SHËNIME RRETH NJË LIBRI PËR BUTRINTIN (I)

nga Agron Alibali

Në qendër të idesë për zhveshjen e shtetit shqiptar nga prerogativa sovrane për menaxhimin e Butrintit dhe kalimi në duart e një fondacioni privat duket se është një libër i arkeologut britanik Riçard Hoxhes [Richard Hodges], i përmendur nga vetë ai në një intervistë televizive të majit 2022.[1] Me siguri është fjala për librin “Arkeologjia e vendkrijimit mesdhetar – Butrinti dhe industria globale e trashëgimisë”, botuar në vitin 2017.[2]

Libri prej 143 faqesh është deri diku përmbledhje e përditësuar e lëndës së botuar më parë nga autori,[3] të ndarë përkatësisht në 5 krerë, dhe pajisur me referenca të gjera e me aparatin e duhur studimor, me ilustrime të bollshme, tregues lënde, etj. që në dukje të japin përshtypjen e një punimi të mirëfilltë akademik. Hyrja e librit, në trajtë “falënderimi” [acknowledgments}, përmban një listë të gjatë personalitetesh e individësh mbështetës, e cila nis me Lordin Rothçajlld dhe përfundon me familjen e  autorit dhe me një Rafi. Aty Hoxhesi thekson se “qëllova me fat të jashtëzakonshëm që të emërohesha këshilltar i ministrit idiosinkratik të kulturës, Edi Rama, nga janari në korrik 1999, falë Shoqërisë së Hapur”. “U jam shumë borxhli Shoqërisë së Hapur dhe Edit – thekson Hoxhesi – për këtë përvojë të pashoqe” [peerless experience]. [vepra e cituar, ff. xiv – xvi].

Hoxhes dhe Hoxha

Libri çuditërisht nis me Enver Hoxhën, që sipas Hoxhes, e lidhi Butrintin me “mitet historike të atij vetë”, [4]dhe përfundon me të, duke i ftuar arkeologët shqiptarë të shkëputen “nga hija e errët e Enver Hoxhës”.[5]  Po përse vallë Hoxhes e lidh me Hoxhën Shkollën Shqiptare të Arkeologjisë, arritjet e saj të pamohueshme qysh nga periudha e Mbretit Zog, le të përmendim këtu vetëm punën e Hasan Cekës etj. Çfarë e  shqetëson atë, dhe çfarë synon ai, në fund të fundit? Çfarë nënkupton ai me rishkrimin e historisë së Mesdheut” – lexo “të Butrintit”?  Dhe pse detyrimisht u dashka lidhur puna hulumtuese, shkencore e arkeologëve dhe studiuesve të tjerë shqiptarë me “turizmin e bazuar në teknologjinë e résë”?  Mos vallë arkeologjia nënkuptohet apo shndërrrohet kësisoj në një “mall tregtar”, duke u zhveshur nga thelbi, qëllimi dhe misioni si disiplinë e rëndësishme e shkencave shoqërore?

Siç do ta shohim më tej, Hoxhesi e trajton sërish dhe fort gjurmën e Enver Hoxhës në studimet albanistike.

Butrint Viti Zero dhe “vlerat neo-liberale” për menaxhimin e tij

Nuk mohohet se Hoxhesi është i dashuruar me Butrintin. Përshkrimet e tij, në një anglishte natyrisht të përkryer, e përcjellin haptas këtë. Po si i doli Butrinti në shteg interesave të Hoxhesit? Këtë na e përcjell vetë ai përsëri në hyrje, kur përshkruan vizitën e tij të parë në shtator 1992. Shkruan:

“Vizita e parë imja ishte me sugjerim të ambasadorit britanik në Romë. Lordi Rothçajlld [Rothschild] dhe miku i tij Lordi Seinsbëri [Sainsbury] po kërkonin një arkeolog që të gërmonte këtu. Të dy burrat kishin krijuar Fondacionin Butrinti pasi kishin vizituar këtë shtet dikur pariah. Sa më takon mua, gjithmonë kisha dashur që të gërmoj një port klasik në Mesdhe: që do të ishte në rrugëkryqet e Mare Nostrum. Butrinti premtonte që të ishte shansi që në jetë të vjen vetëm një herë. [f. xii].

Befas në këto faqe të hyrjes mësojmë për herë të parë për “vlerat neoliberale” në menaxhimin e Butrintit, që nisën fill pas zbarkimit aty të Riçard Hoxhesit në shtator 1992, vit që kësisoj shfaqet si Anno Zero i Butrintit. Duke parafrazuar Hoxhesin, i cili i referohet Majkëll Herzfeldit, [Michael Herzfeld] “këto vlera neo-liberale” kanë sjellë si përparësi “mbrojtjen e këtij vendi ose genius locit[6]  të tij për vizitorë të ardhshëm” dhe “sjelljen e mendimit të ri arkeologjik në këtë vend ku koha ka ndalur ecjen e vet”. [f. xiii]

Dhe këtu Hoxhes na shfaq shkurtimisht “kontekstin” e luftës midis forcave të ndryshme [power-struggle] të përfshira në Butrint. Sipas tij, fill pas rënies së komunizmit Butrintit – por edhe sot – [still do] ia kishin vënë syrin “paladinë[7] të papenduar” për projekte të ndryshme ndërtimesh, përfshirë një aeroport diku aty pranë, që do ta ngjasonin atë me “anonimitetin tragjik të Korfuzit”.  Mirëpo “kolegët e mij këmbëngulës dhe unë”, shton Hoxhesi “treguam qëndresë” – “e cila u denoncua në një kongres arkeologjik në pallatin e ministrave (sic) në Tiranë si arkeologji turizmi…”.[8]  Këtu, me sa duket, paska qenë krisja e parë në marrëdhëniet midis Hoxhesit dhe kolegëve të vet vendas.

Më tej Hoxhesi përshkruan organizimin prej tij të një seminari të prillit 1998 “për të diskutuar krijimin e një parku në Butrint”, që një vit më vonë, në vitin 1999, solli zgjerimin e zonës së trashëgimisë botërore. Duhet theksuar se për të gjitha sa më sipër Hoxhesi përdor përcaktorët “ne” [we mounted, we contrived, we created], “i joni” [our chance]. Po atë vit, dhe “duke punuar me ministrin e kulturës, Edi Rama (kryeministër qysh nga vitit 2013)’, si dhe të mbështetur financiarisht nga Instituti Pakard i Shkencave Humane [Packard Humanities Institute] “ne ndërtuam administratën e vendosur në Butrint” që nisi punën në vitin 2000 “brenda kufijve të njohura nga Unesco” (sic) [9], pretendon ai. [f. xiv].

 

Kreu I  – Mbështetja e konceptit të ndërtimit të vendit të trashëgimisë [championing placemaking]

 Në kreun e parë të librit, që shërben edhe si hyrje, Hoxhesi hedh bazat e teorisë tij të “ndërtimit të një vendi të trashëgimisë”, teori që do të shërbejë më tej si fillesë për menaxhimin privat të Butrintit. Ai niset nga ideja se pozicioni akademik i arkeologut në universitet është vënë sot në pikëpyetje. Mungesa e fondeve? Ulja e interesit apo e numrit të studentëve? Apo përparësitë e reja për universitetet apo katedrat?  Hoxhesi nuk ndalet gjatë këtu, por shpejt hedh tezën se “ne, [d.m.th. arkeologët] i përkasim hulumtimit dhe zhvillimit të pararojës së industrisë më të madhe në botë: turizmit” dhe “s’mund ta shmangim të pashmangshmen”. Dhe më tej: “e ardhmja e disiplinës sonë do të varet tek roli që ne krijojmë për arkeologun në industrinë e turizmit”. [f. 2]

Këtu autori na kthen pas tek hyrja në Shqipëri e Fondacionit Butrinti, që fillesën e pat kur Lordët Rothçajlld dhe Seinsbëri “pranuan një ftesë nga arkeologu shqiptar, Neritan Ceka, Drejtori i Institutit të Arkeologjisë (në Tiranë), për të mbështetur hulumtimet në këtë qytet greko-romak…”. [f. 3].

Thelbi i këtij kreu janë pikëpamjet e Hoxhesit për konceptin e “ndërtimit të vendit të trashëgimisë”. Ai pranon si koncepti nuk është i ri, dhe gjendet në “parqet apo vendet rekreacionale” të shekulit XX. Sipas Hoxhesit, “ndërtimi i vendit të trashëgimisë në arkeologji është ose praktika e krijimit të identitetit, ose dhënia hua e tij tek një vendi trashëgimie i lashtë apo i ri, identitet i cili, duke u mbështetur në menaxhimin strategjik (të sotëm) të konservimit dhe prezantimit, të tërheqë vizitorë, përkrahja e të cilëve ndihmon në mbështetjen e tij, që në qasje ideale do të ishte sipas standardeve ndërkombëtare”. Bashkë me gërmimet arkeologjike, thekson ai, kjo mban parasysh edhe “krijimin e një narrative” të re, ku rol do të ketë edhe “angazhimi i komunitetit”. Mirëpo kur një vend trashëgimie merr një identiteti të ri, “sidomos në një botë të përcaktuar tani nga komunikimet e bazuara në teknologjitë e mbështetura në ré, do të thotë t’i largohesh vendores dhe të krijosh një brend [brand]”. [ff. 5-6].

Hoxhesi huazon nocionin e “vendit” [place] në kuptimin e “vendit të trashëgimisë” nga antropologu Mark Ozhé [ Marc Augé] si “një sajim, shpikje: ai është zbuluar nga ata që pretendojnë se e zotërojnë si të vetin”. Mirëpo “vendet e trashëgimisë”, së bashku me rindërtimin e peizazheve të së shkuarës, përshtatur disi me klimën, i nënshtrohen një procesi të përhershëm ndryshimi, në kundërshtim me nevojat moderniste të miteve nacionaliste të origjinës”, shkruan Hoxhesi. [f. 7].

“Supermoderniteti, nga ana tjetër, nuk prodhon vende trashëgimie.” Si shembull, Hoxhesi i referohet sërish Ozhésë: “vendet e trashëgimisë botërore të Unescos (sic) janë me përkufizim vende trashëgimie”; kurse një resort apo kamp pushimi, …me artificialitetin e përkohshëm dhe jetëshkurtër është jo-vendi thelbësor (quintessential non-place).” [f. 8]

 

Kreu II – Hija e gjatë e Virgjilit

Në kreun e II-të Hoxhesi bën një përmbledhje të historikut të përmendjes, apo zbulimit të Butrintit.

Ai e nis me një citat nga Tozeri [Tozer], një hulumtues e studiues amerikan i shekullit të XVIII i cili, kur pat vizituar Butrintin, nuk hasi në ndonjë vendas që ia dinte emrin, edhe pse në Korfuz njihej si i tillë. Kur i hipi barkës për Korfuz, Tozeri pat pyetur ofiqarin turk nëse po largoheshin nga Turqia? Përgjigja ishte: “Po, tani po shkoni në Europë”.

Më tej Hoxhesi i vë theksin përmendjes së Butrintit nga Virgjili në Eneidë, si dhe lidhja e Butrintit me  Cecilia Atikën [Attica], gruan e parë të gjeneralit Agripa të Oktavianit. Cecilia ishte e bija e Titus Pomponius Atikus [Atticus], pronar i madh tokash dhe mik i Ciceronit, pronat e të cilit, bashkë me bibliotekën e famshme, ndodheshin pranë Butrintit”. [f. 12].

Duke konfirmuar tezën e Shkollës Shqiptare të Arkeologjisë, Hoxhesi pranon se “Butrinti ekzistonte para Virgjilit. Mbishkrime helenistike tregojnë se ai ishte një vend i shenjtë i vogël shërimi [minor healing sanctuary] që i përkushtohej Asklepit. Kujtesa e tij historike shkon edhe më pas” dhe këtu ai i referohet Tuqididit dhe Strabonit. [f. 14]. Mirëpo, ndryshe nga Shkolla Shqiptare e Arkeologjisë, Hoxhesi – ndofta besnik i formimit të tij si arkeolog “klasicist”, e ndal këtu vrapin drejt lashtësisë. Historia para-klasike e Butrintit nuk pasqyrohet fare, dhe Hoxhesi kryen menjëherë një kapërcim në “periudhën e vonë romake” dhe në disa harta të shekujve XIII – XVII.

Këtu lipset të jepet mendimi i Shkollës Shqiptare të Arkeologjisë. Në një kritikë për planin e menaxhimit të Butrintit të sponsorizuar nga AADF-ja, arkeologu Neritan Ceka shprehet:

“Kjo është një trashëgimi kulturore, që në radhë të parë duhet të vërë identitetin e sitit, i cili është komprometuar që në fillim, se konsiderohet një qytet greko-romak dhe nuk është grek. Ai është një qytet prasaik nga mbishkrimet e një komuniteti lokal të shekujve III -II para erës sonë, që ishte pjesë e Kaonisë që nuk është greke dhe Epirit që nuk ishte grek. Pra që këtu këta që kanë bërë projektin nuk janë të qartë që këtu kemi një kulturë të vendit tonë.”[10]

Me fjalë të tjera, thelbi i punës së Hoxhesit lidhur me Butrintin është mohimi i kulturës vendase para-helenistike të Butrintit.

Edhe më tej, në përshkrimin e historisë fluide të Butrintit derisa u zotërua nga Venediku më 11 qershor 1386 Hoxhesi e ve theksin tek lidhjet e Butrintit me Korfuzin dhe me hapësirën gjeografike që sot shtrihet në jug të kufirit të sotëm Greqi-Shqipëri. [ff. 15-16.] Nuk jepet aty asnjë lidhje e Butrintit me Delvinën a Gjirokastrën, apo me qytete të tjera të rëndësishme në veri, si Vlora etj. Dhe këtu Hoxhesi na shfaq mendimin, të kritikuar nga arkeologë shqiptarë, sikur kinse Butrinti për Venedikun bënte pjesë në “vijën e parë të mbrojtjes kundër shqiptarëve dhe më pas të otomanëve”.[11]

Për periudhën vijuese, Hoxhesi përmend vizitorë të ndryshëm në Butrint, si Kristofor Buondelmontin [1420], Qiriakun e Ankonës [24 dhjetor 1435], poemën epike neo-latine fiksionale Carlias të Ugolino Verinos [1438-1516] që, sipas Hoxhesit tregonte gjithashtu se Butrinti “në fund të shekullit XV ishte një mburojë kristiane në bregun e Ballkanit”.[12]

Poshtë nëntitullit “një vend me kuptime të shumëfishta” dhe duke iu referuar periudhës historike nga momenti kur Butrinti hyri në zotërimin e Ali Pashë Tepelenës e deri në vitin 1991 – theksojmë edhe njëherë, deri në viti 1991-  Hoxhesi bën një pohim sa të çuditshëm, aq edhe të pasaktë. “Që nga kjo kohë [fundi i zotërimit venedikas, shënim imi A.A.] e deri në 1991 Butrinti i takoi një zone kufitare që u rikonfigurua disa herë”.[13] Me fjalë të tjera, Hoxhesi thotë se jugu i Shqipërisë, më saktë këtu zona e Butrintit apo e Sarandës, paska qenë e kontestuar deri në vitin 1991.

E vërteta është krejt ndryshe. Me përjashtim të periudhës së Luftërave Ballkanike dhe Luftës I Botërore, kur rajoni ra përkohësisht nën administrimin ushtarak apo pushtimin grek dhe më pas të Italisë, Butrinti kurdoherë ishte nën sovranitetin dhe zotërimin politik të shtetit osman dhe më pas të shtetit shqiptar.  Këtu vlen të theksohet se Hoxhesi, që e mban veten si autoritet botëror për Butrintin, injoron tërësisht punën dhe kontributin e Shkollës Shqiptare të Historisë për periudhën e viteve 1300 – 1800 për këtë trevë, ku përmendim jo përjashtimisht Aleks Budën, Kristo Frashërin, Selami Pulahën, Pëllumb Xhufin, Ferid Dukën, Aurel Plasarin e të tjerë.[14]

 

Hoxhesi midis “mbretërive” dhe “republikave”

Pasi përmend në vijim vizitorët e njohur në atë trevë, si Martin Likun [Leake], 1835; Pukëvilin [Pouqueville], 1820; Dyprenë [Dupré] dhe Mejtlend [Maitland], 1819; Liër [Lear], 1848 dhe 1857; dhe Tozer, 1867, Hoxhesi na përcjell një “xhevahir” të rrallë me pasaktësi të habitshme historike.

 Paragrafi relevant lipset të jepet i plotë.

“Fundi i Perandorisë Otomane dhe krijimi i Shqipërisë në 1913 solli në një përvojë të ndryshme kufitare për Butrintin, fillimisht duke e bërë atë një jo-vend.  Në pranverën e vitit 1913 Butrinti iu kalua shkurtimisht Greqisë. Italianët e kundërshtuan këtë vendim, si dhe atë për Kepin Stillo, dhe në Traktatin vijues të Londrës krahu lindor i Ngushticave (sic) të Korfuzit iu dha republikës së re të Shqipërisë. Minoriteti vendas grek u zemërua dhe për gjashtë muaj administroi rajonin si mbretëria e pavarur e Epirit Vetus përpara se t’i kalonte pa dëshirë Shqipërisë, me paqen të siguruar nga një fuqi paqeruajtëse italiane deri më 1919”.[15]

Ngadoqë ta nisësh analizën, paragrafi të habit me gafat e pakuptueshme të Hoxhesit, që janë për të vënë duart në kokë.

“Shqipëria e vitit 1913-1914 ishte republikë?!”. A e di Hoxhesi informacionin bazë të historisë së Shqipërisë që Konferenca e Ambasadorëve e njohu pavarësinë e Shqipërisë dhe në krye të saj vendosi Princ Vidin? “Dhe më tej: “Minoriteti vendas grek u zemërua” dhe ngriti “mbretërinë e pavarur”?! Me siguri këtu Hoxhesi i referohet të ashtuquajturit “Epir autonom”, një ndër faqet më të zeza të marrëdhënieve Shqipëri – Greqi, kur, sipas Faik Konicës “një ushtri e organizuar greke, e maskuar si civilë, u vërsul në Shqipëri dhe filloi një seri sistematike dhe të përgjithshme zjarrvëniesh e vrasjes”.[16] Ndofta Hoxhesi mund të kishte mësuar nga libri i bashkëkombëses së vet, Edith Durham, e cila u bë dëshmitare e gjallë e pogromeve dhe e krimeve të pashembullta duke i përshkroi ato në një kré të veçantë të librit “Njëzet vjet lëmsh ballkanik”…

Më tej Hoxhesi vijon një përshkrim “erudit” të nismës për Butrintin të Ugolinit, që sipas Hoxhesit “ishte prehistorian dhe jo klasicist” [f.25], duke sjellë paralele me zbulimin e Trojës nga Shlimanit [Schliemann]. Si rezultat Ugolini, sipas Hoxhesit, hyri kësisoj “në Panteonin e vendbërësve arkeologjikë”, gjithnjë në përputhje me teorinë e Hoxhesit për vendet e trashëgimisë [places] dhe krijimin e tyre [placemaking]. Mirëpo, Butrinti, sipas Hoxhesit, u kthye sërish në një “jo-vend” pas ardhjes në fuqi të regjimit komunist, e deri kur Butrintin e vizitoi Hrushovi në maj 1959. Pra, nga viti 1944 e deri në vitin 1959, sipas tij, Butrinti ishte një “jo-vend”.   Mirëpo vizita e Hrushovit solli ndërtimin e rrugës, dhe mandej ardhjen e inxhinierëve çekë që drenazhuan fushën pranë, si dhe vizitat e para të turistëve “që sillnin valutën aq shumë të nevojshme”. [ff. 27-28].

Dhe këtu na vjen komenti për arkeologët shqiptarë. Shkruan Hoxhesi: “Hija e Virgjilit mund të ketë nxitur vizitorët e huaj, por mesazhi i saj borgjez perëndimor, i lidhur me fashistët, u injorua në mënyë sfiduese nga arkeologët shqiptarë që përndryshe u përqendruan tek Butrinti si një fortifikatë e papërcaktuar në kohë në një vend me mentalitet të theksuar bunkeri thuajse saktësisht nga ndërtimi i 600 mijë bunkerëve. [ff. 27-28].

Këtu vjen edhe sulmi i dytë ndaj historianëve dhe arkeologëve shqiptarë, të cilët paskëshin pasur detyrë që “të ndërtonin një të kaluar shqiptare sistematike dhe të mirëdokumentuar” dhe, pra, linja kryesore e hulumtimit e tyre që mbështetej nga autoritetet ishte “formësimi i një miti origjine për ilirët” [f. 28]. Dhe për ta përfunduar me sukses sulmin e vet, Hoxhesi ndihmohet sërish nga Hoxha. Nënteksti është i qartë: ishin pikërisht citatet e Hoxhës, vija e tij, ajo që udhëhiqte punën e arkeologëve shqiptarë. Sipas Hoxhesit, ja si ishte shprehur Hoxha në një fjalim në Shkodër në vitin 1979 dhe të botuar pas vdekjes:

“Ne jemi pasardhësit e fiseve ilire. Në trojet e paraardhësve tanë kanë ardhur grekët, romakët, normanët, sllavët, anzhevinët, bizantinët, venedikasit, otomanët, dhe shumë pushtues të tjerë, pa qenë në gjendje që të shkatërrojnë popullin shqiptar, qytetërimin e lashtë ilir dhe më pas shqiptarët.” [ff. 28-29]. “Një version i citatit -sipas Hoxhesit – u derdh në metal dhe u vendos në krye të Muzeut të Butrintit”. Madje Hoxhesi shfaq edhe foton e citatit të Hoxhës. Shkruhet aty: “Përveç kulturës helene e romake, në këtë zonë ishte zhvilluar edhe lulëzonte edhe një kulturë tjetër e lashtë, kultura ilire”. [f. 29].

Ja, pra, ku qëndron problemi sipas Hoxhesit: shqiptarët e atij brezi paskan qenë të mbrujtur me mësimet e mykura të Hoxhës për lashtësinë e kulturës ilire.… Por le ta ndihmojmë Hoxhesin për një moment. Dhe këtu po sjellim në vëmendje Faik Konicën. Konica s’e njohu Hoxhën asnjëherë, dhe s’kishte se si ta njihte. Por Hoxha e njihte mirë Konicën, dhe madje nuk kursehej që ta anatemonte dhe ta kufizonte ndikimin e tij në kulturën dhe letrat shqipe. E pra, shumë kohë para Hoxhës ka qenë pikërisht Faik Konica që ka folur, me referenca të sakta mbështetur në burime “perëndimore”, siç i preferon Hoxhesi, për kulturën e lashtë autoktone ilire në Toskëri, Çamëri e më gjerë.

“Në kohët e lashta…shqiptarët quheshin ilirë”, shkruan Konica, duke shtuar se Iliria e Poshtme [Southern Illyria] e dikurshme është quajtur më vonë si Shqipëri e Poshtme [Southern Albania], edhe pse “grekët vendosën ta quajnë Epir, një emër që do të thotë “toka” [mainland], dhe që fillimisht përdorej për rajonin e banorëve të ishujve të vegjël përballë bregut shqiptar – njëlloj sikur peshkatarët e Bahamas ta quanin Floridën “toka” [mainland”], emër ky që nuk ka lidhje fare me kombësinë e popullsisë që banon në atë tokë”.  Madje Konica, duke iu referuar Pukëvilit [Pouqueville], përmend se ky i fundit e quante Konicën, d.m.th. vendlindjen e Faikut, si “kryeqytet i Ilirisë së Jugut”. Dhe më tej: “Jo vetëm që ky rajon ka qenë gjithmonë shqiptar në gjuhë e kombësi, por kufiri i elementit ilir [Ilyrian stock] shkonte shumë përtej tij”. Dhe pa u zgjatur më tej, ndofta Hoxhesit do t’i interesonin referencat “perëndimore” që jep Konica, si  p.sh. veprën e Lëbker [Luebker] “Lexicon of Classical Antiquities,” apo studiuesiin e shquar suedez Martin P. Nilsson, që botoi më 1909 në Lund një punim të titulluar  “Studies in the history of ancient Epirus,” apo madje edhe Perandorin e Bizantit Leonin e Mençur [866 – 912], që pat shkruar se “banorët e Epirit janë shqiptarë”. [habitants of the Epirus are Albanians]. Do të shtojmë edhe këtë argument tjetër të Faikut që po e parafrazojmë kështu: “nëse diçka është e vërtetë, a pushon kjo së qeni e tillë kur afirmohet nga personi i gabuar”?[17]

Sipas Hoxhesit, “Hoxha investoi tek arkeologët gjatë 50 vjetëve të regjimit të tij”.  Brezi i parë i arkeologëve në vitet 1950 “u trajnua në Bashkimin Sovjetik”, të cilët më pas “trajnuan një brez të dytë që u formësua sipas synimeve nacionaliste të Hoxhës”. “Mund të kishte radhë për bukë në kryeqytet në vitin 1988”, nënvizon Hoxhesi, por Instituti i Arkeologjisë arriti të realizojë “48 misione në terren”.  Por këto misione, sipas Hoxhesit, gjykuar nga fotot e Institutit Arkeologjik të viteve 1960, ishin krejt të shkëputura nga rajonet, që sikur i përkisnin një bote tjetër [otherness], ku ata gërmonin, dhe ku jetonin “bujq me arsim të pakët”. [f. 29-30].  Shkurt, sipas Hoxhesit, Shkolla Shqiptare e Arkeologjisê ishte si një “sekt special, shkencor i mbështetur nga regjimi”. [f. 30]. Dhe botëkuptimi i fortifikimit ishte në qendër të hulumtimeve në Butrint edhe “për brezin tjetër që punoi këtu”. Për ilustrim Hoxhesi përmend Muzafer Korkutin, që ka shkruar se “shqiptarët ndërtuan kështjella…për t’u mbrojtur nga sulmet që u vinin nga të gjitha drejtimet”. Dhe më tej. “Midis fundit të viteve 1960 dhe fillimit të viteve 1980 Apollon Baçe, Neritan Ceka dhe Gjerak Karaiskaj të gjithë botuan studime ku theksohej fuqishëm vijimësia e gjatë e fortifikimeve duke filluar nga era arkaike greke dhe duke përfunduar me periudhën osmane”. [f. 30]. Pasi përmend edhe punimin e Kosta Lakos [1975-1976] dhe të Aleksandër Meksit [1983], Hoxhesi konkludon: “Gërmimi ishte një ritual pambështetur me raportime shkencore; karakteri fundor i burimeve asnjëherë nuk u mor parasysh. Përndryshe, detyra ishte që të pohoheshin konkluzione të paracaktuara me qëllim që të promovonin shtetin”. [f. 30].

Lidhur me konservimin e Butrintit para vitit 1992, Hoxhesi ia atribuon gjithçka Ugolinit dhe misionit të tij, të cilët ‘nga viti 1928 e deri më 1936 e transformuan Butrintin në atraksionin e parë të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë” [f. 31]. Ndër shqiptarët natyrisht Hoxhesi nuk e përmend fare Hasan Cekën, por kufizohet të përmendë “ekipin e madh të punëtorëve lokalë”, të menaxhuar nga italianët. [f. 31].

Moment kulmor, sipas Hoxhesit, ishte vizita e Hrushovit në Butrint. Deri atëherë Butrinti kishte kaluar “rreth 20 vjet mungesë vëmendjeje” dhe atje “nuk pati gërmime midis viteve 1945 dhe 1959”,  derisa filloi “një cikël gërmimesh nga Dhimosten Budina, i trajnuar në Bashkimin Sovjetik”. [f. 32]. Gërmimet nga vitet 1960 e deri në 1991 të ndërmarra nga arkeologët shqiptarë rezultuan, në pjesën dërrmuese me një minimum dokumentacioni, dhe rrjedhimisht edhe “dokumentacioni i konservimit ishte i neglizhueshëm” [f. 33]. Në këtë kohë, thekson Hoxhesi, përgjegjësia e menaxhimit të vendit arkeologjik i kaloi Institutit të Monumenteve të Kulturës që, sipas tij, “ndoqi një ideologji eksplicite nacionaliste në menaxhimin dhe konservimin e monumenteve shqiptare”, duke cituar një artikull të S. Kostës të vitit 1986 [“20 vjet veprimtari për mbrojtjen, studimin dhe restaurimin e monumenteve, Monumentet, 31, 5-14]. Këtu Hoxhesi shtrëngohet të përmendë, pa kritikuar dhe as pa lëvduar, punën e Telemark Llakanës, Guri Panit dhe Aleksandër Meksit. Gjithsesi konkluzioni i Hoxhesit për punën apo “politikën” konservuese në Butrint të Institutit të Monumenteve është se “impakti i përgjithshëm vizual ishte minimal në krahasim me Apollonin,”. [f. 33]. Pas vitit 1991 në Butrint mbeti në detyrë vetëm Llakana. [f. 34].

Saçmet e fundit kundrejt arkeologëve shqiptarë Hoxhesi i ka ruajtur në fund të kapitullit. Pas anarkisë së viteve 1991-1992 arkeologët e rrethuar [beleaguered] shqiparë panë mundësinë që Butrinti “mund të tërhiqte hulumtime që premtonin shpërblime më të mira (honorare, bursa jashtë shtetit, kongrese dhe lidhje ndërkombëtare)”. Dhe sipas Hodgesit, “kjo ishte pritshmëria e heshtur pas ftesës drejtuar dy lordëve britanikë, të njohur për filantropinë e tyre në artet, që të nisnin një projekt në Butrint”. [f. 36].

Së fundi, në kapitullin për “hijen e gjatë të Virgjilit”, Hoxhesi ndalet tek momenti i inskriptimit në UNESCO, të cilin Hoxhesi çuditërisht, përveç citimeve, e shkruan me gërma të vogla, d.m.th. Unesco.  Historinë e inskriptimit Hoxhesi e fillon me ekspeditën e parë arkeologjike në Butrint kur, pas 50 vjetësh merr pjesë një i huaj, më saktë atë të vitit 1988 të ndërmarrë, sipas Hoxhesit, nga Kati Haxhis [Hadjis] “në bashkëpunim me arkeologun kryesor shqiptar të periudhës së vet Neritan Cekën”, të cilët “indirekt po kërkonin të përkufizonin me njëfarë saktësie prejardhjen virgjiliane të Butrintit” [f. 34]. “Gërmimet e Haxhisit mbeten kryesisht të pabotuara” na informon Hoxhesi.  Megjithatë, “trashëgimia e saj me siguri duhet diktuar tek inskriptimi i portit të lashtë si vend i Trashëgimisë Botërore të Unesco (sic) në 1992.” [f. 34].

Si për shumë opinione dhe konkluzione të tjera të Hoxhesit, u takon arkeologëve, historianëve dhe ekspertëve shqiptarë që të prononcohen, por këtu Hoxhesi na bën me dije ca “xhevahire” të tjera të tij,  për të mos përmendur termin “gafa” apo “pasaktësira”, që madje arrijnë nivel kulmor. Me të drejtë Hoxhesi shpreh habinë, në mos kënaqësinë, që procedura e inskriptimit të Butrintit në UNESCO eci me shpejtësi. Mirëpo ai, si i gjithëditur për Butrintin siç e paraqet veten, nuk ka arritur gjithsesi që ta zbulojë se si u bë kjo gjë. “Kush e përshpejtoi atë ka humbur në tranzicion”, duke luajtur me shprehjen “lost in translation” [who fast-tracked it remains lost in transition…”] [f. 35]. Përmbajtja e tekstit të inskriptimit, sipas Hoxhesit i takon momentit akut të tranzicionit nga komunizmi në demokraci. Sipas tij, “monumentet e tij kryesore qartazi transpozohen për të mbështetur mitin nacionalist grek, që i takon minoritetit grek të Shqipërisë i çliruar nga totalitarizmi që nisi në vitet 1913-1914”. [f. 35].

Këtu Hoxhesi shfaqet injorant i mirëfilltë për historinë e Shqipërisë në shekullin e fundit dhe madje edhe në kohët tona, si dhe lidhur me raportet midis shqiptarëve dhe minoritetit grek në atë kohë, të përqendruar në Dropull, Pogon dhe Vurg. Hoxhesi le të kuptojë se minoriteti grek humbi lirinë në vitin 1913-1914. “Sigurisht – thekson Hoxhesi – minoriteti grek, tashti që kishte status të ri me ardhjen e demokracisë, mori kontrollin e Sarandës dhe të prapatokës së saj, sikurse kishin bërë  në vitin 1913-1914”. [Certainly, the Greek minority, now given new status with democracy, took control of Saranda and its hinterland, as they had in 1913-1914”]. [f. 35].

Një brez i tërë i shqiptarëve, por edhe jo shqiptarëve, i ka jetuar ngjarjet dhe ndryshimet e viteve 1991, dhe i mban mend mirë ato. A mund të dëshmojë ndokush se vërtet në vitin 1991 u rishfaq në Shqipërinë e Jugut si me magji “Epiri Autonom” i vitit 1914 si dhe e ashtuquajtura qeveri e Zografit, bashkë me pogromet, dhunimet, djegiet dhe krimet e dokumentuara  të kryera në mënyrë sistematike kundër popullsisë vendase që nuk e pranonte pushtimin grek?

Nuk e dimë se ku i ka lexuar apo dëgjuar Hoxhesi këto gjëra, por pyetja mbetet: “kur e paska marrë minoriteti grek në kontroll Sarandën dhe rrethin e saj në vitin 1991 njëlloj si me ngjarjet tragjike të “Epirit autonom në vitet 1913-1914”?  Ku vallë paskan qenë shqiptarët dhe shteti i tyre?

Nuk mund të spekulojmë në burimet ku është mbështetur Hoxhes sa më sipër, dhe as në gjendjen e tij kur i ka shkruar këto radhë. Mirëpo këto deklarime të Hoxhesit të përmbajtura në një botim kinse shkencor, përveç pasaktësive të theksuara thelbësore e historike, venë në pikëpyetje serioze qasjen e tij shkencore ndaj Butrintit në përgjithësi, si dhe çdo rol që ai mund të marrë përsipër në të ardhmen në menaxhimin e Butrintit, për të mos përmendur ndezjen eventuale të tensioneve të panevojshme ndëretnike që do të cenonin harmoninë dhe marrëdhëniet e shkëlqyera midis shqiptarëve dhe minoritetit grek.

(vijon)


[1] Shih intervistën e 19 majit 2022 në ABC News: https://www.youtube.com/watch?v=5LxflqpoSU4  Pyetjes së drejtuesit të emisionit se pse duhet të ishte ai në Bordin e Fondacionit të menaxhimit [“pse ju, pse pikërisht ju u zgjodhët anëtar i këtij Bordi], sipas përkthimit simultan z. Hoxhes iu përgjigj: “mendoj që kjo ndodhi sepse kam pasur një marrëdhënie të gjatë me Fondacionin Butrinti dhe Butrintin. Kaq. Kjo është arsyeja. Shumë thjesht, Kjo është arsyeja pse u zgjodha. Kam botuar shumë libra, përfshirë një të cilin e botova para gjashtë vitesh, i cili parashikon shumë prej këtyre çështjeve lidhur me menaxhimin e Butrintit në kontekstin e rrethanave të Mesdheut …[pjesa relevante nis në 10’:19’’].

[2] Richard Hodges, The Archeology of Mediterranean Placemaking – Butrint and the Heritage Industry, Bloomsbury Academic, 2017.

[3] Sipas Hoxhesit, pjesë të librit janë botuar tjetërkund: Byzantine Butrint (2004); Eternal Butrint (2006); Roman Butrint (2007); Butrint 4 (2013); Letrat e Shkollës Britanike në Romë (2014); Konservimi dhe menaxhimi i vendeve arkeologjike (2013; dhe Arkeologjia publike (2014).

[4] Duke iu referuar poemës epike Eneida të Virgjilit, ku Butrinti përmendet për herë të parë, si dhe një thënie të Koldë Levi—Straus [Claude Lévi – Strauss] se “mitet janë instrumente për rrafshimin e kohës” [myth are instruments for the obliteration of time], Hoxhes vijon më tej: “Instinktivisht diktatori komunist i pas-luftës, Enver Hoxha, e çmoi këtë edhe pse ai shmangu lidhjen e Virgjilit me Butrintin në favor të miteve historike të vetë atij” [Instinctively the post-war communist dictator of Albania, Enver Hoxha, appreciated this even though he eschewed Virgil’s connection with Butrint in favor of his own historical myths]. Op. cit, Acknowledgments, xi.

[5] Në paragrafin e fundit të librit, duke iu referuar ndryshimeve shoqërore e politike në Shqipërinë pas-komuniste, Hoxhes thekson se këto të fundit kanë qenë “shumë më të ngadalta,…dhe lidhen me një rezistencë ndaj debatimit të rrënjëve të vendit përtej sa u takon burimeve të trashëgimisë kulturore. Vijon më tej Hoxhes: “Arkeologët shqiptarë tani duhet të ballafaqohen me një të ardhme të përcaktuar nga turizmi i bazuar në teknologjinë e résë, [cloud-based tourism] dhe mundësisë për të luajtur rol në rishkrimin e historisë së Mesdheut. Nëse e bëjnë këtë gjë, ata do të jenë çliruar nga hija e errët e Enver Hoxhës…. Op. cit. f. 143.

[6] Nga latinishtja, në anglisht ka kuptimin e “shpirtit të gjithanshëm të një vendi” ose “hyjnia që kujdeset për një vend të caktuar”.  www.merriam-webster.com

[7] Në kuptimin “kampionë kryesorë të një kauze të caktuar”. www.merriam-webster.com

[8] Po aty. Nuk del i qartë shkaku i vërtetë i kësaj përplasjeje të pare të Hoxhesit me arkeologët shqiptarë. Autori nënkupton qëllime të njëjta midis ndërtuesve dhe arkeologëve vendës. Këtë farë bashkimi ai e quan “opozitë”, e cila “avulloi përkohësisht” pas ngjarjeve të vitit 1997. Nuk e dime versionin e palës tjetër. Ndofta kontekstin, rrethanat dhe përmbajtjen reale të përplasjes u takon ta qartësojnë vetë arkeologët shqiptarë.

[9] Çuditërisht, dhe në mënyrë konsistente, Hoxhesi e shkruan me germa të vogla emërtimin e organizatës së njohur ndërkombëtare.

[10] Neritan Ceka: Butrinti është trashëgimi kulturore nuk është objekt biznesi, ky park siç është konceptuar është për milionerët, Margariti në bord një konflikt interesi; Gazeta Sot, 30 prill 2022, tek https://sot.com.al/kultura/neritan-ceka-butrinti-eshte-trashegimi-kulturore-nuk-eshte-objekt-biznes-i509949   qasur më 29 qershor 2022.

[11] Duke lënë mënjanë ndonjë insinuatë “kombëtariste”, thelbësore këtu është se Hoxhesi duket se i mendon ngulimet venedikase në Arbërinë e Poshtme kryesisht si bastione ushtarake, duke injoruar rëndësinë e tyre kryesisht për shkëmbime tregtare, për lehtësira diplomatike apo edhe për mbledhjen e informacioneve  për Republikën Venedikase.  Shih Pëllumb Xhufi, Arbërit e Jonit.

[12] Po aty, ff. 16-20. Shton pak më tej Hoxhesi: “Butrinti, atëherë, simbolizonte një portë historike pranë Korfuzit tek një rajon i paqendrueshëm”, f. 20.

[13] From this time until 1991, Butrint belonged to a frontier zone that was reconfigured several times.

[14] Vetëm në veprën madhore dhe shteruese “Arbërit e Jonit” të Prof. Pëllumb Xhufit Butrinti përmendet dhe referohet të paktën 56 herë.  [Shih botimin e parë të veprës. Botimi i dytë mund të ketë edhe më shumë referenca].

[15] Vep. Cit. f. 23. “The end of the Ottoman Empire and the creation of Albania in 1913 led to a different frontier experience for Butrint, committing it initially to be a non-place. Briefly Butrint was made over to Greece in the spring of 1913. The Italians challenged this decision, as well as that regarding Cape Styllos, and in the ensuing Treaty of London the eastern side of Straits (sic) of Corfu was given to the new republic of Albania. The local Greek minority was enraged and for six months administered the region as the independent kingdom pf Epirus Vetus before it was reluctantly ceded to Albania with peace assured by an Italian peacekeeping force”.

[16] Faik Konitza, The Background of the Italian – Greek conflict, f. 7. Për veprën e Faikut mund të kemi mospajtime, mirëpo burimet dhe referencat e tij janë relevante.

[17] Faik Konitza, vep. cit. ff. 4-5 dhe 8, 9.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin