PASAPORTA LETRARE

Këto ditë ndoqa – dhe mora pjesë – në një diskutim për statusin e veprës së Pajtim Statovcit, kundrejt letërsisë shqipe, për të cilin u bë shkas një ese nga Christian Voss dhe Belfiore Qose, e botuar në revistën Ex Libris (Çështje të identitetit gjinor dhe kombëtar në letërsinë queer të Pajtim Statovcit). I prezantuar publikisht si romancier finlandez dhe ende i papërkthyer në shqip, ky autor ka lindur në Kosovë në një familje shqiptare dhe është larguar nga vendlindja, me prindët, në moshën dy vjeçe. Romanet e tij të shkruara në finlandisht, që kanë pasur sukses të madh në Finlandë dhe gjetiu, trajtojnë tema që gjithnjë i referohen, në një mënyrë ose në një tjetër, edhe identitetin shqiptar dhe më gjerë ballkanik, veçanërisht mes shqiptarëve të mërguar në Perëndim. Pyetja që u shtrua në atë diskutim, ishte nëse Statovci mund të konsiderohej apo jo si autor shqiptar dhe vepra e tij si e letërsisë shqipe (shqiptare).

Për mua, një pyetje e tillë është më mirë të shtrohet për këtë apo atë vepër specifike, se për një autor a për “veprën” e tij, si vijueshmëri tekstesh letrare të nënshkruara. Arsyeja kryesore për këtë distinguo është se i njëjti autor mund të shkruajë në gjuhë të ndryshme dhe të nxjerrë vepra që u përkasin gjuhëve dhe kulturave të ndryshme. Për shembull, Nabokovi ka shkruar edhe rusisht edhe anglisht; dhe romanet e tij të hershme, në rusisht, i përkasin letërsisë ruse; ndërsa romanet e tij të mëvonshme, si “Lolita,” “Pnin”, “Ada” dhe “Pale Fire”, letërsisë amerikane. Edhe Kundera ka shkruar romane çekisht për lexuesin e vet në Çekosllovaki, dhe më pas romane frëngjisht, për lexuesin e vet në botën frankofone.

Vendimtare këtu është gjuha, në të cilën përftohet vepra dhe që dikton edhe identitetin e saj tekstual, edhe llojin e lexuesit që do t’i qaset, edhe kulturën ku përfshihet dhe nis të qarkullojë. Vetë koncepti i letërsisë shqipe si sistem parakupton një tërësi tekstesh që janë edhe vepra letrare, edhe të shkruara në gjuhën shqipe – çfarë do t’i dallonte nga ato tekste të tjera që janë të shkruara shqip por që nuk janë vepra letrare, si dhe nga ato vepra letrare që nuk janë shkruar origjinalisht në shqipe.

Edhe në rastin e Statovcit, i cili sot tërheq vëmendjen jo aq nga origjina sa nga suksesi i veprës së tij në Perëndim, duhen këqyrur veprat e tij veçan, si romanet “Macja ime Jugosllavia”, “Kapërcime” dhe tani së fundi “Bolla” – dhe të pyetet nëse mund t’i përkasin këto vepra letërsisë shqipe? Origjina etnike e autorit dhe “aroma” shqiptare e tematikës nuk mjaftojnë për t’i klasifikuar ashtu: veprat kanë marrë jetë brenda një gjuhe tjetër, finlandishtes, dhe janë pjesë e sistemit letrar të asaj kulture, edhe pse zakonisht konsiderohen si liminale brenda sistemit, ose të rrëfyera nga perspektiva e Tjetrit.

Pyetja nëse kjo apo ajo vepër i përket apo jo letërsisë shqipe (shqiptare) është nga më sfidueset, për studiuesin e letërsisë shqipe. Vepra si ato të autorëve të vjetër të Veriut studiohen në programet e historisë së letërsisë, edhe pse nuk janë mirëfilli letrare – askush nuk do ta konsiderojë seriozisht letërsi “Fjalorin” e Bardhit dhe as “Mesharin” e Buzukut ase “E mbsuame e krështerë” të Matrangës. Por e njëjta histori e letërsisë shqipe rregullisht trajton edhe veprat e humanistëve të Rilindjes Europiane si Barleti, të cilët shkruanin latinisht, por për tema “shqiptare”. Në këto raste, kriteret rigoroze të përcaktimit të objektit të dijes janë sakrifikuar, për hir të plotësisë; dhe duhet thënë se edhe veprat e hershme të letërsisë fetare, në të dy anët e Adriatikut, kanë elemente letrare embrionale, siç mund të pritej.

Është bërë edhe dallimi mes letërsisë shqipe (të shkruar në shqip) dhe letërsisë shqiptare, një kategori më e mjegullt, që përfshin vepra të shkruara në gjuhë të huaj nga autorë shqiptarë (p.sh. Bardha e Temalit, ose poemat persishte të Naimit). Por ky klasifikim niset nga një koncept naiv për autorin e tekstit letrar, si personi fizik që e ka (nën)shkruar veprën dhe që vjen me një identitet etnik specifik. Paçka se dija letrare prej kohësh e ka problematizuar konceptin e autorin të një vepre letrare, duke e parë gjithnjë e më shpesh si kategori të tekstit. Shto këtu edhe rëndësinë që ka marrë, dekadat e fundit, perspektiva e lexuesit, ose i “marrësit” të tekstit letrar. Pavarësisht nga teoritë e ndryshme letrare, shekulli XX ka treguar se është e mundshme madje e dobishme që të jepen përkufizime rigoroze (formale) të objektit të dijes së historisë së letërsisë, edhe përtej pozicionimeve teorike formaliste.

Historia e letërsisë shqipe (shqiptare) ka qenë gjithnjë e mbingarkuar me skrupuj të natyrës kombëtariste, çfarë lidhet edhe me fillimet e kësaj letërsie, si palestër e vetëdijes kombëtare të rilindur; por edhe me vetë idenë se një vepër letrare e arritur është gjithnjë në shërbim të idealit kombëtar, falë edhe ndërmjetësimit të gjuhës së shkruar, si kolonë peshëmbajtëse e kombit. Sikurse lidhet edhe me atë që historinë e letërsisë e kanë bërë ideologë, që kanë proceduar me metoda sociologjike shpesh vulgare. Ky vështrim i ideologjizuar i hap rrugë subjektivizmit në zgjedhjen e veprave dhe të autorëve që do të përfshihen në hapësirën e studimit – siç ka ndodhur me autorët që shkruanin letërsi shqipe me alfabetin arab dhe që jo rrallë janë trajtuar me përçmim nga historianët zyrtarë të letërsisë, meqë veprat e tyre nuk i kënaqin përkufizimet kombëtariste të misionit që duhet të ketë letërsia.

Nga ana tjetër, reflektimit historiko-letrar sot i duhet të përballet me dukurinë e atyre autorëve shqiptarë ose me origjinë shqiptare që zgjedhin të shkruajnë në një gjuhë tjetër – po përmend këtu vetëm Elvira Donesin dhe Ornela Vorpsin, të cilat shkruajnë italisht, edhe pse autori implicit (Booth, Eco), i teksteve të tyre është lehtësisht i identifikueshëm si me identitet shqiptar, çfarë lidhet pastaj edhe me tematikat; ndërsa lexuesi implicit është i identifikueshëm si me identitet italian, për shkak të gjuhës, edhe pse statusi i këtyre veprave, si “letërsi imigrantësh”, mbetet liminal edhe në kulturat pritëse. Kjo dukuri mund t’i shërbejë sociologut si provë për identitetet tranzicionale ose të lëngshme; por kjo nuk do t’i mjaftonte studiuesit të letërsisë, që duhet t’i gjejë megjithatë një vend, këtyre veprave, brenda skemave më të përgjithshme të qarkullimit letrar. Sërish, edhe në këto raste, kriteri i gjuhës ndihmon për të shmangur keqkuptime dhe qorrsokakët teorikë ku na shtyn etnocentrizmi, por edhe vulgarizimet që nisen nga motivet praktike të zgjedhjeve individuale të autorëve.

Në çdo rast, letërsia nuk është sport olimpik dhe autorët – si persona fizikë e juridikë, por si kategori tekstuale – nuk janë sportistë që konkurrojnë nën flamurin kombëtar. Një qytetar nga Shqipëria dhe Kosova mund të ndihet “krenar” për suksesin e Pajtim Statovcit në Finlandë dhe gjetiu në Perëndim, por kjo nuk ka ndonjë lidhje me statusin e romaneve të atij autori, dhe as duhet të kushtëzojë pritjen e tyre nga kultura dhe publiku shqip; sikurse dramat identitare të personazheve të romaneve të atij autori nuk përthyhen drejtpërdrejt në identitetin letrar të atyre romaneve (Voss dhe Qose argumentojnë të kundërtën). Edhe Statovci nuk besoj se shkruan dhe komunikon, me lexuesin e vet, i shtyrë nga dëshira a misioni për të çuar përpara çështjen shqiptare. Sa më shpejt që ta pranojmë këtë realitet, aq më mirë do të jetë për kulturën shqip, sepse ashtu do të marrim vesh se ku duhet investuar institucionalisht dhe jo vetëm.

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin