Rrejshmëria narrative (angl. narrative fallacy) ndodh kur marrim një tog ngjarjesh ose rrethanash njëfarësoj të lidhura mes tyre dhe i renditim në mënyrë logjike, në mënyrë që t’i kuptojmë më mirë.
Jo çdo renditje ngjarjesh është rrejshmëri narrative: kur hapim dritaren dhe pastaj kanatin e përplas era aq sa të thyhet xhami, me të drejtë supozojmë se këto tre ngjarje – hapja e dritarjes, përplasja e kanatit dhe thyerja e xhamit – duhen renditur pikërisht kështu dhe interpretuar se ishte rryma e ajrit që hyri nga dritarja e hapur, që e përplasi kanatin dhe ishte përplasja e kanatit që e theu xhamin.
Në fakt, kjo narrativë elementare: hapa dritaren, fryu era dhe më theu xhamin, nuk është veçse një përpjekje (imja, në këtë rast) për të kuptuar botën.
Për ta bërë këtë, shpesh i kombinojmë ngjarjet në rrëfime (stories), sipas një zinxhiri linear, që kalon nga shkaku në pasojë. Hapa dritaren është shkaku dhe era që fryu është pasoja; në tej, kjo pasojë bëhet shkak i përplasjes së kanatit, e kështu me radhë.
Por vija kohore, ose renditja e ngjarjeve në kohë, nuk është detyrimisht e lidhur me shkakësinë. Rrejshmëria narrative na bën të supozojmë – gabimisht – sepse një gjë ka shkaktuar një gjë tjetër thjesht sepse ka ndodhur para saj.
Për shembull: një makinë përplaset pas një muri dhe drejtuesi i saj gjendet i vdekur. Shpesh do të supozojmë se vdekjen e tij e shkaktoi trauma e përplasjes. Por autopsia – kur të bëhet – mund të tregojë se personi pati një infarkt fatal, që e shkaktoi përplasjen. Kjo gjetje e përmbys shkakun dhe pasojën (sepse tani është vdekja e drejtuesit të mjetit, që e shkaktoi përplasjen).
Rrejshmëria narrative është gjithnjë pikënisje e mirë, për të zbuluar pse ka ndodhur diçka – por vetëm pikënisje. Një detektiv është i detyruar të ndërtojë një model pune, që të shpjegojë një skenë krimi, në bazë të indicieve që ka. Por detektivi i mirë e di që post hoc propter hoc e sjell me vete rrezikun e gabimit logjik.
Rindërtimet e ngjarjeve në mass media janë të krimbura me rrejshmëri narrative – rrëfyesit nuk e kanë për gjë të vendosin lidhje shkakësore atje ku ka vetëm një sekuencë ngjarjesh. Rrëfimet që gjen në gazeta dhe që sjellin “analistët” në televizion janë shpesh dëshmi të rrejshmërisë (janë ato rrëfime që fillojnë me “nuk është rastësi që…”), aq më tepër kur nuk korrigjohen, pasi dalin të dhëna të tjera.
Njëlloj si në shembullin me detektiv, metoda post hoc propter hoc vlen si hipotezë fillestare, ose pikënisje, për të ndërtuar një hipotezë – por rrëfimi që përftohet nga “narrativizimi” i sekuencës së ngjarjeve ka gjithnjë nevojë për verifikim.
Përndryshe, këtë mënyrë të menduari e ndesh në shpjegimet magjike të ngjarjeve, ose në ato raste, kur një diçka shihet si shenjë e një diçkaje tjetër, në mungesë të provave për lidhje shkakësore: temperatura e lartë e trupit mund të jetë shenjë e një infeksioni (kjo është provuar); por një kometë që shfaqet në qiell nuk është se paralajmëron ndonjë epidemi murtaje (rrejshmëria narrative do të merrte këtë formë: u shfaq kometa dhe ne filluam të bëhemi gati për epideminë – të krahasohet kjo me u shfaq kometa dhe ne filluam të bëjmë gati teleskopët).
Megjithatë, në të menduarit magjik narrativa bashkon dy lloje faktesh: ato që kanë ndodhur (kometa) dhe ato që pritet të ndodhin më pas, si pasojë e të parave: epidemia ende nuk ka rënë, por ne “e dimë” që kometa e paralajmëron.
Një shembull tjetër, për ta ilustruar idenë. Në verën e vitit 2020 një grua që kish ardhur për vizitë në shtëpinë tonë në Tiranë, pa një gjarpër “të madh” në verandë dhe arriti ta vrasë. Dyshova fort se gjarpri kish qenë bollë – ka të tilla në kopshtet dhe bahçet e Tiranës, dhe i mbajnë për “mbrojtëse” të shtëpisë. Bolla është e parrezikshme për njeriun, nuk e sulmon kurrë dhe nuk është helmuese. Por ajo gruaja nuk e dinte: më tha se gjarpri e kish kërcënuar, me një si përplasje nofullash – sjellje tipike për bollën (zamenis longissimus) – para se ajo ta ndante më dysh me shat. Në shtëpi atëherë jetonte vetëm nëna ime, e moshuar dhe pak e sëmurë – dhe m’u duk ogur i keq kjo vrasje e bollës së bahçes. Dhe në fakt nëna ndërroi jetë pak muaj më pas, në shkurt të vitit 2021, me gjasë për shkak të komplikacioneve të Covid-it. Për në mendjen time vrasja e bollës dhe vdekja e nënës u bënë pjesë e një rrëfimi personal, të cilin e kaloja nëpër mendje herë pas here. Jo se besoja vërtet për ndonjë lidhje shkakësore mes dy ngjarjeve, por më tepër ngaqë doja t’i gjeja vendin, në përfytyrimin tim për botën, diçkaje që njeriu nuk e pranon dot lehtë, si vdekja. Kërkoja një lidhje simbolike, atje ku lidhja mirëfilli shkakësore nuk më mjaftonte dhe ndërtova një rrëfim të tipit post hoc propter hoc krahas rrëfimit racional dhe për ta kompensuar këtë.
Sot ndesh kudo në narrativizime – deri edhe përshkrimet e një sëmundjeje ose të një defekti teknik ndërtohen si rrëfime (“stories”), deri atje sa agjentët, p.sh. një masë tumorale ose një plasë në një valvul, të trajtohen si personazhe. Këto rrëfime nuk i shtojnë shumë të kuptuarit të dukurive – shumë nga rrëfimet që dëgjuam, në fazën e hershme të Covid-it, përfshi edhe atë që u njoh si cytokine storm, tani po përgënjeshtrohen. Gjatë kalimit nga ngjarjet që ndodhin, pavarësisht nëse në marrëdhënie shkak-pasojë mes tyre apo jo, në një rrëfim koherent, mund të ndodhë që rrëfimi ta komprometojë të kuptuarit. Romanet policore janë shembulli më i mirë si ndodh kjo: narrativizimet e heroit detektiv vlejnë në masë të madhe ngaqë përdoren për të përjashtuar (skualifikuar) hipoteza dhe interpretime.
Shkrimtarët e fiction-it, nga ana e tyre, gjithnjë mund ta shfrytëzojnë efektin e rrejshmërisë narrative, për të krijuar suspense te lexuesi. Kjo, ngaqë edhe lexuesi nuk pret që të ftohet prej autorit (implicit), që t’i krijojë hipotezat e veta narrative, në bazë të eventeve që përmend ose i përshkruan libri.
Ka një rregull, që e ndesh në manualet e narratologjisë, dhe që njihet si “Pushka e Çehovit” (Chekhov’s gun) dhe që mund të formulohet kështu: detajet e sjella nga autori në një histori ose në një pjesë teatrale duhet të kontribuojnë në “logjikën” e rrëfimit – dhe autori bën mirë të mos japë premtime të rreme në narrativë, duke përfshirë aty detaje të kota, që ia rëndojnë vëmendjen dhe kujtesën lexuesit (spektatorit). Thuhet se Çehovi e pat formuluar këtë rregull kështu: “Mos lini kurrë një pushkë të mbushur në skenë, nëse ajo nuk do të shkrepet dikur gjatë pjesës.”
E kundërta e pushkës së Çehovit është e ashtuquajtura “rrotë e Piro Manit” (një version i rrejshmërisë të njohur në anglishte si red herring), të cilën Ermal Mulosmani e ka përshkruar kështu:
në atmosferën e zymtë të atyre arrestimeve, internimeve dhe linçimeve publike [në vitet 1970 në Shqipëri], Pirro Mani do vinte në skenë një pjesë që mbante era modernizëm […] [duke vendosur] në qendër të skenografisë një rrotë të madhe makine të lidhur me litarë. Të deleguarit e Komitetit vijnë ditën e provës dhe sapo shohin rrotën e madhe në qendër të skenës, fillojnë me pyetjet dhe vërejtjet për rrotën. Çfarë simbolizon ajo rrotë? A është në përputhje me parimet e artit socialist një rrotë e madhe në mes të një skene teatri? Ku do të dalë autori me këtë figuracion borgjez?
E kështu me radhë, i gjithë diskutimi u vërtit rreth rrotës. Në fund, Pirro Mani i madh, u thotë censorëve: “U zgjidh puna, do e heq rrotën nga skena”!
(Lexuesi do të vërejë se narrativizim ka edhe në rrëfimin e Mulosmanit.)
Përndryshe, një autor i fiction-it do ta përdorë rrejshmërinë narrative pa dëmtuar ndonjë raport të rrëfimit me realitetin, sepse bota e tekstit letrar, gjithë duke qenë “pjesë” e botës reale, konstituohet si univers paralel; dhe faktet marrin formë në atë masë që përmenden.
© 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.