IMAZHI (QË FLET SA NJË MIJË FJALË) DHE ANALIZA (E MUNGUAR)

Fabrika e të menduarit gati
Është si i tezgjahut zanati
Ku i lëviz me këmbë një mijë fije…
…Ku me një të rrahur bëhen një mijë nyje
E filozofi në këtë mes ndërhyn
Pse ndodh kështu ta thotë arsyen

Mefistofeli, tek «Fausti» i Goethes (përkthim nga Pashko Gjeçi)

 

nga Arbër Zaimi

Kohët e krizave prej përkufizimit janë kohë vështirësish, ndryshimesh e paqartësish të mëdha. E tillë është edhe e tanishmja, kur ende pa u gjetur zgjidhja për Krizën Globale Financiare, që nisi në 2008 e që shkaktoi Recesionin e Madh, u shfaq pandemia e koronavirusit, që solli përveç frikërave e pasojave psikologjike e shëndetësore, edhe pasoja të mëdha në ekonominë botërore. Si të mos mjaftonte kjo, me pandemi nëpër këmbë, Rusia vendosi të pushtonte Ukrainën, duke nisur një luftë që vazhdon prej gjashtë muajsh, e cila tremb shumë për shkak të potencialit që të degjenerojë në përballje bërthamore, por edhe i peshon rëndë ekonomisë botërore, meqë dy vendet ndërluftuese janë ndër furnizuesit më të mëdhenj të botës me drithëra e metale, ndërsa Rusia edhe me gaz e energji. Shtoju këtyre edhe frikën prej katastrofës klimatike, e cila bëhet e prekshme tek thatësira e madhe që ka prekur shumë vende të botës gjatë kësaj vere, apo tensionet mes Kinës dhe Amerikës për punë të Tajvanit, dhe arsyet e njeriut për të humbur mendjen janë të gjitha aty. Të mendosh se veprave të artit, si filmi i trishtë “Nattvardsgästerna” (“Drita dimri”, 1963) i regjisorit të madh suedez Ingmar Bergman, u mjaftonin shumë më pak arsye për të prekur ankthin ekzistencial. Personazhi Jonas Persson (luajtur nga Max Von Sydow) hyn në depresion e nuk gjen dot ngushëllim, për shkak se në lajme dëgjon që Kina ka arritur të zhvillojë bombën bërthamore dhe krijon bindjen se tash bota nuk ka më shpëtim e se do të ndodhë herëkurdo një përplasje mes fuqive bërthamore. Dëshpërimi është mjaftueshëm i thellë, sa ta dërgojë zotin Persson në vetëvrasje… Por ç’do të mund të thuhej sot për ankthin e depresionin, me këtë palimpsest krizash?

Duket se viktima e parë e krizave mund të jetë demokracia liberale, teksa masat e individëve të traumatizuar prej krizave nxiten gjithnjë e më shumë të veprojnë si turma, e jo si publik. Për këtë ndikon shumë edhe media, e cila gjithnjë e më rrallë është reflektive e vetëreflektive, gjithnjë e më shumë e lejon veten të bëhet ndërsyese. Sidomos ndërsyese janë mediat tona ndaj kujtdo që i kritikon ato, gati për ta shpallur “armik të fjalës së lirë”. Për hir të argumentit, nëse dëshirojmë të kthehemi një shekull më pas, në kohën kur mediat u përdorën haptazi nga shtetet për të prodhuar konsensus në kohë krize e kohë lufte, ajo çka e dalloi shoqërinë amerikane prej shoqërive sovjetike e gjermane, ishte se në Amerikë pati reflektim serioz dhe kritika të thelluara të medias e të përdorimit të saj, kritika të cilat jo vetëm që u botuan, por fituan autoritet. Media ka edhe në demokraci, edhe në sisteme të tjera, por ajo që e dallon demokracinë do të duhej të ishte përgatitja dhe edukimi i publikut për limitet dhe rreziqet që mund, e që i përcjell vazhdimisht, dashje e pa dashje media.

Të rrokur nga nxitja për të kapur sa më shumë vëmendje, shumëkush në media harron se vëmendjen më të madhe në një shesh nuk e merr ndonjë Pascal që mediton, por budallai i lagjes, që defekon. Kapja e vëmendjes nuk do të duhej të ishte shkak në vetvete i mjaftueshëm që t’i jepet ndonjë fenomeni apo ndonjë personi platforma, skena publike. E aq më pak do të duhej që në skenën publike të valëviteshin flamurë të kuq toreadorësh, që synojnë ta manipulojnë publikun si demin në corrida.

Dy shembuj të freskët

Në një koncert të mbajtur në fund të gushtit në Tiranë, në një nga LED-ekranet shoqëruese të skenës u shfaq për disa çaste flamuri i Shqipërisë Socialiste, ai me yll mbi shkabë. Një gazetar e regjistroi momentin, më pas e vuri në rrjetet sociale. Prej aty e shpërndau shumëkush me indinjatë: po na ngjallet komunizmi në Shqipëri, nuk po respektohen viktimat etj.

Në po të njëjtin fundgusht, një tjetër gazetar, diku në Beograd, teksa ndiqte një turmë konservatorësh të revoltuar kundër paradës “pride”, kishte filmuar se si ata kishin djegur edhe një flamur shqiptar. Me sa duket nuk ishin thjesht konservatorë, por edhe racistë e albanofobë, gjë që s’është për t’u habitur. Gazetari e merr atë video dhe e vendos në rrjetet sociale. Prej aty e shpërndau shumëkush, dhe shpejt nisi një betejë, ku njëra palë thoshte se serbët janë barbarë. Pala tjetër pretendonte se s’ka aty asgjë për t’u shqetësuar, duke qenë se edhe shqiptarët janë po aq barbarë sa serbët, e fundja djegia e flamurit në Beograd është vetëm reciprocitet, duke sjellë si dëshmi video të mëhershme me shqiptarë që djegin flamurin serb në Tiranë (edhe ato të vendosura në rrjete sociale po njësoj, nga gazetarë që ndjekin ngjarje e mbledhin fakte).

Përfundimet e shumicës së komentuesve në rastin e parë janë të pasaktë. Imazhi i flamurit të Shqipërisë Socialiste nuk u shfaq as si pasojë e shkujdesjes apo injorancës së ndonjë pop-artisti të huaj, as si promovim i imazherisë socialiste apo si apologji ndaj saj. Këngëtari i rokbendit «Asgjë sikur dielli», Alban Nimani, të nesërmen e sqaroi se imazhi ishte pjesë e një videoklipi nga një këngë e tyre e vjetër, e cila ironizon parullën e tifozëve «o sa mirë me qenë shqiptar» dhe vë në lojë klishetë e krenarisë nacionaliste bashkëkohore, duke i ballafaquar ato me historinë e të qenët shqiptar. Videoklipi dhe kënga, si eksponate tipike të postmodernizmit, përdorin si medium pastiche-n, teksa autorët ruajnë vazhdimisht distancën me subjektin me të cilin tallen. Pavarësisht qëndrimit kritik ndaj postmodernizmit të vetë autorit të këtyre radhëve, as kënga, as videoklipi nuk kanë qëllime të tjera ndaj socializmit, përveç kundërshtimit dhe talljes. Megjithatë, «Asgjë sikur dielli» duket sikur në këtë rast ra viktimë e të njëjtit gjest që ka bërë edhe vetë. Cili është gjesti? Dikush e merr një imazh, e shkëput nga konteksti i gjerë ku ai u prodhua (pra, e nxjerr prej historisë), dhe e risjell në histori më vonë, duke e vendosur në një kontekst krejt tjetër e duke shkaktuar konfuzion në audiencë, e cila për pasojë nuk reagon racionalisht, por kryesisht emocionalisht e intuitivisht, duke u bazuar vetëm te përvoja e shqisave.

Dekontekstualizim-rikontekstualizim, pa përkujdesjen për të dhënë shpjegimet shoqëruese që ndihmojnë t’u ikësh dëmtimeve anësore.

Dikush mund të thotë se kjo është fundja e parrezikshme (dhe mbase rasti specifik ashtu është), mirëpo ky dekontekstualizim-rikontekstualizim i pasqaruar shfaqet përditë në mediat tona. Shembujt janë të shumëfishtë brenda ditës, që nga fotot e politikanëve që zgjidhen sipas orientimit politik të redaksisë, pra politikanët miqësorë i nxjerrin në fotot më të hijshme, ndërsa politikanëve rivalë u gjejnë foto ku kapen keq, dikush me sytë shtrembët, dikush duke rrudhur buzët, dikush duke kruar hundën. Problemi i imazheve që «vlejnë sa një mijë fjalë» është pikërisht te një mijë fjalët e pathëna, te retiçenca. Retiçenca është zbrazëtia të cilën secili lexues e mbush vetë, kryesisht me frikërat, pasiguritë, paragjykimet e veta. Nëse duam të marrim edhe një shembull tjetër, le të kujtojmë Skënderbeun (statujën) ndonjëherë të fotografuar me shpatë ngritur sipër besimtarëve që falen për Bajram (duke fyer e cytur besimtarët), ndonjëherë fotografohet i mbuluar, teksa besimtarët falen (duke fyer e cytur nacionalistët dhe islamofobët). Dikush mund të thotë se është karakteristikë thelbësore e demokracisë pranimi i provokimeve dhe i fyerjeve madje, si pjesë e lirisë së fjalës, mirëpo këto pranohen si «kontrapedal» e jo si pjesë e kulturës dominante. Madje do të ishte e pamundur të kishte paqe sociale apo demokraci ligjore nëse provokatorët do të ishin shumicë në diskutimin publik, e jo thjesht një pakicë, funksioni i së cilës është të gërricë.

Në rastin e imazheve të flamujve që digjen në Beograd e Tiranë, rreziku që paraqesin imazhet e vendosura në rrjet, pa e përgatitur mirë publikun për kontekstin e tyre, është edhe më i madh. Krijimi i idesë se, meqë shqiptarët djegin flamurin serb në Tiranë dhe serbët flamurin shqiptar në Beograd, dy popujt qenkan njësoj dhe barbarë thjesht i hap rrugë luftës. E në këtë moment përpjekja e një publiku racional do të duhet të ishte tjetër, jo për luftë, por për drejtësi. Nëse do të viheshin siç duhet në kontekst dhe në perspektivë gjestet e gabuara të djegies së flamujve, atëherë assesi nuk do të dilej në përfundimin e barazisë në barbari, por do të shpjegohej se si në shekullin XX gjatë nëntëdhjetë viteve shqiptarëve të pushtuar e të kolonizuar nga Serbia iu ofrua një trajtim barbar, që mbolli te një pjesë e tyre urrejtje. Ajo urrejtje ushqeu lëvizjet antikoloniale çlirimtare, por kurrsesi nuk është e barabartë me urrejtjen e një pjese të serbëve për shqiptarët, e cila përveçse del në traktatet e Vasa Çubrilloviqit apo në librat e Ivo Andriqit, u materializua edhe në përpjekjen gjenocidale të Milosheviqit. Mirëpo ja që imazhet e pasqaruara krijojnë iluzionin e simetrisë. Jo vetëm këto imazhe flamurësh që digjen, por edhe imazhe serbësh me kallash në dorë, që barazohen me imazhe shqiptarësh me kallash në dorë, apo imazhe viktimash shqiptare, që barazohen me imazhe viktimash serbe. Pikërisht barazime të tilla, që rrafshojnë semantika e kuptime, përvoja e histori, janë ato që mundësojnë mosdënimin e së padrejtës, mosmësimin nga historia dhe përsëritjen e tragjedive. Imazhi si vdekja «the great leveller».

Gazetarët në këtë rast pothuajse me siguri ndihen se nuk kanë bërë ndonjë «faj me dashje». Ata janë të bindur se të vendosurit e fakteve në sy të publikut është pjesë e deontologjisë së gazetarisë. S’ka nevojë për shpjegim, secili le ta gjejë shpjegimin vetë, detyra e gazetarit kryhet me publikimin e fakteve. Por a është kështu? Nuk po zgjatem shumë në diskutim epistemologjik se del përtej synimeve të shkrimit, por a duhet pritur prej një gazetari të dijë se faktet janë të mbarsura prej teorisë? Nuk po them të njohë debatet dhe shtjellimet e Popperit, Feyerabendit dhe Lakatosit, por së paku të dijë se pa teori s’ka fakte, se teoria përcakton si u qasemi fakteve e se, pa pajisjen me shpjegimin apo kornizën konceptuale e teorike, faktet jo vetëm që nuk vendosen dot në vendin e duhur të mozaikut të arsyetimit, por as nuk kuptohen dot. Që një imazh, një video apo një statistikë e botuar t’i shërbejë publikut, ajo duhet vazhdimisht të shoqërohet nga analiza dhe sqarimi. Jo se analizat janë konkluzive dhe mbyllin debatin, përkundrazi, këto duhen pikërisht që ta hapin debatin, sepse publikimi i “faktit” apo “vëzhgimit” të pakontekstualizuar është pikërisht ai që nuk lë hapësirë për debat.

Me teknologjinë e re imazhi, në formën e fotove, videove, montazheve, por edhe fjalëve të përdorura si imazh (titujt bombastikë) ka vërshuar komunikimin njerëzor. Sektorët më të anashkaluar dhe të prapambetur të mediave të reja janë sektorët e analizës. Aty më së shumti botohen komente të marra nga rrjetet sociale prej personave që mbahen si të ditur, pra, që marrin shumë «lajka». Por botohen edhe aberracione konspirative e fantashkencore, si dhe ca tip editorialesh redaksionale, të cilat më shumë shërbejnë si fletërrufe apo si ndërsim ndaj dikujt, sesa shtrojnë ndonjë argument në mënyrë të shtjelluar e kritike. A ka vallë korrelatë mes rritjes së rëndësisë së komunikimit mediatik përmes imazheve dhe degradimit të sektorit mediatik të analizës? Le t’u mbetet kjo pyetje studiuesve të medias.

Por përdorimi i imazheve si mjet komunikimi, që nxit dhe josh masat shumë më lehtë sesa arsyeja, është në thelb një përbuzje për publikun dhe është diskutuar qysh në fillimet e periudhës moderne. Mjeku francez, Gustave le Bon, i famshëm për librin e tij Psychologie des Foules (1895) shkruan:

«Thjesht nga fakti se gjendet i përfshirë në një turmë të organizuar njeriu zbret disa nivele më poshtë në shkallën e qytetërimit. Kur është i izoluar, ai mund të jetë i kulturuar; kur është në turmë, ai është barbar – domethënë një krijesë që vepron sipas instinktit. Aty ai zotëron shkujdesjen, dhunën, egërsinë, po edhe entuziazmin e heroizmin e qenieve primitive, të cilave u përngjan edhe më tepër po të konsiderohet lehtësia me të cilën ai e lejon veten të ndikohet nga fjalë e imazhe, që do të ishin tërësisht pa impakt po të vendoseshin përballë secilit individ të asaj turme, veç e veç

Le Bon i përbuz turmat. Libri i tij përshkohet nga një frymë konservatore, e cila i qan hallin shpërbërjes së hierarkive dhe zëvendësimit të «së drejtës hyjnore të mbretërve» nga «e drejta hyjnore e masave». Mirëpo teksa analizon irracionalitetin e turmave dhe shfaq bezdinë që i japin organizimet sociale e punëtore, Le Bon nuk bie në ndonjë fatalizëm. Përkundrazi, ai e zhvillon nocionalisht psikologjinë e turmave si një projekt për një shkencë të re. Partizani i ancient-regime dhe kundërshtari i demokracisë e i socializmit, Le Bon, sugjeron se meqë është e kotë t’u bëhet turmave thirrje për arsyetim, atëherë do të ishte mirë që të përgatitej një elitë e aftë për të kapur e për të drejtuar turmat, që ato të mos mbeteshin në dorë të «demagogëve». Kështu Le Bon shtron sugjerimin strategjik se të mësuarit e «artit të impresionimit të imagjinatës së turmave është në të njëjtën kohë mësim i artit të qeverisjes së turmave». Për të arritur këtë, nevojitej dramaticitet dhe gjetja e një imazhi bindës e tronditës, «absolut, i padiskutueshëm e i thjeshtë», një imazh i cili «mbush dhe përmirëson mendjet e njerëzve».

Elitizmi lebonian, që mjeshtëron përdorimin e imazheve, nuk është elitizëm politik, por mediatik. Nuk është pararendësi i qeveritarëve të sotëm, por i spin-doktorëve të tyre.

Bindja leboniane se turma duhej «psikologjisur», por nuk duhej trajtuar me pritshmëri racionale, u përqafua edhe nga inxhinieri radikal Georges Sorel, i cili merrej edhe me teori e filozofi. Kësaj bindjeje ai i shtoi edhe ca elemente nga filozofia e Henri Bergson-it (të cilit ia ndiqte leksionet në «College de France»), sidomos prioritizimin e intuitës dhe vitalizmit ndaj arsyes abstrakte dhe shkencës. Mbi këto të dyja Soreli zhvilloi lexime shumë të veçanta e idiosinkratike të disa teoricienëve të kohës (p.sh. Marx-in e lexoi jo si një kritik ekonomiko-shoqëror të kapitalizmit, por si një kritik moralist të dekadencës së borgjezisë), dhe zhvilloi konceptin e tij më të rëndësishëm, atë të fuqisë së mitit politik. Miti politik është ai që mund të çojë përpara një projekt politik. Që të funksionojë, ai duhet të jetë përtej çdo mohimi, të jetë jologjik e irracional, as analitik, as programatik, por vetëm një përzierje imazhesh e fjalësh vetëshpjeguese (sloganesh), të cilat “thjesht me intuitë, ende pa bërë ndonjë analizë për të qenë, janë në gjendje të ngjallin si një tërësi të pandashme masën e ndjenjave të cilat u korrespondojnë manifestimeve të ndryshme të betejës…” (Reflexions sur la violence, 1908).

Miti sipas Sorelit përmban më shumë bindje e motivim sesa ekspozim sistematik idesh. Tjetër element, po sipas Sorelit, është se një mit më shpesh është negativ sesa pozitiv, njerëzit bëhen më lehtë bashkë për të kundërshtuar e rrënuar diçka, sesa për të ndërtuar diçka.

Mund të vazhdonim gjatë, dhe pa dyshim se do të ishte interesante të ndiqnim fillin e zhvillimit të irracionalizmit në historinë e mendimit politik të këtij shekullit të fundit. Por ky shkrim ka për synim të trajtojë në mënyrë të kufizuar shfaqjen e irracionalizmit në sferën mediale dhe rrjetet sociale, shoqëruar me bjerrjen e hapësirës për analizë.

Irracionalizmi në mediat tona bazohet në një përfytyrim lebonian të publikut, si turmë organike, së cilës i hidhen për ushqim thashetheme, copa mishi e kockash nga kronika rozë dhe ajo e zezë, imazhe e mesazhe pavloviane, teori konspiracioni si dëshmi të dështimit të racionales. Nëse pyet pronarë mediash, drejtues e kryeredaktorë, për mediat e tyre, të cilat kanë përfunduar si ekspozita titujsh e fotosh bizare, shumica të përgjigjen: këtë dëshiron audienca, nuk ka audiencë për analiza e argumente më të shtjelluara. Statistikisht kanë me siguri të drejtë, lajmet më të klikuara janë pikërisht ato më bizaret e më irracionalet. Por a është kjo e vetmja mënyrë për ta parë audiencën, si një turmë a si një bashkësi individësh me racionalitete të papërputhshme, që i bën bashkë më tepër irracionaliteti dhe dëshira për të shkatërruar?

Pikëpamjet e Le Bonit mbi turmat ndikuan shumë në debatin shkencor, megjithatë ato nuk mbetën pa kritikë. Sociologu amerikan Robert Park, qysh në tezën e tij të doktoratës të botuar në Berlin në 1903, Masse und Publikum, Eine methodologische und soziologische Untersuchung, ndërton një dikotomi mes turmave leboniane – homogjene, irracionale, impulsive, që angazhohen emocionalisht në bazë të perceptimeve dhe intuitave, dhe publikëve – heterogjenë e kritikë, të përgatitur për t’u ballafaquar me kompleksitetin e situatave, të matur mjaftueshëm sa për të peshuar e analizuar faktet. Pikërisht te kryqëzimi mes interesave të përbashkët dhe heterogjenitetit të bindjeve, pikëpamjeve, ndjenjave, dijeve e njohjeve, lind shpresa për maturi dhe potenciali për reflektim racional brenda publikut, sipas konceptimit të Parkut.

Dikotomia e ngjashme shfaqet edhe nëse konsiderojmë bindjet e studiuesve amerikanë Gabriel Almond dhe Walter Lippman, të cilat meqë përngjajnë shumë njihen si Konsensusi Almond-Lipmann (ata nuk i përkisnin në fakt as së njëjtës sferë të studimeve, as nuk ishin bashkëpunëtorë shkencorë, konsensusi është më tepër koincidencë). Pikëpamja e tyre mbi opinionin publik do të mund të klasifikohej si leboniane dhe konsensusi përmblidhet në tri pika:

  1. Opinioni publik është i paqëndrueshëm, ai lëviz i çoroditur duke reaguar ndaj zhvillimit apo manipulimit më të fundit. Gjatë fillimit të shek. XX besimet e masave ishin gjithnjë të ekzagjeruara, shumë pacifiste në kohë paqeje, shumë luftënxitëse në kohë lufte, ndërsa në kohë negociatash ose më neutralist se ç’duhet, ose më i dorëzuar se ç’duhet, ose më i padorëzueshëm se ç’duhet.
  2. Opinioni publik është jokoherent, atij i mungon struktura e organizuar apo konsistente, aq sa mund të thuhet se nuk ka qëndrime.
  3. Opinioni publik është i parëndësishëm për proceset e politikëbërjes. Udhëheqësit politikë nuk e marrin parasysh opinionin publik, për shkak se shumica e popullit nuk është në gjendje as të kuptojë e as të vlerësojë vetë ngjarjet prej të cilave varet jeta e lumturia e tyre.

Bindjet e Almondit dhe Lipmannit u mbajtën si të vërteta deri nga vitet ‘60, kur fillojnë të kenë sukses lëvizjet popullore për të drejtat e njeriut, revolucioni seksual, kryengritja rinore-studentore e ‘68, si dhe lëvizjet antikoloniale në vendet e kolonizuara. Më pas, edhe në ambientin shkencor, ato janë hedhur poshtë nga studime që tregojnë se opinioni publik në fakt organizohet rreth ideologjive dhe krijon asisoj bindjeje sa iu përket çështjeve të ndryshme, qofshin ato edhe abstrakte e të largëta, si puna e debateve filozofike, politikës së jashtme etj. Pra, konfirmohet ideja e Parkut se ekzistojnë publikë të cilët informohen, krijojnë hapësira reflektive dhe maturojnë kriticizmin e vet. Çështja është si komunikohet me to e kush komunikon me to. Trajtimi i publikëve si turmë e manipulueshme është vërtet një elitizëm me origjinë konservatore (te Le Bon-i), por më vonë ai është përqafuar edhe nga sektorë liberalë apo të së majtës, sidomos nga burokracitë e tyre qeverisëse në momentet kur ato kanë qenë në pushtet. Dhe vazhdimisht, trajtimi i publikëve si turma ka prodhuar mandej pakënaqësi e rebelim te vetë publikët, që të bashkuar në kundërshti janë kthyer edhe në turma.

Nëse do të ngadhënjejë në një shoqëri modeli i turmës irracionale leboniane, udhëhequr nga imazhet e mitet soreliane, apo modeli i publikëve racionalë, natyrisht varet nga shumë variabla, dhe njëri prej tyre është vetë media. Besimi apo intuita e udhëheqësve dhe e menaxherëve medialë se “po i japim audiencës atë që ajo kërkon” harron se në të njëjtën kohë po e edukon audiencën që të presë prej mediave vetëm atë gjë. Audienca nuk është e dënuar apo e destinuar që të jetë vetëm turmë. Mirëpo duke u “ushqyer” vetëm me të tillë material, asaj nuk i mbetet zgjidhje tjetër. Natyrisht, siç e kishin trajtuar Le Boni e Soreli më sipër, por edhe teoricienë të tjerë, si njëri nga ndikuesit e mëdhenj të neoliberalizmit, James Burnham, elitat, përfshirë edhe ato mediatike, e kanë më të lehtë të priren të kontrollojnë turma sesa të edukojnë publikë. Sidoqoftë, me fuqizimin e irracionalizmit në politikë (si pasojë e një gramshizmi të djathtë, që do ta trajtojmë në një shkrim tjetër), zgjedhja e rrugës më të lehtë rrezikon të rrudhë jo vetëm sektorët e analizës në faqet mediale, por edhe vetë hapësirën për media të lira e demokraci. Në shumë vende të botës tashmë flitet haptazi për demokraci iliberale. Duke qenë se politikat që propozohen prej irracionalistëve të rinj e gramshianëve të djathtë nuk karakterizohen edhe aq nga rrudhja e lirive tregtare sesa nga ajo e lirive njerëzore individuale e shoqërore, atëherë mund të thuhet edhe se demokracia iliberale që propozohet në fakt është një liberalizëm tregtar jodemokratik. E kjo perspektivë nuk është e mirë as për mediat nëse vërtet e kanë mision ruajtjen e demokracisë (apo vetë mbijetesën e hapësirës ku ato funksionojnë). Ndaj mediat nuk do të duhet të tregoheshin të shkujdesura dhe të painteresuara sa i përket “garës” mes turmës dhe publikëve, garë në të cilën vetë ato kanë ndikim dhe interes për të ndihmuar njërën anë apo tjetrën. Nëse do të jetë shoqëria jonë e determinuar nga publikët apo nga turmat, në fund kjo do të përcaktohet edhe nga vetë media, se sa hapësirë e përparësi i jep kultivimit të mendimit serioz dhe analizës, e sa imazhit, provokimit, konspiracionit apo cytjeve e ndërsimeve.

© 2022 Arbër Zaimi. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi pa lejen e autorit.

Rreth Autorit

Arbër Zaimi është aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka studiuar Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, dhe është lexues i etshëm i filozofisë. Përkthyes, publicist, i interesuar ndër të tjera për kapacitetet emancipuese e kritike, në politikë e kulturë. Jeton në Tiranë e Prishtinë.

Author Archive Page

1 Koment

  1. Asgje nuk eshte rastesi, as kur behet nje koncert me Dua Lipen ketu ne Tirane(pasi qe takuar me pare me kryeministrin dhe kryebashkiakun), as kur cmimet ne jug kane krijuar nje pakenaqesi aq te madhe sa njerezit betohen se nuk do te bejne me pushime ne shqiperi. Nuk eshte rastesi ngritja e cmimit te naftes pasi eshte ulur ajo ne burse (sidomos pasi shteti yne mundet dhe duhet te beje dicka me shume kur ne kemi nje pasuri ne ate sektor), as koncerti Bregovic e as daljet “vellazore” mes Vucic dhe Rames. Nuk ka asnje rastesi ne krizat boterore apo te luftes midis Ukraines dhe Rusise, as zgjatjes se dialogut Kosove-Serbi apo mbrojtjes se asaj qe dukshem eshte kriminale dhe e keqe (te serbeve) dhe nje dyshimi zvarrites per kerkesat nga ana e shqiptareve te Kosoves. Nuk ka asgje rastesore me kronikat e zeza (si ajo e perdhunimit te nje te miture), gje qe tregojne nje degradim te vlerave, as me deshiren e “zjarrte” te shqiptareve (qe po pershendetet me aq dashamiresi nga qeveritaret dhe kedo qe ka ne dore per ta ndaluar kete hemoragji). Mund te zgjatem pa fund sepse asgje nuk eshte rastesi, kjo vjen sepse te gjithe ata qe mund te luajne nje rol dhe vertete mund te perbejne nje ndryshim midis asaj qe po ndodh dhe asaj “aspirate” per dicka pozitive dhe te kenaqshme per te gjithe ne, jane nenpunes (rrogtare) te dikujt qe eshte me i fuqishem se dikush tjeter dhe ka me shume para dhe fuqi dhe kesisoj duhet te vendos per me te dobtin. Ne nje pune ose ben ate qe te thote “shefi”, pra ai qe te ka marre ne pune, ose duhet te largohesh. Do mendonit se c’hyn ketu Serbia, Rusia apo Anglia, por kjo eshte nje histori teper e gjate, vetem se une besoj se nuk ka asnje rastesi qe ata punojne kundra nesh(dhe kujtdo shteti tjeter qe kane poshte vetes).

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin