PA FOLUR PËR FINANCAT

Ditë të ashpra për fqinjët tanë grekë këto të tanishmet; ditë që zgjasin prej disa vjetësh. Si shqiptar/e, sado gjak të prishur të kesh me grekun nga histori me bazë reale, të tjera që i ke përjetuar mbi kurrizin tënd, apo edhe nga ato që të kanë ushqyer për tru-shpëlarje në shkollë, nuk mund të gëzohesh sot. Nuk mund të jesh as neutral.

Është shumë afër nesh greku në plot drejtime; dhe një pjesë e mirë e shqiptarëve, me hir e pahir, hanë, pinë, gëzojnë, fyhen, punojnë apo robtohen në atë Greqi me halle. “Halli i tyre, halli ynë” është e vërteta, edhe sikur filozofikisht e politikisht të jesh krejt i painteresuar në shtigjet e reja ku na çon të gjithëve bataku i ri i ngjarjeve ndërkombëtare. Eksitimi i disave në Internet i tipit “Ashtu të pafsha, grek, se më ke marrë shpirtin gjithë jetën!” është foshnjor dhe qesharak. Por nuk është më i pjekur e racional eksitimi “Jepi! Thyeja hundët kapitalit botëror dhe Gjermanisë naziste që të ka ende inatin e luftës!”

Nga ana tjetër, retorika e bërë turshi, se kjo po i ndodh tamam vendit ku zë fill demokracia perëndimore (europiane, pra), dhe se kjo në vetvete përbën arsye që çështja të shihet me kujdes të veçantë, mua ma përzien keq stomakun. Keni hasur tituj shkrimesh që s’vlejnë pesë grosh në disa nga të përditshmet më të njohura të botës, që bëjnë pyetje retorike të tipit: demokracia ndoshta do vdesë atje ku lindi? Apo referime Greqisë si djepit të politikës dhe filozofisë perëndimore, sikur kjo të ishte arsyeja përse njerëzia dhe Europa u dashka të mendohen mirë para se të hedhin hapin? Greqia, problemin e vet më të madh e ka kulturor, në kuptimin e kulturës si prodhim i vetes, tjetrit dhe i së përditshmes, një problem që nis pikërisht me këtë frymë falsiteti historik dhe manipulimi mendor e shpirtëror të miletit që herët në 1800, të cilin delenxhinjtë e vegjël në politikë e media nuk e lënë pa e përdorur. Ata që bien pre pastaj, nuk janë hiç delenxhinj, por janë pikërisht këta riprodhues të vegjël të ideologjive “të mëdha” që e bëjnë historinë të përsëritet, dhe Greqinë të mos luajë vendit por të mbetet në istikamin e vet të fshehjes pas Platonit dhe Aristotelit dhe jo atë të luftës për të sotmen. Së paku, ky është një problem për të cilin përgjegjësia është e vetë Greqisë e për të cilin ka pasur plot dekada të vetëndërgjegjësohet, të bëhet kritike e të ndryshojë.

Një mik i mençur poetik pak ditë para referendumit, postonte në FB këto vargje romantike nga Janis Ricos që pak a shumë rimarrin pikërisht frymën më joracionale të mundshme, dhe atë që, duke qenë dobësia më e madhe greke, i shfaros ata totalisht, i përlot, i bën të ribien në dashuri me veten e imagjinuar, dhe i rikthen të kryejnë rishtaz mëkatin e kryer kushedi sa herë në 200 vjetët e fundit: ta masin veten me hijen e mëngjesit dhe të mos e shohin drejt në sy as hallin e madh që i ka zënë dhe as veten. Poezia thotë:

Ti kurrë Greqinë mos e vajto, se mu ku bën të bjerë
me kamën ngulur thellë në eshtër, me litar në zverk,

ja tek po ngrihet përsëri, e rreptë edhe kreshnike,
dhe me fuzhnjen e diellit përbindëshin e shfaros.

Aman, o njerëz! Akoma na duhet t’i drejtohemi Zeusit që t’i mbushim mendjes vetes se Greqia është zot i vetes dhe që të çudit me bëmat e veta kur më pak e pret? Ende i duhet kjo lloj leve Greqisë vetë që të marrë veten? Nuk është rasti të evokojmë as heroizmat dhe as mitet, se ata s’japin bukë as Euro, por thjesht dehin. Fakti që masave u hidhen sheqerka të tilla për t’i qetësuar, nuk justifikon asnjë gazetar që të përdëllehet, sado anti-kapitalist qoftë. Analiza e borxhit grek, marrëdhënieve problematike financiare të Greqisë me bankat e mëdha europiane dhe me vetë administratën e BE-së, si dhe e historisë së shpërdorimeve institucionale që ende ndodhin në Greqi dhe gjetkë, duhet bërë pa dyshim dhe duhet të jetë holistike; një analizë që investigon historikisht ekonominë politike të kapitalizmit është e vetmja teori shpjeguese e llumit ekonomik në të cilin gjendet bota, dhe në të cilin Greqia u rras keq e udhëhequr nga një klasë politike dhe teknokratike e korruptuar dhe e prirë për përfitim personal. Së paku kjo analizë të shpjegon e të hap sytë; por ajo nuk jep zgjidhje, sepse revolucion nuk ka e as duket gjëkundi në horizont. Thuhet se borxhin do ta paguajnë grekët e thjeshtë, por besoj se efekti negativ është shumë më i gjerë se aq. Ajo që dihet është vetëm se ata që më tepër janë fajtorë për gjendjen, më pak do vuajnë pasojat.

Edhe për të respektuar fukarain në Greqi dhe tjetërkund, pjesën e ofshamave të përlotura foshnjore që rrisin adrenalinën pa dhënë ide konstruktive e realiste nuk duhet t’ia lejojmë vetes, edhe kur emocionohemi nga majtistët e rinj të Syrizës greke, që për pak na bënë të besojmë se ndoshta e kishin prej vërteti ideologjinë e vet. Intelektualëve europianë nuk u falet t’u drejtohen edhe pas 200 vjetësh Platonit dhe Aristotelit kur duan t’i dalin në krah grekëve, dhe grekët jo vetëm që nuk duhet të imitojnë edhe një tjetër herë europianët në këtë trend tragjik, por duhet të ndihen të fyer nga kjo lidhje e bërë bozë, baltë, mut tashmë. Është dinjitet ta shohësh veten për çfarë je, dhe të duash që ashtu edhe të të shohin. Keni dëgjuar europianët t’u referohen ndonjëherë libanezëve si fenikas apo irakenëve si babilonas? Asnjëherë! Dhe arsyeja nuk është thjesht pavolitja që vjen nga ndryshimi historik në etnonime. Puna është më e komplikuar se aq, se, sa për emra, europianët ata t’i heqin e t’i vënë si ua do mihdeja, dhe madje të bëjnë edhe të besosh se ke pasur gjithnjë emrin që mbanin të parët e tu para 2000 vjetësh, e të harrosh emrin që pate dje. Greqia është dëshmitare nderi për këtë.

Vitet e fundit jam kthyer e rikthyer në Greqi e interesuar në gjuhët minoritare atje, ose ato që gjuhëtarët, nga që në Greqi nuk njihen (as zihen me gojë, sikur të mos kishin qenë kurrë) dhe lihen t’u humbasë emri, i quajnë “gjuhë minoritare jozyrtare”. Kam qenë gjithnjë e revoltuar me qëndrimin grek ndaj gjuhëve minoritare, me stërmundimin zyrtar për t’i shtypur, injoruar e mohuar në emër të kombit modern e të centralizuar, me flasitetin dyfytyrësh që, ndërkohë që mbahet si anëtar pararendës dhe i emancipuar i BE-së, nuk firmos kartën e minoriteteve (ECRML) dhe injoron me argumentim arrogant dhe reaksionar çdo përçapje bërë në këtë drejtim. Rezultati është që, nga një hapësirë me diversitetin më të madh në Ballkan, është kthyer në djepin më shfarosës të diversitetit. Po ashtu, në prodhuese të një kulture dominante gjuhësore ksenofobe dhe të mbyllur, mbushur me paranojë e falsitet. Nuk janë të vetëm grekët në këtë punë; më famëkëqijtë na vijnë nga historia e Francës së përparuar, por në Greqi ende nuk e dinë se kësaj ideologjie sot i ka vdekur nëna dhe gjithë farefisi. Problemi është që në Greqi orët kulturore janë ende me të kurdisur, ngelin shpesh, dhe pastaj akrepat çohen atje ku e do puna. Por cila është mburoja kulturore që i ka lejuar të jetojnë në falsitet dhe mohim, nacionalizëm dhe tribializëm shpesh shovinist, prodhues ideologjish që u ka ikur koha, ndërkohë që institucionalisht Greqia ka avancuar në botë në mënyrën më të sukseshme të pritur?

Yannis Hamilakis[1] (2007) e shpjegon falsitetin e kulturës moderne kombëtare greke “ende sot ekzistuese”, si të ngritur mbi bazën e narrativës kristianohelenike (marrë borxh nga kohë të nacionalizmit romanticist), dhe të diskursit të vazhdimësisë së pandërprerë (dhe të domosdoshme) nga antikiteti klasik në ditët tona. “Mentaliteti i sanitizimit dhe purifikimit [gjuhësor, kulturor, fetar, P.) ka qenë qendror në diskursin kombëtar në përgjithësi… grekët modernë duhet të provojnë se janë vazhdues të denjë të lavdisë klasike, sidomos për sytë vëzhgues të të huajve” [perëndimorëve, P.] p. 198.

Ngjarjet e reja politike ndërkombëtare nuk duhet të bëhen shkas që Greqia të endë fillin e primitivizmit ku e ka parë veten rehat sepse e gjeti të gatshëm atë pëlhurë nga Penelopa, të prodhojë kulturë që kalon mes rrotës së superioritetit të madhështisë antike (dinakërisë, bukurisë, trimërisë, mençurisë apo çfarëdo kallëpi të gatshëm që hyn këtu), dhe tjetrës, të inferioritetit ndaj europianit që adhurohet bindshëm nën maskën e urrejtjes. Ai fill ia ka mbajtur këmbët të lidhura. Grekëve u duhet një kulturë e re, dhe një modernizim e qytetari e vërtetë dhe e ndershme. Por shqiptarëve kjo hapje dhe kulturë e shikimit kritik të vetes u duhet edhe më fort se grekëve, dhe ne s’kemi as Aristotel pas të cilit të fshihemi për të zbutur Europën. Ndaj as duhet të gëzojmë të keqen e fqinjit, dhe as të brohorasim fitoren e tij pa ardhur ende, por të shohim si të mësojmë prej saj.

[1] The nation and its ruins: antiquity, archeology, and national imagination in Greece. Oxford University Press

Nuk ka komente

  1. Pare ne perspektiven shqiptare (si shtet) ne na intereson fort si do perfundoje kjo beteje, jo vetem sepse ne Greqi jetojne e punojne qindra mijera shqiptare. Duhet te bien kembanat e alarmit kudo ne Evrope nese nje vend si Greqia, prej kohesh antar i BE dhe Euro, mund te qitet me shkelma jashte (sic insiston Gjermania ditet e fundit) pavaresisht faktit se sot nuk ka asnje rregull ne librat e BE/euro per te qitur nje vend jashte, e pavaresisht faktit se oferta e fundit e paraqitur nga GR (Greqia) ka me shume koncesione greke sesa oferta e fundit te cilen BE ia paraqiti GR. Kjo perplasje nuk behet vetem per Greqine, aq me pak vetm per borxhine saj, eshte nje fushe beteje per karakterin e BE ne te ardhmen dhe politikat dominuese ne BE e me pas ne gjithe rajonin (e ketu perfshihen vendet jo-antare si Shqiperia). Me gjase, kembanat do bien me pare ne vende qe rrezikohen me pak nga predominanca e fuqive te medha sesa ne Shqiperi ku diskursi publik eshte i degjenuar edhe per ceshtje me pak toksike sesa ceshtja “Greqi”.

    Me te drejte ekonomisti amerikan Paul Krugman tha qe populli grek tashme ne krize ekonomike disavjecare ka paguar mjaft per fajet e qeverive te veta, edhe sa duhet te paguaje? Loja per dominance e Gjermanise dhe shteteve te influences gjermane ne BE eshte krize reale per njerez reale ne Greqi, njerez te cilet deri dje e kishin idene se jetonin ne gjirin e ngrohte te kesaj gjese moderne dhe dashurore te quajtur Bashkimi Evropian. E kur Gjermania do te penalizoje Greqine kaq ashper vetem pse ata guxuan te ngrene krye kunder saj e te bejne gjera “absurde” si vota popullore e referendumit–forma me direkte e demokracise–imagjino se c’mund ti beje Shqiperise nje Gjermani e BE qe nga kjo beteje do dilnin me prepotente dhe me justifikuar ne kete agresivitet.

    Sa per pjesen tjeter te artikullit, plotesisht dakort per te gjitha ceshtjet, ndac per shkeljen e te drejtave te njeriut nge Greqi, ndac per faktin qe Greqia prej vitesh ishte nje piramide fiskale. Por ato ishin ceshtje per te cilat BE e Gjermania (e sidomos Franca, kumbara e Greqise ne BE) duhet ta kishin detyruar Greqine te reformohej PARA se te futej ne BE, jo 5 vjet pasi ajo eshte praktikisht e falimentuar e banoret e saj po shkojne deri aty sa nje pjese po vrasen veten nga deshperimi.

    Pra nuk mund te reduktohet sot kjo ceshtje ne nje debat “ky ka faj por dhe ai ka faj”, e aq me pak ne nje ceshtje tip lufte a diference kulturash, nuk eshte ceshtje a debat parimor apo muhabet kulture ne nje kohe e ambien te rehatshem tip kolltuku ne lokal; kjo ceshtje prek direkt sot jeten aktuale te miliona banoreve te Greqise, e ka pasoja per jeten e gjithe banoreve te Evropes ne te ardhmen.

    1. Xhibi: e perdor fjalen kulture jo si njohuri per “commedia dell’arte” apo per poezine fantastike dhe makabre te periudhes viktoriane, por si pelhuren e merredhenieve njerezore, pra edhe si baze te cfaredo hapave ekonomike brenda Greqise apo ne kuadrin e BE-se.

  2. Qeth e qeth s’ ngeli gje, vetem nje top leshi i qethur. Aristotelerat, kulturlleqet e revolucionet s’ na hyjne fare ne xhep. Konkretisht cilat mund te jene efektet ne ekonomine tone, humbasim apo perfitojme? Emigrantet do levizin drejt Europes apo do shtojne numrin e te papuneve ne Alb. ? A eshte me i besueshem miti i Europes? Nqs Ciprasi del nga euro, vazhdon me qasjen e nacionalizmit ekonomik dhe ve themele te forta per te ardhmen a ja vlen te ndjekim modelin e tij? Keto e te tjera kane vlere sot jo elukubracionet kulturore.

  3. Do konsultohem me orakullin e Delphit, Hyllin, dhe do te te kthej pergjigje per disa nga pyetjet e tua. Disa te tjera do i diskutoja me qejf ne forme spekuluese, por jo me dike qe i afrohet diskutimit me tonin tend. Dhe, se fundmi, s’je vetem ti dhe interesat e tu thellesisht ekonomike e shifrore ne bote; po ashtu edhe qasjet ndaj nje problemi mund te jene te ndryshme, dhe kur ty s’te interesojne, leri menjane. Sidoqofte shumica e shkrimeve botuar muajt e fundit per kete ceshtje neper bote jane sipas metrit dhe shijes sate.

  4. Nje vendi si Shqiperia, me planin afatgjate, i duhet te perballet me dy sfida te medha.

    E para ka te beje me modelin ekonomik te zhvillimit. Modeli yne nuk eshte fort i ndryshem nga ai grek, por jo vetem. Marrje borxhi ne rritje (po shkon 80% te GDP-se), paaftesi ne mbledhje taksash, privatizimi agresiv i aseteve shteterore dhe thellim i hendekut midis te varferve dhe te pasurve. Me pak fjale ky eshte nje model amerikano-latin i ngjashem shume edhe me Argjentinen qe falimentoi nje dekade me pare. Madje shume me i gjashem me keto te fundit pasi Greqia pati nje fat qe u pompua nga paraja e Evropes, ndersa Shqiperine nuk e ka kush ne prioritet.

    E dyta ka te beje me perqasjen konceptuale. Shoqeri si ajo greke, shqiptare e te tjera ne rajon, jane shoqeri kryesisht perfitonjese. Ato tentojne tu bashkangjiten organizmave me te forte kryesisht per te perfituar e jo per te kontribuar. Politikanet qe drejtojne keto vende nuk kane prioritet zhvillimin e vendit por hedhjes se lumit (futjen ne Evrope) me qellim qe pastaj Evropa t’i mbaj me pare. Per sa kohe ky mentalitet do te jete mbizoterues, cfaredo fondi, i brendshem apo i jashtem qofte, do te merret me qellim shperdorimi dhe jo zhvillimi. Pa nje reflektim qe vjen nga brenda, keto shoqeri jane te destinuara te deshtojne sepse do te jene te afta te prodhojne vetem sisteme piramidale.

  5. Sado mekate te kete Greqia, dhe shumekush ne Ballkan e Shqiperi i njeh mire ato pasi vegjetojne me te njejtet demone, qofshin ekonomike, politike apo kulturore, sado diletante te jete qeveria e Syriza’s ne negociatat per shmangjen e falimentimit te Greqise, eshte koha per ta trajtuar Greqine si nje ceshtje me te gjere, si nje ceshtje drejtimi te vete Europes. Ajo qe po na shohin syte eshte dramatike e para se gjithash nje falimentim moral i Europes. Kur ministri Gjerman i financave flet tashme per rivendosjen e besimit dhe shton kushte denigruese per rihapjen e negociatave pertej atyre qe u refuzuan ne referendum, apo sa here nje qytetar francez, gjerman apo finlandez i ben pyetjen vetes perse duhet te paguajme ne per greket (keta pijanece barkderre uzosh) ideja europiane vdes per te mos u ngjallur me. Me kot therriste ish-kryeministri Kohl para pak vitesh ne kongresin e CDU-se, kur akoma i kish mbetur pak ze, se Greqia duhej ndihmuar pa kushte dhe me cfaredo kostosh, aty e sheh ndryshimin e politikaneve te pasluftes me aparatciket gjermane te sotem.

    Problemi kryesor nuk eshte financiar (GDP e Greqise eshte vetem 2% e asaj te EU) po flasim ketu per kokrra bizelesh per Gjermanine. Aq me teper qe problemi ekonomik eshte teknikisht sa tek arkitektura e gabuar e Euros dhe institucioneve Europiane aq edhe tek mungesa e lidershipit gjate kesaj kohe krize nga Franca e Gjermania te cilat duhej ta kishin shfrytezuar krizen per integrim me te thelle. Problemi qe po shohim sot nepermjet Greqise eshte qe solidariteti dhe konsensusi europian i pasluftes eshte ezauruar, per tja lene vendin numerimit te bizeleve nga Merkel dhe Schaeuble. Europa eshte ne gjendje te mjerueshme ku partite e ekstremit te djathte gelojne nga cepi ne cep aq sa kur futesh serish ne Europe e kap gazeta me dore, dhe flas ketu per vende si Gjermani, Danimarke apo Finlande, te duhet te zesh hundet. Vetem pak ditet e fundit mediat gjermane filluan te dalin nga rrjeshti dhe ta vene seriozisht ne dyshim kursin jofleksibel te Merkel, vetem pas mesazheve nga Franca se Greqia duhet pare si ceshtje me e gjere europiane. Vone, teper vone. Per mua Gjermania ka deshtuar ne menyre spektakolare ne strategji e drejtim politik te Europes dhe nese Europa do te doje ti mbijetoje kesaj krize atehere mund ta beje kete vetem me kombinimin e meparshem te pasluftes ku Franca ka primatin politik e strategjik dhe Gjermania mbase ate ekonomik.

    Greqia duhet ti sherbeje poashtu politikes shqiptare, me gjithe problemet e medha qe ajo ka, ta rimendoje prioritetin strategjik te EU-se, nje entitet ky qe ne rastin me te keq mund te mos ekzistoje me fare pas vetem pak vitesh dhe ne rastin me te mire i shnderruar ne nje klub te kamurish, praktikisht ish vendeve te bllokut, dhe te fokusohet teresisht ne ekonomi dhe ne integrimin me Kosoven. Sheqerkat e EU-se nuk do te mjaftojne me per ti legjitimuar.

    1. Pershendetje Eni! Pikerisht, nje nga problemet madhore qe na shfaqen para eshte ai i Europes si panacea e halleve tona. Nqs greku merr fund atehere Europa s’ duhet per gje, se fund marrim edhe vete pa qene ne BE. Nqs greku merr fund nje here ne marrim fund 100 here. Se ketu problemi eshte se kjo eshte rruga e sigurte e humneres dhe ne po ecim hareshem drejt. Faktet jane ato qe jane dhe ne jemi ata qe jemi, nuk behemi dot as gjermane e as daneze, as per 10 e as per 1000 vjet.

    2. Problemi qe po shohim sot nepermjet Greqise eshte qe solidariteti dhe konsensusi europian i pasluftes eshte ezauruar

      Sic tha nje anetar i Komentariatit, statuti i kufizimeve per L2B ne mendjen Gjermane ka hyre ne fuqi. Deri tani ruanin veten (benin kujdes ne gjuhe e politike) per shkak te ndjesive qe kishin per humbjen e L2B. Kjo ndjesi u zhduk perfundimisht nga Scheuble. Gjermania tani ka dale zyrtarisht si Hegemon dhe nuk do ti ruhet me opinonit te jashtem. Kjo ishte frika e Mitterrand kur thoshte “e dua kaq shume Gjermanine sa dua te kem 2 prej tyre”.

      Nga ana tjeter, ne sensin macro, kemi te bejme me disa skica teknokratike qe kane zene vend ne mendjen e politikberesve qe jane destructive. Si struktura e Euros, apo simotra e saj ‘sequestration’ ne ShBA, jane ‘doomsday machines’ te cilat nqs vihen ne perdorim nuk ndalojne deri sa t’ia arrijne qellimit.

      Shqiptaret le te ndergjegjsohen se ‘ylli ne qiell’ eshte i ai i renies e jo i ngjitjes. Le te hapin syte

  6. Hyllin, hidhi nje sy ketij artikulli nga Blendi Kajsiu shkruar 5 vjet me pare, per disa paralelizma dhe ide konkrete se c’duhet te beje Shqiperia qe te mos perfundoje ne te njejten grope si Greqia me te njejten paradigme genjeshtare te promovuar (edhe) nga politikanet e korruptuar tane “na i zgjidh hallet futja ne BE automatikisht”.

    Kriza greke sot është kriza jonë nesër – http://www.peshkupauje.com/2010/05/kriza-greke-sot-eshte-kriza-jone-neser

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: