NATA E SHOQËRIVE TË DËMTUARA

nga Artan Sadiku

Nën grimasat hipnotike të europianizimit zyrtar, një luftë po mban akoma peng historinë. Lufta që nacionalizmi ua bën shoqërive tona nuk është vetëm mesjetare, ajo është totale. Nacionalizmi mbyll çdo por për emancipim kolektiv dhe hedh individin në katarsisin e imagjinatave për gjërat e mëdha fantazmike. Ai mbetet sërish i vogël, kolektiviteti tërhiqet, koha ngel pa asnjë kuptim.

Ajo vetëm memorizohet në pritje të një tragjedie të radhës, kur sërish do të ekzaltohemi kolektivisht në marrëzinë nacionaliste. Është tragjike që ekzaltimi kolektiv vjen prej një dëmi, të shkaktuar nga tjerët apo të shkaktuar ndaj tjerëve.

Është tragjike që konteksti nacionalist në Ballkan i gllabëron të gjitha sferat tjera shoqërore në vorbullën e vet irracionale dhe shkatërruese. Fatkeqësisht ndeshja e sontme do të jetë edhe një instancë e riprodhimit të kësaj tragjedie, gjithmonë si farsë e brendshme e shoqërive tona të lodhura.

Kuptimi i ëndrrave nuk qëndron në atë se si manifestohen, çfarë kemi ëndërruar, por në atë se pse manifestohen mu në atë formë e jo në një tjetër.” (S. Frojd)

Pa marrë parasysh se çfarë ndodhi në Beograd, mund të pyetet pse u manifestua reagimi ndaj asaj ndodhie në formën më patetike nacionaliste. Pse? Dhe nacionalizmi është një ëndërr!

Pse? S’kishin çfarë të bënin tjetër futbollistët në atë fushë marrëzie, përveçse të rriheshin me grushta. Por pse u pritën si heronj futbollistët e grushtave? A mund të pritet si hero një shkrimtar që ka ecur në këmbë deri në Stokholm, ku fatkeqësisht nuk ka fituar çmimin Nobel për letërsi?!

Përmendi dikush fashizmin?

“Armiku ynë kryesor është fashizmi…Dhe jo vetëm fashizmi historik, fashizmi i Hitlerit dhe Musolinit…por edhe fashizmi në secilin nga ne, në kokat tona, në sjelljen tonë të përditshme…” (M. Fuko)

Dhe shqiptarët dhe serbët (dhe jo vetëm këta) kultivojnë mikrofashizmin në prehrin e shoqërive të tyre. Çështja se kush e filloi i pari veçse konfirmon të vërtetën që ky mikrofashizëm nuk kontestohet rreptësisht dhe pa mëshirë përbrenda këtyre shoqërive. Çështja se cili fashizëm mbizotëron dhe manifestohet më me fuqi nuk e relativizon të keqen imanente përbrenda tyre. Të luftosh të keqen është të mbysësh çdo tendencë që fashit të ardhmen në emër të së vjetrës së ligë. Dhe kjo fillimisht bëhet brenda “grupit”.

Të mobilizosh, duke e pasur parasysh manifestimin fashist të atij mobilizimi, qoftë dhe kundër një padrejtësie fashiste, nuk është asgjë tjetër veçse përsëritje e së njëjtës vjershë, veçse në një gjuhë tjetër. Fashistët si dhe nacionalistët gjithmonë garojnë në vërtetimin e pozitës vetanake të viktimës. Ndërsa sipas një teorie të përgjithshme të viktimës, ajo nuk ka nevojë për ndërmjetësim të së keqes që ka përjetuar. E vërteta e viktimës është para-gjuhësore, ajo çan përmes realen, duke e kontestuar kështu validitetin e realitetit fashist të ndërtuar në raport me të.

Shtetet e Ballkanit asnjëherë nuk mund të bëhen shtete fashiste. Ato munden dhe të luajnë një perversitet të radhës si klounë të vegjël përballë pasqyrës zmadhuese. Por ama shoqëritë e këtyre vendeve munden të bëhen helm për njerëzit e tyre.

“Tupanat e natës. Ushtarët u kthyen dhe e kuptuan që kishin luftuar për kot. Në ndërkohë, nga shtëpitë e tyre ua kishin vjedhur dhe atë që kishin pasur para luftës.” (B.Breht)

Ata kombe që kanë tupana më të mëdhenj lufte, ata  kanë më shumë punë për të bërë, ata që tupanat u ulërisin më pak luftë e kanë më lehtë edhe t’i heshtin.  Por, secili ka për detyrë të qetësojë lagjen e tij. Secili me tupanin e vet. Problematik është vetë koncepti i tupanit të luftës në shoqëri dhe jo madhësia apo zhurmshmëria e tij. Përderisa ai si koncept vazhdon të jetë në jetë, gjithmonë do të gjinden dhe budallenj t’i bijnë.

“Historia përsëritet dy herë, në fillim si tragjedi, së dyti si farsë.” (K.Marks)

Duhej të fluturonte një copë pëlhure mbi stadium që të pasonte tragjedia. Por kjo histori nuk ngeli me kaq. Pasoi farsa e hallakatjes kolektive, e masturbimit të pritur kaq gjatë. Kujtoni njerëzit që vrapuan, shkelën përmbi tortën e 100-vjetorit të pavarësisë. Torta kishte flamurin shqiptar, jo atë të Serbisë. Nëse Xhaka i bie të jetë hero që iu sul futbollistit serb që kapi pëlhurën, atëherë të gjithë ata qindra mijëra shqiptarë që mu në qendër të Tiranës sodisnin vrapin me çizme përmbi flamurin e vizatuar në tortë, ata i bie të jenë të gjithë së bashku, një për një, tradhtarë të kombit! Të paktën ky dhe ishte flamuri i vërtetë, ai në Beograd ishte një territor i vizatuar siç kanë qejf të vizatojnë të gjithë kombet e Ballkanit.

“Nuk është populli që po mban gjallë kombin, por ideja e kombit që po mban peng popullin. Kombi, atdheu dhe nacionalizmi kane qenë gjithmonë shërbëtorët më besnikë të patriarkalizmit. 100 vite pavarësi, 100 vite kapitalizëm, 100 vite patriarkalizëm.” (Grafit në Selanik)

Është e dhimbshme si edhe femrat u mobilizuan të mbronin “djemtë tanë” të kombit, krenarinë tonë kundër barbarisë së atyre. Përderisa krenaria është rezervuar tradicionalisht për meshkujt, nderi është lidhur historikisht për femrat. Që të dy së bashku e ndërtojnë kështjellën e familjes sonë shqiptare ku janë ngujuar miliona histori të kushtëzimeve emotive dhe erotike, të shtypjes së femrave, territ të mendjes. Gjysma e popullit akoma po mban fashën e kombit-patriarkal. Unë besoj vetëm në emancipim kolektiv përmes feminizmit, por i gjithë ky potencial çlirues për një çast u arratis kolektivisht në fabulën e ligështisë nacionaliste.

Mbesa e Berishës mund të ketë drobitur budallallëqe kur ka “mbrojtur” serbët, por ama reagimi kolektiv ndaj saj bën çdo njeri normal të dalë në mbrojtje të saj. Një shoqëri e denjë për tu quajtur e tillë domosdoshmërisht duhet të ketë “tradhtarë” të të gjitha llojeve. Ato që nuk kanë të tillë, ato janë patologjikisht të sëmura, aty mbizotëron tirania e njëmendësisë linçuese. Kur nuk është e koncentruar në pushtetin, ajo është latente, atëherë fashizmi flet në çdo qoshe të lagjeve. Dhe aty, mu në ato qoshe lagjesh kultivohet përbuzja ndaj femrës, ajo i nënshtrohet çdo shikimi dinak, çdo komenti patetik që vjen nga dobësia e potencës intelektuale të meshkujve të qyteteve tona. Kështu, mbesën e Berishës e shpallën lavire serbe, ajo nuk është e denjë as për të qenë tradhtare. Sa për të qenë tragjedia më e madhe, ishte gjyshi Berisha ai që i kontrabandonte naftë Millosheviqit, ndërkohë që rrezikonte të shpallej hero kombëtar për së gjalli, të paktën jashtë kufijve të Shqipërisë.

Në gjuhën shqipe toka e populli quhet edhe atdhe edhe mëmëdhe. Kjo nuk haset në gjuhët tjera. Por, unë e dua vetëm mëmëdhenë time, ajo s’ka shtypur asnjëherë askënd, ajo është shtypur brenda nga atdheu im që po xhindoset kot.

“Pse individualisht heshtim për tragjeditë që na ndodhin kolektivisht?” (T.Adorno)

Hapësira publike është vendosmërisht e pashpresë. Mediat gjithandej kalëruan mbi sentimentet e imëta, shpalosën funksionin e tyre thellësisht reaksionar dhe degradues. Një shoqërie të tërë i ofruan shpifje kot. I ofruan spektaklin e gjahut të “heroit” të fshehur e perfid.

“E ngriti flamurin në Beograd” – thanë. Gjynah, ata që s’kanë qenë asnjëherë në Beograd nuk e dinë që flamuri shqiptar qëndron i ngritur me vite në këtë qytet. Tek ambasada. Aty është, askush nuk e prek. Dhe është tamam ai i Ismail Qemalit, jo kjo pëlhura e heroit me playstation, të fshehur.

Këto ditë në Beograd flitej se “ngritja e flamurit” mund të ishte vepër e radikalëve serbë të Sheshelit. Kjo sepse duan të dëmtojnë në çdo mënyrë të mundshme kryeministrin e tyre që po kthen vendin e tyre në rrugën europiane. Po të ishte kjo një e vërtetë, e përderisa mediat akoma nuk e gjetën heroin, edhe pse transmetuan çdo budalla që merrte përgjegjësinë në rrjetet sociale (edhe një shënjues i mjerimit të “gazetarisë”) atëherë e gjithë kjo do të ishte një cirk fantastik. Cirku më i madh në historinë e kësaj copë toke. I gjithë ky manifestim e spektakël me makina, me fishekzjarrë, me paradime i bie që po festonte një vepër të radikalëve serbë.

Po, ata e ndaluan flamurin në stadium. Por, ai stadium me brohoritjet siç ishin (vrasje vrasje…), ai nuk meritoi asnjë flamur. Së fundmi, flamujt janë vitrina simbolike ku përfaqësohen të gjitha pabarazitë e padrejtësitë brenda një kombi në interesat e atyre që mbajnë pushtetet e shoqërisë. Ky mishërim i mban në jetë pabarazitë, i mban në jetë padrejtësitë. Por jo, ne nuk jemi pjesë e të njëjtit mish. Ti ushqehesh mirë, ti e ke të ngrohtë shtëpinë, ti ke Benz, ti ikën me pushime, ti shkollohesh në UET, ti blen parfume…e unë, unë NUK kam asnjë nga këto. Mishi im dhemb, mishi yt është i përkëdhelur nga komoditetet. Asnjë flamur, sado gjigand të jetë, nuk mund të mbulojë diferencën mes mishit tim e tëndit.

Akoma për flamurin. Gjermanët, pas Luftës së Dytë Botërore, nuk e përdornin fare flamurin e tyre në asnjë ceremoni, qëndronin vetëm ca para objekteve shtetërore për arsye zyrtare. Vetëm në kampionatin botëror të futbollit në vitin 2006, mes gjithë flamujve të tjerë, shoqëria e përditshme gjermanë e kontrabandoi edhe flamurin e vet. Në mes të gjithë flamujve të tjerë, u rehabilitua dhe ai dhe flamujt ngelën të qëndrojnë edhe më tej në ballkonet e gjermanëve. Ata e kishin mësuar më mirë se të gjithë se cila ishte pasoja e valëvitjeve frenetike të flamujve të mëdhenj të kombit

Shoqëria e përditshme nuk na thotë asgjë për çfarë fsheh si motiv unifikues të forcave që garojnë për pushtet brenda saj. Por, në raste të caktuara, aktualizohen forcat që mbizotërojnë mbi dëshirën kolektive, e në shtete që s’kanë kapacitet të nxjerrin ushtritë as 10 kilometra përtej kufijve të tyre, këto bëhen forca shkatërruese përbrenda. Po patën kapacitet, bëhen njollë e zezë e historisë njerëzore. Forcat që u mobilizuan në dëshmimin e viktimës dhe në festimin e krenarisë do të na shkatërrojnë përbrenda. Kundërtia e tyre absurde kërkon hegjemoninë: ato na duan të jemi edhe viktima, edhe krenarë. Viktimës nuk i bëhen festa, e as krenaria nuk ka nevojë për përdëftim.

Para ca vitesh luajti dhe Shqipëria me Greqinë. E mbaj mend mirë. “Greku greku ule kokën se shqiptari ta … motrën.” Kaq prej krenarisë, u turrën, i rrasen hundët të nderi. Kur “burrat” zihen, shuplakën më të fortë e hanë gratë.

Absurditeti akomodohet në mes të jetës publike-kolektive si dhe të jetës private mu përmes manifestimeve të tilla. Me 14 Tetor iu bë festë absurditetit. Ai nuk duron pyetje as dyshime, bile as për atë që është evidente. Masat e përqafojnë dhe ngelin në mes të shfaqjes së tij. Vihen në shërbim të tij dhe ai luan duke manovruar me viktimën dhe krenarinë njëkohësisht.

Ne, dhe të gjithë në Ballkan duhet t’i hapim luftë nacionalizmit shtëpiak, pa asnjë arsye të jashtme. Sepse, mbi të gjitha ai kalcifikon brenda shtëpisë-shtetit çdo kritikë dhe çdo tendencë progresive në dalldisje të bezdisshme që vjen e kërkon gjak për t’u vampirosur në etje. Etje që ritet eksponencialisht ashtu si pin gjak. Dhe gjakun e parë gjithmonë ka për ta gjetur brenda territorit të tij.

Rehabilitim dhe dekontaminim: Nuk ka një rrugë të vetme se si të luftohet nacionalizmi. Urrejtja ndaj nacionalistëve na çon në prehër të elitave kozmopolitane të cilat i kontrollojnë mjetet e riprodhimit ideologjik të nacionalizmit me çka terreni i tyre i eksploatimit ekonomik ngelet i pacenuar.

Si duhet lëvizur nga konsensusi ideologjik në instancën e teorisë emancipuese që nacionalizmi, përveç se në kontekstin e dekolonializimit, vërteton tezën e famshme të traditës marksiste për çimentimin e luftës klasore në një komb të unifikuar në shtet, deri te pika e adoptimit të pozicioneve të caktuara politike në instancën e shoqërisë së përditshme.

“Disa adhurojnë ta përafrojnë pozitën vetanake-kombëtare me kolonializmin. Vetëdija kombëtare gjithmonë mbetet një guaskë boshe, një gënjeshtër e vrazhdë dhe e thyeshme nga ajo që duhej të ishte. (F.Fanon)”

Nëse politikat e emancipimit dhe angazhimit, veçanërisht ato që luftojnë shtypjen shoqërore përmes ekonomisë, duhet të ngrihen mbi të njëjtin truall ku gjenden masat e shtypura, atëherë këto politika duhet ta farkojnë retorikën e tyre kritike në një lloj herezie të dyfishtë: (1) duke çliruar veten nga fetishi dogmatik dhe ekstrovert për vetëkënaqje dhe ego-masturbim politik me anti-nacionalizmin (që fatkeqësisht as kjo nuk është ndonjë praksis në hapësirën tonë politike) në drejtim të hulumtimit të qasjeve të ndryshme politike në veprime që efektivisht luftojnë nacionalizmin; dhe (2) duke u angazhuar politikisht me masat e të shtypurve që kanë përqafuar nacionalizmin, duke ekzaminuar rrezikun e kyçjes në riprodhimin e ideologjisë nacionaliste. T’i shpallësh luftë nacionalizmit të masave është po aq patetike sa edhe të deklarosh që masat janë reaksionare më vete.

“Nuk e di se çfarë dua, por e di si ta gjej.” (Këngë nga Sex Pistols)

Një rrugëtim i tillë radikal ndërton korrelacion të njëkohshëm edhe me çlirimin nga nacionalizmi degradues edhe nga kapitalizmi eksploatues.

“Patriotizëm do të thotë të kritikosh pamëshirshëm (bile dhe ta teprosh) popullin tënd, mu sepse don të jetë më i mirë nga tjerët.” (S. Zhizhek).

Të gjesh qimet në kashtë. Duke qëndruar konsekuent në kontestimin e legjitimitetin emancipues të ndjenjës patriotike, si uverturë në nacionalizëm, do kisha pasur dëshirë të shihja të paktën një kritikë të tillë, qoftë edhe me motive patriotike.

Ata flasin për Europën, për UEFA-n, për Bashkimin Europian, për europianizimin. Ballkani definitivisht po europianizohet. Në Francë partia neo-fashiste po fiton zgjedhjet, në Hungari janë të dytët, në Greqi po parakalojnë rrugëve, në Suedi kanë më shumë se 40 deputetë, edhe në Angli po fitojnë.

Parajsa e privilegjuar europiane e shteteve të sistemit të pas Luftës së Dytë Botërore deklaroi veten si standard kulminant civilizues e demokratik universal. Përmes mekanizmit të vizave dhe imagjinaritetit të Unionit, ata krijuan konceptin politik të Ballkanit si kosh imagjinar plehrash të të gjitha frustrimeve perëndimore të trashëguara nga ideja fisnike e socializmit emancipues e të barazisë që tragjikisht dështoi në totalitarizëm e diktaturë. Në gjirin e atij kontinenti të lig që krijoi edhe kolonializmin edhe fashizmin, si bumerang i projektimit të standardit demokratik pa asnjë proces real demokratik të brendshëm, kthehet tani neo-fashizmi në të gjitha format institucionale dhe jo-institucionale. Unioni jodemokratik së bashku me autokracinë kapitaliste europiane shkaktoi hapjen e alternativave nacionale përbrenda shteteve anëtare që po manifestohen në urrejtje ndaj imigrantëve, racizëm dhe ngritje marramendëse të formacioneve fashiste politike në skenën formale.

Procesin e integrimit europian Ballkani si duket më në fund po e merr seriozisht. Përgatitjet për integrimin në Unionin e ringjalljes së fashizmit modern i nisëm me sukses.

Kujt i bie le t’i bie, kujt s’i bie le t’mos t’i bie. (Këngë nga bendi Blla Blla Blla –  Shkup)

Shënim:  Na pëlqeu ky shkrim i Artan Sadikut, për çka e falënderojmë që e solli këtu; sepse e çon diskursin e tanishëm mbi nacionalizmin në një nivel të cilit mediat shqip përgjithësisht as i janë afruar dot, as po duan t’i afrohen. Edhe pse nuk pajtohemi me disa teza të autorit (sidomos ato për Europën), besojmë se kritika e tij me dy tehe i shërben debatit ku e ku më mirë se klishetë populiste që shohim e dëgjojmë të artikulohen gjetiu (2Xh).

Nuk ka komente

  1. Reflektime mbi tendencat nacionaliste duken sot po aq të nevojshme sa një shekull më parë, kështu që nuk e kuptoj përse flitet për nacionalizëm “mesjetar”, a i referohet autori kryqëzatave? Aq më tepër, sepse Ballkani futet në atë pjesë të mirë të botës së tretë që ka dalë nga kthetrat e kolonializmit, pra, ka vend ta gjykojmë nacionalizmin e tij në këtë kontekst, më shumë se të një prapambejtjeje arkaike.

    Autori e paraqet si “fait accompli” se nacionalizmi pengon emancipimin, sepse vërtetë shumë shembuj të shekullit të kaluar tregojnë këtë. Por në kontekstin e globalizimit të një ekonomie e drejtësie thellësisht të pabarabartë, të gërshetuara me kultura postkoloniale, lëvizja nacionaliste është thikë me dy tehe. Këtu drejtohem veçanërisht prej monografisë së Pheng Cheah (“Spectral Nationality: Passages of Freedom from Kant to Postcolonial Literatures of Liberation”. CUP, 2003). Argumenti i Cheah-s është tepër komplex, sidomos sepse aspektin spectral e merr nga gati-i-pazbërthyeshmi Derrida. Por po jap një shembull të Cheah-s: lëvizja nacionaliste, popullore dhe zyrtare, në Malajzi (1998) mobilizoi rezistencë të rëndësishme kundrejt politikave shfrytëzuese, nëmos vdekjeprurëse, të International Monetary Fund. Në këtë rast nacionalizmi kishte vlerë emancipator. Dhe me që po flasim për emancipim, është pak i çuditshëm citati nga Fanon, me siguri i marrë nga “Wretched of the Earth” (Të Mjerët e Tokës), të cilit mund t’i kundërvësh citate ku Fanon celebron një nacionalizëm revolucionar emancipator te masave të ish-kolonizuara (p. sh. lëvizjen Mau Mau në Kenya). S’dua të hap polemika rreth Fanon, por tekste të piperosura më citate, që funksionojnë si aksioma, ftojnë kontestim.

    Së fundmi, nëse nacionalizmi nuk është (sidomos ai zyrtar nuk duhet të jetë) kuadri në të cilin duhen zgjidhur konflikte e pakënaqësira etnike, atëherë çfarë diskursi duhet ta zëvendësoj? P. sh. fqinja ime, kosovare që jeton në mes të Evropës prej 30 vjetësh, që pa në televizor abuzimin e futbollistave dhe thotë “më vinte keq sikur të kisha djalin tim në shenjestër të atij stadiumi”, me ndihmën e cilit diskurs duhet ta përpunojë ajo traumën që përjetoi? Nacionalizmi visceral është më i gatshmi ta bëjë këtë, por edhe sepse pa atë fqinja ime (sikurse edhe the man on the street) rrezikon të ngelet në boshllëk. Prandaj duhen ofruar alternativa. Madje alternativa të kuptueshme edhe për fqinjën time që s’e mbaroi dot shkollën në Kosovë, alternativa të kuptueshme si romantizmi i R. Qoses që komentonte shfaqjen e flamurit me syrin e poetit nacionalist të kapur peng në mes të karantinës distopike që u bë ai stadium. Nga kjo lloj afërsie me pulsin e arsyeve dhe ndjenjave të masës duhet të mësoj kush kërkon fundin e nacionalizmit (mendimtar si A. Sadiku të kujtojnë poetë në kullën e fildishtë). Duhet gjetur një idiom që bën atraktive, të kuptueshme e të përqafueshme alternativa të nacionalizmit populist. Ndoshta diskursi i të drejtave universale të njeriut mbetet një nga të fundit emëruesë të përbashkët.

    1. Militschi,

      Shkrimi i Sadikut duhet lexuar si nje premise e nje diskursi qe ai nuk e ka perfunduar. Megjithate nga menyra sesi eshte parashtruar premisa,merret me mend altrrnativa e autorit:

      Nacionalizmit ai i kunderve internacionalizmin proletar.

      1. Une e kisha kuptuar premisen me inovative se sa kthim ne internacionalen proletariate. Ne qofte keshtu, kemi te bejme o me lidhje te shkurter, fiasko si ajo qe lame pas, ose lidhje te stergjate, akshe-akshe utopike fare.

        1. Bono, inovative eshte vetem gjuha, por thelbi mbetet po ai. Qimen e nderrojme, por zakonin s’e harrojme.

          1. Relapso, dole prape tek ontologjia si tek ajo puna e femijeve qe komentoje tek dashurite e pandryshkura. Thelbi s’ndahet dot nga gjuha, se nuk jemi qenet e Pavlovit, kondicionimi yne eshte vete gjuha, jemi qenie linguistike, ndrysho gjuhen, ndryshove thelbi, qe pa gjuhe eshte hiçi.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin