TUNDIMET E AMATORIT

Amatorët që ndërmarrin studime atje ku kërkohet ekspertizë profesionale shpesh e përligjin guximin e tyre me argumentin se në shumë fusha të dijes dhe të teknologjisë kanë qenë amatorët ata që kanë sjellë të reja, kanë përmbysur paradigma dhe kanë revolucionarizuar qasjet.

Ky argument, që sillet kundër dijes institucionale, ka një meritë kryesore – institucionet e dijes i kushtojnë vëmendje kryesisht riprodhimit dhe sistemimit të dijes dhe të paradigmave ekzistuese, çfarë i shërben edhe ruajtjes së pushtetit institucional.

Nga ana tjetër, zbulimet e mëdha dhe arritjet e reja në metodologji ndodhin relativisht rrallë – risitë vijnë zakonisht në mënyrë inkrementale dhe si rezultat përpjekjesh sot gjithnjë e më shumë kolektive, tani edhe me asistencën e modeleve kompjuterike dhe statistikore të avancuara.

Përballë çdo zbulimi që hedh poshtë çfarë është konsideruar deri dje si standardi i dijes, ka njëqind zbulime që mbështeten mbi atë standard dhe e çojnë më tej. Mjaft të sjell si shembull artikullin aq të përfolur të revistës “Science”, që përdori një metodë relativisht të re, për të avancuar datimin e migrimit të gjuhëve indoeuropiane – ky artikull u mbështet plotësisht në arritjet e gjuhësisë historike-krahasuese standard.

Për arsye të ngjashme, përballë çdo zbulimi që vjen nga një outsider, p.sh. nga një studiues ose dijetar që nuk i përket një institucioni të dijes, ose që është amator a autodidakt dhe nuk e ka ekspertizën e fushës, ka me mijëra e mijëra orvatje të dështuara, nga njerëz që kujtojnë se mund t’i afrohen së vërtetës thjesht ngaqë duan.

Aq i rrallë është suksesi i amatorit, saqë pastaj do të përmendet në histori.

Dija e organizuar, institucionale, nuk i pranon lehtë kontributet nga jashtë institucioneve – po të mos e bënte këtë, nuk do të ishte e organizuar; dhe konservatorizmi i akademisë nuk mund të shmanget, sa kohë që akademia e ka për mision mirëmbajtjen e traditës dhe të dijes ekzistuese.

Të apasionuarit pas etimologjisë artizanale, të njohur edhe si turbo-albanologë, sjellin ndonjëherë shembullin e arkitektit anglez Michael Ventris, që arriti të deshifrojë mbishkrimin e njohur si Lineari B, që rezultoi të ishte në greqishten mikenishte. Ventrisi kish kultivuar prej kohësh një interes në paleografi dhe shkrimet e vjetra; dhe suksesi i tij në identifikimin e gjuhës së Linearit B mbahet si i jashtëzakonshëm.

Por kjo arritje kaq mbresëlënëse e një arkitekti në lëmin e deshifrimit të mbishkrimeve të vjetra, nuk ka pse ta errësojë faktin që sot e kësaj dite me mijëra amatorë, anembanë botës, përpiqen më kot të deshifrojnë mbishkrime ende enigmatike – si Lineari A ose mbishkrimet etruske. Rezultatet e përpjekjeve të tyre do të zbavitin mysafirët në tavolinat e festave, por vështirë se do të shkojnë ndonjëherë më tutje.

Amatorët njëlloj i dëgjon të përmendin, si shembull emblematik të një amatori që ia doli të ketë sukses në një fushë ku shumë profesionistë kishin gabuar, biznesmenin gjerman Heinrich Schliemann, i cili e lokalizoi Trojën homerike në bazë të përshkrimeve nga Homeri në “Iliadë”. Falë promovimit agresiv prej atij vetë, aventurat arkeologjike të Schliemann-it në Trojë dhe pastaj në Mikenë e shndërruan atë në një hero romantik të opinionit publik.

Në të vërtetë, Schliemann-i nuk e zbuloi dot Trojën; ose më mirë, e arriti me gërmimet e veta, por pastaj i kaloi tej për tej, për të arritur te një qytetërim shumë më i hershëm se Troja. Edhe “thesari i Priamit”, me gjasë i zbuluar prej tij, nuk kish të bënte fare me Trojën. Klasicisti Kenneth Harl ka thënë, me shaka, se Schliemann-i, me zellin e tij prej amatori dhe brutalitetin e metodës së tij gërmuese, arriti çfarë grekët vetë nuk e patën arritur – të sheshonte muret e Trojës.

Schliemann-in e gjen të përmendur edhe te parathënia, e veprës Shqipja dhe sanskritishtja, të Petro Zhejit – ku vihet në dukje që amatori gjerman u frymëzua, në kërkimet e veta, nga mitologjia, jo nga historiografia klasike shkencore e serioze europianoperëndimore, për të zhvilluar një “metodologji mitike” dhe zbatuar atë në praktikë.

Dëmet që ia bëri Trojës arkeologjike Schliemann-i, dhe që dolën në dritë në dhjetëvjeçarët pasues, ishin paralajmërim për arkeologjinë si dije dhe ekspertizë: te ndërmarrja e Schliemann-it guximi shkencor dhe gatishmëria për të ecur kundër rrymës shkojnë krah për krah me gënjeshtrën, mburrjen, përvetësimin e punës së tjetrit, falsifikimin dhe grabitjen. Sot ka historianë dhe arkeologë që thonë se “maska e Agamemnonit”, një artifakt i tëri prej ari që zbuloi Schliemann-i në Mikenë dhe që me Agamemnonin nuk ka lidhje, mund të ketë qenë e rreme (forgery); siç ka historianë dhe arkeologë të tjerë që thonë se “thesari i Priamit”, një zbulim tronditës gjatë gërmimeve për Trojën, mund të jetë rezultat i një kombinimi gjetjesh të ndryshme, në një shtresë të mëhershme se Troja homerike.

Është fat për gjuhën shqipe, dhe ata që e duan dhe e kultivojnë dhe e studiojnë, që fjalët shqipe nuk i nxjerrin dot jashtë përdorimit etimologjizimet e amatorëve, siç e shkatërroi Schliemann-i Trojën, në përpjekje për ta “zbuluar”. Çfarë dëmtohet, në këto raste, është më shumë reputacioni i etimologut dhe, në përgjithësi, i historianit të gjuhës; të cilin publiku fillon ta identifikojë me turbologun në ekranin televiziv.

Gjithsesi, edhe arkeologjia shqiptare i ka pasur (dhe ndoshta i ka akoma) Schliemann-ët e vet: te një shkrim i paradokohshëm, Një frëng në nekropol, kam përmendur historinë e baronit Jules Alexandre Théodore Degrand, i cili pothuajse shkatërroi një varrezë të tërë të Mesjetës së Hershme, në kalanë e Dalmacës afër fshatit Koman të Pukës, në përpjekje për të shuar kuriozitetin dhe, ndoshta, për të gjetur “thesare”. Kam frikë se ky pasion i të gërmuarit, për të gjetur “flori”, ka bërë dëme sa të pallogaritshme, aq edhe të pariparueshme, në trashëgiminë tonë arkeologjike.

Gjetiu në botë, atje ku interesi për të kaluarën i tejkalon caqet e akademisë, për t’u përhapur në mënyrë virale në shtresa të tjera të publikut, rreziku i kontaminimit arkeologjik mbetet i pranishëm. Mjaft të përmendësh motivet që frymëzojnë disa nga ndërmarrjet e së ashtuquajturës “arkeologji biblike” dhe falsifikimet që i kanë shoqëruar (p.sh. gjetja e supozuar e eshtrave të vëllait të Jesu Krishtit); njëlloj siç veproi Schliemann-i me poemat homerike, edhe ca nga arkeologët biblikë nisen nga të dhënat në Bibël, për të lokalizuar dhe identifikuar rrënoja dhe artifakte, me rezultate të diskutueshme.

Një tjetër kokëçarje për arkeologët ka sjellë modeli Hollywood-ian i arkeologut fotozhenik Indiana Jones, i cili udhëton nga një kontinent në tjetrin dhe nga një film në tjetrin, në kërkim të Graal-it të shenjtë, Arkës së Besëlidhjes, kafkave prej kristali dhe artifakteve të tjera “mitike” – paçka se ky personazh, në mitologjinë e vet narrative, i ka rrënjët në arkeologjinë koloniale buzështrembër të viteve 1930. Sot shumë administrata kulturore lokale do t’i shihnin me përçmim dhe dyshim tipat si Indiana, megjithë zotimin e tyre në krah të së shtypurve dhe të vuajturve dhe gjithnjë kundër despotëve lokalë.

Nuk rri dot pa e krahasuar, këtë Indiana Jones, që vihet në kërkim artifaktesh të jashtëzakonshme me vlerë planetare, me pseudo-albanologët që nuk e prekin me dorë shqipen, po të mos jetë për të provuar se kjo është mëma e të gjitha gjuhëve, më e vjetra, gjuha kozmike, gjuha hyjnore, e të tjera paroksizma si këto; në një kohë që arkeologu profesionist mund ta kalojë edhe një vit të tërë, duke pastruar me furçë një vath që ka gjetur në një bokërimë, njëlloj si edhe etimologu – ai i mirëfillti – që ndihet më në fund i shpaguar, kur beson se ka arritur të konfirmojë një ablaut të vetëm.

Turbo-albanologët synojnë me përparësi bujën: të shpjegojnë gjuhë të tjera me shqipen, të etimologjizojnë nëpërmjet shqipes emrin e shën Mërisë dhe të Jesuit, të shpjegojnë me anë të shqipes gjuhë nga më të ndryshmet, prej greqishtes së vjetër tek italishtja e Francesco Totti-t, të lexojnë nëpërmjet shqipes mbishkrimet etruske, linearin A dhe mbishkrimet shumere

Paradoksi këtu është se buja dhe sensacionalizmi vënë në lëvizje jo vetëm kuriozitetin, por edhe sponsorët e kërkimeve, shpesh të kushtueshme: pa interesin e ringjallur për poemat homerike, arkeologjia në Mesdhe nuk do të kish pasur mbështetjen që gëzoi, veçanërisht pas reklamës që ia bëri Schliemann-i, një afarist i mençëm dhe sharlatan në kuptimin e mirë të fjalës; pa prestigjin e teksteve të shenjta, arkeologjia në Lindjen e Mesme do të kish dremitur në sirtarët e ndoca pak universiteteve angleze dhe izraelite. Sot e kësaj dite arkeologjia nënujore mbahet gjallë edhe falë shpresës të gjithanshme për të gjetur sekrete të fundosura. Por buja nuk bashkëjeton mirë me dijen, sepse buja tërheq amatorët, të cilët qëllon që të kenë edhe fonde me bollëk; dhe amatorët shpesh nuk e dallojnë dot zbulimin nga shkatërrimi.

Bujën e ushqen edhe një takëm tjetër zelltarësh – ata që i kanë blatuar vetes fletë-hyrjen në hapësirën simbolike mes mitit dhe historisë, pa qenë as historianë as arkeologë as simbolistë, por veç njerëz me nuhatje langoi për public relations ose, edhe më fort akoma, njerëz flugerë, që gjithnjë e dinë se nga fryn era. Këta duan të shërbejnë si interface e dijes me publikun, por kryesisht me synimin për ta prezantuar dijen ashtu siç ua do mideja atyre, nëpërmjet një përroi të llurbtë infantilizmash, çikërrimash dhe gjepurash raciste. Këta predikues popullore të vulgatës kombëtariste i sheh shpesh në rolin e Robert Langdon-it, të Kodit Da Vinci; heronj intelektualë të etnocentrizmit më banal.

Schliemann-i i orientoi gërmimet në Trojë në atë mënyrë, sa zbulimi i “thesarit të Priamit” të shërbente si kurorëzim dhe përligjje e arkeologjisë si të tillë; sikurse i orientoi gërmimet në Mikenë në atë mënyrë, sa zbulimi i “maskës së Agamemnonit” të interpretohej sikur Agamemnoni vetë, i Iliadës, të kish qenë duke pritur, me mijëra vjet nën dhe, për kazmën e gërmuesve. Por në atë kohë arkeologjia ende nuk ishte kristalizuar si fushë e dijes dhe shumë prej atyre që gërmonin – pavarësisht nëse amatorë, aventurierë ose thjesht kërkues thesarësh – shpresonin që të zhvarrosnin jo aq të kaluarën sa mitin.

Sot e kësaj dite, publiku e ka të vështirë ta shohë zhgroposjen, përveçse si një formë zhvarrimi; dhe prej dijes që rrëmon në të kaluarën pret zbulesa që t’ia prarojnë me dritë mitet e identitetit. Kjo u pa edhe verën që shkoi, kur dy arritje të kërkimit arkeologjik në trojet shqiptare – palafitet e Linit dhe mbishkrimi latin Dardania në Ulpianë – u përcollën me fanfara dhe muzikë sakrale, si të përligjnin jo aq të vërtetën historike, sa mburrjet dhe iluzionet tona etnocentrike për historinë. Edhe kur merita për zbulime të tilla u takon arkeologëve profesionistë dhe përkushtimit të tyre, apostujt e shqiptarizmës historike – që i dallon nga qeleshja në kokë – vrapojnë dalin në media dhe të pretendojnë se stafeta u ka kaluar tani këtyre.

Ngjashëm ndodhi edhe me jehonën e artikullit në “Science” – që tronditi gjithë opinionin publik dhe gati sa nuk përfundoi në ndonjë interpelancë në Kuvend. Autorët e artikullit i kishin kartat në rregull, por rezultatet e tyre, ashtu siç u lexuan dhe (keq)interpretuan, përfunduan në duart e schliemann-izmit tonë lokal; dhe ashtu iu kërkua edhe një herë që botës të na adhuronte, si më të vjetrit; njëlloj siç u pretendua të provohej se vetëm guximi intelektual i një amatori entuziast por profan mund t’i shkoqitë dhe t’i formulojë të vërtetat e mëdha “elementare” me zemër; dhe pikërisht që dija historike, dhe krejt albanologjia, marrkan vlerë në atë masë që i shërbejnë mitit të origjinës; në kuptimin që ne paskemi qenë të parët.

 

© 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht marrja dhe përdorimi i këtij shkrimi nga media të tjera, me shkrim dhe elektronike – shkelësit do të përndiqen në bazë të ligjit për të drejtat e autorit. Shkrimi mund të bëhet “share” në rrjetet sociale.

Shënim: ilustrimet janë krijuar me AI.

16 Komente

  1. Shkrimi juaj është i mbushur me shembuj të shumtë që e bëjnë lexuesin të ndjehet amatorofob dhe sikur amatorizmi është gati një krim. Duket se në turmën e turbo-amatorëve keni harruar të përmendni dhe Çomskin, që dhe ai, si gjithë turbot, është diplomiar në matematikë dhe u ka zënë botërisht fronin mbretëror profesionistëve të gjuhës.
    Bota e profesionistëve të gjuhës është tejet e mbushur me “referenca shkencore”, sa e reja shkencore në veprat e tyre mund të jetë vetëm kapërcimi i limitit të referencave të një kampioni referencash dhe në veprën e profesionistit rëndom nuk gjen asnjë prurje të re shkencore. Rregulli i profesiomistëve të gjuhës është sasia e referencave si kriter konfirmimi i “punës shkencore”. Po e reja shkencore cila është?
    Shpesh mjekësia i referohet Hipokratit si babai i mjekësisë. Vet Hipokrati nuk ka referenca prej askujt dhe nuk qe i çertifikuar apo i diplomuar më ndonjë universitet, por kjo nuk e përcakton atë si një amator.
    Mund të sillja shembuj pafund për të vërtetuar se amatorizmi është shkalla nga fillon profesionalizmi dhe shpesh ndodh, si në gjitha artet, që amatori bëhet një artist profesionist i famshëm.
    Nëse kthehemi te tema e profesionistëve në fushën e etimologjisë dhe japim ca referenca të “profesionistëve” të shquar të kësaj lëmie, lexuesi do kuptojë se shkenca e etimologjisë së profesionistëve ka ngatërrim zorrësh dhe s’ka doktor që e merr përsipër për ta ujdisur.

    Çabej SE V 159 e Topalli FEGS 831 për fjalën KUKUREC pranojnë se është “huazim prej gr. së re κοκουρέτσι me të njëjtin kuptim”. Porse Babinjioti ELNEG 696 shkruan të kundërtën dhe pranon se gr. κοκορέτσι është huazim prej shqipes kukureci. E njëjta histori, si me kukurecin, është edhe për shumë fjalë të tjera që Çabeji e Topalli i pranojnë si huazime greke në gjuhën shqipe, porse Babinjioti i pranon si huazime prej gjuhës shqipe në atë greke dhe këtu “profesionalizmi” e parakalon amatorizmin humoristik, duke na treguar se profesionizmi në etimologji është vetëm në titujt shkencorë që zotërojnë të njohirit si profesionistë.

    Po të shohim etimologjinë e Topallit FEGS 744 për fjalën e shqipes KËMBË, ai shkruan: “huazim prej lat. camba”. Por fjalë camba në italisht nuk ka dhe si duket Topalli ka bërë lapsus me fjalën [gamba] të it. që shënon kamba në gegnisht. Hapim fjalorin e fundit etimologjik të italishtes “il nuovo etimologico” dhe në f. 633 shkruhet se “nuk jemi të qartë për etimologjinë e kësaj fjale”. At’her, sa i sigurt është Topalli se fjala këmba e shqipes është italiane?! Sa të vështirë do e ket patur Topalli e Çabeji të konstatonin se te fjala e geg. kamba gjuha ka emërtuar funksionin e realies KA-MBA > QË-MBA(n) > KËMBA. Aspak e vështirë. Veçse do u duhej të pranonin parimin morfologjik në emërtimin e realieve, porse gjuhësia krahasuese me marrveshje e ka përjashtuar parimin morfologjik nga procesi i studimit etimologjik të fjalës. Duke qenë se shqipja është gjuha e origjinës në familjen i.e. të gjuhëve, vetëm në gjuhën shqipe mund të kuptohet qartë se në ndërtimin e fjalëve ka një ligjësi që nuk mund të injorohet dhe për të kuptuar etimologjinë e fjalëve që kanë në përdorim gjuhët i.e., duhet të merren në konsideratë embriomorfet e shqipes, ku çdo njëra prej tyre posedon minimalisht një kuptim dhe kur disa prej tyre bashkohen me njëra tjetrën për të emërtuar një realie, ato krijojnë konceptet (fjalët) për vet gjuhën shqipe dhe për gjithë gjuhët e tjera të familjes i.e. të gjuhëve.

    Fjala është një ekuacion logjik, ku të panjohurat që mblidhen për të krijuar një koncept, janë embriomorfema të lira e të njohura për shqipen dhe të panjohura (e jo të lira) për gjuhët e tjera.

    Kur themi se profesionistët e etimologjisë së shqipes nuk kanë pothuaj asgjë shkencore në atë që u është pranuar si shkencë e kulluar albanologjike, kemi arsye e raste kontradiktorë e alogjikë të panumurt si dëshmi të abuzivitetit me atë që e quajnë albanologji.

    Nëse do sillja në vazhdim shembuj, ku profesionistët pranojnë për të njëjtën fjalë prejardhje të kundërta, komenti im do kthehej në një vepër voluminoze, që zor se do mbaronte ndonjë herë.

    Etiketimet tuaja z. Vehbiu për turboalbanologjizëm vetëm sa më bëjnë të adhuroj aftësinë tuaj në ndërtimin e kompozitave, porse do doja më shumë të flasim për arsyen pse është përjashtuar parimi morfologjik nga studimi i ngjizjes së fjalës dhe nëse e fusni veten te profesionistët, nuk keni pse i largoheni debatit rreth parimit morfologjik. Mbase këtu ju mund të tregoni se jeni ndryshe nga dogmatikët. Sikur ju të mos e ushqeni debatin për parimin morfologjik, do dukeni njësoj me të tjerët e dogmës.

    1. Amatorët përballë profesionistëve – kjo temë meriton diskutim përtej asaj që themi te “Peizazhet”. Unë vetë, si A.V., nuk jam pjesë e institucioneve të dijes – edhe pse kam qenë për disa vjet, edhe në Tiranë edhe në Napoli. Kur i mbroj disa gjëra, e bëj sepse besoj në to, jo sepse jam ushtar i këtij apo atij institucioni. E kam thënë në shkrim: është në natyrën e çdo institucioni të mbrojë dijen ekzistuese, mes të tjerash, edhe nga përpjekjet për të përmbysur arritjet e saj. Siç kam thënë edhe që, për shkak të një deformimi që e kanë quajtur “selection bias”, ne dëgjojmë vetëm për arritjet e amatorëve, por jo për dështimet e tyre; edhe pse këto janë mijëra herë më të shumta. Mjaft të përmend se, në leximin e mbishkrimeve etruske, janë me mijëra amatorët që kërkojnë çelësin e interpretimit, por pa e gjetur dot; dhe gjithsesi, nga ata që kërkojnë çelësin, janë me dhjetëra herë më të shumtë amatorët, se profesionistët. Avantazhi që ka arritur dija perëndimore, është se ka krijuar dhe konsoliduar një sistem për verifikimin e dijes së re, pavarësisht nëse këtë e përfton një profesionist apo një amator. Ky sistem lejon, për shembull, që në farmakologji shumica e barnave të reja që propozohen të mos i shkojnë pacientit; sepse efikasiteti i tyre provohet në praktikë. Unë e kuptoj mirë edhe se ky mision i institucioneve të dijes, për të mbrojtur dijen nga përpjekjet ndryshuese, përfshi këtu edhe ato të amatorëve, mund të kthehet në një mekanizëm frenues, pengues, mbytës; ose në një mënyrë për t’ia mbyllur dyert së resë. Madje mund të shkoj edhe më thellë, dhe të them se shkolla – ose ai sistem që i formon profesionistët – i vaksinon këta jo vetëm ndaj amatorizmave, por edhe ndaj ideve të reja në përgjithësi. Përballë këtyre dilemave, dhe të tjerave që nuk po i sjell këtu lidhur me metodën shkencore (“Against method”, Paul Feyerabend), kam zgjedhur arsyen si busull; edhe pse arsyeja, për t’u përdorur në vlerësimet, kërkon edhe trajnimin më të gjatë dhe më kompleks. Do të shkruaj gjerësisht për këtë gjatë javëve në vijim; por këtu vetëm dua të sqaroj, paraprakisht, se një gjë është trajnimi profesional, një gjë tjetër njohja e dijes; Bernard Shaw pat thënë se “askush nuk mund të jetë specialist i kulluar, pa qenë idiot në kuptimin e ngushtë të fjalës” (“No man can be a pure specialist without being in the strict sense an idiot”), duke kuptuar këtu atë specialist aq “të kulluar”, sa t’ia lejojë vetes injorancën. Përpiqem t’i rri larg këtij rreziku, që edhe të ruaj mendtë e kresë.

      1. Ndërsa ju më herët sulmoni turboalbanologët, më pas shkruani se: “avantazhi që ka krijuar dija perëndimore, është se ka krijuar e konsoliduar një sistem për verifikimin e dijes së re”. Pikërisht unë i bëj ASh-së kërkesa për oponencë që të verifikojë dijen e re (metodën etimologjike me bazë embriomorfemat).
        Ju, z. Vehbiu nga njëra anë tregoni se i dini mirë standartet se si duhet të sillet një institucion shkencor që verifikon dijet e reja të pretenduara nga autorët si prurje shkencore dhe nga ana tjetër, në vend të zbatoni (si akademik që jeni) këto standarte, e transferoni çështjen në një luftë esesh në blogun tuaj, kur fare mirë mund t’i propozoni akademisë suaj t’u përgjigjet zhvillimeve shkencore të reja.

        E mirpres edhe një opoencë shkencore nga ASh e cila rrëzon veprën time, por më krijon mundësinë ta mbroj. Edhe e paguaj ASh-në për shpenzimin për një opoencë shkencore edhe për rastin kur ajo ma rrëzon pretendimin nëse vepra ime i rezulton se është joshkencore. ASh edhe mund të pajtojë profesorë që nuk janë antarë të ASh për të ma bërë një opomencë. ASh-ja juaj, që e paguajmë ne taksapaguesit, zgjedh të heshtë kur e ka detyrim t’u përgjigjet zhvillimeve shkencore.
        Ju z. Vehbiu më keni etiketuar si turbo, sharlatan, amator etj., por deklaroni se nuk shprehni qëndrimin e ASh dhe qëndrimi juaj është vetëm qëndrimi i juaj personal prej eseisti që merret me një fenomen të paçertifikuar e që kërkon një çertifikim shkencor. Përveç “fenomenit tim”, që kërkon një çertifikim, ekziston dhe një fenomen tjetër që është heshtja e institucionit çertifikues (ASh), e cila as për kortezi nuk kthen një përgjigje dhe më duket sikur kërkesat e mia ia kam çuar një varreze dhe pres përgjigje nga kryesia e të vdekurve… Vetëm ju z. Vehbiu më bën të mendoj se në ASh nuk kanë vdekur të tërë dhe qenka dhe një që gjallon ende…

        Z. Ardian Vehbiu ju sugjeroj të bëni dhjetë ese shpotitëse ndaj meje dhe një ese ndaj ASh-së ku je dhe antar. Ju propozoj dhe titullin e esesë për ASh-në:
        “VDEKËRIMI I ASH-së SË TIRANËS”.

        1. Agron, po të flas me “ti”, sepse u bë kohë që shkëmbejmë mendime në këtë hapësirë.

          Më kërkove një përgjigje për parimin morfologjik – ta dhashë aq të plotë sa ç’munda.

          Sa për marrëdhëniet e tua me Akademinë e Shkencave, kjo nuk është temë për t’u diskutuar këtu, dhe nuk do të diskutohet.

          Unë jam anëtar i jashtëm i ASH, një titull honorifik, i papaguar. As më kërkohet të votoj për punët e ASH, as më pyet njeri se çfarë të bëjë ASH.

          Për të njëjtën arsye, as unë e pyes ASH, se çfarë të bëj, me çfarë të merrem dhe për çfarë të shkruaj.

          Prandaj kot e përmend ASH, kur flet me mua. Atë reputacion që kam – aq sa e kam – nuk ma ka dhënë anëtarësia e jashtme në ASH.

          Unë besoj se, nëse ti u ke kërkuar atyre diçka formalisht, ata duhej të të jepnin një përgjigje të paktën formale. Por nuk ua kërkoj dot këtë. Po të më pyesin, do t’ua them mendimin tim.

          Nuk kam asgjë personale me ty. Nëse të përmend në ndonjë shkrim, e bëj sepse të konsideroj si manifestim të një fenomeni kulturor që e gjykoj me interes.

          Ajo turbo-, te turbo-albanolog, thjesht tregon “përshpejtimin”; sepse ti dhe të tjerë si ti kërkoni rrugë të shkurtra në etimologji, përfshi edhe shpërfilljen e punës të të tjerëve dhe injorimin e traditës.

          Kritika ime nuk ka nevojë për qesëndisjen; ndryshe nga disa që të ftojnë deri edhe në emisione televizive, me fjalët e mia nuk dua të argëtoj njeri, madje as veten.

          Ky muhabet mbyllet këtu.

    2. Shkruan:

      Duket se në turmën e turbo-amatorëve keni harruar të përmendni dhe Çomskin, që dhe ai, si gjithë turbot, është diplomiar në matematikë dhe u ka zënë botërisht fronin mbretëror profesionistëve të gjuhës.

      Në fakt jo. Chomsky ka studiuar linguistikë në Universitetin e Pensilvanisë, nën drejtimin e Zellig Harris; atje mbrojti edhe një master, me tezën “Morphophonemics of Modern Hebrew”, dhe pastaj doktoratën me “Transformational Analysis”.

      Këtë mund ta verifikojë njeriu për 120 sekonda online.

      Problemi me ju – se nuk je vetëm ti – është se jo vetëm nuk dini (gjë normale, të gjithë nuk dimë), por edhe se kujtoni se dini; dhe ngaqë kujtoni se dini, nuk merrni mundimin të kërkoni.

      Dhe dijet që i keni të gabuara, i përdorni pastaj si premisa për arsyetime po aq të gabuara. Nuk po vazhdoj më se nuk ia vlen.

      1. Hollësitë për Çomskin i kapët lehtë, ndërsa pyetjes sime: “pse injorohet parimi morfologjik në studimet etimologjike?” nuk guxoni t’i jepni përgjigje.
        Z. Vehbiu, ju nuk jeni i aftë për një debat rreth etimologjisë dhe këtë e tregon pamundësia juaj për të dhënë një përgjigje që ua kam kërkuar disa herë.
        Ju jeni një eseist brilant dhe një polemizues dredharak kur ju kërkohet të diskutohet rreth një parimi shkencor.
        Gjysëmshkenca juaj në etimologji ka prodhuar dije të gjymta dhe “profesorë” që heshtin kur duhet të flasin.
        Etimologjia e Topallit, Çabejit dhe gjithë atyre që mohojnë parimin morfologjik është shkencë aq sa mund të jetë aeroplan një avion që i mungon njëri nga krahët.

        1. Agron, ajo që më kërkon nuk realizohet dot. Të paktën jo menjëherë – një debat për atë që ti e quan “parimi morfologjik” në analizat gjuhësore, veçanërisht në etimologjitë dhe që ti beson se etimologët si Çabej nuk e përfillin.

          Dhe ja pse nuk realizohet: sepse unë jam duke mbajtur gjallë një debat tjetër, të cilit nuk ia kam nxjerrë ende fundin; sepse unë ende nuk e kuptoj mirë çfarë ke ti parasysh me parim morfologjik, dhe “etimologjitë” e tua më duket se nuk ndjekin ndonjë parim, përtej improvizimit; sepse Çabej dhe etimologët e metodës historike-krahasuese (veçanërisht ata që i kushtojnë vëmendje marrëdhënies së fjalës me realjen në rrjedhë të kohës) e ndjekin nga afër këtë parim.

          Ja si shprehet Çabej në tekstin ku ka parashtruar parimet e studimeve të veta etimologjike në fushë të shqipes (në Studime Etimologjike I, 1982):

          Dihet… që vlera e një etimologjie, e gjurmimit të historisë së një fjale ose e krahasimit të dy fjalëve (të një gjuhe ose të dy a më shumë gjuhëve) përcaktohet nga përmbushja e tri kushteve kryesore krahasimi etimologjik që duhet të pajtojë me analogjinë (korrespondencën) fonetike e me rregullat që zotërojnë në këtë; duhet të hyjë në strukturën morfologjike, sidomos në atë të fjalëformimit, të gjejë pra forma të tjera që t’i përgjigjen mirë nga kjo anë fjalës që merret në shqyrtim; duhet së fundi që etimologjia të jetë e kënaqshme edhe nga pikëpamja e kuptimit. (f. 33)

          Dhe më tej:

          Në shpjegimin etimologjik të një fjale pajtimi me rregullat fonetike duhet të bashkohet me sqarimin e strukturës morfologjike dhe me diktimin e vlerës kuptimore. (f. 47)

          Dhe sërish më tej:

          Disa zhvillime tingujsh nuk janë shkaktuar me rrugë thjesht fonetike, por janë kryer në ngërthim të strukturës gramatikore, janë kushtëzuar nga fleksioni në kuptimin e gjerë të kësaj fjale, pra lidhen me disa rregulla morfologjike. Në këtë mënyrë etimologjia dhe gramatika historike ndriçojnë njëra-tjetrën. (f. 88)

          Në çdo rast, Çabej e vendos morfologjinë dhe, në përgjithësi, strukturën morfologjike të fjalës, në krye të vendit.

          Po sjell një shembull të vetëm konkret: analiza morfologjike e lejon atë etimolog që ta përjashtojë burimin latin të emrave të tillë si dëshirë, dëshmi, dhurëtilë – duke i marrë këto si prejfoljorë të dëshiroj, dëshmoj, dhuroj; dhe e kundërta, të përjashtojë burimin latin të foljeve të tilla si gëzoj, dëmtoj, luftoj, shtrenjtoj – duke i marrë këto si folje prejemërore (denominative) të gaz, dëm, luftë, shtrenjtë; dhe këtë e arrin duke identifikuar morfemat fjalëformuese dhe duke i ndarë ato nga struktura fonetike e fjalëve.

          Ku mohohet parimi morfologjik këtu?

          Kujt e njeh Çabejn, këto që solla më lart do t’i duken gjëra elementare, për të cilat nuk ia vlen të shkruash; por mbase tani edhe ia vlen, sidomos në diskutim me dikë si ti, që sistematikisht e përfshin rrejshmërinë (fallacy) në premisat.

          Prandaj ndihem pak i hutuar nga kërkesa jote – sepse ti, në “etimologjitë” e tua, i ndan fjalët sipas dëshirës, dhe je ti që nuk e përfill parimin morfologjik të zbërthimit të fjalëve; duke i dhënë këtij një kuptim që nuk e ka dhe nuk mund ta ketë.

          Habitem dhe pyes veten: a e ka lexuar Çabejn ky njeri, që nuk humb rast pa e sulmuar dhe përdhosur?

        2. Ja qe kaq ju ka rene per hise, andaj edhe ngulni kembe te parimi morfologjik, anipse as nuk e kuptoni se eshte morfologjia e nje gjuhe, e aq me pak ajo e gjuhes shqipe. Ju bene te qarta ne nje shkrim te meparshem nivelet e pershkrimit te shenjes gjuhesore, mbi te cilat punon gjuhesia bashkekohore, se si parimi fonetik edhe ai morfologjik jane parimet baze ne pershkrimin sistematik te gjuhes si mjet komunikimi ne shoqeri.
          E meqe ju paska mbetur merak qe s’e rrok kush ne gjuhesi, sic dini ta rrokni ju zoti Dalip, ja ku po ulem te shkruaj dy fjale: ju nuk e keni fare idene se cdo te thote pershkrimi i struktures morfologjike te kesaj fjale, andaj niseni nga fjaleforma gege [kamba], duke i rene me sopate ne mes e duke e zberthyer ne [ka]+[mba] e qe ketej [mba] e shpjeqoni me embriomorfen me kuptim leksikor “mbaj”, ndersa elementit te pare [ka] i mballosni funksionin sintaksor te lidhezezs “qe”.
          Ne shkollen tetevjecare e mesojme ndryshe, se si [kamba] eshte ne radhe te pare nje forme dialektore e formes [kemba] ne toskerishte, qe eshte pergjithesuar edhe ne ne shqipen e shkruar. Duke qene emer i gjinise femerore, lakohet njesoj si shume e shume te tjere: nj. , sh. , e shquar nj. emerore , sh. emerore , pra duke u perqendruar ketu vetem ne rasen emerore, sepse shqipja ka edhe rasa te tjera, dmth. edhe morfema te tjera gramatikore qe i bashkohen temes se fjales sipas rastit. Pra ngaqe nuk keni haber nga struktura morfologjike e emrave ne shqipe, ju merrni nje forme qe ju intereson dhe e prisni me skalpel ku t’ju vije per mbare. Dikush me formim shkollor tetevjecar perdor kriterin morfologjik per te pershkruar strukturen gramatikore te fjales, duke thene se ka nje forme baze [kembe], ndersa fjaleforma [kemb-a] merr nyjen shquese [-a], qe shenon njeheresh edhe gjinine femerore dhe rasen emerore, meqenese keshtu jane keto pune: mbaresat emerore dhe foljore jane shumefunksionale. Por ju me sa duket ne shkollen fillore e tetevjecare keni pasur prirje te tjera e pak deshire per te mesuar gjuhen shqipe, andaj e shkepusni fjaleformen [kemba] nga paradigma e saj, pra pa zbatuar parimin morfologjik dhe e trajtoni si nje cope trungu me vete. Andaj edhe me ate -a-ne fundore nuk beni leshime ne timber, sepse c’u kuptua pastaj, po s’doli ne pah folja [mba-j]. Ndryshe shkon puna me a-ne e rrokjes nistere; ate e thyeni dhe e perthyeni si t’ju vije per mbare e kjo bashke me k-ne nistore: gegnishtja [ka-] behet ne tosk. [ke-] e te dyja vijne prej [qe-] sepse vetem ashtu arriine te shpjegojne fantazine tuaj te semure.
          Pra ne rast se eshte dikush ne kete mes qe nuk njeh fare morfologjine e gjuhes shqipe e jo me te zbatoje parimin morfologjik ne studimin e saj, jeni pikerisht ju, sepse aq ju ka rene per hise. Me shkopin tuaj magjik zgjidhni gjithshka, vecse i bie te behet gjithcka se prapthi.
          E meqe ra fjala se prapthi, edhe emrin tuaj jua keni dhene peshqesh romakeve me kohe e me vaft. Ia keni huazuar duke jua rrokullisur se prapthi nga DALIP ne PILAD e pastaj me nje metafonienizem ashtu sic dini vetem ju D : T, ja ku na doli Pilati i famshem. Na mbetet vetem te lajme duart tani.

  2. Si e parashikon te ardhmen e turboalbanalogjise ne Shqiperi Ardian? Une them qe me degradimin e pandalshem te arsmit ne te gjitha shkallet e tij dhe me humbjen eventuale te brezit te albanologeve te shkolluar dikur, gjasat jane qe, ne nje te ardhme jo shume te larget, turboalbanologjia te institucionalizohet. Cka nuk duhet te na ngjaje aspak e pamundur, po te kemi parasysh qe, prej kohesh tashme, tekstet e historise se gjimnazit e marrin thuajse te mireqene “teorine pellazgjike” mbi prejardhjen e shqiptareve, gati nuk e permendin fare teorine e prejardhjes sone nga traket, dhe i paraqesin si protoshqiptare figura te tilla si Pirroja i Epirit apo Kostandini.

    1. Pyetja i drejtohet z Vehbiu e kerkoj falje nese futem atje ku nuk me takon por ne mungese te arritjeve te se tashmes si dhe te mungeses se shpreses te se ardhmes i vetmi opium shpirteror per ti bere shqiptaret te ndihen mire per veten e kombin eshte imazhi i servirurur nga turbo albanogjia i nje te shkuare te fisme ,te lashte e te shkelqyer e cila nuk ka ekzistuar kurre .Pra turbo albanologjia do te lulezoje e mbrothesoje persa kohe te mos kemi dicka tjeter me cfare te krenohemi si komb .

    2. Përshëndetje, Ervin, edhe unë kam frikë se këto gjëra, krahas historisë së kombëtares së futbollit, do ta gjejnë rrugën drejt teksteve shkollore – dhe paradoksalisht, e vetmja që mund t’ua kufizojë dëmin, do të jetë indiferenca e nxënësve; të cilëve nga njëri vesh do t’u hyjnë dhe nga tjetri do t’u dalin.

      1. Me duket se kane hyre ne shkolla tashme.Mbaj mend i ndjeri Klosi ne nje nga shkrimet e tij kritikonte tekset shkollore te cilat i paraqesnin iliret pa dyshim si parardhesit tanet kur termi korrekt eshte “mendohet se” ,iliret thuhej ne tekste ishin trima ,bujare ,te gjate ,te pashem ,te ndercem ,te beses ,etj..

  3. Me falni, desha te ve ne dukje vetem nje fallacy qe sillet shpesh si argument nga amatoret kunder profesionisteve, dhe e kam fjalen per ne çdo fushe te dijes, jo vetem ne gjuhesi.
    Fakti qe disa amatore mund te kene rezultuar te suksesshem ne ndonje fushe te dijes, fale talentit dhe perkushtimite te tyre, nuk demonstron se çdo amator qe i pervishet ndonje fushe te dijes duhet te jete automatikisht pa tjeter i suksesshem. Mendoj se diskutime si ky i mesipermi, nuk duhen devijuar ne dualizmin amatorizem – profesionalizem, por thjesht te mbeshteten ne argumente me permbajtje teknike.

  4. Quote “Aq i rrallë është suksesi i amatorit, saqë pastaj do të përmendet në histori.” End quote.
    Më pëlqen kjo shprehje, është legjendare. Më sjell ndër mend një Ajnshtajn dhe një Shpëtim.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin