ELITA TË VONUARA

Nga intervista e gjatë e Bashkim Shehut (ri)botuar këto ditë, e cila patjetër duhet lexuar e plotë meqë janë fjalë të një njeriu të mençur, më grishi të komentoj pak pasazhi i mëposhtëm:

Fevziu: Cili është ndikimi më i madh i të shkuarës që vazhdon të dominojë? Si e gjykoni?
Shehu: Në një sërë drejtimesh, në një sërë dimensionesh. Në jetën politike ekziston një lloj perceptimi bardh e zi. Nuk flas për shoqërinë, se një pjesë e rëndësishme e saj është e mënjanuar nga politika dhe e shikon jetën politike në një mënyrë gjithmonë e më skeptike, gjë që ka të këqiat dhe rreziqet e veta. Por, brenda përbrenda klasës politike, ekziston një vështrim bardh e zi dhe një tensionim, njëfare kreshpërimi. Kjo është një trashëgimi që kemi nga e kaluara. Gjithashtu, do të thosha dicka edhe në lidhje me qëndrimin ndaj kapitalizmit. Koncepti marksist-leninist, që kapitalizmi është një xhungël, që nuk ka norma, nuk ka moral, që është shfrytëzim dhe zhvatje e paskrupullt. Ky është koncepti marksist-leninist për kapitalizmin dhe këtë gjë ne e shohim të instaluar në kapitalizmin shqiptar, ndërsa një pjesë e kësaj elite ekonomike vjen pikërisht nga elita politike e komunizmit. Këta njerëz pikërisht janë edukuar me këtë ide, që i tillë është kapitalizmi, dhe kanë sukses ngase jane të paskrupullt. Edhe kjo është një lloj trashëgimie që kemi, d.m.th një lidhje e konsumizmit me komunizmin, gjë që shprehet edhe në kulturë njëkohësisht.

Çfarë më ngacmon mua këtu, është lidhja e papritur e konsumizmit me komunizmin, që përsiat Shehu; dhe ideja, njëlloj e re, se amoraliteti i klasës së sotme kapitaliste në Shqipëri lidhet drejtpërdrejt me konceptin marksist-leninist për kapitalizmin, si xhungël ku “ha njeriu njerinë”.

Marrëdhëniet e klasës së sotme kapitaliste në Shqipëri me elitat e djeshme komuniste, dhe veçanërisht me Sigurimin e Shtetit, shërbimet sekrete, specialistët e tregtisë së jashtme dhe diplomatët, mbeten për t’u studiuar nga sociologët; deri më sot ka vetëm gjykime dhe opinione të mbështetura në përvoja subjektive. Megjithatë, unë do ta pranoja, me Shehun, se ka një vijueshmëri midis elitës politike të djeshme dhe elitës ekonomike së sotme.

Shehu tani shpjegon, në vija të trasha, se një arsye kryesore që kjo elitë ekonomike e sotme po sillet në këtë mënyrë me shoqërinë shqiptare dhe brenda për brenda, ka të bëjë me konceptin marksist-leninist për kapitalizmin; meqë, si të thuash, këta kështu kujtojnë se është kapitalizmi, meqë aq dinë.

Unë në këtë pikë do të sugjeroja një shpjegim tjetër: që ka qenë pikërisht amoraliteti faktori që i ka mbajtur ato klasa mbi ujë – sot në kapitalizëm, dje në socializëm. Këto janë, me fjalë të tjera, elita të seleksionuara sipas aftësisë për të shkelur mbi gjithçka, në emër të karrierës vetjake dhe materializmit; derra të kënaqun, që i mbijetuan për bukuri edhe njërit sistem edhe tjetrit, dhe do të ishin në poste drejtuese edhe sikur Shqipëria të bëhej, bie fjala, pjesë e Kalifatit ose e Perandorisë së mesit.

Për këta njerëz, si komunizmi dje ashtu edhe kapitalizmi sot nuk janë veçse mjete për t’u ngjitur në krye dhe për të ndenjur atje; dhe sidomos për të grumbulluar pasuri dhe pushtet, për vete dhe të afërmit e tyre; pa kurrfarë vizioni dhe filozofie, pa kurrfarë skrupulli ose ndërgjegjeje; pa kurrfarë dëshire ose prirjeje për t’u fisnikëruar.

Të tillë shqiptarë nuk i krijoi komunizmi, as edukata marksiste-leniniste, as format e edukimit, as leximi i veprave të Enverit; përkundrazi, ishin këta që ia dhanë komunizmit shqiptar fytyrën karakteristike, unike, të papërsëritshme; meqë për këtë skotë ujqërish komunizmi nuk ishte veçse ideologjia më e përshtatshme, për momentin, që do t’i sillte në pushtet dhe do t’i ndihmonte që ta mbanin atë, siç edhe i ndihmoi.

Gjetiu në intervistë, Shehu flet për anomali të tilla në dinamikat sociale, si pasoja edhe të vonesave ose pauzave në qarkullimin normal të elitave, duke sjellë si shembull Luftën I Botërore. Thotë:

Kur ka një vonesë në ndërrimin e elitave, politike, kulturore, një shtresë që është më e re, që duhet ta kishte zënë vendin, që ka energji, atëherë ajo rebelohet ndaj elitës që është në pushtet ndaj statuskuosë dhe një nga format e ndryshme [të rebelimit, 2Xh] ështe pikërisht ideologjia marksiste. Deri në Luftën e Parë Botërore ka pasur një vonesë në ndërrimin e elitave. Kështu ka qenë edhe në Shqipëri në dekadat e para të egzistencës së shtetit shqiptar.

Në të vërtetë, mua më duket se vonesa të tilla kanë qenë të përhershme, në historinë e Shqipërisë; meqë vetë koncepti i hapjes së vendit, ose i ndërrimit si dukuri normale, ende nuk është futur dot mes nesh. Arsyeja themelore për këtë patologji është, mendoj unë, fakti që Shqipëria ende nuk e ka marrë veten, pas shkëputjes nga Perandoria Osmane; meqë elitat shqiptare, siç kam pasur rast ta them shumë herë në këtë blog, në mënyra të ndryshme, ende i referohen një qendre imagjinare në veprimet dhe motivet e tyre, një qendër të cilën e kam quajtur Perandoria Zero, dhe që me kohë ka ardhur duke u imponuar si kryeshenjues në mendësinë tonë kombëtare.

Më në fund, në intervistë, Shehu vëren edhe diçka tjetër që më duket relevante për diskutimin e këtushëm. Thotë:

[Sistemi totalitar] është një sistem që nuk lejon lirinë e shprehjes, jo vetëm tek shoqëria, por as në kupolën e tij nuk e lejon. Qeliza e ketij sistemi është organizata e partisë e tipit leninist. D.m.th., ai centralizëm që quhet demokratik, por që në të vërtetë zhduk lirinë e fjalës. Liderët, kupola, nuk dinë as për njëri-tjetrin se çfarë mendon. Prandaj thashë se nuk mund të ketë miqësi, nuk mund të ketë besim, ka vetëm bashkëfajësi, njerëz që dinë se kanë bërë diçka të keqe bashkë, diçka të palejueshme ose diçka të rëndë, që e justifikojnë në një mënyrë ose në një tjetër, dhe pikërisht kjo i lidh ata njerëz. Mirëpo, se çfarë mendon secili, atë gjë nuk mund ta dijë askush prej tyre, sepse janë privuar nga liria e shprehjes. Është vetë struktura e atij sistemi, e bazuar në dhunimin, në shtypjen totale të lirisë së shprehjes. Kjo krijon mosbesimin midis njerëzve që janë edhe në vetë kupolën që drejton vendin. Tekefundit kjo lind paranojën e atij që është më sipër: nuk ka besim te askush. Dhe ka të bëjë gjithashtu me atë që thashë, se nuk ka miqësi në kupolën e atij sistemi.

Pikërisht! Këta njerëz lidheshin mes tyre më tepër nëpërmjet bashkëfajësisë (komplicitetit), si bandat kriminale; jo miqësisë, e cila u referohet standardeve morale shumë më të epërme. Dhe, do të shtoja unë, a nuk e kemi trashëguar ne sot këtë simptomë të keqe të mosbesimit ndaj tjetrit, të bindjes se tjetri motivohet gjithnjë nga arsyet më egoiste, më primitive, më materialiste, në gjithçka që kërkon të bëjë, dhe se para se ta trajtojmë si vëlla, në kuptimin filozofik, duhet ta trajtojmë si armik, përsëri në kuptimin filozofik? Por edhe një herë tjetër, mua e gjithë kjo më sugjeron çka përmenda më lart; dhe pikërisht se elitat në Shqipëri janë seleksionuar sipas amoralitetit, jo moralitetit; prandaj në krye të vendit, politikisht dhe ekonomikisht, ka kohë që paraziton një shtresë e cila etikën e sheh si bagazh të tepërt, si luks, ose diçka që veçse mund t’i pengojë në përleshjet e tyre drejt majave.

Nuk ka komente

  1. Bete mire qe e sollet per diskutim kete xha xhai, e lexova para disa ditesh, mgjths ky e ka dhene kete interviste ne 2004.

    Me lart keni sjelle link per videon. Mbase mund te vini diku ne artikull dhe kete link per transkriptin e intervistes http://www.kohajone.com/html/artikull_17127.html qe njerzit ta lexojne nese s’duan te shikojne videon?

    Unë në këtë pikë do të sugjeroja një shpjegim tjetër: që ka qenë pikërisht amoraliteti faktori që i ka mbajtur ato klasa mbi ujë – sot në kapitalizëm, dje në socializëm.

    Po, po jo vetem amoraliteti mendoj. Amorale kishte dhe ka dhe nga ata qe s’mbijetuan dot ose s’ndenjten dot mbi uje, sic thoni, qofte atehere po dhe tani. Ka dhe faktore te tjere.

    P.sh. ne kthimin e sistemeve 20 vite me pare ata njerez ishin te privilegjuarit dhe te destinuarit si te thuash (te pakten ne raport me shumicen) per “tu kapur” ne shume stade politike dhe ekonomike; ishin me te shkolluar, me te pasur, me te dale, etj.

    Po gjithashtu ata duke qene se i kishin mbijetuar komunizmit ne Shqiperi ishin padyshim nga me amoralet, per vete c’ka kishin deshmuar e bere.

    Gjate L2B kur komunizmi u perhap ne Shqiperi (trampolina e elitave te 45 viteve qe do pasonin) nuk se ishin te gjithe njesoj te destinuar apo predispozuar ti bashkoheshin, jo vetem ata qe p.sh. ishin me ballin a zogistet (dmth ceshtje ideologjike) po dhe ata qe atehere kishin prona etj nuk se do perqafonin idene e te barabarteve qe predikon komunizmi, ose se paku s’kishin ndonje shtyse interesi per te ngrene me luge floriri pasi te arrihej barazimi, nenkupto plackitja e te pasurve. Dhe dihet qe faktori ekomonik eshte ne cdo sistem ne korelacion te drejte me elemente te tjere social-kulturore te njerzve, shkollimi etj.

    Pra komunizmi ishte si te thuash vetvetiu perjashtues i nje sere shtresash qe atehere ishin elite, duke e perdorur kete fjale loosely. Sesi vazhdoi gjate 45 viteve komunizem dihet, dhe pritej; ofruan njerzit e vet, se i tille ishte sistemi, nuk se ishte demokraci.

    Pra qe nga L2B dhe deri tani ka nje sere faktoresh qe jane percaktues ne kete seleksionim.

    Të tillë shqiptarë nuk i krijoi komunizmi, as edukata marksiste-leniniste, as format e edukimit, as leximi i veprave të Enverit; përkundrazi, ishin këta që ia dhanë komunizmit shqiptar fytyrën karakteristike, unike, të papërsëritshme; meqë për këtë skotë ujqërish komunizmi nuk ishte veçse ideologjia më e përshtatshme, për momentin, që do t’i sillte në pushtet dhe do t’i ndihmonte që ta mbanin atë, siç edhe i ndihmoi.

    Mendoj ndikimet jane te dyanshme (njerzit sistemin, po dhe sistemi njerzit), gje qe ilustrohet dhe me zhvillime te ngjashme ne vende te tjera ish-komuniste. Kam hasur disa artikuj ne mediat e huaja qe reflektojne kete, faktin qe shume elita ish-komuniste ‘bejne ligjin’ sot ne keto vende ne sfera biznesi dhe politike.

    Pra, pasi futesh ose behesh pjese e elites komuniste (duke u bazuar jo ne teori marksiste per komunizmin sic bejne disa neokomuniste blogiste, por tek ngjarjet, pra po ashtu sic jane zhvilluar ngjarjet historikisht ne vendet ku eshte aplikuar komunizmi) vete sistemi kishte ndikimet e tij jo vetem tek elitat, po dhe tek masat, si p.sh. mosrespekti ndaj shtetit, tendenca per te legjitimuar vjedhjet (kur s’ke te hash normal do vjedhesh, sidomos kur eshte prone e shtetit), mosbesimi dhe skepticizmi, e shume aspekte morale e etike qe degjeneruan dukshem jo vetem tek elitat po dhe tek masat shqiptareve ne krahasim me para komunizmit. E jo vetme tek populli jone, po dhe popujt e tjere ku u aplikua komunizmi.

    Ne vazhdim te kesaj, kur thoni ne fund te artikullit tuaj se:

    Por edhe një herë tjetër, mua e gjithë kjo më sugjeron çka përmenda më lart; dhe pikërisht se elitat në Shqipëri janë seleksionuar sipas amoralitetit, jo moralitetit…

    kjo me duket si pergjithesim, po jo vetem.

    P.sh. togfjaleshi “jane seleksionuar” nenkupton sikur dikush nga jashte ketyre elitave i ka seleksionuar keto, nje mbret apo populli me vota. Nderkohe qe nje rol te rendesishem luajne rrethanat, te pakten per sa fola ketu per kohen para dhe pas komunizmit.

    Nese do ta shtrini kete argumentim/postulat tuajin me tutje ne kohe, prap duhen analizuar te gjithe faktoret, per te mos rene ne gracken e pergjithesimeve apo argumentimeve te pabazuara ose me boshlleqe.

    Njeheresh duhet patur parasysh qe elitat, per nga vete prestigjet dhe favoret qe kane (disbalanca me masat) qe kane, jane disi te predispozuar te rreshkasen per sa i perket moralit dhe etikes, ne cdo sistem. I.e. nje cun i forte ka gjithmone me shume ‘shanse’ te abuzoje me kalamajte e tjere sesa nje kala ngrodhalaq dhe me fizik te dobet.

    P.S. Per nje ilustrim se si kane ndryshuar disa nga virtytet shqiptare, pata permbledhur ne shqip para ca kohesh tek PPU nje artikull nga New York Times te vitit 1914, mund ti hidhni nje sy ketu: http://arkivi.peshkupauje.com/shqiperia-nje-shekull-me-pare/2008/07/30/ (ka dhe referenca artikujsh te tjere te vjeter) ku midis te tjerash thuhet per shqiptaret:

    vjedhja eshte pothuajse e panjohur tek ata, dhe besnikeria e tyre eshte po aq e famshme sa heroizmi i tyre

    Tani si vjedhja si besnikeria kane ndryshuar goxha, apo jo? Besoj nuk eshte aspak spekullim po te themi se nje nga arsyet kryesor ka qene varferia dhe paranoja nen te cilat jetuam per afro gjysem shekulli nen komunizem, te cilat mbase jane te paprecedente dhe ne krahasim me pushtimet e huaja, se te pakten atehere diheshin rregullat e lojes. Nderkohe qe menyra me efikase per ti mbajtur njerzit (po dhe kafshet) gjithmone te trembur dhe te shtypur eshte ti dhunosh ne menyre “te crregullt”, pra pa ndonje schedule apo skeme te caktuar, qe ata te jetojne gjithmone ne pasiguri totale, ku si p.sh. ne komunizem, mund ta pesonte jo vetem nje puntor a bujk i pafajshem po dhe vete elita, deri tek kryeministri.

    Sic thote dhe Bashkimi ne interviste, nuk mund te kishte miqesi dhe besnikeri ne ate kohe.

  2. ””Mirëpo, se çfarë mendon secili, atë gjë nuk mund ta dijë askush prej tyre, sepse janë privuar nga liria e shprehjes. ………… Kjo krijon mosbesimin midis njerëzve……”’

    Per mendimin tim ketu duhet pare me vemendje dallimi midis ‘lirise se fjales’ dhe ‘lirise se shprehjes’, edhe pse rendom merret si e njejta gje dhe vete autori e ka marre si e njejta gje dhe nuk eshte ndalur tek dallimi.

    Liria e fjales per mua, sic e kam thene disa here ne kete blog, ne thelb eshte liria e ankimit, sepse nuk me mungon lavderimi,i cili biles nxitet, me mungon ankimi, kritika.

    Nderkaq kuptimi i lirise e shprehjes, nis me domethenien e fjales ‘shpreh’, e cila ndoshta lidhet me gjermanishten ‘Sprache’ – gjuhe a ndoshta me italishten ‘esprimere’, por qe gjithsesi nenkupton ‘mohimin e prehjes’.
    Pikerisht tek ky mohim i ‘prehjes’, gjen edhe domethenien ‘shprehja’, pra dal nga gjendja e prehjes, por jo vetem duke ‘folur’, duke perdorur ‘gjuhen’, njeriu mund te ‘shprehet’ edhe pa folur, te shprehet me punen, te shprehet me syte apo duart.

    Dalja nga gjendja e prehjes , nenkupton qe njeriu nuk ‘permban’, nuk ‘permbahet’, ku permbahet nenkupton ‘ruhet brenda ne vetvete’, ne dallim nga mbaj, qe nenkupton edhe ‘ruan te jashtmen ‘ (ma ‘mba’ ti kete gje, derisa te vij ta marr= ma ‘ruaj’ ti kete).

    Shprehja pra lidhet padyshim me daljen e qenies ne drite, dalja e ‘vetvetes per vete’, pra ka domethenie te eperme ndaj ‘fjales’ e cila mund ‘te genjeje’. Njeriu qe shprehet ‘nuk mund’ te mashtroje, nese mashtron ai njeri nuk eshte ‘shprehur’, thjesht ka folur.

    Shprehu!- themi perhere kur kerkojme sinqeritetin qe vjen nga perbrenda.

    Pikerisht mungesa e lirise se shprehjes, kur nuk kemi dalje ‘te vetvetes per vete’, qofte nga frika se mos themi apo bejme ndonje budallek apo se na kane ndaluar fjalen, apo se po te shprehemi, do tallen me ne etj, eshte edhe ‘themeli i mosbesimit’.
    Sinqeriteti i qenies, ‘i vetvetes per vete’ , qe eshte pikerisht shprehja, perben edhe bazen e ‘miqesise’, asaj ‘Miqesie’ ne domethenien shqiptare qe te gjithe e njohim por se praktikojme me e na duket si inekzistente.

    Kjo eshte pasoje e krizes se vete konceptit shqiptar te ‘njeriut’, i cili eshte perhere e me pak ‘njeri’ e me shume ‘uomo-man’.

  3. ””’ pikërisht se elitat në Shqipëri janë seleksionuar sipas amoralitetit, jo moralitetit; prandaj në krye të vendit, politikisht dhe ekonomikisht, ka kohë që paraziton një shtresë e cila etikën e sheh si bagazh të tepërt, si luks, ose diçka që veçse mund t’i pengojë në përleshjet e tyre drejt majave.””

    Ketu mund te flas per ‘njeriun’, i cili nuk ‘shprehet’ me, pra nuk ka me nje ‘vetvete per vete’, ky njeri flet ‘per vete’, ben ‘per vete’, por ne mungese te ‘shprehjes autentike’, vetvetja nuk lidhet me veten, ky eshte ‘njeriu i fundit’ nicean, ‘ai qe ngerdheshet’, ose njeriu qe ‘nuk shprehet autentikisht’.

    Por ky nuk eshte ‘njeriu’ ne domethenien shqiptare, kush i perqaset mendimit shqiptar e sheh ne drite ne Diellit, se ky nuk eshte ‘njeriu autentik’, ky nuk eshte njeriu qe del nga fraza:
    Ai nuk eshte njeri, ai eshte shtaze.

    Nga kjo ‘shprehje autentike’ qe del zakonisht nga ‘thellesia e shpirtit’ e qe perfaqeson ne mendesine shqiptare ‘asgjesimin etik’ te tjetrit, duke pare se cfare nuk eshte, ne gjejme se cfare eshte.

    Ne gjejme qe ne ndryshim nga mendimi grek (Aristoteli) i cili arriti pohimin se njeriu eshte ‘shtaze politike’, mendimi shqiptar pohon se njeriu eshte ‘shtaze etike’, dhe ketu nuk ka asgje kristiane, kjo eshte kristiane aq sa mund te jete kristian koncepti i Beses.

    Qe ‘shtaze etike’ nuk eshte formalisht larg ‘shtazes politike’, kete e kuptojme lehte po te marrim parasysh se politika per mendimin grek eshte arti i gjetjes se ‘te mires’ se perbashket, por cfare eshte e mire eshte ‘etike’.

    E megjithate nje veshtrim me kembengules, arrin ta kuptoje se si ‘shtaze etike’ apo ‘shtaze politike’ perfaqesojne nje ‘kunderthenie ne terma’ dhe pikerisht te kunderten e njera tjetres.
    Pra sinteza ‘njeri’ arrihet vetem me dialektiken hegeliane, ky dy te kunderta arrijne nje sinteze.

    Ne kete pike po te shikojme me vemendje se cila eshte e kunderta e ‘shtazes’ do gjejme mjaft lehte se eshte etika dhe jo politika. Politika ne kuptimin grek eshte ‘art’, sot deri edhe ‘shkence’, por ne te dyja raste, kemi te bejme me nje hap tjeter, me nje veprim, pra qe nuk eshte tek thelbi (vetvetja), por tek paraqitja (vetja).

    Por kjo nuk e kenaq dialektiken hegeliane, sepse ne dialektiken hegeliane te dyja te kundertat gjenden ne esencen(vetveten) e sintezes.

    Pra politika nuk eshte vertet e kunderta, por paraqitja e se kundertes, dmth jo e kunderta ‘ne vetvete’, por e kunderta ‘per vete’. Politika ne domethenien aristoteliane pra eshte paraqitja e etikes, por jo etika ne vetvete.

    Keshtu qe ndjekja e dialektikes hegeliane, e cila eshte e vetmja qe arrin te perputhe dy te kunderta ne nje sinteze, na con ne perfundimin se :
    1-Nese teza eshte Shtaza,
    2-atehere antiteza eshte Etika,
    3- sinteza eshte Njeriu.

    Pra njeriu eshte shtaze etike, paraqitja e se ciles eshte politika.

    Kuptohet qe ndjekja e dialektikes hegeliane, menjanon mundesine e ‘MORALISTIT’, ky individ nuk ‘eshte’ me SHTAZE, ky e ka mohuar ‘shtazen’, rrjedhimisht nuk eshte NJERI ne domethenien shqiptare. Kristiani si Moralist nuk eshte ‘Njeri’ ne domethenien esenciale shqiptare, vetem ne domethenien Formale.

    Nicja thoshte se:
    – Njeriu eshte shtaza e vetme e pastabilizuar ende ne esencen e vet’ .

    Ne fakt nuk eshte e stabilizuar ne esencen e vet, jo per shkak te faktorit ‘shtaze’ sepse shtaza ne vetvete eshte e stabilizuar, por per shkak te faktorit ‘moral’, i cili eshte i paqendrueshem sepse nuk eshte absolut.

    Pra vetem kur te arrihet nje moral absolut, mund te kemi pertejesimin e njeriut, kapercimin e njeriut ne mbinjeri. (Nicja e identifikon tek kerkimi i nje morali natyror qe e kthen njeriun ne rrenjet e tij, cka do ishte nje perendim i Njeriut, dhe fale ketij perendimi njeriu do kapercehet, do shkoje pertej).

    Por ky nuk eshte problemi jone, ajo qe ka rendesi eshte pikerisht se mohimi i etikes, eshte mohim i nje pjese qe ndodhet ne ‘esencen e njeriut’, ne domethenien shqiptare, pra vete ‘njeriu’ keshtu mohohet dhe del pergjithesisht Shtaza. Kjo Shtaze e kerkon zgjidhjen e problemeve qe ka me realitetin tek POLITIKA, por ne fakt duhet ta kerkoje tek esenca e vet. Shtaza nuk e arrin dot politiken , pa arritur etiken.

    Ky eshte edhe problemi kryesor i Komunizmit apo filozofive materialiste, gjithcka qe lidhet me materien me te prekshmen, i duhet trupit, i duhet esences tone si shtaze.
    Ne rrugen e zbatimit te saj ne mohojme pjesen tjeter te Njeriut, ate qe e lidh me mendimin.
    Ne shqip i pagdhendur, vjen nga gdhend e cila nga gdhe qe ka lidhje me gdhenjcke-e dale, e shtrembert, pyke, prandaj themi edhe :

    Ai eshte pyke ne diell- pra ‘ i shtrember’.

    E verteta, mendimi, ka lidhje me c’eshte ‘e drejte’ (mund te gjenden paralelizma edhe ne gjuhe te tjera qe e verteta=e drejta), por c’eshte e drejte ne zanafillen e vet i perkiste etikes. Mungesa e fjaleve shqip, pengon nje arsyetim te metejshem te mbeshtetur mbi pervojen shqiptare.

  4. Thotë Xhaxhai:“në këtë pikë do të sugjeroja një shpjegim tjetër: që ka qenë pikërisht amoraliteti faktori që i ka mbajtur ato klasa mbi ujë…”

    Origjina e etikës në ekonomi fillon që tek Aristoteli, i cili e lidhte atë me objektivat njerëzore, duke patur parasysh që, kur bëhet fjalë për të rendurit pas pasurimit, ky pasurim nuk është qëllimi në vetvehte, por një mjet për të arritur qëllime të tjera.
    Pra nuk është e mundur që të ndajmë studimin e ekonomisë nga ai i etikës dhe i filozofisë politike, ashtu si ekonomistët nuk mund të mos pranojnë që njeriu, në veprimtarinë e tij, vepron jo vetëm prirur nga objektiva të plotësimit të nevojave materiale, por edhe nga morali dhe etika.

    Një sistem ekonomik pa etikë, nuk është në gjëndje të përqëndrohet tek e mira e përbashkët dhe është i destinuar të shkatërrohet.

    Kush t’i ketë thënë vallë këto fjalë?

    Marksi? Kisha?

  5. Eshte vete perfundimi i analizes suaj z. Autor qe perjashton mundesine e korrektimit te sistemit – e kam fjalen per ate cfare ju shkruani per komunitetet lokale ne shkrimin e paradokohshem “Komunizmi i ndrydhur”. Kur them korrektim dua te them nje permiresim apo nje reformim te tij, prej nga ku shume probleme qe sot jane mahisur do te mund te merrnin nje rruge zgjidhjeje brenda kuadrit demokratik dhe te nje shoqerie qe kerkon te ndryshoje dicka.
    Kjo eshte nje alternative, e cila mund te marre jete ne praktike nese problemet dhe dukurite negative qendrojne si vatra tumoriale te cilat mund t’i izolosh dhe jo kur ato shihen tashme prej nje shumice si pjese e normalitetit te perditshem. Nga ana tjeter, nje sundim kaq i gjate i krimit politik, apo i politikes kriminale, por edhe i njerezve qe i bashkon ndergjegja kriminale, padyshim qe ka hedhur rrenje te forta dhe nuk mund te pretendosh se sot kjo dukuri eshte tipar i nje grupi qe trashegon ne gjak, por edhe ne zakone eliten e Diktatures. Dua te them, se sundimi kaq afatgjate i politkes se ngritur mbi premisat e krimit (a nuk ndodh kudo keshtu ?), ka infekttuar shoqerine, e ka korruptuar moralin e saj, qofte edhe pse kjo shoqeri qe eshte dijeni te akteve kriminale zgjedh serish ne krye te njejtin ekip. Pra distancimi i shumices nga Krimi dhe pretendimi per ndryshim nuk vjen keshtu nga nje pikeveshtrim moral, por nga fakti se te gjithe jemi ne kurthin e ngritur te te vetmes elite qe kemi – te afte per te marre pushtetin. Ky proces qe ka shenjuar rrugen e Shqiperise per 50 vjet, pak vend le pra per nje kat’harsis dhe rasti i z. Shehu eshte nje perjashtim qe spikat. Ai nuk manifeston dot forcen e nje modeli te ri shoqeror, pse sugjeron ne vetvete sakrificen e perjashtimit nga pushteti dhe nje “Mea Culpa” e cila nuk ka adrese.

    Nese e shohim sot ekipin drejtues shqiptar (flas ne teresi sic e cekni ju ne shkrim) si nje strukture politike qe shartohet me te kaluaren amorale dhe kriminale, atehere mund te nxjerrin konkluzionin se pushteti sot ashtu si dje ngjan me nje ngrehine kriptomafioze. Me te pranuar kete, une mendoj se i japim te drejte tezave radikale politike, te cilat permes artikulimit kembengules te nje morali te ri dhe gatishmerise per hedhur ne veprim cdo mjet, sugjerohet si nje model politik qe e ben me te rrokshem idene e nje ndryshimi. Por edhe me realist. Alternativa e nje moderimi dhe reformimi te brendshem, vetiu bie qe ne momentin qe pranojme se teatri i sotshem ka te njejtet aktore, por edhe te njejtet spektatore.
    Si te thuash analiza juaj ketu i jep te drejte sugjerimeve politike te Hamzes ne kuptimin e rruges qe kerkohet te ndqiet.

    1. Dje po lexoja një analizë, në Corriere della Sera, për situatën politike të tanishme në Itali (“Piazze piene e idee vuote”); ku autori, Sergio Romano, shprehte dyshimin se mos zgjedhjet e tanishme vendore në Itali nuk ishin momenti më i përshtatshëm për manifestimet e mëdha politike që kanë pushtuar piacat e qyteteve kryesore të Italisë dhe kryetitujt e mediave. Shkruan Romano:

      Do të dëshironim të dëgjonim kandidatët t’u shpjegonin, zgjedhësve të tyre, se çfarë programesh kanë ndërmend të zbatojnë, po të zgjidhen. Mirëpo, në vend të kësaj, kemi një manifestim të madh të qendrës së majtë sot në Romë, dhe një manifestim të madh të qendrës së djathtë të dielën tjetër në Milano. Këto dy manifestime […] para së gjithash e errësuan krejt debatin parazgjedhor për përmbajtjen e kandidaturave të ndryshme. Po flitet për gjithçka, përveçse për çfarë Regioni-t kanë të drejtë dhe detyrë të bëjnë në fushat e shëndetësisë, sigurisë, punësimit, arsimit publik. […] Ndërsa e majta mobilizohet kundër Berlusconi-t, udhëheqësi i PDL-së mobilizon popullin e vet kundër komunistëve, gjykatësve partizanë, regjisorëve të fshehtë të një komploti kundër-qeveritar. E njëjta histori përsëritet. Në vend që të ftohemi të zgjedhim mes administratorëve dhe programeve, na kërkohet të zgjedhim midis së Mirës dhe së Keqes, diktaturës përparuese të së djathtës dhe komunizmit të pakurueshëm të së majtës. Natyrshëm të vjen të pyesësh veten nëse partitë po merren me këto gjëra ngaqë nuk dinë me çfarë të merren. Thonë se po u flasin qytetarëve demokratë dhe të vetëdijshëm, por nuk u kërkojnë votën – u kërkojnë besën.

      Kështu Romano. Më bëri të mendoj, veçanërisht, për rrezikun serioz që përfaqëson partitokracia, veçanërisht një vend me traditat politike të Shqipërisë, ku pluralizmi politik funksion para së gjithash si segmentim. Që këtej, edhe ideja për ta korrigjuar sistemin, duke filluar nga kufizimi i rolit dhe i pushtetit të partive politike. Është e papranueshme që këto parti ta shtrijnë pushtetin e tyre deri në atë shkallë, sa t’i detyrojnë publikun dhe mediat që gjithçka që ndodh ta interpretojnë sipas çelësit muzikor të konfliktit PS-PD. Edhe zgjedhjet në një komunë të vogël e modeste, nëse kryhen në një moment kritik, do të shndërrohen në provë force të këtyre gjigantëve, të cilët do të zbresin në bazë të armatosur deri në dhëmbë; meqë rezultatet e zgjedhjeve vlejnë vetëm sa kohë që “provojnë” këtë apo atë prirje. Që qytetarët mund të duan ta përjetojnë politikën në një nivel tjetër, më afër interesave të tyre, këtë duket sikur nuk e merr më kush parasysh.

      Çfarë i duhet shoqërisë shqiptare, besoj unë, është një lëvizje politike e mirëfilltë; dhe me këtë kam parasysh diçka cilësisht të ndryshme nga cic-micet e elitave në Tiranë. Kjo lëvizje do të kërkonte, para së gjithash, decentralizim radikal të politikës, duke filluar nga federalizimi dhe dhënia e kompetencave sa më të mëdha autoriteteve lokale. Pas decentralizimit, do të gjendeshin edhe mënyra të përshtatshme për ta ridisenjuar qendrën politike; por gjithnjë në funksion të realiteteve lokale. Në rrethanat kur gjithçka vërtet e rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët vendoset në Bruksel, në Romë, në Athinë, në Washington dhe gjetiu (kur nuk vendoset nga ambasadorët dhe Banka Botërore në Tiranë), e vetmja politikë e cila ende nuk e ka humbur kuptimin do të ishte ajo në nivel lokal; e cila me kalimin e kohës do të ndikonte edhe në ekonomitë krahinore e më tej, duke krijuar kështu një brez të ri elitash jo vetëm politike, por edhe ekonomike.

      1. E decentralizuar ne menyre radikale eshte edhe Italia qe ju e sillni ketu si ilustrim. Karten evropiane te Autonomise se Pushtetit Lokal e ka firmosur edhe Shqiperia dhe ne nje mase te madhe ajo ka gjetur zbatim ne praktike, per sa kohe qe zgjedhjet lokale kane nisur te prodhojne rezultate “paradoksale” ne raport me ato parlamentare. Por serish situata polarizohet “skajshem” edhe ne nje vend me standarte demokratike. (Duhet kujtuar ketu se levizjet migratore kane krijuar basene elektorale, c’ka te ncxit dyshimin se pas tyre jane luajtur politika te verteta. Kjo mase e kushtezuar nga demokracia, e ka prishur kohezionin qytetar dhe komunitar, pse ka nderfutur nme trupin e mjediseve lokale Te Huajin). Kalohet pra natyrshem ne retorike populiste dhe ne oferta “radikale”. Pse ndodh kjo ? Une mendoj se kjo dukuri gjen vend ne ato vende apo shoqeri qe demokracine e perjetojne ne menyre perverse, dicka si monologu i Pacinos per Zotin te Avokati i Djallit. Ngrehina juridike e sofistikuar qe dikton sistemi pluralist ne mungese te nje morali politik, reduktohet ne nje liber ligjesh ku referenca eshte formale dhe thjesht sa per te siguruar nje valvul tensioni per dredhine radhes. E kam fjalen te legalizimi i lojes politike, e cila sikurse thuhet edhe ne shkrimin tuaj ka ne shpirtin e vet vetem interesin ekonomik. Duhet te njohim realitetin ekzistues sot; nuk ka asgje me vlere ne Shqiperi qe te mos jete aset ekonomik i grupit politik qe drejton ne Tirane. ASGJE. Ne kete kontekst sugjerimi juaj per ndertimin e politikave ne nivel lokal qe do te sherbenin nder te tjera si ledh i perplasjeve PS-PD, ka humbur paraprakisht piken e forte prej nga ku do te mundesohej kjo autonomi e per pasoje ky decentralizim efektiv.

        Thoni:

        “Që qytetarët mund të duan ta përjetojnë politikën në një nivel tjetër, më afër interesave të tyre, këtë duket sikur nuk e merr më kush parasysh”.

        Shume e vertet, vetem se i mungon pjesa e dyte; qe qytetaret prej kohesh si shtyse kryesore kane integrimin e interesave te tyre me ato te partise apo njeriut te partise qe se fundmi eshte edhe biznesmen. Ky per mua eshte nje akt qe pervecse korrupton moralin permes deshperimit ekonomik, krijon nder te tjera edhe peizazhe elektorale deshperuese per ata qe duan me te vertete ndryshimin.
        Ajo levizje qe sugjerohet e qe do te sherbente si amortizues politik, por edhe moral eshte e destinuar te apeloje radikalizmin, jo vetem se e ketille shfaqet situata, por sepse nuk ka realisht asnje mundesi per imponuar veten brenda nje skene politike qe kur vjen puna per korruptimin funksionon si ore zvicerane. Ne kete pike une rikujtojn se 50 vjet politike qe vret lirine e semur nje shoqeri, e pra te ngresh supozime politike duke marre si premise moralin e shendoshe te kesaj shoqerie mendoj se minimalisht shfaqesh jorealist.

        Dua te jap nje shembull qe ndoshta flet me mire. Prej 20 vjetesh ne Shqiperi sundon krimi dhe korrupsioni; e thene kjo si ne menyre zyrtare nga raporte dhe statistika edhe te atyre qe na monitorojne, por edhe e perjetuar nga te gjithe. Askush nuk eshte denuar. Vete ky fakt deshmon se cdo gje negociohet, cdo gje, mjafton qe pazari i radhes te ekulibroje situaten. Prej ketij fakti duhet te nxjerrim konkluzionin se paradoksalisht radikalizmi politik kur shfaqet e nenkupton nje dimension moral me te ngritur, pse ai minimalisht refuzon negocimin per te kerkuar ndryshimin. Ritheksoj, me radikalizem nuk duhet kuptuar medoemos cenimi i lirise, por zbatimi i ligjeve ne menyre efektive. Kjo ka rendesi te thuhet sepse ne Shqiperi zbatimi i ligjit interpretohet here pas here si rrezik per autoritarizem. Kjo eshte edukata qe incizon ne mendje anarkia apo edhe kapitalizmi i gangstereve.

        Ky pushtet qe ka nga pas nje histori dhune dhe krimi, qe ka ne dore te gjitha mjetet njerezore dhe ekonomike nuk tutet prej moderacionit qe fisnikeron shpirtin njerezor, pse amoraliteti eshte pikenisja e tij.

        Gjithesesi falemnderit per pergjigjen!

  6. ””Askush nuk eshte denuar. Vete ky fakt deshmon se cdo gje negociohet, cdo gje, mjafton qe pazari i radhes te ekulibroje situaten. Prej ketij fakti duhet te nxjerrim konkluzionin se paradoksalisht radikalizmi politik kur shfaqet e nenkupton nje dimension moral me te ngritur, pse ai minimalisht refuzon negocimin per te kerkuar ndryshimin.””’

    Ti ketu ke thene nje gje te bukur edhe pse ne pamje te pare paradoksale, lufta eshte perpjekje per ngritje morale, moral qe rrenohet ne kohe paqeje.

    Paqja vete eshte pax, ‘pakt’, marreveshje e cila mundesohet pas luftes qe eshte mosmarreveshje.

    Ai qe kerkon ‘paqen’, eshte gati te ‘luftoje’ per paqen, status_quo-ne, ndersa ai qe kerkon ‘luften’ thote se lufton kunder padrejtesive qe permban ‘paqja’- status_quo-ja.

    Radikalizmi politik eshte thelbesisht i lidhur me rrezimin e status_quo-se (ne nivel kombetar apo nderkombetar) dhe e paraqet vetveten si perfaqesues i ‘ngritjes morale’, sepse lufton kunder padrejtesive qe paqja permban.

    Kjo vlen, nese e shohim paqen si pakt e jo si ideal romantik.

    E perkthyer ne praktike, shqiptaret me interesa partiake ose afersi emotive ndaj njeres pale ose tjetres, duan paqen, paktin aktual PD-PS, nje here ha ti, nje here ha une dhe e shprehin deshiren per ruajtjen e paqes,paktit, duke votuar (80% votuan PD+PS).

    Nderkaq cdo levizje radikale me kete deshire per ruajtjen e paqes/paktit qe paraqet populli, eshte e destinuar te deshtoje.

    Mekanizmat mediatike sherbejne mjaft mire ne kete drejtim dhe jane sherbetoret me te mire te ruajtjes se paqes,paktit.
    Asgje s’mund te behet, jemi plotesisht te pafuqishem, ne kete drejtim mund te bejme vetem gerr-verr, po te pakten ta bejme mire 😀

  7. Po i rikthehem edhe njehere ceshtjes, meqe ajo cka ishte e nuhatshme u shpreh, u shpall hapur nga Lubonja:
    -Eshte ‘mire’ me qene homoseksual- qe eshte domethenia e konceptit te shprehur prej tij; ‘jam homoseksual’.

    Ndersa parise diturore nuk ja mbajti te kaloje hapur nga ‘shijet’ tek ‘etika’, meqe shijet nuk mund te jene etike, Lubonjes si pjese e parise mediatike, nuk ia beri asfare syri terr; injorantet duhen ndeshkuar me kunderproteste etike e biles edhe me ‘fuqine e politikes’.

    Nuk dua te flas mbi retoriken e Lubonjes, por mbi shfaqjen serisht te lidhjes, qenie-etike-politike, e cila ne rastin e Lubonjes gjendet permbys; politike-etike-qenie.

    Kjo sepse Lubonja edhe pse me pavetedije, ne thelb po ben politike, nga edhe nevoja e ngutshme e retorikes progresiste qe ka 2 kulme :

    1- … duhet të reagojë jo vetëm moralisht shoqëria, por edhe ligjërisht shteti i së drejtës.

    2- Ajo është një kërcënim për lirinë e kujtdo.

    Kjo sepse kalimi nga ‘mire’ ne ‘ligj’ shpesh eshte i pamenjanueshem.

    Pra lidhja e fuqishme etike-politike verehet qarte, por sic thashe ketu kemi politike-etike.
    Kemi kalimin politike-etike, sepse etika nuk vjen nga mendimi shqiptar, dmth nga qenia shqiptare, por etika lubonjane vjen nga politika, nga jashte, nga Europa.

    Per tu kuptuar me mire, kujtojme se perhapja e demokracise (edhe me dhune) eshte nje veprim politik, i cili synon te vendose etiken perendimore e cila i duhet politikes/demokracise.

    Mirepo deshtimi i kesaj perhapje, sidomos me dhune, vjen prej faktit qe qenia joperendimore lufton per mbijetese, jo ne rrafshin politik por ne rrafshin etik, sepse kush kontrollon rrafshin etik, kontrollon nje pjese te mire te atij politik (mjaft te kujtojme rolin e fese ne shtetin fetaro-aristokratik).
    Perplasja etike jep perplasje politike (ne Europe verehet tek demokristianet, po ashtu ne Amerike), ndersa ne Afganistan e Irak papajtueshmeria etike do sjelle gjithnje vetem lufte te hapur.

    Per tu rikthyer prape tek kalimi lubonjak politike-etike, eshte domethenese carja e thelle ne pelhuren sociale, qe nenkupton ky kalim, psh nese do kishte kunderproteste apo nderhyrje te forcave policore, do kishim patjeter perleshje fizike.

    Mirepo lind pyetja, ne kete kalim politike-etike, si perfundon qenia e cila perfaqeson perberesin e trete te lidhjes, politike-etike-qenie (rikujtoj se kjo eshte permbysje e te natyrshmes, qenie-etike-politike= vetvete-vete-‘tjetri’) ?

    Per t’ju pergjigjur kesaj pyetje, qenia duhet pare si perberes thelbesor, e pashkaterrueshme e megjithate e mohueshme. Rikujtoj fundin e romanit orwellian ‘1984’, kur protagonistet mohuan qenien dhe ne ate cast u lane te lire, biles te flisnin cfare te donin, pikerisht sepse me mohimin e qenies, tashme smund te kish me ‘shprehje autentike’ qe domethene ‘shprehje vetvetore’, smund te kish me as ‘psikokrim’ sepse qenia u mohua dhe me te vete liria u zbraz nga cdo domethenie.

    Ne kete kendveshtrim eshte pikerisht ‘liria e qenies’ qe humbet ne rast se politika perplaset me qenien dhe fiton. Ashtu si politika fitoi mbi protagonistin e ‘1984’, politika mund te fitoje mbi qenien shqiptare, nepermjet vendosjes se etikes se saj (ku etike merret ne domethenien zanafillore, sjellje e mire).

    Keshtu ndodhemi serisht perballe problemit, a eshte i mundur mendimi shqiptar, i cili eshte i vetmi qe mund te rivendose lidhjen zanafillore, qenie-etike-politike.
    Te menduarit mendimin shqiptar eshte thelbesor per pertejesimin e shqiptarit, ku shqiptari nuk humb lirine dhe njekohesisht pershtatet me kohen, duke pasur nje ekuiliber midis te brendshmes dhe te jashtmes qe lejon harmonine, e cila eshte thelbesore per shprehjen autentike te shqiptares, pra nese shqiptaret kane vertet dicka autentike per te thene, vetem ne kete menyre mund ta arrijne.

    Te menduarit mendimin joshqiptar, nuk ben gje tjeter vecse zgjat ne pasosmeri krizen dhe shqiptaret nuk do jetojne asnje dite si qenie autentike, por si surrogate.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: