LOJËRA ME FATIN

lojera_fatiAjo që i mungon shoqërisë shqiptare në qëndrimin ndaj lojërave të fatit është pikërisht vizioni shumëplanësh i dukurisë. Natyrisht, ky vizion i duhet në radhë të parë politikës, së cilës i takon që t’u japë zgjidhje konkrete problemeve. Por fillimisht lipset të kuptojmë problemet që shtrohen për zgjidhje.

Pavarësisht se reagimi i qeverisë shqiptare mund të konsiderohet si invaziv nga një palë, dhe si e pamjaftueshme nga pala tjetër, duhet thënë se opinioni publik i sheh me simpati ndërhyrjet e shtetit në fusha të tilla. Në këtë pikë basti duket i fituar.

Gjithsesi, qëndrimi që mbajti qeveria shqiptare ndaj qendrave të basteve dhe lojërave të fatit frymëzohej kryesisht nga motivet ekonomike, të ndërthurura me ato të krimit të organizuar. Thënë ndryshe, shteti shqiptar vendosi t’i godiste qendrat e lojërave të fatit nga pikëpamja ekonomike (shkelje financiare) dhe ajo e rendit (vepra penale). Po t’i hidhni një sy faqes internet të Njësisë së mbikëqyrjes së lojërave të fatit, do të shihni përkatësinë e strukturës në kuadrin e Ministrisë së Ekonomisë, si dhe objektivat e saj me karakter tekniko-fiskal (regjistrime, kontrolle, gjoba, të ardhura, fitime, tatime, taksa, etj.). Pika e fundit thotë: “Inspektorët e NJMLF-së vendosin gjobë, bllokojnë veprimtarinë dhe sekuestrojnë pajisjet e lojërave të fatit, kur një person fizik apo juridik e zhvillon veprimtarinë në fushën e lojërave të fatit në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji ose pa liçencën përkatëse, të lëshuar nga autoriteti i autorizuar për dhënien e saj”.

Cilido që do të pohonte se njësia e lartpërmendur është ngarkuar pikërisht me atë detyrë, pra bën punën e vet, ka pa dyshim të drejtë. Këtu nuk kritikohet puna e atyre që duhet të kontrollojnë aktivitetin e qendrave të bastit. Përkundrazi, kjo punë duhet inkurajuar. Mirëpo, a mund të luftohet një dukuri komplekse, që prek shumë aspekte të shoqërisë shqiptare, vetëm nëpërmjet gjobave dhe sekuestrimeve?

Siç u tha edhe në një koment të mëparshëm, kemi të bëjmë me një dukuri sociale, ekonomike e kulturore, pra tejet të ndërlikuar. Veçoritë e saj mund të studiohen një për një, nga disa këndvështrime. Megjithatë, arrin një pikë, sikurse historia e pulës me vezën, ku është e vështirë të kuptohet nëse qendrat e bastit janë pasojë apo shkak, përderisa më pas funksionojnë si gjeneratorë riprodhues të asaj ekonomie, shoqërie apo kulture që u dha jetë fillimisht. Është e qartë se shoqëria shqiptare, pikërisht ajo që lejoi dje firmat piramidale, krijon humus kulturor të favorshëm për lulëzimin e qendrave të bastit. Duhet parë megjithatë nëse kjo lidhet me ekonominë e pazhvilluar, apo me aspekte të tjera. Italia, p.sh. ka ekonomi të zhvilluar, edhe pse po vuan së fundi nga kriza ekonomike, e megjithatë lojërat e fatit janë bërë problem i rëndë social. Po lindin në çdo rrugë, si kërpudhat pas shiut. Për hir të së vërtetës, duhet kujtuar se në kohë krizash, njerëzit u drejtohen më shpesh qendrave të bastit. Por kjo ka shpjegimet e veta psikologjike. Mos vallë kriza e përhershme shqiptare, ose përndryshe tranzicioni pambarim, lidhet me përhapjen e kazinove dhe lotarive? Pyetje legjitime.

Desha të shtoj gjithashtu, se qëndrimi i shtetit duket disi i dyshimtë, për sa kohë jo vetëm i lejon, por edhe nxjerr parà të majme nga këto aktivitete me anë të tatimeve dhe taksave. Mirëpo kjo dilemë nuk do të zgjidhet ndonjëherë, sepse e njëjta gjë mund të thuhet për pijet alkoolike, duhanin, etj. Ndoshta duhet kërkuar një ekuilibër, midis ekonomisë, lirisë dhe përgjegjësisë. Fakti është se shteti shqiptar ka miratuar lloj lloj strategjish (kundër drogës, kundër krimit të organizuar, etj.) por jo lidhur me lojërat e fatit.

Mungon edhe diçka tjetër e rëndësishme në debatin publik për lojërat e fatit: fjala etikë. Mendoj se çelësi i zgjedhjes së problemit qëndron tek kjo fjalë. Pavarësisht se fjalët e dikurshme për lojërat e fatit nuk bindin sot, ngaqë realiteti ka ndryshuar, ato ofronin dikur diçka më tepër se përcaktimin e dukurisë. Kumari, kumarxhiu, bixhozi, bixhozçiu, ishin fjalë që e kishin negativitetin brenda, sepse bashkësia u kishte vënë vulën e vet morale. E kush nuk ka luajtur në Shqipëri me letra? Me gishtat e dorës mund të numërohen. Porse bixhozi, nuk ishte lojë me letra normale, por ishte “lojë me letra a me diçka tjetër për të nxjerrë fitime, që mbështetet zakonisht te rasti, te dredhitë e te mashtrimet e pjesëmarrësve”, siç thoshte Fjalori.

Edukata familjare që më kanë dhënë për lojërat me letra ka qenë elementare: po luajte me pare është bixhoz, po luajte për qejf është lojë. Një nga arsyet që shahu më pëlqente si lojë, ishte pikërisht se nuk puqej asfare me paret. Nuk kam dëgjuar ndonjëherë që dy shahistë të luajnë me lekë. Sfida është shumë më lart se ultësia e monedhave.

Nejse. Bixhozçiu asokohe ishte person që shikohej me dyshim nga kolektiviteti, shpesh emargjinohej, ndërkohë që ligji e dënonte rreptësisht. Kjo nuk do të thotë se ishte diçka e mirë. Jam dakord se dukuria e basteve duhet parë edhe si patologji, pra si vartësi. Jam dakord me komentin si pas të cilit lojërat e fatit janë sëmundje e individit, që shkatërron fillimisht jetën e individit e më pas të familjes e më gjerë. Lidhur me qëndrimin e shtetit në këtë pikë më vjen krahasimi me automjetin, edhe pse nuk përputhet njëqind për qind. Shteti vë rregulla për sigurinë në rrugë, ta zëmë kufizon shpejtësinë, sepse qytetari mund të dëmtojë veten por edhe të tjerët. A mund të thuhet se shteti po kufizon lirinë e individit për të ecur sa më shpejt që të jetë e mundur? Edhe mundet, por për shpejtësi marramendëse ka pista të caktuara, me rregulla po aq të forta.

Në Itali, kohët e fundit, po rrënjoset fjala ludopatia, që shënjon sëmundjen e atyre që luajnë. Përdoret edhe në spanjisht. Si fjalë përbëhet nga dy pjesë: ludo– (nga latinishtja lūdu(m), ‘që lidhet me lojën’) dhe –patia (nga greqishtja –pátheia, ‘sëmundje’). Megjithatë, kjo fjalë nuk është tepër teknike. Më specifike është gioco d’azzardo patologico, që i korrespondon anglishtes pathological gambling, ose compulsive gambling. Sidoqoftë, fjalët që kanë konotacionin negativ brenda janë më efikase në komunikim e në edukim gjithashtu. Që duhej një koncept i ri për lojërat e fatit, që të përfshinte edhe lojërat elektronike, nuk ka dyshim, por mua përkufizimi “lojëra fati” më duket tejet beninj për të përshenjuar një fenomen kaq të debatueshëm. Gjithsesi, përkufizimi i ri ua qepi virgjërinë lojërave të bixhozit të vjetër dhe kumarit të shëmtuar. “Lojërat e fatit” quhen sot, e nuk është se duhet t’i marrin lejen kurrkujt në veçanti; por bashkësisë i takon që t’i japë një konotacion dukurisë, duke përdorur terminologji tjetër ose duke forcuar të vjetrat. Pavarësisht se duket si lojë fjalësh, kërkohet pa diskutim një qëndrim etik ndaj dukurisë së lojërave, siç është parë e verifikuar tashmë në Shqipëri.

Bie në sy mungesa e publicitetit institucional kundër përhapjes së dukurisë në fjalë. Edhe mungesa e shoqatave dhe e qendrave të specializuara në luftën kundër patologjisë së lojës tregon diçka nga shoqëria shqiptare. Shumë prej nesh do të kënaqeshin sikur të shikonin në dyert e ndonjë bari tabelën me shkrimin kundër rrymës: “Nuk luajmë me fatin e tjetrit. Në këtë lokal nuk lejohen lojërat e fatit”.

Për shtetin shqiptar do të jetë më e lehtë ta luftojë dukurinë në çastin kur qytetarët do të ndërgjegjësohen se lojërat e fatit nuk janë modeli i shoqërisë së ardhshme. E ardhmja jonë nuk duhet të kalojë përballë tryezave dhe ekraneve të lojërave. Pastaj, lojërat e fatit nuk janë aq “të fatit”, meqë dihet nga të gjithë se ai që fiton gjithnjë, me siguri matematike, është pronari i qendrës së bastit. Edhe ai që humbet dihet. “Unë fitoj çdo ditë”, më tha një koleg pune. “Sepse nuk shkoj në qendra basti e nuk blej lotari. Fitoj pak, por më mjafton”.

Nuk ka komente

  1. Ka nje perzjerje te gabuar do te thoja une ne trajtimin e ketij fenomei nga ju. Kjo mbase vjen ngaqe nuk i keni hyre ne brendesi ketyre aktiviteteve. Lojrat e fatit dhe Loja me bastet sportive jane dy gjera te ndryshme dhe nuk mund te trajtohen sikur te ishin e njejta gje. Eshte pothuaj 100% e sakte pohimi juaj se ne lojrat e fatit (makinetat elektronike) ai qe fiton eshte pronari dhe shteti, por aspak e sakte ne rastin kur luhet me bastet sportive. Ka dhe nje aktivitet te trete qe eshte loja me letrat e bixhozit si poker, bridge, pesekatesh etj ku luhet edhe per te fituar para ne saje te zotesise.
    Sa per te te kujtuar, loja e basteve sportive (kryesisht me ndeshje futbolli) eshte luajtur vazhdimisht ne Shqiperine e para 90-tes por ne rruge informale. Ndersa nga lojrat e fatit (po prape informalisht) ka pas qene pllakatoni (loje me letra bixhozi) dhe loja me zarat. Ndryshimi me sot eshte se atehere nuk kishte ndermjetes – kompani dhe shtet. Jane pikerisht keto dy te fundit qe duhet te largohen nga skena ne menyre qe keto lojra ti rikthehen edhe njehere tradites. Por a do te jete kaq bamirese kjo qeveri sa te heq dore nga zhvatja qe i ben qytetareve te saj? Nuk besoj !

  2. Vërtet që kategoria e lojërave të fatit dhe e basteve sportive është shumë e pasur. Janë edhe lotaritë e ndryshme, përfshirë llojin gërvish e fito. Mirëpo, nuk duhet harruar se organizatorët e drejtpërdrejtë të lojërave fitojnë gjithnjë, kurse shteti fiton në mënyrë indirekte, nëpërmjet tatimeve, gjhithmonë.
    Puna e zotësisë është çështje më vete. Edhe ata që luajnë me letra, edhe ata që vënë baste besojnë edhe tek fati, edhe tek aftësia në lojë. Para slot machine-s ndryshon disi puna, por nuk mungojnë ata që teorizojnë jo vetëm shansin, por edhe zotësinë e tërheqjes së levës.

    Qëndrimi ynë etik ndaj lojërave të fatit në përgjithësi, përfshirë bixhozin, etj. duhet rindërtuar nga fillimi; pavarësisht nga ndërmjetësit, të cilët ekzistonin edhe vite më parë, edhe pse të pa institucionalizuar. Heqja e tyre nuk i fshin problemet psikologjike, individuale, sociale, ekonomike, për të cilat folëm më sipër. Por mund ta fillojmë prej tyre. Pse jo. Megjithatë problemi mbetet kompleks.

  3. Eshte me te vertete nje problem social. Lojrat e fatit mund t’i klasifikojme, ne lojra qe luhen me vlera monetare, dhe ne disa raste dhe materiale, dhe ne ato qe luhen pa ndonje interes, por vetem per qef( pesekatesh, spathi, etj) Problem jane lojrat qe luhen me vlera materiale e monetare. Nje gje duhet patur parasysh; keto lojra jane biznes per te fituar, te zotet e tyre dhe jo lojtaret. Nga sa kemi konstatuar, ka dy kategori lojtaresh, lojtare te pasur, qe e kane hobi, dhe luajne per adrenaline, dhe lojtare te tjere ( qe jane me te shumte), qe shpresojne se mund te zgjidhin problemet e tyre sociale me ane te fati. Dhe keshtu lojrat e fatit kthehen ne nje obsesion a ne nje ves, si puna e te alkolizuarve, qe nuk mund te jetojne pa porcionin e alkolit.
    Mendoj se keto lojra nxiten, nga niveli i larte i papunesise, sidomos per te rijte, te cilet fillimisht e nisin, si rastesi per ta provuar nje here, dhe marrin infeksionin e perhershem.
    Por ç’efekte sjellin? Pa dyshim probleme te medha sociale, kriminalitet. Themi kriminalitet, sepse personat e infektuar, duke mos patur burime parash, mundohen t’i perfitojne ne menyra shpesh kriminale. Ose personat qe humbin para shpesh, “nxjerrin dufin”, duke fyer, goditur, te tjeret.
    Po per ekonomine ? Ky aktivitet nuk pershihet as te sherbimet dhe as te aktiviteti prodhues. Jo vetem qe riciklohet nje para brenda sferes, por shpesh arketimet dergohen jasht, nderkohe qe keto para mund te sherbenin per efekt konsumi te produkteve, ushqimore veshmbathje etj.
    Kam parasysh pershkrimin e duarve te bixhozit nga libri “24 ore nga jeta e nje gruaje”, me te vertete e dhimbeshme.
    Edhe lotosporti, eshte thjesht kumar, por nje variant me i moderuar.
    mendoj se ngritja e lojrave te fatit kudo, perben nje shkak per shtimin e lojtareve. me te vertete luhej bixhoz ( dhe do te luhet), kur keto qendra do te jene te ndaluara, por jo kaq masivisht.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: