Reklama

PËR NJË FENOMENOLOGJI POLITIKE TË PROTESTËS

Letër(*) nga Orgest Azizi

(Shënim: ndryshe nga sa pretendon Lacani dhe pasuesit e tij, kam përshtypjen se letrat e mia (përfshirë dhe këtë) kurrë nuk mbërrijnë në destinacion, madje edhe kur (duket sikur) priten e kërkohen me ngulm. Por e njëjta gjë do të mund të thuhej për çdo letër, si dhe për protestat: asnjëra nuk e godet saktë shënjestrën e saj historike: tepër afër, ose tepër larg. E megjithatë, kjo nuk na shkurajon të protestojmë, e as të shkruajmë – të shkruajmë protestën, të lëmë një gjurmë, të vizatojmë një arkiv)

I dashur Pavjo,

Të falënderoj për kërkesën për të marrë pjesë në përmbledhjen e teksteve rreth protestës studentore. Nisma më duket shumë me vend dhe madje do të duhej të mos ishte e vetmja. Nga ana tjetër, ende – për fat të keq – nuk kam arritur të shkruaj gjë për sa folëm. Megjithatë, kjo mosarritje për të bërë “një shkrim” e shfaq një të vërtetë. Deri diku, pakuptimësinë, në rastin tim, të bërit një shkrim “për protestën”, “mbi” të apo “rreth” saj. Kontributi im do të jetë atëherë në kushtore, sikundër është narracioni në ndonjë nga filmat e Marguerite Durasit: “il y aurait un texte…, do të doja të…, do të thoja se…”

Në kushtore dhe i rrethshkruar këtu më shumë te protesta: një rrethshkrim i pjesshëm i saj, i disa “anëve” të saj – në kushtore. Deri më parë, disa nga ne, veçmas ose bashkë me të tjerë, kemi tentuar të reflektojmë dhe të mobilizohemi rreth “idesë së Universitetit”, realitetit të tij, duke pasur aty jo vetëm një përmasë të jetës sonë individuale, por edhe ngaqë na dukej se qëmtonim në të një përmasë themelore të jetës sonë publike, në kushtet e shoqërisë sonë, dhe të epokës sonë. Të gjitha këto mbeten, natyrisht, por më duket se protesta e vitit të kaluar sjell një përmasë të re, i jep një ngjyrim të ri çdo reflektimi e prononcimi rreth universitetit, tanimë çështje e bartur nga një protestë masive. Reflektimet nuk mund të bëhen më në boshin abstrakt të realitetit, por në plotninë e pashmangshme të faktit protestues. Nëse konsiderojmë gjithmonë se flasim në vijimin e protestës. Nëse jo, nisma e këtij vëllimi bëhet e pakuptimtë, ose thjesht një ceremoni varrimi.

Pra, më së shumti, për protestën, për disa anë të saj.

Dhe mendoj, po ashtu, se forma më e sinqertë, jo uzurpuese e këtij kontributi është t’ju dërgoj, përmes teje, këtë letër, sepse i tillë, epistolar, ishte dhe raporti që pata me protestën, duke mos qenë dot i pranishëm, por duke asistuar nga larg, përmes informacioneve që më vinin (të përthyera) nga miqtë dhe atyre që mezi mblidhja në rrjet e në media: me entuziazmin e distancës.

Kam përshtypjen se jo vetëm entuziazmi, por sidomos ky fakt i distancës nuk duhet mohuar e lënë në heshtje. Ky fakti i ri ndoshta (por risia e të cilit duhet matur): që, një pjesë e mirë e jona, një pjesë të mirë të ngjarjeve tona (të atyre që për ne do të përbëjnë ngjarje – dhe që, si të tilla, na thërrasin) i jetojnë tanimë në distancë – të kushtetuar kështu si publik i tyre dhe jo domosdoshmërisht si aktorë.

Ose na duhet ndoshta të vërejmë se kemi të bëjmë me një formë të re të qenit aktor nëpërmjet të qenit publik i ngjarjes. Kanti, ti e di, e shikonte vlerën e Revolucionit francez te publiku që ai pati ngjizur, dhe te ndjesia e entuziazmit që Revolucioni kishte ndezur te publiku. Kjo ndjesi ishte për të një “shenjë historike” që dëftonte progresin e njerëzimit dhe Revolucioni, si shkasi i kësaj ndjesie-shenjë, merrte statusin e ngjarjes madhore historike, përtej gjithë teprimeve, dhunës, Terrorit jakobin dhe qorrsokakut juridik e institucional.

Distanca të jep pra ndoshta këtë epërsi: të jesh më i ndjeshëm ndaj qenësisë së publikut si element përbërës i ngjarjes dhe element i kushtetuar prej saj. Në këtë pikëpamje, hulumtimi i çdo ngjarjeje, i kuptimit dhe konsistencës së saj, do të duhej të kishte një përmasë të pashmangshme epistolare, ku dëshmohet jo vetëm “rrethana” e ndodhisë së ngjarjes, por edhe “rrethina” publike e saj.

Protesta nuk është teatër, dhe në raport me të njerëzit-subjekte nuk ndahen vetëm në aktorë dhe spektatorë. Publiku është kështu një element i tretë, dhe ngjizja e tij më duket se mund të vlejë si tregues i karakterit politik ose jo të një ndodhie. Shumë gjëra ndodhin – ose bëjnë vaki, siç shprehet tendenca pesimiste e gjuhës popullore (ndoshta ngaqë më së shpeshti në historinë e popullit ndodhia ka qenë ndodhia e së keqes: ardhja e gjëmës, bëmë e pushtetit ose e pushtuesit) – shumë gjëra ndodhin, pra, duke implikuar vetëm aktorë dhe, përmes mediave në kuptimin më të përgjithshëm të fjalës, masën e madhe a të vogël të spektatorëve, të atyre që “marrin vesh” për ndodhinë. Për sa që spektatorë, kjo masë nuk ka përgjithësisht rëndësi në vetvete. Paradoksalisht e tillë ishte më duket protesta për teatrin (ose kundër prishjes së tij) në fillimet e saj: “aktorët” që protestonin në njërën anë (bashkë me pushtetin kundër të cilit ngriheshin), dhe “spektatorët” anonimë në anën tjetër, që i bënin sehir “spektaklit” pikërisht, indiferentë dhe të paprekur prej tij. Skenë me spektatorë, por pa publik: teatër i zbrazët. Vend jo-politik. Ende jo. Vetëm kohëzgjatja e papritur në kohë, qëndresa në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, si qëndrueshmëri, arriti ta popullojë skenën e protestës jo vetëm (jo dhe aq) me aktorë të rinj, sesa, falë inteligjencës së rizgjuar kolektive, me kumte të reja – e për pasojë edhe me fillimet gjithnjë në rritje të një publiku. Ndryshe nga spektatori, që thjesht është në dijeni të saj, ajo që këtu e quaj “publiku i ngjarjes”, në vazhdën e leximit kantian, është një instancë që kushtetohet prej saj, ringjizet sërish nga e para për secilën herë, dhe përfaqëson një formë të veçantë të qenit (më saktë: t’u ndjerit) i implikuar në rrjedhën dhe zhvillimet e saj.

Ndarja dyale në vetëm aktorë dhe spektatorë është kështu një lexim që më duket i thjeshtuar i situatës: shpesh është lexim i bërë ose nga ana e pushtetit, kur ky don ta delegjitimojë protestën duke u kapur te numri i vogël i pjesëmarrësve në të (kriminalizimi i “disa qindra” jelekverdhëve të dhunshëm në protestat në Francë); ose nga ana e militantit të ngushtë, doktrinarit, pararojë e masave, për të cilin vlen vetëm aksioni i organizuar organizativ, i ndriçuar nga dielli i teorisë.

Mendoj pra se duhet sjellë instanca e publikut mes aktorit dhe spektatorit të ngjarjes. Ky midis (le ta quajmë “instanca epistolare”) nuk duhet neglizhuar, aq më pak nëpërkëmbur. Do të thoja që politiciteti i ngjarjes – ajo që përbën thyerje në të dhe artikulimin e diçkaje të re, që përcakton se ka (do të ketë) tashmë një para dhe pas saj, se një dimension i ri (qoftë edhe konfliktual) i është shtuar ekzistencës së përbashkët –, politiciteti i ngjarjes pra, dëshmohet tek lindja e një publiku rreth saj. Dhe, ndër gjërat mbresëlënëse të protestës studentore, ajo më pak e dyshimta, ajo që përshfaqej me më shumë evidencë, ishte miratimi, simpatia, pjesëmarrja distante në të e një publiku masiv. Publik i cili, përtej të qenit thjesht spektator, delegonte te protesta, në empati me të, ndjesitë e tij më spontane. Dhe, në të njëjtën kohë, në të njëjtin gjest, me të njëjtën evidencë tejpartiake, e lexonte atë si “shenjë” – dhe shenjë të mirë.

Ajo që të bënte (që më bëri) përshtypje të protesta studentore, ishte lehtësia dhe shpejtësia me të cilën u davaritën në psiken shqiptare mbi 20 vjet hije dyshimi kundër protestës e revoltës popullore – që pas ‘97-ës kryesisht, që pati shërbyer tërë këto vite si gogol pro-shtet e anti-revoltë, përfshi dhe infektimin e protestave të uzurpuara nga segmenti opozitar i shtetit. Një buzëqeshje e lehtë hareje, një shkëlqim epidemik sysh, dukej sikur shtrihej gjerë e gjatë vendit. Deri edhe në radhët më të larta të pushtetit, sekush garonte të ishte i pari që shprehte më fort simpatinë e tij/saj për studentët që “kanë gjithmonë të drejtë”. Deri edhe KM, po të mos e kish zënë “halli i detyrës dhe barra e përgjegjësisë shtetërore”, do kish dalë të protestonte me ta!

Nuk e di sa u ndje kjo përmbysje në Shqipëri, sa u tha, sa u perceptua si e tillë, por për mua ishte fondamentale: pas mëse 20 vjet përçmim dhe vrazhd kapitalo-shtetëror, në kushtet e nëpërkëmbjes më të hapur të teatrit, e dhunës arbitrare ndaj banorëve të “astirit”; në kushtet kur pushteti sa më autoritar justifikohet me pretendimin se po “bëjmë shtet, para lërini fjalët!”, kur po plasnim kokat mes dy poleve: atij të tenderimit universal, në emër të modernizimit, nga njëra anë, dhe polit “Shteti jam unë!” që kullon përherë e më pa doreza në çdo fjalë e gjest të kryeministrit – në këto kushte pra, protesta imponoi si universalisht të vetëkuptueshme një aksiomë diametralisht të kundërt: “Revolta është (gjithmonë) e drejtë!”

“On a raison de se revolter!”, ishte parulla maoiste e pas 68-ës në Francë. Fondamental siç e thashë, ky ndryshim i statusit publik të revoltës ishte edhe për arsye të tjera. Pa u zgjatur shumë, do përmend vetëm dy gjëra lidhur pikërisht me 68-ën, revoltë politike dhe studentore njëherësh, trashëgimia e së cilës është një çështje përherë e papërfunduar (përfshirë dhe në filozofi).

2018-a shënonte 50-vjetorin e revolucionit të 68-ës. Por ndërsa në Francë këto 10-vjetore “nostalgjie” janë bërë rutinë mediatiko-editoriale e kremtimit të tij, ku thyerjen këtë vit e sollën “jelekverdhët”; e ndërsa në Shqipëri përvjetori as që u vu re si i tillë, studentët nga ana tjetër, ishin ata që më së miri e kremtuan atë, e ndoshta më mirë se kudo. Të vetmit trashëgimtarë të denjë të 68-ës vjet, ishin studentët shqiptarë, ata që, në pamje të parë, më së shumti dukeshin të larguar prej saj. I vetëdijshëm ose jo, ky trashëgim kam përshtypjen duhet lexuar. Universiteti shqiptar i 2018-ës shumë pak gjëra ka të përbashkëta me atë francez apo kampuset amerikane të 68-ës. E megjithatë, revolta e studentëve ishte revoltë edhe kundër asaj çka ishte revoltuese në to 50 vite më parë. Na takon të mos e harrojmë këtë, përndryshe rrezikojmë ta tradhtojmë protestën, qoftë edhe në emër të (një pjese të) saj.

Një element i dytë fondamental lidhur me statusin e revoltës, ka të bëjë me vendin, me zhvendosjen e saj. Nuk e di nëse kjo është definitive, por më pëlqen ta lexoj si të tillë, ta hedh bastin në këtë drejtim. Dua të them se, deri para saj, ishim mësuar që vendi i zakonshëm i protestave politike për ne të ishte Kosova. Për arsye të ndryshme, historike ndër të tjera, dhe për faktin e rrënjosjes së saj të kahershme në ethosin e qytetarisë kosovare, në afatgjatësinë e dhe organizimin mbarëpopullor të qëndresës kundër kolonizimit serb. Vetëvendosja është edhe ajo pasojë e kësaj, edhe kur e rishpik traditën dhe e çon më tutje. Një pjesë e jona iu bashkuan ose afruan Vetëvendosjes si forma më e qenësishme e kësaj trashëgimie të mbajtur gjallë të protestës. Dhe edhe ata që nuk iu bashkuan si aktorë, u bënë shpesh, me ose pa dashje, publik i saj (në kuptimin më sipër). Të paktë janë në trevat shqiptare ata/ato që nuk e kanë gjetur qoftë edhe një herë veten publik të skenave politike që hapte VV. Nga kjo pikëpamje, VV me aktet e veta ka qenë për vite me radhë katalizatori kryesor i publikut politik në hapësirat shqiptare. Por pikërisht, ky katalizator, vetë mundësia e këtij katalizimi dukej përfundimisht e (zh)vendosur në Kosovë. Dukej sikur për të bërë politikë, për t’i dhënë mish protestës, për të jetësuar një skenë politike, në rastin tonë, duhej kaluar kufiri. Ofshama, dëshpërimi, ose dhe thjesht konstatimi për pamundësinë e një ekuivalenti të VV-së në Shqipëri ishte një emërues i përbashkët, deri dhe tek armiqtë e saj. Edhe aktet e para protestuese lidhur me universitetin (boja e kuqe rektorit p.sh.) lindën në Prishtinë.

E pikërisht këtu më duket se protesta shënon një zhvendosje, dhe ndoshta çel një epokë të re, apo bën shenjë për një rishpërndarje të koordinatave. Për arsye të ndryshme, vendi i politikës popullore protestuese më duket se lëvizi në 2018-ën drejt Shqipërisë. Në vendin praktikisht pa opozitë, patëm kryengritjen e banorëve të Kukësit kundër sporteleve të autostradës, deri në zjarrvënie; mëse një vit qëndresë në mbrojtje të teatrit, me një simpati përherë në rritje te publiku, dhe nxjerrje në pah të arbitraritetit qeveritar dhe përzierjes së neveritshme me biznesin e ndërtimit; revoltën e qytetarëve të Unazës së re, dhe – kurorëzim i hijshëm i së tërës – protestën e studentëve dhe simpatinë masive me të cilën ajo u prit. Asnjëra prej këtyre nuk u organizua nga profesionistë të radikalizmit, e aq më pak nga ndonjë parti (edhe pse shumë prej tyre u orvatën t’i rikuperojnë). Të tëra këto provokuan një politizim të përsëritur të publikut, përtej partive.

Në Kosovë, ndërkohë, VV është instaluar si forcë e spektrit politik, dhe përveç protestave të organizuara prej saj, pak gjë duket të ndodhë në rrafsh popullor. Duket sikur “energjia e palidhur” e protestës ka rënë në Kosovë, ndërkohë që ato të organizuara prej VV rrezikojnë të lexohen përherë e më shumë (të paktën nga establishmenti) si protesta të opozitës, për interesa partiake, elektorale, ose së paku ideologjike. Në Shqipëri duket e kundërta: asnjë parti nuk arrin më të mobilizojë popullsinë në protesta (ajo e “opozitës” në mars, pas djegies së mandateve, ishte qesharake, dhe të nesërmen, në të njëjtin vend në bulevard, kishte më shumë njerëz për ditën e verës e ballokumet sesa një ditë më parë për protestën e shumëlajmëruar si masive); ndërkohë që, sikundër jelekverdhët në Francë, energjia e lirë e revoltës, kundër një establishmenti gjithnjë e më të majmur e fodull, duket të qarkullojë në ajër me bollëk. Talenti i protestës studentore bëri që kjo gjë të dukej, dhe të dukej sheshit: e bëri pra sheshin vendin publik të dukjes së kësaj gjëje: që në rast revolte, pakkush, përveç të paguarve, ka për të qenë nga ana e pushtetit – dhe shumë do të duartrokasin, qoftë dhe në heshtje.

68-a më duket, sërish, një lloj embleme për ta simbolizuar këtë zhvendosje, qoftë edhe me një sforcim paksa poetik. Sepse në majin e 68-ës një protestë masive ka ndodhur edhe në Kosovë (protesta studentore dhe punëtore, me kahje pak të ndryshme, ka pasur njëkohësisht edhe në pjesë të tjera të Jugosllavisë), me pikënisjen kryesore në Prizren, e më saktësisht në Shkollën e Lartë pedagogjike të qytetit. Që nisja ishte në Shkollën e Lartë dhe që kjo ishte shkollë pedagogjike, në majin studentor të 68-ës (dhe në 90-vjetorin e Lidhjes), nuk më duket rastësi. As ky 50-vjetor nuk u vu re tek ne, as në Shqipëri, e as në Kosovë, e madje as në Prizrenin e administruar nga VV. E megjithatë, njësoj si për majin parizian, me ose pa vetëdije, më duket se studentët shqiptarë ishin trashëgimtarët më të denjë të kësaj proteste pedagogjike, dhe përkujtuesit më të mirë të saj.

Rastësitë e historisë shpalosin nganjëherë një logjikë sa të thellë aq dhe të papritur. Historia e kësaj proteste mbetet ende për t’u shkruar, por dihet për shembull se, pararendëse e revoltave të ‘81-shit dhe të ‘90-ës, parullat kryesore të saj ishin:

“Duam Vetëvendosje!”

“Duam Universitet!”

Parë me syrin e 2018-ës, këto kërkesa të paraardhësve protestues tingëllojnë profetike, dhe aktualiteti i tyre bëhet edhe më marramendës. Secili mund të gjykojë vetë se ku jemi me plotësimin e këtyre “kërkesave”, dhe se sa e rëndësishme është që instanca së cilës ato i drejtohen (duket se) ka ndryshuar tashmë. Por, protesta studentore, duke ngritur si qëndrim unanim kundrejt manovrave të KM parullën “Jo negociata!”, a nuk e shpall kështu objektivisht veten si trashëgimin shqiptar (këtej kufirit) të Prizrenit ‘68? Të gjithë e dimë se në muret (dhe semaforët) e Kosovës, parulla “Jo negociata!”, ka një përkundruall, implikimin pozitiv të këtij refuzimi: “Vetëvendosje!”

Njëra nga faqet e “dëshirës” prizrenase u mishërua kësisoj në Shqipëri: “Jo negociata, por universitet”, ndërkohë që tjetra ka vite që mishërohet në Kosovë: “Jo negociata, por vetëvendosje”. Por të dyja implikojnë njëra-tjetrën: të dyja tregojnë se subjektivimi politik, se ndërtimi i skenës politike që thërret një publik, është paraqitja e një të panegociueshmeje. Ka politikë kur një subjekt, një trup kolektiv, has dhe sjell në dritë një element të panegociueshëm. Përpara çdo lloj “dialogu”, çdo lloj debati, çdo lloj kompromisi eventual të mëvonët, çdo lloj zgjidhjeje të propozuar e pranuar ose refuzuar, është fillimisht pahja publike e atij thepit të panegociueshëm, evidenca e të cilit shërben si pikë e përbashkët referimi.

Inteligjenca e trupit të subjektivuar politik e di, e ndjen dhe nuhat, se “negociata” është emri mashtrues, është formula elegante (latine, helbete!) e atij aktiviteti jo dhe aq prestigjioz që, në gjuhën popullore (dhe versionin oriental) i thonë pazare. Nuk ka pazare me kërkesat tona, sepse kërkesat politike, përpara përmbajtjes konkrete, kanë një konsistencë qenieje, janë shprehje e ekzistencës si subjekt politik. Kjo është e panegociueshme: fakti ontologjik i të qenit subjekt i një kërkese, dhe kërkesa paraprake për t’u njohur si i tillë.  Në mungesë të këtij “potenciali kërkestarie”, s’ka politikë. E kur s’ka politikë, ka pazare.

Kjo letër, të cilën e nisa si të shkurtër, u zgjat pak si shumë. E megjithatë, edhe e gjatë, mbetet në kushtore. Do të kisha trajtuar disa anë të tjera…

Por në kushtore mbetet e ardhmja, arkiva e hapur e protestës dhe përpjekja jonë kolektive për ta mbushur atë. Sepse, si në rastin e Prizrenit, një nga gjërat që u kanoset më shumë ngjarjeve tona (sikundër ngjarjeve në përgjithësi) është zbehja, mpakja deri në zhdukje e arkivës së tyre, ose kidnapimi i saj nga ligjërimi i pushtetit. Kush do ta kishte mbledhur (kushtore sërish) morinë materiale të atyre letrave e kartonëve modestë ku mijëra duar mbishkruan parullat që ishin indi i dukshëm i protestës? Arkivat mbledhin e arkivojnë VKM-të (a do të bëhet ndonjëherë historia e mbirjes se beftë dhe pranisë masive të këtij “termi” në newspeak-un e shqipes demokratike?), historinë e parë nga zyra e kryeministrit, dhe kartonët ku bulëzonte poeticiteti i shprehjes anonime mbetën të lagura në shiun e të nesërmes, dhe të fshira pastaj nga punëtorët kozmetikë të bashkisë. E megjithatë, kush mund të thotë vërtet se VKM-të ishin element më i rëndësishëm, më i qenësishëm, më me peshë në formësimin dhe perceptimin e ngjarjes, në energjinë dhe dinamikën e saj, sesa moria anonime e parullave dhe qarkullimi i tyre? Fundja, VKM ka përditë – parullat ishin të papritura!

Po!, në kushtore do të kisha dashur të skicoja një fenomenologji politike të protestës. Jo vetëm se me “phéno”, siç i thonë në auditoret franceze, qëllon që po merrem pak këto kohë, por se më duket se te kjo përmasë e pahjes, e dukjes, e publikimit, e përftimit të ngjarjes lexohet e vërteta e saj – sepse më duket se protesta e studentëve ishte para së gjithash një thyerje, një arritje në rendin e aparencave dhe se na detyronte kështu të bëheshim përgjegjës për perceptimin e saj. “Protesta si m’u duk”, në njëfarë mënyre.

E vura re këtë kur hasa në faktin e bukurisë së ngjarjes, dhe nga “telashi” konceptual që kjo më shkaktoi. Normalisht, nuk e konsideroj të bukurën si kategori politike (barazinë ose drejtësinë, po). Jam dyshues ndaj saj në këtë terren e po aq ndaj versionit që mëton të bëjë politikë duke denoncuar të shëmtuarën. Dyshoj përherë një lloj elitizmi në këto qëndrime, një vetëkënaqësi të subjektit që e shpreh këtë, ose rrënimin e politikës në etikë (e shëmtuara është shpesh morale). “Politika” të tilla shkojnë shpesh me një pesimizëm mizantrop.

E megjithatë, fakti i bukurisë së ngjarjes ishte aty: një lloj Hiri apo Nuri ontologjik i atyre protestuesve në format e shpikura aty për aty të daljes së tyre publike (të paktën për mua nga larg – instanca epistolare). Kuptova se kjo bukuri ishte e pandarë nga fakti i shumësisë, dhe nga fakti irruptiv i shfaqjes. Kuptova se s’ishte tamam (ajo) bukuria, por (ata/ato) të bukurit, dhe se studentët kishin arritur, për të gjithë, vendosjen e një ekuacioni ku “të dukurit” ishte barazi me “të bukurit”. Se e kishin bërë dukjen, dhe modalitetet kolektive të saj fakt dhe çështje politike. Se telerealitetit bastard të KM i përgjigjeshin me kinematografinë e re, të freskët të shfaqjes së tyre. Se studentët bënin imazh, ndërkohë që KM dhe tërë telepolitika shqiptare bën selfie. Se është ndoshta e para herë (pas kaq kohësh) që shfaqet një “brez i ri” dhe se, në fakt, asnjëherë nuk e kishim menduar kuptimin e thellë të kësaj shprehjeje. Se në 30 vjet, përfshi edhe dhjetorin e 90-ës, Shqipëria asnjëherë nuk kishte parë brez të ri. Se duhej shtuar një folje e re në shqip, folje radikalisht kolektive dhe dukurisht politike, folja jokalimtare bukuroj (sikundër thuhet nusëroj). Studentët bukuronin në shesh, secili dhe kolektivisht, secili ngaqë dhe kolektivisht, dhe kësisoj zbukuronin për disa kohë sheshin, derisa ai t’i rikthehej ekzistencës se vet të paduk.

Kjo të shtyn për fenomeno-logji: d.m.th. të kërkosh ato kushte kur bukuria mund të vlejë si kategori politike, të kërkosh cila është konsistenca e këtij kriteri “estetik” për klasifikimin e protestave: bukurimi si tregues i qenies së tyre politike, dhe cila është gjuha e përshtatshme për ta thënë këtë. Kjo të shtyn të shpikësh fjalë e të thuash se politikja dëshmohet teksa vëren se “po bukuron” në shesh, ashtu si Heideggeri thoshte “(po) botnon” (es weltet). Kjo më shtyn ta marr protestën nga anët.

Dhe një nga ato gjëra që faktohet përmes dukurisë së protestës është qenia kolektive e një dëshire, e cila s’ka provë tjetër, veç këtij dukurimi, por dhe s’ka nevojë për provë tjetër.

Në fakt, po mendoja këto kohë më së shumti për anën negative eventuale të universitetit, apo të asaj çka mund të përfaqësojë ai, dhe për kurthin ku mund të biem: që të shtyhemi të luftojmë (në kushtet e katrahurës shqiptare) për universitetin vetëm në emër te cilësisë, dijes, elitizmit, majave, shkëlqimit, etj. (u shtyva për këtë edhe i ngacmuar nga “doktrina” që kishte botuar R. Zekthi para disa kohësh, e që m’u duk thikë me dy presa).

Diçka duhet pyetur, marrë në pyetje e vënë në pikëpyetje (interrogated) te dëshira për universitetin. Si shpesh, dëshira është vendi i së vërtetës, por akoma më akute më duket kjo në rastin e universitetit. Kam përshtypjen është qasja e duhur, kriteri më i sigurt, që të shpie në zemër të gjësë.

Sipas leximit tim (më shumë me deduksion, se në bazë të informacionit, të cilin e kam skeletik), protesta masive dhe afatgjatë tregoi, dëshmoi dhe dëfteu më saktë, në sensin e fortë të këtyre fjalëve (demonstrata demonstroi) ekzistencën, po ashtu masive, publike, kolektive dhe të pakundërshtueshme tashmë (d.m.th. s’është më çështje numrash dhe përqindjesh) te dëshirës për universitet. Jo të dëshirës për të bërë shkollë të lartë, publike apo private, brenda apo jashtë shtetit, apo dhe për të marrë diplomë, por dëshirën ontologjike që të ketë, thjesht të ketë universitet; thjesht ai të jetë pjesë e qenësishme e jetës, e horizontit kolektiv të popullit: si vend, si ideal, si ekzigjencë bazike, siç ishte ekzigjenca për liri dhe demokraci në 91-shin.

Kjo, kam përshtypjen, ishte e papritura e madhe, zbulimi i madh në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Jo fakti që universiteti në Shqipëri është katastrofë (se këtë e dinte dhe pata!) por që, mu në mes të kësaj katastrofe, aty ku mendohej se studentët duan vetëm të rrinë në kafe e të tilla gjëra, se njerëzit duan vetëm diploma e ndaj ka (pothuaj) vetëm shitore e tregtarë diplomash, në fakt jo (vetëm): por ka një dëshirë të ngjeshur, një luzmë dëshire për universitet, që vetëm mezi kishte pritur të gjente shprehje, për të gjetur menjëherë mbështetje dhe simpati në tërë indin popullor. Kjo simpati e vetvetishme tregoi se dëshira vinte nga larg, se depërtonte thellë. Dhe ky zbulim, detyronte një lexim krejt të ri, krejt të kundërt të realitetit, dhe të atyre që deri në atë kohë ishin parë si shenjat domethënëse të tij.

Nisur nga pakundërshtueshmëria publike e dëshirës kolektive, duhet përmbysur kam përshtypjen perspektiva, dhe universiteti të legjitimohet, të vlejë për sa që objekt i dëshirës, dhe jo si institucion me s’di çfarë lloj objektivash e strukturash (dhe jo dëshira ta miratojë atë vetëm kur e gjykon te vlefshëm, të duhur). Dëshira hyn tek e panegociueshmja, dhe kjo u shpreh në radhë të parë, përpara çdo kërkese konkrete. Loja luhet në këtë terren të dëshirës dhe vija ndarëse mes aleatëve dhe kundërshtarëve kalon te pyetja (që në shqip nuk tingëllon ndoshta shumë mirë akoma): cila është dëshira jote e/për universitet/it?

Tani këtu diagnoza, zgjedhja konceptuale ndahet në dy rrugë:

1 – ose vendosim se dëshira strukturalisht mund të jetë vetëm një, se është një lloj transhendentali i lidhur tashmë me konsistencën e idesë së universitetit (e cila ide pra, si e tillë, është dytësore, ekziston vetëm si ide e dëshirës, si levë për përforcimin dhe strukturimin e saj) – dhe atëherë ndarja kalon mes atyre që kanë (dhe aty ku ka) dëshirë për universitetin, dhe atyre që s’kanë (aty ku s’ka) një të tillë. Mund të themi se dëshira në fjalë është përherë, me doemos publike, kolektive, emancipuese, etj.; se rreth universitetit ka të tjera gjëra, që gëlojnë: interesa, investime, fantazma, synime, karriera, kalkulime, etj., porse vetëm një është terreni i dëshirës: ai që dëftohet te protesta dhe në vijimësinë e saj;

2 – ose dëshira është e shpërndarë, në shumë forma e konsistenca, e ushqyer nga burime të ndryshme, por ka disa lloje syresh që janë të dyshimta, të paudha, deri edhe të ndyra; ka dëshira që janë në thelb private, e të tjera që janë publike; ka që janë ndarëse e ka që janë bashkuese; ka që janë elitistë, edhe kur duken se kërkojnë universitet cilësor (si Zekthi, në delirin e vet fichtean), e ka që janë popullore e emancipuese; ka që janë disiplinuese (Zekthi sërish, me doktrinën-kazermë), ka që janë vetëvendosëse. A ka për shembull qeveria një dëshirë për universitetin? Po privati (Çili & Co)? Po rektorati? Te kjo pyetje paudhësitë dalin më sheshit.

Si do që të jetë pra, cilado nga këto dy skema të adoptohet (dëshira është vetëm një dhe ekzistenca e saj njofton vetvetiu Universitet – apo ajo është e shpërndarë, Universiteti është vendi i konfliktit dhe pretendimeve të shumë syresh dhe duhet orientuar mes tyre për të diktuar cila është e jona, dhe cila është dëshira e mirë/duhur), mbetet që çështja luhet te hulumtimi i kësaj pike. Përqendrimi në të (ndoshta jo vetëm, po pa lëshuar asnjëherë pé nga ky pol qendror) jep dorë për të mos rënë pre e shfuqizimit që mund të sjellë zhvendosja e debatit ne pyetjen: po hë, ja, si doni ju që të organizohet universiteti? Se fundja çfarë? Ja u ulën dhe tarifat. Ja u vunë dhe disa kaloriferë. Po pastaj? Universiteti që duam (nuk e dimë cili, por e dimë që e duam, që jemi dëshira e tij) është i kërcënuar për sa kohë që rrezikon të mos jetë më objekt dëshire, por vetëm objekt administrimi, sado i arrirë qoftë ai. Kur pikëpamja e administrimit zëvendëson krejtësisht atë të dëshirës, ideja e universitet ka marrë fund, edhe pse fondet e tij mund të rriten. Nga kjo pikëpamje, mburoja më e mirë është të deklarosh se universiteti u takon atyre që e dëshirojnë, atyre që jetojnë në dëshirën (apo dëshirimin) e tij! Dhe se mirënjohja reciproke në komunitetin e kësaj dëshire është kushti paraprak për të diskutuar. Me të tjerët, me ata që s’na njohin e që s’i njohim si të tillë, si bartës/të bartur të kësaj dëshire, s’kemi asgjë të për të diskutuar.

Pak enigmatike, dhe ambige, por ky mund të jetë dhe avantazhi. Fundja ne po flasim për mendim. S’jemi as rektorë, as ministra të arsimit, me nder fjalës.

Ja, gjëra të tilla nuk kisha gjetur tamam kohën t’i artikuloja me shkrim. Nga shkasi i kësaj letre, te paktën hodha një gjurmë të parë, që duhet rrëmuar më thellë, e më gjerë.

E gjitha kjo ishte në fakt për të përfituar nga rasti dhe t’ju dërguar një tekst të William Jamesit, që sapo e zbulova, dhe më duket jo vetëm i dobishëm (kundër p.sh. një ideje të Amerikës dhe privatit, kundër kultit të ri – por sa të vjetër tashmë – të titujve e doktoratave), por edhe mjaft i shëndetshëm për t’u mbajtur parasysh në formulimin e dëshirave tona pikërisht.

Sepse, në një farë mënyre, s’ka gjë më të ekspozuar ndaj infektimit, përçudnimit, tjetërsimit dhe ndotjes, se sa dëshira.

 

Gjithë të mirat

Orgest

Paris, mars 2019

 

(c) 2019-2020, Orgest Azizi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


(*) Po e botojmë, “eksperimentalisht”, këtë dokument të rikuperuar si mesazh në shishe – një letër e vonuar, nga Parisi, e Orgest Azizit, të kapur ndoshta te një realitet tashmë shpërbërë nga izolimi i Covid-it; dhe që merr vlerë pikërisht mbi qenien e vet lehtësisht anakronike (në kuptimin e mirë të termit). Vështirë të mos gjejë lexuesi një lidhje befasuese midis përsiatjeve dhe mundimeve filozofike të këtij dokumenti dhe asaj çfarë ndodhi më pas, me pandeminë [A.V.]

Reklama
Këtë e pëlqejnë %d blogues: