DHUNA GJINORE DHE LEGJENDA E ROZAFËS

nga Rea Nepravishta

Kohëve të fundit jemi bërë dëshmitarë të shpërfaqjes së dhunës ndaj vajzave dhe grave në Shqipëri, veçanërisht vajzave në moshë të mitur. Ndërkohë që gjithsekush shpreh indinjatën e saj/tij duke pyetur se nga buron kjo dhunë, janë të shumta këndet e analizës prej nga ku mund t´a gjykojmë realitetin ku përkasim. Një prej tyre është kultura patriarkale që ka mbrujtur një shoqëri të tërë për shekuj me radhë. Ndikimi i saj ka qenë i jashtëzakonshëm përsa i përket mënyrës se si perceptohet e gjithaq trajtohet gruaja në shoqëri si tonat.

Psikanalisti i njohur Carl Jung në hulumtimet e tij mbi konceptin e së pandërgjegjshmes kolektive, argumentonte se si mitet dhe legjendat e një populli, po ashtu ato të një bastioni kulturor të caktuar apo një rajoni më të gjerë që përfshin disa popuj në vetvete, shndërroheshin në arketipe të së pavetëdijes shoqërore kolektive të këtyre subjekteve. Arketipet përmbajnë një ngarkesë simbolike të fuqishme çka ndikon mbi të pandërgjegjshmen kolektive të një shoqërie duke përcaktuar kësisoj, shumë nga sjelljet e zakonet e përbashkëta të një kulture. Pra në një rreth vicioz, jo vetëm shprehin kulturën e një populli, por më vonë edhe e brumosin atë. Për këtë arsye, dekonstruktimi i tyre përbën një hap të rëndësishëm në thyerjen e këtyre konstrukteve sociale. Bazuar në këtë qasje, ky artikull përpiqet të hulumtojë mënyrën se si gruaja paraqitet në legjendën e Kalasë së Rozafës dhe se si kultura popullore ka formësuar identitetin gjinor të paraqitur në këtë legjendë.

E parë nën një dritë feministe, legjenda e Rozafës përmban disa elemente të qartë të predominimit të partiarkatit në kulturën e hershme shqiptare. Së pari, del në pah koncepti i sakrifikimit për të mbajtur në këmbë kalanë/shtëpinë, i cili i atribuohet një gruaje a priori pa i kërkuar leje. Së dyti, trupi i gruas muroset në Kala por gjiri i saj mbetet jashtë për të vazhduar të luajë rolin gjinor të nënës duke ushqyer fëmijën me qumësht, çka legjitimon tek ajo një nga dy rolet e vetme që i njihen brenda kontekstit të legjendës: atë të të qenurit nënë dhe bashkëshorte e asgjë më shumë se sa kaq. Trupi i gruas përdoret nga burrat rreth e përqark, ai është pronë e tyrja dhe e të gjithë mëhallës. Gjurma e fundit që patriarkati vendos mbi legjendën e Rozafës shkon përtej çdo caku të imagjinatës: pasi kemi shkelur me këmbë çdo dinjitet të gruas për të zgjedhur mbi jetën e vetë, nuk e lejojmë as të prehet në paqe, por i plotësojmë vetëm një “dëshirë” funksionale, që ajo të vazhdojë të kryejë detyrën e saj si garantuese e mbijetesës së llojit. Lopa që jep qumësht. Një lopë, ndër të tjera, me një trup të bukur e të bardhë gruaje që ngrihet “solemne” për të kënaqur sytë e burrave edhe e murosur.

Së fundmi, Rozafa me lotët e saj, pra me nënshtrimin e saj total, pa kurrfarë fuqie për ta kundërshtuar fatin e caktuar nga burrat, kthehet qëllimshëm në heroinë të imagjinatës kolektive për të dhënë shembullin e nënshtrimit të skajshëm për të gjitha gratë e tjera.

Zbërthimi feminist i legjendës së Rozafës, e cila duket se përbën një nga arketipet kryesore të gruas shqiptare, vlen për të nxjerrë në pah mënyrat se si patriarkati që në fillim të kohërave – ndaj legjenda është e pakohë – është munduar të pikturojë figurën e gruas shqiptare.

Në legjenden e Rozafës, plaku i moçëm i fshatit (medemek zëri i urtësisë – gjithashtu një burrë) i thotë të tre vëllezerve se njëra nga gratë duhet të sakrifikohet për të mbajtur në këmbë muret e kalasë, dhe u tregon shortin famëkeq se e para nuse që do të dalë në mëngjes për të sjellë bukën është ajo që do të muroset.

Ideja e flijimit te diçkaje (përgjithësisht një kafshe) kur ndërtohet një shtëpi e re dhe vendosja e saj në themele, është e vjetër sa vetë bota dhe del në pah edhe në librat më të vjetër fetare, si shpagim/dhurim ndaj tokës dhe natyrës për të mbajtur shtëpinë në këmbë.

Në vazhdim të legjendës, dinakëria e dy vëllezërve të mëdhenj dhe pastërtia e vëllait të vogël janë gjërat e para që indinjojnë dhe prekin ndjeshmërinë tonë kur lexojmë këtë histori. Në fakt, ky aspekt i legjendës është thjeshtë një histori deri diku e rëndomtë pabesie midis vellezërish, por nuk duket se përmban ndonjë vlerë të jashtëzakonshme për të kuptuar fenomene më të gjera kulturore e sociologjike.

Gjëja më e rëndë dhe më e kobshme, ndodh një moment më përpara: Pse zëri i urtësisë duhet të jetë gjithmonë një burrë – një burrë i vjetër mbi të gjitha? Si është e mundur që plaku i moçëm i fshatit vendos që të jetë grua ajo që duhet të sakrifikohet për të mirën e një bashkësie e familjeje? Si ka mundësi që ky orakull i kobshëm nuk vendos, për shembull, një short të barabartë midis burrave e grave (meqë flijimi ishte i pashmangshëm)? Si ka mundësi që ky burrë e të tjerët bashkë me të e konsiderojnë krejt normale të tradhëtuarit e manipuluarit të një gruaje të familjes që u shërben në heshtje; që u shpie bukë për t’u ushqyer? Pse askush nuk kundërshton? Pse objektit (pronës: kalasë) u jepet vlerë më e madhe se jetës së gruas? Pse është gruaja që duhet të kujdeset për fëmijën edhe pas murosjes nga i ati e xhaxhallarët e fëmijës? Në perceptimin mitik dhe antropologjik shqiptar, gruaja është e barazvlefshme me një kafshë.

Ç’lidhje ka kjo legjendë me aktualitetin e sotëm, do të pyesë shumëkush me të drejtë? Nje kolektivitet i cili gruan që në krye të herës e konsideron një kafshë shtëpijake pune, s´ka se si mos ta dhunojë e tradhëtojë atë në forma nga më të larmishmet, në realitet po aq sa në legjendë, mbase ca më shumë.

Por dhuna që ne dëshmojmë në ngjarjet e fundit publike, është vetëm maja e ajsbergut që ka arritur në estremin e saj dhe ka shpërthyer. Akulli që qëndron poshtë ka të bëjë me respektin themelor për gruan si qënie njerëzore, e kur ky respekt nuk është aty, ajo trajtohet përherë me nënvlerësim e pabesi.

Në Shqipëri gruaja e mirë duron. Mundohen të na mësojnë se gruaja duron, çdo gjë, çdo mungesë respekti, çdo pabesi, çdo fyerje, çdo nënshtrim. Sepse Rozafa e mirë i nënshtrohet fatit të saj dhe shkon drejt murosjes. Vlera e gruas përcaktohet nga sa duron (burrin). Patriarkati e pikturon gruan si të durueshme, të qetë, të bindur, të heshtur, pa pretendime, mundësisht një hije. Patriarkatit i intereson gruaja e tulatur, hije e vetvetes, që nuk guxon të kërkojë. Sepse gruaja e patriarkatit nuk jeton dot pa një burrë. Ajo është e gatshme të durojë çdo poshtërim, vetëm e vetëm për të mos humbur atashimin e saj ndaj një burri.

Patriarkalizmit i interesojnë gra të tilla, ndaj ai i ushqen si burrat ashtu edhe gratë ndaj këtyre koncepteve të çartura e arkaike mbi rolet gjinore, përndryshe si do të mbijetojë i përzjerë tashmë me mishmashin e postmodernizmit dhe sistemit ekonomik kapitalist? Patriarkalizmi i lufton e demonizon gratë që luftojnë kundër shtypjes. Edhe burrat, por veçanërisht gratë. Ai i pagëzon ato si “të përdala”, “kurva”, “dinake”, “të liga”, “rebele”… Ai e trajton respektin për veten dhe përpjekjen për liri si një mallkim që duhet mbytur me çdo kusht andaj liria, ky akt i lartë, vjen shpesh me një çmim të lartë, një çmim ama që meriton të paguhet me çdo kusht sepse nuk ka asgjë më të vlefshme se dinjiteti ynë njerëzor.

Patriarkati vazhdon më tej me dhënien e shembullit “të mirë” : ai e pikturon Rozafën si një qënie sublime që me këmbët e saj shkon drejt flijimit. Rozafa nuk e njeh vendimin si të padrejtë, ajo nuk kundërshton, por i nënshtrohet fatit të paracaktuar nga një botë burrash. A nuk kemi qënë të gjithë në forma të ndryshme nën trysninë e të mbajturit barrën e patriarkatit që na largonte nga vetvetja?

E pra partriarkatit i intereson që Rozafa të jetë një heroinë. Por Rozafa nuk është aspak heroinë. Çfarë heroizmi ka tek legjitimimi i diskriminimit? Tek legjitimimi i padrejtësisë? Tek legjitimimi i nënshtrimit? Rozafa nuk i bëri qëndresë padrejtësisë.  Heroina jep shembull, dhe shembulli i Rozafës eshte i trishtë e i mjeruar. Une nuk kam solidaritet me Rozafën sepse solidariteti buron nga respekti. Në rastin më të mirë, Rozafa na ndjell keqardhje e trishtim të pafund.

Shembulli im sot është vajza 15-vjeçare që përfaqësoi rastin e fundit publik të dhunimit e cila zgjodhi të mos nënshtrohej; të ngrinte zërin kundër përdhunuesit e ta padiste atë. Ajo nuk është viktimë! Solidariteti im shkon sot me vajzat e gratë e shumta anembanë Shqipërisë, kudo ato qofshin, që sot po luftojnë luftën e tyre të brendshme për respekt ndaj vetvetes, edhe nëse nuk ja kanë dalë akoma (sepse lufta jonë është shumë e gjatë), hapi i vogël që po hedhin çdo ditë brenda vetes së tyre do të bëjë që një ditë ato t´ja dalin. Të gjitha ne jemi duke bërë një luftë të tillë në forma të ndryshme. Ne nuk jemi vetëm. Ne nuk duhet të përfundojmë si Rozafa.

Kjo legjendë është revoltuese deri në dëshirën për t´a shkatërruar me thonj çdo gurë të atij muri të tmerrshëm të kalasë së patriarkatit. Ditën që do ta shohim legjendën e Rozafës jo më si lotëndjellëse, por me një lumë të pamatë indinjate e revolte, do të jetë dita kur do të fillojmë të kemi më pak rozafa, dhe më shumë gra që e duan vërtetë vetveten.

Nuk do të jetë e largët ajo ditë kur krah në krah me njëra tjetrën do t’ia dalim të bëjmë atë që Rozafa s’pati mundësi t´a bënte: të mos qëndojmë më të ngërthyera në vetëmohim. Çdo ditë e lume e mbrujtur në revoltë është një hap më pranë lirisë për të gjitha ne.

 

 

34 Komente

  1. Ideja e mos-murimit te metejshem, apo e murimit te perbashket grua-burre, besoj se po gjen vend sot dale e ngadale me nenat, motrat, bijat tona. Cfare ne rastin e vajzes 15-vjecare fatkeqesisht nuk gjeti aq vend te menjehershem, sepse ajo e la veten per nje kohe te kercenohej, ne vend qe te vraponte per ta denoncuar perdhunuesin para se ai ta kryente perdhunimin!
    Kjo lloj e drejte e barabarte me burrin, mendoj se nuk duhet ngaterruar me terma “te medhenj”, si PATRIARKALIZMI, ngaqe tek ky lloj patriarkalizmi eshte sedimentuar natyra vete me berthamen (pozitive) e atomit qe “rri ne vend” dhe prodhon, dhe elektronin (negativ) qe vjen rrotull kesaj berthame. Nga ky kendveshtrim, me duket se jemi ne burrat te “denuar” nga natyra.

  2. Kjo ese ofron nje interpretim tjeter dhe shtjellim shume te nevojshem, per mendimin tim te vonuar ne shoqerine shqiptare, mbi kete mit sakrifice femerore. Por me te tilla mite, fatkeqesisht, eshte plot folklori i gjithe popujve, nuk eshte vetem fenomen shqiptar. Mizogjinia, mbyllja, izolimi, gjymtimi i forces jetesore dhe shprehese te gruas, ne realitet, dhe nepermjet miteve, e kane shoqeruar gjithmone rrugetimin e femres ne historine njerezore. Mua personalisht, kjo legjende me ka tmerruar gjithmone si femije, si vajze, si grua… megjithe metaforen qe kam kerkuar ne fabulen makabre. Pikerisht per te gjitha arsyet dhe nentekstin patriarkal qe shtjellon eseja e mesiperme. Faleminderit Rea!

    I shprehur ne forme poezie, trishtimi im per Rozafen: http://reticenca.blogspot.com/2010/04/rozafa.html

  3. Një nga mënyrat për të kuptuar psyche-n e popujve është analizimi i miteve të tyre. Njëkohësisht, analizimi i miteve bart si pjesë përbërëse edhe interpretimin e tyre. Ky interpretim mund të jetë unik, por mund të ketë edhe variacione. Pikërisht këtu dua të qëndroj, tek interpretimi i legjendës së Rozafës. Duhet thënë, që në fillim, se kjo legjendë nuk është vetëm e shqiptarëve. Varianti më i vjetër (i referohem një studimi, të cilin s’e kam këtu afër tani) haset tek shqiptarët aty nga Mesjeta e hershme, por pak më vonë të njëjtën legjendë e kanë huazuar grekët dhe sllavët e Ballkanit. Teksa interpretimi më i zakontë është ai që autorja përmend në artikull, desha të sjell një variant tjetër interpretimi, për të treguar se nuk është thjesht legjenda që stigmatizon të pandërgjegjshmen e kombeve, por, ndoshta, edhe interpretimi që zgjedhin të përbrendësojnë kombet / shoqëritë.

    Në legjendë kemi një plak të moçëm, tre vëllezër, tre kunata, bashkëshortet e vëllezërve, dhe në fund një nga bashkëshortet vdes e sakrifikuar. Përkundër variantit dominant, fare mirë interpretimi tjetër mund të rrinte edhe ndryshe: Tre vëllezërit dëshirojnë të mbërrijnë përfundimin e një vepre të madhe. Kjo vepër e madhe kërkon edhe një sakrificë të madhe. Duhet sakrifikuar jo vetëm koha, shpenzimet për lëndë ndërtimi, mundi, vetja, por edhe gjithçka është më e shtrenjtë. Tre vëllezërit janë tre tipe individësh dhe personalitetesh. Nusja e vogël është gjëja më e shtrenjtë që ka vëllai i vogël. Madje, është edhe e përveçme nga dy nuset e tjera, pasi kjo edhe është riprodhuar, ka sjellë në jetë një djalë, teksa dy nuset e tjera më të mëdha ende nuk kanë fëmijë. Fëmija, pasardhësi është simbol i virtytshmërisë së nuses së vogël, simbol i fryteve shpirtërore dhe intelektuale, çka e larton nga nuset e tjera. Kurse plaku i urtë është ndërgjegja. Duke ndjekur zërin e ndërgjegjes, që fton për sakrificë, dy vëllezërit e mëdhenj paraqiten po aq të pavirtytshëm sa edhe nuset që kanë: të pandershëm. Vëllai i vogël, më besniku ndaj premtimit të përbashkët, pëson edhe humbjen më të madhe: humbet njeriun e jetës, nënën e fëmijës, por edhe pasurinë më të madhe shpirtërore. Qëllimi, kalaja, përmbushet vetëm atëherë kur një individ i shoqërisë është i gatshëm të sakrifikojë gjithçka ka të shtrenjtë, për të arritur atë qëllim të përbashkët. Madje, parë me syrin e krahasimit, nuk është nevoja të sakrifikohet vëllai i vogël për komunitetin, ashtu siç u vetësakrifikua Jezui i Nazaretit, fjala vjen, apo arketipe të tjerë të vetësakrificës. Ky element e bën më humane legjendën, po të pranojmë se nusja e vogël që sakrifikohet nuk është njeri, por thjesht dëshira më e madhe, pasioni më i fortë i jetës, pasuria lëndore më e madhe e vëllait të vogël. Kësisoj, morali i legjendës së murimit do të ishte edhe thjesht: kur nuk je i gatshëm të sakrifikosh gjënë që sot të duket më e shtrenjtë, nesër s’ke për të arritur vepra të mëdha. Mirëpo, fatkeqësisht, shoqëritë tona (duke mos mbetur vetëm brenda shoqërisë shqiptare, teksa edhe legjenda nuk është e njohur vetëm për shqiptarët) kanë përzgjedhur atë interpretim që u vjen më për mbarë, interpretimin fjalë për fjalë të legjendës dhe, ca më keq, zbatimin e saj fjalë për fjalë. Nuk është vetëm nevojë ekzistenciale e Rozafës dhe gjithë Rozafave për të mos qëndruar të ndrydhura brenda kufijve të vetëmohimit, është nevojë e çdo individi, pavarësisht gjinisë, të mos sakrifikojë e të mos dhunojë vajzat e gratë, të mos lejojë të sakrifikohen e dhunohen vajzat e gratë, por të mendojë e të sillet ndryshe. Tekefundit, legjendat nuk kanë qëllim të japin mësime dhune, por janë elementë didaktikë për të mbërritur tek një person i dobishëm për veten dhe shoqërinë. Ama shoqëria dhe individi zgjedh se si t’i kuptojë, duke treguar dhe prirjen e vet drejt së mirës apo drejt së ligës, drejt ndërtimit, apo shkatërrimit.

  4. Ne trajtim mungonin referencat e kesaj figure ne letersi, tekstet shkollore, te lidhur keto prezantime me vlerat e rolet qe synojne te promovojne. Mund te mjaftonte edhe nje broshure e kalase nga ministria e kultures apo muzeu. Sic verejti Sokoli, mund te kemi aq lexime sa njerez, por interpretime moralizuese mbi figuren e femres ne patriarkat vetem nje, ajo e sakrifices per nderin, se fundja morali i legjendes nuk eshte sakrifica, sic meton Sokoli, por mbajtja e fjales se burrit me koston per gruan. Fjala eshte burri, e nderi grua. Qe nderi eshte grua, e kemi pare ne perdhunimet e grave gjate lufterave, edhe ketyre moderne me bomba.

    1. Burra te nderuar. Nuk dua tu bej me hije por kontrollojeni veten per ca mansplaining qe po beni ne kete debat. Eshte qesharake.

      1. E gugllova kete Solnit, se nga shpejtesia e lexova mansplaining per manspreading. Se qe thua ti, une jam nga ata qe vesh pantallona te grisura per te mos hapur kembet dhe terhequr akuza te tilla ndaj personit tim ne mjedise publike. Jam edhe pro-womanspreading, jo vetem se kam nje lloj fetishismi per te tilla shfaqje qe kontribuojne ne ngrohjen globale (ja per kete nuk i ka vajtur ndermend kesaj Solnit), por edhe per hir te barazise gjinore.

  5. Për mua, legjenda e Rozafës është pasqyrë e patriarkalizmit të një shoqërie para-feudale, ku njerëzit ia delegonin agjencinë supersticionit dhe ku gruaja nuk është veçse monedhë shkëmbimi simbolike, kur nuk është mitër për të riprodhuar fisin. Se është e lashtë dhe legjendë, kjo nuk e bën më pak problematike. Të paktën vëllezërit nuk u ulën dhe ta hanë nusen e shkretë për drekë – gjëra që në mite të tjera, popujsh të tjerë, edhe kanë ndodhur.

    Edhe e sublimuar, ideja e sakrificës njerëzore mbetet si e dalë nga një vizion “horror”, ku dikush tjetër i jep vetes të drejtën të marrë vendime për jetën tënde. Të gjithë diktatorët e shekullit XX, nga Mussolini te Enveri, kanë folur veç për sakrifica – duke e kushtëzuar të ardhmen me vdekjen ose shkatërrimin e diçkaje të çmuar. Sakrifica shpesh parakupton një hyjni që i ka të gjitha veset e sakrifikuesit, në mos që është edhe më mizore, e pangopur, grykëse.
    Në analizë të fundit, e vetmja sakrificë për të cilën do të kisha një farë mirëkuptimi është vetë-sakrifica.

    Legjenda dhe mite të tilla, që dikur nuk kanë qenë mirëfilli ART, por i kanë shërbyer drejtpërdrejt mirëmbajtjes dhe riprodhimit të strukturave sociale, sot mund të mbijetojnë veçse në formë tejet të stilizuar, ose si metafora.

    1. Ky miti i Rozafes ndoshta. Nuk e di per ate mitin e Argjirose. Por ideja e sakrifices, qe eshte ne thelb te cdo besimi fetar, edhe ne sistemin tone ekonomik te kembimit, nuk ka gjase te ike, eshte ne ADN e robit, sikur ne ate te kanibalizmit seksual te familja e merimangave.

  6. Eshte madheshtore kalaja e budallallekut nen te cilin e ka futur veten autorja,ne kembim te Rozafes. Nese do ti referohesh Jungut, miti i Rozafes eshte nje nga ato mite qe ndertojne kombe,dhe qe ta perdoresh si buri zgjimi per levizjet radikale te grave eshte vertet papjekuri dhe keqdashje. Nese vertet do te zberthesh mitin, atehere gjeja me e mire eshte qe ta analizosh ate i bazuar ne metoda shkencore, perpara se t’i futesh skalpelin e propagandes.
    E para dhe me e rendesishmje eshte se per cfare behet fjale; pra behet fjale per ndertimin e nje kalaje. Kalaja ne ndertim eshte simbol i krijimit te nje kombi, ashtu si kalaja e mbaruar eshte simbol i qendreses se nje kombi. E vecanta e kalase se Rozafes eshte se ajo ndertohet ne kohe paqe, sepse legjenda nuk tregon asnje armik qe afron.
    Tani cdo kala/komb qe ndertohet nuk mund te jete i tille pa gjak ne themelet e tij. Gjak figurativ dhe te vertete dhe ky eshte fakt historik. Gjaku ne themelet e kalase.kombit mund te vije ne dy rrethana; aktive ose pasive. Aktive eshte gjaku i djemve te vrare ne lufte si ushtare, pasive ne cdo qyteterim te botes qe nga egjyptianet deri tek inkasit eshte femra.Mos me pyet pse, nuk kam kohe, po mund te rilexosh Jungun. Pra praktikisht gruas si nene po i behet nderi me i madh, sakrifikimi ne rrenjet qe mbajne kombin.
    Detaje te tjere:
    – Gjiri dhe kemba jashte qe te tunde femijen – perforcim i pikes se mesiperme
    – Pse pyeten plakun dhe jo plaken meqe e shqeteson autoren – Behet fjale per ndertim keshtjelle, Ate kohe nuk kishte plaka muratore. Gjeje vete pse.
    – Pse e treta dhe me e vogla – Well, ne gjithe perrallat dhe legjendat eshte gjithmone vellai i trete dhe me i vogli eshte ai qe i mbaron gjithe kerkesat e babait. Motra e trete eshte gjithmone me e dashura dhe me e mira. Pse? Nuk kam kohe ta sqaroj; Hinte: Tinitreti Hyjnor, E treta e Verteta, ose per me shume lexo historine me numurin e lokomotives tek Shvejku.

    Kjo histori mund te vazhdoje ne shume e me shume detaje, po nuk ia vlen. Po nese me lejon Z. Vehbiu do ulem e do shkruaj nje shkrim ku do zberthej Jungce “Shrekun” kur te kem me shume kohe.

    to be continued…mbase

    1. Je i mirëpritur, PF. Mos harro që shkrimet tek ne botohen me alfabetin e plotë të shqipes (36 shkronja). Ma dërgo te peizazhe@gmail.com kur ta kesh gati.
      Sa për mitet, këto janë polisemike nga natyra – pranojnë lirisht interpretime të ndryshme. Interpretimi që narrativa e mitit pasqyron marrëdhëniet sociale të një periudhe të caktuar nuk e përjashton interpretimin jungian, as atë freudian.

      1. Thanks Adrian. Mitet pastaj pranojne interpretime te ndryshme detajore, po jo thelbesore. Mitet jane krijuar per ti sherbyer njeriuy ne kohe te caktuara per problemet e kohes dhe duhen pare si te tilla nese do te arrish ne konkluzione shkencore. Cmitizimi Hollivudian nuk eshte vertet cmitizimi, se ti nuk mundesh kurre ta cmitizosh mitin, ashtu sic nuk mund ta cgurezosh gurin apo ku di une. Hollivudi dhe levizjet post-Hollivudiane si me2ja, perpiqen te rimitizojne, ose si te thuash te bejne buke te re me brumin e vjeter. Ajo qe une dua te them, eshte qe miti I Rozafes eshte nje mit femeror, I krijuar rreth figures se femrës dhe qe I ben nder asaj. Gjithashtu eshte nje mit shume I rralle paqesor. Ka shume mundesi qe ky te jete krijuar ne kohen e zbritjeve te para indeuropiane ne Ballkan. Miti tregon qe keto njerez po vijne ne paqe, dhe sakrifikimi I gruas, njësoj si ne Mitet e tjera ku grate I flijohen kucedres apo dragoit tregon se ato nuk ishin per lufte. Interesant eshte shmangia nga varianti i virgjereshes, po duke zgjedhur te vetmen nuse qe kishte femije kjo perforcon idene e vazhdimesise ne linjen e paqes (t’amlit) dhe jo te luftes (gjakut).
        Po te kishim qene popull me trim dhe liridashes nje legjende e dyte duhet te kishte lindur nga e para ku djali I Rozafes I ushqyer me qumeshtin e nenes se murosur duhet te ishte ngritur dhe ta vriste kucedren se ciles iu sakrifikua e ema dhe te behej keshtu figure qendrore kombformuese. Po sic thote edhe kenga
        “Bo me e pas nji djale-o si Mema
        Paç me I hy-o vezirit mrena-o…”
        Ja qe nje djale si Mema se patem fat.

  7. Nuk njoh ndonjë shkencë që të kufizojë interpretimin e një gojëdhëne për sa kohë kjo është një formë e hapur krijimi: udhëton në kohë përmes rirrëfimit, në variante të ndryshme, sipas qejfit të rrëfimtarit dhe të kornizës historike.

    S’e mbaj mend kur e kam dëgjuar/lexuar për herë të parë legjendën e Rozafës, po te unë psh ka mbetur si metaforë e pushtetit brenda familjes patriarkale të mbetur pa kryefamiljar. Flijimi i gruas së re është aty për të vendosur ekuilibrin mes pushtetit (shprehur përmes të mirave materiale dhe shpirtërore) që ka në familje secili prej vëllezërve. Mënyra si vëllai i vogël dhe nusja më e re futen në kurth nga më të rriturit pastaj, ka diçka prej tragjedive antike. Të vihet re sa shumë vëmendje i kushtohet në variantet e ndryshme kësaj nyjeje.

    A e flijojnë vërtet gruan, apo thjesht e largojnë nga shtëpia bashkë me foshnjen, derikur ky të rritet, edhe këtu do të kishte vend për hamendësime. Një grua që mbetet gjallë pas murosjes (dhe vazhdon të ushqejë me qumësht), në analizë të fundit është i vetmi element vërtet fantastik i legjendës.

  8. Tani, pa dashur te hyj ne kontradikte, po nje shkence e tille ekziston dhe quhet cuditerisht Mitologji. Ajo e quan mitin si nje rrefim te mbyllur dhe te palosur qe studiohet ne vetvete si nje zbulim arkeologjik I pandryshuar shpirteror. Ti mund ta interpretosh mitin si te duash me shoket, po nese do qe te ngrihesh ne nivel akademik, je I detyruar ti permbahesh disa standarteve. Nje miku im psh perpiqej te me bindte qe dritat e makines se tij udhetonin me shpejt se shpejtesia maksimale e drites per faktin e vetem bindes se shpejtesise se dritave te makines I shtohej dhe shpejtesia e vete makines prej 60km/ore, pra dritat e makines se tij udhetonin me 300.060 km/sek a dicka e tille. Logjika matematikore ishte e shendoshe, por prape ncuk. Po ashtu dhe mitit si MIT, nuk mund ti shtosh e ti heqesh asgje, ndryshe nuk do te ishte mit.
    Gjithashtu ne interpretime, miti nuk eshte nje histori dedektivesh sic e paraqit ti ne paragrafin e fundit, e as nje studim eksperimental njohjeje ndaj nuk mund te kritikohet ne detaje si shkencetaret ateiste qe thoni se bota nuk eshte krijuar ne 6 dite ndaj e gjithe Bibla eshte nje genjeshter.
    Mitet dhe religjionet jane harta shpirterore qe te tregojne si te veprosh dhe te zgjidhesh situatat jetesore te kohes kur jane krijuar per njerezit e asaj kohe. Fakti qe ato kane mbijetuar per mijera vjet si te tilla tregon se kodet morale dhe shpirterore si dhe mjetet per ti arritur ato kane qene ne pjesen derrmuese te tyre te mire menduara dhe te sukseshme dhe cdo perpjekje per ti zevendesuar ato me piketa ideologjike eshte I destinuar te deshtoje ne menyre tragjike si nazizmi apo qesharake si komunizmi dhe se fundmi edhe Disney. Nejse, muhabet I gjate edhe ky.

  9. Disiplinat e Folklorit, Antropologjisë, Filologjisë, Psikoanalizës… bëhen bashkë për të dhënë një kuadër metodologjik e historik interpretimi, po brenda atij kuadri ekzistojnë plot shkallë lirie.

    Nuk mund të flasim njëlloj për shpejtësinë me të cilën udhëtojnë dritat e një makine. Ne, njerëzit, kemi zgjedhur një sistem raprezentimi të realitetit që perceptojmë, po përfundimet që nxjerrim në këtë rast të dytë janë të pavarura nga ndërgjegja jonë, e kapërcejnë gjithë duke e përmbajtur atë.

    Ndërsa narrativat janë produkt i species sonë (dhe anasjelltas ne jemi produkt i tyre, veza-pulë etc.), aty për të na shërbyer, siç e pranoni edhe ju. Ndaj edhe e kanë në gjen të qenit dinamike.

    Natyrisht që interpretimi im s’i bën ditët të jetë akademik, sepse nuk është fryt i një itinerari specifik e të mirëfilltë studimor. Ama, përndryshe nga miku juaj, unë mund ta ndjek idenë time si një hipotezë dhe universi nuk do të ma hedhë poshtë me ndonjë ligj fizike.

    1. Shume e drejte ideja e mendimit te lire. Por ti thjesht nuk do nenkuptimin e dyte (pun) tek fjala e fundit. Ti mund ta ri interpretosh mitin ose te shtosh kendveshtrime te reja ne te ashtu sic ben psh ne menyre madheshtore Kamyja me Mitin e Sizifit, por kjo nuk te ben ty bashkautor ne MIT me te drejte apo edhe thjesht nuk te jep mundesine per ta ndryshuar ate. Miti ka marre fortesine dhe bukurine e diamantit me kalimin e shekujve dhe efekti I grafitit te lapsit mbi te eshte thjesht I pamundur. Por nese ti arrin te zbulosh nje faqe tjeter te prerjes se ketij diamantit dhe ja shfaq kete botes, qofsh I bekuar se te gjithe do mesojme dicka te re.

  10. Ne te vertete ne ate kala do vershonin per mijera vjet lumenj gjaku burrash, mijera e qindra mijera jete. Te flijohej nje burre ne themel do ishte teper banale si sakrifice per ndertimin e nje thertoreje burrash. Miti thjesht i jep nje vlere per t’u mbajtur mend. Analiza reale, qe ka lidhje me te verteten behet nqs ve veten ne vend te paganeve te kohes, njeh mendesine e botekuptimin, cdo gje tjeter eshte leng groshe, me te cilin brezat e mevonshem duan te justifikojne pushtetin apo luften per pushtet( jo thjesht pushtet politik).

    1. Po pra. Kjo eshte njësoj sikur Drejtori I Komunales te ulet e te shkruaj nje studim fizibiliteti per acquaductin e Rome’s dhe ta veretetoje me fakte se sa mund te kishin kursyer ata sikur te kishin kontaktuar ate, dhe ta kishin ndertuar ujesjellesin me tuba te nendheshem plastike, duke shpetuar keshtu edhe planetit nga ndotja. Nderkohe 2000 vjet me pas arkitektet akoma mahniten me teknikat revolucionare te ndertimit te tij dhe njerezit akoma vazhdojne te mahniten me bukurine klasike dhe qendrueshmerine e tij. Go figure.

  11. Qetesohu zonja Nepravishta se gjuha dhe temperamenti qe po tregon ketu eshte per te ardhur turp. Emri im as nuk i shton e as nuk I pakeson gje argumentave te mi, por raca juaj e aktivisteve te paqes I duan emrat per sulme ad hominem dhe lista per tabela qitjeje ne stervitjet e zborit. Po kur ta gjesh emrin tim qe gjendet fare lehte, do e shikosh qe jam rregjur prej kohesh me sulme te tilla President e poshte dhe nuk para e prish qetesine. Ajo qe me ngushellon eshte qe per kohen qe do merresh me mua, te pakten do i lesh mitolologjine e legjendat shqiptare rehat, dhe kjo eshte nje fitore jo e vogel. 🙂

  12. Se bota keshtu eshte ndertuar dhe PF-se nuk mund te mos i japesh te drejte kur arsyeton se gjerat duhen gjykuar ne nje kontekst me realist, te caktuar e te qarte. Interpretimi pastaj, sado subjektiv, asnjehere nuk eshte farfelu, gje qe i jep plotesisht te drejte autores se shkrimit te nxjerre perfundimet e veta.

    Por nese te dy kane te drejte, e verteta nuk me duket se qendron ne mes.

    Sot eshte botuar te shume e turpshmja dhe e perndershmja Le Monde nje reportazh mjaft interesant: https://www.lemonde.fr/m-le-mag/article/2020/07/10/au-japon-le-phallus-est-une-fete_6045769_4500055.html?xtor=EPR-32280631-%5Bm-le-mag%5D-20200710-%5Bcall_titre_1%5D per nje festivitet japonez, qe eshte siç mund ta shihni, festa e falusit, me saktesisht ajo quhet Kanamara matsuri (festivali i penisit prej hekuri).

    Nuk jam specialist festash, po edhe pa qene i tille eshte e pamundur qe ne kete histori te mos shohesh nje ritual te vjeter sa jeta, qe sublimon fertilitetin mashkullor.

    Por po qe se une do te thoja se: “E parë nën një dritë feministe, legjenda e Kanamara matsuri-t përmban disa elemente të qartë të predominimit të partiarkatit në kulturën e hershme japoneze”, vertet qe eshte e veshtire ta kundershtosh. Ka nje vizion maçist te shoqerise. Pse ka vlere fertiliteti mashkullor dhe jo ai femeror? Thene ndryshe, pse nuk u muros nje burre po nje grua, pse u pyet plaku dhe jo plaka?

    Ne te vertete, ka edhe nuk ka maçizem, se po e komplikoj kot. Problemi i fertilitetit mashkullor, sipas mendimit tim modest, ne kete rast ngrihet si problem jetik i mbijeteses se fisit, kombit a vete mbreterise japoneze, perballe nevojes qe kishte per ushtare, krahe pune…

    Pra del qe ne origjine, nuk ka nje problem perfeksionimi a menyre funksionimi te aparatit gjeninal por nje problem te vertete politik.

    Tani, meqe ne origjine, pamohushmerisht problemi ka qene politik (sikunder edhe per kalane tone, qe duhet te kete themele te forta e te mos prishet, DI sheh se ne mbrojtje te saj jane vrare mijra vete) nuk e di nese do te gjejme shpjegimin e duhur duke u ngritur e thene se Kanamara matsuri eshte shprehje e nje mentaliteti patriarkal dhe i tille do te mbetet sa kohe qe shoqeria japoneze nuk organizon edhe nje feste tjeter, te dyte.

    Pra, nese origjinali eshte universal, interpretimi dhe shpjegimi me instrumente qe nuk jane ekuivalente, edhe pse te qemtuara ne te njejtin domen (politika), mbetet jo thellesisht bindes, tha.

  13. E tha edhe Sokoli më lart, këtë legjendë e kanë edhe popuj të tjerë. Po ashtu, në variante të saj vëllezërit muratorë ndërtojnë urë, jo kala – prandaj edhe lidhja e sakrificës me luftën dhe qëndresën (mbijetesën) më duket e sforcuar. Njëlloj mund ta lidhësh me tregtinë, lëvizjet e karvaneve, etj. Në mënyrë më abstrakte, bëhet fjalë për një ndërtim dhe një sakrificë, që ndërtimi të qëndrojë në këmbë – gjë që më duket madje edhe më logjike për urën, se për kështjellën. Shtoj në fund, jashtë teme, se muratoria, si zeje, nuk është tipike shqiptare as arbërore – dhe aq më pak ka qenë në të shkuarën. Në shumë krahina, mjeshtrit ndërtues, që kalonin fshat më fshat, kanë qenë të etnive të tjera (gollobordas, arumunë, shule).

    1. Fakti eshte qe ne legjenden tone te Rozafes flitet per kala, ndaj dhe une po analizoj figuren e kalase. Dhe sa me e larte vlera e sakrifices (ku ajo humane eshte me e larta) aq me shume vlere simbolike apo totemike merr objekti.
      Ndaj kur Zoti I kerkoi Abrahamit qe te sakrifikonte djalin, ai nuk e beri fjalen dysh po mori djalin nga njera dore, thiken ne doren tjeter dhe ju ngjit malit. Tani ne mund te ulemi e te ndajme qimen me katersh nese Zoti e quan te pavlere sakrifikimin e fëmrës per te ose nese ai urrente white males apo ishte pasues I pop-feminizmit te Solnit, po ketu ne po puthemi me postierin dhe nuk po hapim posten qe ai na ka sjelle nga Artemidorus.

  14. Të mos harrojmë edhe “interpretimin” e Marguerite Yourcenar-it te tregimi i njohur (më duket që bën pjesë te “Novelat Orientale”) që e jep legjendën tonë si triumf të amësisë përkundër asaj lypëses që ia lyente sytë me urinë foshnjes ta verbonte krejt e të fitonte më shumë lëmosha.

    1. Lypesja ne mos gaboj ishte cigane. Dukshem racizem i fshehur.

      O bija e Solnit!
      C’vete me keta burra?
      Nuk rreshtin se tjerri.
      Te merreshin me mjekerat e tyre,
      kur te grave i duan qerose.
      Percille kushtrimin! – me peshtyme.

  15. Goethe-ja e pat quajtur këtë legjendë (variantin serb të saj, me titull “Zidanje Skadra/Ndërtimi i Shkodrës” të përkthyer nga Jacob Grimm) si SUPERSTITIOUSLY BARBARIC.

    1. Asnje reference nuk ka per c’pska thene Goethe. Vetem Wiki qe ne me te shumten e rasteve eshte I gabuar.

  16. Hodha dhe nje sy poshte e lart neper internet c’thuhet per Rozafen tone dhe ja se c’gjeta psh:

    Projekt shkolle ne Itali.
    “Ilir, un ragazzo di origine albanese, molto simpatico e stimato dai compagni della classe, in quanto era molto bravo a scuola, soprattutto nelle materie scientifiche, quando la maestra aveva chiesto loro il tema che avrebbero scelto per la recita di fine anno, aveva proposto di mettere in scena la leggenda del “Castello di ROZAFA”.

    Si tratta di una leggenda albanese molto antica, che ha attraversato i secoli, fino ad arrivare alla bocca dei nonni di Ilir, che hanno raccontato ai nipoti di quanto importante era sempre stata la parola data per la tradizione albanese e, come la donna, portatrice della vita, sacrifica la sua di vita in beneficio della comunità, in modo che suo figlio e tutti gli altri fossero tutelati contro le guerre e le invasioni degli occupatori stranieri, perché una singola vita si può donare con gioia in nome della propria patria, un individuo può donare la propria vita con orgoglio, quando la causa della patria chiama.

    Da tempo, la scuola cercava di promuovere temi di intercultura, storie provenienti da vari paesi, per valorizzare la cultura delle altre comunità presenti sul territorio italiano, quindi l’idea è sembrata ottima a tutti.”

    Tjeter:
    Shoqeri turistike qe reklamon Shkodren
    The legend of Rozafa is about the strength of women who sacrifice their lives for something bigger. Today, Rozafa Castle is one of the most interesting places to visit in Albania and is a must-see for anyone who spends time in the enchanting town of Shkodra

    Pak histori
    “The construction of the castle with stones started by the Illyrian tribu Labeat. After the castle was built and people felt safer, the city developed fast and even issued a coin named Scodrinon 230 b.c.. In 181 b.c. Scodrion became capital of Illyria. In 168 it was occupied by Roman Empire and later by Bulgarians. In 1396 it became part of Venice, which reconstructed the castle and renamed the city as Scutari.
    The Castle was the last castle to fall in 1479 under the attack of 100 thousand soldiers of Sultan Mehmeti II. The resistance is described by the famous historian Marin Barleti in the book “The siege of Shkodra”, which was published in Europe in 1504. ”

    Ja pra qe gjaku I shenjte I Rozafes eshte mbuluar nga lumenj te tere gjaku luftetaresh ne shekuj qe ne ta kemi akoma nje cope vend qe e quajne atdhe, kudo qe te jemi shperndare neper bote.

  17. Per mua, legjenda simbolizon sakrificen e madhe, fillimin e nje historie, ndoshta kombi. Cdo ndermarrje e madhe kerkon sakrifica te medha. Ketu duhej jeta e nje njeriu. U zgjodh ajo grua sepse nuk ishte pjese e gjakut te atyre qe po ndertonin ardhmerine. U la gjoksi i saj jashte si simbol i vazhdimit te jetes, trashegimise se gjakut nga ana e babait. Gruaja u pa vec si mjet per te realizuar vazhdimesine, asgje me pak, e asgje me shume.

  18. Një interpretim shumë sipërfaqësor i një miti, që çdo mit ka shtresëzime dhe kodifikime.

  19. Eshte momenti te reflektojme dhe nese eshte e mundur te rrezojme se bashku disa mite te panevojshme qe ne vend te na frymezojne, na marrin frymen.. pra jeten. Faleminderit Rea per kete shkrim shume aktual.

  20. Trajtesë shumë e guximshme, ngacmuese dhe interesante e autores. Përgëzime të ndjera!

    Natyrisht problematika e sotme e gruas në shoqërinë shqiptare është shumë e rëndësishme, dhe shqetësimet e Reas qëndrojnë plotësisht!

    Një pyejte “nga salla”, nëse mundem: Për trajtesën e Legjendës së Rozafës, si simbol i gruas së nënshtruar dhe që sakrifikohet për të mirën e përgjithshme, ekziston njëfarë kundërthënie historike, që deri diku qëndron në antitezë me qasjen e autores. E kam fjalën për figurën historike të TEVTA-s, – sipas burimeve romake – mbretëreshës vejushë së ardianëve, një personalitet me peshë dhe autoritet të madh në shoqërinë ilire të kohës.

    Për më tepër, edhe Rozafa, si personazh imagjinar, edhe Teuta si personalitet historik, na vijnë nga i njëjti rajon geografik.

    Pra, sipas mendimit tuaj, si mund t’i “pajtojmë” apo t’i përcjellim fatet e të dyjave, me qëllim që të rritet ndërgjegjësimi i shoqërisë së sotme për kauzën e femrës shqiptare?

  21. Koha ka lejuar të kemi sot e gjithë ditën disa dëshmi interesante për rolin e femrës në antikitet edhe në jug të Shqipërisë. Prof. Pierre Cabane i cili ka hulumtuar 1700 mbishkrime greke në Ilirinë e Jugut dhe në Epir që prej shek. V para Krishtit, vërteton atë që edhe autorë të lashtësisë e kanë përmendur:

    “Gjëja më e rëndësishme që kam zbuluar nga këto mbishkrime është vendi i gruas në shoqërinë antike, që këtu tek ju paraqitet krejt ndryshe nga Greqia Qendrore dhe ajo e Veriut. Gruaja në Iliri luan një rol të rëndësishëm e nuk ka nevojë për një tutor. Ky është një origjinalitet interesant, sepse në Athinë në këtë periudhë gruaja është në tutelën e burrit, babait.”

    Nuk e di sa i vjen në ndihmë argumentit e kaluara, apo përkatësia gjeografike, por pyetja e dytë “nga salla” është:

    Nëse një legjendë nxirret nga mjegulla e së shkuarës për të sulmuar realitetin që jetojmë, a kemi aq të dhëna sa duhen për të njohur mentalitetin e kohës kur u mbrujt ajo? Mos ndoshta shqiptarët e atëhershëm – njëlloj si shkruesit e Biblës – besonin se duhej të sakrifikohej më e mira (e gjithçkaje) dhe jo ato/ata që kishin një a më shumë cene?

    Ps: Rozafa lopa që jep qumësht?! Hold your horses 🙂

    1. Teuta – shumë prurje interesante dhe e rëndësishme kjo tëndja.

      Në vijim mund të referoj edhe Pouqueville, Voyage dans la Grece. Përmend diku ai se, pasi zona të ndryshme shqiptare të jugut, kishte parasysh Çamërinë e Labërinë, hynin në luftëra me njëra tjetrën jo vetëm për një vijë kufiri ndërkrahinor, vinte një kohë dhe ndërhynin plakat dhe gratë për të bërë paqen. Ato qanin të vdekurit, kujdeseshin për varrimin e tyre, dhe mandej ndikonin për përfundimin e konfliktit dhe rivendosjen e paqes. Ky rol ndërmjetësues, paqësues, i gruas shqiptare në jugë – me vlera të jashtëzakonshme – me siguri është studiuar më pas.

      Po në këtë hulli do të përmendja edhe institutin paprekshmërisë [dhe ndorjes] që mbruhej apo përfaqësohej tek gruaja në mbarë viset shqiptare, dhe që transferohej apo mbulonte edhe shoqëruesin e saj, sidomos kur ky ishte gjakës. Kjo del qartë tek Kanuni i Lekë Dukagjinit, i mbledhur nga Atë Shtjefën Gjeçov, por edhe tek Kanuni i Lekë Dukagjinit, Varianti i Pukës, mbledhur e paraqitur nga Xhemal Meçi, Çabej, Tiranë, 1996.

      Për këtë kam folur edhe tek: https://peizazhe.com/2019/02/10/musine-kokalari-dhe-permbysja-e-se-drejtes-zakonore/

    2. For God so loved the world, that he gave his only begotten Son, that whosoever believeth in him should not perish, but have everlasting life
      Ritin e sakrifices femerore apo mashkullore nuk e kemi pas vetem ne por edhe popuj te tjere te botes ne te gjitha kontinentet .Interpretimet e ketyre miteve apo ritualeve jane in the eye of beholder.Njerezit shohin ato ane qe ata kane deshire te shohin apo qe ilustrojne preconceived notions ne Mendjet e tyre .

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin