EKUACIONI I LUMTURISË

Populli shqiptar është i lumtur? Pyetje disi ekstravagante, natyrisht e pazakontë, në kufijtë e të lejueshmes, por gjithsesi e pranueshme përderisa e njëjta gjë mund t’i kërkohet një individi. Përgjigjja mund të merret me referendum, duke i kërkuar çdo qytetari të shprehet për çështjen. Mirëpo edhe këtu ka probleme: personi do të japë mendimin për lumturinë e vet individuale, apo për lumturinë e bashkësisë ku bën pjesë?

Në pamundësi për të organizuar përgjigje kolektive mund të bëhen studime, sondazhe, censuse. Por a mund të matet lumturia? Këtu futemi në shtigjet e vështira të psikologjisë, ku ndonjëherë hyn si hulumtues e del si pacient, ose e kundërta. Psikologjia kolektive i ndërlikon gjërat edhe më shumëSi gjithnjë, topi shkon në qendër të fushës, ose më mirë tek përkufizimi. Ç’është lumturia? Nuk kam ndërmend të jap përkufizime, as të rekomandoj lidhje në internet. Pak a shumë të gjithë e dimë se ç’duam të themi me fjalën lumturi. Më intereson vetëm fakti se lumturia është dukuri e vështirë jo vetëm për t’u përcaktuar, por sidomos për t’u matur. Kryesisht për përkohshmërinë e saj, si shpërthim ndjenjash dhe emocionesh pozitive.

Mirëpo studiues si John Helliwell, Richard Layard and Jeffrey Sachs të Columbia University nuk janë ndalur përballë vështirësive teorike dhe pothuajse një vit më parë botuan “Raportin për lumturinë në botë” (World Happiness Report, 2012), që kapi vërtet faqet e gazetave, por njëkohësisht provokoi një sërë polemikash, duke filluar nga ato me karakter metodologjik. Natyrisht, nuk është vendi për të vijuar me këto diskutime, të cilat mund t’ua lëmë qarqeve akademike, por kureshtja na shtyn pashmangshmërisht drejt pyetjes fillestare, për të marrë vesh nëse populli ynë është i lumtur.

Studimi i mësipërm e mat lumturinë duke studiuar disa faktorë (shiko f. 60), të cilët i ndan në faktorë të jashtëm (të ardhurat ekonomike, puna, qeverisja efikase, vlerat, besimi fetar, etj.) e faktorë personalë (shëndeti fizik, mendor, jeta familjare, arsimi, gjinia, mosha, etj.). Studimi i konsideron faktorët e mësipërm të lidhur midis tyre, çka duket krejt e logjikshme, përderisa shëndeti personal lidhet drejtpërdrejt me politikat shëndetësore dhe me shërbimin publik të çdo vendi; shkolla lidhet me nivelin arsimor e me  gjendjen ekonomike; mosha lidhet me sistemin e sigurimeve shoqërore.

Raporti për lumturinë në botë e vendos Shqipërinë në vendin e 88-të. SaWorld Happiness Report për të pasur një ide të përgjithshme duhet thënë se në vendet më të lumtura janë: Danimarka, Finlanda, Norvegjia, Holanda, kurse dy vendet e fundit zihen nga Togo dhe Benini. Sa për kuriozitet relativ mund të thuhet se Romania (80), Mali i Zi (86) dhe Tunizia (87) janë vende më të lumtura se Shqipëria, kurse Nikaragua dhe Afrika e Jugut vijnë menjëherë pas vendit tonë. Po Kosova është vend i lumtur? Sipas studimit në fjalë është më i lumtur se Shqipëria, meqë zë vendin e 68-të.

Si për lumturinë ashtu edhe për kërkimin që po citojmë mund të nënvizohet shumë gjëra. Duke filluar nga një farë ngatërrese midis “mirëqenies dhe lumturisë”, por siç thamë, po i lëmë mënjanë problemet metodologjike. Është afërmendsh se disa indikatorë që janë marrë parasysh për të përpiluar klasifikimin e mësipërm mund të maten lehtë. Këtu është fjala për të ardhurat për frymë, për mjedisin ku jetojmë, për organizimin e bashkësisë, etj. Mirëpo, ka disa faktorë të tjerë që duken tejet subjektivë e gjithsesi të varur nga momenti historik. P.sh. menjëherë pas fitores së pavarësisë së Kosovës, mendoj se ajo do të zinte vendin e parë në klasifikimin e lumturisë, sikurse Shqipëria do të zinte vend prestigjioz pas rrëzimit të totalitarizmit në fillimvitet nëntëdhjetë. Lumturia ka të bëjë edhe me perspektivën, pra shpresën, që çdo vend ka për të ardhmen.

Po ta merrnim të mirëqenë listën e studiuesve të Universitetit Columbia, do të thoshim se vendi i 88-të nuk është i lakmueshëm. Populli shqiptar nuk qenka aq i lumtur. Mund të pranohet që Kroacia të jetë më e lumtur se ne, por që edhe Irani e Kuba të figurojnë para nesh është “e padurueshme”.

Që studimi për lumturinë në botë është i diskutueshëm, nuk ka pikë dyshimi; tema është subjektive, e lëngshme, viskoze, e luhatshme, e pakapshme. Por duhet pranuar se merita e tij fillon tek pyetja vetë, që në rastin më të keq të detyron që të mendosh për vete e për komunitetin tënd, pavarësisht se përgjigje të saktë nuk do të gjesh ndonjëherë. A janë të lumtur shqiptarët? Sa të lumtur janë? Përse kosovarët janë më të lumtur se shqiptarët e Shqipërisë? Përse shqiptarët janë më të lumtur se serbët?

Kontributi më i madh i raportit për lumturinë ndoshta vjen nga kriteret që ka marrë parasysh. Disa nga këto duken të pamatshme me përkufizim, por tejet të rëndësishme. Kapitali shoqëror, besimi në bashkësinë e vet, bujaria, altruizmi, besimi fetar, vlerat shoqërore, miqësia, e kështu me radhë.  Studimi i fut në sferën afektive, ku mund të kenë ndikim negativ ose pozitiv për nivelin e kënaqshmërisë për jetën. Këtu pyetjet shumohen papritur dhe në vartësi nga kriteri Shqipëria lëviz në klasifikim si nëpër malet ruse. Sa të lumtur janë shqiptarët po të kemi parasysh besimin në komunitetin e vet e në qeverisjen e tij? Po të marrim parasysh altruizmin, solidaritetin, besimin tek tjetri? Vendet do të ndryshonin ndjeshëm. Sikurse do të ndryshonin po t’u kujtonim shqiptarëve të kaluarën e tyre të vështirë.

Në një film të njohur, personazhi kryesor pyet veten nëse lumturia e njeriut nuk është gjë tjetër veçse normaliteti në jetë. Personalisht jam i bindur, edhe pse shumëkush mund të mos jetë dakord.  Pavarësisht nga mendimet për lumturinë, që burojnë natyrisht edhe nga përvojat personale, duhet theksuar se lumturia e ka një lidhje me normalitetin, me përditshmërinë, me vijueshmërinë, me qetësinë…, natyrisht në qoftë se këto konsiderohen me vlerë, sepse përndryshe normaliteti lidhet edhe me mërzitjen e monotoninë. Tek e fundit, në krye të listës rreshtohen vende shumë të qeta. Nesje, pavarësisht nga konceptimi e perceptimi i lumturisë, një tjetër pyetje lind natyrshëm, edhe pse e vështirë për t’u formuluar, që mund të tingëllonte kështu: “Shqiptarët jetojnë në normalitet?”, “Shqipëria është vend normal?”.

Cilado qoftë përgjigjja, Shqipëria mbetet vend shumë interesant.

Nuk ka komente

  1. “Cilado qoftë përgjigjja, Shqipëria mbetet vend shumë interesant.”

    ndersa une, nuk e di pse, por mbase per shume aresye, do te desha te ritheksoj shprehjen e Bizmarkut: Shqiperia eshte vetem nje nocion gjeografik.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: