THA

 

Fjalëz modeste, por ia hap portat ekzistencës publike.

THA.

 

Mbretëron në hapësirat midis ligjëratës institucionale dhe pëshpërimës private.

Sinjalizon një ligjëratë të paketuar për t’iu shitur veshit anonim.

Shumë i kanë ndjekur seancat e parlamentit shqiptar. Drejtpërsëdrejti. Pa THA – ekrani i TV nuk vlen si i tillë.

Neveri e pafalshme. Imuniteti – licensë për harbutllëk. E drejta themelore për karagjozllëk.

Xhahilë kundër xhahilëve, si në kllapitë e Fan Nolit.

Teatër post-modern i improvizimit në kafaz të majmunëve.

 

THA është pelivani që ecën në litarin nderë midis çka duhet thënë dhe çka mund të thuhet.

Edhe tym, edhe filtër.

Shteti ligjëron me deklarata, dekrete, shpallje, motivacione, nota proteste. Karabiná të drunjta, nuk lënë vend për hijedritën e komentit, rezervës, shkeljes së syrit, distancimit, dialogut.

Fjalët e shtetit janë të shtetit edhe kur përfundojnë në kosh të plehrave të një WC-je publike.

 

THA është tabela që shenjon pronën e askujt, por të respektuar.

Trotuarin ku çon jetë opinioni publik. Parkun e rrjepur ku marrin një sy gjumë rapsodët e lodhur.

Autoriteti që flet privatisht në një kafe, e din se fjalët do t’i zhdoganohen nesër mejhaneve me një THA – vulë ose tatuazh legjitimues për përdorim në opinion.

Kush e krahason deklaratën e Këshillit të Ministrave me ç’THA Fatosi mbrëmë në aksh hotel ose me aksh shoqëri shahitësh zelltarë?

 

THA është gjuha që kocka s’ka e kocka s’thyen.

Shkërbejani vlerat me simotrën “i thashë”, ose pudrën universale të vanitetit.

I THASHË është aplikim i pacipë i gënjeshtarit për licensë.

Një shprehje nga frëngjishtja: “l’esprit de l’escalier”. Kështu i thashë ministrit, kështu i thashë presidentit, kështu i thashë ambasadorit, kështu i thashë Ismailit.

Një nga ato shprehje që duhen larguar me takt nga çdo bisedë e respektueshme.

Si qyrret që ia fshijmë fëmijës nga buza e sipërme.

 

I THASHË

Kërkesë përulësisht publikut për lëmoshë përdëllim shëlbesë.

Rënkim i të pafuqishmit para pushtetarit.

 

Më në fund, mohim i mohimit, shprehja emblemë e thashethemit grarishte:

I THASHË THA

 

Zhdrejtësi në fuqi të dytë, aerosolizim i së vërtetës ligjërimore.

Pavdekësim mizor i të papërfillshmes.

 

THA ruan, përkundrazi, kthjelltësinë e brilantit në unazën e nuses së vdekur. Premtim i një të vërtete që nuk s’mund të zhbëhet më.

Kthjelltësi balsamuese.

E vendos fjalën në vetrinat shfajësuese të muzeut.

Nuk e vret, as ua dorëzon krimbave; e muros në histori.

Në hapësirën e opinionit, e vërteta është më mit se legjenda.

 

THA është gjurma e një gjesti sakralizues, ose e kërkesës për ta nxjerrë kasnecin nga korniza e ngjarjeve. Një tjetër shprehje, këtë herë nga anglishtja: “Don’t shoot the messenger.”

Shteti informon, urdhëron, deklaron.

Përkundrazi, THA e sanksionon të vërtetën si kundërinformacion.

Ligjërata e shtetit është pjesë e liturgjisë së riprodhimit të pushtetit. THA është pulsimi i vetëdijes publike, që nuk e lë historinë të karnivalizohet në teatrin institucional.

 

THA është thashethem i kromuar llamburitës i mirëmbajtur.

Në Shqipëri kafenetë e bohemës u kundërvihen restoranteve të shtetit.

Në restorante “të mëdhenjtë” e çimentojnë ekzistencën duke ngrënë pirë qeshur favorizuar kurvëruar dhjerë.

Në kafene plakat e historisë ia thurin qefinin gënjeshtrës. Fjalë pas fjale.

 

THA është hendeku që ndan të sotmen e rreme nga e nesërmja e djeshme.

Në kafenetë përpjekja kryesore është për t’i dhënë një kuptim absurdes së ekzistencës. Për ta kristalizuar arbitraritetin.

THA nuk është çjerrje e maskës së karnevalit, vetëm koment letrar i farsës karnevaleske. Hermeneutikë e maskuar si heuristikë.

 

Kjo shpjegon edhe kujdesin e THA për sferën private.

Jo për atë private që ia shkel syrin publikes, për sharjen e lëshuar me mikrofonin hapur ose anekdotën e treguar me kamerierin përbri.

Kujdesin e THA për përmasën e fshehtë të jetës së të gjithëve.

Deri edhe djalli nuk ka dëshirë t’ia përmendësh disa bëma. Pa le Zoti.

Fshehtësia private nuk ka të bëjë me anën e padukshme të realitetit.

THA merret me skeletin e reales, jo me skeletet në dollapet e të pushtetshmëve.

Është përmasa informale e realitetit, ose frymëmarrja e vetvetishmërisë.

E shenjon të vërtetën si të nevojshme.

 

THA është qytetërim, përkundrejt barbarisë së përgjimit.

Dosjet totalitare të përgjimit kanë hyrë tani në atë fazë kur krimbat, si kanë mbaruar me të vdekurit, po i kthehen njëri-tjetrit.

THA-të e atyre dosjeve janë të rreme kallpe mashtruese. Vijnë prej një publiku malefik – përgjuesve – që nuk janë pranuar kurrë në tryezat e bisedave.

Përgjimi është blasfemi.

Liria për të mos u dëgjuar është njëlloj e shenjtë sa edhe liria e fjalëve për t’u përqafuar me THA-të përkatëse.

Përgjimi është t’u hapësh vend demonëve në sofër. Të luash teatër në varreza.

Mediat shqiptare, nga ana e tyre, kujtojnë se e luajnë mirë vallen në litar.

Por fjala e përcjellë në gazetë denatyrohet, dealkoolizohet, dekafeinizohet.

I mungon muzika e kontekstit, harmonia e zërave.

 

THA në gazetë nuk shenjon më balsamosjen, por morgun.

Përgjimi “i zbardhur” – nekrofilinë.

Verba volant, thoshin latinët. Po pastaj ç’bëhen, kur u soset fryma?

 

2004


Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin