RRETH SEMITIZMIT TË DE RADËS

Në studimin e tij Trilogia Albanica III (përkthyer dhe botuar në shqip si Letërsia shqipe, perspektiva shoqërore, Botimet Princi, 2013), Arshi Pipa cek, mes shumë të tjerash, “besimin e shumicës së arbëreshëve si edhe të studiuesve të huaj në kohën e De Radës… që shqiptarët të ishin semitë (f. 73).”[1] Në fakt, në parathënien e librit Rapsodie d’un poema albanese raccolte nelle colonie del Napoletano tradotte da Girolamo de Rada e per cura di lui e di Niccolò Jeno de Coronei (Firenze 1866), ky i fundit flet për shqiptarët si “popull semitik i shpërndarë në 1900 p.e.s. në kohën e Hyksos-ve, që shkoi në Greqi, në Itali dhe në vende të tjera të Mesdheut” dhe më tutje se shqiptarët, “si të gjithë popujt e tjerë, e gjejnë origjinën e tyre në tri racat (schiatte) që rrjedhin nga Semi, Kami dhe Japeti” dhe pastaj vazhdon: “Në tabletën e Baltazarit[2], siç thonë shkrimet e shenjta, u shfaqën tre fjalët, mane, techel, fare, të cilat janë fjalë shqipe që edhe sot shprehin atë që ishte interpretuar atëbotë, por shkronjat e atyre tri fjalëve ishin kaldeo-hebraike. Shqiptarët, semitë siç e pohojnë të gjithë autorët, të emigruar në Greqi, herë sundues të racës japetike, herë të sunduar prej saj, nuk e humbën krejt autonominë e tyre, edhe e ruajtën të plotë dhe të paprekur formën dhe aspektin zanafilor të gjuhës.”[3]

Kësaj reference Arshi Pipa i shton edhe një tjetër – rrëfimin e De Radës, tek Autobiologjia[4], se trashëgimia e tij është “levitike”. Citoj:

Ne tashmë kemi përmendur besimin e shumicës së arbëreshëve si edhe të studiuesve të huaj në kohën e De Radës, kur shqipja nuk ishte krijuar ende që t’i përkiste familjes së gjuhëve indo-europiane, që shqiptarët ishin semitë. Trashëgimia ‘levitike’ e De Radës, siç pohohet në vetë fillimin e Autobiologia bazohet në atë besim, i cili ndërmjetësohet siç duhet nga trashëgimia e tij bizantine. ” (vep. cit. f. 74)

Këtë përkthim pak të pështjelluar unë e interpretoj kështu: shumica e arbëreshëve besonin se shqiptarët ishin semitë dhe te ky besim bazohet edhe trashëgimia ‘levitike’ e De Radës.

Po çfarë thotë tamam poeti, në autobiografinë e tij?

In Makji, piccola Colonia epirota di Calabria… nacqui nel 29 Novembre del 1814. Mia madre di casa Braile allora erede di due antiche famiglie Avati e Skiglizhi, era nata nella vicina colonia di Strigári. Gli antenati di mio padre erano forse da un Pietro Antonio Rada d’Albania, del quale nell’Archivio Veneto del 1300 esiste una sinalgimatica di comprovendita col Doge. Un Pietrantonio è il primo di casa Rada che figuri nei libri battesimali di Mákji; nome che non cessa in quella da quattro secoli, e che portarono al dì nostri due in in cui sono finiti due rami della medesima. Infine dediata è a S. Antonio la Cappella de’ Rada, nella nostra Chiesa Matrice, datata del 1640.

Di essa furono con poca discontinuità per tre secoli i Parrochi del paese sino a mio padre sino a mio fratello; posso dunque ben dirmi di schiatta Levitica. Anche il campo dello scudo di nostra casa è bianco da Guelfi.

Shkruan Pipa pak më tutje:

Kujtojmë që ai [De Rada] e përdor fjalën “levitik” në lidhje me paraardhësit e tij, duke lidhur ndërkaq së bashku shqiptarin dhe hebreun.”

Pipa nuk e beson dhe as e mbështet prejardhjen hebraike (sefardike) të autorit të Milosaos[5], por atij i duket se vetë De Rada mund të ketë besuar te kjo prejardhje “e zgjedhur”, meqë “imagjinata e De Radës ndjek një prirje etnike dhe veprat e tij poetike shartohen me tradita fisnore dhe familjare.”

Vetëm se kjo hipotezë e Pipës varet, në analizë të fundit, nga kuptimi i fjalës levitico – meqë De Rada shkruan se është “i racës levitike”. Vërtet kjo fjalë i referohet në thelb librit të tretë të Pentateukut dhe shënjon lidhjen me fisin e Levit (levitët), por pastaj – me zgjerim kuptimi, ajo ka marrë edhe kuptimin “e priftërinjve, priftërore” (italisht: “sacerdotale”), siç mund ta kontrollojë kushdo, në një fjalor të mirë të italishtes. Prandaj edhe De Rada, në hyrje të autobiografisë, kur flet për “racë levitike” me gjasë thjesht kërkon të thotë se rrjedh nga një familje priftërinjsh – çfarë nuk duket të ketë ndonjë lidhje me “teorinë” (më mirë të themi, “dëshirën”) e prejardhjes semite të arbëreshëve, shqiptarëve a të familjes së De Radës vetë.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Rembrandt, Belshazzar’s Feast, 1636-8.


[1] Përkthimi i këtij pasazhi në shqip nga Myftar Gjana lë për të dëshiruar; po e sjell të plotë: “Ne tashmë kemi përmendur besimin e shumicës së arbëreshëve si edhe të studiuesve të huaj në kohën e De Radës, kur shqipja nuk ishte krijuar ende që t’i përkiste familjes së gjuhëve indo-europiane, që shqiptarët ishin semitë.” Shprehja kur shqipja nuk ishte krijuar ende që t’i përkiste familjes së gjuhëve indo-europiane, nuk ka kuptim; por nuk e kam origjinalin anglisht të Pipës, që ta verifikoj.

[2] Këtu është fjala për një mbret të Babilonisë, personazh në Bibël (Libri i Danielit, kapitujt 5, 7-8) dhe te Cyropaedia e Ksenofonit. Ky Baltazar (i njohur edhe me variantin Belshazzar dhe varante të tjera të ngjashme) pat shtruar një gosti të madhe, gjatë së cilës iu shfaq, një mur, një shënim në gjuhën aramaike: “mene, mene, tekel, upharsin”. Profeti Daniel e interpretoi këtë mbishkrim në mur si gjykimin e Zotit ndaj mbretit dhe parashikoi shkatërrimin së shpejti të qytetit. Nuk e kam të qartë nëse versioni i cituar në tekst nga Jeno është i gabuar, apo thjesht transliterim alternativ. Te një version i Biblës online, kam gjetur MENE, MENE, TEQEL and PHARSIN. Teksti flet edhe për një “tavola di Baldassarre”, sidoqë fjalët e shkruara u shfaqën në një mur të sallës ku po mbahej gostia. Nga Bibla shqip: 5:25 Ky është shkrimi që u vizatua: MENE, MENE, TEKEL UFARSIN. 5:26 Ky është interpretimi i çdo fjale: MENE: Zoti ka bërë llogarinë e mbretërisë sate dhe i ka dhënë fund. 5:27 TEKEL: ti u peshove në peshoret dhe u gjet që të mungonte diçka. 5:28 PERES: mbretëria jote u nda dhe iu dha Medasve dhe Persianëve. Skenën e gostisë e ka përjetësuar në një tablo Rembrandt-i (shihni imazhin e zgjedhur si kopertinë të këtij shkrimi).

[3] Në kohën kur botohej ky libër, shumë historianë të gjuhës, nga Bopp-i dhe indo-europianistë të tjerë, tek autorë arbëreshë si Masci, Crispi, Dorsa dhe Dora D’Istria ishin përpjekur ta sqaronin prejardhjen e shqipes dhe të shqiptarëve me metoda më shkencore, siç e sqaron Michele Marchianò, në monografinë L’Albania e l’opera di Girolamo de Rada, Trani 1902, i cili e qorton Jeno-n autor të parathënies së Rapsodive për mungesë përgjegjësie dhe gabime foshnjore e trashanike (f. 196-197).

[4] Girolamo de Rada, Autobiologia, Primo Periodo, Cosenza 1898, f. 3.

[5] Me interes lexohen edhe disa përsiatje të Pipës për një fillesë heretike-bogomile të sjellë origjinalisht nga Maqedonia në përjetimet mistike të De Radës, por këto nuk mund t’i trajtojmë as t’i analizojmë këtu.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin