SINKRONIZIMI NË HISTORINË LETRARE

Duke qenë Historia e Letërsisë edhe ajo një lloj historie, ose rrëfim ngjarjesh dhe zhvillimesh të lidhura mes tyre në rrjedhë të kohës, atëherë edhe në bazë të saj qëndron formalisht kronologjia, të cilën mund ta përfytyrojmë edhe si një vijë kohore, ose kalendar. Ashtu, në Historinë e Letërsisë Shqipe (HLSH), të hartuar me metodën konvencionale, do të lexojmë se Nezim Frakulla, një poet i letërsisë shqipe me alfabet arab, e “shkroi” Divanin e tij në vitin 1731, ose diçka si 45 vjet pas botimitCuneus Prophetarum të Pjetër Bogdanit, e cila doli në 1685 në Padova.

Kjo kronologji, që e vendos Bogdanin në të njëjtën vijë kohore me Nezim Frakullën, presupozon se këto dy ngjarje letrare, Çeta e të parit dhe Divani i të dytit ndodhën brenda një sistemi kulturor të sinkronizuar, ose ku sahatet – në kuptimin metaforik – tregonin “të njëjtën” orë. Madje nuk e presupozon, por e merr këtë si të mirëqenë, duke zbatuar një strukturë arbitrare, mekanike, siç është kalendari, ndaj një realiteti kompleks i cili nuk mund të merret kurrsesi si pikënisje pa u shqyrtuar në mënyrë kritike.

Kjo sepse universi kulturor ku u shfaq vepra e Bogdanit nuk ishte i njëjtë me universin kulturor ku u shfaq vepra e Nezimit; dhe kjo jo thjesht ngaqë Bogdani vepronte në një mjedis në thelb katolik, ndërsa Nezimi në një mjedis në thelb mysliman; por më shumë ngaqë këto dy botë, ajo e Bogdanit dhe ajo e Nezimit, nuk ishin të sinkronizuara kulturorisht, sa kohë që komunikimi mes dy botëve, në nivelin letrar (ose simultaniteti), nuk ekzistonte. Këtë mund ta mbështetim edhe me argumentin më pak të thellë se ç’mund të duket, që Nezimi dhe Bogdani jo vetëm përdornin alfabete të ndryshme, por edhe ndiqnin kronologji të ndryshme.

Përtej detit, shkrimtari arbëresh Lukë Matranga, botoi veprën e vet E mbsuame e krështerë në vitin 1592, ose 26 vjet para se Pjetër Budi të botonte përkthimin e vet Doktrina e Krishtenë me temë të ngjashme. Por sa ishin të sinkronizuar arbëreshët si Matranga, me botën ku vepronte, shkruante dhe botonte Budi? Të dhënat për këtë mungojnë; mbase nuk do të krejt ishte gabim po të supozonim se këto dy kultura ishin edhe ato të pasinkronizuara mes tyre – edhe pse dihet se vepra e Budit e gjeti pastaj njëfarësoj rrugën drejt komuniteteve arbëreshe dhe u njoh nga disa shkrimtarë të mëvonshëm. Natyrisht, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Divanin e Nezimit, i cili mbeti i pasinkronizuar me ngulimet e përtej-Adriatikut.

Nga ana tjetër, pohimi se Doktrina, e Pjetër Budit, u botua në vitin 1618, ose 67 vjet para Çetës së Bogdanit nuk është aq problematik; sa kohë që filologët dhe historianët kanë vënë në dukje se Bogdani, kur studionte në Propaganda Fide, pat kërkuar atje veprat e Budit dhe të Frang Bardhit, me gjasë njihte edhe Mesharin e Buzukut dhe përdorte, në alfabetin e tij, disa shenja që i kishin përdorur këta të tjerët më parë; në kuptimin që kishte një vijueshmëri edhe intertekstuale mes të parëve dhe të dytit: duke i përkitur të gjithë së njëjtit univers letrar dhe duke qenë ashtu “të sinkronizuar.”

Deri aty nga mesi i shekullit XIX, letërsia shqipe u lëvrua kryesisht në dy universe të shkëputura – vargjet e autorëve me alfabet arab, ose të bejtexhinjve, anembanë shqiptarisë myslimane, me disa sinkronizime të dobëta mes tyre; dhe letërsia arbëreshe në Itali, më mirë e sinkronizuar, por edhe irrelevante për shqiptarët në Ballkan. Mund të shtojmë këtu edhe disa vatra letrarisht më të dobëta mes katolikëve në Shkodër dhe komuniteteve ortodokse shqiptare dhe vllahe në Elbasan dhe gjetiu (Voskopojë, etj.). Por nëse sot autorë si Bogdanin, Nezimin, Nicola Chetta-n (“La creazione del mondo sino al diluvio”) dhe Anonimin e Elbasanit i gjejmë të post-sinkronizuar, brenda të njëjtës HLSH, kjo ka ndodhur vetëm si efekt i konvergimit të këtyre botëve të ndryshme në një të vetme, me krijimin dhe konsolidimin e kulturës kombëtare shqiptare – që ndodhi më vonë. Në kuptimin që sinkronizimi i bashkoi të gjithë këta a posteriori.

Natyrisht, shumë nga veprat shqip që sot përfshihen në HLSH nuk janë letrare të mirëfillta, por fetare, më rrallë historiografike, filologjike, etj.; megjithatë, edhe në to gjenden fragmente tekstesh letrare, si vjershat e njohura të Pjetër Budit. Autorët “bejtexhinj” nga ana tjetër krijonin brenda një modeli komunikimi kulturor osman, me elemente turko-orientale (persiane) etj. Ajo çfarë kanë të përbashkët një divan me një poemë arbëreshe, të periudhës para-Rilindjes, është që janë shkruar në versione të ndryshme të së njëjtës gjuhë, shqipes. Shqipja mund të përligjë trajtimin e përbashkët të këtyre veprave, por vështirë se mund të përdoret si provë sinkronizimi – siç do të mund të përdorej, për shembull, intertekstualiteti. Përndryshe, poezinë arbëreshe mund ta integronim (ta sinkronizonim) më lehtë dhe më arsyeshëm në letërsinë italiane, sikurse mund ta integronim (ta sinkronizonim) letërsinë shqipe me alfabet arab në letërsinë osmane.

Mjaft t’i hedhim një sy Rilindjes arbëreshe, siç mishërohet në veprën e De Radës dhe veçanërisht në poemën e tij Milosao. Në kulturën shqipe të këtej-detit, nuk ka asnjë shenjë paralajmëruese të kësaj poeme – e cila i ka rrënjët në kulturën arbëreshe, ortodokse dhe italiane, por edhe më tutje. Çfarë e bën “shqiptare” Milosaon, përtej gjuhës në të cilën është shkruar, mund të jetë intertekstualiteti folklorik, ose jehona e këngëve popullore arbëreshe (rapsodive, etj.) me të cilat De Rada kish punuar bashkë.

Krejt Rilindja kombëtare, nga pikëpamja që kemi zgjedhur, mund të përfytyrohet si përpjekje titanike për të sinkronizuar kulturën shqip, ose për të sistemuar në një raft biblioteke vepra që vinin nga universe të kithta. Kjo u mundësua edhe ngaqë, tek autorët e Rilindjes, filluan të vijnë prurje me burime nga më të ndryshmet: një poet si Naim Frashëri, që e njihte De Radën dhe jo vetëm si veprimtar kombëtar, trashëgoi shumëçka edhe nga tradita e “bejtexhinjve”. Aq më tepër, falë mbledhjes dhe botimit të këngëve popullore, autorët e kohës u njohën edhe me një visar mjetesh shprehëse të përbashkëta, i cili i kish rrënjët te shqipja vernakulare.

Ky sinkronizim a posteriori është – në gjykimin tim – karakteristika thelbësore e letërsisë shqipe si objekt kohësor (temporal), ku njëkohësia (simultaniteti) nuk erdhi si premisë, por u fitua me shumë mund, dhe brenda një projekti në thelb jo-letrar – zgjimi kombëtar. Çfarë e bën edhe objektin e HLSH-së artificial, në zanafillë; por edhe i mundëson që, në rrjedhë të viteve, të vijë duke u bërë më pak artificial dhe më shumë organik, sa kohë që veprat e reja ngërthejnë dhe kombinojnë, në tekst, tipare të kësaj tradite të koleksionuar ad hoc. Ashtu, te një shkrimtar modern si Kadareja do të gjejmë intertekstualitet edhe nga autorët e vjetër të Veriut, edhe nga letërsia arbëreshe, edhe nga poetët e Rilindjes (Naimi), edhe nga poetët e Pavarësisë (Noli, Lasgushi, Migjeni); meqë është në përkufizimin e letërsisë moderne shqip që t’i integrojë këto elemente historike, të cilat në kohën e tyre ishin të pasinkronizuara. Këtë mund ta formulojmë edhe kështu: Historia e Letërsisë Shqipe e përligj objektin e vet kryesisht në intertekstualitetin bashkëkohor, ose në aftësinë dhe gatishmërinë e autorëve të tanishëm për ta trajtuar diversitetin e dikurshëm si pasuri.

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: