RRETH ISLAMOFOBISË SË ZOTIT BLUSHI

nga Gresa Hasa

Ditën e Kurban Bajramit, të shtunën e datës 9 korrik, Ben Blushi është qasur te sheshi Skënderbej, hapësira e të cilit ka qenë e banuar nga qytetare/ë, kryesisht praktikante/ë të fesë islame, që ishin mbledhur për t’u falur dhe festuar së bashku.

Kjo bashkësi e vullnetshme njerëzish të lirë dhe në harmoni është shënjestruar nga islamofobia dhe mizogjinia e z. Blushi, përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, shoqëruar me fotografinë e disa vajzave minorene, shkrepur dhe përdorur, me sa duket, në mënyrë manipulative.

Kjo paraqitje diapozitivash lyp JavaScript.

Jo vetëm përpara 30 vitesh, por edhe përpara 5 vitesh, kjo foto do ishte e paimagjinueshme në Tiranë. Kaq shumë vajza dhe gra të mbuluara, Tirana dhe Shqipëria ndoshta nuk kanë patur kurrë që kur Mbreti Zog e ndaloi ferexhenë me ligj në vitin 1937.

Kështu nis përsiatja e z. Blushi, nën titullin “The New Islam” (“Islami i ri”). Kjo fjali habitore e cila mbart nota shqetësimi, reflekton një perspektivë që ekzistencën në publik të besimtareve praktikante myslimane e paraqet si kërcënim për mbarëvajtjen shoqërore. Z. Blushi kujdeset të përçojë pikërisht këtë mesazh, ndërsa më tej shprehet se:

“Në qindra vite shumë njerëz në Perëndim, janë përpjekur të kuptojnë nëse mund të bashkëjetohet me Islamin dhe me doktrinën e tij jomiqësore ndaj feve të tjera dhe sidomos ndaj grave.

Islami dukej si një fe e krijuar për të ndëshkuar gratë dhe qafirët, pra ata që nuk besojnë te Muhamedi apo nuk besojnë siç duhet tek ai.”

Njohuritë e z. Blushi ndaj fesë dhe kulturës islame rezultojnë të mangëta. Po ashtu edhe ato ndaj Perëndimit, që ai e servir me inferioritet dhe romanticizëm. Z. Blushi nuk zotëron instrumentet e nevojshme për ta dekonstruktuar Islamin nga një perspektivë shkencore, filozofike, sociologjike apo antropologjike, lëre më ta krahasojë atë me të tjera fe, për të cilat nevojitet i njëjti përkushtim intelektual. Mbi të gjitha, ai nuk gëzon as kureshtjen e duhur për të mësuar më tej mbi një subjekt qartazi të panjohur për të. Për pasojë, në vend të pyetjeve ai shtron një sërë fjalish fundore, logjikisht të rreme.

Retorika e z. Blushi bazohet mbi riciklimin e referencave urbane të përçudnuara, të cilat shpesh bien në grackën e miteve, që fenë islame dhe myslimanët në veçanti, i paraqesin si kërcënim potencial.

Shqipëria është një vend ku mbizotërojnë katër fe kryesore dhe ku pjesa dërrmuese e qytetarëve identifikohen përmes islamit. Për pasojë, një grusht vajzash të reja me ferexhe, ditën e Bajramit, por edhe çdo ditë tjetër të vitit, nuk kanë pse habisin kënd. Edhe sikur Shqipëria të mos ishte një vend me shumicë myslimane, e drejta dhe liria për të zgjedhur dhe manifestuar besimin që duam, çka na garantohen përmes Kushtetutës, përbëjnë një të drejtë dhe liri bazike njerëzore.

Mbreti Zog, që z. Blushi kujdeset ta sjellë në vëmendje, përmes ndalimit të ferexhesë (sikurse veproi edhe Enver Hoxha më vonë, duke e intensifikuar këtë masë drakoniane në ‘67, nëpërmjet ndalimit të të gjitha feve), nuk po emanciponte shoqërinë, por po e dhunonte atë. Autoritarizmi i regjimit zogist pati përshfaqjen më perverse të kësaj dhune, sidomos te bashkëpunimi me Italinë fashiste, nën Benito Mussolini-n. Ndalimi i ferexhesë në këtë periudhë historike ishte njëkohësisht nënshtrim ndaj kolonializmit italian. Kolonializmi nuk shqetësohej për emancipimin, por për asimilimin e asaj që e konsideronte “kulturë” apo “traditë” lokale. Qëllimi ishte veçse imponimi i fesë, gjuhës, kulturës dhe traditës së kolonizatorit, jo çlirimi i një pjese të grave shqiptare.

Shqetësuese nuk është prania publike e vajzave dhe grave që besojnë në islam dhe zgjedhin ta praktikojnë këtë fe, por çdo përpjekje për t’ua zhvoshkur atyre këtë të drejtë. Është tepër shqetësuese, për shembull, që z. Blushi i njeh vetes të drejtën t’u kërkojë grave të panjohura në rrugë që të pozojnë për të dhe mosmiratimin e tyre më pas ta sulmojë në emër të islamit.

“Gjatë këtyre muajve të fundit i kam kërkuar shumë grave muslimane të mbuluara, në moshë, të pozojnë për mua dhe shumica kanë refuzuar, duke vënë dorën mbi fytyrë apo duke u rrudhur nga sikleti. Islami, tradita dhe burrat nuk ua lejojnë të fotografohen.”, tregon ai.

Gratë mund të zgjedhin të mos duan të “pozojnë”, apo të fotografohen nga z. Blushi, një burrë, gjithashtu figurë publike dhe që gëzon privilegje të cilat ia fal një pozitë jo dosido pushteti. Pse do të duhet që gratë, në këtë rast, pjesë e një komuniteti fetar të caktuar, i cili shpesh bie pre e sulmeve pikërisht për shkak të identitetit të tij përfaqësues, t’u binden dëshirave apo kërkesave të z. Blushi, që, siç edhe duket, nuk janë dashamirëse?

Gratë janë të afta dhe të lira për të zgjedhur të mos ndërveprojnë me z. Blushi. Një grua mund të jetë e lirë dhe besimtare myslimane. Këto nuk janë kategori që e përjashtojnë njëra-tjetrën.

Mizogjinia e z. Blushi ia ndikon këtij të fundit imagjinatën për të shquar një realitet ku gratë zgjedhin dhe vendosin vetë.

“Një vajzë 14 vjeç me emrin Medina, që po falej sot në sheshin Skënderbej, pasi pranoi ta fotografoja, më tha se është mbuluar vetëm për sot, ditën e Bajramit, por mezi pret që vitin tjetër të mbulohet përgjithmonë.

“Përjetësisht?” – e pyeta.

“Përjetësisht.” – tha Medina duke qeshur.

Me keqardhje nuk vura re asnjë shqetësim, asnjë detyrim dhe asnjë dilemë në fytyrën e saj të pastër.”, vazhdon dikur në tekst ai.

Ky është thjesht reflektim që tregon se z. Blushi e ka njëmend të vështirë të pranojë që një vajzë apo grua është e aftë të zgjedhë atë që ajo e konsideron më të mirë për veten e saj. Teksti i tij është sulm i drejtpërdrejtë, veçanërisht për vajzat dhe gratë e komunitetit mysliman në Shqipëri.

“Sot, muslimanët e Shqipërisë gjithnjë e më shumë i veshin vajzat dhe gratë e tyre si një detyrim ndaj Islamit duke e përdorur shaminë si shenjë dalluese. Duket sikur muslimanët dhe sidomos gratë e tyre duan ta shpallin që janë muslimanë në distancë. Kam folur me shumë nga këto gra dhe të gjitha më thonë se ndjehen më të mbrojtuara nga burrat dhe nga shoqëria, më të lumtura dhe gjithnjë e më të integruara në komunitetet ku jetojnë duke u mbuluar.”

Blushi e demonizon komunitetin mysliman, duke u hapur kësisoj rrugën sulmeve kundër tij. Njëkohësisht, vajzat e gratë myslimane i zhvesh nga autonomia. Ai i paraqet ato si kukulla në dorën e burrave myslimanë.

Ajo çka z. Blushi dështon të kuptojë është realiteti thellësisht patriarkal i shoqërisë sonë, në të cilin një kontribut të majmë ofron edhe vetë ai.

Në një kontekst patriarkal, rëndom, bashkëshortët, etërit apo pjesëtarët e tjerë meshkuj të familjes vendosin për vajzat dhe gratë, jo vetëm për mënyrën e tyre të të veshurit, por deri edhe te zgjedhja e një partneri për to etj. Afërmendsh, të gjitha komunitetet fetare, përfshirë komunitetin mysliman, nuk i shpëtojnë dot dhunës patriarkale. Patriarkalizmi gjen shtigje në sisteme paralele, qofshin këto fetë apo kapitalizmi, për shembull, por jo vetëm. Simbioza që krijohet nga këto shkrirje sistemore e diversifikon shtypjen, duke ofruar më shumë instrumente për të. A janë burrat myslimanë problemi apo mënyra se si patriarkalizmi manifestohet te burrat dhe gratë e shoqërisë sonë, ku raportet hierarkike janë të atilla që burrave u garantojnë pozitë dominuese dhe grave pozitë nënshtruese?

Patriarkalizmi nuk lindi me fenë, por me etjen për pushtet dhe kontroll. Te fetë ai shpesh mund të ketë gjetur rrugëdalje të formave të ndryshme si tjetërkund, por për këtë nevojitet një diskutim më vete.

Vuajerizmi i z. Blushi mbi vajzat dhe gratë myslimane në shesh, ditën e Bajramit, është një tregues pikërisht i këtij konteksti dominant patriarkal. Vështrimi i tij, sikurse përkthimi i këtij vështrimi në tekst, është një kontribut i mëtejshëm në ruajtjen e status quo-së aktuale:

“Shumë nga vajzat që pashë sot në sheshin Skënderbej ishin zbukuruar, kishin lyer buzët, ishin parfumosur, kishin syze dielli, rrinin mbi taka dhe nuk kishin mbuluar trupin detyrimisht.

Falja e Bajramit dukej si një sfilatë mode, një garë mes hixhabëve, shadorëve, nikabëve dhe shumë pak burkave të zeza.”

Do të ishte një gjest i mençur dhe fisnik nëse z. Blushi do të kërkonte ndjesë e, gjithashtu, nëse ai do ta fshinte postimin dhe fotografinë shoqëruese në faqen e tij, ku shfaqen gjashtë vajza minorene. Ndër të tjera, teksa prindi i dy prej tyre ka ngritur shqetësimin, përmes një postimi publik, gjithashtu në Facebook, duke deklaruar:

“Vajza që ka marrë shembull është Medina, bija ime. Ben Blushi ka marrë fotot sepse iu është prezantuar vajzave si fotograf e ato menduan se do kishin disa foto të bukura nga festa e Kurban Bajramit, por Beni kishte të tjera qëllime. Ato nuk e njihnin Benin se kush ishte as e kane idenë edhe sot e kësaj dite kush është.

Gjithsesi, gëzimi i kesaj feste iu ndërpre kur i panë vetet e tyre qe u bënë virale nga shumë portale të cilat mezi presin ndonjë shkrim islamofob. […] Unë si prindi i Medinës dhe Uesilës deklaroj se vajzave të mija iu është marrë kjo foto e mëposhtme në keqbesim e me dashakeqësi.”

Gjithashtu, teksa njëra nga vajzat e pranishme në fotografi është shprehur:

“Unë jam një nga vajzat në atë foto: Uesila Zeqo. Doja të thoja që absolutisht, zotëria nuk e ka pasur miratimin tonë për të publikuar foton. Madje kam screenshot (foto të ekranit), ku i kam kërkuar personalisht, që fotot të mos publikohen (kjo para se të hidhej postimi i z. Blushi).”

Blushi ankohet për burrat myslimanë, por ndërkohë është ai vetë, një burrë në moshë të pjekur, që përdor identitetin e një të miture 14 vjeç përmes publikimit të dialogut krahas fotografisë dhe emrit të saj për propagandën e tij islamofobe. Gjithashtu ish-pjesëtar i Parlamentit të Shqipërisë, z. Blushi duhet të kuptojë se abuzime të tilla janë tagër i institucioneve të drejtësisë, që përcaktojnë kufirin dhe pasojat e ndërveprimit me një person 14-vjeçar, në mungesë të prindit apo të një kujdestari të ligjshëm të tyrin. E njëjta gjë vlen të thuhet për përdorimin e imazhit të një të miture online për propagandë.

Në shoqërinë tonë ka vend për të gjithë ne, pavarësisht besimeve tona fetare, bindjeve, etnisë, identitetit gjinor apo orientimit seksual. Ajo për të cilën nuk mund të ketë vend është dhuna.

 

(c) 2022 Gresa Hasa. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet rreptë ribotimi i shkrimit pa lejen e autorit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin