Shqipëri – Kosovë 1:1

 

Shqiptarë Shqipërie dhe shqiptarë të Kosovës: kjo është një nga ato tema që dikur s’të linin t’i diskutoje as në Internet.

Kam frikë se në dallimin midis dy grupeve luan rol një faktor psikologjik disi paradoksal.

Flas nga pozitat e perceptimit që një shqiptar i lindur dhe i rritur në Tiranë i bën një shqiptari të lindur dhe të rritur në Prishtinë.

Objektivisht, afërsitë duhej të ishin më të mëdha se dallimet. Por dallimet janë ato që bien në sy, sepse afërsitë merren për të mirëqena.

Kjo vëmendje parapëlqyese ndaj dallimeve ka të bëjë me psikologjinë njerëzore në përgjithësi. Notat e gegërishtes në të folmen e prishtinasit na bëjnë më shumë përshtypje sesa fakti që gjuha që ai flet është në thelb e njëjtë me tonën.

Do të ketë ndonjë mekanizëm në tru që na ndihmon të orientohemi në labirintin e ngjashmërive dhe dallimeve duke i polarizuar: ngjashmëritë duke i shndërruar në identitet, ndërsa dallimet në kontrast.

Që këtej lehtë mund të kalohet në logjikën ne dhe ata.

Disa dallime kulturore midis, të themi, tiranasve dhe prishtinasve kanë të bëjnë me perceptime të ndryshme të shqiptarisë dhe të joshqiptarisë. Për tiranasit, shqiptaria s’ka qenë kurrë problematike, sepse nuk ua ka sfiduar kush ndonjëherë.

Kohën e lirë, ne të Tiranës, donim ta kalonim duke dëgjuar muzikë pop italiane ose anglo-amerikane, duke parë filma të Hollywood-it në TV, duke lexuar romane perëndimore, duke mësuar gjuhë njëlloj perëndimore, duke shijuar RAI-n natën vonë pasi i mbaronte RTSH transmetimet, duke ndjekur futbollin italian dhe më gjerë evropian.

Një gazetar i huaj dikur e pat karakterizuar Tiranën si i vetmi kryeqytet në Evropë banorët e të cilët shpirtërisht jetonin në një vend tjetër – Itali.

Natyrisht, duke qenë të kolonizuar nga kultura pop perëndimore, ne nuk kujtonim se kjo po na e vinte shqiptarinë disi në dyshim. Përkundrazi, këtë kulturë e shihnim si një mënyrë për t’u distancuar nga kultura zyrtare kombëtariste e tirqeve, qelesheve, isove dhe fustanellave.

(Në vitet 70-80 kombëtarizmi zyrtarisht zëvendësoi internacionalizmin proletar të viteve 50-60. Si vit tranzicioni fatal do marrë viti 1968 dhe festimet e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.)

Prishtinasi, përkundrazi, ishte i kolonizuar me kulturë të Tiranës. Edhe pse më në kontakt të drejtpërdrejtë me Perëndimin ose ndoshta pikërisht për këtë arsye, shqiptarët e Kosovës nuk më duket ta kenë adhuruar ndonjëherë si ne të Shqipërisë.

Ne kemi qenë dhe ndoshta jemi më kozmopolitë, sepse shqiptarinë s’e kemi pasur ndonjëherë të kërcënuar. Kosovarët përkundrazi. Reagimet tona përballë një rapsodi me çifteli do të kenë qenë praktikisht të kundërta.

Ky dallim ndihet menjëherë. Çdo afrim ose miqësi mbështetet në referenca kulturore të përbashkëta. Personalisht e kam më të lehtë të afrohem me dikë që luan në makinë albumin “Wish You Were Here” të Pink Floyd, sesa një koleksion me këngë të Fitnete Rexhës.

Po të më duhet të zgjedh midis Gëtes dhe Fishtës, parapëlqej të parin.

Shpesh më duket sikur jetën time më ndihmon ta kuptoj më mirë Kundera sesa Kadareja. E kështu me radhë. Vallë më bën kjo më pak shqiptar se dikush që bën be për Çajupin dhe Pjetër Zarishin?

Ne të Tiranës dhe të qyteteve të tjera të Shqipërisë jemi rritur duke përqafuar një snobizëm tjetërlloj nga ai i qyteteve të Kosovës. Ne kujtonim se rafinoheshim duke iu larguar modelit zyrtar kombëtarist; kosovarët duke iu afruar. Prandaj sot dallimet në kulturë i shohim me lente zmadhuese, të amplifikuara, të ekzagjeruara.

Kam përshtypjen se në një nivel më elementar ose “popullor”, kontakti Shqipëri-Kosovë nuk i përjeton fare këto probleme.

Bashkimin e Shqipërisë me Kosovën shumë shqiptarë duan ta bëjnë mbi baza emotive: të dashurisë reciproke, kujtimit të gjakut të të rënëve, Ismail Qemalit e Isa Buletinit, zhgabës me dy krena.

Kanë absolutisht të drejtë ata që thonë se ky bashkim do të sillte përfitime të mëdha ekonomike për trevat shqiptare. Ndoshta edhe propaganda për bashkim do të përfitonte sikur retorika shqiptariste të zëvendësohej me argumentin ekonomik.

Kush ndjek nga afër shkrirjet bashkuese të kompanive ose të korporatave, do ta ketë vënë re se pronarët përkatës qëllon të kenë neveri personale për njëri-tjetrin, por megjithatë bashkimi kryhet, sepse të dy palët përfitojnë.

Programi për bashkim më mirë të jetë minimal, racional dhe i çliruar nga ngashërimat atdhetare. Në gjeopolitikë martesat nuk bëhen me dashuri. [2005]

 

2 Komente

  1. Po flas per veten time dhe per 95 perqind te shqiptareve te nje qyteti te Kosoves te rritur ne vitet shtatedhjete dhe tetedhjete. Perendimi ka qene ne Kosove dhe askush atje nuk ka patur nevoje te enderroje per nje gje te tille. Ne vitet shtatedhjete jam rritur me The Doors, me Hendrix, Led Zeppelin, Velvet Underground, Marc Bolan, Bowie etj. etj. Qe atehere dhe deri ne fund te viteve tetedhjete kam patur 500 pllaka gramafoni me muzike perendimore. Rinia shqiptare atje ka ecur me kohen, kane mbajtur floke te gjate, kane lexuar letersi moderne, kane bere gjithcka c’kane bere perendimoret ne Perendim. Dhe hapur i kane bere keto gjera. Se askush s’te ndalonte te beheshe hipi, rocker, punker, junkie, porno-fan, etj. etj. Qe ne vitet shtatedhjete, e te mos flasim per me vone, ne Kosova ka pasur diskoteka, bare te nates, ne hotele ke pasur edhe striptize nese te pelqente kjo gje.

    Ti mund te futesh sot ne makinen e njerit qe degjoka “Wish you were here” te Pink Floyd, kurse une e kam blere origjinalin e albumit ne vitin 1975. Ne Kosove e kam blere. Midis Kosove – ne dyqanin muzikor tek Grand Hoteli ne Prishtine. Ne vitet tetedhjete kam udhetuar ne Dublin per te pare U2 live ne kohen qe ata ende ishin pothuajse te panjohur. Ti, si perendimor, paske degjuar tinez muzike italiane, kurse une beja turne neper te gjithe Evropen se bashku me rinine evropiane: me bileta Inter-Rail. Une shkoja ne koncerte te Bauhaus, The Cure, Lou Reed, Stone Roses, The Cult, etj. etj. por ama ti “enderroje” perendimin…

    Pastaj…

    Pikerisht e kunderta ishte e ndaluar ne Kosove: te mos ishe perendimor. Dmth te ishe kombetar. Kjo gje ndalohej, keshtu qe s’eshte aspak e vertete se atje degjoheshin piskamat folklorike te Enver Hoxhes. Kete gje e bente katundaria kosovare aty-ketu dhe jo Prishtina, as Mitrovica, as Prizreni, as Peja etj.

    Pastaj, ti s’ke qene kosmopolit, por pothuajse i shkombetarizuar/i shpelare nga respresioni stalinist i Enver Hoxhes me co.

    Nejse, mund te vazhdoja keshtu gjithe diten e lume, por nje gje kam mesuar prej Perendimit: te shkruaj pak dhe jo si disa “perendimore” te Shqiperise qe ia fusin si kau peles me shkrime kilometrike per gjera qe mund te thuhen me dy fjale. Wake up and smell the coffee, or be wasted.

  2. Nje shqiptar i lindur dhe i rritur ne Prishtine gjithmone ka ndegjuar muzike perendimore.Me kujtohet kur shkuam me shokun te lahemi ne Bistrice te Pejes, ishte vere.Shkuam me kerrin(automobilin) qe e ngiste vellai i shokut. Duke u kthyer, ai e ndaloi kerrin dhe, nga nje grup djemesh dhe vajzash qe ecnin kembe, u nda nje vajze dhe hypi ne kerr.Ate vajze e njihte vellai i shokut.Ne ate moment ne radion e kerrit emitohej nje kenge e popullarizuar shqipe, dhe ajo vajza tha: ‘oh, sa kenge e mire’. Ne e pyetem se si nuk e kishte ndegjuar deri tash. Ajo u pergjigj:’une ndegjoj vetem kange anglisht’. Ajo ishte nga Prishtina.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin