Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Jurisprudencë / Letërsi

ASPEKTE TË SË DREJTËS ZAKONORE SHQIPTARE TE “BREZNITË E HANKONATËVE”

Sprovë mbështetur tek “Breznitë e Hankonatëve”

nga Agron Alibali, LL.M.[1]

Përmbajtja: 1. Hyrje; 2. E drejta pozitive dhe e drejta zakonore; 3. Ligj i lashtë dhe i mirë; 4. Shkrimtari dhe e drejta zakonore; 5. E drejta zakonore tek “Breznitë e Hankonatëve”; 6. Përfundim. 

  1. Hyrje

Kjo sprovë rreket të përcjellë disa anë të së drejtës së pashkruar[2] shqiptare të fushës civile, të pasqyruara në veprën e Kadaresë “Breznitë e Hankonatëve”[3]. Përndryshe, aspektet më prekëse e dramatike të së drejtës dokësore shqiptare, ato në fushën penale, që lidhen me gjakun, gjakmarrjen, besën, mikprerjen etj. janë trajtuar gjerësisht dhe në këndvështrime të ndryshme nga kritika vendase dhe e huaj.[4][5] Përmes përshkrimit të fateve të gjashtë brezave të familjes Hankoni, “Breznitë e Hankonatëve” na përçon aspekte sa të çmuara, aq edhe të çuditshme të së drejtës pozitive dhe asaj zakonore, si dhe të ndërthurjeve e ndërveprimit midis tyre.

 

Le të shqyrtojmë fillimisht faktet dhe rrethanat e çështjes, që përbën boshtin e novelës.

Data e gjykimit është 20 mars 1703 – mëngjes, prag pranvere;

Vendi i gjykimit është Gjirokastra, në agun e zgjerimit të saj qytetës;

Palët ndërgjygjëse janë Basri Hankoni – paditës, ardhës diku nga malet e Zagorisë apo Tepelenës, dhe Jahja Toro – anas, i paditur;

Objekti i padisë apo i mosmarrëveshjes është Ara e Mullenjave, të cilën e pretendon paditësi;

Gjykatës është Kadiu Abdelkadir. “Kadilerët e Gjirokastrës  – shton Shkrimtari – ishin të dëgjuar në gjithë shtetin e madh osman për zotësinë e tyre”.[6]

Procesi gjyqësor kishte qenë i zvargur. Gjykata ishte munduar t’i jepte zgjidhje, duke shqyrtuar maspari tapitë e vjetra. Mirëpo përcaktimi i kufirit kishte qenë i pamundur për shkak të rrëmujës së arkivave, por edhe për shkak të një përroi të ardhur nga Mali i Gjerë, që me zigzaget e paparashikueshme të prurjeve stinore, e kishte ngatërruar dhe më shumë fillin e sinoreve.

  1. E drejta pozitive dhe e drejta zakonore

Në thelb, konflikti civil nuk ishte vetëm njëfarë përplasjeje interesash pasurore midis anasit dhe ardhësit. Ai ishte sidomos konflikt midis dy sistemesh të ndryshme juridike: midis ligjit otoman si shprehje e së drejtës pozitive, të prurë nga Anadolli, me ligjin e gjetur ose ekzistues, që s’ishte tjetër veçse kodi i lashtë dhe i pashkruar vendas. Megjithë përpjekjet e kadiut, kishte qenë e pamundur që çështja të zgjidhej me ligjin otoman. Mjeti i vetëm i mbetur ishte e drejta dokësore vendase – apo rregullat e lashta që përcaktonin ndarjen e pleqësisë përmes bésë. Atë ditë agu pranvere të vitit të largët 1703 palët ndërgjyqëse parandjenin në heshtje se “e drejta e lashtë gjindet mes nesh sot e gjithë ditën“.[7]

E drejta pozitive është, në thelb, tërësia e normave, dispozitave apo rregullave, e ngulitur në trajtën e shkruar, në ligj. Ajo shfaqet tek “Breznitë” përmes përmendjes së dekreteve, fermaneve sulltanore, reformave juridike të Tanzimatit, rregulloreve të ndryshme etj.[8] Natyrisht, kjo tablo e ligjit “të importuar” nuk do të ishte e plotë pa sheriatin.[9]

Nga ana tjetër, e drejta e pashkruar mund të përkufizohet si tërësia e normave të transmetuara gojarisht ndër breza – qysh “herët herët”, siç gjejmë të shprehur në Kanunin e Lekë Dukagjinit – ose të vendosura si sulle[10] në kuvende, të cilat rregullonin në mbarë trojet shqiptare marrëdhëniet shoqërore, familjare, pronën, trashëgiminë etj.

Nëse rrekemi ta ndajmë më tej këtë korpus të çmuar dokësor mund të themi se ai, sikurse e drejta pozitive, përbëhet nga e drejta zakonore penale, që rregullonte “mbrapshtinat”, apo krimet ndaj personit, komunitetit, pronës, gjasë etj,[11] dhe e drejta zakonore civile, që rregullonte të gjitha mosmarrëveshjet për pasurinë e luajtshme e të paluajtshme.[12] Kësaj të fundit mund t’i bashkëngjisim edhe rregullimet në fushën e trashëgimisë e të mosmarrëveshjeve familjare etj.[13] Kjo Jus non scriptum e shoqëron rrëfimin e Shkrimtarit përgjatë gjithë novelës.

  1. Ligj i lashtë dhe i mirë

Ligji apo e drejta dokësore ka dy tipare themelore. Maspari e drejta e pashkruar duhet të jetë e vjetër. Njiheri, ajo duhet të jetë e mirë.

Mosha apo vjetëria ishte përgjithësisht tipari më i qenësishëm i dokeve më të hershme, të cilave po u referohemi si ligji objektiv. I lindur në agun e shoqërisë njerëzore, i përsëritur, transmetuar, përcjellë e zbatuar brez pas brezi, ky “leges patrum” apo “ligji i etërve”…ishte, në fakt, zakon”.[14] Dhe pikërisht “sipas zakonit të vjetër”, apo kryerjes së bé-së në pronën objekt padie, vërtiten ngjarjet në novelën tonë.[15]

Mirëpo nuk është veç mosha që krijon ligjin e pashkruar. Ky përmban në vetvete edhe një element tjetër të qenësishëm: ai duhet të jetë edhe ligj i mirë. Sepse zakonet apo praktikat e ngulitura jo gjithnjë janë të mira.[16] Shembuj tipikë janë gjakmarrja, pozita relative e gruas, fejesat në djep etj.[17]

Atë ditë të marsit 1703, kur e drejta pozitive kishte shteruar në tagrin e vet për të vendosur të drejtën, palët vendosin ta zgjidhin mosmarrëveshjen përmes së drejtës dokësore. Dhe pikërisht me institutin e lashtë të bé-së. E drejta pozitive, megjithatë, nuk dorëzohet kollaj. Në vend të pleqve, apo pleqnarëve mitikë, që ndanin gjyqet e mosmarrëveshjet nëpër malet shqiptare, “seancën gjyqësore” në qiell të hapur e drejtonte gjykatësi otoman.

Pyetja e parë është se çfarë burimi të së drejtës zbaton Kadareja në rrëfimin e vet? E thënë ndryshe, çfarë ligjesh dokësore, sulle apo institute zakonore përdor Shkrimtari si mjete artistike për ndërtimin e tekstit dhe për ta ripërcjellë konfliktin ligjor / dokësor në veprën e tij?

Dhe më tej, si mund ta ketë përthithur dhe përçuar ai këtë korpus gjigand ligjesh dhe sullesh të pashkruara? Dhe së fundi, çfarë e ndan fiksionin, të përcjellë përmes tekstit si narrativë, nga burimorja, të nënkuptuar dhe referuar në shkrim?

Dihet se areali ku ngjarjet marrin shtat është vendlindja e Kadaresë. Kuptohet që Shkrimtari mbështetet në të drejtën zakonore të Shqipërisë së Poshtme, një masë dheu që, në atë kohë, përmblidhej midis lumit Shkumbin dhe Gjiut të Artës. Këtu përfshihen, në vija të trasha, e drejta zakonore e Çamërisë, ajo e Labërisë, dhe e Toskërisë.[18]

Një shënim i çuditshëm i Gjeçovit na jep të dhënat rrethanore për korpusin juridik që Shkrimtari zbaton në Gjirokastër. Shkruan gjurmuesi i njohur: “Edhe Labëria ose arbëneshët e Toskënisë bajnë kuvende mbas Kanunit të Lekë Dukagjinit.” Dhe më tej: “Krahi qi i afrohet Gjinokastrës thonë: “Me ba kuvend mbas kanunit të Pirrit.”[19]

Kjo thënie e Gjeçovit, natyrisht, duhet marrë me rezervë dhe duhet qartësuar më tej.[20] Ajo çka na intereson këtu është uniciteti në diversitet, njëjësia apo përbashkësia[21] e së drejtës zakonore shqiptare në jugë e veri. Përtej shumësisë së Arbërive të vogla të kohës, me dallimet, lokalizmat e veçoritë e tyre të natyrshme në të drejtën dokësore, ngrihej Arbëria e përbashkët dhe e plotë, që kishte të njëjtë jo vetëm gjuhën e gjakun, por edhe thelbin e së drejtës dokësore.[22] Pavarësisht nga variacionet apo devijacionet, ku veçojmë për shembull “martesën midis kushërinjve të parë për shkak të moscopëtimit të pasurisë,”[23] kjo e drejtë e lashtë gojore ishte e njëjtë dhe koherente sa u takon parimeve, institucioneve dhe trajtave të veta themelore.[24] Kuvendet në rrethet e Gjirokastrës i “bajnë …mbas Kanunit të Lekë Dukagjinit”, shprehet Gjeçovi. Edhe Kadareja pra, kur flet apo shkruan për të drejtën zakonore të Gjirokastrës, nuk është aspak larg Kanunit të Lekës, të Skënderbeut apo të Dibrës në veri.

  1. Shkrimtari dhe e drejta zakonore

Si diçka e pashkruar, dhe e transmetuar gojarisht nëpër breza, e drejta zakonore ruan në vetvete ngjizjen dhe qëndrueshmërinë e parimit a normës, mbështur në kujtesën individuale dhe kolektive, dhe sidomos në parimin thelbësor procedural të precedentit. Mirëpo për vetë karakterin e saj të pashkruar dhe mbështetjen tek kazusi i gjykuar dikur, ajo është veçanërisht e prirur për intertekstualizim, ndryshim e përpunim. Ky elasticitet apo plasticitet – duke ruajtur gjithnjë boshtin e trashëguar nga leges patrum – përfaqëson pikërisht forcën, larminë, apo edhe vetë gjallërinë e jetës së saj.

Në këtë sprovë të jashtëzakonshme Kadareja na shfaqet, së pari, si njëfarë mbledhësi apo gjurmuesi të normës së pashkruar. Si vëzhgues i mprehtë dhe i vëmendshëm, Shkrimtari shkon në gurrë. Ai e “mbledh” të drejtën zakonore nga tregimet dhe bisedat e paraardhësve të tij, netëve të gjata rreth oxhakut të odàve të qytetit të gurtë, ose si dëgjues i kujdesshëm i kumteve gojore të anève gjirokastrite rotull “masà-së”[25] së kafesë.

Mirëpo Kadareja nuk ndalet këtu. Ai e qëmton atë edhe si vëzhgues i drejtpërdrejtë, ose si dëshmitar i dorës së parë i ngjarjeve të çuditshme që zhvillohen rreth tij, dhe që i përshkruan në vepër. Shkurt, Shkrimtari e ka përthithur të drejtën e pashkruar të pastër e të kulluar nga burimi, por edhe të zbatuar drejtpërdrejtë në praktikë. Shembull i qartë është zakoni lokal i martesave brenda gjakut, i praktikuar në Gjirokastër, i cili përbënte largim thelbësor nga praktika e gjithëzbatuar e së drejtës së pashkruar shqiptare.

Pa hyrë thellë në analizë, natyrisht, Shkrimtari ka pikëtakime e dallime me gjurmuesin apo mbledhësin, ta quajmë, profesionist. Çfarë metodologjie ka zbatuar, për shembull Shtjefën Gjeçovi, në mbledhjen dhe përpunimin e Kanunit të Lekë Dukagjinit? Ne dimë se ai ka mbledhur lëndën e së drejtës zakonore shteg më shteg nga goja e popullit. Mirëpo dimë, nga ana tjetër, se versioni i Kanunit, i botuar për herë të parë tek Albania e Konicës, ndryshon nga ai i botuar më vonë tek Hylli i Dritës. [26] Pra, në thelb, edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, po t’i referohemi variantit që kemi sot të mbledhur nga Gjeçovi, përmban një element të pamohueshëm subjektiv. Çka na sjell tek Shkrimtari, tek i cili subjektivitetin e marrim të mirëqënë.[27]

Ndryshe nga mbledhësi profesionist, roli i të cilit përfundon tek kodifikimi apo ngulitja në tekst e normave dhe kazuseve gojore të mbledhura, të drejtën e pashkruar Shkrimtari e vëzhgon dhe e përjeton. Kësisoj, ai e përthith, e përpunon dhe na e transmeton atë artistikisht. Nëqoftëse mbledhësi i parë e shkëput të drejtën zakonore nga burimi gojor dhe na e ngurtëson atë në trajtën e tekstit, apo së shkruarës, shkrimtari, përmes lartësimit artistik të këtij ligji dokësor, e thith nektarin e gurrës dokësore dhe ia rikthen atë lexuesit – që në njëfarë kuptimi është vetë burimi gojor i produktit të mbledhur – jo si një kod i thatë nenesh dhe ligjesh, por si një kronikë e gjallë jete, dashurish dhe vdekjeje. Në vështrim krahasimor, Shkrimtari ngjan me gjykatësin në “common law”[28], i cili vendimin e mbështet në faktet dhe provat, dhe e arsyeton të mbështetur në ligj, në parimin stare decisis[29] apo precedentin gjyqësor, si dhe në një mori parimesh e doktrinash juridike të zhvilluara në shekuj.

  1. E drejta zakonore tek “Breznitë e Hankonatëve”

Sikurse u përmend më herët, “Breznitë e Hankonatëve” është një kronikë shumëbrezëshe, ku përveç konfliktit anas – ardhës, ndërthurren e përplasen e drejta e shkruar me të drejtën e pashkruar.

Novela fillon me një gjyq për pronën – në njëjës, të Basri Hankonit I. Ajo mbaron me një gjyq për pronat! – në shumës, për të shfuqizuar testamentin e detajuar apo vakëfnamen e Basri Hankonit III.[30]

Kryekrejet dalin në pah disa institute dhe elemente të rëndësishme të së drejtës zakonore, siç janë kufiri, besa e rreme, opinioni publik etj.

Le ta nisim, së pari, me një “zakon të lashtë…me prejadhje nga shoqëria fisnore”, d.m.th. me martesën me kunatën. Studiuesi Kahreman Ulqini, që e analizon atë kryesisht sipas praktikës së dokeve të veriut, e kategorizon në dy trajta: (i) martesa e burrit me gruan e vëllait të vdekur; ose  (ii) martesa me motrën e gruas së vdekur.[31] Mirëpo zakoni është mbarëshqiptar, duke dëshmuar sërish njëjësinë e së drejtës dokësore shqiptare. Shkrimtari na e përcjell këtë përmes veprës artistike. Tek Hankonatët zakonin e lashtë e hasim tek breznia e dytë, ku Kaskapani, vetë i ve, martohet me vejushën e të vëllait, Hatibit. Vendimi përkatës, “sipas zakonit”, u mor “në këshill”, ose në mbledhjen e vëllazërisë dhe motrës Shano.[32]

E drejta e pashkruar, pra, është edhe uniteti midis njëjësisë dhe larmisë, apo raporti dinamik “midis kombëtares dhe krahinores”.[33] Martesa “brenda familjes”, për “me e ndalë” dhe “mos me e nxjerrë nga shtëpija” të vejën e të afërmit, ishte dëshmi e njëjësisë në rrafsh kombëtar të së drejtës së pashkruar shqiptare. Nga ana tjetër martesa brenda gjakut ishte shmangie dramatike nga thelbi i “zakonit të lashtë”. Dhe si e tillë, ajo ishte thjesht risi krahinore, ose më saktë, qytetëse. Në Gjirokastrën e Hankonatëve atë e hasim në brezin e tretë: Basri Hankonit II, djali i Hatibit, martohet me Selmanë, vajzën e hallës, Shanos. Rravgimin e bujshëm nga norma e përgjithshme dokësore Kadareja na e shpreh kështu: “Martesat midis kushërinjve të parë, për shkak të moscopëtimit të pasurisë, nuk ishin të pazakonshme në Gjirokastër“.[34] Porse pasojat do të ishin krejt të pazakonshme…

Të analizojmë më tej institutin e kufirit, që sipas Margaret Hasluck, kishte rëndësi thelbësore në të drejtën zakonore shqiptare.[35] “Kufini ngulet njiherë e përgjithmonë“;[36]Kufini që dihet, s’luhet ma“;[37] “Kufiri nuk preket; Ligji e sheh ndryshimin e kufirit si dhunimin më të madh; kufiri është i shenjtë”, theksohet tek Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe Kanuni i Skënderbeut.[38] Konfliktet për kufirin mund të ishin veçanërisht të përgjakshme, duke cenuar rëndë rendin shoqëror dhe ekonomik në malet shqiptare.[39]

E pra, i gjithë thelbi i konfliktit të parë, por edhe atyre të lindur në breznitë e mëpasme të Hankonatëve, ishte lufta për më shumë prona, që në në vetvete ishte luftë për kufirin.

Përmendim shkarazi edhe aspektin e lashtë procedural sipas të cilit gjyqet bëhen vetëm në mëngjes, dhe jo pasdreke.[40] Edhe béja e 20 marsit 1703 tek Ara e Mullenjave u bë në mëngjes.

Le të përqendrohemi tek akti i bésë së rreme. Siç na përshkruan Kadareja qysh në fillim të novelës, Basri Hankoni ngjeu shojet e këpucëve me baltën e arës së vet në kufi me Arën e Mullenjave dhe, kur kadiu me sekretaren, që qëndronin në mes të arës, e ftuan të betohej mbi Kuran, pa ia bërë syri tërr, ai tha: “Betohem mbi këtë kuran të shenjtë, se balta që është nën shojet e mia është toka ime”.[41]

Betimi mbi librin e shenjtë është një ndër llojet e bé-së sipas Kanunit. Për “kufijt e harruem”, “Kanuja e hershme njeh benë “me gurë në krah”.[42] Në rastin tonë, në mos ishin të harruar, kufinjtë ishin sigurisht të diskutueshëm. Megjithatë, për shkak të shartimit juridik të kohës, béja me gurë në krah ia la vendin bésë mbi kuran.

Në Kanunin e Lekë Dukagjinit hasen edhe lloje të tjera bésh: (i) béja mbi kryet e fëmijës; (ii) mbi bukë e krypë; (iii) mbi zjarrmin e votrës; (iv) me gurë në krah; (v) mbi vorret e pleqve.[43] Edhe Béja e Motmotit, një ndër më të rëndësishmet në malet shqiptare, bëhej “me gurë në krah”.[44]

Mirëpo betimi, si proces, nuk ishte aspak veprim rutinor. Béja, apo akti në themel të procedurës së betimit, me Kanun “…asht gja e shejt”. Madje, “béja e rrejshme heret e vonë e vret të zonë”.[45] Pasojat, pra, ishin më shumë se morale dhe fizike. Ato mund të ishin fatale. Ishte njëfarë sentence apo dënimi universal, që “Bérrejshmi i humb të gjitha“, siç sanksiononte Kanuni.[46]

Këtu dalim papritur tek roli i opinionit publik,[47] i cili është i pranishëm gjerësisht në veprën e Kadaresë. Ai është si personazh misterioz dhe i padukshëm, që shfaqet herë përmes frazave të tilla si: “thoshin njerëzit“, “në qytet filluan ta thërritnin“; ose herë me variante të foljeve “thuhej“, “flitej” “pëshpëritej“; apo veprimeve të lidhura me emra a kategori të tjera gramatikore, si “njerëzit”,tregimtarët”,të gjithë” etj.”[48] Dënimi i parashikuar në Kanun përcillej – edhe pse heshturazi – pikërisht përmes opinionit publik.

Në këtë rast, opinioni publik merrte përsipër rolin e njëfarë arbitri kolektiv apo jurie, e cili gjykonte e dënonte përmes mjetit më të çuditshëm dhe, pse jo, edhe të efektshëm, heshtjes. “Mjerë ata ç’i gjeti, thoshin”, ku opinioni publik shprehte keqardhje për fatin e Fatri Hankonit, fëmijës idiot të lindur nga martesa midis Basri Hankonit II dhe Selmasë, të dy kushërinj të parë.[49]

Heshtja, pra, është mënyra me të cilën opinioni publik ballafaqohet me shkelësin. Diskutimet – njëlloj si debatet e brendshme (deliberare) të jurive gjykuese – qartësojnë e ngurtësojnë qëndrimin e kësaj mase të pacaktuar qytetarësh ndaj ngjarjes apo veprimit të shkelësit. Por ndryshe nga juritë e zakonshme, që verdiktin e shpallin publikisht, vendimet e bashkësisë gjirokastrite do të mbeten brenda për brenda kuadrit të opinionit publik, dhe nuk i shpallen apo nuk i përplasen në fytyrë shkelësit. “Basri Hankoni s’do të bënte kurrë prokopi me atë mall harram”pëshpërisnin”[50] njerëzit që e dinin punën e besë së rreme”.[51] 

Arma tjetër në arsenalin e opinionit publik ishte leçitja, d.m.th. izolimi i përgjithshëm e absolut që i bëhej dhunuesit të zakonit, duke mos i shkelur në shtëpi.[52]

Heshtja dhe një formë e leçitjes u shfaqën papritmas si sanksione përmbi brezninë e pestë të Hankonatëve, pas vetëvrasjes së pleqve Çanatë, natën e Vitit të Ri, ngaqë “s’kishin t’u kthenin Hankonatëve borxhin e dyfishuar nga fajdeja”.[53] Sikurse përmendim tjetërkund, fajdeja ishte e ndaluar me kanun. Mirëpo Hankonatët e kishin shkelur këtë dispozitë të së drejtës zakonore. Dënimi i opinionit publik ndaj këtij veprimi të Hankonatëve nuk vonoi. Ai u shfaq në trajtën e një “vale inati shurdhan kundër tyre[54] në mbarë qytetin. Ishte njëfarë hibridi midis heshtjes dhe leçitjes. Përveç dëbimit nga vendbanimi, i sanksionuar sipas rastit të skajshëm nga pleqësia, dënimi me heshtje nga ana e opinionit publik ishte më i ashpri. Paralelizmi me ligjin e vjetër dhe të mirë nuk mund të jetë më i afërt. Lex est mutus magistrusligji është veç një gjykatës i heshtur, shprehej Ciceroni shumë shekuj më herët…[55] Ligji, si shprehje tekstuale e heshtur, e pa shpirt, dhe që merrte frymë e jetë nga opinioni i pleqnarit apo gjykatësit, tashmë përdorte si ndëshkim pikërisht heshtjen.

Opinioni, po ashtu, vepron si njëfarë “standardi” sjelljeje shoqërore dhe juridike. Në këtë drejtim, Gjirokastra e fundit të mesjetës në botën dokësore shqiptare, dhe më konkretisht, instituti i “opinionit publik” sjell, çuditërisht, pikëtakime me institute thelbësore në të drejtën krahasimore, siç janë bonus paterfamilias[56], apo reasonable person.[57]

Opinioni publik thërret në vëmendje krahasimisht korin në tragjeditë e lashta antike greke. Intertekstualiteti, tipar par excellence, i fushës të së drejtës, vepron në një këndvështrim, përmes interpretimit që lexuesi i bën tekstit. Lexuesi vendoset përballë dilemës së arsyeshme se si do të reagonte dhe si do të vepronte ai vetë përballë veprimeve në shkelje të normës dokësore të Basri Hankonit dhe pjestarëve të tjerë të familjes.

Nëse rrotën e madhe të kohës e rrokullisim me 200 vjet më pas, Basri Hankoni i tretë, e ndjente se mbante mbi ndërgjegje peshën e pabesive dhe krimeve të paraardhësve të vet. Qarku, tashmë, ishte mbyllur. Béja e rrejshme ishte takuar me fatin e vet të pashmangshëm e të pamëshirshëm. “Mëkati fillestar”, ishte vërtetuar madje edhe me zbulimin e “corpus delicti“, ose me këpucën e përdorur atë ditë marsi të vitit 1703, të gjetur disa breza më pas në sterénë e shtëpisë së Hankonatëve.[58]

Basriu i fundit do të përshkruante kësisoj të tri “krimet” e breznive të Hankonatëve:

Së pari, béja e rreme;

Së dyti, vrasja e Roksanës – çka sjell në vëmendje institutin dokësor të gjakut dhe të nderit, të shpërfytyruar tek veprimi i dyshuar i Hankonatëve;

Së treti, vetëvrasja e pleqve Çanatë, nga fajdeja të cilën nuk mund ta paguanin.[59][60]

Në krye, natyrisht, Basri Hankoni i tretë do të vinte bénë e rreme! Tejet tragjikisht, por jo fare papritur, 200 vjet dhe gjashtë breza më vonë, Hankonatët vuanin, pra, pasojat e “mëkatit fillestar”, bejës së rrejshme të Basriut të parë. Si retë e murrme mbi Malin e Gjerë, ajo bé u ndenji mbi kokë brez pas brezi.

  1. Përfundim

“Nuk ka nder më të madh për shkrimtarin sesa të arrestohet për një roman të tijin“, përmendte Kadareja para ca kohe.[61] Të burgosesh për të shkruarën është ndofta aspekti më i skajshëm, quasi tragjik i marrëdhënies së shkrimtarit me ligjin, ose më mirë, me peshën e pamëshirshme të tij në diktaturë. Përndryshe, marrëdhënia e shkrimtarit me ligjin në demokraci është më e hapur, më transparente, më ndërkomunikuese e me përfitim të ndërsjelltë.

Nëse raporti i shkrimtarit me ligjin pozitiv në diktaturë është i ngurtë e i shtangët, raporti midis tij me të drejtën zakonore është i lirshëm, dinamik. Në njëfarë mënyre, trajtimi artistik i së drejtës dokësore në diktaturë është si rreze shprese e dritë lirie në errësirë.[62] Marrëdhënia shkrimtar – e drejtë dokësore luhatet midis nxënies së korpusit të saj përmes ngulitjes në tekste të dokeve e sulleve të qëmtuara nga të tjerë, dhe mbrujtjes artistike përmes përvojave individuale jetësore. Dhe pikërisht, tek takimi i dokësores me tekstin fillon edhe shkëputja nga ky i fundit, çka na vjen me anë të transformimit artistik, dhe ngulitjes së krijimtarisë si fiksion në veprën letrare. Edhe qarku i krijimtarisë tashmë mbyllet: e drejta zakonore u vol dikur prej mbledhësit nga goja e popullit, drejtpërdrejtë në gurrë, për t’iu kthyer artistikisht lexuesit, d.m.th. burimit, përmes Shkrimtarit. Atë çka mbledhësi e merr, në një pikëpamje Shkrimtari e kthen.

Kjo dinamikë e çuditshme intertekstuale, e luhatur midis sulleve kuvendore dhe normave kanunore, kazuseve si precedentë gjyqësorë të pleqnarëve, rolit të opinionit publik përmes standardit juridik të “reasonable person“, dhe prurjes fiksionale të shkrimtarit,[63] nuk parakupton aspak që shkrimtari dhe mbledhësi profesionist arrijnë konkluzione diverguese në vëzhgimet e tyre. Përkundrazi. “Kodi i vjetër zakonor shqiptar…ngjan çuditërisht demokratik”, vëren me mprehtësi Kadareja.[64] Krahasimisht, Margaret Hasluck, studiuesja dhe gjurmuesja e shquar britanike, do të shprehej se “…vetëqeverisja e malësorëve të Shqipërisë ishte shumë pranë konceptit të demokracisë së vërtetë….Në mënyrën e vet të mirëfilltë ajo ishte qeverisje e popullit, nga populli, për popullin”.[65]

E parë me dritën e sotme, e drejta zakonore shqiptare, e përcjellë përmes veprës madhore të Kadaresë “Breznitë e Hankonatëve”, si dhe ndërthurja e saj me të drejtën pozitive, ka çuditërisht rezonancë aktuale.

Nëse krahasojmë këtë “lesharap gjyqesh”,[66] siç e quan Kadareja, apo konfliktet anas – ardhës shoqëruar me përplasjet e sotme të jashtëzakonshme për çështjet e pronave në Shqipëri, nuk mund të mos vëmë pyetjen nëse hija apo fantazma e “bérrejshmit” Basri Hankoni është e gjallë dhe shtruar këmbëkryq sot e gjithë ditën tek palët ndërgjygjëse shqiptare.

Me të vërtetë, nëse pranojmë se e vërteta është një, dhe të tilla e të mirëpërcaktuara janë edhe sinoret, apo kufinjtë e trojeve a pronave, dhe nëse mbajmë parasysh se dy ose më shumë palë pretendojnë të drejtën apo të vërtetën, atëhere mund të themi se béja e rreme, ashtu si atë mëngjes mitik të 20 marsit 1703, fatkeqësisht vazhdon të ushtrohet sot e gjithë ditën nga paditës e të paditur shqiptarë. Pyetja që mbetet është nëse pasojat e këtyre “mbrapështinave”, në shkelje të plotë të së drejtës së sotme pozitive dhe asaj të lashtë të pashkruar, do të vërtiten dikur përmbi fatet e pretenduesve a fituesve të pandershëm, bashkë me pasardhësit e tyre, njëlloj sikurse e pësuan në fund vetë Hankonët me marritë, mallkimin ndër dhe mbarëbrezor, dhe fatin e zi të tyre.[67]

(c) 2019, autori. Të gjitha të drejtat e rezervuara.


Bibliografi e pjesshme

 

Aaron Xavier Fellmeth, Maurice Horwitz, Guide to Latin in International Law

Alan Watson, Ancient Law and Modern Understanding – At the Edges, The University of Georgia, Athens and London, 1998

Davis Report, Le primer report des cases & matters en ley resolues & adiudges en les courts del Roy en Ireland. Collect et digest per Sr. Iohn Dauys Chiualer Atturney Generall del Roy en cest realme

E Drejta Zakonore Shqiptare, I, Kanuni i Lekë Dukagjinit, Tiranë, Akademia e Shkencave të R. Shqipërisë 1989

Fjalori i Gjuhës Shqipe, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, Tiranë, 19

Floresha Dado, Lexuesi “në kurth”, eseistika e Kadaresë, Tiranë, 2016

Fritz Kern, Kingship and Law in the Middle Ages, translated with an introduction by S.B. Chrimes, Basil Blackwell, Oxford, 1948

Ismail Kadare, Dialog me Alain Bosquet, Onufri, bot. IV,

Ismet Elezi, E drejta zakonore e Labërisë në planin krahasues, Shtëpia Botuese e Librit Universitar, Tiranë, 1984

Ismet Elezi, E drejta zakonore e Labërisë, Tiranë, 1994

Kanuni i Lekë Dukagjinit mbledhur nga Shtjefën Gjeçov, Gjonlekaj, New York, 1989

Margaret Hasluck, The Unwritten Laws in Albania, Cambridge University Press

Peter Goodrich dhe Yifat Hachamovitch, Habeas Corpus: A semiotic analysis of common law cartographies, tek Tracing the Semiotic Boundaries of Politics, Edited by Pertti Ahonen, Mouton de Gryuter, Berlin, NY, 1993

Pëllumb Xhufi, Árbërit e Jonit, Onufri, 2016

Xhemal Meçi, Kanuni i Lekë Dukagjinit, I Varianti i Pukës, Botimet Çabej MÇM, Tiranë, 1997

Xhevat Lloshi, Parathënie, e veprës së Ismail Kadaresë, Breznitë e Hankonatëve, “Onufri”, Tiranë, 2000.


Artikuj

Abaz Dojaka, Disa udhëzime për mbledhjen, sistemimin dhe studimin e së drejtës zakonore, Etnografia Shqiptare, Akademia e Shkencave, Vol. VII-VIII, Tiranë, 1976. f. 277,

Abaz Dojaka, Doke e zakone ndër shqiptarët në Mesjetë dhe në kohë të sotme, Etnografia Shqiptare», Vol. 13, 1983

Ani Kokobobo, The “Curse” of Eastern Blood in Ismail Kadare’s “Elegy for Kosovo”, Ulbandus Review, 1.1.2010, Vol. 13, ff. 79-93;

Charles Johnson, the Land of the Blood Feud, Harper’s Weekly, 1913, Vol. 57

Elvira Lumi, The Traditional System of Justice in the Ismail Kadare’s Novel, International Journal of Arts and Sciences, 2011, 4(14), ff. 197 – 209;

Kahreman Ulqini, E drejta kanonike shqiptare përballë së drejtës kanonike dhe sheriatit, Etnografia Shqiptare, Vol. 16, Akademia e Shkencave, Tiranë, 1989

Mirjona Sadiku, the Origins of the Kanun, Exploring the Development of the Albanian Customary Law, Balkan Arastirma Enstitusu Dergisi, Dec. 2014, Vol 3 (2), ff. 77-95;

Pal Doçi, Rreth disa çështjeve të së drejtës së malësisë, Kultura Popullore, 1/1991, f. 169

Persida Asllani, Kanuni në prozën shqipe: miti i përbashkët “i shenjtërimit”, Studime Filologjike, 2008, 1-2, ff. 37-50;

Sandra F. Joireman, Aiming for Certainty: the Kanun, blood feuds and the ascertainment of customary law, the Journal of Legal Pluralism and Unofficial Law, May 2014, ff. 1-14;

Revista “Ylli”, 1965, Nr. 6

Kazuse

Healthcare at Home Limited v. The Common Services Agency [2014]


[1] Autori është studiues në Universitetin e Masaçusets-it në Boston. Ndër punime të tij të përparshme përmenden përmbledhja “Kushtetuta, Europa dhe Minoriteti Çam“, Tiranë, 2013, dhe vepra studimore “Faik Konica – Dritëhijet e një Diplomati”, Tiranë, 2016. Ligjërata u paraqit për herë të parë në Konferencën In Honorem Kadare, organizuar nga Departamenti i Letërsisë i Fakultetit Histori – Filologji, Universiteti i Tiranës, me 15 dhjetor 2016.

[2] Në thelb, Jus non Scriptum, ose zakon që ka marrë forcën e ligjit. Shih edhe referencën në citimin 27 e 54 më poshtë. Ky, dhe termat “e drejtë zakonore”, “e drejtë dokësore”, përdoren shkëmbyeshëm në tekst. Shih përkufizimin: “Doke: Zakone në jetën shoqërore të një populli, që lindin në kushte të caktuara historike dhe ruhen brez pas brezi”: Fjalori i Gjuhës Shqipe, Akademia e Shkencave, Tiranë, 1980. Për përdorimin e shumëfishtë të termave shih Pal Doçi, “Rreth disa çështjeve të së drejtës së malësive”, Kultura Popullore, 1/1991, f. 169. Nuk na duket me vend përdorimi i termit “e drejtë kanunore”.

[3] Novela është botuar për herë të parë në bleun me tregime e novela “Emblemat e Dikurshme”, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1977. Analiza jonë është mbështetur në botimin e dytë, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1981. Novela është botuar më vete nga Sh. B. “Onufri”, Tiranë, në vitin 2000, me parathënie nga Prof. Xhevat Lloshi.

[4] Shih, p.sh. Floresha Dado, Lexuesi “në kurth”, eseistika e Kadaresë, Tiranë, 2016; Persida Asllani, Kanuni në prozën shqipe: miti i përbashkët “i shenjtërimit”, Studime Filologjike, 2008, 1-2, ff. 37-50; Ani Kokobobo, The “Curse” of Eastern Blood in Imail Kadare’s “Elegy for Kosovo”, Ulbandus Review, 1.1.2010, Vol. 13, ff. 79-93; Elvira Lumi, The Traditional System of Justice in the Ismail Kadare’s Novel, International Journal of Arts and Sciences, 2011, 4(14), ff. 197 – 209; Sandra F. Joireman, Aiming for Certainty: the Kanun, blood feuds and the ascertainment of customary law, the Journal of Legal Pluralism and Unofficial Law, May 2014, ff. 1-14; Mirjona Sadiku, the Origins of the Kanun, Exploring the Development of the Albanian Customary Law, Balkan Arastirma Enstitusu  Dergisi, Dec. 2014, Vol 3 (2), ff. 77-95.

[5] Analiza mbështetet tek bleu “Emblema e Dikurshme”, botimi I, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1977. Vepra është ribotuar disa herë. Tashembrapa “Breznitë”.

[6]“Breznitë, f. 273.

[7]The impact of ancient law is with us today”, Alan Watson, Ancient Law and Modern Understanding – At the Edges, The University of Georgia, Athens and London, 1998, at xiii.

[8] Shih, p.sh. Dekreti i Sulltanit për dhënien e Timarit Sinan Bejogllu-së, shpërblim për fushatën e Hungarisë; Dekreti i Sulltanit për kalimin e timarit të Sinan Bejogllu-së tek Turhan Spahiu, hero i luftës së Kërk-Kilisë; Dekreti mbretëror për dhënien në sipërmarrje të kriporeve, 1729; Fermani për ndalimin e copëzimit të timareve; “Breznitë”, ff. 272, 273, 232, 285, 286.

[9]Breznitë”, ff. 274-275.  Sheriati: E drejta fetare islamike (në vendet ku vepron feja myslimane; gjatë sundimit osman edhe në Shqipëri). Gjyqi i sheriatit. Kanunet e sheriatit. Me sheriat.  Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, ASHRPSSH, IGJL, Tiranë, 1980, f. 1828

 

[10] Sull / Osull. Vendime të Kuvendit që bëhen norma kanunore. “Sulli asht dëshira e populli”. “S’mund të dalin kush mbi sullet“. Xhemal Meçi, Kanuni i Lekë Dukagjinit, I Varianti i Pukës, Botimet Çabej MÇM, Tiranë, 1997, f. 257, [tashembrapa KLD-P].  Termi nuk gjindet në Fjalorët e Gjuhës së Sotme Shqipe, botimet zyrtare përkatësisht të viteve 1980 dhe 2002.

[11] Shih, p.sh. kreun “E Drejta Ndëshkimore”, Mbrapshtinat, KLD-P, ff.  143-162.

[12] Shih, p.sh. kreun “E Drejta e Detyrimeve, KLD-P, ff. 125 – 143, ose kreun Rendi Ekonomik – pronat dhe kufiri, KLD-P, ff. 106.

[13] Shih p.sh. kreun “Ndamja dhe Trashëgimia”, tek KLD-P, ff. 121 – 125.

[14] Fritz Kern, Kingship and Law in the Middle Ages, translated with an introduction by S.B. Chrimes, Basil Blackwell, Oxford, 1948, f. 149.  [Hereinafter Kern]. Kern e përkufizon ligjin objektiv si “doke që vijnë nga një epokë që s’mbahet mend, të dëshmuara nga kujtesa e pleqnarëve më të moshuar dhe më të besuar; leges patrum, ngandonjëherë, por jo domsdoshmërisht, e var kujtesën tek mjete të jashtme ndihmëse, si p.sh. …kufinj, libra ligjesh, ose çfarëdolloj sendi tjetër që e mbijeton qenien njerëzore”. Ibidem. [Në origjinal: Kern defines objective law as “Immemorial usage, testified to by the memory of the oldest and most credible people; the leges patrum, sometimes but not necessarily prone by external aids to memory, such as cuarters, boundaries, law-books, or anything else that outlived human beings.”  Ibidem.]

[15] “Breznitë”, f. 272.

[16] “…mosha nuk ndërton ligjin, dhe përdorimi i gjatë i një praktike nuk provon se ajo është e drejtë.” [“…age cannot create law, and long usage does not prove a practice to be rightful.”] Kern, f. 150.

[17] Shih, për shembull, Charles Johnson, the Land of the Blood Feud, Harper’s Weekly, 1913, Vol. 57, f. liii. Autori i referohet një bisede të Edith Durham me një malësor: “Unë jam katolik i mirë…pra, jam në gjak me myslimanët, sepse ata nuk besojnë. Jam në gjak me hebrenjtë, sepse ata vranë Zotin. Jam në gjak me sllavët sepse ata nuk i luten Atij ashtu siç duhet”. Po aty.

[18] Ismet Elezi, E drejta zakonore e Labërisë në planin krahasues, Shtëpia Botuese e Librit Universitar, Tiranë, 1984; Ismet Elezi, E drejta zakonore e Labërisë, Tiranë, 1994, ku autori i referohet edhe zbatimit në Toskëri [Kanuni i Adetit], në Çamëri [shkurt, Adeti], në Labëri [Kanuni i Papa Zhulit ose i Idriz Sulit], shih Parathënie e Kanunit të Labërisë, tek www.kanuniilaberise.tripod.com; Shih edhe një shkrim të Vehip Runës për Kanunin e Labërisë dhe Kuvendin e Zhulatit, të botuar në Dielli, rreth viteve 1957 [arkiva private e autorit].

[19] Dorëshkrime të Gjeçovit, f. 13, refereruar tek botimi E Drejta Zakonore Shqiptare, I, Kanuni i Lekë Dukagjinit, Tiranë, Akademia e Shkencave të R. Shqipërisë 1989, Hyrje nga Koço Nova, f. 128.

[20] Nuk e kemi hasur referencën tek studiues të tjerë.

[21] Përkimi apo ngjashmëria e termit përbashkësi me Common Law nuk është aspak e rastit.

[22] Për më tepër lidhur me Arbëritë, shih Pëllumb Xhufi, Árbërit e Jonit, Onufri, 2016, ff. 1260-1264.

[23] Kjo shmangie e rëndësishme nga norma e përbashkët zakonore “nuk ishte diçka e pazakonshme në Gjirokastër”, thekson Kadareja. “Breznitë”, f. 297. Krahaso me Kanunin e Lekë Dukagjinit, varianti i Pukës, ku martesat brenda fisit nuk lejoheshin madje edhe deri pas shumë brezash.

[24] “…si element i fuqishëm qëndrese” dhe kohezioni, e drejta dokësore shqiptare “nuk lejoi që vendi ynë të ndahej në «tri kultura» simbas përkatësive fetare, në tri kombe, ashtu siç ndodhi në disa vende të Ballkanit.” Kahreman Ulqini, E drejta kanonike shqiptare përballë së drejtës kanonike dhe sheriatit, Etnografia Shqiptare, Vol. 16, Akademia e Shkencave, Tiranë, 1989.

[25]  Masà – nga turqishtja, tryezë. Sipas Lloshit, në botimin e fundit [v. 2000] të “Breznive” “janë zëvendësuar mjaft fjalë të huaja në gjuhën tone, sidomos orientalizma, me fjalë shqipe”. Xh. Lloshi, vep. Cit. f. 21-22.

[26] Për metodologjinë e mbledhjes së normave të së drejtës zakonore vlen të theksohet studimi i Abaz Dojakës, Disa udhëzime për mbledhjen, sistemimin dhe studimin e së drejtës zakonore, Etnografia Shqiptare, Vol. 7-8, ff. 280 e vijuese. Një kritikë ndaj Gjeçovit shpaloset nga Nopsca: “botimi i Gjeçovit vuan nga e meta se a priori i vë vetes detyrën ta paraqesë kanunin siç e paraqet ose dëshiron ta paraqesë kleri i Shqipërisë së Veriut, prandaj duhet të përdoret me shumë kujdes“. F. Nopcsa, Shqipëria, fiset e Malësisë së Shqipërisë Veriore dhe ligji i zakoneve, (Arkivi i Institutit të Historisë, Tiranë, Përkthimi shqip i dorëshkrimit që gjendet në Vjenë, f. 316), cituar nga Kahreman Ulqini, vep.cit.  Kurse në veprën të botuar së fundmi nga Qendra e Studimeve Akademike, Instituti i Historisë, Tiranë, 2013, përkthyer nga Dr. Iur. Mihallaq Zallari, citimi është në faqen 291.

[27] Të mos harrojmë – vepra e tij, në intertekstualitetin e detyruar përmes – së paku – referencave kanunore, është fiksion. “Kemi përpara një tekst të letërsisë artistike. Nga vetë thelbi i tij ai lejon disa lexime, domethënë disa mënyra për ta kuptuar, për ta interpretuar”. Prof. Xh. Lloshi, vep. Cit. f. 13.

[28]Common law” apo e drejta e përbashkët, është e drejta e zbatuar në Angli pas pushtimit norman në shekullin XI, që ishte njëfarë hibridi midis së drejtës së pushtuesit me atë të vendasve, ku rol të veçantë kishte precendenti gjyqësor, i zbatuar gjerësisht, që mundësonte siguri në kuptimin dhe zbatimin e ligjit, dhe lirshmëri në përshtatjen me rrethana të reja. Më tej u përhap në zotërimet koloniale dhe në SHBA. Shih edhe referencën në citimin 54 më poshtë.

[29] Stare decisis, nga latinishtja, përafërsisht ka kuptimin se vendimi i marrë zbatohet në çdo rast, është doktrina e precedentit gjyqësor, sipas të cilit një vendim i marrë nga një gjykatë zbatohet përgjithësisht nga çdo gjykatë tjetër nëse faktet dhe rrethanat janë të njëjta ose të përafërta.

[30]Breznitë“, 325-327.

[31] Kahreman Ulqini, vep. cit.

[32] “Breznitë”, 284 -285.  Kaskapani e kishte kundërshtuar me këmbëngulje, duke u shprehur se “nusja ime e zezë me Hatibin përbri në varre, unë me nusen e tij në shtrat. Ç’është ky fat kështu!”. Po aty. Pas nëntë muajsh lind Roksana.

[33] Abaz Dojaka, Doke e zakone ndër shqiptarët në Mesjetë dhe në kohë të sotme, Etnografia Shqiptare», Vol. 13, 1983

[34]Breznitë”, f. 297. Shih edhe shënimin 22.

[35] Margaret Hasluck, The Unwritten Laws in Albania, Cambridge University Press, 95 – 109.

[36] KLD-P, Neni 300, f. 105.

[37] E buruar në Pukë, më 1856, KLD-P, f. 236.

[38] Kanuni i Lekë Dukagjinit mbledhur nga Shtjefën Gjeçov, Gjonlekaj, New York, 1989, Neni 57, f. 73 [tashembrapa KLD].

[39] “Sipas normave të së drejtës zakonore gojore, «gjak për gjak», hakmarrja ka shkurtuar jetën e ajkës së djalërisë … Në mes të Nikajt e Shalës për çështje të kufirit të kullotave, u vranë 33 shaljanë, gjatë pesëmbëdhjet ditëve…Revista “Ylli”, 1965, Nr. 6.

[40]  KLD, Neni 142, para 1029. Me gjasë kjo bëhej për t’u lejuar të gjithë të pranishmëve kohën e mjaftueshme për t’u kthyer në shtëpi para perëndimit.

[41]Breznitë”, 272 – 273.  Teknikisht, béja e Basri Hankonit nuk ishte e rrejshme: balta në shuaj ishte vërtetë e arës së tij. Mirëpo zhvendosja fizike dhe kryerja e betimit në mes të Arës së Mëllenjave e kthente veprimin, në tërësi, në mashtrim, dhe pra, edhe bénë në vetvete në të rrejshme.

[42] KLD-P, Neni 302, f. 105.

[43] KLD-P. Neni 222. Beja ka me u ba si të lypet. Kategoria jepet e tillë: “Be mbi kishë a xhami, mbi kryq a teqe, mbi ungjill a qitape, vetëm a me pleq beje“. Po aty, (vi).

[44] KLD-P, Neni 223. f. 86, 171. Formula ishte: “Shete beja Zotit. [E shejt asht beja e Zotit. Si e basha, më ndihmoftë! Nuk kam me vjedh gja t¨ze hujen në ban nji dorë krande e pêrpjetë me hjeksue kand mbranda kufive të katundit”. Shih edhe “Kudo në popullin tonë festohet kryet e motmotit ose festa e verës, në thelb festë pagane që feja e quajti dita e Shëngjergjit.” Tek Abaz Dojaka, Doke e zakone ndër shqiptarët në Mesjetë dhe në kohë të sotme, Etnografia Shqiptare», Vol. 13, 1983.

[45] KLD – P, Neni 221. f. 86.

[46] KLD – P, Neni 236, f. 89. Një konflikt i mesit të shekullit XVIII midis fisit të Kokës së Kabashit dhe të Qerretit të Rrafshit të Dukagjinit është shumë domethënës, madje na paraqet institutin e vetëdënimit. Dy fiset kishin njëfarë konfliktu për çështje kufinjsh, Megjithatë, kjo nuk nënkuptonte mosdhënien e ndihmës në rast nevoje. Në tbunën e Kokës ra zjarr, dhe ata “lëshuan poteren” duke kërkuar ndihmë nga Qerreti, që s’iu përgjigj thirrjes. Dëmi ishte i madh. Koka lypi arsyen e refuzimit ose benë. “Qerreti i mblodh në kuvend të vet. Pleqnoi se ishte në faj. Bé nuk mund të bënte se nuk ia pranonin pleqtë, se shihej që ishte be në rrenë. Kështu që vendosi të ikte natën e të rikthehej në Rrafsh Kosovë”. KLD-P, f. 203. Shih dëshminë sipas misionarit italian A. Dedë Pasi në shënimin 104, ku një ngjarje në Buhot të Kabashit, viti 1896 përcjell sanksionet ndaj besë së pasaktë prej të betuarve kundër shkelësit, vjedhës i një pushke. Shih edhe shënimet 99-105. Po aty, ff. 171-172.

[47] Togfjalëshi përdoret me rezervën dhe mungesën e gjetjes së një termi më të qëlluar.

[48]Breznitë”, ff. 292, 293, 295, 304; Disa shembuj përdorimi: “siç thoshin” (296), “u pëshpërit”, “thuhej se”, “thoshin”(299), “njerëzit (299), “tregimtarët (300), “të gjithë ishin të një mendimi” (300), “erdhi fundi i botës, thoshin” (304), “mjerë ata ç’i gjeti, thoshin” (306). “Folja më e përsëritur është ‘thoshin’, me të gjitha sinonimet e saj”. Prof. Xhevat Lloshi, Shekujt e një familjeje si histori në të sotmen, Parathënie tek “Breznitë e Hankonatëve”, Onufri, Tiranë. 2000, f. 9

[49]Breznitë”, 306.  Krahasoje me f. 307.

[50] Rendi i frazës është ndryshuar.  Termi me gërma më të zeza është i autorit të kumtesës.

[51]Breznitë”, f. 275.

[52] Leçit – mos me i hy brenda shtëpisë për asnjë rast dikuj që është sjellë keq, që ka shkelur zakonet. KLD-P, f. 255.

[53]Breznitë”, f. 320.

[54] Ibidem.

[55] Citimi jepet tek Sir John Davis Report, Le primer report des cases & matters en ley resolues & adiudges en les courts del Roy en Ireland. Collect et digest per Sr. Iohn Dauys Chiualer Atturney Generall del Roy en cest realme, Early English Books Online, etk quod.lib.umich.edu

[56] Standardi i përkujdesjes në të drejtën civile krahasimore. Shih edhe Aaron Xavier Fellmeth, Maurice Horwitz, Guide to Latin in International Law, f. 47.

[57] Për një trajtesë shteruese më të fundit lidhur me konceptin e reasonable person ose “the man on the Clapham Omnibus” shih kazusin Healthcare at Home Limited v. The Common Services Agency [2014] UKSC 49, paragrafet 1 – 4.

[58]Breznitë”, ff. 322-323.

[59]Breznitë”, ff. 323.

[60] Dihet se në të drejtën zakonore shqiptare fajdeja ishte absolutisht e ndaluar KLD, Neni 82, Shënim.

[61] Bisedë me të nënshkruarin, Tiranë, pranverë 2016.

[62]Breznitë e Hankonatëve” u botua për herë të parë në vitin 1977, ose në kulmin e diktaturës komuniste.

[63] Shih edhe Peter Goodrich dhe Yifat Hachamovitch, Habeas Corpus: A semiotic analysis of common law cartographies, tek Tracing the Semiotic Boundaries of Politics, Edited by Pertti Ahonen, Mouton de Gryuter, Berlin, NY, 1993, ff. 175 – 203.

[64] Ismail Kadare, Dialog me Alain Bosquet, Onufri, bot. IV, 1999, f. 96.

[65] Citimi i plotë në origjinal: “…[t]he self-government of the Albanian mountaineers went far towards being true democracy in the Anglo-American sense of that much-abused word.  In its primitive way it was really government of the People, by the People, for the People”. Margaret Hasluck, The Unwritten Law in Albania, Cambridge University Press, 1954, 11.

[66]Breznitë”, f. 288.

[67] Relevancën aktuale të “Breznive” e trajton gjerësisht edhe Lloshi, vep. Cit. f. 17, 19, 21.

1 Koment

  1. 67 referenca ne nje shkrim relativisht te shkurter, ku kombinohet komenti letrar me jurisprudencen, i jep vleren e nje studimi te mirfillt. I shkruar ne nje gjuhe te nivelit shkencor dhe interpretimet krahasuese juridike, te cilat zberthejne pjeset e fshehura te tekstit letrar, te ketij prezantimi aq vleresues sa dhe sqarues, e ben ate mjaft terheqes si per nga permbajtja ashtu dhe nga forma e zgjedhur.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin