Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

BANALIZIMI I CENSURËS

Një procedurë teknike në Kuvendin e Shqipërisë, siç është transliterimi i fjalimeve të deputetëve në procesverbalet zyrtare, u shndërrua në kakofoni politike, pasi u sugjerua se fjalimi i deputetes socialiste të qarkut Shkodër Marjana Koçeku ishte censuruar gjatë këtij procesi. Pretendimi është jo vetëm i pabazë por edhe konceptualisht problematik sepse deformon kufirin mes dy kategorive krejtësisht të ndryshme: standardizimin administrativ të komunikimit institucional dhe censurën politike. Kjo mbivendosje nuk është e pafajshme. Ajo relativizon vetë kuptimin e censurës në një çast kur censura në Shqipëri është e dokumentuar përmes presionit sistematik ndaj medias, gazetarëve dhe hapësirës publike.

Nën regjimin e Edi Ramës, presioni ndaj gazetarëve, kapja e institucioneve, kufizimi i hapësirës publike dhe ndikimi politik mbi mediat janë evidentuar vazhdimisht nga organizata ndërkombëtare dhe raportet mbi lirinë e shtypit. Të dhënat e fundit për vitin 2026 të Reporters Without Borders e rendisin Shqipërinë në vendin e 83-të në nivel global, tre vende më poshtë krahasuar me 2025, duke theksuar se liria e shtypit dhe pavarësia e medias kërcënohen nga konfliktet e interesit mes biznesit dhe politikës, një kuadër ligjor i dobët dhe ndërhyrja partiake. Raporti nënvizon gjithashtu se gazetarët në Shqipëri mbeten të ekspozuar ndaj presioneve dhe kërcënimeve nga aktorët politikë dhe krimi i organizuar.

Progres Raporti i vitit 2025 i Komisionit Europian për Shqipërinë e konsideron ende problematike gjendjen e pluralizmit dhe lirisë së medias në Shqipëri, duke vlerësuar se vendi mbetet mes një niveli të pjesshëm dhe mesatar përgatitjeje në fushën e lirisë së shprehjes. Edhe ky raport nënvizon se pavarësia dhe pluralizmi mediatik vijojnë të minohen nga ndërthurja e interesave politike me ato ekonomike, mungesa e transparencës mbi financimin e mediave, dominimi i pronësisë së tyre nga një grusht i vogël biznesmenësh të lidhur me pushtetin politik, presioni ndaj gazetarëve dhe kushtet e pasigurta në të cilat ata ushtrojnë profesionin.

Vetëm gjatë vitit 2023 pati një rritje prej 73% të përdorimit të padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP), një mekanizëm që përdoret për të intimiduar dhe heshtur gazetarët, aktivistët dhe kritikët publikë përmes presionit ligjor dhe financiar. Në të njëjtën periudhë u shtuan edhe sulmet ndaj gazetarëve, ndërsa Kodi Penal shqiptar vazhdon të mos ofrojë mbrojtje specifike për këta të fundit përballë dhunës gjatë ushtrimit të profesionit të tyre. Së fundmi, gazetari Sami Curri u bë objekt i një sulmi të qëllimshëm, pasi automjetit të tij iu vu flaka, në një ngjarje që dyshohet të jetë e lidhur me punën dhe angazhimin e tij gazetaresk.

Ndër të tjera, qeveria ka tentuar prej vitesh të zgjerojë kontrollin mbi median dhe fjalën e lirë, veçanërisht në hapësirën digjitale.  Një nga shembujt më domethënës është “paketa anti-shpifje”, e cila synonte t’i jepte AMA-s kompetenca për të ndëshkuar mediat online pa mbikëqyrje gjyqësore, një nismë që u kritikua ashpër nga Komisioni Europian, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias si rrezik serioz për lirinë e medias dhe krijimin e një klime intimidimi ndaj gazetarëve dhe kritikëve publikë. Në të njëjtën mënyrë u interpretua edhe nisma e vitit 2025 për bllokimin në shkallë kombëtare të platformës TikTok, e gjykuar nga European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF) si përpjekje për të kufizuar lirinë e shprehjes në prag të zgjedhjeve parlamentare.

Pikërisht në këtë realitet, ku censura, presioni dhe kërcënimi ndaj medias manifestohen në forma konkrete dhe të dokumentuara, përdorimi i termit “censurë” për transliterimin standard të një procesverbali parlamentar nuk është thjesht disproporcional; ai banalizon një fenomen serioz. Askush nuk ia ndaloi Koçekut të fliste në gegnisht. Fjala e saj as nuk u ndërpre dhe as nuk u ndryshua. Ajo që ndodhi ishte standardizimi rutinë i formës administrative të dokumentimit parlamentar, jo e drejta e saj për t’u shprehur.

Koçeku refuzon të flasë shqipen standarde në Parlament, në kundërshtim me rregulloren e këtij institucioni dhe pavarësisht se rroga mujore e saj paguhet nga taksat e qytetarëve shqiptarë, pa dallim krahine, identiteti kulturor apo bindjeje politike, çka e detyron deputeten në fjalë dhe kolegët e saj t’u drejtohen të gjithëve në mënyrë përfshirëse dhe të barabartë. Fundja, Kuvendi nuk është tribunë dialektore por institucion kombëtar. Deputetët nuk flasin vetëm për zonën e tyre por për të gjithë qytetarët e Republikës.

Megjithatë, Koçeku e ka paraqitur këtë zgjedhje si akt politik, duke risjellë në vëmendje tensionet e akumuluara ndër dekada mes standardit dhe dialekteve, veçanërisht narrativën mbi margjinalizimin e gegnishtes dhe karakterin asimilues, që i atribuohet reformës gjuhësore të periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.

Është e vërtetë që standardizimi i shqipes ndodhi në kontekstin e konsolidimit të regjimit komunist dhe në mungesë pluralizmi politik. Këto kushte çuan në përzgjedhjen e dialektit toskë si bazë e standardit dhe në imponimin e këtij të fundit në institucionet shtetërore, si edhe më gjerë në shoqëri. Pavarësisht se debati mbi formën e standardit është legjitim dhe i nevojshëm, për momentin ky është i vetmi standard zyrtar që kemi, funksioni i të cilit është të krijuarit e një kodi të përbashkët komunikimi institucional, administrativ dhe juridik, që shqipja të kuptohet njësoj nga Vermoshi deri në Konispol. Për këtë arsye, dokumentet zyrtare të shtetit hartohen në gjuhën standarde, pavarësisht sesi shprehet individualisht secili deputet. Nëse dokumentacioni shtetëror do të fragmentarizohej në variante dialektore, do të cenohej qartësia dhe unifikimi institucional i komunikimit publik. Asnjë shtet modern nuk funksionon kështu!

Nëse shqetësimi i Koçekut mbi raportin mes standardit dhe dialekteve është real dhe jo performativ, ajo gëzon të gjithë autoritetin politik dhe institucional për ta formalizuar këtë debat në mënyrë serioze dhe produktive: përmes kërkesës për ngritjen e një komisioni shkencor të përbërë nga gjuhëtarë, studiues, akademikë dhe ekspertë të politikave gjuhësore, në bashkëpunim me universitetet, institucionet kërkimore dhe Ministrinë e Arsimit, me synim rishikimin kritik të historisë dhe zhvillimin e standardit në Shqipëri. Ajo nuk është një qytetare pa akses në mekanizmat institucionalë të vendimmarrjes por deputete e shumicës qeverisëse, pra pjesë e vetë pushtetit. Pikërisht mungesa e vullnetit politik dhe e një përpjekjeje institucionale serioze, e bën të dyshimtë sinqeritetin e retorikës “anti-censurë”, veçanërisht kur këto zëvendësohen me polarizim kulturor në rrjetet sociale.

Zgjedhja për të sulmuar intelektualë, studiues dhe kritikë, përmes një kornizimi konfliktual të debatit në “ne” dhe “ju”, “gegë” dhe “enveristë”, nuk i shërben as gegnishtes dhe as pluralizmit kulturor. Përkundrazi, kjo qasje e zhvendos vëmendjen nga problemet reale dhe strukturore të vendit, si censura reale ndaj medias e fjalës së lirë, korrupsioni, kapja e shtetit dhe degradimi institucional, drejt krijimit artificial të dy kampeve armiqësore kulturore. Në këtë skemë, konflikti nuk ndërtohet më mes pushtetit dhe kundërshtarëve të tij por artificialisht mes mbrojtësve të vetëshpallur të një kauze të fabrikuar identitare dhe intelektualëve kritikë ndaj pushtetit aktual, ku këta të fundit etiketohen automatikisht si “enveristë” apo armiq kulturorë, epitete që deri së fundmi janë përdorur kundër vetë pushtetarëve socialistë.

Është domethënëse që gjatë tri dekadave të fundit, ndasitë kulturore mes “gegëve” dhe “toskëve” kanë qenë shpesh të ndërthurura me identifikime politike. Zonat veriore, veçanërisht qytete si Shkodra, kanë funksionuar historikisht si bastione elektorale të Partisë Demokratike, ku të folurit në gegnisht shpesh është perceptuar edhe si shenjë identifikimi politik dhe kulturor opozitar. Mirëpo, me dobësimin e Partisë Demokratike dhe depërtimin elektoral të Partisë Socialiste në këto rajone, ka nisur të ndërtohet një narrativë e re politike: ajo e identifikimit të vetë regjimit me të “margjinalizuarit” e këtyre zonave edhe përmes gjuhës së folur. 

Në këtë kontekst, kooptimi i figurave publike si Marjana Koçeku shërben gjithashtu si instrument simbolik për ta ripaketuar pushtetin si mbrojtës të identiteteve të përjashtuara historikisht, ndërkohë që kritikët dhe opozitarët realë ricilësohen si pala “elitare”, “enveriste” apo “shtypëse”, në tentativën për t’ua deligjitimuar argumentet. Pikërisht këtu debati mbi gjuhën pushon së qeni debat kulturor dhe shndërrohet në instrument të menaxhimit politik të identiteteve dhe konflikteve publike, me qëllim justifikimin e mëtejshëm të një pushteti të dhunshëm dhe censurues si ky Socialist, së cilit Koçeku dhe të tjerë individë kanë zgjedhur t’i shërbejnë me zell, në një kohë kur Shqipëria de facto mund të konsiderohet parti-shtet.

Problemi nuk qëndron te fakti që gegnishtja po flitet në Parlament por te mënyra sesi dialekti instrumentalizohet politikisht për të prodhuar konflikte simbolike dhe për ta zhvendosur vëmendjen nga autoritarizmi real i pushtetit. Debati mbi politikat gjuhësore meriton seriozitet akademik dhe politik, jo retorikë viktimizuese nga eksponentë të vetë regjimit sepse kur pushteti fillon të paraqitet si viktimë e “censurës”, ndërkohë që kontrollon institucionet, median dhe hapësirën publike, atëherë nuk kemi të bëjmë më me mbrojtje të dialektit por me menaxhim politik të perceptimit publik.

(c) 2026 Gresa Hasa. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin