PUNA QË E MUNDKA DHUNËN

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, paska komentuar sot, gjatë një vizite në selinë e Arqipeshkvisë Metropolitane, Tiranë-Durrës dhe atë të Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, për “fabulën e Pashkëve.”

“Kumti i ringjalljes së Krishtit,” ka shpjeguar Veliaj, “Është kumti që drita e mund errësirën, puna e mund dhunën edhe që jeta e mund vdekjen.”

Më tërhoqi menjëherë vëmendjen, te ky interpretim i Kryetarit të Bashkisë, ideja se pjesë e kumtit të Pashkëve qenka që “puna e mund dhunën.”

Ideja i bashkëlidhet pothuajse haptazi qëndrimit që ka z. Veliaj ndaj protestave dhe protestuesve kundër politikave të tij, veçanërisht për ndërtimin brenda Parkut të Liqenit – ku ai ka dashur ta pozicionojë veten si në anën e atyre që punojnë, ndërsa kundërshtarët e tij si në anën e atyre që dhunojnë.(*)

Por nuk arrij dot të gjej lidhje midis kësaj ideje dhe Pashkëve, kësaj feste të krishterë.

Me sa di unë, që i krishterë nuk jam por që kam jetuar i rrethuar nga komunitete dhe kultura të krishtera, Pashkët kremtojnë ringjalljen e Krishtit. Nga ana tjetër, Pashkët hebraike (Pesach), të cilat kremtoheshin para se të shfaqej Jesui, kremtonin çlirimin e hebrenjve nga Egjipti, falë Moisiut.

Në Ungjijtë, kjo domethënie e Pashkëve hebraike ripërfshihet në ringjalljen e Krishtit, i cili i çliroi të krishterët nga mëkati dhe, nëpërmjet sakrificës së tij në kryq, u dha këtyre një jetë të re.

Natyrisht, çfarë di unë për Pashkët nuk ka të njëjtën vlerë me çfarë mund të dijë një besimtar i krishterë i devotshëm, siç edhe mund të jetë qytetari Veliaj; e megjithatë, unë nuk arrij dot të gjej ndonjë referencë ndaj punës te kjo “fabul”; dhe aq më pak ndaj raportit mes punës dhe dhunës.

Brenda narrativës së kryqëzimit të Krishtit dhe pastaj ringjalljes së tij, e vetmja punë mirëfilli, tek e cila po më shkon mendja, ishte ajo e ushtarëve romakë që ekzekutuan kryqëzimin dhe e ngulën Jesuin me gozhda në kryq; dhe që natyrisht ishte pjesë e dhunës, nuk i kundërvihej.

Dhe vetë puna nuk ka gjë çliruese në vetvete; punën mund ta kryejnë skllevërit si në kohën e Romës, puna mund të skllavërojë ajo vetë, puna mund të shërbejë edhe për të përçuar dhunën masive dhe autoritetin brutal të pushtetit.

Regjimet totalitare janë shquar, në historinë e shekullit XX, që i vunë shtetasit e tyre në punë; por kjo nuk është se i bëri këta shtetas më të lirë.

Deri edhe në dyert e kampit të përqendrimit nazist në Auschëitz ishte shkruar një slogan që u thoshte të ndëshkuarve se “Arbeit macht frei” – puna të çliron: por doemos nuk kështë ky lloj çlirimi, të cilit i referohet z. Veliaj në leximin kaq të pazakonshëm, që ia jep “fabulës” së Pashkëve.

Kështu i kuptoj unë profani Pashkët; por do t’ju lutesha të mos më linit të gaboj. Që politikanët kanë dëshirë t’u bashkëngjiten festave fetare, për të riprodhuar popullaritetin, këtë edhe mund ta kuptoj; por që politikanët të sjellin interpretime të reja të festave fetare, të tilla që mundësisht të bashkëtingëllojnë me preokupimet e tyre të ditës, këtë nuk do ta kuptoja dot.

Në fund, pavarësisht nga kuptimi që mund të ketë apo jo “fabula” e Pashkëve, desha të shtoj që jo, puna nuk e mund dhunën.

Vetë Krishti nuk është se i çliroi njerëzit nga pesha e mëkatit duke i vënë të punojnë; dhe as u bë Krisht duke punuar vetë; por e solli dritën në mes të errësirës nëpërmjet fjalës. Madje në Bibël lihet gjithnjë të kuptohet se vetë puna, si e tillë, nuk ka ndonjë vlerë, në qoftë se Zoti nuk është në të – dhe as Veliaj vetë nuk është se ka thënë ndonjëherë, që betoni brenda parkut në Tiranë po derdhet me frymëzimin dhe vullnetin hyjnor!


“Jam i bindur se veç puna na nxjerr në dritë, e ndaj veç me punë do t’i përgjigjemi dhunës. Tirana do bëhet!”, sapo ka deklaruar z. Veliaj, në një reagim zyrtar të Bashkisë sot (28 mars).

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin