Mundim vajzërishte

 

Pamundësia e vajzave të reja sot në Shqipëri për të marrë dorë jetën e tyre ka të bëjë me trazirat sociale në Shqipëri dhe sidomos me tranzicionin nga mbi-jetesa në nën-jetesë. Familja tradicionale shqiptare, me ndarjet e prera të roleve, preket drejtpërdrejt nga ky tranzicion.

Njëlloj tipike është edhe pleksja, në minidramat familiare, e problematikës seksuale me problematikën e marrëdhënieve prind-fëmijë dhe në përgjithësi me dëshirën për “liri” të të këtyre vajzave që varen ekonomikisht prej të tjerëve, shpesh prej meshkujsh – babait, burrit, të dashurit, e kështu me radhë.

Vetë mbizotërimi i përmasës seksuale si përmasë e realizimit të “lirisë” tregon se, për këto vajza, modusi i mbijetesës tanimë ka pushuar së vepruari, meqë ato nuk shqetësohen më aq si do të martohen dhe si do të fillojnë të lindë fëmijë, sesa për mënyrën si do të realizohen seksualisht.

Mirëpo shoqëria shqiptare është një shoqëri e paharmonishme, ku kushtet ekonomike për lirinë e femrës ende nuk ekzistojnë; pavarësisht nga një kontekst jashtëzakonisht i gjallë dëshirash, idesh dhe mitesh feministe në mjediset urbane.

Termi “nën-jetesë” përshkruan atë situatë kur ndarja e roleve midis sekseve priret të shndërrohet nga tradicionalja shfrytëzues/i shfrytëzues, në modernen dashnor/mantenutë. Brenda këtij modeli të dytë, nuk është e lehtë të përcaktohet kush shfrytëzon dhe kush shfrytëzohet.

Prostituimi i femrës, ose gatishmëria për favore seksuale, erotike ose afektive përkundrejt një pagese materiale ose simbolike, është i mundshëm kryesisht në ato shoqëri ku mashkulli është seksi dominant par défaut. Femra që prostituohet tregton me lirinë për ta përdorur trupin e vet sipas dëshirës; por që kjo të ndodhë, duhet edhe që femra ta ketë fituar një liri të tillë.

Prostituimi masiv i femrës shqiptare në Shqipëri dhe në mërgim nuk mund të analizohet në mënyrë sentimentale. Ideja se prostitutat janë viktima të një shoqërie të padrejtë i përket tanimë një imazherie estetike të kapërcyer. Në të vërtetë, për shumë femra që i kanë hyrë kësaj rruge, prostituimi është një rrugë për t’u vetafirmuar, në një kontekst social fund e krye të sëmurë.

Çka më hidhëron te ky brez vajzash nuk është aq vuajtja e tyre as frustracioni, sesa meskiniteti që tradhton ajo vuajtje. Në Shqipërinë e sotme patriarkalizmit tradicional po i kundërvihen forma vulgare të materializmit të shfrenuar; dhe anulimit të djeshëm të feminilitetit brenda logjikës të riprodhimit – super-feminiliteti i femrës si erotizëm i objektifikuar.

Në këtë pikë, feministet kanë çfarë të thonë, megjithëse shpesh më kot i fryjnë zjarrit të luftës midis sekseve, në një kohë që rrënjët e së keqes duan kërkuar në transplantimin e mekanizmit të tregut në fushën e stërholluar të marrëdhënieve ndërnjerëzore. Mashkulli shqiptar patriarkal, që keqtrajton gruan dhe kërkon favore mishtore të mantenutës-sekretare ose thjesht të prostitutës në rrugë është po aq viktimë e këtij modeli social sa edhe femra përkatëse.

Për ta thënë ndryshe: drama e një burri që kalb gruan në dru, ose e një babai që keqtrajton të bijën ose e një vëllai që zhdëp të motrën nuk buron thjesht nga vuajtja fizike dhe shpirtërore e viktimës, por edhe nga vuajtja e dhunuesit vetë; sepse ky i fundit nuk i shpëton dot kafshimit të atij konteksti që e detyron ta shprehë dashurinë në trajtë dhune.

Modeli patriarkal vërtet i jep mashkullit një rol kryesisht aktiv dhe femrës rol kryesisht pasiv në kontekste familjare dhe sociale; por dhuna e prodhuar brenda këtij modeli nuk duhet marrë si produkt i natyrshëm. Përkundrazi, është shenjë që modeli nuk po u përshtatet më rrethanave.

Gjithashtu, e quajta shoqërinë shqiptare të paharmonishme, sepse ende nuk janë ravijëzuar në të modele të familjes që t’i përgjigjen triumfit të materializmit, të tregut, të parasë dhe të ekzibicionit të pasurive.

Ky sistem social i organizuar rreth parasë nuk u përftua në Shqipëri si rezultat i ndonjë zhvillimi të brendshëm të natyrshëm, por u adoptua me ngut dhe shpesh me rrugë amatoriale, nga tuhafë që kujtonin se do ta “ndërtonin” kapitalizmin njëlloj sikurse ndërtonte Enveri socializmin.

Erotizimi i jetës sociale të vajzës shqiptare sot nuk është pa lidhje edhe me organizimin e tregut si një kalejdoskop dëshirash. Në një kontekst ku realizimi i vetvetes kundrohet në optikën e mundësisë për të komunikuar lirisht brenda atij kalejdoskopi, vetë tregu është kundërfigura njëlloj e erotizuar e femrës.

Në këtë mënyrë, seksualiteti nuk do parë dhe aq si përmasë e lirisë së fituar ose të lakmuar, sesa si dukuri anësore e qarkullimit frenetik të parasë në mjedise urbane ku nuk prodhohen më as vlera materiale, as fëmijë; por vetëm raporte të pushtetit dhe teknika të shantazhit politik dhe ekonomik për rishpërndarje pasurish pak a shumë të paligjshme.

Përkundrazi, në vitet tetëdhjetë erotika e rizbuluar e femrës ishte produkt i një përpjekjeje në mos intelektuale, të paktën estetike dhe krijuese për t’iu afruar një vizioni a mirazhi – Perëndimit – që joshte me tabunë e të paarritshmes; njëlloj sikurse materializmi i femrës shqiptare urbane shihej lehtë si metaforë e dëshirës për qytetërim dhe të drejta civile.

E keqja me brezin e sotëm lidhet jo aq me realitetin, sesa me vizionin. Shoqëri etikisht kaq të sëmura si Shqipëria bashkëkohore mund të rrëshqasin lehtë në fashizëm, ose të shpërbëhen në revolta, kundërrevolta dhe anarki si p.sh. Liberia, Haiti e të tjera vende fatkeqe të planetit, ose të përfshihen në ekstaza dhe kulte fetare të skajshme.

Janë shoqëri skllevërish, dhe më skllevërit mes skllevërve janë ata që gënjehen se kanë skllavëruar. [2005]

 


1 Koment

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin