KONSUM(JET)OJ

nga Bujar Meholli

Siç dihet, kultura ka impakt të madh në cilësinë e marrëdhënieve sociale; por ekziston një lloj i kulturës që operon negativisht në kuadër të këtyre cilësive. Ajo është kultura e konsumit, fort e pranishme në shoqërinë tonë, shtrirë pothuajse në sferat më të rëndësishme të saj. Profesori Stefano Bartolini thekson se kultura e konsumit u jep më tepër rëndësi motivimeve të jashtme të jetës së individit sesa atyre të brendshme. Ky është problem i madh dhe real në shoqërinë shqiptare. Çka nënkuptohet me “motivime të jashtme”? Epiteti u qëmton pikërisht veprimeve individuale që mëtojnë ndjekjen dhe krijimin e “karrierës”, fitimin e pamerituar të famës, rrjedhimisht të parasë dhe pushtetit, kurse me motivimet e brendshme kuptojmë (të cilat mund të themi se po kanosen vazhdimisht) – qytetarinë aktive, ndershmërinë, miqësinë, solidaritetin, tolerancën, afërsinë, punën e palodhshme në aksh profesion, ndërgjegjen, etikën… “Kultura e konsumit i shtyn njerëzit që ta organizojnë jetën e tyre në mënyrë të tillë që nevojat relacionale të mos jenë të kënaqshme dhe, për pasojë, njerëzit shtyhen drejt një kulture konsumiste gjithnjë në rritje”, thekson Bartolini. (Stefano Bartolini, Manifesti i lumturisë, në shqip “Botimet Përpjekja”). Kjo kulturë konsumi e instaluar dhe gradualisht e bërë normë në shoqërinë tonë krijon pasiguri. Rrjedhimisht krijon njerëz që kanë probleme me vetveten, s’dinë kah të çajnë në jetët e tyre – në çfarë suaza të zhvillojnë aktivitetin? Kultura konsumiste i pikas pikërisht ata. Kohë më parë, për shembull, në një ese për televizionin të botuar në revistën online “Peizazhe të fjalës”, pata tentuar t’i mëshoj një problemi që vazhdon të jetë aktual: misionit real (gjendjen kaotike të televizionit në ditët e sotme) që duhet ta ketë një medie. Çorientimi, prirja kah gjërat e lehta, sipërfaqësore, përzgjedhja e njerëzve të paaftë (të “aftë” për gjithçka!) janë plagët e medies shqiptare, ende të papërthara. Dhe krejt kjo pasojë e kulturës së konsumit! Tutje, Bartolini thekson nivelin e kësaj kulture kur shprehet: “Nivelit të lartë të kulturës konsumiste i përgjigjet një nivel i ulët vetëvlerësimi, vetërealizimi, vitaliteti dhe autonomie.”

S’do mend që mediat janë promotorët e mëdhenj të kësaj kulture. Ato e stimulojnë në vazhdimësi këtë lloj kulture. Një trend i tillë, i shndërrimit të medies në tribunë free për secilën idiotësi të “rafinuar”, naivitet, kapadaillëk burlesk, shterpësi intelektuale e mungesë ndijimore, e çon ngadalë, por sigurt, në kolaps gjithë shoqërinë, ngase kjo e fundit “ushqehet” nga gjinjtë e saj të helmuar. Gjithë burimi i të këqijave dhe problemeve sociale është këtu, te deformimi mediatik, “intelekti” i ulët përtokë që serviret me krekosje – ndaj është i domosdoshëm, urgjent, intervenimi institucional! Marrëzirat që t’i servojnë, duhet t’i blesh patjetër, kështu funksionon rrjeti i këtij publiciteti, i së dukshmes – “pra, të shfaqesh, të shihesh, të kesh prezencë” medoemos. Ky publicitet i hatashëm i kulturës së konsumit është vërtet dërmues dhe i frikshëm. Gjithçka shkon përmes tij, të gjitha “shfaqjet” i mundëson ai, mjeti tipik për të imponuar deri edhe stilin e jetesës. Ky Yll Polar, siç e quan Bartolini, bën lidhjen midis konsumit dhe karakteristikave personale. «Konsumi është shndërruar në një mënyrë komunikimi personal të tipit “blej, prandaj jam” dhe “sendet e konsumit që disponojmë janë shprehje e vetes sonë. Rezultati i këtyre stimujve obsesivë ndaj pasjes është përvetësimi i materialit ekzistencial të tipit: nëse ndihesh i pasigurt a i pafat, do të ndihesh më mirë po të rrisësh nivelin e konsumit tënd; prova e faktit që ti je pjesëtar i kësaj shoqërie qëndron te blerja», konstaton profesori italian.

Sot kultura konsumiste ka përfshirë pothuajse gjithë poret e shoqërisë dhe minimizon secilin akt qytetar që ka të bëjë me prirjen kah vlerat njerëzore e artistike. Duke u ndodhur në zgrip të këtij niveli të ulët, mes kësaj inercie, varfërie shpirtërore e meskiniteti social, njeriu mund t’i ndërmendë fjalët e filozofit danez Søren Kierkegaard: “Më ka ardhur në majë të hundës. Më është neveritur jeta – kjo jetë e shpëlarë, pa shije e pa kuptim. Edhe po të isha më i uritur se Pierroi, nuk do t’i gëlltisja dot shpjegimet që japin njerëzia.” (Søren Kierkegaard, Frikë dhe drithërimë, përktheu Bashkim Shehu). Është e frikshme për të ardhmen, gjendja e sotme – sheh fëmijë që çorientohen, kanë probleme mendore, s’e gjejnë dot balancën, s’kanë qëllime jetësore, janë të padurueshëm deri edhe për ta ndjekur fund e krye një episod, fjala vjen, të Pink Panther-it; kështu nga kjo katrahurë sociale e dirigjuar nga konsumi, i rritur dita-ditës, relacionet sociale janë zbehur ndjeshëm, lumturia është pakësuar. Vite më parë, gjatë shekullit të kaluar, kur njerëzit përjetuan dy luftëra – arti u vë në ballë të të drejtave për liri dhe barazi, mjaft të kujtojmë ekspresionizmin që pikaste krizën shpirtërore e sociale, shprehej, protestonte, klithte, akuzonte… Sot, përgjithësisht s’mund të flasim për ndonjë varfëri aq të madhe sa atëherë kur lufta rrënoi çdo gjë; e pra, çdo i dyti fëmijë përdor smart phone-n e vet, kjo do të thotë se nuk mund t’i vihet gishti varfërisë për këto mungesa relacionale; kush është fajtori i njëmendtë i kësaj sëmundjeje shpirtërore? Shpirtërorja sot po mbytet ngadalë në llumin e asaj “edukatës liberale”, që në fakt krijon probleme mendore, paqëndrueshmëri, zhveshje nga çdo pasion e qëllim (sall atij për të ndjekur në çdo kohë idiotësitë free nëpër rrjete sociale e studio televizive), ngarkesë e tepruar me sistemet dogmatike e represive që i bartin disa shkolla “liberale”. Ironikisht në kulmin e zhvillimit teknologjik, në gjithë këtë avancim, institucionet shkollore krijojnë, në masë të madhe, individë pa përgjegjësi etike, pa ndjenjë kritike, shkurt: lolo i ardhshëm që do të përdoret si numër, sa i duhet kulturës konsumiste, për të qeshur nën hundë me të pastaj kur e hedh në margjina dhe kërkon rekrutë.

Në shkrimet e mia të mëparshme kam parë mediet si urë lidhëse mes konsumizmit dhe individit; besoj se sistemi mediatik është ndër fajtorët kryesorë për krijimin e këtij çekuilibri social, pasojat e të cilit në të ardhmen mund të jenë katastrofike. Ja, p.sh., nëse ndalemi dhe e pyesim veten: çfarë brezash do të vijnë, përgjigjja retorike instiktivisht është e frikshme. Njerëz-robotë? Njerëz tabula rasa? Njerëz-kafshë që ia grabisin ushqimin ndër duar tjetrit? Njerëz pa kurrfarë ndjenje, përgjegjësie, pa qëllime, me pak fjalë, njerëz të dergjur nga jeta? Këtu, në këtë rast, duhet urgjentisht intervenimi i shkollës. Rifreskimi i saj në programe, metoda. Është i domosdoshëm krijimi i sistemit shkollor që u ofron më tepër hapësirë nxënësve për t’u zhvilluar, për t’u përshtatur në mjedisin social dhe për ta krijuar antihelmin e konsumizmit! Kultura konsumiste po krijon aso efektesh negative, që nesër mund të jenë deprimuese, shkatërruese. Dhe krejt kjo nga publiciteti i dendur mediatik, kaosi digjital që i merr pas të rinjtë, humbja e madhe e kohës, cytja e trurit nga mikrobi i padurimit, që mandej manifestohet në jetën e përditshme, idiotët pa kufi të internetit (për të cilët flet Umberto Eco) që ua turbullojnë mendjet adoleshentëve, mu në kohën kur do të duhej të krijohej disiplina dhe puna e fortë, e palodhshme, që përcakton dhe çon drejt suksesit.

Skema e vjetruar tashmë po prodhon individë që marrin për të mirëqenë këto vlera konsumiste, ndaj pakësimi i lumturisë është evident, sikurse damkosja e artit, letërsisë, muzikës, pikturës; këta persona janë depresivë, humbin durimin shpejt, ndjenjën, kanë ankth, janë acarues, shurdhues, të vrazhdë e pa sens humori, dhe mbi të gjitha shndërrohen në zombie social – izolim nga mjedisi social, tjetërsimi me veten. “Individët konsumistë kanë tendencën të kenë njohje më sipërfaqësore të nevojave të tyre për autonomi dhe autenticitet. Interesi i tyre ndaj parasë dhe ndaj pranimit nga të tjerët i largon ata nga aktivitetet interesante, argëtuese apo stimuluese që hasin në jetën e përditshme, në punë apo në kohën e lirë”, thotë Bartolini.

Binomi konsum(jet)oj duket si maksimë e shoqërisë së shek. 21. Ngado të sheh syri publicitet, emocione “pozitive”, gjëra që bëhen sa për t’u bërë, shpeshherë pa kuptim, pa kritikë, pa vëmendje, sall për njëfarë kortezie konsumiste që të shpie te dehja sipërfaqësore, kruciale për zhytjen në pellgun konsumist. Ku është shpëtimi nga ky mishmash? Te dy institucionet kryesore shoqërore: shkolla dhe media. Ato janë përgjegjëse për krijimin e kuadrove që do ta mundësonin një jetë me më shumë hapësirë, barazi, mundësi, drejtësi: shkolla duke u reformuar, duke krijuar liderët e së nesërmes përmes mësimeve si të jenë kritikë të mprehtë, të përgjegjshëm, bashkëpunues e vizionarë, dhe media duke kulturuar breza – me më tepër ajër nëpër studio televizive, më tepër emisione kulturore-arsimore, hapësirë për njerëzit me ide në shërbim të komunitetit, drejt ndryshimit tejet të nevojshëm të kësaj demokracie… toksike.

© 2022 Bujar Meholli. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

About the Author

Është profesor i letërsisë shqipe, eseist, kritik dhe shkrimtar. Krahas ligjërimit, analizon problematika nga letërsia, filozofia, psikologjia, muzika, piktura, filmi dhe kultura në përgjithësi. Në krijimtarinë eseistike rimerr tema nga autorë dhe periudha të ndryshme kulturore duke i modeluar në këndvështrime moderne. Aktiv në medie të shkruara dhe online; gama e shkrimeve të tij përfshin: multikulturalizmin, analizat sociokulturore bashkëkohore, vlerat substanciale të artit, indin e epokës digjitale dhe implikimet psikofizike te njeriu i shekullit XXI.

Author Archive Page