ÇABEJ PËR HISTORINË E EMRIT TË DURRËSIT

Nga Bleu III i Studimeve etimologjike të Çabejt, po sjell këtë pasazh ku ai autor flet për prejardhjen dhe historinë e emrit Durrës. Të vërehet se Çabej e konsideron emrin të ardhur nga greqishtja e vjetër, por pastaj të evoluuar fonetikisht në shqipe.


Durrës m. Qyteti te grekët e vjetër në krye të herës u quajt ‘Eπíδαµvoς, më vonë Δυρράχιov, kjo nga δυσ – “keq, pa” dhe ραχíα “shkulm deti, tallaz, ushtimë; breg deti me shkëmbinj”. Prej gr. së vjetër lat. Dyrrachium, lat. e mesme (mesjetare) Duracium. Prej latinishtes it. Durazzo me trajtën veneciane (-zz-), dalm. e vj. Durrazu, frgj. e vj. Duras, te Anonimi (frëng) i vitit 1308 Duracium, cum civitate duracena, skr. Drâč, turq. Draç. Shq. Durrës, nëpër dialekte Durrc Durc. Khs. sidomos Hahnin I 334 dhe në Reise Drin-Wardar², Miklosichin Fremdw. 84, Tomaschekun Sitz. – Ber. d. Ak. d. Wiss. Wien Phil. -hist. Kl. CXIII (1886) 346, Philippsonin te Pauly-Wissowa V 1882 vv., Jirečekun Ill.-alb. Forsch. I 155, Sufflayn Städte und Burgen 19, 45, Schwyzerin I 311, Krahen I 48, Stadtmüllerin Forsch. 207.

Bardhi Dyrrachium Durrëc, Habitat Dyrachij Ashtë n Durrëcëc (sic!), edhe f. 127. Bogdani (I 181) Çesari pushtoj e munjti Pompejnë ndenë Gjytet të Durëcit nd’ Arbënë “Cesare superò Pompeio sotto la Città di Durazzo in Albania”. Kuvendi i Arbënit 77 të Durcit: Emri i banorit durrësák, me -ak të emravet etnikë, Xhuvani-Çabej 10v. – Një problem ka përbërë çështja se nga rrjedh forma vendëse e emrit të qytetit, Durrës Durrc Durc. Skoku në fillim (Arhiv II 111vv., Kretschmer-Festschrift 1926 f. 253, Rev. fil. I 35vv.) këtë emër e binte të ardhur prej një sll. të vj. *Dъračь (kjo prej lat. Dyrrachium), formë e padokumentuar dhe e ndërtuar prej tij për atë gjuhë, ku ъ sipas tij dha u në gjuhën shqipe, č dha rregullisht s, dhe theksi u shpërngul një rrokje mbrapa, sipas rregullave fonetike të shqipes. Mendimi i miratuar ndër të tjerë te Vasmeri (f. 58, ZslPh 5, 287), Jokli (IF 50, 37, RIEB I 61v). Sandfeldi 78, Barići (Ling. studije 29, Hŷmje 71) e Popovići (ZslPh 26, 322, Geschichte 79v). Kundërshtuar te Grauri (Romania LIII 539vv.), me arsyetimin e drejtë që huazimet e gjuhëve ballkanike të moçme prej gr. së vjetër dhe të asaj prej këtyre në apelative dhe në emra vetjakë u morën në një kohë kur ypsiloni (υ) shqiptohej në greqishten ende u, prandaj Στρύµωv sot Struma, Δυρράχιov sot it. Durazzo. Kundërshtim edhe te Weigandi (BA III 239), i cili veçse për arsye fonetike e bie të ardhur Durrës-in prej it. Durazzo. Po ashtu dhe A. Mayeri (I 131 v.), i cili më parë e rrjedhonte emrin prej një *Durratium të ndërtuar prej tij. Skoku ndërkaq më vonë (ZrPh 54, 1934, 175) e tërhoqi mendimin e tij të mëparmin. Këtë tërheqje e mbështet edhe Jokli (IJ XXIV VII 26), në një kritikë që i bën A. Dabinovićit, i cili i mbahej mendimit të mëparmë të Skokut.

Qysh më 1947 (Albanologji 42vv.) edhe më parë jemi të mendimit që emri i këtij qyteti rrjedh me vazhdim të pandërprerë prej gr. së vjetër. Ky emër bashkë me disa të tjera toponime trirrokëshe të trevës ilire jugore që njihen që në kohë të lashta, si Isamnus: sot Ishëm Ishm, Drivastum: Drisht e të tjera, e kanë pasur theksin në rrokjen e parë, dhe kjo gjendje u trashëgua pa ndërprerje në gojën shqiptare. Kështu Durrës rrjedh prej gr. së vj. Δυρράχιov, në gjuhën e lashtë të vendit Dúrrach- Dúrrachi̯- kjo me burim prej një forme greke me shqiptim u të ypsilonit (υ), siç ka qenë në një periodë më të lashtë të gr. së vjetër dhe në disa dialekte të saj si gr. veriperëndimore e dorishtja, prej së cilës rrjedhin ngulimet greke të bregdetit ilir, Apolonia, Durrësi, Leshi etj. Mendim i konkretizuar më tej në BUST SSS XII (1958) 2 60v., XVI 4 122v e 136, VII Congr. Intern. di Scienze Onomastiche 241vv., Revue (roum.) de ling. VII 162v., X 104v., Actes du premier Congrès intern. d. etudes balk. et. sud-est eur. VI 44, SF XXVI (IX) 4 15v., SH XXVI (IX) 3 109, SA VII 1 162v e 167, IX 1 141, ZfBalk X 2 21 etj. Këtë mendim e shtjellon më tej dhe e zgjeron Cimochowski (LP VIII 135vv.), duke përsjatur – me mjaft të drejtë – një shkallëzim fonetik gr. dor. Durrakhiion: ilir. Dúrraki̯um: shq. *Dùrrać: *Durrëć: Durrës, Khs. edhe Ölbergun IBK XVII 55, 60. Në këto rrethana nuk qëndron pohimi i Oštirit (Arhiv IV 97) se ilirishtja thekson kryesisht rrokjen fundore, pohim që bie në kundërshtim me vetë shembujt që sjell ky dijetar. Edhe mendimi i Mihăescut (RESE IV 325) që Durrës nuk rrjedh prej gr. së vjetër dorike, po pas gjase prej lat. Dyrrachium, me y shqiptuar u dhe theks përmbi y si ka qenë zakon në shekullin e dytë para erës sonë, nuk është bindës: reflekset e lat. Dyrrachium si dalm. e vj. Durrazu, it. Durrazzo, skr. Drâč, dëshmojnë për një theksim të emrit latin mbi rrokjen e dytë; përveç kësaj, një y latine e theksuar (kryesisht në fjalë me rrjedhë greke) është trajtuar në gjuhën shqipe si i, jo si u, khs. p.sh. chersydrus: kulshedër. Bie në sy gjithsesi që vetëm shqipja ka ruajtur te ky emër qyteti theksimin mbi rrokjen nistore; gjithë emrat e tij në gjuhët e tjera e kanë mbi të dytën: Ai rrjedh prej gr. së vjetër, këta prej latinishtes. Në këto rrethana bien dhe dyshimet e Ölbergut (IBK Sonderheft 41 f. 625), i cili edhe ky si Mihăescu, niset pa të drejtë prej lat. Dyrráchium.


(Po sjell këtu edhe etimologjinë e fjalës DEM, meqë në fund të trajtesës, ka një paragraf që i referohet emrit më të hershëm të Durrësit, EPIDAMNOS):

dém m. Sikundër dihet prej kohësh afrohet me irl. e vj. dam “ka”, gr. δαµάλης “dem që do të zbutet, mëzat” δάµαλις δαµάλι “mëzore” δάµαλoς “viç”, ind. e vj. damyaḥ “dem i ri që do të zbutet, mëzat”, pers. e re dām “kafshë shtëpiake”, lat. domo,-are “zbut” etj.: Kamarda I 73, G. Meyer 63 e AS III 26, Pedersen KG I 164, Jokl LKU 252, Walde-Pokorny I 788v., Walde-Hofmann I 3v, 367v., Pokorny I 200, Tagliavini Strat. 135, Frisk III 68.

E mbarë gjuhës. Edhe emër familjesh, Demi në Çamëri. Deminutivi demúç gjan të jetë një formë përkëdhelie (hipokoristike) e më të shpeshtës demúsh “dem pa mbushur dy-tre vjet”(Neim Frashëri). Ky apelativ del dhe në emra vetjakë, personash e visesh, Demúsh emër burrash në Kosovë, në Demush në lëmë në një këngë popullore të Bregut të Detit. Apelativi ndërkaq ka lënë një gjurmë në aromunishten, demúş “viç motak”, Pascu Riv. d’Albania IV 16, Papahagi 466. Jo i drejtë shpjegimi i fjalës aromune me mjete të brendshme rumune, nga de mu “që nga tani, qysh tash”, d.m.th. “i sivjemë”, që jep Puşcariu EW 1186. Për sufiksin zvogëlues -ush Xhuvani-Çabej 105. Një tjetër zgjerim prapashtesor është demëtór “bari gjedhash, lopar”, Erdhën bashk tre demëtorë, te Nikollë Brankati prej Siqelie, Kamarda II 182, Markianò Poesie sacre albanesi 48. – Forma metafonike e dem-it nuk mendojmë se rrjedh prej një baze me temë në -i, *damis, *dami̯, ose dəmi- (Jokl LKU 252v., Mann Lg 17, 12vv., 26, 385). Një i fundore e shkurtër nuk shkakton në shqipen metafoni të a-së, Jokl Festschrift Kretschmer 1926, f. 92. Ajo ka dalë më fort në periodën historike të shqipes brenda skemës së fleksionit të këtij emri. Në një paradigmë të hershme *dam, shm. *dem, trajta e shumësit hyri në njëjës. Me këtë singularizim të shumësit ajo paradigmë në një periodë të caktuar të gjuhës u zëvendësua me paradigmën, dem, shm. dema. Aty njëjësi i mirëfilltë *dam u zhduk; shumësi *dem u pajis me një mbaresë -a, për t’u dalluar nga njëjësi i ri idem. Khs. LP VIII 103, ShS 122v., Studi ling. in onore di V. Pisani I 183, SF XXVII (X) Nr. 2 f. 59, Nr. 3 f. 63. Edhe dy të tjera fjalë të kësaj sfere, gjedh edhe ter “dem”, janë shumësa të singularizuar. Forma bazë *dam e arritur kështu me anë të një rindërtimi të brendshëm pajton me format e kësaj fjale në të tjerat gjuhë indoeuropiane, kelt. dam, gr. dam-, pers. e re dām etj., që u dhanë më sipër. Me këtë *dam të shqipes pajton edhe ilir. Epidamnum (Durrës i sotëm), ku Durante (IONA III 75) gjen ilir. damn- “kalë”, duke e krahasuar këtë me shq. dem si edhe me δάµvoς “kalë” që jep Heziku për tirenishten. – Sh. edhe demë I.

 


Shënim: Falënderoj Brikena Çabejn, që pati mirësinë të ma dërgonte këtë pasazh.

1 Comment

  1. Pyetje. A eshte empulli i Artemisës si thonë arkeologet francezë, apo tempulli i Venerës, Afërditës, si u tha vitin e zbulimit të tempullit, tempull me disa ton qeramika me fytyren e hyjneshes, atje ne Kodren e Dautes në Durres?
    Zevendesimi I emrit nga Epidamos (qyteti mbi Demë) me emrin Dyrah, përkon me ardhjen në Epidam të popujve albensis, popuj të përzënë nga romaket prej rrethinave të Romës, ashtu si u përzunë e u hodhën në det edhe etruskë gjate luftës 100 vjeçare . Indro Montaneli shkruan se “romakët nuk kursyen ushtri dhe para për ti shkatërruar etruskët, dhe kur ju futën në shtëpi, jo vetëm i shkatërruan, por nuk ju lanë as sy për të qarë”. Etruskët dhe popujt albensis u larguan e u vendosën në vende të tjera. Shenja të mbritjes së tyre në Epidam, janë qeramikat e gjetura të miniturave të të martuarëve me patera në dorë, tipike të kulturës etruske. Shenja të tjera janë mbishkrimet e gjetura në buzën perendimore të Adriatikut dhe detit Jon, në të cilat ka fjalë të leksikut të gjuhës shqipe. Po ashtu, shenja të mbritjes së tyre janë edhe vendbanimet e fortifikuara si ai i Zgërdheshit e Dorësit, fortifikime gjithësesi per tu verifikuar si të tyre.
    Në emervendin Kala e Turës, nuk janë gjetur shenja as të ndonjë kalaje otomane (fjala kala është e gjuhës Ture) e as shenja të ndonjë turre, torre veneciane.
    Emërvendi Tura, emervendi Qeret, si edhe tempulli i Kodres se Dautes, krijojnë dyshim të arsyeshëm për mbritjen e të debuarëve albensis dhe etruskë në brigjet lindore të Adriatikut. Ata, hyjneshë shpëtimtare kishin hyjneshën e dashurisë TURAN, e cila për latinët kishte emrin Venus dhe per grekët Afroviti.
    Pyetje tjetër e formuar në bazë të legjendës që ritregon Virgjili te Eneida, se “trojanët, rrugës në kërkim të ndërtimit të Trojës së re, morën me vete etërit albanë”, a mos vallë, popujut albensis, bashkë me ta edhe etruskët e dëbuar nga romakët, u rikthyen pas 650 vjetësh andej nga kishin ardhur, dhe ashtu si lundërtarë që ishin, si gjithmonë, shenjë orjentuese per kalimin e detit kishin edhe kësaj radhe retë – “ke ret”, ashtu si dikur, kur largoheshin nga Troja, etërit e tyre kishin gjeter mes detit ishullin e Kretës?
    E pak nga pak, ndër vite, të ardhurit lëvizin nga Kepi jugor i Gjiựt të Durrësit, drejt Epidamit në kepin verior të gjirit, duke I ndryshuar edhe emrin qytetit e duke I dhënë emrin e tempullit të hyjneshes së tyre TURAN, hyjneshë të cilës I bënin oferta duke hedhur në det, ato ton qeramika me portretin e saj, të cilin e prodhonin në punishten e tempullit.

Comments are closed.