SHPENGIMI PËR PABESI


nga Toni Çaushi

Thyerja në besë ngacmon një nerv për çdo kulturë dhe histori njerëzore. Akti përçmohet universalisht nga çdokush si nga vendimet më të ulëta që dikush mund të ndërmarrë deri në pikën e pamundësisë për falje, shpeshherë.

Pabesia e Judës, ndonëse njihet si standardi i tradhtisë, interpretimet e motiveve të tij të shtyjnë të mendosh nëse figura e tij nuk trajtohet saktësisht.

Përtej tikeve nervore që e karakterizojnë, filozofi slloven i psikoanalizës Slavoj Zhizhek (Žižek) ofron ide që nuk janë punë e thjeshtë të përtypen në librat e tij, dhe me raste mbllaçitja nuk është as e shijueshme. Por kafshatat janë gjithmonë me vlera ushqyese.

Në botimin të tij të 2003, “Marioneta dhe Xhuxhi: Thelbi Pervers i Krishtërimit” (“The Puppet and the Dwarf: The Perverse Core of Christianity”), Zhizhek pozon në esenë e tij të parë të librit “Kur Lindja Takon Perëndimin” (në anglisht: When East Meets West) argumentin se momenti ku Jezu Krishti thotë “Një nga ju do të më tradhtojë,” në darkën e fundit me dishepujt, ai nuk parashikon, por parashtron një kërkesë fatalisht të vështirë, atë të dorëzimit tek romakët.

Këtë Krishti e bën, thotë Zhizhek, për të arritur qëllimin e tij të sakrificës për njerëzimin duke testuar dashurinë e Judës që në stil tipik zhizhekian, quhet “një melodramë Hollivudiane.”

Zhizhek thotë se këtë Krishti e logjikon me matje inteligjente.

Krishti pret me bindje se në rast të vrasjes së dikujt që është adhuruar me ndjekje të patundshme, ashtu siç ndjekja e patundshme ekzistonte midis dishepujve në tavolinën e Darkës së Fundit (aty ku Krishti thotë citimin e mësipërm,) dhe atyre që kishin dëshmuar mrekullitë e tij, atëherë emri, i ngritur në mit, do të jetojë përgjithmonë.

Prandaj, “perversiteti” që Zhizhek përmend në nëntitullin e librit, gjendet në dëshirën e Krishtit për të testuar dashurinë e Judës ndaj tij me pabesinë si mjet.

Nga tornadoja e shembujve argumentues që ofron Zhizhek, po zgjedh dy.

Fillimisht ai sjell një “formulë” nga vepra e John le Carré “Spiuni Perfekt”, ku ai citon “dashuria është çfarëdo ti mund të tradhtosh.” Zhizhek e përdor këtë për të thënë se kur Krishti tha citimin e famshëm, ai hodhi një kërkesë që vetëm dikujt do i binte në prehër — ai dikush ishte Juda.

Vendimi i Judës, sipas Zhizhek, ishte akt dashurie dhe sakrifice, ku Krishti do të vuante tortura fizike deri në vdekje dhe do të çlirohej nga ndërgjegjja e të qenit gjallë, por Juda do të pranonte të jetonte me brengë dhe mbi të gjitha, të njihej historikisht si epitoma e tradhtarit.

Për të justifikuar qëllimin e aktit të tradhtisë, Zhizhek gjithashtu sjell Aleksandrin e Madh si shembull, dikush që jetoi përpara Krishtit, mblodhi famë në jetë, dhe mit në vdekjen e herët (këtu mund të hidhet ideja se Krishti mund të ketë marrë Aleksandrin si shembull.)

“Nëse (Aleksandri i Madh) do të jetonte një jetë të gjatë, ai do të shndërrohej në një observues impotent i rënies së perandorisë së tij,” thotë Zhizhek.

Ideja është që Jezu Krishti, nëse nuk do të tradhtohej, dhe në fund të dënohej me vdekje e mbi të gjitha me mënyrën brutale të kryqëzimit, ai nuk do të ishte figura e sotme dhe Krishterimi nuk do të ekzistonte, gjë që e bën tradhtinë totalisht të nevojshme në këtë fé.

Jorge Luis Borges dërgon në këtë përleshje për të interpretuar motivin e Judës shkrimtarin fiktiv Nils Runenberg në tregimin e shkurtër “Tre versione të Judës” (Tres versiones de Judas), ku në fund, ai e vë pabesinë në duart e Zotit të maskuar si një personazh i papritur.

Në rrugët e Malmos, Runenberg endet i dehur nga “pagjumësia dhe dialektika mendjemarrëse” duke u përgjëruar që t’i lejohej hyrja në Ferr, aty ku ai do që t’i bashkohet Zotit apo Shpenguesit (the Reedemer.)

Runenberg bindet që Zoti gjendet në Ferr pasi ai kalon tezën e tij të interpretitimit të tradhëtisë së Judës në tre filtra të shtruar përgjatë dy magnum opus-eve të tij.

“Jo një gjë, të gjitha gjerat që tradita i atribuon Judë Iskariotit janë të pavërteta,” (No una cosa, todas las cosas que la tradición atribuye a Judas Iscariote son falsas) thotë Runenberg në hyrje të librit të tij të parë, “Kristus och Judas” (Suedisht: “Krishti dhe Juda”.)

Runenberg prezanton tezën se Juda nuk kishte qëllim djallëzor kur ai puth Jezuin për ta zbuluar. Në kurriz të jetës së Jezu Krishtit, ai kërkonte të nxiste popullin hebraik në një revolucion kundër romakëve.

Klerikët e qasjeve të ndryshme të Krishterimit e refuzojnë Runenbergun, shkruan Borges, duke e akuzuar për injorim dhe injorancë ndaj aspekteve të ndryshme të Biblës.

Nën trysni, Runenberg imponohet të ribotojë librin.

Kësaj radhe ai pozon idenë se Juda refuzon nderin, moralin, dhe paqen, ashtu si të tjerë refuzojnë kënaqësinë. Kështu, në modelin e Perëndisë, ai reflekton dhe e sheh aktin e Judës si një qasje e frymëzuar nga një asketizëm hiperbolik, siç e quan Borges, dhe “me qartësi të tmerrshme, ai planifikon mëkatet e tij,” (në spanjisht: premeditó con lucidez terrible sus culpas.)

Juda veproi me përulësi gjigande, përshkruan Borges, pasi ai e shihte veten të padenjë për të qenë i mirë. Bazuar në këtë ide, Runenberg papritur sheh më shumë se një njeri mëse të zakonshëm tek Juda.

Ai sheh një maskë, një fshehje, një vektor të hyjnishëm, dhe i frymëzuar, Runenberg shkon dhe më tej me tezën e tij. Ai shkruan një libër të ri të quajtur “Shpëtimtari Sekret” (në suedisht: “Den hemlige Frälsaren”) ku në një epigraf ai përsëri citon nga Bibla.

“Në botë ai ishte dhe bota u krijua nga Ai, dhe bota nuk e njohu (Gjoni 1:10)” (në spanjisht: En el mundo estaba y el mundo fue hecho por él, y el mundo no lo conoció (Juan 1: 10).)

Runenberg interpreton këtë citim si Zoti i qënë Juda, ku akti i shpëtimit të njerëzimit ndodh i arrirë në sajë të thyerjes në besë, por shtyrë nga duart e Zotit vetë.

I shfaqur në formën më imperfekte të të qenit njeri — dikush që është moralisht tepër i thyeshëm — Ai shpëton njerëzimin jo duke dërguar Jezu Krishtin, por, zbulon Borges, por duke vepruar komplet i padukshëm duke u shfaqur nën petkun e Judës.

Borges thotë se puna e Runenbergut në këtë botim injorohet nga klerikët, diçka që autori e interpreton si arritje e përgjigjes së saktë — në fakt, Zoti ishte Juda dhe ai po e pohonte këtë fakt. E vërteta e punës së tij po konfirmohej nga Zoti, i cili, sipas Runenberg-ut nuk donte që sekreti, thënë shqip “t’i dilte në shesh.” Borgesi sjell shumë shembuj të Biblës që vërtiten në mendjen e Runenbergut, ndër ta dhe rabini Simeon ben Azai, i cili sapo pa Parajsën, vdiq.

Në një vallëzim të Zhizhek dhe Borges, ndodh një paradoks në ndodhjen e Judës në Ferr. Sipas Biblës ai vuan flakët e Ferrit, por sipas interpretimit të dy autorëve ai duhet të shpengohet. Sipas Zhizhek ai luajti lojën e Jezu Krishtit sipas kritereve të vendosura, ndonëse “perverse.” Sipas Borges, Juda duke qenë Zoti, është automatikisht i hyjnor dhe me siguri, Shën Pjetri nuk duhet të mendojë dy herë për t’i hapur portat e Parajsës.

Apo ka një mënyrë të tretë në të cilën Juda “jeton”?

Në një farë mënyre, Juda jeton një fat për të cilin gjuha angleze vjen në ndihmë me për një epitet. Fati i Judës është “perpetual” — një vazhdimësi e pafund me nocion negativ pasi Juda “gjendet” në situata të ndryshme të njerëzimit ku pabesia është e nevojshme që një e mirë e madhe të ndodhë.

Këtë e pohon disi dhe Borges. Runenbergu i tij është një Judë tjetër me një mision të caktuar.

Në fillim të tregimit, ai e prezanton Runenberg-un si një qënie e vendosur nga vetë Zoti në qytezën e Lund të Suedisë, ku në 1904 ai publikon librin e parë. Pasi Runenberg plotëson detyrën e tij, ai endet në rrugët e Malmos duke kërkuar bashkimin me Zotin në Ferr, aty ku ai ishte për shkak të të qenit Juda.

Ndodh padashur që në fund, vetë Runenbergu të lexohet si një figurë mesianike. Ai zgjedh të rraskapisë reputacionin dhe madje humb dhe jetën nga një aneurizëm.

Borgesi nuk e zgjedh dhe shkakun e vdekjes më kot të tillë. Aneurizma është një fryrje e e enëve të gjakut aty ku ka pikë dobësie në strukturë. Një çarje ndodh më vonë duke shkaktuar gjakderdhje të brendshme që shpeshherë shkakton vdekje. Ajo mund të lexohet si një paralelizëm me gjakosjen e Judës pas tentativës për të varur veten, ku litari që ndodhet në qafën e tij këputet, dhe Juda bie mbi një gur që i shkakton gjakderdhje fatale. Ai dergjet në gjakun e tij.

Gjithashtu, Borges zgjedh dhe një oksimoron për të përshkruar punën e Runenbergut, duke thënë se librat e tij, “I justifikuan dhe rrënuan jetën” (në spanjisht: Justificaron y desbarataron su vida).

Rreth vitit 33 pas Krishtit, atëherë kur Juda pranon të ndërmarrë hapin që të zbulojë identitetin e Krishtit duke e puthur në prani të turmës së klerikëve që e kërkonin, ai ka marrë parasysh se ndonëse do të dënohej me epitomën e tradhtisë në përjetësi, akti i pabesisë duhej të ndodhte, sepse pa aktin e tij atëherë Krishterimi nuk do të vijë në jetë.

Juda atëherë nuk ka nevojë për shpengim — ai është i shpenguar që në koncept duke qenë kukulla e Zotit që i nënshtrohet aktit të “mirë” të pabesisë. Bazuar në këtë ide, Zhizhek dhe Borges detyrojnë lexuesin të bëjë një herezi — të barazojë Mesinë me Judën, dhe jo Jezu Krishtin.

Në fund të fundit, kush është më afër me të qenit hyjnor: ai që në kryq ndihet i braktisur nga Zoti, apo ai që vepron për të shtyrë përpara misionin e një besimi të tërë duke pranuar vetëflijimin?

 

© 2021 Toni Çaushi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin