Agron Alibali
- Hyrje; 2. Dy fjalë për modelet; 3. Kushtetutëbërja e drejtpërdrejtë (pouvoir constituent originaire); 4. Kushtetutëbërja e deleguar (pouvoir constituent dérivé); 5. Republika “kryeministrore” e Shqipërisë; 6. Ndryshimet radikale kushtetuese të v. 2008; 7. Kundërshtimi i amendamenteve të v. 2008; 8. A përbënin amendamentet e v. 2008 Kushtetutë të RE?; 9. Zhbërja e amendamenteve si rrugëdalje e mundshme?; 10. Kërkohen 28 deputetë.
- Hyrje
Kriza e sotme politike në Shqipëri në thelb është krizë përfaqësimi. A ndihet qytetari sa duhet i përfaqësuar në Kuvend dhe në qeverisjen e vendit? A është ai pjesëmarrës real në vendimmarrje, apo në rrugëzgjidhjen e problemeve të komunitetit apo të vendit?
Në këto faqe kemi trajtuar shpesh çështje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe amendamentet e saj[1]. Këtu do të trajtojmë nocionin e “kushtetutëbërësit”, të përmendur shpesh nga Gjykata Kushtetuese në vendimet e saj. Thelbi i analizës së këtushme është se tagri “kushtetutëbërës” i takon popullit, i cili e realizon atë drejtpërdrejtë ose me delegim.
Shkrimi argumenton se cenimi i këtij tagri sovran kushtetutëbërës të popullit, të shfaqur përmes miratimit të amendamenteve radikale kushtetuese të 21 prillit 2008 pa referendum kushtetues është në themel të krizës së sotme në Shqipëri. Për zgjidhjen e saj kërkohet konsensus ose 28 deputetë.
2. Dy fjalë për modelet
Kushtetuta e përcakton Shqipërinë formalisht si republikë parlamentare, ku populli e ushtron sovranitetin përmes Kuvendit, si dhe përmes demokracisë direkte. Qendra e gravitetit në një sistem të tillë është Kuvendi, i dalë nga zgjedhje të drejtpërdrejta, të lira e të ndershme.
Në një republikë të mirëfilltë parlamentare Kuvendi zgjidhet nga populli, jo nga kryetarët e partive. Ky Kuvend zgjedh Kryeministrin, i cili ndërton qeverinë dhe merr votëbesimin tek Kuvendi. Kuvendi ushtron kontroll të vazhdueshëm mbi ekzekutivin përmes instrumenteve të mocioneve të besimit, të mosbesimit, etj.
Kurse në sistemin me republikë presidenciale qendra e gravitetit është Presidenti, apo kreu i shtetit. Ai zgjidhet drejtpërdrejtë nga populli (ose kolegji elektoral, në rastin e SHBA-së).
Element i përbashkët i dy modeleve është demokracia direkte, ku populli merr pjesë drejtpërdrejtë në vendimmarje përmes referendumeve në rrafsh vendor ose kombëtar.
Mirëpo populli ka edhe një rol tjetër sovran, atë të kushtetutëbërësit.
Pushteti kushtetutëbërës i popullit shpallet qysh në krye të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Shkruhet aty: “Ne, Populli i Shqipêrisê…VENDOSIM KËTË KUSHTETUTË”.
Dhe ky rol sovran i popullit si “kushtetutëbërës” nuk është aspak risí shqiptare.
Përkundrazi, këtë e gjejmë qysh në krye të Kushtetutës Amerikane, me sentencën e famshme “We the people….do ordain and establish this Constitution for the United States of America”. [Ne populli…miratojmë dhe vendosim këtë Kushtetutë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”…][2]
Në teorinë e së drejtës kushtetuese parashtrohet përgjithësisht se pushteti kushtetutëbërës i popullit ushtrohet në dy mënyra: (i) i drejtpërdrejtë dhe (ii) i deleguar.[3]
3. Kushtetutëbërja e drejtpërdrejtë (pouvoir constituent originaire)
Mënyra e parë është kur Kushtetuta ndërtohet krejtësisht e re, nga e para.
Populli e ushtron tagrin e tij si “kushtetutëbërës” i drejtpërdrejtë në tre mënyra:
1 – përmes procesit të konsultimit paraprak, ku populli merr pjesë drejtpërdrejtë në diskutimin e projekt-Kushtetutës;
2 – përmes procesit të hartimit dhe miratimit të tekstit të Projekt Kushtetutës, ku populli e ushtron këtë rol tërthorazi, duke ia deleguar me përfaqësim Kuvendit apo parlamentit;
3 – përmes referendumit, ku populli ka fjalën e fundit: e miraton Kushtetutën apo e rrëzon projektin e saj.
4. Kushtetutëbërja e deleguar (pouvoir constituent dérivé)
Mënyra e dytë, e pushtetit “të deleguar” kushtetutëbërës ushtrohet në rastet e amendamenteve kushtetuese.
Këtu rolin parësor e luan Kuvendi. Konsultimet publike janë të kufizuara, kurse referendumi është i këshillueshëm, por jo i domosdoshëm.
Le të analizojmë Kushtetutën e v. 1998. Ajo iu nënshtrua një procesi të gjerë konsultimi popullor gjatë hartimit të projektit të Kushtetutës.
Më tej, Kushtetuta u debatua përreth dy javë dhe më në fund u miratua nga Kuvendi.
Kurse më 24 nëntor 1998 Kushtetuta iu nënshtrua edhe referendumit kushtetues, që vulosi modelin e republikës parlamentare.[4]
5. Republika “kryeministrore” e Shqipërisë
Trajektorja e modeleve shtetërore në Shqipërinë pas-komuniste mund të përmblidhet kësisoj:
1991 – 1998 – republikë semi presidenciale
1995 – republikë presidenciale (rrëzuar me referendum)
1998 – 2008 – republikë parlamentare (miratuar me referendum)
2008 – në vijim – republikë kryeministrore (pas amendamenteve të 21 prillit 2008)
Mjerisht sot Republika e Shqipërisë ka marrë konturet e një republike kryeministrore. Në këtë model të shfytyruar jodemokratik pushteti ekzekutiv dhe legjislativ praktikisht përqendrohet në krye të një individi të vetëm, kryetarit të partisë fituese të zgjedhjeve të rradhës.
Kemi mendimin se zanafilla e këtij rezultati antidemokratik që ka shpërthyer me krizën e sotme janë amendamentet kushtetuese të prillit 2008, bazuar në marrëveshjen e pashpallur politike Rama – Berisha.
6. Ndryshimet radikale kushtetuese të v. 2008
Konkretisht, amendamentet e 21 prillit 2008[5] sollën këto ndryshime:
- Sistemi zgjedhor ekzistues, që ishte i përzier (100 deputete me sistemin maxhoritar dhe 40 me sistemin proporcional) u shndërrua në sistem tërësisht proporcional me bazë rajonet;
- Mënyra e zgjedhjes së Presidentit, nga konsensuale, u shndërrua në zgjedhje me shumicë të thjeshtë;
- U çimentua afati katërvjeçar i Kuvendit, duke zbehur mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, një veti kjo mëse zakonshme në demokracitë parlamentare;
- U ndryshuan rëndshëm mekanizmet themelore të kontrollit parlamentar ndaj qeverisë, si mocioni i besimit dhe i mosbesimit, duke fuqizuar ndjeshëm pushtetin e kryeministrit mbi parlamentin.
Mirëpo ky nuk ishte ndryshim i thjeshtë. Ky ishte transformimi radikal.
Populli si kushtetutëbërës ishte përfshirë gjerësisht në procesin kushtetues në dy raste. Me referendumin e v. 1995 populli rrëzoi Kushtetutën që parashikonte një sistem me republikë presidenciale. Kurse me referendumin e v. 1998 populli miratoi me referendum sistemin e republikës parlamentare.
A u pyet populli për ndryshimet radikale të Kushtetutës të prillit 2008? Fatkeqësisht jo.
Praktikisht kryetarët e partive politike, dhe deputetët e tyre në Kuvendin e Shqipërisë ndryshuan themelet dhe shtyllat e shtetit pa pyetur dhe pa marrë mendimin dhe pëlqimin e popullit.
Amendamentet kushtetuese të v. 2008 praktikisht sollën si pasojë edhe “listat e mbyllura”, ku zgjedhësi sot voton për “menynë fikse” të ofruar nga partitë politike, pa pasur të drejtë të zgjedhë në fletë votim deputetin që do.
Kufizimi skandaloz i të drejtës themelore për të zgjedhur u çimentua më tej me amendamentin kushtetues të korrikut 2020, i cili futi në Kushtetutë nocionin e “listës parapëlqyese”, që Kodi Zgjedhor e katandisi në listë të kategorisë së dytë.
Sot e drejta themelore kushtetuese e qytetarit për të zgjedhur është aq e kufizuar sa zgjedhjet praktikisht janë kthyer në farsë.[6]
7. Kundërshtimi i amendamenteve të v. 2008
Amendamentet kushtetuese u miratuan nga Kuvendi më 21 prillit 2008. Më 6 maj 2008 ato u dekretuan nga Presidenti B. Topi.[7] Më 7 maj 2008 ato u botuan në Fletoren Zyrtare[8] .
Qysh në fillim amendamentet u kundërshtuan ashpër nga partitë e vogla, të cilat përdorën edhe mekanizmin e grevës së urisë në Kuvend.
Peshë të veçantë patën fjala dhe ndërhyrjet e deputetit dhe historianit Pëllumb Xhufi, si kryetar grupi parlamentar.[9]
Madje më 29 maj 2008 u ndërmor edhe një nismë për referendum “kombëtar”, e cila u hodh poshtë nga KQZ-ja dhe nga Gjykata Kushtetuese.[10]
Thelbi i arsyetimit refuzues të Gjykatës ishte se nisma për miratimin e amendamenteve me referendum kushtetues varet nga Kuvendi. Popullit nuk i njihet kjo e drejtë.
Pikërisht këtu shfaqet dallimi midis popullit si kushtetëbërës “sovran” dhe pushtetit “të deleguar” kushtetutëbërës të Kuvendit. Meqenëse formalisht kishim të bënim me “amendamente”, atëhere në valle hynte Kuvendi me “delegim”, dhe jo populli drejtpërdrejtë me referendum.
8. A përbënin amendamentet e v. 2008 Kushtetutë të RE?
Mirëpo, sikurse argumentuam më sipër, amendamentet ishin aq radikale dhe aq transformuese sa praktikisht mund të thuhet se kishim të bënim me një Kushtetutë mirëfilli të re.
Gjykata Kushtetuese nuk shqyrtoi thelbin mirëfilli transformues të amendamenteve, por u kufizua vetëm tek ana formale e tyre. Përndryshe në rast se do të argumentohej se në thelb kishim të bënim me kushtetutë të re, ato amendamente radikale i duheshin nënshtruar konsultimit të gjerë paraprak në popull dhe referendumit kushtetues në fund, që edhe mund t’i rrëzonte ato.
Dhe sot, rreth 18 vjet pas Amendamenteve të 21 prillit të vitit 2008 në Shqipëri praktikisht vetëm në letër ekzistojnë republika parlamentare [neni 1.1 i Kushtetutës], demokracia e drejtpërdrejtë [neni 2.1. dhe 2.2], dhe madje edhe ndarja dhe balancimi i pushteteve [neni 7].
Amendamentet kushtetuese të vitit 2008 e tëhu e kanë kthyer Shqipërinë praktikisht në një republikë kryeministrore bipolare, ku e drejta e popullit për referendum praktikisht është e bllokuar, dhe ku kryetarët e partive kryesore vendosin për listat “me renditje fikse” të deputetëve.
Mirëpo Kuvendi nuk mund të shndërrohet në organizatë bazë partie. Ai është organ i pavarur ligjvënës dhe përcjellës i sovranitetit të popullit. Nëse Kushtetuta sanksionon se deputeti nuk i nënshtrohet mandatit detyrues nga zgjedhësit (pra ai i shërben të gjithueve), atëhere si mundet që deputeti të shndërrohet në skllav të kryetarit të partisë?!
A nuk është, pra, shkak themelor i deficitit demokratik të sotëm në Shqipëri mohimi i rolit thelbësor të popullit si kushtetutëbërës, duke mos i dhënë mundësinë për t’u shprehur me referendum për amendamentet radikale kushtetuese të 21 prillit 2008?
9. Zhbërja e amendamenteve si rrugëdalje e mundshme?
Dihet se sëmundja nuk mund të shërohet pa zbuluar diagnozën e pa luftuar shkakun. Ndaj edhe tejpërqëndrimi i pushteteve tek një zyrë e vetme e shtetit nuk mund të shërohet pa çmontuar mekanizmat kushtetues që e sollën vendin në këtë derexhé.
Klasa politike ka para saj një shans historik: t’ia kthejë popullit si kushtetutbërës të drejtën e tij sovrane për të hartuar dhe për të miratuar Kushtetutën.
Çësbtja është: a mund të kthehet sahati kushtetues para 21 prillit 2008, si njëfarë status quo ante?
Ky hap do të lypte kthimin në tekstin original të Kushtetutës së v. 1998 të paktën të neneve 64[11], 65[12], 68[13], 87[14], 104 [15]dhe 105[16], tekste që përcillen në poshtëshënimet përkatëse.
A mund t’i jepet mundësia popullit të shprehet ME REFERENDUM, nëse i pranon apo i rrëzon ndryshimet kushtetuese të ndërmarra pa u pyetur?
10. Kërkohen 28 deputetë
Zgjidhja ideale do të ishte një MEA CULPA e klasës politike dhe zhbërja me konsensus e amendamenteve radikale transformuese të 21 prillit 2008. Në dukje e vështirë, kjo nuk është e pamundur. Marrëveshja politike e pashpallur Rama – Berisha e prillit 2008 u parapri nga një krizë e jashtëzakonshme në vend.
Mirëpo në mungesë të mea culpa-s, prapëseprapë koha lyp ndërmarrjen e hapave konkrete, me institucionet dhe mjetet ekzistuese kushtetuese e ligjore, për abrogimin e atyre ndryshimeve radikale kushtetuese që e sollën vendin në krizën aktuale.
Duhen të paktën 28 deputetë për të ndërmarrë nismën për rishikimin e Kushtetutës duke i kthyer në tekstin origjinal para 21 prillit 2008 nenet për sistemin zgjedhor, zgjedhjen e Presidentit, dhe për mocionet e besimit e të mosbesimit. “Nisma për rishikimin e Kushtetutës mund të ndërmerret nga jo më pak se një e pesta e anëtarëve të Kuvendit,” parashtron neni 177.1 i Kushtetutës].
Praktikisht kjo nismë kushtetuese mund ta realizohej fare kollaj edhe vetë opozita. Mandej topi do t’i kalonte maxhorancës…
Kjo do të detyronte maxhoranxën që të mbante qëndrim, me shpresë që të merrej mbështetja e 94 deputetëve, ose 2/3 e Kuvendit.
Studentët dhe protestuesit e sotëm me të drejtë kërkojnë zërin e tyre në vendimmarrrje, kërkojnë respektimin e plotë dhe të pakushtëzuar të së drejtës për të zgjedhur, kërkojnë përfaqësim efikas dhe mirëfilli demokratik në Kuvend. Edhe ata vetë mund të ushtrojnë trysni tek deputetët e tyre që të realizohej mbështetja dhe miratimi i 2/3-ve të Kuvendit. Ndryshimi i Kushtetutës sipas tekstit para 21 prillit 2008 madje nuk do të kishte nevojë të sanksionohej me referendum nga populli si kushtetutëbërës, pasi populli ishte shprehur më parë me referendumin e 24 nëntorit 1996.
Në dukje e vështirë ose e pamundur, kthimi pas i sahatit kushtetues të vendit në ditën para 21 prillit 2008 do të ishte hap thelbësor përpara për ta kthyer vendin nga republika kryeministrore e tashme, në republikën mirëfilli parlamentare që shqipton Kushtetuta e v. 1998.
(c) 2026 Agron Alibali. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.
[1] Stërkëmbësat e Kushtetutës, Për ndryshimin e propozuar të Kushtetutës, Amendamentet Meksi dhe Stojku. Kushtetuta si pengesë e një kombi, etj.
[2] Ky rol del qartë edhe në kazusin e famshëm McCallugh vs. Maryland. Duke analizuar procedurën e miratimit a ratifikimit të Kushtetutës së SHBA-së në kuvendet kushtetuese të secilit shtet të Federatës, Gjykatësi Marshall u shpreh:
“Miratimi i [Kushtetutës nga] Shtetet në tagrin e tyre sovran nënkuptohet përmes asamblesë [kushtetuese], pra kësisoj duke ia parashtruar atë instrument popullit. Mirëpo populli ishte krejt i lirë për ta pranuar ose për ta rrëzuar atë, dhe akti i tij ishte përfundimtar”. The assent of the States in their sovereign capacity is implied in calling a convention, and thus submitting that instrument to the people. But the people were at perfect liberty to accept or reject it, and their act was final. McCulloch v. Maryland, 17 U.S. 404 (1819).
[3] Shih Ferdinand Mélin-Soucramanien, Pierre Pactet · 2022, Droit constitutionnel 2023, 41 ed, f. 20 e më pas.
[4] Teksti i plotë origjinal i Kushtetutës së v. 1998 jepet tek: https://qbz.gov.al/akt/123442
[5] Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë, nr. 61, 2008, Ligji nr. 9904,datë 21.04.2008.https://qbz.gov.al/eli/fz/2008/61
[6] Agron Alibali, Për farsën zgjedhore të 11 majit 2025 në Shqipëri, tek https://peizazhe.com/2025/06/01/per-farsen-zgjedhore-te-11-majit-ne-shqiperi/
[7] Dekreti nr. 9700, date 6 maj 2008.
[8] Fletorja Zyrtare nr 61/2008.
[9] Debati në Kuvendin e Shqipërisë për disa ndryshime në Kushtetutë, seancaplenare e pasdites, 21 prill 2008, fjala e deputetit Pëllumb Xhufi, tek https://shtetiweb.org/wp-content/uploads/2013/01/Debati-ndryshime-kushtetuese2008.pdf Nga lartësia e 18 viteve më vonë lexuesi këshillohet të lexojë vetë të githë debatin kushtetues në seancat dhe të nxjerrë konkluzionet e veta në se kujt i dha të drejtë koha.
[10] Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 25, datë 24 korrik 2009, tek https://www.gjykatakushtetuese.gov.al/vendime-perfundimtare-2009/
[11] Neni 64
1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë. 100 deputetë zgjidhen drejtpërdrejt në zona
njëemërore me numër të përafërt zgjedhësish. 40 deputetë zgjidhen nga listat shumemërore të partive dhe/ose koalicioneve të partive sipas renditjes në to.
2. Numri i përgjithshëm i deputetëve të çdo partie dhe/ose koalicioni partish përcaktohet në raport sa më të afërt me votat e vlefshme të marra prej tyre në të gjithë vendin në raundin e parë të zgjedhjeve.
3. Partitë që marrin më pak se 2.5 për qind dhe koalicionet e partive që marrin më pak se 4 për qind të votave të vlefshme në të gjithë vendin në raundin e parë të zgjedhjeve, nuk përfitojnë nga listat shumemërore përkatëse.
[12] Neni 65
1. Kuvendi zgjidhet për katër vjet.
2. Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen 60 deri në 30 ditë para mbarimit të mandatit dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij.
3. Mandati i Kuvendit vazhdon deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri. Në këtë
ndërkohë Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje ose të marrë vendime, me përjashtim të rasteve të vendosjes së masave të jashtëzakonshme.
[13] Neni 68
1. Kandidatët për deputetë mund të paraqiten vetëm nga partitë politike, nga koalicionet e partive, si dhe nga zgjedhësit.
2. Rregullat për caktimin e kandidatëve për deputetë, për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, si dhe përcaktimi i zonave zgjedhore dhe kushtet e vlefshmërisë së zgjedhjeve rregullohen nga ligji për zgjedhjet.
Neni 87
1. Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20
deputetësh. Një deputet nuk lejohet të marrë pjesë në më shumë se një grup propozues.
2. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi me një shumicë prej tri të pestave të të gjithë anëtarëve të tij.
3. Kur në votimin e parë nuk arrihet kjo shumicë, brenda 7 ditëve nga kryerja e votimit të parë bëhet një votim i dytë.
4. Në rast se edhe në votimin e dytë nuk arrihet kjo shumicë, brenda 7 ditëve bëhet një votim i tretë.
5. Kur ka më shumë se dy kandidatë dhe asnjëri prej tyre nuk ka marrë shumicën e
kërkuar, brenda 7 ditëve bëhet një votim i katërt ndërmjet dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave.
6. Në rast se edhe në votimin e katërt asnjëri prej dy kandidatëve nuk ka marrë shumicën e kërkuar, bëhet një votim i pestë.
7. Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjëri prej dy kandidatëve nuk ka marrë shumicën e kërkuar, Kuvendi shpërndahet dhe brenda 60 ditëve bëhen zgjedhjet e reja të përgjithshme.
8. Kuvendi i ri zgjedh Presidentin sipas procedurës së parashikuar nga paragrafët 1 deri në 7 të këtij neni. Në rast se edhe Kuvendi i ri nuk e zgjedh Presidentin, ai shpërndahet dhe brenda 60 ditëve bëhen zgjedhje të reja të përgjithshme.
9. Kuvendi pasardhës zgjedh Presidentin e Republikës me shumicën e të gjithë anëtarëve të tij.
[15] Neni 104
1. Në rast se mocioni i besimit i paraqitur nga Kryeministri refuzohet nga shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kuvendi, brenda 15 ditëve, zgjedh një Kryeministër tjetër. Në këtë rast Presidenti emëron Kryeministrin e ri.
2. Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës
shpërndan Kuvendin.
3. Votimi i mocionit nuk mund të bëhet pa kaluar 3 ditë nga paraqitja e tij.
[16] Neni 105
1. Në rast se mocioni i mosbesimit i paraqitur nga një e pesta e deputëteve miratohet nga shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kuvendi, brenda 15 ditëve, zgjedh një Kryeministër tjetër. Në këtë rast Presidenti emëron Kryeministrin e ri.
2. Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës
shpërndan Kuvendin.
3. Votimi i mocionit nuk mund të bëhet pa kaluar 3 ditë nga paraqitja e tij.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.