PËR NDRYSHIMIN E PROPOZUAR TË KUSHTETUTËS

nga Agron Alibali

Përtej “teatrit absurd” që shfaqet çdo të enjte në Kuvendin e Shqipërisë, një lëvizje juridike për ndryshimin e Kushtetutës i ka shpëtuar deri diku vëmendjes së duhur të opinionin publik.

Fjala është për nismën e 28 deputetëve për ndryshimin e Neneve 64 dhe 68 të Kushtetutës së Shqipërisë. E depozituar me 15 qershor 2020, nisma tashmë ka hyrë në procedurë shqyrtimi. Janë caktuar 4 ekspertë, të cilët do t’u përgjigjen pyetjeve të deputetëve deri me 8 korrik. Po ashtu, kanë filluar konsultimet me “shoqërinë civile, përfaqësues të botës akademike, institucionet shtetërore dhe partnerët ndërkombëtarë”.

Nisma i bën jehonë një kërkese të kahershme të shoqërisë së vërtetë civile[1] në vend për ndryshimin e sistemit të sotëm zgjedhor, i cili është çimentuar me Nenin 64 të Kushtetutës. Me të vërtetë, një përpjekje madhore për referendum kombëtar për sistemin zgjedhor u ndërmor – pa sukses – në shkurt të këtij viti. Nga ana tjetër, na rezulton se kjo është nisma e parë për ndryshimin e Kushtetutës e ndërmarrë jashtë kuadrit partiak dhe bazuar në Nenin 171.1 të Kushtetutës [”jo më pak se 1/5 e anëtarëve të Kuvendit”]. Megjithatë, nisma e tanishme parlamentare, me gjithë vullnetin e mirë, duket e pastudiuar, si dhe nuk përcjell siç duhet kërkesat e mirëfillta të shoqërisë së vërtetë civile.

Neni 64 sot në fuqi ka këtë përmbajtje:

  1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore.
  2. Zona zgjedhore shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo-territorial.
  3. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor proporcional, për caktimin e zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.

I miratuar me ndryshimet e vitit 2008 [Ligjin nr. 9904, datë 21.04.2008], Neni 64 në thelb vendosi në vend sistemin zgjedhor tërësisht proporcional, të bazuar në një ndarje administrative të papërcaktuar (qark, rreth, bashki apo komunë) dhe me lista partiake shumemërore (pa u shprehur nëse ato janë të mbyllura ose të hapura).

Ndryshimi kushtetues që propozon nisma e tanishme parlamentare është si vijon:

Po ashtu, nisma kushtetuese synon edhe ndryshimin e Nenit 68.1., ku thelbi është tek koalicionet partiake:

Relacioni shpjegues, i paraqitur nga deputetët nismëtarë, argumenton se sistemi i tanishëm “proporcional me konkurrim rajonal me lista të mbyllura[nënvizimi imi, A. A.], duhet ndryshuar në favor të një sistemit të ri “që referon më mirë dhe në format më demokratik vullnetin e votuesit” dhe që është “sistemi me lista të hapura”.[2]

Mirëpo në fakt, siç do ta shohim më poshtë, nuk është Kushtetuta ajo që “ka mbyllur shtegun” e listave.

Në thelb, pra, nisma kushtetuese synon të ngulisë në nivel kushtetues këto ndryshime:

  1. “Rajonalizimin” e sistemit zgjedhor proporcional  [Kushtetuta aktuale nuk shprehet për njësinë administrative ku zbatohet ai];
  2. Zbatimin e listave shumemërore të hapura; [Kushtetuta aktuale nuk shprehet nëse listat të jenë “të mbyllura” apo “të hapura”];
  3. Ndalimin e koalicioneve parazgjedhore; [Kushtetuta aktuale i parashikon koalicionet parazgjedhore];
  4. Rritjen e pragut elektoral të partive më vete në 5 %. [Kushtetuta aktuale hesht për pragun elektoral];
  5. Përcaktimin e numrit të mandateve të deputetëve sipas “numrit të popullsisë” [Kushtetuta aktuale e bazon numrin e deputetëve tek ndarja administrative];
  6. Futjen e konceptit të paqartë e të papërcaktuar të votës “parapëlqyese” të zgjedhësve për listat shumemërore.

Duke u shprehur figurshëm, kushtetuta përbën themelet dhe strukturën ku ndërtohet ngrehina shtet. Si e tillë, ajo duhet të përmbajë vetëm parimet dhe normat bazë, duke ua lënë kodeve dhe ligjeve detyrën për “të ngritur muret ndarëse, dritaret apo aksesorët e tjerë” të ngrehinës shtet.

Me gjithë qëllimin dukshëm pozitiv të nismëtarëve, druhemi se nisma sjell në Kushtetutë norma dhe parime që, për vetë karakterin elastik dhe dinamik të tyre, do të duhej të trajtoheshin bukur mirë me ligj.

Së pari, amendamenti fut në Kushtetutë konceptin e “rajonit”, ndërkohë që ajo njeh vetëm “qarkun” [Shih Nenet 110, 113, 114 të Kushtetutës]. Sa i takon “hapësirës së njësisë administrative” ku ushtrohet proporcionaliteti, kjo zgjidhet me Kodin Zgjedhor.

Së dyti, edhe për pikën e shumëdebatuar të listave “të hapura” apo të mbyllura”, përcaktues sot është Kodi Zgjedhor, dhe jo Kushtetuta. Më saktë, Neni 106, paragrafi 1, i Kodit Zgjedhor rregullon mënyrën se si zgjedhësi voton vetëm për subjektin partiak, sipas listës shumemërore me renditje të paracaktuar dhe të pandryshueshme, pa i lënë mundësinë që të shprehet edhe për kandidatët.

Nëse duam lista vërtet “të hapura”, atëherë pse të mos ndërmerrej një nismë ligjore për ndryshimin e Nenit 106 të Kodit Zgjedhor?  Neni i ri do të përcaktonte se “zgjedhësi i vetëm në dhomën e votimit shënon me shenjën x ose me + edhe për partinë (apo subjektin zgjedhor), edhe për një kandidat nga lista shumemërore”.  Kësisoj, kandidati nga lista shumemërore që merr më shumë vota do të renditet në krye. Pra, renditja përfundimtare e listave shumemërore nuk do të përcaktohej a priori nga partia, por do të vendosej drejtpërdrejt nga populli. Madje mund të shkohej edhe një hap më tej, duke i njohur zgjedhësit edhe tagrin e nominimit aty për aty të kandidatit që dëshiron, edhe jashtë listës, [procedura write-in]. Ky rregullim ligjor do të realizonte lista mirëfilli të hapura, pa qenë nevoja e prekjes së Kushtetutës.

Së fundi, edhe pragu elektoral e përcaktimi i numrit të mandateve të deputetëve për çdo zonë zgjedhore mund të zgjidhet me Kodin Zgjedhor. P. sh. Neni 162 i tij cakton pragun 3 % për partitë më vete dhe 5 % për koalicionet, kurse numri i deputetëve për zonë zgjedhore mbulohet me Nenet 74 e 75 të Kodit Zgjedhor.

E thënë shkurt, amendamentet e propozuara, në vend që të venë vetullat, nxjerrin sytë. Dhe këtë e themi krejt në respekt të përpjekjes dhe dëshirës së sinqertë të deputetëve nismëtarë.

Mirëpo ka edhe një mundësi tjetër për arritjen e ndryshimit thelbësor e real.

Dispozitat Kryesore Kushtetuese, të miratuara me konsensus në vitet 1991-1995, nuk e parashikonin fare sistemin zgjedhor në nivel kushtetues. Si zgjidhje e zhdërvjelltë dhe elastike shtetformuese, caktimi i sistemit zgjedhor iu la Kodit Zgjedhor, edhe ky i hartuar nga juristë vendas dhe i miratuar me konsensus.

Rrjedhimisht, sistemi i parë dhe mirëfilli demokratik zgjedhor, i zbatuar për vite me radhë, ishte sistemi i përzier maxhoritar/proporcional.

Vetëm me Kushtetutën e vitit 1998 ky sistem i përzier u ngrit në nivel kushtetues, çka për mendimin tonë, nuk ishte e nevojshme.  Neni 64 i Kushtetutës së vitit 1998, pra, ishte si vijon:

Neni 64

  1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë. 100 deputetë zgjidhen drejtpërdrejt në zona një-emërore me numër të përafërt zgjedhësish. 40 deputetë zgjidhen nga listat shumemërore të partive dhe/ose koalicioneve të partive sipas renditjes në to.
  2. Numri i përgjithshëm i deputetëve të çdo partie dhe/ose koalicioni partish përcaktohet në raport sa më të afërt me votat e vlefshme të marra prej tyre në të gjithë vendin në raundin e parë të zgjedhjeve.
  3. Partitë që marrin më pak se 2.5 për qind dhe koalicionet e partive që marrin më pak se 4 për qind të votave të vlefshme në të gjithë vendin në raundin e parë të zgjedhjeve, nuk përfitojnë nga listat shumemërore përkatëse.

Duke pasur parasysh se sistemi maxhoritar/proporcional i Kushtetutës së vitit 1998, të miratuar me referendum, u ndryshua me marrëveshjen politike të prillit 2008, e cila nuk kaloi në referendum, dhe duke ndjerë në praktikë të metat  thelbësore të sistemit aktual, a nuk do të ishte me vend kthimi tek sistemi i përparshëm maxhoritar/proporcional?

Në këtë rast tre do të ishin opsionet:

  • Ndryshimi i përmbajtjes së Nenit 64 të Kushtetutës, duke përcaktuar në të vetëm numrin e deputetëve, si dhe qasjen elastike sipas së cilës “sistemi zgjedhor rregullohet me ligj”; [modeli i Dispozitave Kryesore Kushtetuese];
  • Shfuqizimi i Amendamentit të vitit 2008 për sa i takon Nenit 64, duke risjellë në fuqi automatikisht Nenin 64 të përparshëm, siç parashikohej me Kushtetutën e vitit 1998; [Neni 64, Kushtetuta e v. 1998, i pandryshuar]
  • Shfuqizimi i Neni 64 të Kushtetutës së sotme dhe miratimin me përmirësime të Nenit 64 sipas Kushtetutës v. 1998. [Neni 64, Kushtetuta e v. 1998, i ndryshuar].

Në dukje ky do të ishte kthim prapa në kohë. Por në të vërtetë, mendojmë se do të përbënte një ndër rastet e rralla kur një hap prapa në fakt do ta çonte përpara shoqërinë shqiptare, sidomos nëse do të shoqërohej edhe me lehtësimin e procedurave për referendumet, ato për zgjedhjen e kandidatëve të pavarur, dhe ndofta edhe në reduktimin e numrit të deputetëve në 100.

Përndryshe, përmirësimi i sistemit të tanishëm zgjedhor, si dhe zbatimi i listave “të hapura” mund të rregullohet vetëm me ligj, pa qenë nevoja e cenimit të Kushtetutës.

 

(c) 2020, Agron Alibali. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Me termin “shoqëri e vërtetë civile” kuptojmë aktivistë të lëvizjes qytetare në vend, të cilët nuk janë pjesë e OJQ-ve “tradicionale” apo strukturave të ngjashme, të mbështetura kryesisht ose ekskluzivisht nga financime të huaja.

[2] Për më shumë shih: http://parlament.al/ProjektLigje/ProjektLigjeDetails/51420

 

2 Komente

  1. Kam idene se eshte window dressing per tjeter gje. Nisma deputetesh ka pasur edhe me pare, gjithmone per poshtersira klienteliste, p. sh. ndryshimi i ligjit te arsimit te larte ne 2012. E vetmja qe mund te kaloje eshte ai pragu, se ndalimi i koalicioneve apo ndryshime te ngjashme nuk i miraton njeri.

  2. Sic duket, edhe propozimi nuk eshte i qarte. Shprehja: “… nje sistemi zgjedhjesh proporcional me konkurim rajonal”, eshte mjaft e turbullt, pasi vetem aludon per perballje kandidatesh, perzien sistemin proporcional me ate mazhoritar, pa e thene kete hapur. Gjithashtu nuk dallohen fare dispozita qe te kodifikojne lejimin ose mos-lejimin e kandidateve te pavarur, apo te pakicave kombetare, ose grupimeve te tjera.

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: