se duke bashkëndarë emrin e brigadës, një pjesë e lavdisë së kësaj njësie të shquar të Ushtrisë Nacionalçlirimtare – dhe fshatit të saj të origjinës – i kalon rrugicës, me veti shoqërimi.

Kureshtare të mendosh se ç’i shkon nëpër mend nxënësit të ciklit 9-vjeçar tek përballet me këtë relikt të nxjerrë nga kushedi ç’zgafellë historie të ideologjizuar. Në rastin më të mirë, moskuptim. Kjo jo vetëm se cektësia e trajtimit të historisë në programet mësimore ia ka bërë Luftën e Dytë Botërore po aq të largët e të pluhurosur sa dhe Pavarësia a Rilindja Kombëtare, por edhe se mjetet e përdorura për ta ringjallur disi këtë formë propagande – që nuk ish e sofistikuar as në rininë e vet – janë tejet të dala kohe.

Rrëfimet e xhaxhi veteranit, recitimet e kujtimeve të dëshmorëve prej nxënësve të dalluar, këngët partizane në kor tek oborri i shkollës – të gjitha këto performanca thellësisht orale e teatrale u përkasin metodave të komunikimit që u formuan në kushte krejt të ndryshme teknologjike e shoqërore. Masivizimi dhe oraliteti i tyre nuk u përgjigjet më aspak mënyrave të komunikimit e përcjelljes së informacionit të shqiptarëve bashkëkohorë. Rrjedhimisht, mbajtja e tyre artificialisht gjallë nuk ka më funksionin e dikurshëm propagandistik – për arsyen e thjeshtë se nuk bindin tani askënd.

Ndaj, duhet dalë në përfundimin se organizimi i tyre dhe pjesëmarrja në to i shërben një funksioni të ri, të cilin mund ta emërtonim mitologjizim. Siç e thotë Barthes-i, miti është sistem komunikimi[2] dhe në këtë rast ai kalon nga përcjellja (lexoni: propagimi) i një versioni të caktuar të historisë moderne të shqiptarëve drejt një rishpikjeje më shteruese të vetëdijes historike kolektive. Duke përfituar nga mungesa e formimit historik të publikut të gjerë, në njërën anë, dhe mbijetesa e tropeve totalitare lehtësisht të riciklueshme, në tjetrën, kjo qasje kulturore gjen hapësirën për ta riformuluar pafundësisht narrativën zyrtare, sipas rrethanave.

Parë në suazën e fushës shterpë të historisë zyrtare, e cila vijon t’i ruajë tiparet e interpretimeve ideologjike e legjitimuese të monizmit, mitologjizimi ka lehtësinë e menjëhershme të shmangies së nevojës për revizionizëm historik, proces i gjatë e i mundimshëm, që do të kërkonte vetëreflektim më të thellë prej mbarë shoqërisë. Në vend të saj, fabrikon një lexim historik, që u përgjigjet fakteve veç në vijat më të trasha e që shërben, më së pari, për të mbajtur në këmbë status quo-në e tanishme.

Ngjashëm, në përpjekjet e herëpashershme për rivlerësimin e kujtesës prej perspektivës së aktorëve të shtypur, margjinalizuar në vitet e totalitarizmit – të cilat janë të ngulitura në vetëdijen publike, paçka përhapjes së tyre relativisht të vogël – gjejmë fillesat e kundërnarrativës. E ndërtimi i saj, në këndvështrimin ballist, monarkist a thjesht krahinor antikomunist qoftë, bie pre e së njëjtës painterpretueshmëri. Rrëfimet dhe modele teorike që ofrohen, janë po aq të gatshme e të riprodhueshme sa dhe ato të rrymës mbizotëruese historike. Edhe këto kundërnarrativa, njëlloj si simotrat e tyre, tentojnë drejt të vërtetave shteruese: versioneve të njësuara të së shkuarës.

Mund të argumentohet se shfrytëzimi i dypërmasorisë apo sheshimit historik dhe te narrativat alternative, që synojnë paraqitjen e suazave të reja interpretuese, është zgjedhje e detyruar për arsye të rëndesës së historiografisë zyrtare. Me gjasë është e drejtë. Megjithatë, nuk e zbeh aspak rrezikun e ngrirjes së historisë në modele të gatshme, që mjafton të nxirren nga xhepi, të shpalosen e të ripërsëriten mekanikisht sipas rastit. Kjo, jo për të nënvlerësuar rolin apo rëndësinë e kundërnarrativave në shoqëri liberale e pluraliste, por për të vënë në dukje zombie-fikimin që u kanoset, njëlloj si narrativave të pushtetit, nëse vijohet me qasje të konsumuara.

Bjerrja e përmasës kronologjike të historisë dhe zëvendësimi i saj me një horizont disi të vagullt e thelbësisht të sheshtë të së shkuarës, ndan në mënyrë përfundimtare narrativën historike nga vetëdija jonë kolektive e së kaluarës. Shpejton kësisoj një proces gjithsesi të natyrshëm, të cilin e shtyn përpara kalimi i dekadave dhe brezave që i kanë dëshmuar ngjarjet në fjalë, veçanërisht gjysmën e parë të shek. XX. Dallimi qëndron te mbushja e kësaj ‘zbrazëtire’ historike me artificin e modeleve të gatshme, të huazuara prej qasjeve të ndryshme, por gjithsesi koherente e ideologjike, ndaj rrëfimit dhe rolit të së shkuarës, që i serviren publikut si të vërteta objektive e fundore.

Përsëritja mekanike është elementi kyç i kësaj rrejshmërie. Volia e saj, në shmangien e nevojës për të krijuar një këndvështrim vetjak të së shkuarës dhe zëvendësimin e saj me një syresh të parapërgatitur, shpie në atrofizimin e skepticizmit të shëndetshëm qytetar. Duke ia hequr mundimit e zhvillimit të një mendimi të mirëfilltë për tema deri diku abstrakte e që nuk kanë rëndësi të menjëhershme, përsëritja po ashtu ia privon qytetarit mundësinë e të pasurit të një qëndrimi (stance) kritik ndaj asaj çka propagon pushteti. Pikërisht në këtë të fundit qëndron dëmi real i historiografisë për konsum masiv që ka mbizotëruar në vendin tonë gjer më sot.

Në mungesë të një marrëdhënieje individuale me të shkuarën ‘e madhe’ dhe të edukimit, që nevojitet për ta sendërtuar këtë të parën, nxënësi i ciklit 9-vjeçar – apo dhe qytetari më gjerë – detyrohet ta marrë epopenë e lavdishme nacionalçlirimtare, me të cilën ballafaqohet, një përvjetor të bukur prima facie. E njëjta gjë vlen edhe për të gjitha narrativat e tjera historike që has. Ai i lexon dhe i kupton ato si të ishin histori bruto (raw) dhe jo materiale të përpunuara sipas skemave thellësisht ideologjike e me synime të qarta politike. Pra, nuk e ka vetëdijen intelektuale për të dalluar atë pjesë të tyre që, fundja-fundit, i është dhënë për ta manipuluar në një mënyrë a në një tjetër.

Sigurisht, kjo paraqitje e thjeshton së tepërmi problemin. Historia vetë nis pikërisht me interpretimin dhe përpunimin e së shkuarës[3], ndaj është e pamundur të mëtohet një version krejt i qashtër a i panjollë i kësaj të fundit. Nga ana tjetër, mundet dhe duhet kërkuar me këmbëngulje pajisja e qytetarëve tanë me ato mjete intelektuale që ua mundësojnë të kuptuarit drejt të historisë, bashkë me të gjitha ‘interferencat’ që kanë ndikuar në prodhimin e saj: en bref, aparatin kritik. Vetëm nëpërmjet nxënies së tij mund të ndërtojmë një marrëdhënie të shëndetshme e të dobishme me të shkuarën, duke e hequr qafe njëherë e mirë shfrytëzimin e saj për legjitimim teleologjik.

Përkundër sa më sipër, dëshmojmë përkujtesë të përgjithshme e të pamatë. Në vazhdën e partizanëve të Brigadës VIII S., kremtojmë kujtimin e Revoltës së Spaçit, ditëlindjen e Sami (bej) Frashërit, vdekjen e NMT Zogu I, e kushedi çfarë tjetër. Kundërthëniet konstante të narrativës historike kombëtare – ku palë të ndryshme e grupe të ndryshme kanë shtuar e kanë prishur e kanë shtuar pa plan – do të bënin për të qeshur po të mos e kishin ligur aq sa të zinte shtratin. Në vend të një tërësie organike në zhvillim e që luan një rol konkret shoqëror, përballemi me një histori të ndrydhur e të copëzuar, e cila mund t’u shërbejë motiveve të gjithkujt, por jo interesit të përbashkët.

Kremtimi i përvjetorit të themelimit të një brigade, sado banal në vetvete, tipizon lëngatën e rëndë që kanë sjellë interpretimet ready-made bashkë me përkujtesën e papërmbajtshme. Mekanizmi i riprodhimit, ku mbështeten të dyja këto modele, na largon prej shkencës historike të gjallë dhe na shpie te një enë a guaskë potencialitetesh, së cilës i ka mbetur emri ‘histori’. Kjo e fundit nuk mund të ketë mision shoqëror, pasi nuk është në gjendje ta realizojë. Është veç strukturë amorfe e amorale, e cila nuk prodhon gjë veç debatit shterpë, dëbon zhvillimin e mëtejshëm dhe shërben si gjethe përligjëse fiku, e cila i bën më të respektueshëm ata që e përdorin herë pas here.

Vlen të përmendet këtu se, pavarësisht degradimit të historisë nga disiplinë shkencore në mjet komunikimi e propagandistik të pushtetit, i mëshohet ruajtjes së mekanizmit të përligjjes historike. Mbijeton, pra, parimi që e gjen burimin e gjithë legjitimitetit tek e kaluara, duke e pranuar kësisoj rëndësinë e ‘dorës së vdekur të së shkuarës’. Sigurisht, këtë të fundit e bën disi më të përtypshme fakti se një pjesë të mirë të së kaluarës – a, së paku, perceptimit publik të saj – e kontrollojnë institucionet arsimore e kulturore të pushtetit. Kështu, ‘dora e së shkuarës’ shqiptare bëhet më e dëgjueshme se simotrat e saj tjetërkund.

Duhet të kuptojmë që gjendemi ballë situatës kur historia jo vetëm që është kthyer në mjet shtypjeje, por dhe harresa që prodhon mitologjizimi i saj na avit rrezikun e autoritarizmit, siç ndodh përherë në demokracitë e brishta. Liria e shkurtër, e cungët dhe e mundimshme që gëzojmë sot, merret për e mirëqenë dhe, pikërisht për këtë arsye, mund të humbet lehtësisht. Çdo shtrirje e mëtejshme e interesit dhe veprimtarisë publike – sidomos në fusha të dijes shoqërore, si historia – është cenim i saj. Te Ur-fashizmi, mes të tjerash, Eco-ja thotë se “jemi këtu për të kujtuar atë çka ndodhi dhe për të thënë solemnisht se ‘ata’ nuk duhet ta bëjnë më.”[4]

Edhe ne e ndajmë të njëjtën detyrë.

[1] Lili Mero, “Një kronikë për traditat”, Panorama, 18 maj 2023.
[2] Roland Barthes. Mythologies. (Paris: Éditions du Seuil, 1957), f.181.
[3] E. H. Carr. What is History? (Londër: Penguin Books, 1987), f.11.
[4] Umberto Eco, “Ur-Fascism”, The New York Review of Books, 22 qershor 1995. Versioni web: https://www.nybooks.com/articles/1995/06/22/ur-fascism/

 

© 2023 Alen Bejko. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin