GLOBALIZMI HIBRID

nga Bujar Meholli

E vërteta aksiomatike e globalizmit të tretë (veçanërisht dekada e dytë e shekullit XXI) socio-kulturor është predominanca e hibridizimit. Paradigma e epokës sonë ndërtohet mbi këtë modul; njeriu i sotëm – të krijon përshtypjen me reduktimin e autotelizmit – sikur është i jetuar e nuk i ka mbetur gjë më për të jetuar e shijuar. Këtë pasivitet, afërmendsh, e shfrytëzojnë markat tregtare andej-këndej të cilat e zënë, si të themi, mat, duke e shndërruar në piun të tyre, në konsumator të produkteve të panumërta që vërtiten rreth tij nga gama e elementeve akrostike që e krijojnë tërësinë entropike të komercializmit; prototipi i tillë s’denjon të jetë qytetar aktiv, polemizues, rebelues e kritik ndaj sistemit dhe shkarjeve që ndodhin karshi. Sepse amullia mendore në të cilën është zhytur e bovarizmi të cilin e ka adaptuar, e kanë bërë paraprakisht të paaftë për kryengritje. Çkado që i servohet, kushdo që i sorollatet para hundëve, do të jetë i gatshëm t’i vihet pas dhe ta besojë verbërisht.

Shikuar nga ky prizëm, shtrojmë pyetjen: a mund të flitet për një stalinizëm despotik e represiv, veçse në një epokë tjetër, atë të pluralizmit, të kohës sonë? Mu në indin e zbulimeve të mëdha teknologjike, zhvillimit të hovshëm e lehtësirave të paimagjinueshme! Paradoksalisht, sot s’kemi të bëjmë me mohim të lirisë së mendimit, shprehjes, e as përdhosje të dinjitetit njerëzor të tipit stalinian a hitlerian – shterpësia e mendimit dhe kufizimi i shprehjes bëhet ndryshe, duke u menduar e shprehur sa më shumë! Pa limit, pa kohë e pa cak. Vetëm të shprehesh, të flasësh, të shtohesh në aradhën e atyre që e shfrytëzojnë të drejtën për të molloisur… Fundazi, a konsiderohet liri shprehjeje integrimi free nëpër rrjetet sociale ku njeriu, si manar i butë, hedh fjalët të cilat i përpin scrolling-u dhe më pas zhytet krejtësisht në anonimitet? Cili është tabani i fjalës, gjegjësisht mendimit të tij?! Ku ngelet autoriteti intelektual në këtë vorbull digjimoderniste? Hibridizimi i epokës sonë do të mund të përcaktohej si njëfarë anarkie e moderuar ku përfshihet secila fushë, secila ndërmarrje njerëzore nënshtruar kushteve të kësaj skeme (të pa skemë!) Kjo gjendje, po të shihet hollë, merr trajtat e një regresi drastik që, komfor kushteve e lehtësirave të sotme, e lë njeriun në vendnumëro duke e shndërruar në mekanizëm kyç, në terrenin e përshtatshëm për t’iu nënshtruar manive kontrolluese e dehumanizuese.

Njeriu i sotëm, fragjil e delirant, transformohet lehtësisht në vegël të politikës si militant pa tru, të fesë, si fanatik dhe dogmatik që nuk familjarizohet me laicizmin, si snob e ndjekës i turmës shoqërore (pseudonacionalist dhe pseudopatriot) me paaftësinë për t’u veçuar dhe për t’u formuar si individ, me perceptime autentike e racionalitet. Njeriu i sotëm, të cilit perëndimi globalist ia proklamon demokracinë dhe lirinë e shprehjes, (pa kurrfarë kufizimi a filtrimi) është mall për t’u shkëmbyer, është informacion sensacional që shkatërron çdo etikë e çdo kufi të intimitetit, është karrem për t’u kapur në rrjete të sëmura mediatike dhe për t’u fituar shuma marramendëse në kurriz të tij. Amalgama e krijuar nga trendë të panumërt, nga rafinimet e ndryshme të banalitetit, ekspozimet marramendëse andej-këndej ushtrojnë trysni të madhe te psika e njeriut dhe ia vështirësojnë krijimin e një identiteti me të cilin do të njihej si zë në shoqëri. Amin Maalouf për identitetin do të thoshte se “nuk jepet përherë e përgjithmonë por formohet dhe shndërrohet përgjatë gjithë ekzistencës sonë”. Atëherë si do të mund ta ndërtojë identitetin një i ri i sotëm që potencialin, në masë të madhe kohore, e bart te scrolling-u, videot e shkurtra të rrjeteve sociale, kitsch-i mediatik që ia pamundëson afinitetin me librin, leximin e zhvillimin trunor? Meqë shkolla shqiptare ka dështuar të krijojë kushte të favorshme për mësim logjik dhe praktikë, duke mos i shmangur dot teoritë boshe dhe të mësuarit përmendësh, rezultatet zhgënjyese të PISA-s janë derivat i këtij degradimi. Përveç rezultateve skandaloze në plan kohor afatgjatë do të jetë shqetësues krijimi i identitetit personal të nxënësit shqiptar.

Ja ç’shkruan Thomas Bernhard, përmes personazhit Reger, për devijimet sociale dhe shndërrimin vanitoz njerëzor:

“Gjithçka e sotme është plot poshtërsi e ligësi, gënjeshtër e tradhti, kaq i paturp dhe tinëzar sa ç’është sot njerëzimi nuk ka qenë kurrë. Për një njeri të arsyes dhe për një njeri të ndjenjës si unë bota dhe njerëzimi shumë shpejt do të jenë të padurueshme. Në këtë botë dhe mes këtyre njerëzve nuk gjej më asgjë që të ketë vlerë për mua, në këtë botë gjithçka është e mpirë dhe ky njerëzim është gjithashtu i mpirë. Gjithçka brenda kësaj bote dhe këtij njerëzimi ka arritur një shkallë rrezikshmërie shoqërore dhe vrazhdësie të poshtër, saqë unë mendoj se është thuajse e pamundur, të paktën herë pas here, që të jetoj qoftë edhe një ditë të vetme më shumë brenda kësaj bote e këtij njerëzimi”.[1]

Aleš Debeljak shkruan se “Proceset konkrete të globalizmit janë kontradiktore dhe të ndërlikuara por shkëmbimi ndërkombëtar i ideve dhe teknologjive, simboleve dhe metodave të veprimit rrit dhe zgjeron shumëllojshmërinë kulturore”[2]. Ky konstatim është, padyshim, i qëndrueshëm. Veçse itinerari që po ndërton komercializmi i egër nën aurën e trendeve teknologjike të panumërta e mban larg progresin dhe multikulturalizmin, shkëmbimin e ideve dhe praktikave nga të tjerët.

Le ta japim një pasazh nga libri “Labirintet e modernizmit” i Alfred Uçit, kapitulli Kibernetika dhe modernizmi. Autori shkruan se

“në themel të saj qëndron parimi mbi ngjashmërinë e disa proceseve që ndodhin tek sisteme materiale të vetëdrejtuara, tek organizmat e gjalla, tek njerëzit dhe tek makinat llogaritëse që modelojnë shumë procese karakteristike për funksionimin e sistemit nervor të njeriut dhe të organizmave. Pastaj u shpall i mundshëm edhe krijimi i makinës-poet, makinës-kompozitor.[3]

Tutje vazhdon:

“Pasuesit e estetikës tekniciste, të cilët krijimin e tyre e quajnë moment kthese, fillim të një epoke të re në historinë e artit, të epokës së artit kibernetiko-elektronik. Si pretekst për këto spekulime shërbyen provat e para që u bënë në vitet ’50 e ’60 për të modeluar në makina kibernetike disa aspekte të thjeshta të punës së kompozitorit dhe poetit, të veprave poetike e muzikore. Nga këto prova estetët modernist formuluan tezën se makinat kibernetike do t’u zinin vendin poetëve dhe kompozitorëve, se ato parimisht mund të kompozonin çdo lloj muzike e poezie, madje, edhe më të bukura se kryeveprat”.[4]

Kjo s’shihej veçse një trill, një tekë imagjinative që zor se mund të realizohej ndonjëherë, sidomos në mendësinë e ngushtë, dogmatike, të regjimit komunist-stalinist në Shqipëri.

Kurse Oswald Spengler parashihte një boom profetik të qytetërimit.

“Unë shoh, shumë përtej vitit 2000, qytete të ndërtuara për dhjetë deri për dhjetë deri njëzet milionë banorë të shtrirë në hapësira të pamata, me godina që do t’i bëjnë të duken si xhuxhe edhe ato më të lartat sot, me koncepte trafiku e komunikimi që ne do t’i quanim fantastike gjer në kulm çmendurie”,

shkruante te “Rënia e Perëndimit”. Zhvillimi me hapa të shpejtë i teknologjisë solli me vete edhe një realitet të ri, atë të globalizmit hibrid që transformohet dhe përfshin gjithë gjininë njerëzore; nuk kemi të bëjmë më me kontroll të rreptë e censurë të ashpër por me liri të tepruar, shfrenim total, mungesë kontrolli e banalitet soji. Një universalitet i tillë që nuk ndërtohet mbi bazën iluministe e racionale, por i heq frerët sharlatanizmit e kontradiktave performative; në indin e tij global pretendohet të ngjizet multidimensionaliteti e llojllojshmëria, megjithatë dominon një rreth i ngushtë (fuqitë e mëdha) i predestinuar për regjim dhe ushtrim force e pushteti nën maskën e cross-border. Për këtë problematikë ka shkruar Karl-Markus Gauß:

“Europa mashtron duke u bërë sinonim i demokracisë, tolerancës e dinjitetit njerëzor – thua se kanë qenë indianët ata që u sulën të vrasin e presin popujt, thua se kanë qenë aziatikët ata që e shpikën kolonializmin apo afrikanët ata që e vunë në jetë diskriminimin racist-fashist. Asht e çuditshme, bile misterioze, ajo që ngjet sot në Europë, ku fenomene të kundërta shfaqen në të njajtën kohë; Europa rritet dhe tkurret njikohsisht, zgjerohet tue marrë përmasa t’pamatshme dhe, njikohsisht, zvogëlohet gjithnji e ma tepër.”[5]

Globalizmi i tretë, ndarja e tij mes modernitetit dhe postmodernitetit diskutohet e analizohet dendur. Lufta frontale bëhet midis produktivitetit dhe konsumit. Identiteti personal pëson transformime të mëdha dhe bëhet mjet i konsumimit të lartë, gjegjësisht ndjekës i turmës. Postmodernizmi implikon, në këtë kuptim, fragjilitetin social, ngase duke mohuar substratin e vlerave universale me të cilat qe ushqyer intelektuali iluminist i shekujve të kaluar, bie pre e nihilizmit ndaj meta-narracionit, çka i përgatit terren për integrim apriori në globalizëm; përkitazi me këtë mund të flitet për perceptim fragmentar të botës, relativizim të vlerave, hapje ndaj trendëve dhe ndjekje e verbër e ndryshimeve të shpejta (morbide për kulturën), hibridizimi i identiteteve, i të gjitha fushave të dijes, priret drejt konfuzionit e kaosit, trason shtigje për llojlloj diletantësh, të paaftë, snobësh, shovinistësh e fanatikësh që bëjnë politikat, mbajnë pozita të rëndësishme dhe mendojnë vetëm ne termet e shfrytëzimit militantesk të njerëzve për ta vazhduar jetëgjatësinë e tyre pushtetare.

Për shoqëritë që janë ende në tranzicion, siç është shoqëria shqiptare, ky globalizëm hibrid ndikon jashtëzakonisht negativisht sepse bën reduktim të hatashëm të mendimit kritik dhe reagimit, stimulon mungesën e madhe të intelektit dhe rënien drastike të zhvillimit kulturor. Në shoqërinë shqiptare varion hiperglobalizmi i konceptuar si shkëputje nga shteti, gjegjësisht nga autoriteti i tij. Pra, një shtet që nuk duhet kontrolluar shoqërinë, duhet të ekzistojë, si të themi, nën hije dhe të vrojtoi demonstrativisht se ç’po ndodh.

Shoqëria shqiptare mund të shkojë në qorrsokak nga hullia që i ka krijuar hiperglobalizmi, të cilit i është nënshtruar. Mediet operojnë mbi këtë prizëm: veçanërisht televizioni, thellësisht konsumist, është përcaktues i krijimit të shprehisë së konsumit te individi. Ai plekset me brendomaninë dhe pigmentin e elitës (personave VIP) me të cilin spërkat trurin inert të njeriut të masës. Pa qenë i aftë në seleksionim dhe matje të vlerave, ai vetëm konsumon atë që i ofrojnë, ua mbush numrin shitësve, ua ngrit fitimin mujsharëve rreth e rrotull nën moton e njohur “njerëzit janë dhe vlejnë në bazë të asaj çka blejnë”.

Por, problemet e shoqërisë shqiptare janë evidente karshi hapjes dhe integrimit në botën e madhe perëndimore. “Hiqni dorë, ju them, se u bëmë palaçot e dheut”, do të thirrte sërish Faik Konica. Pasiviteti, në vend se puna e fortë për progres dhe sanim të problemeve, do ta stagnojë edhe më tepër shoqërinë tonë; si mund të bëhet integrimi në perëndim kur kjo hapje e qet në pah arkaizmin karakteristik – shqiptarët ngritin në piedestal thashethemet, muhabetet e kafeneve (jo më të odave) që vërshojnë ekranet e televizioneve, armiqësitë e shpejta në debatet për fetë apo për kultin e Skënderbeut, të ashtuquajturat gazeta online trumbetojnë se aksh këngëtarja me nam organizon party për ditëlindje apo pret fëmijën e radhës? (Thashethemet që dikur i hasnim matanë gardheve, tani janë normë e modë gazetareske, bile paguhen)

Pierre Bourdieu shkruan se “fuqizimi i pushtetit të fushës gazetareske gjithnjë e më shumë i nënshtrohet sundimit të drejtpërdrejtë apo indirekt të logjikës komerciale”[6].

Duke analizuar efektet e televizionit Theodor W. Adorno shkruan:

Efekti i televizionit nuk mund t’i determinojë në mënyrë adekuate termet e suksesit a dështimit, pëlqimit a mospëlqimit, miratimit a mosmiratimit. Përkundrazi. Duhet bërë orvatje, me ndihmën e kategorive thellësisht-psikologjike dhe dijeve të mëhershme për mass median, për të kristalizuar sërë koncepcionesh teorike me anën e së cilave arrihet efekti i mundshëm i televizionit – ndikimi i tij në shtresa të ndryshme të personalitetit të spektatorit ofron mundësi studimi. Hetimi me kohë, në mënyrë sistematike, i stimujve socio-psikologjikë, tipikë për materialin televiziv si nga niveli përshkrues ashtu edhe nga ai psikodinamik, analizon presupozimet e tyre si dhe modelin totalitar dhe gjykon efektin që mund të prodhojnë. Kjo procedurë mund të sjellë, fundazi, një numër rekomandimesh si të trajtohen këta stimuj që prodhojnë efektin më të dëshirueshëm të televizionit. Duke ekspozuar implikimet dhe mekanizmat socio-psikologjikë të televizionit që shpesh veprojnë nën maskën e realitetit të rremë, jo vetëm që mund të përmirësohen paraqitjet/shfaqjet, por ajo që është më e rëndësishmja, publiku përgjithësisht mund të sensibilizohet ndaj efekteve të paskrupullta të disa prej këtyre mekanizmave.[7]

Ky hiperglobalizëm, me masmedian si peng të audimatit, po e ngufat dita-ditës hapësirën publike shqiptare duke e bërë të pakapërdishme, aversive, skajshmërish komerciale dhe boshe.

 

(c) 2024 Bujar Meholli. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.


[1] Nga romani “Mjeshtra të vjetër”, shqipëruar nga Doriana Gedaj, Aleph

[2] Nga “Një himn për hibridizimin”, shqipëruar nga Artan Puto, Eurozine

[3] Nga “Labirintet e modernizmit, kritika e estetikës moderniste”, Sh. B. “Naim Frashëri”

[4] Po aty.

[5] “Dy Europa”, në shqip G. Bakalli, ARS

[6] “Mbi televizionin”, në shqip nga Dilfirus Vrioni, Pika pa sipërfaqe

[7] “Si të shihet televizioni?, The Quarterly of Film Radio and Television Vol. 8, No. 3 (Spring, 1954)

 

Rreth Autorit

Profesor i letërsisë shqipe, eseist, kritik, dhe shkrimtar. Krahas ligjërimit të letërsisë, analizon problematika nga letërsia, filozofia, psikologjia, muzika, piktura, filmi dhe kultura në përgjithësi.

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin