TELE(PA)VIZIONI

nga Bujar Meholli

Pse duhet të shfaqemi dhe të flasim në televizion? – Kjo është padyshim një pyetje mjaft e rëndësishme të cilën do të duhej gjithkush t’ia shtronte vetes, paraprakisht, kur merr ftesë për t’u paraqitur në ndonjë studio televizive. Meqë tani, televizioni, pothuajse ka pushtuar gjithë mediumet e tjera dhe ka shtrirë pushtetin mbi shoqërinë, marr shkas t’i shkruaj ca radhë rreth rolit dhe ndikimit të tij – të mirat dhe të këqijat që mund t’ia sjellë publikut. Sot në shoqërinë shqiptare përgjithësisht ekziston një mori televizionesh (mbase, teksa po i shkruaj këta rreshta, planifikohet krijimi i ndonjë të riu!) dhe kjo dëshmon se nuk ka preokupim rreth cilësisë por thjesht synohet shfaqja përpara publikut, sepse të shfaqesh është gjysma e punës. Mjafton të dukesh mirë kur del në studio, të bësh “show” duke folur ç’të vjen në gojë, pjesët tjera i “rregullon” hierarkia e televizionit, që vendos të të bëjë person të “rëndësishëm” edhe kur nuk bart kurrfarë vlerash, apo të “jashtëzakonshëm” kur në fakt je shumë i zakonshëm, mediokër. Nga kjo mund të konstatoj se për shoqërinë shqiptare, në horizont, shihen kohë të vështira, le të themi të rrezikshme/kanosëse ndaj gjithçkaje që në parim është e pastër, e bukur, përmbajtjesore dhe e vlefshme! Në gjithë këtë zallamahi mediatike që e jetojmë, pyetjet që rrjedhimisht do ta pasonin pyetjen e fillimit të këtij shkrimi: A jam gati të flas për aksh temë? Si qëndron diskursi im dhe a është i përshtatshëm për audiencën? Cilat janë kompetencat e mia intelektuale që të flas për aksh temë? Shkurt: A kam gjë për të thënë? – zhduken si flluska sapuni, sepse ajo që u intereson të dy palëve (televizionit dhe të ftuarit) është dukja, pra të qenit i dukshëm/i parë në skenën televizive. Në mënyrë zinxhirore apo kronologjike, problemet vargohen njëri pas tjetrit; nëse shohim gjuhën që përdoret qoftë nga prezantuesit (host), qoftë nga pjesëmarrësit (guests) në televizion – mund të themi me plot gojë se ajo nëpërkëmbet, baltoset e përdhoset në masë të madhe, herë me dhe herë pa vetëdije duke ndjekur “trendin” e përçudshëm të përzierjes së fjalëve shqipe me fjalët e huaja, dita-ditës normë e normalitet në televizionin shqiptar! Këtu kam dëshirë ta citoj sociologun dhe profesorin francez Pierre Bourdieu i cili tek flet për televizionin, shprehet: “Mendoj se në fakt televizioni, paraqet një rrezik shumë të madh për sferat e prodhimit kulturor, artin, letërsinë, shkencën, filozofinë, drejtësinë; televizioni mbetet një kërcënim aspak më i vogël edhe për jetën politike dhe për demokracinë”. (Bourdieu, Pierre, Mbi televizionin, Pika pa sipërfaqe, përkth. Dilfirus Vrioni). Në pajtim me këtë konstatim të profesorit francez mund të themi se televizioni shqiptar dita-ditës po e braktis misionin e vet primar, ku ndërfutet informimi i drejtë dhe edukimi i shikuesve. Televizioni modern po i vendos vetë rregullat dhe po e bën, si të thuash, prerjen si me thikë të asaj/atij që është informim, kulturë, art, vlerë, e shkencë. Ndaj, jo rrallë herë sot në ekran mund të të kapin sytë njerëz krejt të thjeshtë që nuk kanë kurrgjë t’i ofrojnë publikut, sall paturpësisë së tyre për të thënë “gjithçka” – dhe kjo i leverdis televizionit që ua hap krahët dhe i bën “të jashtëzakonshëm” e u jep rëndësinë e domosdoshme për t’i imponuar në publik. Hidhuni një sy emisioneve që ia shërben televizioni shoqërisë shqiptare…

Ti bësh me çdo kusht gjërat e pavlera të vlefshme – kjo është maksima e padukshme e televizionit shqiptar (modern). Në bazë të saj, ndërtohet i gjithë aparati televiziv, thuret ngadalë “rrjeta” e operimit ku bashkëpjesëmarrës do të jenë ky dhe ai që s’përtojnë të zbresin në skena televizive sa herë t’i ftosh dhe kanë “gjithmonë” çka të flasin, pavarësisht çka vendoset të flitet/trajtohet. Ky problem evident duhet të trajtohet një orë e më parë në mënyrë që të shpëtohet diçka nga shoqëria shqiptare, përndryshe në vitet e ardhshme do të jemi dëshmitarë të situatës ku njerëzit do të shfaqen në ekran thjesht për të treguar se i pastrojnë dhëmbët çdo mëngjes, ndërrojnë të brendshmet apo masturbojnë të dielave. Në këtë konglomerat marramendës të ngjarjeve, personazheve dhe “të bëmave”, zhduket nocioni i kohës – pra, televizionit nuk i intereson koha, sepse gjërat duhet bërë shpejt: të flasësh sa më shpejt për një temë, të raportosh si të mundesh për një ngjarje që ta kesh primatin, e të jesh i pari që e transmeton atë informacion. Ky është një ndër viruset e televizionit modern. Për të raportuar nuk duhet të kursehet askush e asgjë! Forma, gjuha tendencioze, cektësia, kaosi strukturor i lajmit – janë gjëra pa rëndësi karshi dukjes dhe furisë së shpejtësisë. Televizioni prodhon efektin e reales përmes së cilit ofron një pamje të realitetit tek e cila duhet të besosh, meqë të tjera alternativa nuk ka. Beso dhe merre të mirëqenë atë që ta ofron ekrani i TV-së; ky padyshim përbën rrezikun e degradimit të mediumit serioz, të besueshëm, e të paanshëm po ashtu. “Televizioni, kjo bishë tinëzare, Meduzë që ngrin një miliard njerëz për t’i vrarë me gurë çdo natë duke i bërë t’i ngulin sytë; kjo sirenë që me thirrje e fanfarë premtonte shumë, por në fund dha aq pak”, do të shprehej shkrimtari amerikan Ray Bradbury. Se televizioni po bëhet çdo herë e më tepër ambient i kontaminuar, dëshmon fakti i lidhjes së tij me internetin, konkretisht me portalet, në të cilat nxirret gjithë dufi i budallallëkut dhe inercisë informative, kulturore e artistike. Dyzimi i TV-së me portalin përveçse mosbesim, po sjell deformim në secilën sferë të jetës publike – ofron gjëra “të pamundshme” për të kapur në grep sa më tepër lexues idiotë që tërhiqen pas titujve të fryrë (pak kush interesohet për brendësinë) dhe “sensacioneve”. Kështu televizioni është shndërruar në instrument komunikimi i, le ta quajmë, dehumanizimit orwellian të shekullit 21. Hierarkia e tij e ka shtënë në dorë auditorin, atij i përcaktohet shija, i vendosen kushtet për atë që është dhe s’është art e vlerë – shkurt: njerëzit dhe kultura e tyre konceptohen si dele që shkojnë e vijnë në rrethin vicioz, me rregullat (rules) që i vendos produksioni dhe televizioni.

Për ta “respektuar” dhe për t’i sjellë çdoherë gjëra “novatore” këtij publiku që e ka “gozhduar” në qerthullin vicioz, televizioni nuk lë gjë pa bërë e pa shfrytëzuar në mënyrë që ta “edukojë” ca më tepër auditorin në vazhdimësi. Ndaj, tutje Bourdieu thekson: “Përgjegjësit që flasin në emër të audimatit kanë një ndjenjë të evidencës që jo domosdoshmërisht është e njëjtë me atë të gazetarit të vogël e të pavarur, i cili propozon ndonjë subjekt e që i përgjigjen – Kjo nuk paraqet asnjë interes.” Kjo është loja e rrezikshme që luan hierarkia televizive, ajo thirret në “sovranitetin” e gazetarit, por që në fakt ky i fundit është shndërruar në marionetë dhe lëviz sipas direktivave që i jepen për t’i sjellë gjëra me “interes” publikut. I bie që gazetari të jetë viktima tjetër që shkelet nga thundra e televizionit nëse tenton t’i shkëputë zinxhirët mediatiko-kulturor të thurur aq bukur. “Audimati është masa e matjes së audiencës që kanë kanalet e ndryshme televizive; pra, është bërë e mundshme një njohje shumë e saktë e asaj që ndodh apo që nuk ndodh. Kjo matje tashmë është bërë gjykuesi përfundimtar i gazetarit: madje edhe në vatrat më autonome të gazetarisë. Tashmë çdo mendje është fiksuar me audimatin. Sot “mentaliteti i audimatit” gjendet në sallat e redaksive, në shtëpitë botuese, etj. Gjithandej mendohet në terma të suksesit komercial”, konstaton Bourdieu. Ky avaz gjithçka, gjithkush i ka rrënjët pikërisht te televizioni, gjegjësisht te hapësira mediatike që i ofrohet secilit, fast thinking, mungesa e meritokracisë, rrjedhimisht e kritereve që do të duhej t’i kishte për folësit, ndjekja verbërore e mainstream-it, debatet socio-politike mes miqve (që i vazhdojnë nga kafeneja drejt studios), lënia anash e artit dhe kulturës (veçse kur ftohen njerëzit që më së paku janë kompetentë)… Nga kjo përpjekje për ta analizuar gjendjen e tanishme të televizionit shqiptar, konstatojmë se ai është pa vizion për të ardhmen (veç në pastë vizion të shkatërrimit!) dhe është shndërruar në instrument të keqinformimit, përçarjes, mundësive të “arta” për snobët që të çajnë përpara me lehtësi. Por, siç dihet historikisht, produktet e larta të mendjes njerëzore – poezia, filozofia, muzika, piktura – qëndrojnë krejtësisht në kundërshtim me logjikën e tregut dhe në esencë nuk i nënshtrohen apetiteve të televizionit dhe makinës së tij të bluarjes, (rezistojnë!) por krijohen shtruar e në qetësi duke synuar krijimin e publikut dhe jo qëmtimin e “shijeve” dhe qejfeve të masës.

© 2022 Bujar Meholli. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen e autorit të shkrimit.

Rreth Autorit

Profesor i letërsisë shqipe, eseist, kritik, dhe shkrimtar. Krahas ligjërimit të letërsisë, analizon problematika nga letërsia, filozofia, psikologjia, muzika, piktura, filmi dhe kultura në përgjithësi.

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin