Në oborrin e shkollës Pedagogjike “Pandeli Sotiri”, mësuesja e fizikës, Etleva, mbiemri i së cilës e ka lënë tashmë kujtesën time, i pat shpjeguar një herë gjithë kompetencë një kolegeje ndryshimin midis termit mysliman dhe islamik, duke komentuar për një çift të rinjsh myslimanë që po kalonin para shkollës, ai një mjekrosh me pantallona të shkurtuara kurse ajo kokë e këmbë me të zeza. M’u deshën më shumë se dy dekada për ta dëgjuar përsëri këtë term në një intervistë të Arbana Osmanit me Ben Blushin, ku diskutonin të shkujdesur për ndryshimet mes një myslimani dhe një islamiku. Blushi e përdori në ditët në vijim në disa postime të tij në Facebook gjithashtu.
Me ç’mbaj mend nga mësuese Etleva dhe ç’kuptoj nga shpjegimi i Blushit, islamik është çdo besimtar mysliman që, nëse mund të citoj Alban Dudushin, “ka shfaqje të huaja”. Sigurisht, me shfaqje të huaja në këtë kontest nënkuptohet mjekra e gjatë dhe e çrregullt, shamia demode dhe komportimet publike jokonvencionale, siç përmend Blushi për shembull, të moszhveshurit në plazh. Pra, në thelb, islamiku është një mysliman doemos ekstremist që prish komfortin vizual të tjetrit.
Është intrigues fakti se nga hyri ky term në gjuhën shqipe për të shënjuar besimtarë myslimanë. Teoria ime është kjo: Termin islamik e gjejmë normalisht në togfjalësh si: militant islamik, ekstremist islamik dhe terrorist islamik. Prandaj, siç Benjamini është bërë Ben, edhe militanti apo ekstremisti islamik është shkurtuar në islamik.
Vlen të theksohet që cilësori islamik nuk është shtrembërim i termit islamist, por një neologjizëm i freskët. Edhe pse një nënndarje e përftuar për së jashtmi nga orientalizmi perëndimor, termi islamist, për dikë që nuk e sheh Islamin vetëm një fe të sferës private por edhe asaj publike, ka një kuptim të përcaktuar qartë dhe përdorim neutral gjuhësor sipas atij kuptimi.
Ndërsa termi ‘islamik’ përdoret vetëm me konotacion negativ. I shkëputur nga emrat të cilat ai përshkruan, islamiku vazhdon ta mbartë ngarkesën kuptimore mbi supe, duke nënkuptuar kështu që ai është estetikisht i huaj, ekstremist në bindje dhe potencialisht i dhunshëm. Pra, në thelb islamik është një eufemizëm për fjalën ekstremist.
Ne, shqiptarët, e kemi një farë tradite të identifikimit të tjetrit fetarisht me nofka siç janë, për shembull, emërtimet “turk” dhe “kaur“. Edhe pse këto terma mund të jenë ngjizur në kontekste armiqësore dhe kanë një farë ngarkese negative, ato identifikojnë një komunitet të tërë përballë, pa pretendime për ta ndarë apo riorganizuar atë.
Termi “islamik” vepron ndryshe. Ai nuk përdoret për të përjashtuar myslimanët si komunitet në tërësi, por për të ndarë vetë ata mes veti, duke prodhuar një hierarki të brendshme morale: disa janë “myslimanë të pranueshëm”, të tjerë “islamikë” – pra problematikë, të tepërt, ose të padëshiruar.
Në këtë kuptim, dallimi nuk është thjesht terminologjik, por strukturor. Ndërkohë që “turku” dhe “kauri” shënjonin një vijë ndarëse mes komuniteteve, “islamiku” shërben për të copëzuar një komunitet të vetëm, duke e ekspozuar atë ndaj gjykimit, disiplinimit dhe nënçmimit të vazhdueshëm.
Përdorimi i dy emërtime për të njëjtin komunitet është një mekanizëm i njohur, duke e ndarë atë më dysh, ku njëri term shërben për të identifikuar “të pranueshmit”, ndërsa tjetri për të stigmatizuar “të papranueshmit”. Serbët na ndajnë ne në “Albanci” dhe “Šiptari”. Ne, po ashtu, i ndajmë serbët në “Serbë” dhe “Shkie”. Edhe brenda vendit, gjatë regjimit komunist, i njëjti funksion është kryer nga etiketime si “anadollak” apo “turkoshak”, të cilat synonin të paraqisnin një pjesë të shqiptarëve si kulturalisht inferiorë dhe të huaj ndaj identitetit kombëtar.
Kjo ndarje nuk thjeshtë terminologjike, por hierarki morale e fshehur në gjuhë.
Të njëjtën logjikë riprodhon cilësori ‘islamik’ në diskursin ndaj myslimanëve. Termi “mysliman” ruhet për figurën e butë, të padukshme, të pranueshme për sytë e shumicës kulturore, ndërsa “islamik” përdoret si etiketë për ata që dallojnë në pamje, praktikë apo qëndrime – pra për myslimanët që “nuk na pëlqejnë”. Pra, si nofkë morale, me funksion përjashtues dhe denigrues.
Cilësimi islamik, mesa duket nga shkujdesja natyrale e intervistës së Arbanës dhe Blushit, është bërë pjesë e zhargonit të elitës politiko-kulturore shqiptare. Kjo elitë, kryesisht indiferente rreth fesë islame, dhe në rolin e kolonizatorit kulturor euroatlantik, i ka dhënë kompetenca vetes t’i klasifikojë ithtarët e Islamit në Shqipëri në të pranueshëm dhe të papranueshëm mbi kritere kryesisht estetike.
Ne që kemi qenë besimtarë myslimanë vizualisht të dallueshëm pas 11 Shtatorit 2001, e kujtojmë me hilaritet arsenalin e sharjeve që vinin nga vulgu rrugëve të qytetit si: taleban, binlanden e të ngjashme. Disa syresh si: “mjekroshët”, “radikalët”, “fanatikët” vazhdojnë të qarkullojnë në komentet publike të platformave online. Ndryshe nga këto ofendime të rëndomta, duket se një pjesë e elitës kulturore ka përzgjedhur emërtimin islamik për të shprehur përçmimin e saj ndaj një pjese të komunitetit mysliman, një term ky në dukje më i sofistikuar, por në thelb, më i dëmshëm kulturalisht dhe politikisht.
Normalizimi i termave të tillë poshtërues për myslimanët është papërgjegjshmëri epike, që mbjell dhe kristalizon në vetëdijen e qytetarëve shqiptarë idenë se është normale të shohin shtrembër apo, më keq se kaq, të diskriminojnë qytetarë të tjerë që duken apo sillen ndryshe për arsye fetare. Këtë e shpjegon më qartë eksperti shqiptar i islamofobisë, Enes Neza kur thotë:
Normalizimi i këtij diskursi islamofob ndikon drejtpërdrejt në formësimin e paragjykimeve dhe në përforcimin e perceptimeve negative ndaj Islamit dhe myslimanëve te pjesa tjetër e shoqërisë. E ky normalizim vjen me kosto të lartë për të drejtat dhe liritë e myslimanëve, sepse krijon një klimë ku gjuha e urrejtjes dhe e diskriminimit legjitimohet dhe duket e pranueshme.
Të gjendur përpara këtij fakti, është e udhës që përdorimi i epiteteve të tilla diskriminuese të mos normalizohet në shoqërinë tonë, sepse pikërisht normalizimi i tyre ka potencialin të prodhojë paragjykim, margjinalizim dhe dhunë.
Ata që pavetëdijshëm e kenë bërë pjesë të fjalorit të tyre këtë term, është koha ta fshijnë nga aty bashkë me idenë e diskredituar tashmë të dhunës potenciale që mund t’u vijë nga besimtari mysliman. Kjo ide u ngjiz dhe i shërbeu shkëlqyeshëm pushtimit dhe përdhosjes së shumë vendeve myslimane me pasoja katastrofike civilësh, por tashmë e ka gjetur vendin përfundimtar në koshin e plehrave të historisë.
Ndërsa nga vetë Blushi nuk pritet ndonjë reflektim serioz mbi gjuhën dhe ndarjet që ai prodhon. Ai ka qenë koherent në anti-myslimanizmin e tij tejtëhu. Këmbëngulja e tij në përdorimin e termit “islamik” si etiketë përçmuese, ndarja e myslimanëve në të pranueshëm dhe të papranueshëm, si dhe pozicionimi i vetes si arbitër i kësaj ndarjeje, nuk janë rrëshqitje aksidentale, por pjesë se strategjisë së tij të marketingut provokativ për të tërhequr vëmendje dhe për të promovuar librin e tij të fundit, titulli i të cilit duhet të kishte qenë, më përfaqësueshëm, “Jam Islamik”.
© 2026 Baki Goxhaj. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.