DY PIKAT MBI <ë>

Bardhyl Demiraj

Lëvrimi i shqipes me alfabet latin njihet në historiografinë e kulturës shqiptare si tradita më e hershme e shkrimit shqip, e cila, falë vendimeve të tubimit të parë albanologjik në hapësirën kompakte shqipfolëse (Manastir, nëntor 1908), gëzon prej më se një shekulli statusin e simboleve mbarëkombëtare shqiptare. Një kolorit gjithëshqiptar i përcjellin Alfabetit të Manastirit sidomos dy pikat (= trema <¨>) si karaktere grafike që rrekemi sot e gjithë ditën – sigurisht jo pa lodhje e mëdyshje – t’i vendosim në mënyrë korrekte për të sendërtuar grafikisht zanoren qendrore <ë> (= /ë/ = [ə]) të toskërishtes, e si të tillë edhe të shqipes standarde, apo të ashtuquajturën “e të pazanë” të gegënishtes. Janë pikërisht këto dy pika, që gjëllijnë në gjuhën e shkruar me një denduri aq të lartë e në çdo pozicion, çka parakupton gjithherë përqendrim të plotë për të shkruar bukur e pastër. Të gjithë jemi më se të ndërgjegjshëm për faktin se sa shumë mund të na kushtojë zvjerdhja sadopak e vëmendjes, kur duam të hedhim në letër një mendim shqip; dhe është paradoks i fatit, që bash në kushtet e sotme të teknikës kompjuterike, pak gjë e ka përmirësuar gjendjen në këtë pikë, thënë më saktë: në këto dy pika.

Po ta gjykojmë pozitivisht këtë rrethanë, nuk bëjmë gjë tjetër veçse i mëshojmë fort faktit, e në bashkëlidhje me të edhe fatit, se përgjatë rrjedhës normale të një dite akademike duhet të sjellim shpesh ndër mend – jo rrallë edhe nëpër dhëmbë – emrin e arbëreshit zulmëmadh Jeronim De Rada për njërën ndër gjetjet e tij grafike, së cilës kongresistët e Manastirit nuk munguan atëbotë t’i bënin vend në kodin e ri alfabetik, duke përjetësuar kështu edhe botën arbëreshe në matriksin e simboleve kombëtare të kulturës etnike gjithëshqiptare, shi duke huazuar prej kodit të tij alfabetik shkronjën zanore <ë> me ato dy pikat sipër.

At Gjergj Guxeta (23.4.1682 – 21.11.1756)

Zhvillimet e fundit në filologjinë arbëreshe kanë bërë gjithashtu të mundur, të qëmtohen në retrospektivë tëbanat kryesore, ku ka baritur dikur kjo grafi fatlume në viset arbëreshe, madje ndërkohë është vatërzuar edhe gurra e saj zanafillëse.[1] Është fjala këtu për vepërzën e mbetur në dorëshkrim qysh prej gjysmës së parë të shek. 18-të e me autor apostullin e arbëreshëve të Sicilisë, Àt Gjergj Guxetën (= Padre Giorgio Guzzetta), një vepër kjo që përjetoi para do vitesh dritën e botimit në italisht, duke u bërë kështu pronë e një rrethi të gjerë lexuesish dhe specialistësh të fushës.[2]

Objekt i këtij shkrimi është kreu i tretë i kësaj vepre me titull “La lingua degli Albanesi”, në të cilin Guxeta pjesëmerr në debatin e rretheve intelektuale të kohës mbi natyrën dhe origjinën e shqipes, e në bashkëlidhje me të, nuk mungon të nxisë edhe një debat të ri intelektual me shqipshkruesit bashkëkohës lidhur me kodin alfabetik të shqipes së shkruar atëbotë si edhe mbi përmirësimet që mund dhe duheshin ndërmarrë në të.

  1. Origjina e shqipes dhe veçoritë e saj gjuhë e lashtë ballkanike

Sa i përket qerthullit tematik mbi natyrën e shqipes dhe origjinën e saj, lejohem të përmbledh shkurt, se si apostulli ynë përdor argumentin e mirëfilltë gjuhësor, duke syzuar njëherësh mëvetësinë e kësaj gjuhe kundrejt gjuhëve fqinjë si ilirishtja (= sllavishtja), turqishtja dhe greqishtja. Sipas tij:

“Së fundi, për këtë gjuhë mbetet për të hulumtuar nëse është e vetë popullit shqiptar, apo është e varur dhe e përftuar nga ndonjë tjetër. Në të vërtetë shumë vetë e konsiderojnë atë greke; disa e imagjinojnë atë ilirike [= sllave], të tjerë turke. Por në të vërtetë, pasi u bë një krahasim midis tingujve të këtyre gjuhëve, u zbulua se asnjëra prej këtyre dy gjuhëve nuk përputhet me gjuhën shqipe; po të merreshin disa fjalë të greqishtes dhe të një ose dy gjuhëve të tjera, do të kuptohej se, cilat janë ato që falë bashkëjetesës së gjatë të shqiptarëve me ato popullsi fqinje kanë mundur të depërtojnë në gjuhën shqipe.”

Në të njëjtin përfundim arrin Guxeta edhe gjatë përqasjes së strukturës gramatikore të shqipes me latinishten, duke nxjerrë në pah ndër të tjera dallimet e thella gramatikore dhe fonetike ndërmjet këtyre dy gjuhëve, khs.:

“Do të them diçka të re, që do të ngjallë me lehtësi habinë e të gjithëve. Marin Barleci i Shkodrës, shqiptar nga origjina dhe nga gjuha, në Historinë e Skënderbeut mendon që ajo të jetë gjuha latine, kaluar nga italikët tek epirotët. Nga njëra anë bukur shumë njësi latine, që rrjedhin prej latinëve, e të cilat gëlojnë në sasi të mëdha në gjuhën shqipe, të paktën të bindin se nuk jemi larg së vërtetës, edhe pse jo të gjitha ruajnë kuptimin zanafillës të fjalëve latine, ndërsa të tjera zotërojnë një [kuptim] dytësor, vetëm të përafërt në atë gjuhë. Megjithëse jo krejtësisht, fjalët anase tregojnë në mënyrë të mjaftueshme, se sa më shumë të jenë të përshtatur në këtë gjuhë [huazimet], aq më shumë ndryshojnë ato nga gjegjëset [burimore] latine; eptimet, sikurse ai i  emrave ashtu edhe i foljeve, janë kaq të veçanta për këtë gjuhë, sa që nuk i përshtaten asnjë idiome tjetër…”

Asgjëmangut Guxeta është më se i vetëdijshëm që leksiku i shqipes ngërthen në vetvete një përbërëse të fuqishme latine, andaj nuk mungon të mëtojë – ndoshta me të drejtë – se shqipja moderne përfaqëson në vetvete një ngjizje të elementit latin me leksikun anas dhe strukturën gramatikore të shqipes së lashtë, të cilën ai – në përputhje me konceptin e tij mbi mjedisin gjuhësor në Ballkanin antik – e njëson me maqedonishten e antikitetit. Kështu:

“Duke qenë situata e tillë, që një varietet shumë i madh fjalësh, qofshin ato latine, apo barbare, me të cilat është e pasur gjuha e sotme anase e shqiptarëve, ajo vijoi të kompozohej [deri] në një pikë të tillë, saqë ne mund të themi sot se ajo nuk është aspak latine, por një përzierje e latinishtes me maqedonishten antike.”

Kjo paraqitje e thukët e përfundimeve të Guxetës lidhur me origjinën e shqipes bashkëkohore, veçoritë e strukturës së saj fonetike dhe gramatikore si edhe komponentët përbërës në fondin e saj leksikor na lejon tashmë të përcjellim me saktësi, qoftë edhe një pjesë të përmirësimeve që ndërmerr apostulli ynë në kodin alfabetik të shqipes letrare të kohës, i cili përfaqësohej atëbotë me të ashtuquajturin “Alfabet të Propagandës” ase ai i autorëve të vjetër të Veriut.

II. Trema <¨> si gjetje grafike dhe sfondi i saj historik-kulturor

Ndryshe nga “maqedonasit modernë”, siç i emërton Guxeta lëvruesit e shkrimit shqip në arealin kulturor të Veriut katolik, të cilët, sipas tij: “duke ndjekur traditën e shkrimit galik [= francez], i shkruajnë fjalët në mënyrë të ndryshme nga sa i shqiptojnë”, Guxeta sheston përmirësime thelbësore në kodin grafik të shqipes me bazë alfabetin latin, i cili do të sendërtonte atëbotë një bashkëpërkim të plotë ndërmjet shqipes së shkruar dhe asaj të folur. Kështu, sipas tij:

“Si rrjedhim, janë për t´u lavdëruar maqedonasit modernë [= shqiptarët e sotëm], që, të mësuar mirë në shkronjat latine në Kolegjin e Propaganda Fide-s, morën nismën të shkruajnë në këtë gjuhë libra të devotshëm për t´u përdorur nga populli i tyre dhe për t´i botuar ata në kohën tonë me shkronjat tipografike (të njohura)…

Por duke lexuar këta libra më shqetëson jo pak fakti që ata, duke ndjekur përdorimin e shkrimit galik, i shkruajnë fjalët ndryshe nga mënyra se si i shqiptojnë. […] Prandaj unë, që të mund të shkruaj në këtë gjuhë me më shumë kujdes dhe  zhdërvjelltësi (sikurse do të veproj), do të përdor në të njëjtën mënyrë shkronjat latine dhe, kur këto do të mungojnë, nuk jam aq besëtytë sa të trembem për t´i plotësuar ato me shkronja greke dhe do të përpiqem t´ia përshtat shkrimin shqiptimit korrekt në gjithçka.”

Vendosja e raportit 1 x 1 në bashkëlidhjen grafemë ~ fon ~ fonemë (= shkronjë ~ tingull me funksion kuptimdallues), për të cilin këmbëngul Guxeta në vepërzën e tij, na kujton pikërisht platformën, ku zuri rrënjë Alfabeti ynë i Manastirit e që jemi mësuar ta quajmë sot si mbështetje në ‘parimin fonetik/fonologjik’, ku çdo fjalë shkruhet siç shqiptohet.

Zbatimin me rreptësi të këtij kriteri metodik e sendërton bindshëm, ndër të tjera, edhe përdorimi i tremës <¨> si mjet grafik që lejon Guxetën të dallojë një tingull zanor që është karakteristik vetëm për shqipen, siç del edhe në paragrafin që vijon:

“Të gjitha zanoret janë [të natyrës] latine dhe është karakteristik për këtë gjuhë fakti që shpesh zanoret përftohen me hundë dhe mbyllje të gojës për të realizuar një tingull që është diku në mes, ndërmjet [e]-së dhe [i]-së, sikurse francezët duket të shqiptojnë <e>-në fundore, duke e rrëgjuar atë në zgavrën e gojës (duke e ndërprerë emetimin e tingullit). Me vështirësi përsias që të jetë shqiptuar [kështu] në kohën antike <η>-ja greke, të cilën tashmë disa priren ta shqiptojnë si [e] e të tjerë si [i]; unë do të shënjoj me dy pika ose me theks lakor zanoret e këtij tipi që duhen shqiptuar me hundë.”

Një lexim sado i përciptë i pasazhit të mësipërm na orienton drejt izolimit të zanores <ë> (= [ə]) që sot jemi mësuar ta vendosim në qendër të trekëndëshit akustik të zanoreve të shqipes, por që Guxeta, si i pari në kohën e vet, e percepton si zanore sigurisht të rrëgjuar, por të përparme. Vëzhgimi i tij plotësues, që ky tingull zanor, të cilin ai preferon ta dallojë grafikisht ose me tremë, ose me një theks lakor mbi shkronjën zanore përkatëse, nuk e mëdysh aspak bindjen tonë, që këtu kemi të bëjmë pikërisht me zanoren e ashtuquajtur qendrore /ë/ (= [ə] = <ë>) të toskërishtes në përgjithësi, realizimi fonetik i së cilës sot e gjithë ditën ngërthen një spektër shumë më të gjerë së fonemat e tjera zanore të këtij dialekti.

Gjithsesi Guxeta nuk është as i pari dhe as i fundit që i  njeh nyjëtimit të zanores qendrore të Horës së Arbëreshëve të Sicilisë një timbër hundor. Mjafton të sjellim për këtë në analizë përshkrimin që i bëri realizimit të kësaj zanoreje rreth një shekull e gjysmë më parë Lekë Matrënga (1492), të cilin Guxeta me sa duket nuk e ka njohur, dhe sipas të cilit kjo zanore nyjëtohet po “me hundë”[3]. Të njëjtat veçori fonetike i njeh kësaj zanoreje më shumë se dy shekuj pas Àt Guxetës edhe Antonino Guxeta (= Antonino Guzzetta 1978 61), kur përshkruan sistemin fonetik të së folmes së Horës.[4]

Zgjidhja e këtij problemi – thënë ndryshe pseudo-problemi – rreth hundorësisë së tingullit të rrëgjuar zanor në të folmen e Horës na lejon tani t’i drejtohemi një pyetjeje ndoshta më të vështirë që përcjell pasazhi i mësipërm, ku Guxeta përdor numrin shumës kur shkruan se “… është karakteristik për këtë gjuhë fakti që shpesh zanoret përftohen me hundë e mbyllje të gojës për të realizuar një tingull që është diku në mes, ndërmjet <e>-së dhe <i>-së.” Kjo pyetje merr formë të plotë, kur lexojmë listën e një numri njësish leksikore me burim latin dhe roman, të cilat Guxeta ia bashkon si shtojcë kreut të tretë, për të dëshmuar ndër të tjera edhe ndikimin e fuqishëm të kësaj gjuhe në formësimin e shqipes moderne. Në inventarin e kësaj liste feksin dy pikat që Guxeta i vendos jo vetëm mbi shkronjën zanore <e>, por (më rrallë) edhe mbi gjegjësen <a> dhe në një rast edhe mbi shkronjën <u> dhe <o>[5], khs.:

Significationes Nomina     Unde derivant  
Proprire    [shq. Standarde]
Labra Buzë = buzë Basio, et basiando
Braccio Lörë = llërë Lorum a tegumento
Vento Eerë = erë Aer
Està Veerë = verë Ver
Argento Rghënt = (a)rgjënd Argentum
Anello Unazë = unazë Unio
Gamba Kämbë = këmbë      
Dolce Ämblë = ëmbël Ital: Amabile
Madre Mämë, Äm = mëmë, ëmë Mamma
Così Küsctu = kështu Ital. Questo

Përse kjo procedurë? Një përgjigje paraprake e qëmtojmë në vetë pasazhin në fjalë, ku Guxeta thekson se është fjala për një tingull të vetëm që shqiptohet i rrëgjuar dhe hundor, gjë që na nxit të deduktojmë si zgjidhje alternative mendimin se Guxeta është më se i ndërgjegjshëm për atë dukuri që përjetoi në kohë dhe hapësirë sistemi i zanoreve të shqipes, të cilin jemi mësuar ta quajmë shpesh si qendërzim të zanoreve. Këtë zgjidhje që e përsiasim paraprakisht si alternative e përforcon më tej një tjetër pasazh, ku Guxeta përshkruan fatin e huazimeve latine në shqipe, duke shkruar se:

“Gjithë vështirësia për të kuptuar, duke dëgjuar, i detyrohet ose ashpërsisë së latinishtes primitive, ose, sidomos, shqiptimit jo-korrekt [të latinizmave] prej këtij populli [= maqedonas, shqiptar]. Sepse shqiptarët, veçanërisht në shqiptimin e fjalëve latine, i rrëgjojnë thuajse të gjitha zanoret [e patheksuara] e për rrjedhojë fjalët shqipe janë përgjithësisht njërrokëshe dhe, nëse ruajnë ndonjë prej tyre, ose e shqiptojnë hundore, ose e shndërrojnë në një tingull tjetër; shpesh cungojnë edhe rrokje të tëra, sidomos ato fundoret; shurdhojnë disa nga bashkëtingëlloret duke i shndërruar ato në të tjera të ngjashme ose anasjelltas.”

Zgjidhja paraprake e kësaj çështjeje tani – pas leximit dhe interpretimit të mirëfilltë të këtij pasazhi të dytë (shih edhe shën. 3) – mund të quhet bindëse, në rast se përsiasim edhe një kriter të dytë metodik, që duhet të ketë orientuar Guxetën për të ndërmarrë përmirësimet në kodin alfabetik të shqipes dhe drejtshkrimin e saj. Është pikërisht parimi i ashtuquajtur historik apo etimologjik, që do të ndërgjegjësonte për gurrën e leksikut të shqipes bashkëkohore jo vetëm eruditët latin(ist)ë por çdokënd që do të shkruante dhe lexonte shqip.

“…jo ndryshe nga gjuha italiane, galike, spanjolle, të prejardhura nga gjuha latine me variante të ngjashme, me të cilat gjuha shqipe nganjëherë bashkëpërkon, kështu që të jep përshtypjen se përmban fjalë të tëra, që mund të thuhej se janë marrë nga italikët, nga galët, nga spanjollët. Si rrjedhim nuk do të ishte e vështirë të besohej që këta popuj, të ardhur dikur në Shqipëri, siç thamë, do të kenë lënë aty gjurmët e gjuhës së tyre. Për më tepër, këtë çështje do ta qartësojë tabela e vënë në shtojcë [sh. më lart], në të cilën vëmë përballë fjalët shqipe, disa nga shumë sosh, me ato latine e italiane, dhe me pak fjalë galike e spanjolle në mënyrë që secili ta shohë me sytë e vet veçorinë.”

III. Facit

Kjo zgjidhje alternative që urojmë dhe shpresojmë të përkojë në një mënyrë a një tjetër me vetë përsiatjet e dikurshme të apostullit albanolog si edhe me ndërmarrjet e tij konkrete për të përmirësuar kodin alfabetik dhe drejtshkrimin e shqipes së kohës, ndesh një rrethanë paralele në kohën tonë, ku vendosja korrekte e dy pikave mbi <ë> ndërthur – sa bindshëm aq edhe mundimshëm – dy parime metodike deri diku kundërvënëse në paketën e rregullave drejtshkrimit të shqipes standarde: parimin fonetik me atë historik/etimologjik. A do të vazhdojmë edhe nesër kështu, duke vijuar traditën shqiptare-arbëreshe, apo do ta risojmë më tej këtë traditë, duke mënjanuar do <-ë> relike fundore? Ky qerthull problematik mund dhe duhet të ngërthehet në debatin bashkëkohor që mëton të zhvillojë Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe.

(c) 2022 Bardhyl Demiraj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Bibliografi e përzgjedhur

Altimari, Francesco: Il movimento culturale della Rilindja e il Collegio di S. Adriano nella prima metà del secolo XIX, nr. 11 i serisë “Quaderni di Zjarri” 11 [1984]. Cosenza

Belluscio, Giovanni M. G.: Un primo esperimento per la definicione elettroacustica del vocalismo di Hora e Arbëreshëvet (PA), në: „Studi in onore di Antonino Guzzetta” (bot. F. Di Miceli – M. Mandalà), Palermo 2002, f. 51-62

Blanchus, Franciscus (= Frang Bardhi): Dictionarum latino-epiroticum, Romæ 1635

Çabej, Eqrem: Italo-albanische Studien, Dissertation zur Erlangung des Doktorgrades an der Universität Wien (drsh. 145 f.)

Demiraj, Bardhyl: Sprovë për një lexim kritik të materialit gjuhësor në veprën e Angelo Masci-t, në: „Studi in onore di Antonino Guzzetta” (bot. F. Di Miceli – M. Mandalà), Palermo 2002, S. 115-131

– Giorgio Guzzetta e le origini della filologia italo-albanese, në: “International Journal of Diachronic Linguistics and Linguistic Reconstruction” 4 [2007] 63-81.

– Aspekte të mendimit intelektual shqiptar në shek. e 18-të. Atë Gjergj Guxeta dhe vendi i tij në historinë e albanologjisë, në: “Hylli i Dritës” 3 [2007] 9-37

Guzzetta, Giorgio: L’osservanza del rito preso gli Albanesi d’Ittalia perché giovino a se stessi e a tutta la Chiesa (= titulli i origjinalit në dorëshkrim: De Albanesium Italiæ ritibus excolendis ut sibi totique S. Ecclesiae prosint), Palermo 2007.

Mandalà, Matteo (= Mateo Mandala): Luca Matranga, E Mbsuame e krështerë (a cura di Matteo Mandalà), në serinë: “Albanica”, nr. 21, Caltanissetta 2004

–  Vepra e pabotuar e At Gjergj Guxetës dhe fillimet e albanologjisë në shek. XVIII, në: “Studime Filologjike” 1-2 [2006] 11-41

Masci, Angelo: Discorso sull’origine, costumi, e stato attuale della nazione albanese, Napoli 1807.

Petrotta, Gaetano: Studi di storia della letteratura albanese. Popolo lingua e letteratura albanese, Palermo 1931


[1] Mandalà 2006.

[2] Guzzetta 2007

[3] “Secondariamente ho provisto a una gran difficoltà che hano i greci albanesi in proferire un certo sono, che quasi occorre in ogni ditione et per esser di tutto apieno informata Vostra Signoria Illustrissima saperà che l’Albanesi quasi a ogni parolo hano un certo sono che si fa col naso, e pur non è ordinariamente vocale particolare cioè A, o, e u, ma alle volte solamente un sono che si fa, come ho detto, col naso. Onde ho fatto per segno quando occorre tal sono, o vocale proferita col naso, un a dittongo. Questo bene intenderanno con questa instruttione gl’Albanesi se bene sarra difficile agl’altri finche con la pratica impareranno la pronuntia.” (Matranga 1592 – Drsh. 1, hyrje).

[4] Çabej (1935 74 v.) nuk i njeh kësaj zanoreje një timbër hundor. Megjithatë e karakterizon nyjëtimin e saj si një një zanore me “i-Basis”. Shih më hollësisht për historikun e studimit Belluscio 2002 51 vv.

[5] Përqasja e listës së fjalëve shqipe me njësitë burimore përkatëse për nga perspektiva e paraqitjes grafike lejon të vendosen pak a shumë këto marrëdhënie distribucionale: grafitë shqipe <ä> dhe <ü> u përgjigjen në çdo rast grafive <a> përkatësisht <u> në njësitë leksikore të gjuhës dhënëse. Përndryshe grafia <ë> i përgjigjet ose grafisë <e> ose mungesës së një grafie zanore në gjuhën dhënëse.


Kopertina: Komisioni i alfabetit (Kongresi i Manastirit, 1908)

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin