LETËRSIA E SOTME SHQIPE NË RRJET (III)

(vijim)

Evis Cerga është një prozatore e kultivuar në rrjetet sociale, por që edhe e ka kryer me sukses tranzicionin nga sfera virtuale në realitetin e librit, falë librit të saj Rruga Miqësia. Ja si e përshkruan ajo marrëdhënien që ka me Facebook-un:

Më motivojnë ato gjëra që do të më motivonin edhe po t’i shkruaja në letër me makinë shkrimi. Ato gjëra që shpesh i fotografoj për të mos i harruar, për të mos i humbur dhe për t’i kthyer më pas në “vendngjarje”. Gjëra spontane. Histori të vjetra dhe histori të reja. Më motivon vëmendja e “audiencës” së Facebook-ut. Njerëzit që më duket sikur presin çdo mbrëmje që unë t’u them diçka. Do ta përshkruaja si vizitat që bënim dikur tek njëri-tjetri dhe në ato raste kur nuk e gjenim tjetrin në shtëpi (në mungesë telefonash komunikimi nuk kryhej në kohën e duhur) linim atë pusullën e famshme “Erdhëm po nuk ju gjetëm”. Mua më motivon çdo gjë që më prek. Çdo njeri që kërkoj ta bëj të “lërë gjurmë“. Çdo ngjarje sado e vogël, apo banale në dukje, që për mendimin tim vlen t’ua tregoj të tjerëve. Dua të shkruaj çdo ditë. Një ditë më pak, e një ditë më shumë. Por më duket se thuajse çdo ditë kam nga një motiv për të hedhur diçka online. Kjo mënyrë të shkruari u bë shkas edhe për botimin e librit tim të parë me tregime të shkurtra dhe skica “Rruga Miqësia”. Miq e dashamirës që më ndiqnin në Facebook më nxitën që këto skica e tregime t’i botoj dhe ashtu ndodhi. Unë motivohem për të shkruar vetëm nga gjëra pozitive dhe edhe ato që nuk janë të tilla i stis për të qenë të tilla. Mendoj se ka mjaft të tjerë që shkruajnë sot online që nxiten nga elementë të tjerë të larmishëm. Mua më motivon e përditshmja, por edhe e kaluara, për t’ua treguar atë të tjerëve, sipas mendimit dhe mënyrës sime, sipas përjetimeve personale.

Puna e Cergës me tekstin i ngjan fotografisë – jo ngaqë prozat e saj janë fotorealiste, dhe as ngaqë riprodhojnë doemos gjëra të përjetuara; por ngaqë ajo kujdeset të kapë momentin ikës, për ta fiksuar dhe për t’ia dhënë sakaq lexuesit. Me gjasë, dhe siç do ta shohim në pjesën e dytë të këtyre shënimeve, ritmi i botimit të përditshëm në Facebook i përshtatet mirë këtij lloji letërsie – ku arti përftohet jo drejtpërdrejt nëpërmjet imagjinatës narrative, por më tepër duhet zbuluar në hapësirat midis detajeve.

Edhe Adela Radovani (për të cilën do të flas më poshtë) ka një qasje teknikisht të ngjashme, pa çka se e frymëzuar nga një filozofi tjetër, në mos e kundërt. Për t’u shënuar edhe ky pohim i saji: “Njerëzit … më duket sikur presin çdo mbrëmje që unë t’u them diçka”; i cili mund të hapë një diskutim për raportin mes lirisë dhe detyrimit moral të autorit në krijimtari. Natyrisht, kjo është më shumë një lojë, ose pozicionim i atij që nuk mund të bëjë asgjë me vlerë pa e bindur më parë veten se po e bën për Tjetrin; ose letërsia si formë altruizmi.

Kalimin nga publikimi online tek editoria tradicionale e ka kryer tashmë edhe Flogerta Krypi, gjithashtu e një brezi më të ri; por edhe ajo e ka ruajtur praninë këmbëngulëse në Facebook – si autore prozash, si promovuese e teksteve të veta të botuara gjetiu dhe si krijuese aktiviste dhe e angazhuar në përpjekjet për t’i dhënë letërsisë më shumë hapësirë publike. Ja si shprehet ajo:

Rrjetet sociale janë forma më e lehtë për të “bërë marketing” për letërsinë tënde. Duke qenë se jetojmë në një shoqëri ku kritika letrare është ajo e qokave, promovimi i autorëve shqiptarë është minimal dhe nuk ka asnjë lloj filtri botues, secili tenton të promovohet si mundet dhe “të peshkojë” lexues, nëse mund të thuhet në këtë formë. […] Në Shqipëri letërsia ka probleme aq të thella sa duhet një ditë natë e mirë për të shkruar. Ndaj dhe rrjetet sociale janë kthyer në strehë. Sepse aty çdokush mund të jetë gjithçka. Të mendosh që ka njerëz që i japin “pëlqej” punimeve që i postojnë po vetë. Akoma nuk arrij ta kuptoj filozofinë e thellë të këtij veprimi. Ndoshta një lloj i ri narcizmi ka lindur pa dashur nga brezi ynë. E keqja është se dhe shtëpitë botuese shpesh po orientohen në botimet e tyre pikërisht nga numri i pëlqimeve që dikush ka në rrjetet sociale. Dhe personalisht jam shembull konkret, sepse më është refuzuar një dorëshkrim relativisht i mirë, që as nuk e kishin lexuar, me arsyen “Ti shkruan për veten, jo për të tjerët”. Pra për t’u botuar nga një shtëpi botuese serioze përveç portofolit të duhet dhe diçka e thjeshtë limonadë, që pëlqehet nga masa. Të gjithë po tentojnë drejt “bestsellerit”. Me veten ndihem mirë sepse ende “shkruaj për veten, dhe jo për të tjerët”, e ndoshta për këtë arsye kritika nuk arrin gjer tek unë, apo dhe lexuesit e gjerë. Se sot mjafton të dalësh me rroba banje me një libër në duar (tëndin apo tjetrit) nuk ka rëndësi dhe je një lexuese/shkrimtare e thekur dhe e ndjekur. Por kjo nuk ka për të ndodhur me mua dhe shumë të tjerë. Sepse ndonëse këto rrjete sociale shërbejnë për të promovuar atë që shkruan, mendoj që dhe vetë lexuesit e seleksionojnë llojin e postimeve që duan të lexojnë.

Krypi e shpjegon boom-in e publikimit letrar online (edhe) me nevojën e krijuesve për ta promovuar letërsinë që bëjnë – përballë mungesave dhe mospërfilljes institucionale, nga shtëpitë botuese, te kritika letrare. Dëshira për komunikim mund të mos ketë lidhje me teknologjinë, por ajo realizohet në ato mënyra që të vë në dispozicion e tashmja. Madje shtëpitë botuese i përshtaten këtij realiteti të ri dhe përfitojnë, si freeloaders, nga ekspozimi që autorët vetë arrijnë në rrjetet sociale; duke e marrë të gatshme, si të thuash, edhe famën (dhe masën e lexuesve-blerës potencialë) bashkë me autorin.

Përkthyesi Ilir Baçi, i cili prej kohësh promovon në rrjetet sociale – me autoritet dhe shije – përkthimin e letërsisë së huaj në shqip, thotë:

Unë Facebook nuk kam dashur të hap ndonjëherë. Por mendova se qe platformë e mirë për të bërë pakëz publicitet për librat. Për këtë kam dyshimet e mia. Mezi ia mora dorën fillimisht Facebookut, por pastaj u mësova. Për mua vijon të jetë një vend i huaj me të cilin nuk jam mësuar e nuk mendoj se do të arrij të mësohem. Copëza tekstesh që hedh në faqen time publike dhe atë private janë më shumë si një ditar a fletore lexuesi. Ndonjë tekst më të gjatë që kam përkthyer enkas për Facebook e bëj vetëm për ata që lexojnë vetëm Facebook. Me një fjalë: botoj në Facebook për të arritur ata që nuk lexojnë libra, për të bërë pakëz publicitet për botimet e mia dhe për të pasur një formë ditari virtual leximi.

Ndërsa poeti Demir Gjergji, që vitet e fundit ka përjetuar një rilindje të muzës, duke i sjellë lexuesit virtual një numër të madh krijimesh me ndjeshmëri – për mua – parnassiane, e shpjegon marrëdhënien e vet me Facebook-un kështu:

Artistët, në përgjithësi, por sidomos poetët janë ekzibicionistët më të pandreqshëm të racës njerëzore. Unë e kam kuptuar veten se jam poet, ende pa filluar të shkruaj seriozisht poezi. Këtë mundësi ma ka dhënë sjellja ime me vajzat: ndonëse ende fëmijë dhe pa arritur në pubertet, bëja të pamundurën për t’u rënë në sy atyre, sidomos njërës, që e dashuroja siç mund të dashuroj një paraadoleshent. Sa e shihja në faqen e kodrës përballë, filloja e vërshëlleja ose i bija pipëzës që të më dëgjonte ose bëja një e një marifete deri në kufijtë e rrezikut për t’i rënë në sy dhe për t’i thënë se jam ndryshe nga të tjerët.

Kur nisa të shkruaj poezi, takimet me poetët e dëgjuar ishin për mua ëndrra më e bukur e jetës. Më dukej se takoja vetë Zotin. Bëhesha një grusht fëmijë nën hijen e tij dhe prisja se çdo të thoshte ndërsa lexonte poezitë e mia (poezi u thënçin). Në vitin 1974 botova librin (librushkën) e parë poetik. Kur e kam marrë kopjen e parë, më dukej vetja njeri më i pasur, më i zoti, më i famshmi i botës. Kaloja rrugëve të fshatit dhe kujtoja se të gjithë më shihni mua. E ndjeja veten krejt tjetër gjë nga gjithë ata që më rrethonin. Madje kujtoja se dija më shumë se edhe nëna, babai apo mësuesit e mi.

Kjo mani më ndjek edhe sot e gjithë ditën, paçka se kam botuar 20 libra dhe kam shkruar mbi 2000 poezi! Jam nga ata krijues, që sapo e përfundoj krijimin, ngutem si në ethe për ta hedhur në rrjetet sociale. Në ato çaste më duket vetja poeti më i madh i botës dhe se poezia e saposhkruar është e paarritshme, qoftë nga krijimet që janë shkruar, qoftë nga ato që do të shkruhen. Më pas “shtrohem” duke u bërë lexuesi i saj dhe më bien flatrat e ngjyrshme e them: “Jam një budalla i pabindur dhe kujtoj fjalën e profesor Xhaxhiut që i thoshte shokut të kursit, Izet Durakut: “Nga Homeri te Duraku është ngrënë supa dhe japraku”. Me një fjalë, poezia e imja e fundit ishte një krijim si gjithë të tjerët. Megjithatë prapë s’vë mend, dua të shfaqem shpejt e shpejt dhe shpesh e më shpesh.

Mundësia e sotme elektronike dhe digjitale për të komunikuar aty për aty dhe me gjithkënd në botë nëpërmjet poezisë, është një nga më të mirat më të mëdha që më është ofruar në jetën time. Mbase nuk e besoni, por mund t’ju them se numri i poezive që kam shkruar gjatë këtyre 10 vjetëve ia kalon me dhjetëra herë numrit të krijimeve që kam shkruar gjatë gjithë jetës sime.

Për një “ekzibicionist”, në kuptimin më të mirë të fjalës, rrjeti social ofron jo vetëm kontakt të menjëhershëm me publikun por edhe “thrill-in” e eksperiencës anonime, ose mundësinë për të lënë gjurmë tek Tjetri edhe pa dashur. Siç e sqaron me sinqeritet të madh Gjergji, disa krijues mund të marrin energji jetike nga kjo eksperiencë; në kuptimin që jo vetëm të publikojnë më shumë e më shpesh, por edhe ta rafinojnë penën. Kjo vlen edhe më, në rrethanat kur mundësitë reale për të botuar poezi – përtej vëllimeve që shpesh mbeten të palexuara qoftë edhe sepse nuk promovohen ose paragjykohen – sa vijnë dhe tkurren. Këtu është për t’u shënuar se Gjergji është i palodhur në përpjekjet për të promovuar i artit të (recitimit të) poezisë, të vetën dhe të së tjerëve, në publik, siç mund ta kenë vënë re tashmë shumë prej jush. Dhe sidomos, për t’u vënë re se krijimet e këtij poeti – të cilat i ndjek sa të mundem – janë të tilla që të bëjnë të mendosh me admirim për kulturën e dhurimit: të dalin përpara, në “feed”, dhe nuk kërkojnë prej teje asgjë, përveçse – ndoshta – që t’i lexosh, t’u japësh një shans, të ndash me to një minutë të vetme. Kjo vlen natyrisht për të gjithë kolegët dhe miqtë që publikojnë në rrjetet sociale; por Gjergji është nga ata pak emra të cilët i njihja si autorë para se t’i hyja edhe unë kësaj aventure – dhe ashtu më ka shërbyer si urë a pasarelë për ta kryer edhe unë tranzicionin, njëlloj si të tjerë të brezit tim, nga letërsia e botuar me rrugë tradicionale tek ajo e publikuar dhe e dhuruar në rrjet.

(vijon)

© 2019, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin