DIJA HISTORIKE, HISTORIA E DIJES

Në 1610 Galileu botoi një libër ku njoftonte se e kish drejtuar teleskopin nga Jupiteri dhe kish parë që ai planet kish katër satelitë (“hëna”).

Disa nga kolegët e tij të shquar nuk e pritën mirë këtë zbulim. Francis Bacon argumentoi aso kohe se çfarë kish parë Galileu nuk mund të kishin qenë satelitë; meqë kozmosi dihej se kish shtatë “planetë” (në kuptimin trupa qiellorë: Dielli dhe Hëna, Merkuri, Venusi, Marsi, Jupiteri dhe Saturni); me gjithë satelitët që kish parë Galileu, numri do të rritej në njëmbëdhjetë.

Dhe ja si e mbështeti Bacon-i argumentin e tij:

Gjallesave u janë dhënë shtatë dritare në shtëpinë e kokës, mes të cilave ajri hyn në tabernakulin e trupit, për ta ndriçuar, ngrohur dhe ushqyer. Dhe këto pjesë të mikrokozmosit janë: dy flegrat e hundës, dy sytë, dy veshët dhe goja. Ashtu edhe në qiell, që është makrokozmos, ka dy yje të favorshme, dy të pafavorshme, dy që lëshojnë dritë dhe Merkuri, i pavendosur dhe indiferent. Që këtej dhe në bazë të shumë ngjashmërive të tjera në natyrë, të tilla si shtatë metalet etj., të cilat do të ishte e mërzitshme që t’i rreshtoja këtu, nxjerrim përfundimin se numri i planetëve është detyrimisht shtatë.

Robert M. Martin, nga i cili e kam marrë këtë shembull, pyet: po sikur të kishim tre flegra në hundë, a do të kishte tetë planetë?

Në fakt, përshtypja e parë që marrim nga argumenti i Bacon-it është se ky po thotë budallallëqe – mirëpo mjafton pastaj një vështrim në biografinë e tij, për të kuptuar se kemi të bëjmë me një nga mendjet më të shquara të kohës.

Të tjerë prej nesh, më të dijshëm, do të vërejnë se gabimi i Bacon-it lidhet me metodën shkencore, ose kriterin e së vërtetës: Bacon-i procedonte në mënyrë analogjike dhe deduktive (edhe fytyra edhe planetet i binden së njëjtës domosdoshmërie numerike bazë), ndërsa Galileu po përdorte metodën eksperimentale.

Me fjalë të tjera, nëse Bacon-i “e dinte” sa sa planetë duhej të kishte, Galileu parapëlqeu të kontrollonte me teleskop për të parë sa kishte.

Nga ana tjetër, në një kuptim Bacon-i kishte të drejtë – Jupiteri nuk ka katër satelitë, por 67 (të paktën kaq ia kanë numëruar deri më sot). Teorikisht, numri i satelitëve të një planeti nuk mund të përcaktohet me saktësi – sepse varet nga parametrat fillestarë të kërkimit: pohim që vlen edhe për satelitët natyrorë të Tokës.

Ndryshimi themelor – ku bazohet edhe ngrehina e shkencës moderne – është se Bacon-i e dinte se sa duhej të ishte numri i “planetëve”; ndërsa Galileu thjesht numëroi planetët që pa.

Që nuk mund ta hedhim kaq lehtë në shportë modelin deduktiv të Bacon-it, këtë e dëshmon, mes të tjerash, teoria kozmologjike e Kepler-it, një tjetër i madh i atyre kohëve. Sipas këtij astronomi, struktura e universit diktohet nga pesë polihedrët e rregullt pitagoreanë, të cilët pasqyrojnë planin e Zotit përmes gjeometrisë.

Teoria e Kepler-it mbahet si zhvillim dhe modernizim i teorisë së Kopernikut; pa çka se pesë polihedrët pitagoreanë nuk kanë ndonjë lidhje specifike me strukturën e sistemit diellor. Argumenti i Bacon-it se numri i planetëve nuk mund të jetë i ndryshëm nga shtatë, ngaqë shtatë janë edhe dritaret e kokës, i përket së njëjtës kategori me këtë të Keplerit, për pesë polihedrët.

Edhe Koperniku ka pasë shpjeguar, në kohën e vet, se trupat qiellorë sferikë, si planetët, duhej të lëviznin në formë rrethore – meqë lëvizja e një trupi (orbita, në këtë rast) duhej t’i ngjante formës së tij (deduksion, analogji).

Prandaj edhe gabimet e këtyre dijetarëve, për ne të sotmit, janë sa të çuditshme aq edhe spektakulare; në një kohë që gabimet e të tjerëve, si ato të Galileut, na duken më të ngjashme me ato tonat; dhe i pranojmë si të pashmangshme dhe të varura nga kushtet e vrojtimit ose të eksperimentit, ose si pjesë e procesit të njohjes.

(Çfarë nuk ka të bëjë me faktin, sa për të sjellë një shembull, se polihedrët e rregullt i ndesh rëndom në natyrë, që nga viruset dhe kristalografia deri te modelet klimatologjike.)

Në të njëjtën mënyrë, mjekësia tradicionale kineze flet për “pesë organe të brendshme”, numri i të cilave pasqyron konceptin e pesë elementeve: druri, zjarri, dheu, metali dhe uji (një skemë konceptuale që dija kineze e gjente në ciklet kozmike, në histori dhe në vetitë e barnave mjekësore – mes të tjerash). Kinezët tradicionalisht e përshkruanin trupin e njeriut së brendshmi njëlloj siç përshkruanin dijetarët në Mesjetë kozmosin: nëpërmjet deduksioneve, analogjive dhe skemave kozmologjike – askujt nuk i shkonte mendja të përdorte të dhëna nga vëzhgimet autoptike dhe, aq më pak, kirurgjikale.

Tregojnë se kur holandezët ranë në kontakt me kulturën japoneze në Dejima dhe dijetarë nga Vendet e Ulëta patën mundësi të shkëmbenin njohuri dhe pikëpamje me kolegët e tyre në Lindjen e Largme (shih rangaku), të dyja palët konstatuan se kishin përfytyrime krejt të ndryshme për organet e trupit të njeriut. Megjithatë, të dishmit japonezë u detyruan më në fund të pranojnë se “teorive” të europianëve u përgjigjej realiteti; dhe se ato funksiononin më mirë në praktikë.

Ejani, shihni dhe numërojini vetë “planetët” e rinj, thoshte Galileu. Duket sikur më thjesht se kaq nuk bëhet – por kjo dukje i bën pastaj kolegët dhe kundërshtarët e Galileut të duken pak të rënduar nga trutë.

Ç’lidhje ka numri i trupave qiellorë ose numri i polihedrave pitagoreanë me numrin e vrimave në kokë? Po numri i stinëve (të kalendarit kinez) me numrin e organeve të brendshme?

Epo, do të thotë matematikani, lidhja është njëlloj e thjeshtë: në të gjitha rastet është fjala për numra.

Pastaj, kur ne shohim qiellin natën me sy të lirë në drejtim të Jupiterit, shquajmë veç planetin; ndërsa po të vëmë syrin te teleskopi i Galileut, do të dallojmë edhe katër satelitët e mëdhenj. Me optikë tjetër, më të sofistikuar, do të gjejmë edhe satelitë të tjerë: 67 deri më sot.

Bacon-i thoshte se nuk mund të kishte më shumë se shtatë trupa qiellorë; ne sot ende diskutojmë sa planete ka sistemi diellor (është apo nuk është i tillë Plutoni? po të ashtuquajturit planetë trans-plutonikë? po asteroidi Ceres?), por të paktën kemi pranuar se ky numër është i rastit, nuk i bindet ndonjë ligjësie ose rregullsie deduktive.

Kinezët, nga ana e tyre, lodhen së shpjeguari se pesë “organet” e mjekësisë tradicionale kineze nuk kanë drejtpërdrejt lidhje me ato sende që shohim, kur i bëjmë njeriut autopsinë – është fjala më tepër për “rrjete organesh”, ose sisteme që funksionojnë me pjesët që komunikojnë mes tyre.

Por edhe këtu, gabimi nuk është te numri i organeve të brendshme – kushedi nesër fiziologët mund të vendosin se, bie fjala, edhe pleksusi solar është organ më vete (siç e kanë shpjeguar me kohë indianët), njëlloj si shpretka ose fshikëza e tëmthit. Rëndësi ka që, për ne sot, numri i këtyre organeve nuk është i përcaktuar “nga lart”, as i deduktuar nga ndonjë pushtet teorik ose teologjik.

Në një kuptim, ky “progres” i dijes moderne ka ndodhur jo vetëm duke iu larguar gjeometrisë së kulluar (çka lidhet edhe me shpikjen e kalkulusit); por edhe duke rehabilituar gabimin, si pjesë sado të vogël të së vërtetës.

Ngjashëm, shumë e njohin Ptolemeun si një nga “të mëdhenjtë” e dijes klasike; ca më pak, si kanonizuesin e modelit gjeocentrik të universit: ai që e vendoste Tokën në qendër. Thelbi i këtij modeli, siç parashtrohet në veprën Almagest, është se gjithçka në kozmos rrotullohet rreth Tokës, duke filluar nga Dielli e Hëna, pastaj planetët dhe më në fund yjet. Modeli njihej edhe më parë, por Ptolemeu e formalizoi dhe i dha një përshkrim matematik, të tillë që mund të parashikonte zhvendosjen e trupave qiellorë në rrjedhë të kohës. Vetëm në shekullin XVI të erës sonë modeli ia la vendin modelit heliocentrik, të zhvilluar nga Koperniku, i cili e vendosi Diellin në qendër të universit. Më pas edhe ky model u zëvendësua nga galaktocentrizmi, i cili e vendos qendrën e universit te Rruga e Qumështit (galaktika jonë); dhe sot fizikanët dhe kozmologët pranojnë modelin Lambda-CDM, një model matematik i teorisë së Big Bang-ut. E veçanta e rrallë e Kopernikut, për çfarë ai sot e kësaj dite vlerësohet më fort se për modelin heliocentrik, është i ashtuquajturi parim kopernikan, sipas të cilit njeriu në Tokë ose në Sistemin Diellor nuk është ndonjë vrojtues i privilegjuar i universit; dhe se Toka nuk zë ndonjë pozicion unik në univers.

Modeli i Ptolemeut nuk është se ishte i gabuar (siç mund të jetë e gabuar teoria e Tokës së sheshtë); por ai i Kopernikut ishte më i thjeshtë, më logjik, dhe më i pajtueshëm me ligjet e fizikës (si ato të Newton-it), dhe prandaj e zëvendësoi. Natyrisht, heliocentrizmi ishte një përmirësim i gjeocentrizmit dhe lajmëtar i një vizioni të ri, racional, të botës, që në shumë anë binte ndesh me traditën biblike. Sot është ende e mundshme të përdoren formulat e Ptolemeut për të parashikuar lëvizjen e trupave qiellorë, por askush nuk e bën më; gjeocentrizmi nuk është më tepër se një kapitull në historinë e astronomisë dhe të kozmologjisë.

Kalimi nga Ptolemeu te Koperniku nuk është veçse një shembull i çka njihet edhe si ndërrim i paradigmës në shkencë; i krahasueshëm me kalimin nga Aristoteli te Newton-i në fizikë dhe, njëlloj, me kalimin e mëtejshëm nga mekanika newtoniane te teoria e relativitetit të përgjithshëm e Einstein-it; në kimi, një shndërrim i ngjashëm do të ishte zbulimi i ligjit periodik nga Mendelejevi. Në gjuhësi e tillë konsiderohet hipoteza e familjes indo-europiane, e cila e vendosi mbi baza shkencore studimin e marrëdhënieve të afrisë gjenetike mes gjuhëve, duke themeluar gjuhësinë historike-krahasuese.

Para se të sqarohej që ngjashmëritë mes shumë gjuhëve në Europë dhe në Azi – por jo të gjithave – i detyroheshin një origjine të përbashkët, që nuk ishte ajo e Babelit e përmendur nga Bibla, dhe as hebraishtja, mungonte një model për t’i shpjeguar kënaqshëm ngjashmëritë mes gjuhëve. Edhe një gjeni, si Leibniz-i, i cili ka lënë intuicione të shumta e të thella për gjuhët dhe marrëdhëniet mes tyre, u përpoq kryesisht me sendërgjimin e një gjuhe universale, që do të ndihmonte të kuptuarit më thellë të ideve komplekse dhe zhvillimin e mëtejshëm të mendimit.

Në praktikë, Leibniz-it iu desh shpesh të merrej me “etimologji”, ose të shpjegonte prejardhjen e një fjale nëpërmjet krahasimit. Për shembull, siç e ka shpjeguar Bardhyl Demiraj në një ese të botuar në Peizazhe të fjalës (Leibniz-i mbi leksikun e shqipes), në letrat e tij të mirënjohura “shqipe” filozofi gjerman vihet në kërkim të fjalëve “relike”,

të cilat, duke iu bashkuar dhe përshtatur materialit gjuhësor më solid të tri gjuhëve biblike të kohës: hebraishtes, greqishtes së vjetër dhe latinishtes, do të mundësonin natyrshëm rindërtimin e patëmetë të gjuhës së të gjitha gjuhëve të botës, të asaj zanafillëse, e parë ajo si dhunti hyjnore e kryehershme ndaj qenies njerëzore.

Por Leibniz-it i mungonte metoda e nevojshme shkencore, për krahasimet e tij ndërgjuhësore – të cilat, të paktën në rastin e shqipes, mbeten në nivelin e qëmtimit të ngjashmërive sipërfaqësore (empirike) mes fjalëve; dhe nuk e njohin atë që, më vonë, do të vendosej në themel të gjuhësisë: rregullsinë në shndërrimet gjuhësore. Vështrimin e gjuhës si objekt që ndryshon në kohë, te Leibniz-i e gjejmë vetëm si prapamendim ose përfytyrim.

Për këtë arsye, emri dhe prestigji i Leibniz-it nuk mjafton, për t’iu rikthyer gjykimeve të tij për shqipen dhe për t’i promovuar këto gjykime si alternative ndaj vlerësimit standard të shqipes, brenda modelit indoeuropian; siç bëjnë sot turbo-albanologët, të cilët – për ta thënë me B. Demirajn në artikullin e lartcituar – rreken të rehabilitojnë metodat tashmë të kapërcyera të asociacionit logjik-semantik dhe simbolikës së tingujve, me justifikimin se këto i gjejnë te një “i madh” si Leibniz-i.

Në fakt, edhe gjuhësia zhvillohet në trajtë spirale: ambiciet e Leibniz-it dhe të së tjerëve, gjatë shekujve XVII-XVIII, për të formuluar një gjuhë universale dhe për ta përdorur si një lloj gjeneratori të mendimit racional, janë rikthyer tani – por në një trajtë të re – në teorinë gjenerativiste dhe gramatikën universale të Chomsky-t; sikurse miti (biblik) i prejardhjes së të gjitha gjuhëve të botës nga hebraishtja u shndërrua me kohë në gjuhësinë historike-krahasuese indoeuropiane, duke mbijetuar, gjatë këtij procesi, ideja se një gjuhë e lashtë mund të degëzohet në një numër gjuhësh të reja (“motra”).

Siç mund të pritej, turbo-albanologët që i kundërvihen gjuhësisë historike-krahasuese dhe modelit albanologjik ekzistues të zhvillimit historik të shqipes do të kërkojnë ndihmë, dhe në fakt kanë kërkuar, te të gjithë ata autorë e studiues që, qoftë për arsye kronologjike, qoftë ngaqë nuk kanë ditur më shumë, kanë përpunuar teori alternative për historinë e shqipes dhe të shqiptarëve; duke i nxjerrë (shkulur) këta autorë e studiues nga konteksti historik dhe duke i reduktuar në sfida imagjinare. Rrëfimet “pellazgjike” të rilindësve, të mbështetura edhe në historiografinë antike, që kanë vendin e tyre në historinë e mendimit shqiptar modern, vazhdojnë të sillen si alternativë e dijes bashkëkohore, madje edhe nga autorë që duhej ta kishin kuptuar se nuk janë në mirëbesim. Aq më tepër që krejt historiografia e shqiptarëve dhe e gjuhës shqipe, ashtu siç u përpunua nga Rilindja, kaloi edhe ajo në faza të ngjashme me çfarë ndodhi në shkencat historike dhe filologjike para se të formuloheshin parimet e gjuhësisë historike-krahasuese: nuk është e rastit që, edhe vonë në shekullin XIX, kishte autorë (të paktën arbëreshë) që kërkonin rrënjët hebraike të shqipes dhe të shqiptarëve, në bazë të një dijeje gjuhësore biblike që tashmë Europa e kish mënjanuar.

Në çdo rast, nuk themi dot që të vjetrit e kishin “gabim”; modeli gjeocentrik i Ptolemeut, në lashtësi dhe në Mesjetë, ishte i vërtetë, në atë masë që lejonte parashikimin e eventeve astronomike; por do të ishte gabim sikur të ngriheshim sot, dhe të promovonim gjeocentrizmin, si teori “alternative” ndaj modelit të Big Bang-ut ose ndonjë tjetri të ngjashëm. Ptolemeu mundësoi Kopernikun; Aristoteli mundësoi Newton-in dhe ky i fundit Einstein-in; filozofët iluministë të shekujve XVII-XVIII, me kuriozitetin e tyre për gjuhët e botës, i paraprinë përpunimit të hipotezës gjenetike indo-europiane dhe gjuhësisë historike-krahasuese; gramatika e Port-Royal-it, së cilës iu rikthye Chomsky në veprën e vet kushtuar gjuhësisë karteziane (Cartesian Linguistics), i parapriu gjenerativizmit. Nesër edhe dija etimologjike mund të përfitojë nga rikthimi – i spiralizuar – i ndonjë metode a hipoteze të vjetër; por nuk ka gjasë që të kthehet në vëmendje Isidori i Seville-s; siç nuk ka gjasë që, në përpjekje për formulime barnash të reja, farmakologët të rehabilitojnë Paracelsus-in; ose egjiptologët, duke u munduar të kuptojnë më mirë kulturën egjiptiane, të risjellin në vëmendje Athanasius Kircher-in.

Shumë nga turbo-albanologët nuk janë në gjendje të mbështetin teorikisht qasjet e tyre alternative – sepse u mungon formimi elementar në lëmin e gjuhësisë teorike. Dhe ndoshta për këtë arsye edhe nuk e kuptojnë se statuquo-ja në dijen gjuhësore historike nuk mund të sfidohet duke rehabilituar atë çfarë kjo dije historike-gjuhësore ka kapërcyer. Për ta thënë më thjesht: në albanologji Eqrem Çabej nuk mund të rrëzohet, duke thirrur në skenë teoritë pellazgjike të Rilindësve dhe obsesionin e këtyre me lashtësinë greke; dhe as me filozofimet hermetike të ndonjë heroi ende të pakënduar të diletantizmit shqip; sikurse nuk mund të rrëzohet as me argumente patriotike qesharake të tipit “ka gjetur shumë huazime në shqipe.” Në thelb, gjendja e sotme e studimeve albanologjike standard ka arritur një farë stabiliteti, por ky stabilitet nuk është i tillë, që të jetë shndërruar në dogmë; nga ana tjetër, vështirë që turbo-albanologët të përfaqësojnë seriozisht alternativën, madje as edhe si ftesë për shkundje.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë dhe ilustrimet janë krijuar me AI.

9 Komente

  1. MANIPULIMI I DIJES BOTËRORE
    Shpesh shkenca përdoret edhe për të vrarë njeriun apo grupe njerzish e popuj të tërë. Sot shkaku i tretë për vdekjen e njeriut është mjekësia moderne dhe shumica e medikamenteve të farmaceutikës vetëm se janë prodhuar ta mbajnë përjetësisht pacientin si të sëmurë kronik të përjetshëm. Kështu, në mjekësinë alternative, tensioni i gjakut nuk llogaritet aspak si sëmundje dhe rregullohet brenda një jave duke pastruar enët e gjakut me vitaminë K². Porse mjekësisë “moderne” i duhen vetëm të sëmurë kronikë. Industrinë farmaceutike e lë pa punë vetëm shërimi i pacientit ose vdekja e tij.

    Kjo është bota që jetojmë, ku njeriun e mbajnë në jetë për të paguar industrinë farmaceutike dhe që ilaçet e saj me efektet e shumëfishta anësore vetëm sa i shtojnë problemet shëndetësore çdokujt.

    Një mjekesi tjetër ka lindur me përfaqësues Gert Hamer, i cili ka zbuluar pesë ligjet biologjike të natyrës për shërimin e sëmundjeve dhe ka rikthyer në skenë edhe mjekësinë e harruar. Mjekësia e Gert Hamer e shëron njeriun dhe nuk e mban pacient kronik e kjo ka bërë që ai të përndiqej nga pushteti i mafies kriminale ndërkombëtare të farmaceutikës.

    Interesant është kur na thonë se virusin e zbuloi Lui Paster në fund të shekullit të 19, porse që ai të shihej duhej me doemos mikroskopi elektronik, i cili u prodhua në vitin 1931. Me ç’dreqin e pa virusin Lui Paster 45 vjet më herët?!

    Edhe pse nuk deklarohet publikisht, një pjesë e madhe e dijes shkencore, me të cilën ushqejnë masat, është shkenca e mashtrimit me anë të përdorimit të shkencës.

    Një sasi e madhe e zbulimeve shkencore janë ndaluar të vihen në shërbim të njerëzimit. Këtu mund të flisnim gjatë për Teslën…

    Nëse kthehemi në botën shqiptare, në fushën e albanologjisë, i censuruari më i madh është Jeronim De Rada, të cilit në Shqipëri iu botuan veprat letrare e iu ndaluan veprat filologjike. Përmendim se De Rada ka marrë pjesë në kongrese botërore të gjuhësisë, ku ka mbrojtur tezën se shqipja është qendra e gjuhëve i.e. dhe kjo bie ndesh me albanologjinë zyrtare të Tiranës që ende mbron tezën se shqipja është gjuhë 1500 vjeçare. Në albanologjinë zyrtare të Tiranës ende nuk njihet parimi i diversitetit të mendimit. Së fundi Ministria e Kulturës e qeverisë Rama e botoi gjithë veprën e De Radës por nuk nxorri as një kopje për publikun me preteksin se vepra e tij u dhurua në njerëz të caktuar. Asnjë kopje vepre e De Radës nuk mbrriti më ndonjë librari, madje asnjë kopje edhe për librarinë e ASh-së. Pse censurohet dhe kujt i prish punë De Rada?!

    Njëjtë me De Radën edhe Petro Zheji, Robert D’ Angelo, Niko Stilo etj., ndalohen prej albanologjisë zyrtare të Tiranës e cila as i merr në konsideratë veprat e tyre e as i përmend kund. Të gjithë autorët që ndalohen kanë një të përbashkët: shqipja gjuha primordiale. Tashmë, që shqipja shpallet e pranohet nga shkenca botërore si gjuha më e vjetër e gjallë i.e., ende vazhdon nihilizmi ndaj De Radës, Zhejit, D’ Anxhelos, Stilos etj. A nuk kuptohet tashmë se albanologjia zyrtare e Tiranës është në realitet një antialbanologji?! Nëse dija botërore e vendos shqipen si gjuhën më të vjetër të gjallë i.e., si mundet që ASh ta quajë shqipen si gjuhën më të re i.e.?! Si mund të fshihet një gjë që nuk mund të fshihet më? Është absurde që ASh të mundohet të manipulojë edhe më të vërtetën për vjetërsinë e shqipes. Tani derri maç është në dorën e ASh-së së Tiranës.

    Mos vallë ju z. Vehbiu duhet të bëni një studim për stoicizmin e ASh-së që nuk i largohet tezës se shqipja u krijua nga shek VI pas Kr.?

    Sa për teorinë e embriomorfemave, ajo le të gjykohet pasi të dalë në qarkullim këtë vit. Çdo sulm ndaj saj, nuk ia ndal dot më përhapjen.

  2. FRAGMENT INTERVISTE, GAZETA NACIONAL:

    Pyetje: Por sulmet më të ashpra të janë adresuar nga Revista Kibernetike “ Fjale Cimbuese”, e Ardian Vehbiut?

    -Po, Vehbiu sulmin e ka fi lluar që në vitin 2006, në kohën kur unë punoja në Qendrën
    Evropiane të Shtypit. Asokohe, ai kishte hedhur disa ide sipas te cilës shqipja ishte një surrogat
    turko-sllavo -greko latino – rumun…. Unë isha ndër të paktët specialistë i specializuar për
    Etimologjinë dhe Semantiken Strukturale dhe Prehistorinë e gjuhëve, regjistruar ne Forum.
    I shkruajta me mirësjellje që të hiqte dorë nga denigrimi i gjuhës shqipe… Ai vazhdoi më tej….
    tek e fundit ai ishte pjellë e të atit, Ylvi Vehbiu i cili pat përgatitur raportin për shtrimin në spitalin psikiatrik të Petro Zhejit. Kjo ndodhi në kohën kur Petro Zhejit po përflitej në Komitetin Qendror të PPSH-se, do t’i jepej drejtimi i Akademisë se Shkencave. Kasta filosllave e Akademisë se Shkencave me sa duket ja kërkoi në fshehtësi këtij psikiatri, të përgatiste një dokument mjekësor ku thuhej se Petro Zheji ishte; “i sëmurë mendor” … Kështuqë për të mund të thuhet shprehja : “Bëm baba të-të
    ngjaj.”.. Unë mendoj dhe e them me humor se revista e fi loserbe “Fjale Cimbuese” e Ardian
    Vehbiut do të më akuzojë mua se kam manipuluar studiuesit e Oksfordit, për ta nxjerrë gjenin
    shqiptar EV-13, si më të vjetrit në kontinent, – 48 mije vjeçare. Në fakt unë e pata thënë që
    në vitin 2020, në botimet e mia në frëngjisht , pa ditur se Oxfordi “do të më kopjonte”… Edhe
    vjetërsinë 9 mijë vjeçare të shkrimeve te Detit te Vdekur, unë i përcaktova si shkrime në Kulturën
    Cadmium të Mesdheut (Deshifrohen me shqipen primitive)….Në shkrimin Maobite, 9 mijë
    vjeçare flitet për mbretin Balak, që përshkruhet në Testamentin e Vjetër të Biblës. Edhe po të dua
    unë të gënjej, nuk me lë Bibla dhe gjeni EV-13….

    1. Për fat të keq (timin dhe tëndin), im atë nuk jeton më…

      (“Fjalë cimbuese” nuk është “revista kibernetike e Ardian Vehbiut”. Mbase është ndonjë botim i rrallë i mbretit të Moabitëve, Balaklavashit)

  3. Si shpjegohet qe keta te fandaksurit e turbo-etimologjise e shpjegojne ne menyre konspiracioniste gjithcka qe bie ndesh me fantazite e tyre e kedo qe i kundershton? Apo ndoshta deluzionet e madheshtise dhe ato te perndjekjes shkojne pergjithesisht bashke dhe duhen pare si faqe te se njejtes medalje…

    1. Disa prej këtyre janë shumë të vrazhdë, do të thoja të trashë në sjellje, agresivë – siç janë po aq agresivë edhe një pjesë e ndjekësve të tyre. Teoritë e tyre mund të jenë vërtet produkt i një vesi të arsyes, por vesi i arsyes nuk përkthehet vetvetiu në ves të karakterit…

      Them se i bën kështu pasiguria, ose vetëdija se nuk janë në elementin e tyre. Belbëzojnë disa gjëra për historira, origjina dhe deshifrime, por nuk e njohin fare se kjo fushë ku janë kuturisur ka edhe kodet e veta të komunikimit. Frika se mos “zbulohen” si hacks, i bën të ndihen të rrezikuar.

      Aq më tepër që kjo këmbëngulje me “grekun dhe sllavin” dhe me tradhtinë që shohin tek “Akademia” (që për ta nuk është veçse përpjekja e disave për të ruajtur profesionalizmin në një fushë të molepsur nga amatorizmi), kjo këmbëngulje pra nuk u vjen aq nga ndonjë atdhetarizëm i pafré, sa nga dëshira për të kapitalizuar atdhetarizmin e pafré të turmave.

  4. Jane te vrazhde e te ashper edhe sepse kete fare kombetarizmi delirant e kane kthyer ne nje lloj religjioni surrogat, me shkrime te shenjta, mistere, profete e djaj (“djall” e quan Cabejn ne nje shkrim te vetin i perndrituri Dalipaj). Dhe anetaret e kulteve a sekteve dihet se jane pergjithesisht te ashper e agresive ndaj kujtdo qe nuk mendon si ata. Pra, deri diku te pakten, eshte pikerisht vesi i arsyes, prirja per ta kuptuar realitetin e per ta organizuar dijen ne menyre paranojake, qe ua vrazhdeson sjelljen dhe ua deformon karakterin ketyre tipave.

  5. Basket mbahen si me te vjetrit e kontinentit ,por ja ta zeme se shqiptaret jane me te vjetrit ,e pastaj ?Aborigjinalet e Australise kane nje kulture te lashte 60 mije vjecare ,mos valle i ben kjo me te mire se te tjeret ?

    1. Aborigjenet mund te jene me te vjeter se ne, por ama nuk i kane falur njerezimit gjuhen dhe zjarrin (Prometeu ishte nga Permeti, per ata qe s’e dine).

  6. Nje sqarim per Albert Nikollen e kedo tjeter te interesuar: Faqja ‘fjale cimbuese’ nuk eshte e Ardian Vehbiut e as e mbretit moabit, Kadaifllekut, ajo eshte e imja (Ardiani e di kete), Robert Thomanikaj, pa asnje klase shkolle, per shkak se me rrembeu qysh foshnje ne malin e Dajtit nje ulkonje, e cila me ushqeu fillimisht me qumesht, dhe me pas u strehova tek nje arushe ne malet midis Tiranes, Matit dhe Dibres. Rasti e solli qe ne moshen 13 vjecare te bija ne kontakt me boten e civilizuar dhe me librat, keshtu u shkeputa dale e ngadale nga bota e kafsheve te egra, per tu njohur me boten e kafsheve dinake me dy kembe, cfare shohim edhe ne shume komente tek kjo faqe, ku une nuk komentoj prej shume vjetesh, pas rekomandimit “babaxhan” tw Ardianit, te perseritur tre here, per te gjetur nje vend tjeter komentesh. Pra, analizen e shkrimit te A. Nikolles mbi shkrimet moabite e kam shkruar une, sic dhe shume analiza te tjera, te gjindura tek faqja ime ‘fjale cimbuese’. Cdo kush ka te drejte ti analizoje dhe kritikoje shkrimet e mia, e po te doje edhe te humbe kohen e te merret me arsimimin tim, jeten time, punen time, studimet e mia autodidakte, e cfare te doje! Respektimi i lirise se tjetrit eshte dashuria per kete liri!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin