FJALË TË NGATËRRUESHME (VII)

nga Adrian Beshaj

Inteligjenca dhe inteligjencia

Dy fjalë që mund të ngatërrohen në të shkruar dhe në të folur janë edhe inteligjenca dhe inteligjencia, ndaj e gjykoj me vend t’i rikujtoj kuptimet dhe përdorimet e tyre.

Inteligjenca, siç e dinë të gjithë, do të thotë zgjuarsi, mençuri, arsye, mendje dhe në shqip ka hyrë nga italishtja që nga ana e saj e ka marrë nga latinishtja, emri  “intellegentia”, që rrjedh nga folja latine “intellegere” e përbërë nga inter “ndër” dhe legere “lexoj, zgjedh”, pra në njëfarë mënyre të lexosh përtej sipërfaqes së gjërave dhe njerëzve. Inteligjenca është me pak fjalë aftësia për të kuptuar, menduar, gjykuar, si për shembull: njeri me inteligjencë mesatare (të madhe) etj. Nga inteligjenca rrjedh mbiemri inteligjent, që sigurisht do të thotë i zgjuar, i mençur, me mend, i arsyeshëm, si për shembull: djalë apo vajzë inteligjente, veprim apo vështrim inteligjent.

Inteligjenca përdoret edhe për të treguar shërbimet sekrete të një shteti, që kanë për detyrë mbrojtjen e sigurisë, informimin e institucioneve shtetërore dhe luftën ndaj spiunazhit të shteteve jo mike, si për shembull: shërbimet e inteligjencës amerikane, ruse, kineze etj.

Prej kohësh flitet edhe për inteligjencën artificiale, që është pjesë e informatikës e cila studion teorinë, metodat dhe teknikat që lejojnë realizimin e sistemeve të përpunimit që kanë aftësi të kryejnë veprime që konsiderohen se i përkasin njeriut.

Ndërsa inteligjencia, që vjen nga italianizmi rus “intellighenzia” (rus. intelligencija), përftohet me shtimin e një “i”-je në mesin e rrokjes së fundit të emrit inteligjenca dhe tregon shtresën shoqërore që përbëhet nga intelektualët, njerëzit më të kualifikuar dhe të specializuar në fusha të ndryshme të dijes njerëzore që merren kryesisht me punë mendore dhe për këtë mund të sjellim disa shembuj: inteligjencia përparimtare, inteligjencia e re apo e vjetër etj.

Një problem serioz që shqetëson aktualisht shumë shtete dhe që lidhet me inteligjencien është ikja e saj nga vendi i origjinës (siç përkufizohet më shpesh “ikja e trurit”) drejt vendeve më të zhvilluara që ofrojnë kushte më të mira jetese dhe mundësi më të mëdha për të punuar, fituar dhe bërë karrierë.

Astronaut dhe kozmonaut

Të gjithë kemi dëgjuar të flitet për astronautët dhe kozmonautët, por cilat janë ngjashmëritë midis këtyre dy fjalëve dhe ku ndryshojnë nga njëra-tjetra?

Astronaut përbëhet nga astron, që vjen nga greqishtja e do të thotë “trup qiellor, yll”, dhe nga nautes, që vjen gjithashtu nga greqishtja e do të thotë “lundërtar”. Astronaut quhet ai që udhëton përtej atmosferës së tokës. Astronaut quhet edhe ai që është i ngarkuar me drejtimin apo me shërbimet në bordin e një anijeje kozmike. Kriteret për të përcaktuar kuptimin e “udhëtimit në hapësirë” janë të ndryshme në kombe të ndryshme. Në SHBA konsiderohen përgjithësisht astronautë ata që kalojnë një lartësi prej 50 miljesh (rreth 80 km); kurse në Rusi me fluturim hapësinor kuptohet një trajektore orbitale, domethënë se anija kozmike duhet të bëjë të paktën një xhiro rreth Tokës; në fund Federata Ndërkombëtare Aeronautike (FAI) përkufizon fluturime hapësinore ato që kalojnë 100 kilometrat.

Me emrin astro formohen një sërë fjalësh të përbëra që tregojnë shkenca të ndryshme si edhe studiuesit përkatës, si për shembull: astrobiologji, astrokimi, astrodinamikë, astrofizikë, astrologji, astronomi etj.

Për konvencion, një astronaut i Agjencisë Hapësinore Ruse, apo një i ish Bashkimit Sovjetik, përkufizohet kozmonaut. Kozmonaut rrjedh nga rusishtja (kosmonavt) që nga ana e saj vjen nga grekja kosmos, që do të thotë “rend” dhe pastaj “botë, univers”, dhe nga nautes “lundërtar”. Sidoqoftë në SHBA termi “astronaut” aplikohet te personi sapo ka filluar stërvitjen, ndërsa në Rusi një individ nuk është “kozmonaut” derisa nuk kryen me sukses fluturimin hapësinor.

Pjesën e parë kozmo e kanë edhe shumë fjalë të përbëra si: kozmobiologjia, kozmokimia, kozmogonia, kozmografia, kozmologjia, kozmodrom etj. Me kozmo- formohet edhe kozmopolitizmi, që është një doktrinë që refuzon çdo dallim kombi dhe race, duke i konsideruar të gjithë njerëzit si qytetarë të një atdheu të vetëm. Kozmopolit është ai që e pranon botën si atdheun e vet dhe në një kuptim më të përgjithshëm është ai që ka udhëtuar dhe qëndruar në shumë vende duke asimiluar zakonet, mendësinë dhe kulturën e tyre.

Kurse termi “taikonaut” përdoret në botën perëndimore për të identifikuar një astronaut kinez. Termi u krijua më 1998-ën dhe rrjedh nga kinezja “taikong” që do të thotë hapësirë.

© 2022 Adrian Beshaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin