POLITIKA SI TELENOVELË

Ngado që ta ndjekësh politikën shqiptare, duket si telenovelë. Në cilindo moment të fillosh ta ndjekësh, duket si telenovelë.

Politika shqiptare ka kohë që është mediatizuar dhe shndërruar në spektakël televiziv. Por tashmë ajo ndiqet nga publiku, si telenovelë çfarëdo, me aktorë, ngjarje, konflikte.. Që metamorfoza të realizohej përfundimisht, me siguri ka ndihmuar edhe shkëputja e saj nga realiteti i vendit.

Nëse e shikon politikën shqiptare nga ekranet televizive, ose nga faqet e gazetave, shfaqet krejt si telenovelë. Dëshiron takime plot mister midis protagonistëve? I ke me shumicë. Ke qejf të ndjekësh skena e prapaskena? Kur të duash. Ke kureshtje për filmime të fshehta si syri nga vrima e çelësit? Nuk mungojnë asnjëherë. Kërkon emocione me colpi di scena e deklarata befasuese? Do të mbetesh i kënaqur.

E si çdo telenovelë gjërat jepen me seri, madje në momentin më kulminant ndërpriten. Si do të shkojë marrëdhënia e dyshes? Do të ndahen, apo do të bashkohen sërish? Janë prishur? Në ç’kuptim? Përse vallë? Për cilin e kishte fjalën me atë aludimin? Po i del kundër grupimi tjetër? Cili biznes qëndron pas tij dhe e kundërta? Do ta mësoni në serinë e ardhshme.

Një nga karakteristikat e telenovelës është kohëzgjatja. Dihet kur fillon, por jo kur mbaron. Kështu edhe politika shqiptare.

A mund të konceptohet telenovela pa tradhti e pa përplasje klanesh? E pamundur. Po kështu në politikën shqiptare. Njëri kalon në një anë, tjetri nga ana tjetër. Edhe Juda del me shumë fytyra, brenda e jashtë partisë.

Po ta ndjekësh nga afër politikën shqiptare, ta zëmë nga lokalet e Tiranës, atëherë rrëfimi do të bëhet edhe më entuziazmues.  Aty do të mësosh se jo gjithçka thuhet në media, se ajo grua e njohur në fakt është dashnorja e filanit, e se filani është kushëriri i fistekut, e se fisteku është burrit i parë i dashnores. Në mes të të gjithëve gjendet një biznes i madh, një politikan me peshë e një media me rëndësi, por nuk dihet se ku i kanë rrënjët.

A nuk të mban me gjak të ngrirë kjo telenovelë? Si do të vejë puna? Kush do të fitojë? Pastaj, në çastin më delikat, ndërhyn edhe faktori ndërkombëtar: Deus ex machina. Filmi bëhet edhe më tërheqës. Me kë është filan ambasador? Po koalicioni a mban? Këtu duhet parë në nivel gjeostrategjik. Superfuqitë e kanë mendjen tek politika shqiptare.

E si çdo telenovelë ka edhe konflikte. Vrasje, rrahje, sharje, fyerje, gjyqe, akuza, deklarata, komplote… Publiku nuk shqitet dot nga ekrani. Madje fillon t’i thërrasë protagonistët direkt me emër, madje në versionin familjar të shkurtuar. Edhe ata vetë sillen në ekran si vip-a, jo si politikanë.

Po fjalori si është? I thjeshtë, elementar, popullor. Nuk ka faqe të skenarit që nuk përmban fjalë si “integrim”, “tranzicion”, “reformë”, “europian”, etj. Çdo fjalë me tonalitete të larta. Ka edhe sharje të rënda, sa për t’u bërë njësh me popullin e rrugës. Ka edhe batuta për t’u argëtuar. Politika është gjithashtu zbavitje.

Telenovela vijon, madje është potencialisht e pafund, sepse pas çdo seriali fillon një tjetër. Me ndonjë aktor të ri, por thelbi mbetet po ai. Përsëritja është gjeneratori i telenovelës politike, fundja publiku kërkon emocione, jo kujtesë. Prandaj edhe përplasjet, akuzat, lavdërimet, intrigat, padrejtësitë, dashuritë, urrejtjet, zënkat, pajtimet, aleancat, mund të fillojnë nga e para. Me ngjyra të reja nëse nevojitet.

Baret, lokalet, televizionet, janë kasat e rezonancës, ku amplifikohet jehona e telenovelës. Aty merr vesh “arsyet e vërteta” të atij qëndrimi politik, “logjikën” e asaj lëvizjeje ndërkombëtare. Telenovela vazhdon në jetën e përditshme, nga ekrani në jetë, vajtje/ardhje, madje shkrihen së bashku. Publiku mbetet me gojë hapur.

Spektatorët e ndjekin politikën për ngjarjen e radhës, për konfliktin e serisë, për emocionin e fundit, për kënaqësinë e vijimit, për fatin e protagonistit, për prapaskenën intriguese… Harrojnë kryesoren, se ajo është vetëm telenovelë.

1 Koment

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin