SHQIPJA E VETMJA

Do të ndalem më poshtë te një procedurë tipike për analizat e folk-etimologëve të shqipes, për të treguar se ajo është logjikisht e mangët.

E kam fjalën për atë ves të mendimit që artikulohet në pasazhe si këto:[1]

Në latinisht edhe italisht ka shumë fjalë që fillojnë me parashtesën con- që te disa fjalë bëhet com- për shkak të përshtatjes së tingullit me shkronjën tjetër pasuese. Kjo parashtesa con- është fjala “kon” e gegërishtes që domethënë “me qënë” pra “është”. Vetëm shqipja e shpjegon këtë parashtesë kurse latinishtja edhe italishtja nuk e shpjegojë dot.

Ose

Petro Zheji ua ngrin nënqeshjen e zgërdhimjen në buzë, kur shpjegon se rrënjët e fjalëve rezultojnë shqipe, se rrënjët e fjalëve kanë kuptim vetëm në gjuhën shqipe, se vetëm shqipja është në gjendje t’i ndajë në struktura elementare semantike e t’u japë domethënie! Sidomos kur është fjala për fjalët e përbëra sanskritishte, të cilat kanë vlerë kuptimore ashtu siç janë, teksa të zbërthyera në elementë më të thjeshtë nuk thonë asgjë në këtë gjuhë.

Pra, këta pseudo-gjuhëtarë marrin një fjalë që u intereson, të një gjuhe tjetër, e ndajnë në pjesët përbërëse ose edhe thjesht në rrokje, krahasojnë pjesët ose rrokjet me ndonjë fjalë të shqipes, dhe pastaj arrijnë në përfundimin se ajo fjalë e gjuhës tjetër vjen nga shqipja, sepse struktura e saj gjen shpjegim “vetëm në gjuhën shqipe.”

Kjo analizë mbështetet në premisa të kalbura.

Duke filluar nga ajo që këta pseudo-gjuhëtarë qenkan vërtet në gjendje të kryejnë analiza morfologjike të fjalëve të një gjuhe të cilën nuk e njohin, ose të paktën nuk e njohin mirë – siç bëjnë rëndom me greqishten e vjetër, latinishten dhe sanskritishten; pa folur për inkursionet në gjuhë moderne, të cilat me gjasë nuk i kanë studiuar kurrë.

Për t’i ilustruar kapacitetet e tyre analitike, po sjell fjalët e një “specialisti” të etimologjive të italishtes:

Barka ndryshe është quajtur edhe kanot, pra që noton. Italishtja dhe shqipja e kanë të dyja fjalën not, por italishtja nuk ka fjalën ka, fjalë që e ruan vetëm shqipja.

Pra, argumenti është se kur një pjesë e supozuar e një fjale të huaj nuk përdoret në atë gjuhë si fjalë, p.sh. ka- te kjo kanot (e cila besoj se është italishtja canotto), por ka- përdoret si fjalë në shqipe, atëherë fjala e huaj për këtë “barkë që bën not” paska ardhur nga shqipja.

Ose më tej:

securus – se kur – si gur – sigurt, në italisht fjala latine securus është sicuro kurse në dialektin venecian të italishtes është siguro, edhe kuptimi i kësaj fjale është shumë i qartë në shqip sepse shqipja e ka vet këtë fjalë edhe fjalët “si” dhe “gur” i ka vetëm shqipja edhe krahasime me gurin për gjëra të sigurta është shumë i arsyeshëm edhe i qartë.

Vëreni premisën: “fjalët si dhe gur i ka vetëm shqipja.” Këtë, që një fjalë ose morfemë ose rrokje e ka vetëm shqipja, do ta quaja simptomë të megalomanisë – sepse këta që shprehen kështu në fakt nuk e njohin mirë shqipen, dhe aq më pak gjuhën tjetër.

Thotë njëri prej këtyre:

Vetëm shqipja, mund të na japë fakte reale për përcaktimin e emrit – pellazg, si lidhje etno-linguistike shqipe – ilire – pellgase.

Dhe një tjetër:

Një nga Misteret e Historisë Botërore “Disku i Festos” i cili falë albanologut arvanitasit Niko Stilo deshifrohet vetëm në shqipe!

Kujtoj se Stilo e ka “deshifruar” diskun e Festos-it (Phaistos-it), artifakt i datuar si i shekujve 19-17 p.e.s. nëpërmjet alfabetit sekret të Dhaskal Todhrit dhe arvanitishtes.

Që një fjalë ose mbishkrim enigmatik çfarëdo mund të lexohen me anë të shqipes, kjo nuk mund e nuk duhet përjashtuar a priori; simptoma e të ashtuquajturës disonancë kognitive fillon tek ekskluziviteti, ose tek ajo vetëm që i paraprin demonstrimit; sepse parakupton që këta folk-etimologë i kanë shoshitur mirë të gjitha gjuhët e krahasueshme me shqipen, historikisht dhe tipologjikisht; gjë që në fakt nuk e kanë bërë dhe as e bëjnë dot.

Citojmë:

Ethymologjia e emrit – Maqedonia (Makedonia) mund të shpjegohet vetëm përmes Shqipes së Vjetër, e cila kompozitë në origjinal është Makedhonia, që lidhet me foljen e lashtë shqipe (gege) me dho – me dhonë (paraindoeuropiane). Pra, folja – me dhanë (gege) dhe për të dhënë (toske).

Autori i këtij zbulimi është nga ata që shkojnë një hap më tutje, për të kaluar nga “shqipja e vjetër” te “gegnishtja”, e cila lejon kalimin nga “me dhonë” (tironçe e vjetër) te Makedhonia. Nuk do mend që këto lloj akrobacish mund t’i guxojë mendja vetëm nëpërmjet shqipes.

Sepse, në analizë të fundit:

Lashtësia e gjuhës shqipe dëshmohet nga fakti se, vetëm përmes shqipes deshifrohen gjuhët e lashta.

Për shembull:

Termi shpellë mund të jetë fjala e parë e njeriut parak europian, që gjen shpjegim nga pikëpamja etimologjike vetëm me anë të shqipes si vend që s’pe. Prej saj, buroi edhe fjala tjetër që lidhet me banimin, mbasi paraku europian doli nga shpella, dhe e quajti atë shpi.

Është shumë e mundimshme, për dikë që nuk jeton në shpellë, që të mos i skartojë këto gjëra si idiotizma.

Por ka edhe më keq:

Këta janë: Jezu Krishti, Lazari dhe Kostandini. Të tre këta emra spjegohen vetëm nëpërmjet shqipes së lashtë, gjuhës së të parëve tanë, pellazgëve.

Dhe më në fund:

Gjuha e lashtë që grekërit e sotëm e quajnë “greqishte” është një gjuhë që kuptohet e lexohet vetëm nëpërmjet shqipes.

Në përgjithësi, folk-etimologët e shqipes nuk pyesin shumë për diakroni dhe për rregullsi të ndryshimit gjuhësor: ata procedojnë duke izoluar, në një gjuhë që duan të mposhtin, pjesë të vogla (“embriomorfe”) dhe pastaj i krahasojnë këto me pjesë të vogla që kanë izoluar në shqipen.

E veçanta e kësaj metode është që ajo lejon të shpjegosh gjithçka. Jo vetëm fjalë të italishtes nëpërmjet shqipes, por fjalë të shqipes nëpërmjet italishtes. Edhe një italian mund të dalë nesër dhe të thotë se kjo apo ajo fjalë shqipe mund të zbërthehet me “operatorët e lirë” të italishtes, dhe se “vetëm italishtja” e lejon këtë. Si mund ta kundërshtosh këtë, nga pozitat e folk-etimologut shqip?

Ja një analizë tipike:

Pastaj, nëse duam të mësojmë edhe domethënien e Deukalionit, do ta gjejmë përsëri vetëm përmes shqipes.  do të thotë “dhè, tokë”, sepse në dialektin eloik, fjalës greke γά (ga) i thonë γή (gi). Duke zëvendësuar shkronjën η me α është përftuar fjala grejke γά, e pastaj duke shëndrruar γ në δ është marrë δά (dha), fjalë e përdorur nga fisi i dorëve, në dialektin e ri dorik. Ndërsa  lën do të thotë ka lënë. Pra Deukalioni, pasi la tokën, u largua me një varkë dhe, në fund, mbërriti në malet e Atikës.

Deukalioni, është ai që ka lënë dheun. Dhe Menelau ai që e kanë lënë mendtë. Çdo emër i përveçëm fsheh në vete një histori – të cilën mund ta rrëfejë vetëm shqipja.[2]

Prandaj edhe:

Kështu i ndërruan të gjitha, edhe emrin e Zotit të Madh, që në fillim quhej Dhemitra (DHEU AT E ËMË) në Demetrio (Dhimitër). Kjo kuptohet dhe analizohet vetëm përmes shqipes.

Por mbani parasysh se:

[N]ë këtë mënyrë është ndërtuar pothuaj i gjithë leksiku i gjuhës greke e kështu kjo gjuhë mund ta gjejë shpjegimin dhe etimologjinë e saj vetëm e vetëm nëpërmjet shqipes.

Dhe nga ana tjetër:

Sipas mitit judaik-kristian, engjëjt rebelë me në krye Luciferin, rebelohen ndaj Zotit, si një ndarje prej tij, gjë që e bëri Luciferin edhe një Demon. Kjo falë shqip është d a m u n, pra: të ndarë. Vetëm shqipja gjen në leksikun e saj fjalët mirëfilli të këtij akti, sepse ndarja është felë (kuptohet ndarja është felë, e ndava në fela) si dhe fjala fill-filloj, pra ndarja nga Zoti si një fillim.

Argumentimi induktiv, i llojit “vetëm gjuha shqipe”, ndonjëherë përforcohet edhe me citime të zgjedhura, nga fjalorët etimologjikë të gjuhëve të tjera. Kështu, një autor shkon të shohë si e kanë shpjeguar etimologjikisht emrin e Afërditës në fjalorët etimologjikë të greqishtes, dhe gjen atje se etimologjia e emrit është “e pasigurt”; dhe pastaj e përdor këtë të dhënë, si patericë për tezën e vet, se “Afërdita” shpjegohet nëpërmjet shqipes (paçka se shpjegimi që ai sjell nuk ka lidhje me metodën etimologjike që është ndjekur në fjalor). Ndërsa një autor tjetër rrëmon në fjalorët etimologjikë të italishtes, gjen atje për ndonjë fjalë se etimologjia e saj është e papërcaktuar ose e pasigurt, dhe pastaj nxiton t’i japë interpretimin e vet “etimologjik”.

Por vëreni gabimin metodologjik elementar: fjalorët etimologjikë mbështeten në të dhënat e studimeve etimologjike të kryera nëpërmjet metodës historike-krahasuese – pikërisht asaj metode që folk-etimologët tanë nuk e pranojnë. Dhe ashtu, ia lejojnë vetes akrobacinë spektakulare që, në gjysmën e parë të arsyetimit t’ia njohin meritën metodës historike-krahasuese (e cila nuk ka gjetur dot një etimologji të saktë për aksh fjalë), dhe pastaj në gjysmën e dytë ta kundërshtojnë atë metodë, me metodën e tyre që nuk është as historike dhe as krahasuese dhe, në fakt, nuk është aq metodë, sa marifet për të habitur publikun.

Le t’i kthehemi edhe një herë pasazhit:

Në latinisht edhe italisht ka shumë fjalë që fillojnë me parashtesën con- që te disa fjalë bëhet com- për shkak të përshtatjes së tingullit me shkronjën tjetër pasuese. Kjo parashtesa con- është fjala “kon” e gegërishtes që domethënë “me qënë” pra “është”. Vetëm shqipja e shpjegon këtë parashtesë kurse latinishtja edhe italishtja nuk e shpjegojnë dot.[3]

Ky që shkruan kështu, i drejtohet një publiku që do ta besojë vërtet se parashtesën latine con- “latinishtja dhe italishtja nuk e shpjegojnë dot.” Dhe në fakt publiku mund ta besojë më lehtë vërtetësinë e një premise që i sillet në mirëbesim, se vërtetësinë e një përfundimi; prandaj edhe manipulatorët i bëjnë marifetet e tyre të mëdha me premisat. Në fakt, gramatikat e shpjegojnë këtë con- si një instancë të parafjalës (latine) cum-, që ka kuptimin “me” (khs. gjermanishten mit, dhe fjalët mitnehmen, mitcommen, mitbringen, mitmachen, mitgehen, mithaben, mitreden; ose anglishten me withdraw, withstand, withhold). Të thuash që “vetëm shqipja e shpjegon këtë parashtesë” është të gënjesh dyfish: sepse latinishtja e shpjegon parashtesën aq mirë sa nuk shoh ta ketë vënë kush në dyshim; dhe sepse shpjegimi shqip, që “parashtesa con- është fjala kon e gegërishtes që domethënë “me qënë” “pra është” nuk ka kuptim. Se si ndodhi vallë që një trajtë nëndialektore e foljes gegërishte me qenë, tani e preferuar edhe nga rapper-ët shqip, të përfundojë si parashtesë e një klase të madhe fjalësh në latinishte?

Thotë një koleg i këtij:

Përderisa, kuni është një shkop druni me majë të mprehtë – ku është spjegimi i germës, shkrolës shqipe – skroll skip, forma e germës në gjuhën e parë të njeriut – gjuha kuniforme (cuneiform language) – edhe spjegohet vetëm përmes shqipes-illire-pellgaze – germa në formë të kunit.

Emri “kuneiform”, për skriptin e shumerëve, e përdori për herë të parë studiuesi gjerman Engelbert Kämpfer, dikur në fillim të shekullit XVIII; si neologjizëm të formuar nga latinishtja cuneus, me kuptimin “pykë”; cuneiform do të thotë “në formë pyke” dhe përshkruan formën dhe teknikën përftimit të shenjave të atij skripti, të cilin pas shumerishtes e morën edhe gjuhë të tjera të zonës. Natyrisht, shprehja “gjuhë kuneiforme” nuk ka kuptim, përveçse kur do të thotë “gjuhë që përdor alfabetin kuneiform” (në të njëjtën mënyrë, mund ta quanim edhe shqipen “gjuhë latine”, meqë përdor alfabetin latin). Por shumerët nuk e quanin skriptin e tyre “kuneiform” – sepse ky është term teknik, i kohës së re. Latinishtja cuneus ka dhënë pastaj edhe shqipen kunj (dhe kjo e fundit mbase spanjishten bashkëkohore coño).

Lexuesi jo-specialist nuk duhet t’i zërë besë folk-etimologut, që i thotë se aksh fjale, në aksh gjuhë, nuk i kanë dhënë ndonjë shpjegim (etimologjik) deri më sot, dhe se ajo shpjegohet “vetëm nëpërmjet shqipes”; gjasat janë që ajo fjalë ta ketë shpjegimin e duhur në fjalorët përkatës. Sikurse nuk duhet t’u zërë besë atyre që i thonë se Homeri mund të zbërthehet “vetëm nëpërmjet gegnishtes”. Poemat homerike janë në greqishte, dhe nuk ka nevojë të “zbërthehen” dhe as të “deshifrohen”; sepse lexohen dhe interpretohen lirisht, nga të gjithë ata që e zotërojnë greqishten e vjetër homerike.

Ja edhe një tjetër dijetar me flatra, që këtë herë kap për brirësh demin e frëngjishtes[4]:

Po ashtu edhe fjala */creacion/ (e frëngjishtes e gjendur në të gjitha gjuhët evropiane), ka burim motorik gramatikor nga Shqipja Primitive. Megjithëse shqipja aktuale ka derivuar funksionet fonetike drejt */kri/ (kokë)-krijoj, -krijim, krijimtari, etj, sërish fjala */kreacion/, ka shpjegim etimologjik vetëm nëpërmjet Shqipes.

Ky kërkon të impresionojë me terma pseudo-shkencorë, si “burim motorik gramatikor” (çfarë dreqin është?), “shqipja primitive”, “ka derivuar funksionet fonetike” (po këto ç’të jenë?), por në fakt kërkon të shpjegojë frëngjishten création, nëpërmjet shqipes krijoj (krijim, krijimtari), në bashkëlidhje edhe me shqipen krye. Natyrisht, frëngjishtja création dhe folja créer e kanë burimin te latinishtja creāre, që ka kuptimin “krijoj”; e njëjta latinishte, në thelb, që ka dhënë krijoj në shqip. Asnjë lidhje nuk ka me këtë të fundit shqipja krye, të cilën e mbajnë për fjalë vendi, të krahasueshme – mes të tjerash – me greqishten e vjetër κρανίον “kafkë”. Në këtë kontekst, të thuash se création e frëngjishtes, të cilën autori e shkruan, kushedi pse, */kreacion/, “ka shpjegim etimologjik vetëm nëpërmjet shqipes”, është të tallesh me lexuesin.

Përndryshe:

Të gjitha gjuhët latine kanë formuar me fjalën KRE të shqipes me qindra fjalë, që kuptimin ua jep vetëm e vetëm shqipja.

Gjithë duke mbajtur parasysh edhe se:

Studiues dhe institucione shkencore të huaja që u angazhuan me shqipen, konkluduan se vetëm nëpërmjet shqipes së sotme mund të arrihet tek trungu Indo-Evropian i 225 gjuhëve dhe dialekteve që fliten sot në hapësirën Euro-Aziatike.

Çfarë do të thotë edhe: kot që lodhen të tjerët. Madje universaliteti i shqipes shtrihet dhe përfshin edhe sistemet aritmetike:

Kemi të bëjmë me koncepte praktike të lindjes së shenjave të para të numërimit, mekanizëm që e zotëron vetëm shqipja gege si gjuhë e përcaktuar natyrale dhe asnjë lloj gjuhë tjetër në botë.

U përpoqa të tregoj, pa e tepruar, se këta folk-etimologë jo vetëm nuk i njohin gjuhët me të cilat “operojnë”, por nuk njohin as shqipen; sikundër nuk njohin as metodat standard të krahasimit ndërgjuhësor dhe kriteret elementare të gjuhësisë historike – dhe ngaqë nuk i njohin, zgjedhin që t’i “refuzojnë”. Sikurse u përpoqa të tregoj se ekskluziviteti që i japin këta shqipes, në ekuacionet e tyre, është i rremë, i pambështetur madje edhe brenda metodës së tyre të arsyetimit (të cilën janë gati ta braktisin, në momentin që braktisja u leverdis); dhe se e vetmja dilemë, e kujt rreket të kuptojë se ç’thonë këta njerëz, është nëse këta vërtet janë kaq profanë dhe naivë në qasjet e tyre prej diletanti, apo e bëjnë në keqbesim. Ashtu edhe dua t’i paralajmëroj lexuesit sërish: kur t’ju ndodhë të lexoni a të dëgjoni shprehjen “vetëm në gjuhën shqipe”, bëni kujdes të madh – me shumë gjasë, ai që shprehet kështu po përpiqet të kalojë diçka nën rrogoz.

 

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhet, përfshi imazhin në kopertinë janë krijuar në bashkëpunim me AI.


[1] Pasazhet gjenden lirisht online – kush dëshiron, mund t’i identifikojë vetë autorët. Unë nuk po i përmend, sepse (1) operojnë të gjithë njëlloj, si të kenë dalë nga e njëjta shkollë dhe (2) nuk e kam me autorët individualë, por me mendësinë që i frymëzon dhe i mbështet dhe u krijon iluzionin se po marrin pjesë në një lëvizje shpirtërore…

[2] Suksesin (skenik) të metodës me rrokje e garanton edhe probabiliteti: sa më të shkurtra të jenë rrokjet (“embriomorfet”), aq më të mëdha janë gjasat që këto shqipja t’i ketë të përbashkëta me një numër të madh gjuhësh të tjera. Rrokjen shqipe DA e gjen edhe në italisht; të famshmin operator DA, që izoloi P. Zheji, e ka edhe italishtja si parafjalë – p.sh. Leonardo DA Vinci (i cili rezulton si individ “i damun” nga Vinci). Sa e ndryshme është kjo “etimologji” imja, nga ajo që e nxjerr anglishten DAM (digë) nga shqipja DAMUN (një pjesore e gjatë e gegnishtes, me gjasë zhvillim i vonë gramatikor tek ai dialekt)?

[3] Vetëm shqipja, vetëm shqipja… ky refren mua më dëgjohet kështu: “unë që shkruaj nuk kam arritur të mësohem me asnjë gjuhë tjetër, vetëm shqipen kuptoj dhe përdor… prandaj nën shenjën e shqipes do të fitoj.”

[4] Një huq tipik i folk-etimologëve është fokusimi te gjuha që flitet në vendin ku kanë emigruar ose kanë vajtur të bëjnë shkollën: po të jenë në Greqi, zbërthejnë greqishten; po të jenë në Francë a në Belgjikë, frëngjishten; po të jenë në Gjermani, gjermanishten; po të jenë në Itali, etruskishten. Duket sikur rreken të deshifrojnë një gjë që ende u duket “e huaj”, teksa rrëfejnë, tërthorazi, për kurbetin. Por ky naivitet e ka edhe një anë të errët – të ndier të nëpërkëmbur dhe të diskriminuar në vendin ku kanë shkuar të jetojnë, këta kompensojnë, duke u kundërpërgjigjur me epërsinë kinse historike të gjuhës dhe të etnisë së tyre.

26 Komente

  1. Ku ka za nuk asht pa gja… thote pellasgu i vjeter.

    Ishte nje periudhe qe isha ne “dashuri” me Sparten dhe cdo gje qe kishte te bente me ta. Qofte fama, qofte lakonizmi, qofte nje mosperfillje ndaj “trapping of modern life”, ( nder mend me vjen qe Athina perballe Spartes se asaj kohe, thuajse i shpetoi Maltuzian Trap). Me terhiqte gjithashtu nje lloj qendrimi tipik spartan ndaj seksit te bute. Skulpturat e kohes qe paraqesin vajzat e reja spartane jane shume moderne. Ato jane moderne ne paraqitjen estetike, trup prej atleteje, me veshtrim gati te ‘paturpet”. Kur je 19-20 vjec nuk i shpeton dot enderres qe te kesh mundesine te takosh nje vajze te tille. Por kete enderr duhet ta kene pasur edhe tjere, kjo qe ne antikitet. Aristoteli ia ve fajin gjinekokracise per rrenimin e Spartes ( too much of a good thing is not always wonderful…}
    Por kur merresh me veshjen e burrave te Spartes, nder te tjera ve re se ata kishin si tradite te mbanin nje njoj kapuci ne koke. Te bardhe. Qe e quanin “plisari”. Nuk e di a ka lidhje me “plis” – in ne malet e veriut te Shqiperise, por mendja te shkon.

    ” Menin aeide the Peleiadeo Achillai oulomenin”.
    Kendoi o Perendeshe, zemerimit te Akilit, birit te Peleusit

    Eshte rrjeshti i pare i Iliades se Homerit.
    Te gjithe, me kuc e me mac jane perpjekur ta kuptoje sa me sakte kete liber, qe eshte nga me te rendesishmit per qyteterimin Perendimor ( Aleksandri i Madh e mbante gati si Bibel, deri dhe ne krevat). Shume, me c’kam lexuar jane marre me “merine” e Akilit.
    Por se c’do nje fjale qe ka kuptim ne shqip, ne nje poeme te kultures Mikenase, ose se c’do nje fjale mikenase ne nje gjuhe te humbur te nje cepi te humbur te Ballkanit, asnjehere s’e kam marre vesh…

    1. Nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë shqipja mëri me fjalën në rreshtin e parë të Iliadës. Lidhja që bën ti quhet paretimologji – e kanë përsiatur edhe shumë të tjerë; edhe pse vetëm ngjashmëria e jashtme nuk mjafton. Do të lutesha që paretimologjizimet t’i mbash larg kësaj faqeje, nëse mundesh. Kur je kurioz për etimologjinë e një fjale, mund të konsultosh fjalorët online, ose fjalorët etimologjikë të shqipes.

      https://en.wiktionary.org/wiki/m%C3%ABri

      Lutem mos komentoni më për këtë fjalë te kjo temë.

  2. E kështu, hipin shumë majë thanës e shikojnë flxhanin e rradhës, në fakt llumin e një tasti të madh kafeje, e flsani për ethimologji (në fakt tundin një gjym shurdhues plot me gurë). Majë thanës trillojnë dhe jo vetëm besojnë trillimet e veta, por mbushin edhe mediat sociale me ato trillime, (sipas tyre zbulime), e shkruajnë e botojnë, po sipas tyre vepra shkencore, të pa paraqitura kurrë në tryezën e shkencës përkatëse, e kurrë të botuara me recensa përkatëse. Kanë edhe ndjekës që i ushqejnë dhe ushqehen prej tyre. Hallin e vetëm e kanë me tryezën e shkencë, e cila nuk i pranon ashtu si keta studiues pretendojnë. E nuk lënë gjë pa thënë e shkruar kundër shkencës shqiptare. Shkenca shqiptare, për studimin dhe historinë e gjuhës shqipe, ashtu si ka lënë porosi prof Çabej ka të nevojëshme dhe të domozdoshme faktet : FAKTE TË SHKRUARA TË GJUHËS SHQIPE.
    Shkenca e gjuhësisë shqiptare, ka sjellë për dijen njerëzore faktin që gjuha shqipe sot dëshmon marëdheniet e saj me gjuhët e shkruara të njohura, latinishten e shkruar (nga shek III p.K) dhe greqishten e shkruar (nga shek V p.k).
    24 vjet më parë, kreva studimeve e mia për Antichità Italiche ne Universitetin për te Huaj të Peruxhias, ku në fund paraqita hipotezën time : “Duke ditur se gjuha shqipe dëshmon marëdhëniet e saj me latinishten the greqishten e lashtë, të dyja gjuhë të shkruara, nuk mund të përjashtohet a priori, marëdhënia e saj, me gjuhë të tjera të lashta të shkruara të Mesdheut, e më gjerë”.
    Ka 24 që në bazë të kësaj hipoteze, në cilësinë e një kërkuesi, mbledhësi koleksionisti, kërkoj e mbledh fjalë shqipe të gjetura në shkrimet me alfabet fonetik, alfabet i sjellë e shpërndarë në Mesdhe, pranuar botërisht aty nga shek IX p.K). Sot Koleksioni im rezulton i pasuruar me fjalë, grupfjalë e fraza të sakta gjutera në shkrime prej shek IX p.K e deri në shek.IV p.K.
    Po ashtu edhe me botimin e tre librare.
    Ps. Ne se jeni te interesuar per Koleksionin tim, shkruani ne posten elektonike, ilirmati@yahoo.com

  3. Këtë temë disa ditë më parë e kisha cekur krejt shkurt në FB, të shoqëruar me video prej Youtube. Madje u kthye në një shkëmbim humori me një mikun tim. Ka momente në shkrimin tënd Ardian, ku mund ta ndihet përqasja me një dozë humori. Duhen që të jenë edhe më ngacmuese sesione të tilla humori, për ta kthyer këtë situatë në diçka groteske, përqeshëse, komike, ku njerëzit të neveriten, e një pjesë të zgjohen nga budallëku i tyre.

    Fenomeni Dalipaj(dalipaj-logjiaj është kthyer në një sensacion, ndërkohë me momente tallje dhe ilariteti, por që përsëri merret seriozisht nga një turmë e madhe. Kjo është ajo pjesa e fshehur demografike shqiptare, ndërkohë dhe frikëshme prej hapsirës që zë, me nivel (të më falësh për shprehjen): mediokër, për me mujt me dekonstruktu kuptimin e çdo pohimi (statement), apo thenie të kategorisë të AD.

    E gjej intriguese se si togfjalëshi “embriomorfemë”, apo “algoritmi (matematikor)” ka gjetur shteg në gojën e turbo-etimologëve; siç duket “per incantare”, trullosur “shkencërisht” masën e njerëzve.

    Turbo-etimologët flasin apo komentojnë, por për ato c’ka përsiaten, janë shpesh të pakuptimta. Çka lyp nevojën e domosdoshme, për me dallu midis sintaksës dhe semantikën të gjërave të diskutuara. Menjëherë kuptohet se edhe në rastin kur flitet, apo shkruhet me fjalë/fjali, që nga ana sintaksore qëndrojnë, sidomos me fjali të shkurtra e konkrete, të prekshme për shqisat, nuk ka garanci që nga ana semantike të jenë korrekte, të jenë me kuptim(to make sense).

    Ekziston një lloj përcaktimi, që mbledh nën çadrën e klasifikimit disa diagnoza, e që në anglisht njihen si “grandiose delusions”. Shfaqet në shumë forma, e njëra është edhe dalipaj-logjia.

    1. Më vjen ndonjëherë vetvetiu të bëj humor, për shkak të absurditeteve që lexoj. Por ngaqë tema ka marrë dhenë dhe i jepet hapësirë në mass mediat, them se duhet një trajtim serioz, që të shpjegojë edhe pse këto gjëra të bëjnë për të qeshur. Mendoj – me ty – se humori do të ishte përgjigje e mirë për megalomaninë; por edhe nuk duhen fyer menjëherë ata që i besojnë këto gjëra me pasion. Nuk besoj se me argumente si këto të shkrimit mund t’u kthehet mendja atyre që kanë investuar shumë në këto përpjekje, aq sa të kenë ndërtuar mbi to figurën e tyre publike. Por të paktën të tretëve angazhimi im mund t’u vlejë. Suksesi i turbo-albanologjisë është edhe dështim i arsimit tonë publik, bashkë me institucionet publike të dijes në Shqipëri dhe në Kosovë. Koha kur këto institucione gëzonin autoritet zyrtar të pakontestueshëm ka kaluar. Tani u duhet të dalin në “tregun” e ideve (the marketplace of ideas) dhe t’u dalin zot kauzave të tyre, gjë që nuk e kanë bërë deri më tash. Dhe nëse nuk e bëjnë, atëherë u mbetet edhe përgjegjësia në derë. Jo sepse një person privat del me një teori të vetën të çuditshme për prejardhjen e shqipes ose deshifrimin e mbishkrimeve; por sepse këtij personi i dëgjohet fjala, për shkak të heshtjes të së tjerëve.

      1. Turbo albanologet nuk po i pergenjeshtron njeri pervec disa profesionisteve edhe per faktin se genjeshtrat lavderuese qeniet humane i pranojne me kenaqesi .Nese do thonin genjeshtra te tipit “ shqiptaret jane njerez me bisht “ atehere do kishim nje revolte mbarekombetare .

      2. Ardian, është krejt e pamundur(mission impossible), që prurjet e argumentuara me njohje solide në mekanizmat e gjuhësisë historike-krahasuese, e të modifikuara/sjella qoftë edhe në nivelin e një lexuesi të llojit, që beson absurdin e “embriomorfemave” të kthej qoftë edhe një individ të vetëm në “rrugën e Zotit”.

        Përmënde mungesën e autoritetit. Këtu është edhe çëlësi i situatës së krijuar në shumë sfera publike e profesionale. Sidomos postmodernizmi solli “vdekjen apo vrasjen e autoritetit”. Hannah Arendt, e ka përshkruar e parashikuar me detaje këtë në dy esetë tëpër të goditura të saj rreth rolit të autoritetit, përkufizimit të tij, pa e ngatërruar këtë me sistemet autoritare-totalitare. Njëra nga esetë merret me fushën e arsimit(education), autoriteti në arsimim, ku për me shumë se gjysëm shekulli është punuar që autoriteti në dije dhe kulturë të pësojë një erozion, një gërryerje totale, sot pothuajse është joekzistues.

        Po të shohësh grupmoshat e fansave të turbo-shkencës, një pjesë e mirë janë moshatarët tanë, kjo tregon se niveli i arsimimit ka qenë në nivelin mediokër edhe për shumicën në brezin tonë, e më poshtë. Është një detyrë herkuliane të kthesh këtë turmë që nën banderolat e atdhedashurisë të heqi dorë nga një mburojë, “guaskë protektive” si burimi i fundit i krenarisë të të qenurit të etnisë shqiptare. Dikur ne ishim fanar i vetëm i socializmit në brigjet e Adriatikut, sot jemi fanari linguistik, gjuha e fillimi të qytetërimeve. Ky është mjeti me efikas për të na izoluar edhe më shumë politikisht e kombëtarisht, drejt një asgjesimin total etnik.

        1. Brezit te arsimuar perpara 1990 i eshte mesuar nje histori plot me mite e legjenda e cila kishte per qellim te ngjallte krenarine kombetare e jo per te mesuar te verteten .Me c’degjoj edhe sot shume ngjarje shikohen ende me syzet e historiografise moniste .Shume jane te brengosur se po ti pasqyrojme faktet si kane qene atehere me cfare do krenohemi ne si shqiptare e cfare do te jete filli qe do na mbaje te lidhur si komb .Prandaj gjithmone do te kemi dy versione :nje qe i paraqet faktet si kane qene e nje tjeter qe i paraqet ashtu si donim ne qe te ishin .

      3. Heshtja e institucioneve tregon se e pranojnë teorinë time në pamundësi për ta kundërshtuar.
        Jam i vetmi që kërkoj institucionalisht një oponencë shkencore. Jam edhe i vetmi që kam bërë opoencën shkencore për veprën etimologjike të Çabejit dhe askush nuk ka shprehur mosdakortësi.
        Tashmë nga Çabeji nuk studjohet asgjë në fakultetet e gjuhësisë. Asgjë nga ai nuk vlen më për t’u përcjellë më tutje. Çabejin e mbrojnë prej thashethemeve vetëm ithtarët e tij. Askush nuk rrezikon dot të mbrojë “etimologjitë” e Çabejit.

        1. Agron, ata që refuzojnë të merren me ty e bëjnë për dy arsye: (1) sepse të gjykojnë aq inkompetent dhe aq të paditur, sa nuk besojnë se mund të gjejnë me ty një gjuhë të përbashkët; dhe (2) sepse ti ke fituar reputacionin e një personi grindavec dhe agresiv, të cilit i duhet ndenjur larg. Unë nuk jam pjesë e establishmentit institucional dhe e vendos vetë se me kë të merrem dhe me çfarë. Mendoj se ajo që ti bën meriton vëmendje, si një lloj produksioni intelektual që ndiqet me sukses nga turmat. Kam vënë re rregullisht që, sa herë që shkruaj për ty dhe të kundërshtoj, më vërsulen në komentet njerëz që nuk i njoh, zakonisht ose injorantë të mëdhenj ose thjesht rapsodë, me akuza për tradhti dhe fyerje të tjera – këta lloj njerëzish që entuziazmohen me qasjet e tua dhe sillen si anëtarë të një kulti të cekët më shqetësojnë edhe nga pikëpamja mirëfilli politike.

          Thua se “tashmë nga Çabeji nuk studjohet asgjë në fakultetet…” Kam frikë se e ekzagjeron. Mbase nuk studjohet aq sa duhet, por kjo ndodh ngaqë në fakultetet sot nuk po studjohet më… unë nuk pres asgjë fare, nga Universiteti Publik në Tiranë.

  4. Kon ashtë veçese nji formë pjesore e nji zone gegnishte, mbasi ka ende do tjera sish, si p.sh kien(ë) e ken(ë) në veriprendim, kan e kon në verilindje e qen(ë) në jug Drinit. Të tana s’bashkut rrjedhen pre nji formet bazë klenë qi ruhet ende në shek. XVI te Gjon Buzuku, posikur sot e gjithë diten në çamnishte e gjithkund te arbnesht në Gërqi e Talje. Prashtu togu fillues kl- ashtë kanë gjithkund i parë nder folsit e protoshqypes para Buzukut e jo mâ në motet e hershime kur jen piek protoshqypja me latinishten, mbasi ato troje u ban pjes e perandoris rromake.
    Nji kto gjana na i mson bukur mir filologjia e gjuhsia historike shqype, tue mos lan me na pjell menda dokrra e sene pa lidhje, siç ban aj robi i dalun mendsh, kur shpjegon parashtesen latine con-.

  5. Z. Vehbiu, ju nuk përmendni se te cili autor “turboetimolog” i gjeni çudirat që ua servirni ndjekësve tuaj këtu. “Turboetimologët” nuk janë një mendje e një trup i vetëm si etimologët e albanologjisë zyrtare të Tiranës që janë një mendje në trupa të ndryshëm.
    Përsa nuk jepni referenca, ju mund t’i sillni shembujt prej një idioti për të goditur “turmën e turboetimologëve”. Në shkencë përdoret referenca. Ju jeni duke bërë propagandë neokomunistosllaviste përsa ngacmoheni për të mbrojtur albanologët prosllavë.
    Z. Vehbiu, që ju bëni propagandë në blogun tuaj, vërehet kur nuk lejoni komentet e mia të dalin te postimet ku ju mendoni se jeni duke dërrmuar turboalbanologët.
    Ka aq shumë njerëz që kanë dëshirë të merren me etimologji, sa ka dhe po aq, që për qejfin e tyre merren me pikturë dhe ca prej tyre (që mendojnë se janë piktorë të mëdhenj) zhgarravisin dhe muret zyrës së shtetit, duke menduar se janë të ngjashëm me Pikason, por nuk çudisin dot kërkënd.
    Nga ata që ju i quani turboalbanologë, vetëm dy prej tyre kanë fjalorë etimologjikë të botuar: A. Dalipaj dhe B. Balaj. Në asnjë gjykatë nuk gjykohet dikush për veprimet që ka bërë dikush tjetër. Edhe pse dikush ngjan nga pamja e jashtme me pamjen e një krimineli, nuk mund të dënohet për shkak të ngjashmërisë. Ndaj edhe pse fjala e shqipes [çup]ë/a, për shkak të ngjashmërisë me fjalën serbe [çupra] (që nuk përqaset kuptimisht me fjalën e shqipes çupë) nuk mund të dënohet si e huazuar prej serbishtes për shkak të ngjashmërisë nga forma fonetike. Krahasimi është parashkencë dhe fakti që gjuhësia krahasuese është pranuar zyrtarisht si shkencore, nuk mund të përjashtojë mundësinë që etimologjia me bazë embriomorfet e shqipes të konkurojë për t’u konfirmuar si shkencore.
    Mendoj se dhe ju besoni se embriomorfemat ekzistojnë realisht. Po ashtu ju nuk mund të kundërshtoni se ato janë në shqip në një shumë të caktuar dhe japin mbi 370 kuptime. Ju nuk mund të mohoni se bashkimi i dy apo disa embriomorfemave krijon koncepte gjuhësore. Ju keni pranuar se ekzistojnë rrënjët e hamendësuara preindoeuropiane *bzb, por nuk ini në gjendje të pranoni embriomorfet ekzistente të shqipes në shumicën e tyre në trajtën bz. Ju as mund të injoroni faktin se morfema juaj e pandashme në kuptime të tjera, mund të ndahet në embriomorfema. Ajo që ju njihni si morfologji, në shumicën e saj është konceptologji dhe unë mundem ta provoj këtë.
    Në vend që të më pyesni se çka është embriomorfema, nxitoni dhe e barazoni atë me rrokjen. Të gjithë ata që “bëjnë etimologji” duke e zbërthyer fjalën në rrokje, janë etimologë popullorë. Ata që e zbërthejnë morfemën klasike në embriomorfema i takojnë ETIMOLOGJISË SË RE, që doni apo nuk doni ju, do zërë dikur vendin që i takon. Z. Vehbiu, hilja juaj shfaqet, kur për të goditur z. Dalipaj, shembujt i sillni nga etimologjia popullore dhe kështu doni të krijoni opinionin se z. Dalipaj i takon etimologjisë popullore. Por e vërteta shkencore nuk mund të ndalet nga esetë tuaja “polemizuese” e “shkencore” dhe njëkohësisht të censuroni kundërshtarin duke mos ia lejuar komentin për replikë. Jeni i dobët për të përballuar debatin shkencor, që vet e hapni e vetë e ndaloni, kur e shihni se nuk keni këllqe për tu përballur. Çështje burrërie. Shkencëtari është edhe burr. Çfarë burri mund të jetë një “shkencëtar” si ju, kur censuron mendimin e debatuesit?!
    Z. Vehbiu, përsa emri im përmendet drejtpërdrejt apo me nënkuptim në postimet tuaja dhe në komentet rrjedhëse, ini i lutur të tregoheni i ndershëm e të lejoni replikën time.

    1. Zoti Dalipaj, po halucinoni. Nuk ju eshte censuruar ASNJE koment. I vetmi koment i fshire eshte ky ne bashkebisedim me mua ku ju PARALAJMEROJA se komente te ardhshme pa lidhje me temen do te fshihen, sepse kjo hapesire nuk eshte juaja per ta perdorur sipas deshires dhe interesit. Besoj gezoni hapesire mediatike mjaftueshem te beni profetin gjetiu.

      Komenti

    2. Agron, jua tha edhe Elona, ende nuk ju kemi censuruar asgjë. Por do t’jua ndalojmë të komentoni, nëse vazhdoni me argumentin idiot të etimologëve pro-sllavë. Njëlloj mund të argumentoja edhe unë, se pro-sllavi jeni ju, që ua keni bërë njerëzve mendjet lëmsh me rrokjezimet tuaja. Por nuk e bëj, sepse e kam një fije respekti për veten dhe lexuesin.

      Prandaj, MJAFT me këto vigjilenca kinse “patriotike” në faqet e revistës sonë.

      Përndryshe, e kam shpjeguar pse nuk i kam vënë referencat për citimet, sikurse edhe nuk i kam identifikuar autorët me emër: jam marrë me atë gjë, që ju bashkon të gjithëve ju alternativëve – bombastin që jua ushqen padija.

  6. “Folk-etimologjia” është si Mjegullnaja e Andromedës dhe t’i vërsulesh asaj për ta zhbërë, nuk do mund të ketë sukses, sepse si mund të zhbëhet më keq se është një re pluhuri…
    Synimi i atyre që merren me sulme ndaj “folk-etimologjisë” në të vërtetë është të mbrojnë sa mundet pushtetin e absurdit në gjuhësi e në albanologjinë zyrtare. Nuk është rastësi që ka kohë që flitet për rënie të autoritetit të albanologjisë zyrtare dhe këtë nuk e ka shkaktuar turma e folk-etimologëve. Shkencën nuk e bëjnë masat edhe pse PPSH u jepte atyre “rol udhëheqës”. Roli i individit nuk mund të injorohet e është njësoj si të thuash se, edhe po të mos ishte lindur Gjegj Kastrioti, populli do ta përballonte 25 vjet pa Skënderbegun Perandorinë Osmane…
    Të flasësh për një turmë turboetimologësh që kanë dëmtuar reputacionin e autoritetin e shkencës dhe të albanologjisë zyrtare, duket pak si tepër humoristike. Historia nuk njeh shembuj se turma ka ulur dinjitetin e shkencës. Edhe “Revolucioni Kulturor Kinez” u dëshmua një turp dhe nuk është se e mposhti përjetësisht kulturën e vërtetë. Nëse ka sot një turmë turboalbanologësh që sulmojnë shkencën, kjo nuk mund të shkaktojë asnjë turbullirë në qetësinë epikuriane të shkencëtarëve e akademikëve shqiptarë, nëse këta janë të bindur në shkencën e tyre.
    E gjithë zallamahia që bëhet sot me preteksin se turboalbanologjia po masivizohet e po rrëzoka autoritetin e shkencës, fsheh një realitet tjetër që tregon pafuqinë e tij përballë të vërtetës shkencore të lindur në intelektin shqiptar të përjashtuar nga sistemi konvencional i dijes. Imagjinoni dot një sistem arsimor me ministri kulture, arsimi e shkence dhe të mbështetura nga shkolla të të gjitha niveleve e me fakultete e katedra gjuhësie e me akademi e akademikë me tituj të gjatë e gjithë sa rreshtuam të mbështetur nga buxheti i shtetit dhe të gjithë këta të kenë frikë nga tre a katër turboalbanologë të papunë që dalin nëpër ca tv?! Ups! Sikur nuk shkon… Nuk shkon, nuk shkon, por edhe pylli ia ka frikën fijzës së shkrepses së ndezur.
    Le të flasim pa dorashka. Frika ngjallet vetëm kur shfaqet e vërteta e plotë dhe e fortë. Një teori pseudoshkencore ndjen frikë nga e vërteta shkencore. Të vërtetat shkencore nuk friken prej kurrgjëje. Nëse një turmë folk-gjeometrologësh do vinin në dyshim Teoremën e Pitagorës, do i bënte ata qesharakë në sytë e njerëzimit dhe shkenca e gjeometrisë as do merrej me ta.
    Për një moment, unë, siç ju na doni, jam turboetimolog dhe po sjell këtu etimologjinë e fjalës QEN të një kolegut tim dhe ai “turboetimolog” si unë. Miku im B. Balaj, shkruan se te fjala QENI gjuha ka emërtuar funksionin e tij (për të cilin njeriu e ka zbutur dhe e ushqen). Cili është funksioni i qenit që mbajmë në shpi ose i qenit të gjahut? Sigurisht të ndjejë hajdutin ose mikun kur i afrohet shtëpisë dhe të na lajmërojë me lehjet e tij në mënyrë që të lajmërohemi. Ose te qeni i gjahut të ndjejë me anë të nuhatjes e të gjejë gjahun.
    Pra, funksionalisht kemi:
    QENI = QËNI =
    QË NI =
    QË NDI =
    QË NDien.
    Në gegnisht bie shpesh fonema /d/ kur vjen pas një /n/ dhe kemi nd>n, si te [nder > ner].
    Në gegnisht një malsor do thosh se KA NI për KA NDI(en) dhe kështu forma CANIs e latinishtes referon te shqipja KA NIen = ka ndien.
    Në fjalorët etimllogjik të latinishtes për etimologjinë e fjalës cănis shkruhet: “ďorig. indeur.” (shih “il nuovo etimologico” f. 285). Ndërsa në fjalorin e Topallit (FEGS 1211) për etimologjinë e fjalë qen, gjejmë: “mund të jetë huazim nga lat. canis”.
    Në etimologjinë e më sipërme, VETËM SHQIPJA jep një motivim të mbështetur në parimin e funksionalitetit në emërtim. Njëjtë fjala KARREM e shqipes tregon një ushqim që ia vem grepit e me të RREjMë peshkun me e kap dhe kështu KA-RREM tregon se grepi KA diçka t’RREMe = KA+RREM. Porse Çabeji (SE V 56) e sjell si “formë krahinore e emrit [krimb] me kthim -i- > -e-, që mund të jetë veçori dialektore, me forcimin -r- > -rr- për geminacion ekspresiv dhe ndërkalljen e zanores -a-“. Porse karremi nuk mund të jet veç krimb (siç shpreht Çabeji), sepse mund të jetë një insekt, një copë buke, një copë mishi a diçka tjetër.
    Në fund të këtij komenti mund të them se shqipja është E VETMJA që e jep mundësinë e zbërthimit të fjalës në një fjali embriomorfesh që ruan të njëjtin kuptim dhe këtë mundësi e krijon sasia e madhe e embriomorfeve që shqipja posedon dhe gjuhët e tjera i kanë me mungesa të mëdha. Kështu, shqipja ka mbi 370 embriomorfe, italishtja 55 të tilla e greqishtja vetëm 11. Embriomorfet janë “notat muzikore” të pentagramit të gjuhëve e shqipes nuk i mungon asnjëra prej tyre e ndërsa gjuhëve të tjera u mungojnë seicilës mbi 300 embriomorfema. Ndaj një italian, një rus, një gjerman, një anglez, një suedez, një… çdo tjetër që flet një gjuhë i.e. të ndryshme prej shqipes, nuk është në gjendje ta kthejë një fjalë të gjuhës së tij në një fjali embriomorfesh, siç shqipja mundet ta bëjë.
    Studimi i etimologjisë me anë të embriomorfeve kërkon implementimin e teorisë përkatëse në sistemin shkencor arsimor. Përtallja e amatorëve, që merren për qejfin e tyre me etimologji, nuk përbën zgjidhje për ata që i friken kësaj teorie. Përkundër, merrni këdo student ekselent në gjuhësi dhe jepini të zgjidhë një etimologji sipas metodës që ndjek Çabeji dhe shihni se ç’ndodh…
    Shqipja është E VETMJA gjuhë etimologjike mes gjuhëve i.e. dhe është VET QENDRA e tyre.

    1. Kjo qe beni ju eshte voodoo science. Kaq gje edhe ne amatoret kurioze e kuptojme. Meqe flisni per ndjesine ,Fjala Hunde ne shqip si organ i te ndjerit vjen nga indoeuropianshtja qe do te thote qen .Gjermanet edhe sot i thone qenit te gjahut “hunde”.

      The word “hound” comes from the Old English word “hund,” which means “dog” 1. The word “hund” is derived from the Proto-Germanic word “*hundaz,” which also means “dog” 1. The Proto-Germanic word “*hundaz” is derived from the Proto-Indo-European root “*kwon-,” which means “dog” 1. The word “hound” has been used to refer to a dog used for hunting since the 12th century 1.

      *kwon-
      Proto-Indo-European root meaning “dog.”

      It forms all or part of: canaille; canary; canicular; canid; canine; chenille; corgi; cynic; cynical; cynosure; dachshund; hound; kennel; Procyon; quinsy.

      It is the hypothetical source of/evidence for its existence is provided by: Sanskrit svan-, Avestan spa, Greek kyōn, Latin canis, Old English hund, Old High German hunt, Old Irish cu, Welsh ci, Russian sobaka (apparently from an Iranian source such as Median spaka), Armenian shun, Lithuanian šuo “dog.”

      1. Po përpiqem ta shmang diskutimin për etimologji individuale – të cilat tingëllojnë haptazi absurde. Dua të tregoj se ky absurditet i ka rrënjët te metodologjia që kanë zgjedhur të ndjekin, sa e keqe aq edhe e improvizuar. Por edhe te varfëria intelektuale: e keni vënë re sa të mbyllur janë, brenda mureve të spekulimeve të tyre? Kam frikë se kjo është edhe arsyeja kryesore e agresivitetit të tyre ndaj metodës historike-krahasuese: kjo e fundit kërkon kapacitet dhe këmbëngulje në studim, me vite e dekada të tëra. Por sa vjet studim ka kërkuar ajo etimologjia e qenit? Sa shfrytëzim efikas të traditës së deritashme? Sa respekt e mirënjohje për mijëra e mijëra studiues, që i kanë bashkërenduar përpjekjet e tyre, për të ndërtuar pallatin madhështor të gjuhësisë historike?

        1. Etimologjinë e fjalës [qeni] e ka dhënë Butrint Balaj dhe ai është mbështetur në metodën e embriomorfemave.
          Butrinti vjet mbylli si ekselent studimet për master në gjuhësi dhe gjatë kohës që ishte student botoi vëllimin e parë për etimologjinë e gjermanishtes nëpërmjet metodës së embriomorfemave të shqipes dhe së afërmi del edhe vëllimi i dytë.
          Nëse mendoni se Butrinti nuk ka dhënë etimologjinë e saktë për fjalën qeni, ju mund t’ia rrëzoni me anë të metodës krahasuese, porse ju duhet të jepni një variant tjetër e më bindës për etimologjinë e fjalës.
          Në parim ju mbroni etimologjinë me bazë krahasimin dhe këtu jeni te propaganda, nëse nuk bindni me një tjetër etimologji. Nuk futeni në shembuj sepse e ndjeni dështimin. Ndaj për ju është më e lehtë të flisni për turmat, sepse mund të filozofoni pa fund rreth temës, por nuk futeni dot konkretisht në temë.
          Kundërshtia zë vend kur ke një variant më argumentativ. Ju postimin tuaj e nisët me shembuj nga turboetimologë pa emër dhe në koment thoni se nuk doni të futeni te shembujt. Pse kështu?! Apo “dhe më ha dhe më djeg”? Po ndryshoni rregullin e lojës sipas interesit të palës që humbet? Mbase keni nevojë ta rilexoni esenë tuaj për rregallat e lojës e që meritoni adhurimin tim për atë ese të mrekullueshme. Ajo ese më bëri të mendoj se ju z. Vehbiu jeni një filosof i mirfilltë, i këndshëm e modern, porse në çështjet e etimologjisë jeni një konservator tipik dhe edhe në konservatorizmën tuaj nuk jeni përjashtues, përsa jeni i vetmi akademik që e lini derën hapur për të debatuar.
          Nëse për fjalën [qen]i e keni të pamundur ta kundështoni etimologjinë e Butrintit, mund të diskutojmë për ujkun. Edhe ai ka mbetur mister për ju, por jo për metodën e embriomorfemave.
          Efikasiteti i një teorie vërtetohet në praktikë. Praktikisht gjuhësia krahasuese nuk zgjidh etimologjikisht asnjë fjalë. Do presim dhe 1000 vjetë etimologjinë krahasuese apo do përqafojmë një tjetër teori më efikase?
          Kadareja juaj do thosh: “koha thirri në skenë embriomorfologjinë”.

      2. Po fjala hund si motivohet etimologjikisht për ju? Keni një etimologji për të?

  7. Thjjesht nje sqarim ose me mire saktesim , sa here qe meren per diskutim fjale nga fjaloret e gjuheve te tjera (kam parasysh kryesisht nga greqishtja) dhe u gjejne etimologjine ne shqip , duke theksuar me te madhe faktin se per kete fjale fjalori shkruan “ pa etimologji “.
    Fakti qe ne fjaor shkruan “pa etimologji”nuk do te thote qe askush gjer me sot nuk ka mundur ta shpjegoje etimologjine e asaj fjale , por se te gjitha tezat e hedhura dhe shpjegimet etimologjike te deri tanishme pavaresisht se mund te duken si llogjike , nuk i permbushin te gjitha kriteret qe ndjekin shkencat gjuhesore per tu pranuar . Kjo tregon seriozitet shkencor . S’ka asnje ngut e asnje detyrim shkenca serioze pse te pranoje dicka qe nuk permbush kriteret .

    1. Këta që rrëmojnë në fjalorët etimologjikë të gjuhëve të tjera, gjejnë fjalë “pa etimologji” dhe pastaj turren të ofrojnë etimologjitë e tyre, bëjnë një gabim logjik elementar: ato fjalë, siç e thoni edhe ju, kanë mbetur pa etimologji bindëse kur janë shoshitur nga gjuhëtarët me metodën historike-krahasuese, të njëjtët që ua kanë gjetur etimologjitë fjalëve të tjera. Por pseudot nuk e pranojnë fare metodën historike-krahasuese (kryesisht ngaqë nuk e kuptojnë dot), prandaj për ta edhe etimologjitë e fjalëve “me etimologji” do duheshin ribërë, sipas metodës embriomorfematike. Sepse nuk ka kuptim që, brenda së njëjtës gjuhë, disa fjalë të etimologjizohen me metodën standard, ndërsa të tjerat – ato më të vështirat – me metodën Zheji-Dalipaj.

  8. Ne “që rrëmojmë në fjalorët etimologjikë të gjuhëve të tjera, gjejmë fjalë pa etimologji e turremi t’u bëjmë etimologji”, – thoni ju për ne turboetimologët. Po. Është e vërtetë se gjejmë fjalë pa etimologji në gjuhët e tjera, sepse të gjitha fjalët e tyre janë krejt pa etimologji.
    Z. Vehbiu, merrni mundimin dhe hapni nonjë fjalor etimologjik dhe do shihni edhe vetë se të gjitha fjalët e tyre janë pa etimologji. Gjuhësia krahasuese nuk e zbërthen morfemën në kuptimet përbërëse dhe ndaj nuk arrin asnjë rezultat. Me sa shoh, ju do harxhoni kohën tuaj për të arritur atë çka ju them paraprakisht.
    Etimologjia quhet e përfunduar kur morfema zbërthehet në një fjali embriomorfesh, ku seicila nga këto të fundit ka minimalisht një kuptim. Ndaj morfema GJURM/a,~ë vjen nga embriomorfet GJë UL Ma – gja e ulët ma, ose GJ YR MA. Shihni gjurmën e këmbës në borë, rëre a dhe të shkrifët, a nuk është GJURMA një GJ’UL’MA = GJë e UL MA? A nuk mjafton metafonientizmi r:l për t’i dhënë kuptim fjalës e për ta kthyer në një fjali embriomorfesh që ruan të njëjtin kuptim? Ekeni vështirë ta kuptoni? Apo e kuotoni mirë, por e keni të vështirë ta pranoni. Ndryshojmë vetëm në një pikë të rëndësishme: ju e shihni morfemën klasike si një kuptimshe e të pandashme, ndërsa unë e shoh përgjithësisht si një koncept gjuhësor të zbërthyeshëm edhe më në kuptime të tjera.
    Pse vonoheni për ta parë morfemën si koncept? Shqipja është e vetmja që thyen morfemën në kuptime të tjera e kjo nuk ndodh në gjuhët e tjera pa pranuar se të gjitha fjalët e gjuhëve i.e. janë krijuar nga tabela unike e embriomorfeve të shqipes.
    Rregullat që kanë vënë në studimin e origjinës së fjalës nuk vlejnë për shqipen. Nuk mund të pranohet se morfema është monosemantike, kur ajo në shqip ndahet në disa semema e shfaqet si një kompozitë embriomorfemash.
    Embriomorfema ekziston pamvarsisht se zyrtarisht nuk pranohet. Të mohosh diçka që ekziston realisht në gjuhën (tabelën e embriomorfemave) shqipe dhe ta vazhdosh ta kërkosh etimologjinë e fjalës te krahasimi me një fjalë tjetër, kur ekziston mundësia për ta zbërthyer fjalën në kuptime të tjera minimale dhe shqipja e ofron këtë, është si të mohosh rolin e diellit në krijimin e jetës në tokë. Nihilizmi i argumentit faktues, e bën shkencën që ju pretendoni një pseudoshkencë.

  9. Ishte një si histori-barcaletë, që e mbaj mënd të treguar në Atdhe. Dikush i shtruar në spitalin psikiatrik, i kërkonte personelit për ta nxjerrë prej “manicomio-s”(çmendina) sepse ishte në rregull nga trutë, dhe e quanin pa të drejtë të luajtur.

    Ndërkohë, mjekët dhe personeli, kishte vërejtur, që ky i tredhuri nga trutë, bënte paradë përditë “qënin e tij”, tërhiqte prej rripi/litari një copë dru të veshur me një robë, me të cilin fliste dhe e thërriste “bubi”: hajde bubi, ec bubi, etj. Njerëzit e pyesnin çfarë është kjo gjë, që ti e thërret gjithmonë “bubi”. Ai i kthehej: “Nuk e sheh, që është një qen bukurosh, bubi im”. Kjo histori vazhdonte përditë, e mjekët e kishin paralajmëruar, se për aq kohë sa copës së drurit do t’i thërriste “bubi”, nuk kishte shanse të dilte prej andej.

    Kjo histori vazhdoi edhe ca, pavarsisht se po i kushtonte pacientit lirinë, të qënurit larg hekurave të psikiatrisë. Një ditë prej ditësh, pacienti papritur, kur e pyetën çfarë ishte ajo gjë që terhiqte pas, iu përgjegj: një copë dru, e nuk e thërriste më “bubi”. Sillej mirë, e vazhdonte të tërhiqte copën e drurit, por pa u bërë pre e provokimeve të personelit, e kur pyetej përgjigjej në mënyrë konsekuente e saktë: një copë dru.

    Më në fund, u vendos ta nxirrnin për ca kohë nga hekurat e spitalit. E doktori përgjegjës, pasi u bind prej përgjigjeve korrekte të pacientit për copën e drurit, e la hë për hë të lirë.

    Në dalje, u dëgjua zëri i ngazëlluar i të sëmurit mendor, tashmë triumfues tek tërhiqte copën e drurit: – “Hajde bubi se ia hodhëm doktorit!”

    Kësaj punë sidoqoftë si gjendet dermani. Në shqip ka një shprehje kur je para një situatë absurde: “duhet të kesh nerva prej gomari”, të hysh në shkëmbime të tilla, siç është rasti i një të lojturi. E në fund të fundit, asnjë argument nuk fiton mbi variantet e ndryshme të “logic fallacies”, që mund t’i diktosh të kamufluara qoftë edhe në një pasazh, apo koment.

    https://kspope.com/fallacies/fallacies.php

  10. Z. Artan Kafexhiu, mund t’i kishit rënë shkurt e të më quanit direkt të çmendur.
    Është shumë bajate të tregosh një anektodë që e dinë të gjithë. Barcaletat hyjnë në punë kur bashkëbiseduesi nuk ka ç’ti shtojë debatit që bëjnë të tjerët. Po të heshtje, do ishit më i nderuar.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin