Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi / Jurisprudencë / Politikë

PROTESTA SI INSTITUCION

  • Shënime

Filozofi dhe politologu frëng Pierre Rosanvallon ka përpunuar në rrjedhë të viteve konceptin e “Institucioneve të padukshme”, të cilin e shtjellon më plotë në një ese të vitit 2024 (Les institutions invisibles). Sipas tij, shoqëritë kanë nevojë, për të funksionuar, jo vetëm për institucionet formale, si kushtetuta, ligji, parlamenti, gjykatat, zgjedhjet, por edhe për forma më pak “të prekshme” (tangibles) të organizimit social.

Tri janë më të rëndësishmet prej tyre: (1) Besimi i ndërsjelltë, që i lejon individët të bashkëpunojnë, të pranojnë vendimet e marra nga të tjerët dhe të marrin pjesë në jetën kolektive. Kur ky besim mungon, edhe institucionet formalisht legjitime vijnë e dobësohen. (2) Autoriteti, ose kapaciteti për të ofruar drejtim, komanduar respekt dhe përcaktuar pika referimi të përbashkëta. Autoriteti nuk është i njëjtë me pushtetin shtrëngues (koerciv) – varet nga pranimi prej të tjerëve. (3) Legjitimiteti, që është njohja shoqërore se pushteti politik është i përligjur dhe meriton të pranohet. Këtë mund ta garantojë, në afat të gjatë, thjesht fitorja në zgjedhjet.

Rosanvallon-i i quan institucione, sepse këto organizojnë marrëdhëniet, lehtësojnë bashkëpunimin dhe ndihmojnë për të krijuar një ndjesi të jetesës së përbashkët. Dhe janë “të padukshme”, sepse nuk mund të sendërgjohen thjesht përmes legjislacionit ose të imponohen nga një autoritet administrativ, meqë vijnë në jetë përmes marrëdhënieve dhe praktikave sociale të bashkëndara.

Sipas autorit, kriza e sotme e institucioneve demokratike nuk mund të shpjegohet thjesht me rënien e pjesëmarrjes në politikë ose pakënaqësinë me elitat politike. Po ndodh diçka më themelore: erozioni i marrëdhënieve që lidhin qytetarët mes tyre dhe me institucionet që i qeverisin, i cili e lejon populizmin autoritar të lulëzojë. Zgjedhjet mbeten thelbësore, por nuk janë më të mjaftueshme për të përcaktuar legjitimitetin politik.

E zbatuar në realitetin e Shqipërisë, teoria e Rosanvallon-it ndihmon për të kuptuar vështirësitë e tanishme që po përjeton shteti në marrëdhëniet me shoqërinë civile dhe qytetarët. Në fakt, ky shtet te ne i ka tani institucionet formale – kushtetutën, parlamentin, zgjedhjet dhe gjyqësorin e pavarur; por nuk e ka besimin, autoritetin dhe legjitimitetin që i bën këto institucione të efektshme në praktikë.

Qytetarët që kanë dalë të protestojnë kundër qeverisë dhe të kërkojnë një resetim të plotë të shtetit e bëjnë sepse nuk i besojnë qeverisë së tanishme dhe vendimeve që vazhdon të marrë, me ngritje kartonash, një parlament i sunduar nga tirania e një shumice aritmetike të dalë nga zgjedhjet; si dhe rregullimeve të tjera të kushtetutës, si ato që përcaktojnë sistemin zgjedhor dhe rolin e Presidentit të Republikës në ndërmjetësimin e marrëdhënieve midis pushteteve. Te Rama dhe njerëzit që ai ka zgjedhur të mbajë rreth vetes, autoritetin e djeshëm e ka zëvendësuar autoritarizmi dhe arbitrariteti (Për t’u shënuar se edhe Rama me të vetët reaguan ndaj protestës me një riformulim kontekstual të mekanizmit të “besës” dhe të “besimit”).

Kam bindjen se në Shqipëri ende mungon një traditë e konsoliduar e institucioneve demokratike, të dukshme dhe të padukshme. Republika e re, që lindi me rrëzimin e regjimit totalitar në fillim të viteve 1990, adoptoi një kushtetutë e cila nuk vinte si produkt logjik dhe i natyrshëm i vullnetit të qytetarëve, por ishte më tepër manifest i vullnetit (shpesh instrumental) të elitave të reja politike dhe shteteve mike perëndimore për ta afruar – formalisht – Shqipërinë me vende të tjera të Europës, gjithnjë me shpresën se ky afrim do të ndihmonte për zhvillimin e institucioneve të tjera, veçanërisht ato të padukshmet (gjithë duke ua garantuar këtyre elitave një rol të dorës së parë, në sistemin “e dalë gërmadhash” të tjetrit).

Instruktive, në këtë kontekst, është ajo çfarë ka ndodhur me institucionin e besimit në Shqipëri, veçanërisht në parlament, ku mungon edhe besimi më minimal mes palëve, shumicës dhe opozitës, i tillë që të mundësojë funksionimin e institucionit legjislativ si vend ku flitet për ligjin. Përkundrazi, PS-ja e ka thjeshtuar vendim-marrjen në një ngritje mekanike kartonash, teksa PD-ja e ka zëvendësuar fjalën me aktin (performativin); mes këtyre dy palëve nuk ekziston më vullneti për të bashkëpunuar, aq sa duket sikur ato kanë harruar deri edhe arsyen pse janë atje dhe çfarë pritet që të bëjnë dhe e shohin veten, ndërsjelltazi, në rolet e akuzuesit (prokurorit) dhe të pandehurit, duke inskenuar një teatër gjyqësor të pafund, që as nuk i ka mjetet për të arritur në ndonjë zgjidhje konkrete. Rama flet shpesh për një “mandat” që i është dhënë, në mënyrë abstrakte, duke iu referuar fitores në zgjedhje, por pa marrë parasysh se ky mandat kërkon të ushqehet, periodikisht, me besim të përtërirë. Madje vetë marrëdhënia mes deputetëve të secilës palë, p.sh. të deputetëve të PS-së, e shprehur në qëndrimet monolite dhe baletin mekanik të kartonave, vështirë se mund të quhet e frymëzuar nga “besimi” – meqë duket sikur i përket një lloji tjetër marrëdhëniesh ndërnjerëzore: disiplinimit.

Në një vepër të mëhershme (“La Contre-démocratie”, 2008), Rosanvallon-i vërente se besimi – si institucion i padukshëm – kryen të paktën tre funksione: (1) zgjeron cilësitë e legjitimitetit, duke i shtuar një përmasë morale (integriteti, në kuptim të gjerë) dhe një përmasë substanciale (shqetësimi për të mirën e përbashkët); (2) lejon që legjitimiteti kësisoj i zgjeruar të mbetet i vijueshëm në kohë, duke u manifestuar si një “hipotezë për çfarë do të ndodhë më pas” (Georg Rimmel, te Sociologie, Etudes sur les formes de la socialisation, cituar nga Rosanvallon-i): “mjaftueshëm i sigurt për të shërbyer si bazë e veprimit praktik, besimi është një gjendje e ndërmjetme mes dijes dhe mos-dijes për të tjerët. Kush di gjithçka, nuk ka nevojë të besojë. Edhe ai që nuk di asgjë, nuk mund të besojë në mënyrë të arsyeshme.”); (3) ndihmon për një ekonomizim institucional, duke mënjanuar nevojën për mekanizma testimi dhe verifikimi.

Rosanvallon shton këtu se një kundërmasë e nevojshme, ndaj erozionit të besimit në shoqëritë bashkëkohore, është “organizimi i mosbesimit”, si një formë rezistence ndaj këtij degradimi dhe abuzimeve me pushtetin. Për mua edhe protesta, në format që mori gjatë këtyre muajve, është manifestim i mosbesimit, nga ana e segmenteve të caktuara të shtresave urbane, përballë autoritarizmit të qeverisë Rama, abuzimit me shumicën aritmetike në parlament, degradimit të proceseve legjislative dhe të vetë institucionit parlamentar dhe ekspozimit të shumë figurave, mes shumicës qeverisëse, ndaj akuzave për korrupsion. Si e tillë, protesta – pavarësisht ambicieve të saj politike dhe kërkesave reale që vijnë nga segmente të saj – është një formë elementare e kundër-demokracisë që, në thelb, u shërben edhe ajo institucioneve kushtetuese. Dhe pikërisht, duke u ngritur në protestë kundër të gjithë atyre që lejuan abuzimin me pronën publike, natyrën dhe dhënien e lejeve për investime “strategjike” në zona të çmuara gjeografike, qytetarët kërkuan të jenë pjesë në “gjykimin” dhe “ndëshkimin” e krimeve me gjasë të kryera nga klasa politike, në bashkëpunim me oligarkët, krimin e organizuar dhe mafian. Me Rosanvallon-in, këtë që kërkon protesta sot do ta shohim si një formë të një impeachment-i.

(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading