PASKAJORJA

– Homazh për Àt Justin Rrotën –

nga Bardhyl Demiraj
LMU München

Ky shkrim merr shkas nga një bisedë e dikurshme televizive e mikut dhe kolegut tim Ardian Vehbiu në një emision që drejton Mustafa Nano, ku citon edhe konstrukte gjuhësore eksperimentale në shqipen e shkruar, siç është rasti i përdorimit të paskajores me me + PJESORE (të Shqipes Standarde), që ndërmerr rast pas rasti shkruesi i këtyre radhëve në shkrimet e tij në Peizazhe të Fjalës. Meqë dua t’i mëshoj sidomos nëntitullit të këtij shkrimi që ia përkushtoj me admirim Àt Justin Rrotës (Shkodër 17.2.1889 – 21.12.1964), lejohem të sqaroj thukët se ati ynë i shkodran, edhe pse nuk e përjetoi Kongresin e Drejtshkrimit (Tiranë, nëntor 1972) – një ngjarje kjo madhore në historinë e kulturës shqiptare (!!!) –, e jetoi vetëdijshëm jetën e tij si pjesë e së tërës, që vjen me thënë si pinjoll i asaj shtrese të shëndetshme intelektuale, që qysh prej fazës së fundit të Lëvizjes së Rilindjes Kombëtare e në vijimësi gjëllinte e gjëllin me moton “një komb – një gjuhë”, bash ashtu siç e dëshmojnë së paku përpjekjet drejt unifikimit të alfabetit shqip: Manastir 1908, ase më pas sosh të një norme të përbashkët për gjuhën e shkruar: Elbasan (1909-10); Komisia Letrare e Shkodrës (1916-), Kongresi i Lushnjës (1920) etj.

Parë nga kjo perspektivë lejohem t’i jap konkretisht një impuls pozitiv këtij debati ndaj përdorimit të paskajores së tipit me + Pjesore në shqipen e përbashkët, një çështje kjo që ka rrokur dashur pa dashur trajtën e Nyjës së Gordonit në diskursin kulturor-intelektual, së paku qysh prej shndërrimeve demokratike në Shqipëri në fillimet e viteve 90’ të shekullit të kaluar, përkatësisht me çlirimin e Kosovës në kapërcyell të shekullit të ri.

Pa dashur të hyj thellë e më thellë në larminë e argumenteve pro dhe kundra që përcjell ky debat në kohën tonë e që sipas rastit shoqërohet deri me retorikë krahinoriste, sikurse jo rrallë kaplohet prej një farë kundrimi romantik të së “kaluarës” së afërt, pra jo më larg se 50 vjet më parë, lejohem vetëm të shtoj që ky debat ka qenë i pranishëm edhe më parë në diskursin kulturor-gjuhësor të rretheve intelektuale shqiptare. Gjithsesi ai është parë dhe trajtuar disi ndryshe, domethënë atëkohë janë propozuar do zgjidhje alternative që vlejnë t’i këqyrim seriozisht në kohën tonë, madje me bindjen se është shi shqipja e shkruar ajo që përfiton më shumë ndaj këtij debati.

I nxitur nga kjo dëshirë fanmirë lejohem t’i përcjell tash lexuesit përsiatjet e Àt Justin Rrotës mbi këtë çështje, të cilat i ngjërojmë në veprën e tij postume “Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore” (Shkodër 2006), që vjen me thënë të hedhura në letër një kohë, kur debati i sotëm nuk ishte as në shpërgënj, madje as kishte lindur ende ideja e thirrjes së një Kongresi Drejtshkrimi, që do të unifikonte shqipen e shkruar, të pagëzuar atëbotë me katër mbiemra si Gjuha Letrare Kombëtare e Njësuar Shqipe e që sot e ndeshim me një emërtim të thjeshtëzuar, por sa të pabukur aq edhe të pagjetur, si Shqipja Standarde. Përkundrazi, përsiatjet e Àt Justinit bukurshkruhen, si vijon:

“Mënyra e pakufi (infiniti).

– Për t’a dhanë shqip infinitin, na shtiem në punë, si thamë, pjesoren e kalueme, të prime nga fjalzat me për gegënishten, dhe për të, toskënisht. P.sh. me dashun; për të dashur. (lat. amare).

– Përgjithsisht këtë trajtë të kështu-të-thanun t’infinitivit e ka në përdorim vetëm gegënishtja. Ndërsa toskënishtja e ka dëbue gati faret, hiq ndonjë krahinë, si Çameria, Gjirokastra, a ndonjë mënyrë të rrallë së thanunit, si: do me thënë, si me thënë, etj. dhe në të thanmen: me qenë se; e cila u jep shkaz fjalivet shkajkore: Me qenë se s’mund të vij unë te ti, eja ti te unë.

Vërejtje. – Përmbassi gegënishtja e shtje në punë djeri në tepri këtë mënyrë t’infinitivit (Me dashë unë, mundem me xanë; por po due me pushue tash pak, e mandej më ka anda me fjetë); e mbassi toskënishtja, përkundra, e ka dëbue, si thamë gati faret nga përdorimi, dhe këqyrë t’a zavendsojë këtë ma fort me kohët e lidhores etj. (Të dojshe, unë, mund të xëjshe; por tash njëherë dua të pushoj pak, e mandej më ka ënda të luaj); kështu mendojm, se për unifikimin e gjuhës ashtë mirë, të lëshojn pe të dyja palët: gegënishtja, tue e rrallue përdorimin dhe toskënishtja, tue shtie do ma tepër në punë infinitivin. [markimi prej nesh – B.D.]” (Rrota 2006 337)

Pa dyshim, Àt Justini ecën në të njëjtën hulli me shumë pararendës e bashkëkohës të tij, të cilët e shihnin procesin e unifikimit të shqipes së shkruar si dukuri sociale-kulturore në rrjedhën e një konvergjence largvajtëse, pra jo në kundërvënie ballafaqe ndërmjet varianteve shkrimore të secilit dialekt. Andaj edhe lejohem të ritheksoj dëshirën e Àt Justinit që “për unifikimin e gjuhës ashtë mirë të lëshojn pe të dyja palët”. Në rrjedhën e mëvonshme të kësaj dukurie sigurisht që u parapëlqye e kundërta, domethënë kundërvënia, të cilën Kongresi i Drejtshkrimit e zgjidhi në të mirë të mbarështimit të formës së pashtjelluar mungesore për + PREJPJESOR (i paranyjëzuar) në bashkëvajtje kjo me përdorimin pa cak e majë të lidhores.

Shkruesi i këtyre radhëve e ka të vështirë të përsiasë sot arsyet gjuhësore që janë dhënë dikur – sigurisht, nëse janë dhënë të tilla (?!) –, me vënë shpatën e Demokleut mbi këtë pranëvënie diatopike të natyrshme, përkatësisht për të vendosur “me e dëbue faret” përdorimin e paskajores me + PJESORE edhe në shqipen e shkruar. Këto rrethana nuk i lëçisim sot as në gramatikën e shqipes standarde që mban vulën e entit botues zyrtar të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (GGJSH 2002, 20052), e cila mëton jo më kot rolin e zëdhënësit zyrtar ndaj normës gjuhësore në shkrimin e shqipes. Mjafton të citojmë me këtë rast pasazhin e fusnotës, ku kjo formë e pashtjelluar në sistemin foljor të shqipes përshkruhet të parën e të fundit herë në vepër, si vijon:

“Me të gjitha funksionet e paskajores përdoret forma analitike e tipit me la, e cila ndërtohet duke i paravënë pjesëzën me formës së pjesores. Paskajorja e tipit me la, e cila ka karakter dialektor (përdoret vetëm në gegërishte) dhe nuk ka hyrë në shqipen letrare kombëtare, ka kategorinë gramatikore të diatezës (me la, me u la) dhe të kohës. Përveç formës së tipit me la, që merret konvencionalisht si kohë e tashme, përdoret, ndonëse shumë rrallë, edhe forma e së kryerës e tipit me pasë la: Edhe gjashtë vjet, nanë, ti me pa’ pritë [= me pasë pritë] / Un vetë kmishën, nan’ e kisha hjekë. Paskajorja e tipit me la përdoret edhe si përbërëse e kohës së ardhme të dëftores ose së tashmes së kushtores, të ndërtuara me anën e foljes ndihmëse kam në të tashmen, përkatësisht në të pakryerën e dëftores: Sot i jav [= javë] na si n’kjoshim gjallë / kam me dalë te Bregu i Glatë e me vedi nusen kam me e marrë. Me ja pa shpatën e tij, / të dyve mera ki’ me na hi [= kish me na hi].” (GGJSH 2002 bl. I, f. 337; fusn. 2)

Në paragrafin e mësipërm mësojmë se trajta e pashtjelluar foljore e tipit me + Pjesore qenka e vetmja formë analitike që përcjell të gjitha funksionet e paskajores, paçka se paska karakter dialektor, d.m.th. përdoret vetëm ndër folësit gegë dhe se nuk paska hyrë në shqipen letrare kombëtare të njësuar. Veçse arsyet se përse nuk paskësh hyrë dikur në normën gjuhësore i mësojmë kryesisht vetëm ndër biseda të dikurshme ose në transmetim syresh prej përkujdesësish sqimatarë të gjuhës së shkruar, të cilët vënë oroe thjesht dhe vetëm se këtë trajtë foljore “nuk e pranon sistemi”. Dhe fjala është këtu sigurisht për atë sistem gjuhësor të shqipes së shkruar që u sendërtua dikur vetëdijshëm dhe përkujdeset sot e gjithë ditën po aq vetëdijshëm, kur duam të ndjekim me përpikmëri rregullat e normës gramatikore të shqipes së shkruar.

Vijmë kështu natyrshëm në do mangësi që u kaluan fare panatyrshëm gjatë procesit të normëzimit të shqipes së shkruar, kur për të zgjidhur të ashtuquajturën Nyjë të Gordonit u eksperimentua me Sopatën e Dardharit. Që jo gjithherë u operua në këtë mënyrë, pra jo rrallëherë ngadhënjeu dëshira e mirë me rrokur, më saktë me plotësuar do “boshllëqe” që përcillte në vetvete sistemi normativ konvencional, këtë e dëshmojnë një numër jo i vogël konstruktesh gjuhësore bazuar në zanafillë në dialektin gegë, si p.sh. vargu gjithnjë i hapur i ndërtimit të emrave të vepruesit më (geg.) {-(u)es} kundrejt (tosk.) {-(o)njës}. Falë dëshirës së mirë, shqipja e shkruar u sistematizua madje bukur edhe me vargje paradigmash që nuk shfaqeshin si të tilla në plotësinë e tyre në asnjë dialekt ase nëndialekt, siç është p.sh. paradigma e plotë e kohës së pakryer bash me ato fjalëforma e tog mbaresash që i mësojmë sot përmendësh në shkollë dhe i përdorim si të tilla me zbardhur kështu në letër normën gramatikore të shqipes së shkruar.

Pa dashur të ndalem më gjatë me shembuj shtesë – kur “lëshojnë pe” të gjitha palët (!!!) –, e që dëshmojnë natyrshëm vetëqenësinë e shqipes së shkruar si sistem gjithnjë i hapur qoftë për trashëgiminë ashtu edhe për risitë gjuhësore të radhës, lejohem së fundi të listoj do konsiderata të përgjithshme që tumirin përdorimin e paskajores së tipit me + PJESORE si formë e pashtjelluar foljore edhe në shqipen e shkruar bashkëkohore, si vijon:

  1. Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe dhe norma gjuhësore e sanksionuar në të përfaqësojnë sot e gjithë ditën një cezurë të qëlluar në kulturën e shkrimit shqip, e cila ratifikoi shqipen e shkruar si sistem gjuhësor i mirëstudiuar e gjithmonë i hapur në vetvete për dukuri qofshin edhe të natyrës dialektore, por që e përsosin tërësinë e tij përgjatë zhvillimit largvajtës në kohë dhe hapësirë. Forma e pashtjelluar me + PJESORE me funksionin e kategorisë gramatikore të paskajores në të gjithë përbërësit e saj e ushtron më së miri këtë funksion gjuhësor në plotësinë e tij, madje përdoret natyrshëm si e tillë te diku dy të tretat e folësve nativë të kësaj gjuhe.
  2. Kjo formë e pashtjelluar foljore ka qenë dikur gjithkund e pranishme në hapësirën shqipfolëse (para shek. XV-XVII), ndërkohë që mënjanimi i saj në të folmet e jugut rezulton të jetë produkt i interferencës ndërgjuhësore që përjetoi gjuha shqipe si pjesë e Lidhjes Gjuhësore Ballkanike. Prandaj nxitja dhe rigjallërimi i saj duke e rrokur në normën gramatikore të shqipes së shkruar përkon katërcipërisht me politikat gjuhësore, sa i përket mbarështimit të sistemit gjuhësor të shqipes së shkruar në tërësinë e vet e në gjithë hapësirën kompakte shqipfolëse.
  3. Debati i derisotëm pro ose kundër njohjes së saj si pjesë e sistemit gramatikor të shqipes së shkruar nuk mendojmë se zhvillohet si i tillë ndaj funksionit themelor që sendërton kjo formë e pashtjelluar foljore në vetvete; ai rrudhet thjesht dhe vetëm në standardizimin e formës gjuhësore, thënë më saktë në njohjen ose jo të variacionit dialektor që mishërohet në ndërtimin e një kategorie tjetër gramatikore, shi të asaj të pjesores, ku dallimet ndërdialektore janë të dukshme. Prashtu ndërsa në gegnishte mbizotërojnë sipas rastit të ashtuquajturat pjesore të shkurtra, ase sosh të zgjeruara më {-(ë)n(ë)}, {-(t)un}, {-m}; në toskërishte e që këtej edhe në Shqipen Standarde feksin kryesisht fjalëformat e zgjeruara më {-(ë)r(ë)}, krahas sosh {-ë}, {-në}, {-(t)ur}. Për më tepër ndërkallja e pjesores në formën e pashtjelluar të paskajores parakupton ndër të tjera edhe unifikimin e dallimeve dialektore shtesë që përftohen në fundoret tematike me togzanorët tosk. {°ua-} kundrejt geg. {°ue(-)}{°u(-)}.
  4. Përderisa ndërtimi i pjesores në hapësirën shqipfolëse përcjell një variacion të shumëfishtë ndër- dhe brendadialektor, uroj të mos gaboj, në qoftë se riformuloj tash dëshirën e Àt Justinit me rigjallëruar në debatin bashkëkohor përdorimin e formës së pashtjelluar të paskajores me + Pjesore në shqipen standarde, duke shfrytëzuar këso rasash – qoftë edhe përkohësisht (!!!) – format e pjesoreve të shqipes me bazë toskërishten, bash ashtu siç janë miratuar dhe ratifikuar 50 vjet më parë prej instancave vendimdhënëse dhe vendimmarrëse në hapësirën shqipfolëse në Ballkan.
  5. Pa dashur të ndezim gjakrat (!!!), mendojmë se kjo pjesore si përbërëse e paskajores me me mund të shkruhet fare mirë ndryshe e të shqiptohet fare mirë ndryshe, çka vjen me thënë në varësi me vetëdijen gjuhësore dhe formimin intelektual të njërit ose tjetrit folës nativ të shqipes, duke rrokur kështu edhe tiparet e së folmes bisedore në atë mjedis social dhe rreth kulturor-krahinor që i takon. Kjo rrethanë nuk parashkruan ndonjë mëkat mortor. Përkundrazi realizohet në proporcion të drejtë me zhvillimet që përjeton shqipja e folur korrekte kundrejt shqipes së shkruar po aq korrekte në kohën tonë.

Parë nga kjo perspektivë edhe përsiatjet e Àt Justin Rrotës që “të lëshojn pe të dyja palët, gegënishtja, tue e rrallue përdorimin dhe toskënishtja, tue shtie do ma tepër në punë infinitivin” fiton gjithnjë e më shumë kuptim në kohë tonë, kur gëzojmë të gjithë një shqipe të shkruar të përbashkët.

(c) 2023 Bardhyl Demiraj. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin