SHKRIMTARI NË PUBLIK

Konferenca, takime me lexuesin, promovime libri, lexime për fëmijët, intervista televizive, panele në panaire libri, festivale letrare,– shkrimtarët po kalojnë gjithnjë më shumë kohë duke folur në publik, kohë që ia marrin një veprimtarie tjetër për shkrimtarin është esenciale: të shkruarit. Dhe për profesionin specifik, këto dy aktivitete, të folurit dhe të shkruarit, nuk janë të ngjashme si për të tjerët, por të kundërta. Madje kur i dëgjon shumë shkrimtarë të flasin, e ka të vështirë njeriu ta marrë me mend se ai që flet është shkrimtar; sepse të shkruash mirë nuk ka shumë lidhje me të flasësh mirë.

Ngaqë kur merren me letërsinë mediat, veçanërisht televizioni, u japin vend qendror shkrimtarëve që flasin, është krijuar madje konsoliduar një lloj figure shkrimtari që e kalon kohën nga një event te tjetri, fol këtu e fol atje, nga një studio tek tjetra, nga një takim me lexuesit tek tjetri, nga një festival tek tjetri, nga një platitudë tek tjetra. Kjo ndodh rëndom në Perëndim, por tani ka shenja që të ketë prekur edhe anët tona, ku ca autorëve po u lezetohen pak si shumë dritat e skenave dhe mikrofonat.

Këto i kisha menduar edhe vetë herë pas here, sidomos kur më kërkojnë të dal në publik dhe të flas (fatmirësisht për ju dhe për mua, rrallë); por pastaj e marr veten me të mirë, me argumentin se këto dalje i bëj edhe si publicist, botues i një reviste, pra jo doemos si person që shkruan. I kisha menduar; e megjithatë u kapa në befasi nga teksti më poshtë:

Ku e gjejnë kohën shkrimtarët që të merren mirëfilli me të shkruarit? Ndonjëherë duket sikur janë gjithnjë duke folur – japin leksione, predikojnë në libraritë dhe japin mendime në talk shows. Nëse janë aq me fat sa të fitojnë çmime, qërojnë zërin dhe shprehin mirënjohjen; kur librat që kanë arritur të shkruajnë midis angazhimeve të tyre për të folur më në fund dalin në qarkullim, ata diskutojnë për “frymëzimet” dhe “procesin” e të shkruarit, në podkaste ose programe radiofonike. Gjithnjë e më tepër, jeta e një autori profesionist konsiston jo në të shkruarit, por në të folurit.

Kështu fillon një ese e Becca Rothfeld, me titull Writers Shouldn’t Talk, botuar këto ditë në Gawker. Argumenti i autores është i ngjashëm me atë që solla unë më lart – nuk ka asnjë arsye të shpresohet se dikush që e kalon kohën duke perfeksionuar mjeshtërinë e të hedhurit të fjalëve në letër, mund të jetë po aq virtuoz edhe në artin e të folurit para publikut. Të shkruarit, thotë ajo, është antidot ndaj pandërmjetësisë dhe papërpikmërisë së të folurit. Dhe për më tepër, shkrimtari gjithnjë e konsideron tekstin që prodhon si të papërfunduar, si diçka që mund t’i kthehet dhe ta rishkruajë sakaq, ose edhe ta fshijë; kush shkruan, e di që teksti përfundimtar është shpesh rezultat i heqjeve, korrigjimeve, zhvendosjeve dhe editorializimeve të tjera – gjë që folësi publik nuk mund t’i bëjë, edhe po të donte. Librat dhe esetë janë produkt i të menduarit gjatë, çfarë i bën shkrimtarët absolutisht të papërshtatshëm për t’i thirrur dhe shprehur opinionet e tyre në çast, shkruan Rothfeld; madje “shkrimtarët që kanë sukses si folës, nuk ia detyrojnë këtë të shkruarit, por diçkaje tjetër.”

Këtu unë do të shtoja se shumë shkrimtarë që dalin në publik ftohen si rregull të flasin (1) për veprën e tyre; (2) për jetën e tyre; dhe (3) për librat që kanë lexuar. Dhe këtu mund të argumentoja se shkrimtari e interpreton veprën e vet në mënyrë shumë të çuditshme – madje edhe sikur të ketë zotësitë e kritikut letrar; se shkrimtari e kalon jetën e vet të mërzitshme në dhomën e vet të punës, kur nuk e kalon duke takuar gjithfarë pallonjsh e gjelash deti në evente festive edhe më të mërzitshme; dhe më në fund, se një shkrimtar i mirë nuk është e thënë të jetë edhe lexues i mirë – me gjithë ndonjë shembull përjashtimor, si Borges-i.

Si e lexon shkrimtari veprën e kolegut të vet? Herë me admirim, herë me zili; herë duke e paragjykuar, meqë e njeh autorin; shpesh me bezdi – por edhe më shpesh për të konfirmuar se ky tjetri nuk ia ka kaluar dot në mjeshtëri, sqimë dhe shkëlqim. Kam njohur dikur një kompozitor – të shquar – që, kur duhej të shkruante një këngë për Festivalin e Këngës në RTSH, nuk dëgjonte më asnjë lloj muzike, derisa ta mbaronte kompozimin; me arsyen se nuk donte të ndikohej pa dashur. Nuk di për ndonjë shkrimtar që të mbajë dietë letrare, kur është duke shkruar, të themi, një roman; por më duket afërmendsh që të ruhet një farë distance mes të shkruarit krijues (letrar) dhe leximit të tjetrit. E megjithatë, nuk ka gjë më të rëndomtë sot, se një shkrimtar të cilin e pyesin se çfarë po lexon, çfarë i pëlqen nga kolegët e vet, çfarë mendon për këtë apo atë libër, e kështu me radhë.

Këta që pyesin, nuk do ta kenë dëgjuar ndonjëherë këtë thënie të Karl Kraus-it:

Çfarë gjëje e shpifur, një shkrimtar që lexon! Do të ishte si një kuzhinier që ha.

Kraus-i e tepron, sepse aforizmat e tij ashtu funksionojnë, nëpërmjet paradoksit. Por ka një të vërtetë që nxjerr krye, që nga poshtë sarkazmës, dhe është pikërisht që nuk ka arsye të presësh që shkrimtari i mirë të jetë edhe lexues (i mirë) i shkrimtarëve të tjerë. Njerëzit duhen njohur për atë çfarë bëjnë më mirë, jo për atë çfarë bëjnë më pak mirë; përndryshe, aq ia vlen ta pyesësh shkrimtarin si e qëron portokallin.

Sidoqë ta rrotullosh, profesioni i të shkruarit është me përkufizim individual dhe privat – meqë atij që shkruan i duhet të tërhiqet nga bota, për të dëgjuar tik-takun e mendjes së vet. Këtë madje e bëjnë edhe shkrimtarët që e kanë zakon të shkruajnë në kafé ose në bar. Ndonjëri nga ju do ta ketë lexuar romanin The Illogic of Kassel (Kassel no invita a la lógica) të Enrique Vila-Matas, ku rrëfimtarin, që jeton në Barcelonë, e ftojnë të marrë pjesë dhe të jetë pjesë e eventit artistik Documenta, në Kassel të Gjermanisë, në 2012; dhe i kërkojnë që t’i kalojë ditët, duke shkruar, në një restorant kinez diku në periferi të qytetit – me shkrimtarin që shkruan në një restorant kinez si një lloj instalacioni i ekspozuar në event. Protagonisti gjithnjë e ka të siguruar privatësinë e nevojshme për të shkruar, por tashmë kësaj i shtohet edhe vetëdija se është objekt për t’u soditur dhe përjetuar dhe interpretuar nga vizitorët e art show-t.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin