LIRIA NË PYJET ILIRIKE

nga Thoma Morina

(Oratorio në vitin e përvjetorëve)

Shënim : Para disa kohësh, mes njerëzish me të cilët ndanim të njëjtat angazhime – politike, por dhe më tej – u shtrua çështja e nevojës, ndoshta, të një Manifesti. Shpejt, por dhe pamjaftueshëm, për shumë arsye ose asnjë, si gjithmonë, nuk munda të sugjeroja nga ana ime tjetër fillesë, pos kësaj më poshtë. Dhe aty mbeti. Mirëpo, përsëritjet e kohës, rikthimet e së njëjtës, kokëfortësia e inertes në sundim e sipër janë në fakt dhe shtysat kryesore pse kolektiva të gjithandejshëm, të etur për pak risi, nisin të duan të bëjnë manifeste – dhe nganjëherë treten me aq. Mirëpo, vitin e kaluar, ndërsa shqiptarët merrnin sërish arratinë në masë, u harrua si me magji 20-vjetori i ‘97-ës dhe 100-vjetori i Tetorit ‘17, thua se të dyja këto data s’kishin të bënin « me ne » ; mirëpo, me më yrysh akoma, bile edhe pas qullit djegës të « tortës së Pavarësisë », ja ku u zyrtarizua mono-viti i Skënderbeut, diku cepave edhe ai i 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, dhe me sa dëshirë të pathënë të tjera ‘8-a u harruan, vrullshëm-e-me-nge, sipas një ethosi tipik të shpolitizimit në kohët (dhe viset) tona. Prandaj, kur mësova, vetëm dje, në ditën e « festës » kombëtare – nga një koment i D. Kokonozit te « Peizazhet » – se në vitin e trazuar 1968 « shpërtheu edhe një lëvizje e fuqishme protestash në Kosovë, në zemër të së cilave ishte Shkolla e Lartë Pedagogjike “Xhevdet Doda” në Prizren », m’u duk kjo si hakmarrje imanente e atyre viteve me 8 (1818, 1848, 1868…), pikërisht aty ku më së shumti po i gufosnin « tanët » : Well said, old mole!(*) Dhe m’u duk, po ashtu, se fundja kjo protestë ‛pedagogjike’ e harruar në Prizren nuk ishte dhe aq pa lidhje me atë Lidhjen që kishte mbetur e vetme në simbolikën e ngushtuar të Prizrenit dhe se lajmëronte, po të dinim ta lexonim, të tjera Lidhje e Lëvizje. Për ta rizgjuar mundësinë e këso lidhjeve, krahas ose dhe kundër atyre nyjeve molare që po na bëhen komb në tru(p) e mendje (« thumb i ngulur në tru t’njerëzis ») mendova ta riparaqes, në formë lutjeje pa adresë, propozimin e shartuar, që u pat refuzuar gjetiu. Në lëmshin e gjithë këtyre nyjeve, thashë të tentoj edhe unë (?) të provokoj rrjeti/ën rastësor/e të takimeve të mia.

(Th. M.)

*          *

‟Dont la belle jeunesse s’use

À démêler le tien du mien”

Louis Aragon, L’Etrangère

Po të donim të niseshim nga vetë statu quo-ja shqiptare, – qoftë edhe në të vetmen formë të përshtatshme, dhe pikërisht në formën negative – rezultati prapëseprapë do të mbetej një anakronizëm. Edhe mohimi i së tashmes sonë politike gjendet tashmë në depon e historisë së popujve modernë, si një e kaluar e mbuluar me pluhur. Po të hedhësh poshtë paruket e pudrosura, prapë do të kesh të bësh me paruke, edhe pse të papudrosura.

Po, historia shqiptare mburret me një lëvizje që asnjë popull nuk e ka kryer në horizontin e historisë para saj dhe të cilën asnjë popull s’ka për ta imituar në të ardhmen. Ne ndamë me popujt modernë privatizimet, por nuk ndamë me ta revolucionet e tyre. Ne jetuam periudhat e privatizimit, së pari, sepse popujt e tjerë morën guximin të hidheshin në revolucion, dhe, së dyti, sepse popujt e tjerë patën vuajtur nga një kundërrevolucion ; në rastin e parë, sepse sundimtarët tanë kishin frikë dhe në të dytin – sepse sundimtarët tanë nuk kishin frikë. Me barinjtë tanë në krye ne zakonisht e kemi parë lirinë vetëm një herë – ditën e varrimit të saj.

Një shkollë që përligj poshtërsinë e sotme me poshtërsinë e djeshme, që cilëson rebele çdo britmë të katunarëve kundër kamxhikut, mjaft që ky kamxhik të jetë një kamxhik i vjetër, ligjor, i trashëguar, historik ; një shkollë së cilës historia i tregon, ashtu siç i tregonte perëndia e Izraelit shërbëtorit të vet, Moisiut, vetëm a posteriori-në e vet, – kjo shkollë historike e autoktonisë do ta kishte shpikur, pra, historinë shqiptare, po të mos ishte vetë një shpikje e historisë shqiptare. Si një Shylock i vërtetë, por një Shylock shërbëtor, ajo për çdo librë mish të prerë nga zemra e popullit bën bé për senetin e vet, për senetin e vet historik, për senetin e vet shqiptar.

Përkundrazi, disa entuziastë shpirtmirë, iliromanë nga gjaku dhe liberalë nga refleksioni, e kërkojnë historinë e lirisë sonë, jashtë lirisë sonë – në pyjet e virgjëra ilire. Por nga se do të dallohej historia e lirisë sonë nga historia e lirisë së derrit të egër, në qoftë se ajo do të mund të gjendej vetëm nëpër pyje ? Pastaj, dihet se ç’britmë të lëshosh në pyll, atë oshëtimë do të dëgjosh. Le t’i lëmë të qeta, pra, pyjet ilire !

*          *

Luftë sistemit shqiptar ! Luftë medoemos ! Ky sistem është nën nivelin e historisë, ai qëndron më poshtë se çdo kritikë, por ai mbetet, megjithatë, objekt i kritikës, ashtu siç mbetet objekt i xhelatit krimineli, që është nën nivelin e njerëzishmërisë. Në luftën kundër këtij sistemi kritika nuk është pasion i arsyes, por arsyeja e pasionit. Ajo nuk është një skalpel anatomik, por një armë. Objekti i saj është armiku i saj, të cilin ajo nuk kërkon ta kundërshtojë, por ta asgjësojë. Sepse fryma e këtij sistemi është hedhur poshtë me kohë. Ai në vetvete nuk e meriton vëmendjen tonë – ai ekziston si diçka aq e përbuzshme, sa edhe e përbuzur. Kritika nuk ka përse të sqarojë qëndrimin e saj ndaj këtij objekti – ajo ka larë çdo hesap me të. Kritika nuk vepron më si qëllim në vetvete, por vetëm si mjet. Patosi i saj kryesor është indinjata, detyra e saj kryesore është denoncimi.

Është fjala për përshkrimin e një presioni të madh reciprok që ushtrojnë të gjitha sferat shoqërore njëra mbi tjetrën, e një pakënaqësie pasive të përgjithshme, e një ngushtësie që shprehet njëlloj si në vetmadhnimin, ashtu edhe në vetposhtërimin – e çdo gjëje që përfshihet në kuadrin e një sistemi qeveritar, i cili rron duke ruajtur gjithfarë poshtërsish dhe që vetë nuk është gjë tjetër veçse poshtërsia e mishëruar në qeverinë.

Ç’spektakël ! Shoqëria po copëtohet pa fund në kasta nga më të ndryshmet, që qëndrojnë përballë njëra-tjetrës me antipatitë e tyre të vogla, me ndërgjegjen e tyre të papastër e me mediokritetin e tyre trashanik, dhe është pikërisht ky qëndrim reciprok ekuivok e plot mosbesim që u jep mundësi sundimtarëve të tyre të sillen me të gjitha ato pa dallim – ndonëse me formalitete të ndryshme – si me qenie që jetojnë vetëm në saje të mëshirës së autoriteteve. Bile edhe faktin që ata i sundojnë, i qeverisin e i zotërojnë, ato janë të detyruara ta pranojnë dhe ta shpallin si hir të qiellit ! Kurse në anën tjetër ndodhen vetë sundimtarët, madhështia e të cilëve është në përpjesëtim të zhdrejtë me numrin e tyre !

Kritika që merret me këtë objekt është kritika e përleshjes trup me trup, dhe në përleshjen trup me trup nuk ka rëndësi nëse është fisnik kundërshtari, nëse ka të njëjtën prejardhje, nëse është i hijshëm apo jo, – rëndësi ka që ai të goditet. Është e domosdoshme të mos u lihet shqiptarëve asnjë minutë për të gënjyer veten dhe për t’u nënshtruar. Shtypja e vërtetë duhet të bëhet edhe më shtypëse, duke i shtuar vetëdijen e shtypjes ; turpi të bëhet edhe më i turpshëm, duke e shpallur botërisht atë. Çdo sferë e shoqërisë shqiptare duhet të paraqitet si partie honteuese e shoqërisë shqiptare, duhet të detyrohet ky sistem i ngurtë të hedhë valle, duke kënduar meloditë e veta ! Duhet të detyrohet populli të tmerrohet nga vetja e vet, për të zgjuar në të trimërinë. Me këtë do të plotësohet një nevojë e ngutshme e popullit shqiptar, dhe vetë nevojat e popujve janë shkaku vendimtar i plotësimit të tyre.

Biles, edhe për popujt e tjerë modernë nuk mund të mos paraqesë interes kjo luftë kundër brendisë së kufizuar të statu quo-së shqiptare, sepse statu quo-ja shqiptare është përkryerja e hapët e feudalizmit, dhe feudalizmi është vesi i fshehtë i shtetit modern. Lufta kundër së tashmes politike shqiptare është luftë kundër së kaluarës së popujve modernë, ndërsa jehona e kësaj të kaluare vazhdon të rëndojë ende mbi këta popuj. Për ta është mësimdhënës të shohin se si ancien régime, i cili e kaloi tragjedinë e vet pranë tyre, po e luan komedinë e vet si shqiptari i kthyer nga ajo botë.

Historia dhe fundi i rendit të vjetër ishin tragjike. Përkundrazi, regjimi shqiptar i sotëm – ky anakronizëm, kjo antitezë flagrante e aksiomave të pranuara nga të gjithë, ky nulitet i ancien régime, i nxjerrë në pah faqe gjithë botës – vetëm sa kujton se i beson vetes dhe kërkon që edhe bota të kujtojë kështu. Në qoftë se ai do të besonte me të vërtetë në thelbin e vet, pse do ta fshihte ai atë nën dukën e një thelbi tjetër dhe të kërkonte shpëtimin e vet në hipokrizinë dhe sofizmat ? Feudalizmi spektakolar i sotëm është më tepër komediani i një rendi botëror, heronjtë e vërtetë të të cilit kanë vdekur. Faza e fundit e një forme historike është komedia e saj. Perëndive të Greqisë, që u plagosën një herë për vdekje – në formë tragjike – në Prometeun e lidhur të Eskilit, iu desh të vdisnin edhe një herë – në formë komike – në Dialogjet e Lukianit. Pse ndjek këtë rrugë historia ? Kjo është e nevojshme që njerëzimi të ndahet me gaz nga e kaluara e tij. Pikërisht, një zgjidhje të tillë historike gazmore kërkojmë ne për autoritetet politike të Shqipërisë.

Por në çastin kur vetë realiteti shoqëror dhe politik modern bëhet objekt i kritikës, kur, si pasojë, kritika ngrihet deri në problemet me të vërtetë njerëzore, – ajo del përtej caqeve të statu quo-së shqiptare ; përndryshe ajo do ta trajtonte objektin e vet në një nivel që është nën nivelin e vërtetë të këtij objekti. Ja një shembull ! Raporti i industrisë, në përgjithësi i botës së pasurisë, me botën politike është një nga problemet kryesore të kohëve moderne. Në ç’formë po fillon të ngjallë interesimin e shqiptarëve ky problem ? Iliromania u shpërngul nga njeriu në materien, dhe kësisoj, një mëngjes të bukur kalorësit tanë të pambukut dhe heronjtë tanë të hekurit u gdhinë patriotë. Pra, në Shqipëri po fillojnë ta njohin sovranitetin e monopolit brenda vendit, duke i dhënë monopolit sovranitetin jashtë. Në Shqipëri, pra, sapo kanë zënë të përgatiten për të filluar atë gjë, së cilës në vendet e tjera po përgatiten t’i japin fund. Rendi i vjetër i kalbur i ‘patriotizmit neoliberal’, kundër të cilit po ngrenë krye teorikisht këto vende, dhe të cilin ato vetëm se e durojnë ende, siç durohen prangat, në Shqipëri përshëndetet si agimi i një të ardhmeje të mrekullueshme, që sapo merr guximin të kalojë nga teoria dinake në praktikën më të paturpshme. Në një kohë kur në vendet e tjera problemi shtrohet : ekonomi politike apo sundim i shoqërisë mbi pasurinë, në Shqipëri ai shtrohet kështu : ekonomi kombëtare apo sundim i pronës private mbi kombin. Në vendet e tjera fjala është për heqjen e monopolit të zhvilluar deri në caqet e tij të fundit ; kurse në Shqipëri – për ta zhvilluar monopolin deri në caqet e tij të fundit. Atje bëhet fjalë për zgjidhjen e çështjes, këtu bëhet fjalë vetëm për kolizion. Ky është një shembull mjaft i qartë që na tregon se në ç’formë shtrohen një Shqipëri problemet e kohës së sotme, shembull që tregon se historia jonë, si një rekrut që përsërit ushtrime të vjetra, e ka quajtur deri tani për detyrë vetëm të përsërisë histori bajate.

*          *

Lind pyetja : a mund ta arrijë Shqipëria një praktikë në nivelin e parimeve të saj, d.m.th. një përmbysje që të mund ta ngrejë Shqipërinë, jo vetëm në nivelin zyrtar të popujve modernë, por edhe në lartësinë njerëzore, që do të jetë e ardhmja më e afërt e këtyre popujve ?

Arma e kritikës, natyrisht, nuk mund të zëvendësojë kritikën me armë, forca materiale duhet të mposhtet po me forcën materiale ; por edhe teoria bëhet forcë, kur ajo bën për vete masat. Teoria mund t’i bëjë për vete masat kur ajo provon ad hominem, dhe ajo provon ad hominem atëherë kur bëhet radikale. Të jesh radikal, do të thotë ta kuptosh një gjë me rrënjë. Por rrënjë për njeriun është vetë njeriu. Provë e qartë e karakterit radikal të teorisë është kur, duke u nisur nga parimi se njeriu është qenia më e lartë për njeriun,  ajo arrin në imperativin kategorik që urdhëron të përmbysen të gjitha merrëdhëniet, në të cilat njeriu është qenie e poshtëruar, e skllavëruar, e pafuqishme, e përbuzur – ato marrëdhënie të cilat nuk mund të karakterizohen më mirë përveçse me fjalët që tha një francez kur po bëhej projekti për të vënë një taksë mbi qentë : « Të shkretët qen ! Duan t’ju trajtojnë juve ashtu siç trajtojnë njerëzit ! »

Por, me sa duket, një revolucion radikal shqiptar pengohet nga një vështirësi shumë e madhe.

Puna është se revolucionet kanë nevojë për një element pasiv, për një bazë materiale. Teoria vihet në jetë në çdo popull gjithnjë në atë masë që ajo është plotësim i nevojave të tij. Por a do t’i përgjigjet mospërputhjes së tmerrshme që ekziston midis kërkesave të mendimit shqiptar dhe përgjigjeve që u jep atyre realiteti shqiptar – a do t’i përgjigjet kësaj mospërputhjeje e njëjta mospërputhje midis shoqërisë civile, shtetit dhe vetvetes ? A do të bëhen nevojat teorike drejtpërsëdrejti nevoja praktike ? Nuk mjafton që mendimi të synojë të bëhet realitet, vetë realiteti duhet të synojë drejt mendimit.

*          *

Ku qëndron, pra, mundësia pozitive e emancipimit shqiptar ?

Përgjigje : në formimin e një klase të lidhur me pranga radikale, të një klase të tillë të shoqërisë civile, që nuk është klasë e shoqërisë civile ; të një rendi të tillë, që është produkt i shpërbërjes së të gjitha rendeve ; të një sfere të tillë, që ka një karakter universal për shkak të vuajtjeve të saj universale dhe nuk kërkon kurrfarë të drejtë të veçantë, sepse mbi të nuk rëndon një padrejtësi e veçantë, por padrejtësia në përgjithësi, e cila nuk mund të mbështetet më në të drejtën historike, por vetëm në të drejtën njerëzore, e cila nuk është në kundërshtim të njëanshëm me pasojat që rrjedhin nga rendi shoqëror shqiptar, por në kundërshtim të gjithanshëm me premisat e tij ; të një sfere të tillë, më në fund, që nuk mund ta emancipojë veten, pa u emancipuar nga të gjitha sferat e tjera të shoqërisë dhe pa emancipuar, njëkohësisht të gjitha sferat e tjera të shoqërisë, me një fjalë të një sfere të tillë, që është humbja e plotë e njeriut dhe prandaj nuk mund ta ringjallë veten veçse me ringjalljen e plotë të njeriut. Ky rezultat i shpërbërjes së shoqërisë , si status, si një shtresë e veçantë, është kokëpalariati.

*          *

Ashtu siç gjen filozofia te kokëpalariati armën e vet materiale, ashtu dhe kokëpalariati gjen te filozofia armën e vet shpirtërore, dhe, me të shkrepur vetëtima e mendimit mbi këtë truall të virgjër popullor, shqiptari do të emancipohet dhe do të bëhet njeri.

© 2018, autori.


(*) 1) Shekspiri, Hamleti, Akti, I, skena V. Noli e perkthen :”Te lumtë, xha uriq! Sa shpejt më mih!”. Shprehja është e famshme, ngase e rimarrë nga Marksi (pas Hegelit), veçanërisht te 18 Brymeri i Lui Bonapartit, si imazh për ecurinë e nëndheshme të revolucionit.

9 Komente

  1. Ky Manifesti eshte strukturuar si nje shumesi fjalesh te urta, duke perdorur vargun e lire. Proverbat ose kane rime, psh duaje atdhene si shqiponja folene, besa e shqiptarit si purtek’ e arit, ose jane ne varg te lire, psh guri i rende ne vend te vet.
    Proverbit ne vargun e lire, i lihet e kunderta pa thene, dmth nuk eshte e nevojshme te shpjegohet se cfare ndodh me gurin e lehte. Kush punon, ha- eshte i vetemjaftueshem, kush nuk punon, nuk ha eshte shtese e panevojshme. Tek Manifesti i ketushem cdo proverb plotesohet, cka e ben te lodhshem nga pikepamja logjike.

    Nqs me pranohet kjo kritike, duhen sharruar pjeset e dyta te fjalive, qe te mos lodhet kot lexuesi e as ndokush mos ta marre si ofendim qe tek pjesa e dyte, i shpjegohet rezultati logjik i pjeses se pare. Proverbi shqip eshte palester e dores se pare ne çeshtjet e natyres dialektike.

    Ajo puna e pyjeve ilire nuk duhet marre aq lehte, se perndryshe ne Kosove dalin emigrante shqiptaret e jo serbet, dhe emigrantit i thuhet po deshe ik, po deshe rri. Doemos qe liria gjendet ne pyjet ilirike dhe gjithe historine e shqiptareve, konceptoje si nje dialektike hegeliane e lirise, ku liria ne pyjet ilire jane teza, pushtimet, ne veçanti ai sllav antiteza, Kosova e Pavarur Sinteza.
    Me tej vazhdoje dialektiken hegeliane te lirise me Shqiperia e 1912-s teza, Kosova e Pavarur antiteza, Shqiperia e Bashkuar, Sinteza.

    Keshtu, me kete te dyten do te shikosh se ka nje mosperputhje ekzistenciale, Kosova e Pavarur me Shqiperine e 1912-s, ate qe shpallen keta tanet, jo ate te 1913-s qe doli nga Konferenca e Londres. Kosova e Pavarur eshte negativi i Shqiperise se 1912-s, po aq sa shumesia eshte negativi i unitetit.

    Eshte e vertete qe jemi 100 vjet prapa dhe nuk duket se do te bejme ndonje kapercim fale hapave te shpejte reformuese, maksimumi do te kercejme si karkaleci nga nje teori tek tjetra.

    Kam pershtypjen se edhe ky Manifest hyn tek filozofia e kercimit si karkaleci nga nje teori tek tjetra dhe nuk permban ndonje teresi reformash reale si te mundesohen reformat me hapa te shpejte, qe 100 vjet prapa te mbyllen ta zeme brenda 20-30 vjetesh, si kane enderruar shqiptaret qe ne shekullin e 19.

    1. Kuptohet mire qe logjika nuk eshte “forti” jot. Nga “kush punon ha”, nuk rrjedh ne menyre logjike (apo shkakesore po deshe) qe kush nuk punon nuk ha. Po nuk e “graspe” dot logjikisht dhe ne menyre abstrakte, besoj se e di qe ka plot qe nuk punojne dhe hane me shume se ata qe punojne. Qe te mos ngaterrohesh, po te them qe ka edhe plot nga ata qe nuk punojne e s’kane c’te hane, puna eshte se kjo nuk rrjedh ne menyre logjike dhe ekskluzive nga pohimi i meparshem.

      Me kete vetem desha te them qe, dhe kjo eshte per te mbetur brenda temes, autori i ketij shkrimi, ndoshta e ka pare me vend te shtoje edhe pjese te dyta, per te shpieguar me mire idete e veta dhe te mos lejoje keqkuptime ose gabimkuptime nga njerezit e zellshem e te rrembyer.

  2. “Hegeli thote diku se ngjarjet dhe personazhet e madhe historike ndodhin, si te thuash, dy here. Vetem pati harruar te shtonte: heren e pare si tragjedi, dhe heren e dyte si farse.”
    S’mund te mos me vinte ne mend, me ndjeni per narcisizmin!, ky citim nga vetja ime perballe tekstit me lart, per me teper qe “18 Brymeri…”, qe hapet me kete fraze, permendet edhe te shenimi hyres.
    Mesa degjoj, nga sa kam thene dhe shkruar (por dhe nga sa me faturojne e qe s’jane me doemos te miat), kjo fjali hyrese eshte nje nga ato qe s’eshte pergenjeshtruar asnjehere, dhe qe ka gjetur “konsensus” edhe te kundershtaret e mi me te betuar (qe ndoshta jo gjithmone e dine origjinen e shprehjes).
    Jo gjithmone te ndodh ta shohesh veten me syte e tjetrit, dhe ky version “i perditesuar” shqiptar i ketij teksti (ne perkthimin e Institutit te M-L ma ha mendja (?), bazuar ne versionin rusisht!), te shkruar ne Paris me 1843, s’di si me duket: edhe i njejti, edhe krejt tjeter.
    S’me habit qe shqiptaret te jene disi indiferente ndaj tij, si ndaj emrit tim (nuk e kam vetem per 200-vjetorin e lindjes) ashtu dhe ndaj fjaleve te mia, pas asaj ç’kane pesur nen alibine e emrit tim. Por, tani qe francezet e veshur me te verdha dhe nen monarkine e stisur te Macronit po rizbulojne per te sajten here “Luften e klasave ne France”:
    http://piketty.pse.ens.fr/files/Marx1850.pdf
    dhe “18 Brymerin…” tashme te famshem (tri here te cituar):
    http://classiques.uqac.ca/classiques/Marx_karl/18_brumaine_louis_bonaparte/18_brumaine.html
    nuk me habit qe Thoma Morina, apo cilido qofte personi qe fshihet pas ketij pseudonimi utopik (ne mos qofte ndonje zjarrvenes nga rrethinat e Kukesit jo larg autostrades se kombit — nje “gilet jaune” kokepalar “avant la lettre”) s’me habit pra qe te kete rene te (dhe t’i kete rene ne koke) “Hyrja” ime rinore e “Kritikes se filozofise hegeliane te se drejtes”.
    Dhe kokes i ka rene. Jo me kot shqiptaret dhe gjermanet, per mire a per keq, shpesh kane pare (ose fantazmuar) ngjashmeri te njeri-tjetri, qe nga Lejbnizi deri te bataljoni SS “Scanderbeg”!
    Do t’isha thjesht kureshtar te dija ç’forme ka pasur revolta e 68-es ne Prizren, me nje shtet “ame” stalinist ne jug (se marksist nuk ishte) dhe nje Beograd “socialist vetadministrativ” ne veri.
    Te them te drejten, mendova se shqiptaret do visheshin dhe ata me ne fund me te verdha, se fundja nje Macron barazvlen nje Rame [po ai perçmim per popullin dhe katunarin, po ai fodullek, po ajo shtyrdhje e te vegjelve dhe lyerje e te medhenjve (kulla dhe bizsnesmene), fshati digjet ne nje ane, KM hap ekspozite personale (ne Rostok, pa shih!) ne anen tjeter…], por, duhet thene edhe nje here, se ashtu si ajo puna e urithit, simpatine per te cilin e ndaj me Hegelin (i cili s’di te kete patur simpati per shqiptaret ne veçanti), rruga e historise eshte plot dredha dhe zigzage te nendheshme.
    Nje gje eshte e sigurt: se do te vije nje dite kur, me ose pa lexuar shkrimet e mia, urithi (qe eshte i verber fundja) do ta nxjerre turiçken diku afer Bunkartit. Dhe ate dite…

  3. Dule kesaj tendes i thone lesh arapi. Nqs ti nuk kap dot logjiken dialektike te proverbit ne varg te lire, ben mire te shkosh ta mesosh nga ndonje fshatar qe vjen te shese fiq ne treg. Populli gjithsesi eshte bujar dhe me te lodhurit fare, se e ka nxjerre edhe te rimuar, kush leviz kembe e duar, ha buke e lakruar. Po me the qe ka qe levizin kembe e duar e nuk hane lakror po vetem buke, ketu s’ka fshatar qe te te marre persiper. Une sdoja te fyeja autorin, prandaj ia thashe me spond, po ky stili proverbior i Manifestit eshte proverbial per te ngaterruar leshin me lirin.

    1. Perseri nuk e ke kuptuar, pra tregon se e ke organike. Nuk i bie te te them qe:

      “….ka qe levizin kembe e duar e nuk hane lakror po vetem buke,”

      Por mund te te perseris po ate qe te kam thene me pare (qe ti nuk e ke marre vesh) duke shtuar edhe lakrorin, pra ka qe nuk levizin as kembe, as dore e as ndonje gje tjeter, dhe pervec bukes e lakrorit, hane edhe supe. Ty te duket se po permende logjiken dialektike, e ke menderosur logjiken formale. Kjo tregon qe ti nuk di nga bie as logjika formale, pale qe ate dialektiken e ke me te degjuar, ose edhe me te lexuar, por ne oret e vona. Fshataret mos i ngaterro ne kete pune, se deri ke dialektika mbase nuk shkojne, po ne pazar nuk ua hedh dot kollaj.

      1. E hodha rrjeten per oktapodin e madh , me ra gaforrja qe po me prish rrjeten. Tek kush leviz kembe e duar, hiqet punoj, me pak fjale koncepti kalon tek levizja, tek gjallesa, te qenit i gjalle, thjeshtohet koncepti, prandaj pjesa e pare behet universale dhe e vetmja gje e kontestueshme behet pjesa e dyte, buke apo lakror, pse buke e jo mish. Tani, une i zgjodha enkas shembujt e proverbave, atdheu,besa, puna, guri i rende, sikunder cdo fjale e koncept te komentit, sepse Thoma Morina eshte oktapod i sovjeteve, tip komisari i drites i perditesuar. Kjo tipologji dacibaosh , ca do populli ben partia, ca thote partia ben populli, eshte tipike e elementeve filozofike te Vetevendosjes. Me te dalluara jane albinizmat (Albin Kurtit), mirepo gjate ketij viti ka pasur nje problem shume serioz me nardndokizmat e Albinit, sepse Albini kaloi nga “Nuk eshte Shqiperia qe bashkohet me Kosoven, por Kosova qe bashkohet me Shqiperine” ne “Bashkimi vjen nga referendumet ne Kosove e Shqiperi dhe nese del jo, skemi ca bejme se jemi me BE-ne”. Medemek keta filozofet e medhenj te VV-se na e paskan nxjerre historine nga ekuacioni, per ta perditesuar me vullnetin e popujve ne Kosove e Shqiperi. Tani nuk paska me nje Shqiperi Etnike qe eshte e vetemjaftueshme per Bashkimin, tani na u dashka t’u marrim doren europianeve, serbeve te kosoves, minoritareve te Shqiperise, turqve te Prizrenit dhe romeve te Veliajt e Totozanit. Medemek kemi nje popull te Shqiperise te perbere nga shqiptare e pakica dhe nje popull te Kosoves te perbere nga shqiptare e pakica. Keta dy popuj multietnike sipas ketyre sovjeteve vendosin nese duan apo nuk duan te jetojne ne nje shtet. Nuk ka asgje te keqe qe te behen referendume, eshte e detyrueshme te behen, por kjo logjika sovjetike mire qe aplikohet per Kosoven, por keta oktapode e hedhin edhe per Shqiperine, gje qe eshte absolutisht e papranueshme, e pakonceptueshme dhe me komplikime teorike qartazi antikombetare. Nqs nuk duan te jene shqiptare, jane te lire te mos jene, por nqs duan prape te mashtrojne shqiptaret, ketu jane 100fish ne gabim, se nje here bie macja ne gjalp dhe nuk kane per ta ngrene prape shqiptaret ate kokerr ulliri.

        1. Neqoftese rrjeten tende e prishka nje gaforre e vogel, atehere ti thuaj shyqyr qe oktapodhi i madh nuk e pa rrjeten tende se do te te kishte prishur edhe shtepine. Po ta perseris ti calon ne logjiken elementare dhe vjen e na tregon perralla te medhaja. Pak a shume eshte njelloj si te ngresh nje pallat te madh, por prej kartoni, qe era e pare e lehte (ose gaforrja e vogel, po deshe) e rrezon me nje here. Hyllin, a e ke degjuar ti ndonje here fjalezen “Djalli eshte ne detajet”?

  4. Thoni ju hyllin: ” … tani na u dashka t’u marrim doren europianeve, serbeve te Kosoves, minoritareve te Shqiperise, turqve te Prizrenit dhe romeve te Veliajt dhe Totozanit”.
    Duket qe ju, hyllin, e merrni si te mireqene vullnetin e mire te shqiptareve per bashkim. Besoj se jeni shume zemergjere, kur merrni si te mireqene nje gje qe nuk eshte fort e sigurte, meqe jo pak intelektuale ne Shqiperi jane shprehur kunder bashkimit per te cilin flisni.
    Gjithsesi, per ironi, ka ndodhur nje fenomen i cuditshem keto kohet e fundit: disa prej atyre qe kane qene kunder bashkimit, ose kane ndryshuar mendim plotesisht ose e kane zbutur qendrimin e tyre me pare te patundur.
    Dhe e gjitha kjo fale vetem nje personi: Edi Rames! Fale natyres se paparashikueshme dhe trillane te tij, e sidomos deshires se madhe per te mbetur ne histori.
    Shkembimi i territoreve, nese ndodh, eshte hapi i pare konkret drejt bashkimit me Shqiperine; ne fakt, ky eshte qellimi edhe i atyre te fuqishmeve misterioze qe fshihen pas “cmendurise” se Thacit; zoti Rama, natyrisht i plotedijshem per kete fakt, mbeshtet idene e zotit Thaci dhe te fuqishmeve misterioze pas tij ( per te, eshte nje mundesi e arte per te hyre ne histori); zoti Rama eshte lideri i PS-se, qe ka edhe elektoratin me te madh ne Shqiperi; ky elektorat do mbeshtese udheheqesin e tij, pa as me te voglin dyshim; por, dhe c’eshte me e rendesishmja, pjesa intelektuale e ketij elektorati, te cilit i perkasin edhe zoterinjte e siperpermendur qe dikur ishin shprehur hapur kunder bashkimit te shqiptareve; ne te gjitha debatet televizive qe jane bere per ceshtjen e te ashtuquajturit korrigjim te kufijve, te gjithe opinionistet e majte jane shprehur ne mbeshtetje te zotit Thaci ( kuptohet, meqe kete e mbeshteste zoti Rama); kurse ata intelektuale te majte, le te themi te paangazhuar politikisht, edhe ne mos patshin ndryshuar mendim, te pakten po heshtin; dhe kjo eshte nje gje shume e mire.
    Si perfundim, trillet e zotit Rama, menjanuan rrezikun, teper te madh, e ndikimit qe keta zoterinje intelektuale mund te kishin mbi elektoratin e madh socialist, qe do te ishte edhe pjesa me e madhe e votuesve ne rast te ndonje referendumi.

    1. Ceshtja u shtrua ne nivel teorik, prandaj edhe pohimi im i takon atij niveli. Per ta thene ndryshe per vertetesine e Bashkimit nuk eshte e domosdoshme qe te votoje askush, sepse vertetesia eshte koncept i deduktueshem lirisht tek historia e shqiptareve. Rrjedhimisht referendumi eshte dicka e tepert qe nuk i shton gje vertetesise, duhet bere per formalizem. Keto qe ben Rama jane me shume vazhdimi i telenoveles kombetare, ne fund te fundit si e tha Noli, ketu patrioti behet tradhtar brenda nates dhe tradhtari patriot sa hap e mbyll syte. Aq me teper qe qendrime te tilla si keto qe permend ti, te tipit nga te fryje era, nuk mund te mendohen si te pranueshme ne koncepte kaq te rendesishme ose epokale ai bashkim/njesim shtetesh. Ne nje referendum per rritjen ose jo te cmimit te kripes, merret shume seriozisht vullneti aktual i popullit se kripa eshte element esencial i te gjallit, kurse bashkimi/njesimi i shteteve ne kete rast kombit, nuk eshte thjesht ceshtje humori e te gjallit, se nuk ben njeri lojera me keto pune, jo dua po s’dua. Nga pikepamja praktike them se shqiptaret do ndjekin ca t’u thote kryetari, se komandanti eshte ai qe mendon per buken e kacakut.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin