“BARBARËT” TE DERA DHE DEBATI MBI “SHKENCËN” E ALBANOLOGJISË

nga Artan R. Hoxha

Vendimi i kohëve të fundit për shkrirjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) brenda suazave të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ka ngjallur një debat jo të vogël, të shoqëruar me diskutime polarizuese dhe imazhe thuajse apokaliptike, ku jo rrallë thuren edhe gënjeshtra që thuhen pa ia bërë askujt syri tër. Askush nuk thotë se ASA (më herët QSA – Qendra e Studimeve Albanologjike)  u krijua në vitin 2007 me një vendim të qeverisë së kohës, të drejtuar nga Sali Berisha. Askush nuk flet për arsyet që shtynë Berishën të shkëpuste katër institutet që përbëjnë ASA-n nga Akademia e Shkencave, pjesë e të cilës ishin qysh nga viti 1972, kohë kjo kur AShSh-ja u themelua. Deri më tani flitet vetëm për arsyet e Edi Ramës dhe për mbrojtjen e lirisë akademike, a thua se z. Berisha kur vendosi themelimin e ASA-s më par kishte për qëllim lirinë akademike dhe jo qëllime politike që kërkonin të instrumentalizonin institucionet e dijes në zgjatime partizane të forcave të caktuara që konkurrojnë për të marrë dhe mbajtur pushtetin dhe drejtimin e shtetit. Në fakt, vendimi i Berishës për të krijuar QSA-në ushqehej nga të njëjtat qëllime që kishte pasur dikur edhe pushteti komunist, synimi i të cilit ishte të prodhonte dije në shërbim të qëllimeve të tij – kjo përmes nënshtrimit të plotë të institucioneve akademike. Atje ku Berisha nuk çante dot për të vendosur kontrollin, ndërhynte me forma të tjera dhe copëzonte me qëllim dobësimin e të gjithë strukturave që ai i shihte si kundërshtare. Kuptohet që nga ky vendim pati humbës, por pati gjithashtu edhe përfitues. Është kjo betejë ndërmjet përfituesve dhe humbësve që zhvillohet edhe sot – edhe pse ka nga ata aktorë që përfituan si nga ndarja e dikurshme dhe sot mendojnë se do të përfitojnë nga rikthimi i katër instituteve të ASA-s nën ombrellën e AShSh-së. Shkurt, ASA erdhi në jetë me një vendim qeverie. Jeta e saj 16-vjeçare u mbyll po me vendim qeverie. Themelimi i Akademisë së Studimeve Albanologjike vate, si i thonë andej nga jugu.

Çështja shtrohet për sot. Palët e përfshira në debat mohojnë njëra-tjetrën dhe minojnë çdolloj hapësire të ndërmjetme, e nevojshme kjo për të ndërtuar ura dialogu. Njëra palë mëton se vendosja e kontrollit të AShSh-së mbi Institutin e Arkeologjisë, Institutin e Antropologjisë, Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë dhe Institutin e Historisë do ta vrasi përfundimisht albanologjinë si shkencë. Zhvillimi i kësaj brenda AShSh-së, thonë mbrojtësit e autonomisë së ASA-s, është i pamundur. E gjitha kjo tingëllon si oksimoron. Si mund të mos zhvillohet shkencë brenda Akademisë së Shkencave? Pse nuk zhvillohet shkencë atje dhe kjo zhvillohet vetëm në ASA? Argumentet që jepen janë sorollatje të kota, të mbushura me moralizma, me përmendje kombi, flamuri, apo shenjtërie të papërdhosshme. Të gjitha këto vetëm argumente nuk janë.

Flitet për shkencë teksa bëhet fjalë për fusha studimore që vështirë se mund të quhen shkenca – aq sa sot, atje ku prodhohet dije serioze e përqeshin përdorimin e fjalës “shkencë” për lëmin e humaniteteve. Albanologjia është fëmijë i nacionalizmit dhe është parë dhe i ka shërbyer këtij të fundit si instrument që vendos mbi baza shkencore mëtimet e tij. Nuk kam asnjë problem me studiuesit që janë nacionalistë. Qasjet etnocentrike kanë të drejtë të ekzistojnë po aq sa edhe ato joetnocentrike. Çështja është se përdorimi i termit “shkencë” ka pasur qëllim të caktuar legjitimues. Nuk po e shtyj më tej këtë çështje, jo aq se nuk dua të lëndoj sedrën e “shkencëtarëve”, por sepse nuk është vendi – ndoshta i kthehem kësaj teme në një shkrim tjetër. Por edhe sikur të ishte shkencë, për çfarë shkence mund të flasim kur ASA nuk është e abonuar në periodikët kryesorë që merren me dijet shoqërore dhe humanitetet për Europën dhe Mesdheun? As libra nuk blihen me mëtimin se nuk e parashikon rregullorja. Thua ASA është park mallrash, depo domatesh, kooperativë e specializuar në prodhimin e shalqirit dhe ndërtimi i një biblioteke të përditësuar është një luks i panevojshëm. Kam pak më shumë se dy vjet që jam punësuar tek ASA dhe asnjë hap nuk është ndërmarrë për të kapërcyer këtë problem themelor që ndeshim të gjithë ne që punojmë dhe botojmë dhe që kemi për qëllim studimin dhe botimet, e jo ambicien për t’u bërë shefa departamentesh apo drejtorë. Instituti i Historisë, ku unë punoj, nuk ka mbyllur ende një marrëveshje me Arkivin Qendror të Shtetit dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe për të huazuar dokumente këtu – që janë buka dhe ushqimi i historianëve – duhet të sajojmë lloj-lloj lëvizjesh dhe të bëjmë pirueta nga më të pamundurat, ose duhet t’i blejmë vetë – që praktikisht do të thotë të ngelesh pa bukën që të mban frymën gjallë – ose, për ata që kanë gojë të tjera për të ushqyer dhe që, fundja, u dhimbset lëkura e tyre dhe nuk duan të vdesin për bukën e gojës, u mbetet si zgjedhje të rrinë pa punuar dhe të gatuajnë të njëjtin byrek “shkencor” që kanë pjekur deri tani. Petanik me gjizë dje, petanik me gjizë edhe sot. Pa qasje në burimet e para dhe të dyta nuk mund të ketë inovacion. Edhe nëse do të kishim përkushtim për të investuar me fonde personale, rrogat tona janë mjerane për të përballuar çmimet aktuale në tregun e librave dhe abonimet vjetore në revista, që nuk janë të pakta. Xhepat tanë janë shumë të cekët dhe xhepat e thellë të ASA-s nuk na janë vënë në dispozicion mjaftueshëm. Kur flet me danoçët që marrin vendime për të zgjidhur këto probleme, dëgjon ndonjë psherëtimë, të shoqëruar me mbledhje supesh. Të japin të drejtë, këtë nuk mund ta mohojë askush. Por të dhënit të drejtë nuk është opium që të vë në gjumë trurin dhe dëshirën apo të preh shpirtin në paqe dhe të bën t’i buzëqeshësh të nesërmes plot rrezëllitje edhe atëherë kur dita që do të vijë ngrys nga retë e rrebeshit. Përkundrazi, të dëshpëron – ose të paktën mua dhe të tjerë, që si unë duan të punojnë.

Në vend të gjetjes së zgjidhjeve për këto probleme, si dhe debateve mbi profesionin, ajo që dëgjon më shumë është problemi i zgjedhjeve. Që do të thotë, kush votoi kë, kush nuk votoi kë, kush ka marrë në punë kë, kujt duhet t’i jesh mirënjohës për vendin e punës dhe kush është mosmirënjohës dhe bukëshkalë, kujt duhet t’i rrish larg dhe kë të mbash afër, me kë të pish kafe dhe me kë mos ta pish, kush është i miri dhe kush është i keqi, kush do të zgjidhet nesër dhe kë duhet të mos lëmë të zgjidhet. Ajo që kam parë është sjellja e pabarabartë e atyre që drejtojnë ndaj kolegëve. Për ta, disa janë të nënës e disa të njerkës, disave u kalohen punët – shpesh në kundërshtim me të gjitha standardet akademike – dhe disa të tjerëve jo, e gjitha kjo në përputhje me besnikërinë apo servilizmin e tyre ndaj vendimmarrësve. E thënë ndryshe, ASA më ka ngjasuar më shumë me një koshere që i ngjan një partie politike të ndarë në fraksione dhe ku synimi është pushteti.

Një tjetër gjë që duhet përmendur është se qëkur kam hyrë në punë kam dëgjuar për shkrirjen e mundshme të ASA-s. Kolegët e mi më kanë folur se Akademia e Shkencave donte “të na merrte”; dhe nëse kjo do të ndodhte, do të na rritej rroga, por do të ishim më pak të lirë. E megjithatë, ndryshe nga sa mëtojnë sot disa, gjatë këtyre dy vjetëve nuk kam dëgjuar të ndërmerret ndonjë hap i vendosur për të shmangur përfshirjen. Shpresonin se qeveria nuk do t’ia plotësonte dëshirën Gjinushit, edhe pse nga fronti i AShSh-së, njerëz që punonin këtu shpreheshin plot bindje se shkrirja ishte “muhabet i mbyllur”. Pavarësisht këtyre sinjaleve, unë nuk jam në dijeni që drejtuesit e ASA-s vepronin në mënyrë energjike. Shkrirja nuk ishte rrufe në qiell të pastër. Kishte kohë që sytë drejtoheshin nga Olimpi për të parë nëse Zeusi do ta lëshonte vetëtimën e tij. Të shikosh drejt fronit të kreut të Panteonit nuk mjafton. Këtë e dinë të gjithë. Prapë asgjë. Të jem i sinqertë, ndonjë dëshirë për të luftuar për ruajtjen e këtij mjedisi nuk kam. Kolegë të mitë, dhe unë bashkë me ta, po penalizohen nga koniunktura ekzistuese që kërkon promovimin e disa personazheve që duan të jenë faktorë kyçë brenda ASA-s. E thënë ndryshe, jo pak studiues në ASA ngjajnë me fshatarët e Ballkanit të shekujve XV-XVI, kohë e avancimit osman në gadishull. Të shtypur dhe të shtrydhur nga feudalët vendas, shumica e tyre nuk gjeti ndonjë arsye përse të luftonte kundër ushtrive të motivuara të sulltanëve.

Pala tjetër, ajo e AShSh-së, thotë se ASA sot sundohet nga njerëz që janë të shitur te frëngu, që mbrojnë tezat prosllave, që kanë qenë studentë të tyre dhe nuk shquhen për ndonjë aftësi të madhe. Aftësia ka ngelur në AShSh, aty janë etërit themelues që mbajnë lart kandilin e shkencës, që kalamajtë e ASA-s po e shuajnë me budallallëqe dhe kanë nevojë për disiplinë. Disa nga këto çupëlinat e këta çunakët që sapo u është dirsur qimja në faqe e që kanë mbaruar në Perëndim, dhe merren me idiotësira pa vlerë. Seç u duket vetja dhe harrojnë problemet e vërteta të shkencës. Bëjnë sofizma dhe filozofira kot dhe në fund nuk thonë asgjë. Si thotë shpesh njëri nga figurat e AShSh-së, një nga ata që përfshihet me mjaft zell në çdo debat dhe sherr të mundshëm – si duket i ndizet gjaku nga lufta – këta rishtarët e ardhur nga Perëndimi merren me seksin e engjëjve. Kjo metaforë është marrë nga fabula sipas së cilës teksa Kostandinopoja ishte e rrethuar nga turqit, në qytet merreshin me diskutime mbi përkatësinë gjinore të engjëjve. Profesori në fjalë ndoshta edhe ka të drejtë. Ajo që nuk kuptoj është nëse ky profesor a arrin dot të rrokë se Shqipëria sot nuk është Kostandinopoja e vitit 1453? Teksa përdor fabulën e engjëjve, profesori në fjalë, që e njeh mirë historinë e shekullit XV nuk përmend anekdotën tjetër: atë të klerit ortodoks të Romës së Dytë, i cili thoshte më mirë çallmën e turkut sesa tiarën e latinëve. Nuk e përmend, sepse kjo do ta vinte atë dhe kolegët e tij të AShSh-së në një pozicion të parehatshëm. Ndaç me çallmë dhe ndaç me tiarë, ata do të cilësoheshin si “e keqe”. Për më tepër, kush na qenkan turqit që na kanë rrethuar dhe duan të shembin ledhet e qytetit tonë? Ndaj kujt duhet të trembemi për të mos i lejuar vetes të diskutojmë edhe për gjininë e engjëjve, apo nëse, e shohim të nevojshme edhe natyrën e Krishtit, njësoj si monofizitët e diofizitët e dikurshëm? Për hir të kujt armiku të jashtëm duhet të bashkohemi në një grusht të vetëm dhe të disiplinojmë debatin? Fundja, kush janë këta “etër” të dijes dhe të albanologjisë që përcaktojnë se çfarë është e nevojshme dhe çfarë nuk është? Mbaj mend se një nga parullat e përmendura, qëkur vura këmbën në institucionet akademike, ka qenë “Ne jemi institucion patriotik”. Çfarë do të thotë kjo? Kush e vendos se çfarë është patriotike dhe çfarë nuk është? Kush është ai apo ajo që përcakton të mirën kombëtare dhe me këtë të fitojë të drejtën të imponojë vizionin dhe parametrat e tij apo të saj mbi kolegët e tjerë? Kush janë këta që vendosin se cilat janë temat e nevojshme dhe si do të trajtohen ato?

Këtu kemi të bëjmë me përdorimin e patriotizmit dhe nacionalizmit si një frazë boshe dhe pa asnjë kuptim, qëllimi i vetëm i të cilit është të vrasin dijen, e cila zhvillohet mbi debatin e lirë dhe të pakufizuar nga klishe. Të mos ndjekësh paradigmën etnocentrike, apo atë nacionaliste nuk do të thotë aspak të mos jesh patriot, të mos duash vendin apo shoqërinë prej nga vjen. Shmangia e centrizmave, e cilësdo natyre qofshin ato është një qasje tjetër nga ajo e centristëve. Pikërisht këtë ngatërrojnë të vetëdeklaruarit nacionalistë, sidomos ata të kallëpit të sharlatanëve, të cilët perspektivat ndryshe, që nuk përputhen me të tyret i identifikojnë si besnikëri të dyshimta politike dhe keqinterpretojnë seriozitetin dhe rigorozitetin akademik me aleanca të hamendësuara ideologjike. Synimi i deklaratave, shpesh plot mllef “U bëtë ju!” është kthimi i dijes në dogmë dhe bashkë me të, ekzekutimi në turrën e druve të inkuizicionit ndaj armiqve të përfytyruar të çdolloj debati që del jashtë kontureve të asaj që xhaketat e vjetra të Akademisë së Shkencave mund të kontrollojnë. Jo vetëm që imazhet e qytetit të rrethuar dhe bashkimit që bënë fuqinë, tregojnë reminishencat e një kohe ku garda e AShSh-së është mbrujtur dhe prej së cilës e ka të vështirë të çlirohet, por ato tregojnë edhe një tjetër fobi ndaj karakterit të hapur të shoqërive perëndimore – e për këtë arsye stigmatizojnë dhe vendosin në shënjestër një grup të vogël djemsh e vajzash të formuar matanë Adriatikut, të cilët kanë vendosur të kthehen në atdhe pavarësisht vështirësive që paraqiten në Shqipëri për të marrë pjesë në debatin bashkëkohor. Në vend që të vlerësojnë dhe të lënë të lirë këtë grup që sjell qasje të reja dhe zgjon nga gjumi letargjik akademinë shqiptare të zaptuar nga bejlerë të veshur me tituj dhe grada shpesh të pamerituara, këta kërkojnë që këtë grup që sjell gjallëri dhe debat ta neutralizojnë dhe ta disiplinojnë brenda normës së tyre. Në vend të mirëpresin ballafaqimet me qasje dhe perspektiva të ndryshme që pasurojnë jetën akademike dhe i japin asaj vitalitet, dhe e bëjnë më të fortë, dogmatistët që rreken të monopolizojnë akademinë i kundërvihen asaj. Në kokën e tyre e vlefshme është vetëm monokultura, pasi për ta nuk ka ndryshim ndërmjet një sere domatesh dhe një institucioni akademik.

Kjo duket me anatemimet që u bëhen atyre që studiojnë në Perëndim. Kuptohet, ata që flasin me këtë gjuhë – ndër ta edhe nga ata që vetëdeklarohen si antikomunistë të thekur – nuk e kanë idenë se çfarë është shoqëria e hapur. Nuk e kanë idenë se çfarë është demokracia, çfarë është një shoqëri e lirë dhe çfarë është Perëndimi – ky, nuk është një gjë e vetme, por një tërësi kulturore, institucionale, aksiologjike, ekonomike, tejet komplekse, e mbushur me tensione që bashkëjetojnë herë mirë dhe herë keq. Jo, këta mjeshtër të dijes dhe patronë të kombëtares nisin nga diskutimet mbi neoglobalistët, sorosianët, LGBTQ-të, njerëzit pa familje që e kanë mendjen për shthurje dhe sofizma, që në Perëndim kanë humbur burrërinë e tyre dhe janë bërë llafazanë që kanë shumë llogje, merren me vogëlsira dhe harrojnë se duhet t’i shërbejnë misionit të kombit – që në fakt është t’i qëndrojnë gatitu senatorëve të Akademisë. Kur ndodh që këta të rinj i sfidojnë, atëherë formula është: “Janë prishur në Perëndim!”. Shpjegimi u gjet!

Nga kjo del qartë, sikundër e tregon edhe rasti i gjinisë së engjëjve, se reminishencat e asaj periudhe kur kërkohej më kot izolimi në mënyrë që të ruhej i pasfiduar pushteti i njëshit vijojnë të jenë mjaft të forta. Kjo tregon, në fakt, brishtësi dhe frikë, burimi i të cilave është mosnjohja e domethënies së debatit akademik. Kuptohet po ashtu se shpesh, për të mos thënë thuajse gjithmonë, nuk kuptojnë qasjet e reja shumë-disiplinore dhe siç e do zakoni i vjetër i të paaftëve dhe atyre që nuk duan të mësojnë dhe përmirësohen – apo që edhe nuk arrijnë dot të kuptojnë se aq mendje kanë – refuzojnë çdo gjë që nuk u hyn në kokë dhe s’e rrokin dot. Duke mos pasur kulturën e nevojshme dhe formim të mangët, atëherë deficitet e tyre i mbysin me sulm frontal. Që sulmi është mbrojtja më e mirë, ky është një postulat po aq i vjetër sa edhe njerëzimi. E kështu nis stigmatizimi, fyerja dhe linçimi i atyre më mendojnë ndryshe. Le ta themi troç: Akademia e Shkencave e Shqipërisë kërkon të kontrollojë burimet financiare si edhe njerëzore të ASA-s. Shkurt, u duhen çifçinj, krahë i lirë pune që do të paguhet për të bërë realitet projektet e majme që AShSh-ja ka marrë nga qeveria. Dikush duhet ta bëjë punën. Si biznesmenë që janë, krerët e AShSh-së duan eficiencë, që do të thotë maksimizim të fitimit me shpenzime minimale. Kjo mund të arrihet fare mirë duke paguar krahun e punës me rrogën e shtetit. Grantet e projekteve kursehen dhe ripërdoren për qëllime të tjera. A ka më bukur për ata që duan të bëjnë dirigjentin të kenë përballë tyre një orkestër të bindur ku secili i bie instrumentit që i caktojnë si do dhe kur do drejtuesi që mban një shkop në dore; shkop që e tund gjithë ditën dhe për çdo të tundur fut para në xhep pa pasur nevojë të paguajë ata që fryjnë bulçitë, ënjtin mushkëritë apo i bien qemaneve me shpërblime ekstra?

Dikush, ndër personazhet më zhurmëmëdha dhe më të vrazhda, që mbron shkrirjen e ASA-s brenda strukturës së AShSh-së, ka kërcënuar hapur ata që refuzojnë këtë vendim të qeverisë që të mos e “kruajnë”. Nënteksti i hakërrimeve të tij të vazhdueshme është i qartë: “do e shikoni juve arkeologët e ASA-s se kush komandon tani!” Këtë ia thotë ish-kolegëve të tij, me të cilët kanosësit televiziv i ka ngelur hatri se nuk e kanë përfshirë nëpër projekte. Këtu kemi të bëjmë me individë që janë rikthyer në akademi pasi e kishin braktisur atë prej dhjetëvjeçarësh për të ndjekur rrugëtimin e turbullt të politikës në Shqipërinë postkomuniste. Pas një karriere jo edhe aq të mbushur me lavdi sesa me pazare të ulëta dhe dështime spektakolare, ata rikthehen në Akademi. Kujtohen për këtë dhe kjo shndërrohet në varkën e shpëtimit për të mos dalë në pension. E këtu zbulojnë papritmas se peizazhi njerëzor ka ndryshuar. Shohin se ata studentucat e dikurshëm tashmë janë rritur, kanë publikuar, kanë vënë një emër dhe tani nuk është se duan t’ia dinë shumë për patronët e dikurshëm. As nuk i pyesin dhe as u paguajnë haraç. Kjo vlen edhe për ata anëtarë të Akademisë së Shkencave, që dikur kanë mbështetur ndarjen, kanë përfituar prej saj, por që zhvillimet e fundit brenda ASA-s dhe ndryshimi i brezave u ka zbehur pushtetin. Shkrirja e Akademisë së Studimeve Albanologjike i shërben rivendosjes së pushtetit të humbur.

Këtu kalojmë te thelbi i problemit, që merr një karakter të shumëfishtë. Pasi kuptuan se akrepi i orës ka lëvizur dhe me kalimin e viteve ishin zhvendosur nga qendra e rëndesës së pushtetit, akademikët e AShSh-së filluan nga përpjekjet për të ndalur kohën dhe arkitektët e saj lozin me politikën e statusit. Kjo është përpjekja për të dogmatizuar atë ligjërim dhe kockëzuar atë paradigmë brenda së cilës ata jo vetëm janë mbrujtur, por që u ka lejuar atyre të ngrihen brenda piramidës sociale. Mbrojtja e idealeve të dikurshme sanksionon edhe pushtetin e tyre dhe të mirat materiale që rrjedhin prej tyre. Nga ana tjetër, të sapongriturit në drejtim të strukturave akademike bëhen më katolikë se Papa. Këta, për të hedhur poshtë mëtimet e AShSh-së, flasin me të njëjtën gjuhë dhe përdorin argumentin e albanologjisë dhe fundit të saj, duke i qëndruar besnik asaj forme etnocentrike që një pjesë e tyre nuk i përdor. Bien në kurthin e fjalës dhe bien viktima të thikës me dy presa të gjuhës dhe nomenklaturës terminologjike. Debati futet në një qerthull vicioz, në një rrugë pa krye që nuk të shpie asgjëkund. Fjalori polarizues dhe moralizmat të mbushura me ngjyra apokaliptike thjesht nxisin anashkalimin e procedurave dhe të ligjeve. Në raste të tilla, që janë kryekëput me karakter politik, morali i mbushur deri në fyt me imazhe armiqsh thjesht relativizon ligjin dhe çdolloj reforme kuptimplote të strukturave të dijes. Në vend që të flitet për t’i gjetur zgjidhje faktit se në Tiranë kemi një universitet publik pa qendra kërkimore që nuk gjeneron dije – nuk flas këtu për universitet e rretheve, se këtu situata është tragjike – dhe se katër institutet që sot përbëjnë ASA-n iu shkëputën në kohën e Revolucionit Kulturor Universitetit të Tiranës në mënyrë që të ndahej prodhimi i dijes nga shpërndarja e saj, gjë që i vendoste institutet kërkimore brenda unazës së rreptë të censurës, në Shqipërinë tonë flitet ende për lojë pushtetarësh të sektorëve të dijes që përdorin moralizmat për të fshehur interesa të tjerë që vetëm me prodhimin e dijes nuk kanë të bëjnë. Kolegët e ASA-s në vend që të flasin për problemet e mëdha që ka kjo qendër kërkimore, e pikturojnë këtë si një oazë ideal në oqeanin distopik të Shqipërisë, të cilën e përfaqëson më mirë se kushdo ferri i Akademisë së Shkencave. ASA është shumë larg të qenët ashtu si përshkruhet nga mbrojtësit e saj dhe problemet nuk zgjidhen duke mos i bërë të dukshme. Përpjekja për të ruajtur statusin e dikurshëm apo atë të sapofituar i zhyt palët në përfytje që në fund fare flasin për armiq për vdekje që duhen luftuar deri në fund, flasin për komb e flamur. Nuk ka strategji për të gjetur mënyrën e duhur për të strukturuar institucionet e dijes, por luftë për të rifituar çifligun e dikurshëm, apo ruajtur tapinë e sapofituar dhe për të ruajtur apo vendosur hyqnim ndaj kolegëve, që një pjesë e drejtuesve i shohin si çifçinjtë e tyre. Të gjitha palët e harrojnë se ankorimi i pushtetit të tyre në albanologji, shkencë, patriotizëm, nacionalizëm, nuk garanton asnjë lloj qetësie në një botë të paqetë. Kjo është e vërtetë sidomos në punën akademike dhe shkencore, motori i së cilës është tensioni. Këtë tension nuk e fashitin dogmat dhe moralizmat false, por reformat afatgjata që lejojnë tensionin dhe kërcënimin e vazhdueshëm të statusit të kujtdo, por njëkohësisht pa lejuar që ky tension të shqyejë institucionet në atë pikë që të mos gjendet dot më kompromisi. Ajo që nevojitet është forcimi i institucioneve akademike dhe reformimi rrënjësor i tyre që garanton standard të lartë pune dhe mbrojtjen e studiuesve nga abuzimet që mund të vijnë nga ata që kanë në krye, kushdo qofshin këta. Sepse nuk mund të ketë studiues çifçinj dhe argatë që kanë frikë të thonë fjalën e tyre. Kur kjo ndodh, dija ka marrë fund dhe ajo që ngelet është shkrimi i epitafit mbi gurin e varrit të saj.

© 2023 Artan R. Hoxha. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Ky artikull nuk mund të kopjohet dhe as të botohet pa lejen eksplicite të autorit. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin